Një ditë para largimit nga Shqipëria, shkrimtari Ismail Kadare flet për “Koha Jonë”

(Botuar me 1 dhjetor 1996 në KOHA JONE)

Një ditë para largimit nga Shqipëria, shkrimtari Ismail Kadare flet për “Koha Jonë”-

Gjeniu i letrave po bëhet gjithnjë e më i vështirë me shtypin. “Sa më shumë shkurtohet jeta, aq më të shkurtra bëhen dhe përgjigjet për gazetat”, thotë Kadare. Në sallonin e shtëpisë së tij në rrugën e Dibrës, mjedisi është po ai që duhet të ketë qenë gjashtë vjet më parë. Një televizor i blerë të paktën 15 vjet te shkuara, kolltukë gati të konsumuara, pikturat e vendosura në mure, ku nuk mungon dhe ndonjë gjurmë e realizmit socialist. Ky është mjedisi që Kadare pret miqtë e tij që vijnë ta urojnë për anëtarësimin në Akademinë franceze. Lëviz ngadalë, gati si një bujtës i hutuar në shtëpinë, ku ka shkruar veprat që e bënë të njohur në të gjithë botën, para se të largohej nga Shqipëria. Në krah të kolltukut ku ai pushon zakonisht ndodhet grumbulli i gazetave shqiptare të ditës, megjithëse Kadare këmbëngul se nuk e ndjek rregullisht shtypin. Në fytyrën e tij, ku rrudhat po zënë gjithnjë e më tepër vend, buzëqeshja shfaqet tepër rrallë. Rrudhat bëhen më të zymta në kohën kur përmend sulmet që i vijnë nga të gjitha anët. “Kjo që ka ndodhur me mua ndodh dhe me shumë shkrimtarë të tjerë nga Lindja. Madje raportet e Kunderës me Çekinë kanë arritur deri aty sa Kundera ka braktisur përfundimisht atdheun e tij. Madje ai nuk shkruan më në çekisht, por në frëngjisht”,- thotë Kadare. Qëndrimi i tij në Shqipëri dhe këtë herë nuk ka zgjatur më shumë se një muaj. Sot Kadare niset drejt Parisit. “Kur të kthehem në pranverë do të flas më gjatë për shtypin”, thotë ai një ditë para largimit.

Në intervistat që keni dhënë gjatë pesë viteve të fundit për shtypin shqiptar, letërsia po zë gjithnjë e më pak vend. Le të flasim për profesionin që ju bëri të famshëm në gjithë botën. Disa kritikë kanë shkruar se veprat tuaja më të fundit përbëjnë një rrafshnaltë, ku mungojnë majat që arritët shumë vite më parë. Cila do të ishte përgjigja juaj?

Kjo është një mënyrë e njohur të gjykuari për një pjesë të kritikës. Gjithmonë është prirja të lavdërohet më fort pjesa e kryer e veprës së shkrimtarit. Natyrisht që kjo mund të jetë e vërtetë, por shpesh qëllon e kundërta. Sa më shumë të jetë pasionuar kritika ose lexuesit me veprat e një shkrimtari, aq më vështirë e ka të pranojë me të njëjtin pasion veprat e mëvonshme të tij. Ndaj edhe thuhet se gjithsesi shkrimtari është i vetmuar. Shija e të tjerëve disa herë do kohê të përpunohet për ta ndjekur.

Ju dhe vepra juaj keni qenë gjithmonë objekt debatesh dhe sulmesh në Shqipëri. Në mënyrë paradoksale të majtët ju kanë akuzuar për të djathtën dhe anasjelltas…

Kjo që thoni ju është diçka e njohur. Kundër shkrimtarit kërkohen përherë pretekste. Dhe siç dihet, ato mund të gjenden lehtë. Fajësimi im si i djathte ka qenë tipik gjatë gjithë periudhës së diktaturës. Tani, e njëjta specie njerëzish thotë të kundërtën. Edhe sikur jeta njerëzore të vazhdonte një mijë vjet, këta do të vazhdon t’i binin të njëjtit fyell. Për fat të mirë letërsia sa ç’është delikate aq dhe di të jetë mospërfillëse ndaj pipizanëve.

