Pandi Gjata: : Artistët peticion Meidanit, Majkos e Gjinushit kundër ministrit kulturës. Kundërpërgjigjet Edi Rama

(Botuar me 16 tetor 1998 në KOHA JONE)

Nga Pandi Gjata-

TIRANE – “Teatri Kombëtar të shkëputet nga Ministria e Kulturës dhe të vihet nën autoritetin e Presidencës ose të Këshillit të ministrave. Kjo është një nga pesë pikat e deklaratës për shtyp, të bërë dje nga kolektivi i Teatrit Kombëtar duke theksuar se “është një status që i takon këtij institucioni, kjo duke parë edhe eksperiencën e shteteve serioze që respektojnë kulturën e tyre”. Në këtë moment, ku sipas artistëve rrezikohen të shpërbëhen, ata janë drejtuar edhe një herë Presidentit të Republikës, Rexhep Meidani, Kryetarit të Kuvendit Popullor, Skënder Gjinushi dhe Kryetarit të Këshillit të Ministrave Pandeli Majko, që të deklarohen zyrtarisht për përgjigjet e padhëna deri më sot të peticionit të Teatrit Kombëtar.

Në deklaratën e djeshme, ata kërkojnë që të mos cenohet institucioni i Teatrit Kombëtar, simboli i dinjitetit gjuhësor, psikologjik, moral, etnografik, konstitucional dhe shpirtëror i popullit. Të gjendet mënyra që deri sa të vijë dita e ngritjes së një godine të re, ekzistuesja të rikonstruktohet (çati, dyer dritare etj.) duke vazhduar aktivitetin normal i trupës, si dhe kërkojnë nga opinioni publik mbështetje solidarizuese për të shmangur sa më parë rrezikun deri në shpërbërje të këtij institucioni me vlera të mëdha kombëtare, mbasi nesër do të jetë tepër vonë.

Deklarata për shtyp e kolektivit të Teatrit Kombëtar është bërë një ditë pas takimit me një grup deputetësh dhe dy ditë para vizitës së premtuar të ministrit të Kulturës Edi Rama në këtë institucion. Për takimin qe pritet të zhvillohet nesër në orën 10:30 në teatër me ministrin Rama, artistët thonë se “Në komunikatën për shtyp të ministrisë së Kulturës shprehet qartë qëndrimi i ministrit Rama, i cili ditën e shtunë ka vendosur takimin me artistët e Teatrit Kombëtar, por ndryshe nga ishte thënë më parë, ai nuk pranon të debatojë me trupën e teatrit. Sipas tij ai do të vijë të deklarojë vendimin dhe opsionet e tij, në bazë të të cilit është shpërngulja e Teatrit të Prozës në Teatrin e Operas dhe të Baletit, me një strukturë të vetme administrative. Artistët theksojnë se gjatë 5 muajve të Ramës në postin e ministrit, marrëdhëniet dhe aktivitetet artistike të teatrit kanë ngrirë. “Me ardhjen e tij, nuk na lejon të japim shfaqje të cilat me aq shumë mundim e përkushtim kemi ngritur. Komunikimi artist-spektator është ndërprerë në mënyrë të pakuptimtë” thonë artistët duke shpjeguar edhe thelbin e kontradiktës që sipas tyre” Ai do të shpërbejë TK dhe për këtë qëllim ai ngre alibinë e rrezikshmërisë së godinës”. Madje ata përmendin deklaratat e Ramës, që sipas tyre ka thënë se TK është “kënetë”, “bastion i realizmit socialist” si dhe ngre pyetjen “A kemi patur ndonjëherë TK?” /Pandi Gjata/

Pas takimit të artistëve të Teatrit Kombëtar me një grup parlamentarësh dhe pas deklaratës për shtyp të kolektivit të këtij institucioni të bërë dje, për dijeni edhe Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit Popullor, për problemin e teatrit, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Edi Rama, vetëm pak minuta pas mbërritjes së tij nga Strasburgu dha këtë intervistë për “Koha Jonë”.

Nëpërmjet linjës telefonike, ai prek hollësisht edhe njëherë problemin e Teatrit Kombëtar, si dhe siguron për takimin e nesërm me artistët, në orën 10.30, të premtuar para pak ditësh, takim që u parapri nga një tjetër me grupin e parlamentarëve.

Zoti ministër, në një deklaratë të djeshme të kolektivit të Teatrit Kombëtar, thuhet se ju nuk pranoni të debatoni me trupën në takimin e nesërm, sa e vërtetë është kjo?

