Nikoll Lesi: Të gjithë po hanë njëri-tjetrin dhe nuk dinë të vërtetën
(Botuar me 21 korrik 1996 në KOHA JONE)
– Intervistë me Nikoll Lesin-
Gjatë këtyre ditëve problemi numër një i opinionit shqiptar janë ngjarjet në gazetën më të madhe shqiptare “Koha Jonë”. Janë hedhur akuza, bërë aludime dhe si gjithnjë në krye të sulmit mbetet shteti. Diçka rreth kësaj historie …
Mendoj se këto ngjarje nuk mund të shkëputen nga rrjedha e politikës së Berishës, i cili brenda një kohe të shkurtër të paszgjedhjeve futi në një sherr të madh PS-në, duke inkurajuar elementin pro tij. Në njëfarë mënyre e realizoi atë çka donte me PS-në. I kishte mbetur pika e fundit e planit të tij që ishte, dhe është akoma, mbyllja e gazetës më të madhe “Koha Jonë”. Berisha dhe stafi i tij kanë sulmuar gjithnjë gazetën, duke mos harruar arrestimet dhe ndjekjet penale. Por kanë dështuar, falë solidaritetit të botuesve të saj dhe kurajës së lartë qytetare të gazetarëve të saj. Por Berisha, duhet pranuar, është një mjeshtër për të përçarë gjithçka dhe kudo. Ai ka një vullnet dhe dinakëri të paimagjinueshme. Megjithatë për të sqaruar rreth akuzave për gjoja “falimentim” apo “borxhe të mëdha”, detyrohem që të bëj një histori të shkurtër të gazetës. Gazeta “Koha Jonë”, siç dihet është themeluar në qytetin e Lezhës më 11 maj 1991 dhe ka patur si botues të parë Nikoll Lesin dhe Zef Shtjefni. Pastaj erdhi Martin Leka dhe me radhë gazetarët Marash Mirashi, Alfons Zeneli, Aleksandër Frangaj dhe Edmond Kaçeli. Ikën tre prej tyre dhe mbeti miku im, kolegu i ri Frangaj. Më 10 mars 1992, me numër 296 të Gjykatës së Lezhës dhe numër regjistri 457, gazeta “Koha Jonë” kreu aktin formal juridik dhe u privatizua 100% nga unë, pra Nikoll Lesi. Meqenëse zyrat u zhvendosën në Tiranë bëra dhe një regjistrim tjetër në Gjykatën e Tiranës më datë 9.4.1992 me numër vendimi 3286, firmosur nga kryetari i Gjykatës Harallamb Kulo. U bë një zhurmë edhe gjatë asaj kohe për gazetën “Koha Jonë”, por Gjykata e Kasancionit, me numër vendim 19, datë 19.1.1993, me kryetar Nuro Hotin, vendosi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Lezhës. Meqenëse kolegun tim Frangaj e konsideroja si vëlla vendosa që të bashkëpunoj me të dhe i dhashë menjëherë 40% të aksioneve dhe krijova një shoqëri SHPK me emrin “Koha Jonë”. Vendimi i gjykatës u mor më datën 23.7.1992 dhe mban numrin e vendimit 670. I them të gjitha këto se nuk qëndron asnjë akuzë se gjoja “Nikoll Lesi nuk shkon mirë me Aleksandër Frangaj”. Ne jemi miq. Por le të vijojmë te “borxhi i madh” financiar. Shtypshkronjës “Demokracia”, më datë 14 korrik 1996 i kishim pashlyer një shumë prej 187 mijë dollarësh, ose e llogaritur ndryshe, kishim 16 ditë që kaluam datën e likuidimit financiar. Ju kujtoj se gazetat si “RD”, “Albania”, etj. nuk kanë likuiduar prej datës 5 prill 1996. E thënë ndryshe shtypshkronja “Demokracia” jeton ose mbahet në këmbë vetëm nga gazeta “Koha Jonë”, e cila i jep shtypshkronjës afër 68 për qind të të ardhurave. Kjo e deklaruar nga vetë drejtuesit e saj.
Përse e prishët kontratën e firmosur me shtypshkronjën?
Unë nuk prisha kontratën, por siç thashë edhe më sipër u tejkalua dita e likuidimit me 16 ditë nga kufiri i fundit. Kështu detyrimi kapi një shifër 187 mijë dollarë. Mendoj se është normale në një ekonomi tregu të lirë, aq më shumë në Shqipëri, ku gjithçka nuk zbatohet në mënyrë të përpiktë. Në sytë e një lexuesi të thjeshtë apo gazetari, shifra 187 mijë dollarë borxh duket një tmerr i vërtetë për gazetën. Nuk është aspak kështu. Shifra e sipërpërmendur është një “gjembaç” në për këmbët e financës së gazetës.
