Nikoll Lesi: SHIK-u, policia dhe prokuroria; të gjithë bateritë kundër “Koha Jonë”
(Botuar me 1 Mars 1996 në KOHA JONE)
Policia fabrikon “fakte” për armë pa leje në shtëpinë e drejtorit të “KJ”. Gjatë kontrollit në mesnatë, ata kanë falsifikuar dokumente për gjetje armësh
Vazhdojnë të mbahen të sekuestruara të gjitha kasetat familjare si dhe arma e gjuetisë me numër 21431C e lëshuar nga Komisariati i Policisë së Lezhës me datë 21.02.1994
Poshtërsitë, nuk qenka e thënë të mbarojnë vetëm me ndalimin e të gjithë stafit të “KJ”, në mbrëmjen e 26 shkurtit 96, as me kontrollin fashist të bërë në mesnatë në shtëpinë time nga oficerë të SHIK-ut si dhe nga 25 policë të cilët kanë gjetur vetëm gruan dhe dy fëmijët e vegjël, por paska edhe më tej: fabrikim dhe falsifikim i fakteve për armëmbajtje pa leje. Deri këtu poshtërsi nuk mendoja se mund të arrinte në këtë shtet, të cilin përpiqemi, secili në mënyrën e vet, për ta ndërtuar dhe për të vendosur drejtësinë, lirinë dhe mirëqenien ekonomike. Dje më thirrën përsëri në komisariatin e policisë numër 2 të Tiranës dhe më njoftuan se në mbrëmjen e datës 26 shkurt 1996 rreth orës 24.00 është gjetur nga kontrolli i ushtruar në shtëpi një armë pa leje automatike, me magazinë të prodhimit amerikan me mbishkrimin WARNING dhe numër serie 78853! Nga krahasimi i dokumenteve që kam për lejen e një arme gjuetie del se kjo armë është e sajuar, pa nr. 78853, pasi në lejen zyrtare kam MV21431C e blerë në Greqi më 5 mars 1993, me numër fature 364 dhe me çmimin 59000 dhrahmi si dhe numër pasaporte 120898 (pasaporta e vjetër shqiptare). Gjithashtu e zhdoganuar në Kakavijë së bashku me shoferin tim Pjetër Lini, i cili edhe ai bleu një çifte me numër serie 92008228. Pra gjithçka konform rregullave dhe ligjeve shqiptare. Autorizimi është lëshuar nga shefi i policisë së Lezhës, Pashk Pervata, në mars 1993. Jam i detyruar të bëj sqarime disi të hollësishme pasi dje Prokuroria e thirrur nga Berisha është urdhëruar që me çdo kusht Nikoll Lesin e dua në burg, ndërsa provat gjejini vetë si organ! Pra arma e gjuetisë, të cilën e kisha në shtëpi në momentin e kontrollit (unë isha i ndaluar në polici) është me të gjitha dokumentet në rregull, por policia e SHIK-ut kanë shkruar në procesverbal se në shtëpi është gjetur armë me numër 78853 dhe jo arma me numër MV2143C. Pra arma e gjetur në shtëpi është zhdukur nga kontrolluesit dhe është zëvendësuar me armën tjetër, të cilën unë nuk e kam parë asnjëherë dhe nuk e di se e kujt është! Pra konkluzioni del se unë e kam mbajtur armën pa leje dhe sipas kodit penal armëmbajtësi pa leje dënohet nga 5 deri 15 vjet burg! Në procesverbal gruaja ime, Natalina Lesi, e shokuar nga kontrolli në mesnatë pa ditur se çfarë po firmos ka nënshkruar ato që kanë shkruar SHIK-u dhe policia. Arma ime e ligjshme është futur me urgjencë në furgon të policisë dhe është çuar në Rajon. Të gjitha këto të para në një sfond ndalimesh të të gjithë stafit të gazetës tregojnë se edhe vendimi për kryerjen e kontrollit në mesnatë, firmosur nga Prokurori Shkëlqim Laze është bërë me qëllim dhe në ujdi të plotë me SHIK-un e policinë. Në të gjitha kontrollet e shtëpive të asaj nate të punonjësve të “Koha Jonë” kanë qenë prezent në kontroll edhe të dyshuarit. Vetëm unë jam mbajtur në qeli, ndërsa kontrolli bëhej dhunshëm dhe në mënyrë fashiste në mesnatë duke tmerruar gruan dhe djemtë; njërin 4 vjeç dhe tjetrin 10-muajsh. E parë në këtë dritë faktesh gjithçka është e organizuar qëllimisht dhe janë fabrikuar fakte, për të cilat një ditë të gjithë organizatorët do të përgjigjen ligjërisht. Pas kësaj lufte të shtetit ndaj “Koha Jonë” me burgje, ndjekje penale të vazhdueshme, me rrahje gazetarësh, me vendosje dinamiti familjes sime, me gjoba, sekuestrime si dhe bllokim financiar, vjen akuza më absurde, të cilën nuk e kisha menduar ndonjëherë: armëmbajtje pa leje! Pas kësaj duhet të ruhemi se nëpër xhepa punonjës të SHIK-ut do të na futin drogë dhe pas 100 metrave të dalin kontroll dhe të thotë: ja kush e shpërndan drogën në Shqipëri: Nikoll Lesi. Ndofta, një ditë në polici do të ankohet ndonjë grua zëvendësministri apo edhe ministri se drejtori i “Koha Jonë” ka dashur të më përdhunojë; tashmë gjithçka pritet në Shqipëri dhe në këtë shtet ku horrat u kanë zënë frymën nëpunësve që duan ligjin dhe drejtësinë; ku hajdutët u thonë të ndershmëve “që të luftojmë” korrupsionin, ku përdhunuesit shëtisin me vetura zyrtarësh të lartë, ku në vend që të qeverisin ministrat, drejtojnë punonjës të SHIK-ut. Çdo gjë në Shqipëri nuk behët pa lejen e Berishës. Berisha tashmë është bërë edhe President, edhe kryetar, edhe ministër, edhe kryeministër, edhe kryetar bashkie, edhe shef krimesh, edhe… Berisha nuk lejon asnjë të punojë i qetë. Asnjë nuk guxon pa lejen e tij, asnjë nuk duhet të marrë frymë pa gurmazin e tij. Asnjë! Edhe ndonjë nismë të mirë të Meksit për ekonominë, edhe ndonjë orvatje të Musarait për të luftuar kriminalitetin e pengon hija e rëndë dhe urdhëruese e njeriut me emrin bjeshkatar: Sali!/Nikoll Lesi/