Kohët e fundit, polemikat në lidhje me ju u zhvendosën midis Fayard dhe shtypit gjerman, i cili shkruante se qeveria e Tiranës i ka ofruar Fayard 1 milion dollarë për botimin e veprës suaj. Claude Durand nxitoi ta përgënjeshtrojë. Ndërkohë që gazeta gjermane u mbrojt se burimi i informacionit ishte nga Tirana, madje citohej të ishte thënë nga Dritëro Agolli …

Nuk është hera e parë që në shtypin perëndimor botohen shprehje vulgare me burim nga Shqipëria. Një vit e gjysmë më parë, organet gjyqësore franceze e detyruan brenda 24 orësh një kanal televiziv të censurojë fjalën e një shkrimtari shpifës shqiptar. Besoj e dini se ndërhyrjet e censurës në TV, sidomos në një emision kulturor, e sidomos kur bëhet fjalë për letërsinë e huaj janë tepër të rralla. Një herë në dhjetë vjet ndoshta. Dhe ja ky shkrimtar shqiptar, që për herë të parë i jepet rasti të flasë në një kanal televiziv perëndimor, vjell një vrer të tillë saqë censura franceze brutalisht, me urdhër të pakthyeshëm, si të kishte të bënte me një keqbërës ordiner që bën thirrje për krim, ia pret fjalën. Kështu e katandisin veten të ashtuquajturit intelektualë shqiptarë.

Sulmet e ardhura nga Shqipëria mund të shpjegohen me një lloj zile. Por kundër jush shpesh përfshihen dhe disa gazetarë perëndimorë…

Natyrisht ajo që thoni ju për zilinë është e vërtetë. Nuk di që në ndonjë gjuhë tjetër të botës fjala “smirëzi” të jetë kaq e fortë si në gjuhën shqipe. Meqenëse gjuha, më saktë se çdo gjë jep brendësinë e një populli, mund të themi pa frikë se bëjmë pjesë në pararojën botërore të smirëzinjve. Sa për gazetarët perëndimore, s’është ndonjë gjë për t’u habitur. Sharlatanë dhe dështakë gjen kudo. Një rrugaç gjerman ose skocez s’ka ndonjë ndryshim nga një rrugaç shqiptar. Përdora këtë fjalë të rëndë dhe tepër të harxhuar në shtypin shqiptar, nga që s’di si ta quaj ndryshe pafytyrësinë e këtyre farë gazetarëve që ndërsa rrinë si pula në vendet e tyre, krekosen kur shkojnë në vende të vegjël. Hiqen këtu si arbitra, kujtojnë se mund të ngrenë vlera e të rrëzojnë vlera, sikur të ishin në vendin e zuluve. Ky është një mentalitet tipik prej kolonialisti. Do të guxonin p.sh. ata të sulmonin në mënyrë vulgare një shkrimtar të shquar të Anglisë ose Rusisë? Asnjëherë. Përkundrazi, tregohen servilë përpara tyre. Do të botonin p.sh. gjermanët një shkrim tallës për një shkrimtar gjerman në një gazetë gjermane të shkruar nga një gazetar shqiptar? Kurrsesi. Kurse ka shqiptarë të neveritshëm që e bëjnë këtë. Dhe sharlatanët gjermanë që janë të kompleksuar në vendin e tyre, e sidomos ata që gjer dje i kanë shërbyer Lindjes, dëshirojnë të shërojnë komplekset e tyre këtu në Shqipëri ose në ndonjë vend tjetër. Dhe këtë e bëjnë sepse kanë ndihmën e homologëve shqiptarë. Dhe homologët shqiptarë, dua ta përsëris, luajnë bishtin si kone përpara tyre. Me shpresë se do të përfitojnë diçka.

Në esenë që keni shkruar për Migjenin jeni shprehur se Migjeni, Noli dhe Poradeci janë tre regjentët që kanë ndarë kurorën me gjemba të letrave shqipe, të cilët si gjithë regjentët janë në pritje të monarkut. A është shfaqur tashmë monarku? Ose për të qenë më i drejtpërdrejtë, kush është vendi juaj në letërsinë shqipe?

Eseja për Migjenin flet për letërsinë e viteve ’30 , ku “monarku” nuk u shfaq. Kjo metaforë lidhet në një të vërtetë të kohës dhe me një të vërtetë tjetër që ka lidhje me të gjitha regjimet tiranike, ku një shkrimtar kryesor e ka te pamundur të mbajë i vetëm peshën e njohjes.

Gjatë viteve të diktaturës vepra juaj imponoi tek brezi i ri, por dhe më gjerë, ndjesinë e normalitetit …

Kjo që thoni ju është edhe një vlerësim i madh për veprën e një shkrimtari. Është padyshim meritë të mbetesh normal në një çmendinë. Por është edhe shumë e rëndë.

Gjeografia ku lëvizin personazhet tuaj është kaq e shtirë sa arrin përmasa perandorake. Si çdo perandori edhe ajo duhet ta ketë një metropol. Por qendra e kësaj perandorie zhvendoset gjithnjë. Herë shfaqet në grykën e një pusi, herë në sheshin “Gorki”, sa në rrugën e Dibrës aq dhe në “sokakun e të marrëve”….

Përderisa kemi të bëjmë me një trevë të kësaj natyre, natyrisht që qendra do të lëvizë gjithmonë.

Dyzet vjet pasi jeni larguar nga vendlindja, ç’hapësirë zë ajo në ndërgjegjen tuaj krijuese?

