Panajot Barka: Shqipëria në prag të një ideali të ri
(Botuar me 19 Gusht 1997 në KOHA JONE)
Nga Panajot Barka-
Situata në vend imponon një ndryshim epokal që lidhet me përpunimin e një ideali të lartë brenda kuadrit të pranueshëm të aspiratave të popullit, me angazhimin total të intelektualëve, institucioneve të kulturës të arsimit të letrave dhe të shkencave, të gërshetuar me kontributin e forcave politike progresiste.
Arritja e këtij qëllimi kërkon patjetër respektimin rigoroz të disa raporteve:
Raporti midis idealit dhe pragmatizmit
Revolucioni Freng u bë me frymëzimin e një ideali trikomponentësh, Liri, Barazi, Vëllazërim. Kombi gjerman i rezistoi pushtimit Bonapartian duke i kundërvënë klasicizmit të kulturës ushtarake të N. Bonapartit, romantizmit popullor të vitalitetit të racës ariane. Vetë lufta jonë nacionalçlirimtare u zhvillua nën frymëzimin e aspiratave për liri dhe një sistem shoqëror të emancipuar.
Ky përpunim ideal fillon me mbrojtjen morale të njerëzve, që presupozon çlirimin e tyre nga terrori psikologjik i përjashtimit nga pjesëmarrja aktive në zhvillimet në vend, nga psikoza se servilosja ndaj pushtetit dhe korrupsioni janë mënyrat më të mira për të jetuar dhe krijimi i bindjes se demokracia e aspiruar fillon tek individi kur ai nuk e lyp lirinë dhe të drejtat e veta, kur si qytetari i thjeshtë dhe njeriu i mekanizmit shtetëror e ndjen se është i mbrojtur dhe njëkohësisht i rrezikuar nga ligji dhe jo nga njeriu që e ka në dorë këtë ligj.
Faktorët që spikatin në lëvizje të tilla janë dy. Popujt si mishërim i idealit dhe frymëzuesit e idealeve, që janë intelektualët dhe politikanët. Mirëpo në gjashtëmujorin e zhvillimeve të vrullshme në vendin tonë u vu re një shtresim dhe një shkëputje e faktorëve të tillë që përbëjnë bazën e ndryshimeve epokale. Në kohën e Lëvizjes së Madhe Popullore për Demokraci, u vuri re se faktori popull veproi në pararojë. Lëvizja e tij karakterizohej nga pragmatizmi (parat e humbura) dhe nga ideali i cili drejtohej kundër diktatorit Berisha. Faktori intelektual ose u vetëpërjashtua ose ishte i dyzuar, pra pak e frymëzoi apo e udhëhoqi këtë Lëvizje për të afirmuar aspiratën e popullit e shprehur si mohim, ndërsa njerëzit e politikës prisnin gështenja të pjekura dhe të qëruara, duke bërë që me kalimin e kohës të krijohej terreni për lulëzimin e banditizmit, kriminalitetit dhe kaosit të përgjithshëm.
Tani, pas zgjedhjeve, kur qëllimin e vet kundër diktatorit popull e realizoi me një votim plebishitar në favor të opozitës duke e sjellë atë në pushtet, politikanët janë në qendër të vëmendjes. Mirëpo hapat e para të përpjekjeve të tyre për rifunksionimin e shtetit, karakterizohen më shumë nga entuziazmi sesa nga optimizmi real. Ndërsa shtresimi i vënë re kohët e fundit po krijon raporte të kundërta saqë krijohet përshtypja që sakrificat e popullit po shfrytëzohen për pragmatizëm politik. Kështu raporti midis idealit dhe pragmatizmit merr formën e raportit midis: Militantizmit partiak dhe meritokracisë e profesionalizmit.
Ftesat e përsëritura të kryeministrit të ri, Fatos Nano, për kontributin e të gjitha kapaciteteve intelektuale e profesionale, për institucionalizimin e marrëdhënieve kontraktuale mbi baza profesioniste e të meritokracisë në drejtimin e punëve të shtetit, nuk ka të bëjë vetëm me përpjekjen e tij dhe të stafit që drejton për të ndryshuar këtë raport të qeverisjes së …… në të kundërtën e vet, por ka të bëjë dhe me mposhtjen e presionit që ushtrojnë skalionet e militantëve partiakë për zotërimin e administratës shtetërore e publike e që është shprehje e sundimit të pragmatizmit mbi idealizmin për bërjen e së ardhmes, të nënshtrimit të shtetit nga individi, nëpërmjet shfrytëzimit të pushtetit të fituar nga vota e popullit.
Manifestimi i teserës partiake dhe aplikimi i nepotizmit shoqëror në ngritjen e godinës shtetërore, mbi baza interesi pragmatist apo dhe me idenë e krijimit të krahëve të sigurta, krijon sigurisht premisat për rigërryerjen e shtetit.
Populli, që në aspektin më të gjerë përfaqëson anën idealiste në raportet e zhvillimeve në vend, përkrahjen aktive ndaj klasës politike që solli në pushtet dalëngadalë po e zëvendëson me një përkrahje prove dhe pritjeje, duke vëzhguar me lupë çdo veprim të qeveritarëve të rinj. Pushteti tregon paaftësi për të integruar, popullin në lëvizjen e domosdoshme transformuese ekonomike politike shoqërore, por e le të ndihet i përjashtuar, të mbushë kafenetë dhe trotuaret, me synim të mësojë se kush e bën kontrabandën, kush do të zërë filan post e vend pune, ose si do të sigurojë të holla me sa më pak mund. Mirëpo faktori popull në këto momente politike zotëron të drejtën e drejtpërdrejtë morale të reagimit ndaj çdo zvarritje dhe veprimi pragmatist të njerëzve të pushtetit. Populli zotëron gjithashtu të freskët përvojën e efektivitetit të autoritetit të tij mbi fotot e pushtetit të administruar keq, i vetmi element i drejtpërdrejtë pragmatist, madje i një pjese të popullit, mbeten paratë e piramidave.