Nuk jam fare në dijeni të kësaj deklarate. Me sa duket, ata i referohen një komunikate, që Kabineti ka bërë për shtypin, një kopje e së cilës i është çuar për dijeni nëndrejtorit të teatrit. Fakti është që e konsideroj të konsumuar debatin gjatë gjithë kësaj periudhe. Të konsumuar në një formë banale do të thoja, nga ana e ca pak personazheve të Teatrit Kombëtar, të cilët janë bërë zëdhënës të shumë e shumë keqkuptimeve dhe keqinterpretimeve të interpretimeve të fjalëve të mia dhe njëkohësisht, për fat të keq të një niveli skandaloz edukate, në shprehjen e opinioneve. Gjithsesi, e kam të qartë pozicionin e tyre. Shpresoj që ky të mos jetë një pozicion unanim i trupës, sepse atëherë do të ishte një fatkeqësi e madhe, që e gjithë trupa e teatrit ku ka plot e plot njerëz të nderuar e të respektuar, të mos kishte arritur të kuptonte akoma se ku qëndron thelbi i problemit që kam ngritur unë. Mendoj se është momenti që të shkoj, të takohem me ta dhe t’u rishpreh edhe një herë qartësisht ato që mendoj për rreth gjithë kësaj zhurme për asgjë.

Ne deklaratën e djeshme të TK, thuhet se ju do të deklaroni në takim shpërnguljen e Teatrit të Prozës, në Teatrin e Operas dhe të Baletit, duke krijuar një strukturë të vetme administrative…

Ky nuk është një vendim që unë e kam marrë. Ky është një nga opsionet që është hedhur në tavolinë, që në mbledhjen e parë, ashtu siç është hedhur edhe opsioni për kalimin e trupës në sallën e Akademisë së Arteve. Në komunikatën e zëdhënësit nuk është shprehur në mënyrë definitive ky vendim.

Artistët thonë në deklaratë se gjatë këtyre 5 muajve që ju jeni në postin e ministrit të Kulturës, keni ngrirë marrëdhëniet teatër-ministri, dhe se nuk keni lejuar që në Teatrin Kombëtar të jepen shfaqje…

Ky është një tjetër keqinterpretim i gjithë sa ka ndodhur në këtë periudhë. Është një keqinterpretim që nuk çon asgjëkund, sepse e para e punës kur unë kam ardhur në krye të administratës së Kulturës, teatri ishte në përfundim të sezonit të tij. Sezoni ka përfunduar normalisht pasi unë nuk kam dhënë asnjë urdhër për të mbyllur aktivitetin. Pastaj, ka qenë periudha e gjatë e pushimeve, periudhë gjatë së cilës Ministria e Kulturës, me firmën time ka sponsorizuar dy herë Teatrin Kombëtar, për një udhëtim në Kajro dhe një tjetër në Stokholm, sponsorizime që nga pikëpamja financiare kanë qenë të rëndësishme për buxhetin e ministrisë, gjë që tregon fare qartë se unë i qëndroj asaj që kam thënë qysh në fillim: se unë jo vetëm që nuk jam për mbylljen e aktivitetit të trupës, jo vetëm që nuk jam për shpërbërjen e saj e të tjera broçkulla si këto, që dalin nga goja e njerëzve jo luajalë në raport me atë çka është thënë dhe ç’është bërë, por jam që trupa e TK të ketë kushte sa më optimale për të vazhduar aktivitetin e saj dhe për të siguruar dhe ardhmërinë e saj, duke garantuar të gjitha objektivat e perspektivës.

Artistët shprehen në deklaratën e tyre edhe rreth ndryshimit të emrit të institucionit, nga Teatër Kombëtar, në Teatër të Prozës…

Është fatkeqësi e madhe që njerëz të cilët janë marrë kaq gjatë me fjalën, nuk dinë ta interpretojnë atë në realitetin e përditshëm, por vetëm në skenë. Në komunikatën e zëdhënësit nuk thuhet fare që institucioni do të quhet Teatri i Prozës, dhe në rast se do të ketë një bashkim të institucioneve, do të jetë Teatri Kombëtar i Operas Baletit dhe Prozës, një term ky shumë i njohur dhe i përdorur kudo, për të bërë dallimin midis fjalës së kënduar dhe asaj të recituar në skenën e një teatri. Teatri i prozës është një nga shprehjet e teatrit, por nuk është e vetmja. Artistët përmendin disa terma, që sipas tyre janë thënë prej jush, si Teatri Kombëtar është “kënetë”, “bastion i realizmit socialist” si dhe një pyetjen tuaj “A kemi patur ndonjëherë Teatër Kombëtar?

Prapë kemi të bëjmë me deformime rrënjësore të realitetit të gjërave. Unë nuk e kam quajtur Teatrin Kombëtar, “kënetë” ose “bastion të realizmit socialist”. Unë kam quajtur “kënetë” gjendjen vegjetative prej kënete, gjendjen aktuale të institucioneve tona kulturore dhe i kam quajtur bastion të realizmit socialist këto institucione, në kuptimin e administrimit të tyre, pra në kuptimin e menaxhimit. Unë i qëndroj kësaj sepse në konceptin e menaxhimit këto institucione janë bastione të mendimit ekonomik të regjimit të vjetër, por këtu nuk kam pasur asnjë qëllim për t’u marrë me pjesën që i përket aktivitetit të tyre nga pikëpamja e krijimit apo kultivimit të vlerave kombëtare. Kjo është një pjesë tjetër të cilën unë nuk e kam prekur.

