Nikoll Lesi: Shqipëria duhet të shkojë drejt një të majte të moderuar, një qendre të saktë dhe një të djathte të kristalizuar

(Botuar me 11 Korrik 1996 në KOHA JONE)

Nikoll Lesi: Shqipëria duhet të shkojë drejt një të majte të moderuar, një qendre të saktë dhe një të djathte të kristalizuar

Partitë e qendrës, ende pa elektorat të qëndrueshëm

Pas PD dhe PS, të paktën sipas shtypit, vijnë për nga rëndësia partitë e qendrës PSD e PAD. Të dyja këto parti në fushatën e fundit elektorale u bënë pothuajse njësh, si p.sh. në zyra, në gazetë, në fonde, madje gati edhe në ide. Ky unifikim mori emërtimin  Poli i Qendrës, duke shkrirë brenda një force, ashpërsinë e Cekës me zgjuarsinë e Gjinushit, që të dy me pikëpamje dhe prejardhje të ndryshme politike. Gjinushi vinte nga fondi më i mirë i së majtës dhe Ceka pas peripecive me Berishën. Natyrisht të dy, ose më saktë të dyja partitë, i bashkoi nevoja për të përballuar furinë elektorale të Berishës dhe jo dëshira apo konvergimi i programeve. Gjinushi vinte pas një beteje që i lindi në vathën e partisë së tij me Teodor Laçon, gjatë Referendumit, ndërsa Ceka pas përjashtimit të Spartak Ngjelës tashmë monarkist i bindur dhe i shkëputjes së dyshes Karriqi-Jupi. Njëri, përfaqësues i Qendrës së Majtë dhe tjetri nga Qendra, që gjithsesi anonte nga e djathta. Si Gjinushi, ashtu edhe Ceka synonin të merrnin sa më shumë elektorat. Gjinushi manovronte për të marrë nga elektorati i moderuar socialist, ndërsa Ceka nga pjesa e pakënaqur me qeverisjen e PD. Por fatkeqësisht të dyja partitë mbetën parti që nuk shtuan elektorat të qëndrueshëm dhe masiv. Lufta e tyre elektorale më shumë se në terren, u përfaqësua si një shfryrje inatesh nëpër gazeta, pa shumë alternativa, apo premtime konkrete, që do të mund të krijonin një bazë të qëndrueshme në popull. Për të ilustruar këtë ide mjafton të përmendim dy shembuj nga fushata elektorale e 26 majit. Të dyja partitë kishin mbetur duke pritur se çfarë do të lëshonte PS nga zonat e saj, pra zona të lira për kandidatët e Polit. Shumica e kandidatëve të Polit ishin të frikësuar se nuk do të mund të fitonin direkt në mazhoritar. Frika e tyre mbetej fillimisht PS dhe pastaj PD. Asnjë zonë elektorale nuk e fitonin direkt vetëm si parti politike. Fakti i dytë është se gjatë fushatës time elektorale vërejta se ka fshatra të tëra që nuk kanë të organizuar bërthamat e këtyre dy partive. Për të mos thënë se duhej të pyesje një socialist apo pëdëist për të gjetur kryetarin e PSD apo atë të PAD. Njerëzit në fshatra shumë rrallë besonin në alternativat e tjera, përveç bindjeve fikse kundrejt PS dhe PD. Ishte më shumë simpati personale për disa liderë, sesa besim te programi dhe aftësia politike e qeverisëse e partive të polit. Por pesha e këtyre partive duhet pranuar që është ndjerë disi në arenën politike. Natyrisht është ndjerë më shumë në Tiranë. Gjithashtu duhet pranuar se PSD dhe pak më shumë PAD kanë shfrytëzuar shtypin e pavarur e sidomos “Koha Jonë”, kur kjo e fundit edhe mund të ishte akoma edhe më e pavarur. Tirazhi i shtypit të pavarur si “KJ”, “Gazeta Shqiptare” dhe “Dita” ka ardhur duke u rritur dhe kështu edhe idetë e Polit të futura brenda gazetave janë përçuar në vendblerjet e gazetave. Ne i kemi të qarta vështirësitë që u ka krijuar pushteti i PD partive të Polit, duke mos iu krijuar asnjë spacio në mediat zyrtare brenda rregullave të lojës politike, por përderisa ato, pra PAD dhe PSD, pretendojnë secila për hesap të vet se janë parti të treta, natyrisht që këto thënie duhet ta konvergojnë në elektorat. Mund të bëjmë një pyetje dashamirëse: Nëse PSD dhe PAD, veç e veç, të kishin bërë thirrje për të dalë në Sheshin “Skënderbej” me 28 maj për të kundërshtuar manipulimin e zgjedhjeve sa vetë do të kishin dalë?! Mendoj se pak. Dashje pa dashje Shqipëria po shkon drejt dualizmit partiak: PS nga njëra anë dhe PD nga ana tjetër.

