Nikoll Lesi: Që nga 29 Qershori kryeministri Nano vetëm Tiranë – Rinas – Rogner! Nuk shkon te populli që e ka votuar

(Botuar me 30 Gusht 1997 në KOHA JONE)

Nga Nikoll LESI-

U bënë dy muaj nga dita kur mbaruan zgjedhjet parlamentare dhe akoma asnjë nga drejtuesit kryesorë të qeverisë nuk ka zbritur nga sedilja e “Benzit” për t’u takuar me votuesit e tij, të cilët mes kallashnikovëve votuan me gjithë shpirt për drejtuesit e sotëm. Natyrisht që drejtuesve socialistë u duhet të mendojnë jo vetëm për zonën e tyre, por për gjithë Shqipërinë. Përgjegjësia që kanë marrë është jo e vogël. Megjithatë, ata nuk duhet të harrojnë se rruga për të ardhur në karriget e sotme ka kaluar nëpërmjet zonës elektorale dhe votës së zgjedhësve, të cilët duan që deputetet e tyre t’i shohin jo vetëm nëpërmjet TV, por edhe në lagjet e qyteteve të tyre, ku akoma breshëritë e armëve marrin jetë njerëzish. Qytetarët e kuptojnë se hallet dhe moria e problemeve që la pushteti i Berishës, nuk mund të zgjidhen brenda një kohe të shkurtër qeverisje, por së paku kërkojnë që fjala dhe dora e deputetit t’u lehtësojnë sadopak dhimbjet dhe merakun për të ardhmen. Por kjo gjë nuk realizohet duke “bashkëbiseduar” vetëm nga ekrani i TV, por atje, në lagje apo fshat, ku qeveritarët e sotëm shkuan pa përtuar më 29 qershor, në kërkim të votave që do t’i ngjisnin më pas këtu ku janë sot, në kolltukun e kryeministrit, ministrit, drejtorit etj., ku kontrabanda e cigareve vërehet më mirë.

Disa herë është kërkuar që deputetet e Vlorës, Malaj dhe Brokaj, të shkojnë në Vlorë, jo për të bërë plazh, por për të biseduar e mundësuar që problemet të vihen në rrugën e zgjidhjes. E megjithatë me vlonjat është treguar ministri Ceka, sesa të lartpermendurit. Akoma në Tepelenë nuk janë qetësuar gjërat, ndonëse kryeministri gjen kohë që dhjetë herë në ditë të pijë kafe e whisky në hotel “Rogner Europa Park”. Dhjetëra letra vërshojnë tek zv. kryeministri simpatik Bashkim Fino, por edhe ai mori “sëmundjen” e liderëve dhe nuk merr rrugën për në Kuçovë, ku siç thoshte një grua në një bisedë telefonike të drejtpërdrejtë me radio “KOHA”, “ia kemi dhënë votën me gjithë shpirt, por ai nuk po vjen të na shohë se ç’po bëhet me ne”.

Vajtja e deputetëve në zonat e tyre elektorale është jo vetëm obligim, por edhe një vlerësim për ata mijëra votues, të cilët i kanë drejtuar vështrimet dhe mbështetur shpresat e tyre te deputetët. Të justifikohesh se nuk janë rrugët e sigurta, të thuash se nuk ke kohë për të vajtur pasi je i zënë me punë, kjo ka të vërteta brenda, por ka edhe gënjeshtra. Pasi, po të mbledhim minutat e kafesë, bilardos, futbollit dhe të kohës së lirë, do të mjaftojnë pa asnjë dyshim sa për të nxituar një ditë për në elektorat. Mesa duket shumicën e qeveritarëve i zë “semundja” e harresës dhe zbatojnë formulën e njohur “kalova lumin, të ….”. Por “kali-popull” vjen një moment e ngrihet, pa pyetur për atë që është ulur lart në karrigen e pushtetit. Ashtu si në rastin e qeverisë “Meksi 2”.

NIKOLL LESI

 

SHKARKO APP