Një “gjembaç” i vogël, por gjithsesi që shpon dhe të mavijon këmbët.
Dakord. Por gazeta “Koha Jonë” paguan në një muaj për të shtypur gazetën mbi 120 mijë dollarë. Kështu që shuma e borxhit ishte diçka që zgjidhej pa shumë zhurmë.
A ju ka borxh njeri?
Po! Janë shumë redaksi gazetash, të cilat nuk i kanë paguar lekët e transportit agjencisë “Koha Jonë”. Ka redaksi gazetash që u shkon borxhi ndaj nesh deri 5-6 mijë dollarë, siç ka të tjera që kanë mbi 9 muaj që nuk paguajnë asnjë lekë. Megjithatë unë kam preferuar të mos ua mbyll derën dhe të mos i falimentoj, ndonëse ndonjëra prej tyre këto ditë më ka sulmuar me mendimin se unë falimentova. Por shqiptarët kështu e paskan!
Megjithatë, a ndjeni se keni bërë gabime në administrim?
Unë nuk jam në profesion financier apo tregtar. Jam gazetar, ndofta radhitem ndër gazetarët mesatar, por gjithsesi mbetem gazetar. Kështu që nuk mund të pranoj se e kam drejtuar firmën “Koha Jonë” në mënyrë perfekte. Nga natyra nuk jam striktë dhe aspak kurnac bile po të shikosh rrogat e gazetarëve dhe sidomos të atyre që braktisën punën këto ditë, pagat e tyre janë astronomike për mundësitë Shqipërisë. Paga e redaktorëve përgjegjës arrin në 50 mijë deri në 85 mijë lekë të reja në muaj. Më gjeni një pronar në Tiranë që i paguan aq shumë punonjësit? Më gjeni një redaksi gazete në Tiranë apo në rrethe që ka investuar kaq shumë sa unë për pajisje me kompjuterë për gazetarët? Më gjeni një redaksi që paguan 6500 dollarë në muaj vetëm për qera ndërtese për gazetarët. Më gjeni një redaksi tjetër që në çdo zyrë ka kalorifer për t’u ngrohur gazetarët gjatë dimrit. Më gjeni një redaksi tjetër që investuar aq për specializimin e gazetarëve. Më gjeni një redaksi tjetër që u jep shpërblim ndonjë herë gazetarëve, përveç rrogës. Më gjeni një redaksi tjetër që ka investuar kaq shumë për shpërndarjen e gazetës nëpër rrethe, duke blerë mbi 240 mijë dollarë automjete për transport. Më gjeni një redaksi që ka ndonjëherë për kulturën kombëtare. Nëse mi gjeni, atëherë keni të drejtë, të më quani me çfarëdo emri fyes.
Por ama u ndodhët ngushtë për të shlyer menjëherë shtypshkronjën dhe u detyruat t’i drejtoheni multimilarderit Xhorxh Soros?
Me shpërthimin e zhurmës nga të gjitha anët, shtypshkronja e frikësuar, ose më saktë e diktuar nga shteti u detyrua që të kërkojë paratë të gjitha në dorë. Ajo kishte të drejtë të kërkonte vetëm shumën prej 67 mijë dollarësh, ndërsa për pjesën tjetër, unë isha në rregull me kontratën që ishte në fuqi, por në këtë moment vepruan faktorë të tjerë. U turr i gjithë shteti dhe media proqeveritare në sulm, me mendimin se Nikoll Lesin e groposën përfundimisht megjithë “Koha Jonë”. Gjithçka m’u bllokua “botimi i gazetës”, klientët e gazetës u rezervuan në pagesa me mendimin se “Koha Jonë” nuk del më, redaksitë e shumë prej gazetave të cilat transportohen me makinat e “KJ” nuk paguan asnjë lek që na kishin borxh. Ditën e hënë dhe të martë, më hapëm çështje penale me urgjencë me padi të bërë nga Bashkim Gazidede, kryetar i SHIK-ut. Kështu laku u bë gati dhe pritej vetëm të varej Nikoll Lesi! Në këto çaste, nga më të vështirat e jetës sime vendosa t’i drejtohem për një hua të kthyeshme fondacionit “Fondacionit të Zhvillimit të Medias” me qendër në Pragë. Meqenëse puna ishte urgjente, pasi shtypshkronja donte brenda 24 orëve shumën prej 187 mijë dollarësh në dorë, atëherë fondacioni në fjalë çeli dritën jeshilë, pasi u sigurua se kjo shumë ka mundësi të kthehej. Dhe dollarët u xhiruan në një kohë rekord.