Vendlindja nuk i largohet kurrë shkrimtarit.

A vazhdoni të keni në Francë statusin e azilantit politik që morët pesë vjet më parë?

Prej kohësh nuk jam azilant politik. Pas përmbysjes së diktaturës komuniste në Shqipëri kjo nuk do të kishte asnjë kuptim.

Cilat janë marrëdhëniet tuaja me ish-disidentët e tjerë të Lindjes, të cilët ashtu si dhe ju preferuan Parisin?

Në Paris jetojnë shumë shkrimtarë të huaj. Nga vende të ndryshme. Me motive të ndryshime. Rasti e ka sjellë të njihen më shumë prej tyre që nga Vasilikos e Miloszi te Kundera.

Në prag të zgjedhjeve të fundit parlamentare ju deklaruat se socialistët shqiptarë nuk duhet të vijnë në pushtet. Pas këtyre zgjedhjeve opozita shqiptare është gati inekzistente. Si mund të konceptohet një shtet pluralist me një opozitë të tillë?

Mendoj se është gjëja më e ngutshme në jetën shqiptare, rigjetja e një drejtpeshimi të ri politik. Me fjalë të tjera, ringjallja e opozitës. Pa opozitë asgjë nuk mund të funksionojë normalisht. Ruaj mendimin se sa më shumë të kalojë koha aq më i drejtë do të duket mendimi se ardhja e socialistëve në pushtet ishte e parakohshme. Ngutja, padurimi i tyre drejt pushtetit u solli dëm në radhë të parë atyre vetë. Dihet tashmë se dobësimi i opozitës është një gjë e keqe për Shqipërinë në përgjithësi. Mendoj se është gjëja më e ngutshme në jetën shqiptare rigjetja e një drejtpeshimi të ri politik. Me fjalë të tjera, ripërtëritja e opozitës. Ngaqë jemi ballkanas, na duket se opozita e vërtetë është ajo që quhet “muskuloze”, domethënë opozitë e ashpër, radikale, që për çdo gjë, rri majë më majë me shtetin. E pra koha e ka treguar se një opozitë e tillë, ndonëse fytyrën e ka të ashpër, është për çudi opozitë e dobët. Kundërshtimi i saj për çdo gjë, gjuha brutale, zhvleftësimi i epiteteve, shterimi i kërcënimeve etj. Të gjitha këto ia ulin efikasitetin dhe forcën vepruese. Rezultati i parë i një opozite të tillë është egërsimi i shtetit. Ne e dimë mirë se ç’gjëra të shëmtuara mund të sjellë kjo gjë. Duke u radikalizuar të dy palët, s’bëjnë gjë tjetër veçse e shtyjnë njëra-tjetrën në rrugë të rrezikshme. Në një vend ballkanik kjo ndihet më fort se kudo. Shprehja e vjetër “t’i thuash shëndet e të përgjigjet plaç”, e jep më së miri thelbin e marrëdhënieve shtet – opozitë në këtë vend. Episodi i trishtueshëm pas zgjedhjeve të majit, kur disa nga zëdhënësit e klasës politike shqiptare luajtën një spektakël të mjerë përpara Këshillit të Europës, do ta bënte të skuqej nga turpi çdo shqiptar. Shqipëria duhet të ndahet përfundimisht nga një klounadë e tillë. Në këtë proces është padyshim detyrë e shtetit shqiptar të japë i pari kumtin e mirëkuptimit e të zgjatjes së dorës. I munduri gjithsesi nuk goditet. Shqipërisë i duhet një opozitë e arsyeshme e modelit amerikan.

A ka mundësi që ky vend të ketë një opozitë të tillë? Kjo është baras me pyetjen: a ka mundësi që ky vend të qytetërohet?

Mendoj se Shqipëria e ka këtë mundësi. Kur them opozitë e arsyeshme, nuk mendoj kurrsesi një opozitë servile, e aq më pak kukull e shtetit. Kjo do të ishte një shëmti që do të na kujtonte “levat e partisë” në komunizëm. Opozita e vërtetë është ajo që seriozisht mendon ta marrë dhe ta mbajë pushtetin. Meqenëse Shqipëria është një vend që thellon çdo ditë natyrën kapitaliste të saj, është e kuptueshme që ngjyra kryesore e opozitës së saj do të jetë e majta. Një e majtë që s’ka asgjë të përbashkët me diktaturën komuniste. Në ekstazën e parë të kapitalizmit, një opozitë e tillë është e domosdoshme pikërisht për frenimin e grykësisë kapitaliste, të kultit të parasë, të arrogancës të pasanikëve të rinj, të një mendësie të tërë që krijon pabarazia shoqërore etj.

Intervistoi: Ilir Babaramo

 

SHKARKO APP