Nikoll Lesi: Viti i mbrapshtë ’97, iku!

(Botuar me 30 Dhjetor 1997 në KOHA JONE)

Nga Nikoll LESI-

Edhe një ditë, dhe ky vit i mbrapshtë largohet për t’i lënë vendin një të riu, ndofta më fatlum për ne të gjithë.

Viti 1997 ishte viti që solli luftë, vrasje, ngatërresa, inate dhe rastësisht edhe zgjedhje parlamentare. I mbrapshti vit ’97 hyri në histori si vit i së keqes dhe derdhjes së gjakut të shqiptarëve, e kjo për faj vetëm të politikës, asaj politike që donte për kurban jetë njerëzish e nuk pranonte të dorëzonte pushtetin e dhunuar që më 26 Maj ’96. Në këtë vit ndodhi që politika të shkonte në njërën anë, ndërsa populli në anën tjetër, ndërkohë që politika duhet t’i përgjigjet aspiratës së vetë popullit që e ka zgjedhur. Megjithatë gryka e pushkës nuk kurseu as fëmijët, as nënat të cilave nuk u ishte tharë loti për bijtë e vrarë.

Ajo çfarë ndodhi në këtë vit të hidhur është se u rrëzua gjithçka: shteti, politika, besimi, mirënjohja, dashuria. Në vend të tyre u shfaqën kobzinjtë, maskarenjtë… krimi u ul këmbëkryq në mes të Shqipërisë, Vlora u mbush me varre, Saranda u kthye në vend beteje, Gjirokastra humbi qetësinë olimpike, Përmeti u dhunua nga këmishëzinjtë që zbritën nga malet nga ku ruanin bagëtitë, Tiranës iu nëpërkëmb morali, Lushnja u shkrumbua nga zjarri, periferinë e Fierit e mbushën mercenarët, Shkodrën e mbuloi hakmarrja që ngriti krye masivisht, ndërsa Lezhës i shkelën nderin e të qenit vend i Besëlidhjes Kombëtare… Pa harruar se edhe vetë gazeta “Koha Jonë” u dogj e u masakrua si në kohërat e Mesjetës.

Dhe që të gjitha këto ndodhën vetëm për faj të politikanëve tanë dhe të barbarëve që dolën nga skutat e errëta të historisë sonë. Sado që duhen faqe të tëra për të zbardhur atë çka ndodhi me ne dhe nga ne, njerëzit tashmë janë lodhur dhe duan një jetë tjetër dhe një politikë të re, larg konfrontimit dhe armës, larg urrejtjes dhe mllefeve. Duan të shikojnë se si mund të dialogohet mes pushtetit dhe opozitës. Natyrisht që një rol jo pak të rëndësishëm luan edhe media e shkruar, e cila herë-herë është përfshirë në vorbullën e egër të politikës, duke harruar se lexuesit janë të tejngopur me llafe e demagogji politikanësh. Gazetarët duke qenë nga vetë natyra jo konformistë me çdo lloj pushteti duhet të silurojnë çdo lloj politikani që kërkon të na rikthejë në vitin e mbrapshtë 1997, vit i cili na robtoi të tërëve, duke na kthyer në vitet pa shtet, në vitet e Mesjetës. Për të lënë pas imazhin e vitit që po jep shpirt le të punojmë duke shpresuar për një vit tjetër më të mirë ku të paktën të jeni miq e të dashur për njëri-tjetrin. NIKOLL LESI

SHKARKO APP