A jeni drejtuar ndonjëherë për ndihmë Fondacionit “Soros” në Tiranë?
Fondacioni “Soros” në Tiranë ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm për kulturën shqiptare. Këtë gjë e ka pranuar edhe pushteti i sotëm i cili ka përfituar miliona dollarë për gjithçka. Megjithatë “Sorosi” i Tiranës mund të kishte qëndruar më afër halleve të shtypit të pavarur shqiptar dhe jo atij pro qeveritar, pasi ky i fundit ka një “Soros Shtetëror”, nga ku merr paratë nga Agjencia shtetërore e privatizimit, Enti Kombëtar i Banesave dhe nga çdo hallkë shtetërore. Pra mjafton të shikosh reklamat e bëra nga entet shtetërore dhe e kupton se ku e ka “tasin e groshës” Ylli Rakipi e Edi Paloka, Arben Ceku e Shemsi Peposhi, respektivisht “Albania”, “RD”, dhe “TD”. Fondacionit “Soros” në Tiranë gazeta “Koha Jonë” iu drejtua në mars të këtij viti për një ndihmë financiare, por nuk na i dha me pretekstin se “do ta shikojmë më vonë”. Ju kujtoj se gazetës “KJ” gjatë muajve janar dhe mars të këtij viti ju bllokuan të gjitha automjetet e transportit të gazetave. U detyruam të marrim taksi ku shuma ditore shkon afër 890 dollarë taksi në ditë për të përshkruar të gjithë Shqipërinë me automjete. Për dy muaj ne humbëm nga sulmi i shtetit afër 94 mijë dollarë. Natyrisht që këto para nuk i humba unë si biznes, por më detyroi shteti me Policinë. Gjithashtu duhet të dish se taksat janë mjaft të larta dhe tarifat e botimit janë astronomike.
Por këto janë edhe për shtypin tjetër?
Janë vetëm për shtypin e pavarur. Megjithatë “Koha Jonë” i është nënshtruar një kontrolli të imët dhe të vazhdueshëm për taksat dhe tatimet dhe gjithnjë ka dalë në rregull. Këtë e kemi bërë jo vetëm se ligji duhet respektuar, por e kishim shtetin pas vetes çdo ditë. Ndofta bëj gabim, por më gjeni një gazetë që i paguan shtetit mbi 20 mijë dollarë detyrim fiskale në muaj. Të gjitha gazetat e tjera, përfshirë dhe “Albania”, e cila fshihet pas një fondacioni inekzistent, paguajnë nga një shumë qesharake, ndërsa “Koha Jonë” i paguan në mënyrë të përpiktë. Kam kaluar dhjetëra kontrolle dhe pres dhjetëra të tjerë.
A ndjeni se keni bërë gabime?
Pa diskutim që kam bërë. Diku me dashje, falë natyrës sime ekspresive dhe diku pa vetëdije, sepse siç e thashë edhe në fillim unë nuk jam tregtar, por gazetar. Imagjino të drejtosh një kompani e cila qarkullon afro 2.5 milionë dollarë në vit. Duhet të merresh me të gjitha dhe shumë vonë e kuptova se nuk kisha energjitë domosdoshme, por as aftësitë e nevojshme për të drejtuar një kompani të këtij niveli, më e madhja në Shqipëri. Ndaj para disa javësh, dhashë dorëheqjen, nga të gjitha detyrat për t’i hapur rrugë një menaxhimi më perfekt. Sapo ishin punët në vijë, filloi sulmi i koordinuar shtetëror.
Si e shikoni të ardhmen e saj, pas jeni aksioneri kryesor me 60 për qind të saj?
Po punojmë bashkë me Frangajn, për t’i dhënë një frymëmarrje tjetër firmës dhe besojmë se ajo së shpejti do të hedhë edhe një hap tjetër të madh, të cilin do ta publikojmë pas ca javëve. Gjithashtu Agjencinë e transportit “Press Transport” do ta organizojmë ndryshe, duke pasur 7 gazetave shqiptare aksione, në mënyrë që kjo të jetë pronë e shtypit kryesor shqiptar dhe të kthehet edhe kjo në një kompani. Hallkat përkatëse në kompani po punojnë.