Si ndalet evoluimi i dualizmit?

Shqipëria (për vetë natyrën psikologjike dhe traditën e pakët në demokraci) qeveriset më mirë në koalicion. Flas për koalicion real dhe jo fiktiv, siç ishte dikur PD – PSD – PR dhe tashmë PD-PR-BK-PBSD-PDK-PBDNJ e një mori partish të vogla që nuk i njeh njeri. E thënë ndryshe Shqipëria duhet të shkojë drejt një të majte të moderuar, një qendre të saktë dhe një të djathte të kristalizuar. Konglomerati tjetër le të jetë, pasi në pluralizëm nuk ja ndalon dot askujt të drejtën grupimit si forcë politike, por se Shqipërinë e mirëqeverisin këto tre forca, të cilat do të nxitojnë të zënë vendet e tyre natyrshëm në këto fronte. E përsëris, se partitë e tjera do të jenë bishta të të mëdhenjve. Ndarja në majtas-qendër dhe djathtas bëjnë atë që asnjëra, pra as PD e as PS, nuk mbizotërojnë jetën politike me mbi 50 për qind. Faktet treguan se kur një parti kalon 50 për qind, vendos veton dhe i afrohet reminishencave të së kaluarës diktatoriale të Shqipërisë. Por aktualisht te qendra ndodhen, duke u endur pa zënë akoma vend, PSD dhe PAD. Por realisht aty ka vend për një parti të vetme. Atëherë të hanë njëra tjetrën apo Poli të shkrihet? E vështirë për Gjinushin dhe akoma më e thartë për Cekën. Por është vetëm një karrige.

Sugjerim

PS, me ngjarjet e fundit, po shkon natyrshëm drejt një të majte moderne me nuanca social demokratike. Pjesa që do të mbetet nga amalgami i madh socialist, do të jetë një e majtë ekstreme, e cila nuk do të mbizotërojë jetën politike shqiptare. Pra, e thënë ndryshe, PS do të shkojë nga e djathta e saj ndërkohë që PSD do të nxitojë drejt së majtës natyrale që është thelbi ekzistencës së partive të këtij spektri. Sipas matematikës së lartë të të zgjuarit Gjinushi këto do të konvergojnë dikur. Ndërsa PAD, duke parë dhe kokëfortësinë e Cekës dhe mospajtimin e tij me Berishën do të mbetet në qendër detyrimisht dhe asnjëherë nuk do të devijojë djathtas. Berisha nga ana e tij nuk e lëshon vendin djathtas, paçka se akuzohet si më i majtë se të majtët. Të tjerët, të djathtët e më të djathtët do të jenë minoritet. Dhe minoritetet nuk qeverisin, por nganjëherë vetëm shërbejnë si ura kalimi. Kështu që elektorati do të mbushë këto tre hapësira duke mos lejuar në këtë mënyrë asnjërën parti politike që të bëjë ligjin. Zhvillimet aktuale, kryesisht pas zgjedhjeve të manipuluara të 26 Majit, nuk lejojnë hëpërhë një lëvizje të tillë që do të ishte e natyrshme brenda një sistemi me demokraci të stabilizuar. Qëllimi që bashkoi dhe që mban në unison opozitën, është beteja ndaj Berishës, i cili momentalisht ka nxjerrë “jashtë politikës”, nëpërmjet manipulimit, partitë që përfaqësojnë opozitën reale. Lëvizja që përmendëm më lart i përket kështu së ardhmes, por për ta afruar këtë të ardhme duhet ndërgjegjësim i liderëve të Polit. Në rast të kundërt do të mbeten si sot, që lodhen e punojnë, por elektorati do të lodhet në dy skajet e ekstremeve politike. Përvoja na ka treguar se asnjëri ekstrem nuk është i dobishëm për Shqipërinë./Nikoll Lesi/

 

SHKARKO APP