Raporti pozitë-opozitë
Zgjedhjet e fundit risollën në skenë “defektin” në raportin Pozitë-Opozitë të demokracisë shqiptare. Ndërsa pozita ka një natyrë të gjithëfuqishme, opozita është krejt e pakondoruar. Ajo paraqitet me një konfiguracion të grimcuar në parti të vogla të djathta. E keqja është se ato nuk janë të koordinuara, as të bashkuara dhe faktikisht nuk mund të shquhen për efektivitet në rolin e tyre opozitar. Këto parti gjithashtu nuk mund t’i afrohen as partisë kryesore të opozitës së PD-së. Pranë saj mbeten ato parti opozitare që nuk mund të mbijetojnë vetë. Të tjerat kërkojnë të distancohen nga Partia e Berishës që mban e vetme peshën e fajit për shkatërrimin e shtetit dhe të vlerave njerëzore në vend.
Vetë PD-ja jeton periudhën e goditjeve metasizmike të humbjes. Që të mund të kthehet në një parti vitale për politikën shqiptare, PD-ja duhet të kalojë në filtrin e katharsis. Por me sa duket atje uniteti midis të fajshmëve dhe të pafajshmëve, midis të korruptuarve dhe të pakorruptuarve, do të ruhet duke eksportuar sulme drejt pozitës në çdo aspekt dhe për çdo hap të saj. Një veprim i tillë i konstatuar që në momentin e parë, synon të pengojë pozitën në veprën e vet dhe në emër të përpjekjes për ta korrigjuar atë, ta tërheq në një betejë revanshi ku të mund ta konsumojë sidomos në aspektin e efekteve shoqërore, dhe të mund të krijojë imazhin tek elektorati i vet se shumë shpejt do të kthehet në pushtet. Raporti pozitë-opozitë në përpjekjet e PD për ta paraqitur si kontradiktë Jug-Veri përbën gjithashtu një precedent potencial shumë të rrezikshme. Problemi është se sa do t’u shpëtojë këtyre kurtheve Pozita, në një kohë që asaj i duhet të veprojë si në aspektin e ngritjes së institucioneve dhe kuadrit ligjor të funksionimit të shtetit, ashtu dhe në atë të drejtimit dhe veprimit të pushtetit brenda këtij kuadri ligjor.
Pra a do t’i qëndrojë parimit të deklaruar për një bashkëjetesë normale me opozitën, a do të mund të vetëkontrollohet ajo në pushtetin e mbi dy të tretave që zotëron dhe a do të krijojë mekanizma të tillë për një efektivitet të veprimet parandaluese e korrigjues të opozitës. Po ashtu nuk dihet se kur dhe si Opozita e PD-së do të braktisë pozicionin e saj e vetëpërjashtimit nga pjesëmarrja në jetën politikë të vendit me qëllim që të pengojë pozitën duke shfrytëzuar pikërisht domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së opozitës në zhvillimet në vend. Pozita duhet të shmangë gjithashtu frymën e revanshit që nuk shfaqet aq i theksuar në drejtim të opozitës se sa në një koncept më të gjerë dhe në dëm prapë të të gjithë vendit e tipit “erdhi radha jonë të bëjmë si të duam ne, ashtu siç bën dhe ata”. Po aq e rrezikshme është gjithashtu dhe bashkëpunimi midis pozitës dhe opozitës mbi bazën e kthimit të borxhit.
Dmth lëshimet komerciale që ish-pozita i bënte disa individëve, ndoshta edhe me ofiqe të larta në pushtetin e sotëm, ose dhe pa pushtet, t’i vjen sot si përfitime politike për të fshehur korrupsionin apo padrejtësi të tjera të djeshme. Nuk duhet harruar gjithashtu se sa i fortë do të jetë imuniteti i pozitës për të mos u kompromentuar raporti midis bërjes dhe ribërjes shtetit. Presidenti i Republikës, z. Rexhep Mejdani, theksoi në daljen e tij të dytë publike se përdorimi rëndom i faturës problemore të së djeshmes thjesht për të siguruar alibinë e paaftësisë dhe destruktivizmit, nuk i ka rezistuar kohës.
Kjo si aksiomë është e vlefshme, si për opozitën ashtu dhe për pozitën. Kryeministri Nano në deklaratat programatike të qeverisë së tij nën këtë frymë u mundua për të shmangur aq sa ishte e mundur sulmet mbi PD-në, duke treguar, të paktën në deklarime, se është i predispozuar për të mos harxhuar shumë kohë duke u marrë me të kaluarën. Problemi është se ribërja dhe bërja e shtetit duhet parë si një dimension i vetëm, ku duhet përcaktuar sa më qartë raporti i energjive që duhen harxhuar për të mohuar anët e kalbëzuara të shtetit, për të ribërë pjesët e ndreqshme dhe sa energji duhen për të parë perspektivën. Veçse ky proces delikat dhe i vështirë duhet të jetë i çliruar nga revanshi i drejtuar apo dhe spontan, por edhe nga precedenti i rrezikshëm Berisha i përjashtimit nga ky proces i kundërshtarëve politikë të trajtuar si armiq, apo dhe trajtimi i perspektivës thjesht si mohim, ose e kundërta, të harrohet e kaluara në emër të së ardhmes, apo të komprometohet kjo e ardhme me praktika të tipit “jep dorëheqjen se nuk të bëjmë gjë”.
PANAJOT BARKA