Artistët kërkojnë shkëputjen e Teatrit Kombëtar nga ministria e Kulturës, dhe varësi nga Këshilli i Ministrave ose nga Presidenca dhe kjo sipas tyre edhe nisur nga eksperienca e shteteve serioze. Çfarë komenti keni për këtë?

Nuk e di se cilës praktikë botërore ata i referohen, megjithatë këtu problemi nuk është nëse TK duhet të varet nga Ministria e Kulturës, Këshilli i Ministrave apo Presidenca, apo ndoshta nga vetë Ati ynë në qiell. Këtu problemi është se ka një realitet, i cili duhet konfrontuar, pavarësisht se a është ministri i Kulturës që e konfronton, apo Këshilli i Ministrave e Presidenti, dhe pavarësisht se ministri i Kulturës quhet Edi Rama, apo dikush tjetër. Unë nuk po merrem me banjën e shtëpisë sime. Këtu unë po zhvilloj përgjegjësitë e mia si ministër, duke iu referuar praktikave të njohura botërore, duke iu referuar bisedave dhe konsultimeve të bëra me ekspertë të fushës, duke iu referuar bindjes sime që TK ka nevojë të vendoset në një vitrinë evropiane, që të krijojë marrëdhënie intensive komunikimi, si me vëllezërit e vet në botën evropiane dhe më tej, që të mos mbetet mbyllur në guaskën e tij dhe aktiviteti i tij të mos i mbetet spontanitetit dhe ftesave rastësore që mund të vijnë nga jashtë.

Për të bërë të gjitha këto, dhe për t’u ingranuar në një rrjet evropian siç bëjnë sot shumë teatro, sidomos ato që janë në rang kombëtar, duhet filluar nga një skenë dinjitoze nga pikëpamja teknike, ku të mund të ftohen kolegë të respektuar nga vende të tjera të Evropës, dhe duhet çuar para reforma e kuadrit ligjor për të cilin ne kemi filluar punën.

Cila është e vërteta mbi ligjin për teatrin?

Është komplet e pavërtetë që unë kam bllokuar punën për ligjin, por siç e kam thënë edhe një herë tjetër, kam bllokuar një kërkesë për një grup personash që donin të shkonin në Paris me shpenzimet e taksapaguesve shqiptarë, për ligjin për teatrin. E kam shpjeguar se nuk është kjo forma e duhur për të bërë një ligj. Më duket se e gjithë kjo është: shumë zhurmë për asgjë. E përsëris edhe një herë. Është një zhurmë krejtësisht irracionale, e bazuar mbi asgjë. Është shumë e qartë. Unë as kam pasur dhe as kam ndërmend të shkrij Teatrin Kombëtar. Unë dua që TK të fitojë vendin që i takon në të gjitha kuptimet dhe në raport me botën ku ne duam të integrohemi. Në këtë situatë që është, e ka të pamundur. Unë kam bërë disa përpjekje që grupe të caktuara nga TK të shkojnë që vitin e ardhshëm në festivale të rëndësishme ndërkombëtare. Të gjitha këto flasin qartë për atë se ç’shoh, ç’mendoj dhe ç’dua të bëj, dhe ç’duan të bëjnë ata njerëz, që kanë bërë gjithë këtë gjullurdi, pa asnjë bazë. Me vjen keq që në këtë zhurmë ka kaq mjerim intelektual dhe kaq pak përgjegjësi qytetare dhe morale në raport me atë që është sot dhe me atë që duhet të jetë nesër në TK. Kam përshtypjen se lufta e këtyre personave që flasin në emër te të gjithë artistëve është reduktuar në luftë për interesa shumë meskine dhe shpreh qartë mungesën e vullnetit për të lëvizur ujërat e ndenjura. Te kërkosh ta mbash në këtë gjendje institucionin, do të thotë të presësh dekompozimin përfundimtar, jo vetëm të godinës, por edhe të trupës së TK. Unë këtë nuk mund ta pres sepse kam përgjegjësi.

Nesër është takimi në teatër…

Kam shumë shpresë që këta zëra të mos jenë përfaqësues të të gjithë njerëzve që punojnë në teatër. Kam shpresë që aty ka lloj-lloj mendimesh dhe opinionesh. Në këtë kuptim e shoh të nevojshme që t’i takoj dhe t’u shpreh gjithçka mendoj unë për situatën në lidhje me Teatrin Kombëtar. Nuk mund të jetë një debat me të gjithë trupën, qoftë për arsyet që thashë më lart, dhe për arsyen e thjeshtë, se s’mund të bëhet në kushtet e sotme një mbledhje me kolektivin, ku sipas zakonit të vjetër të gjithë flasin, dhe asnjëri nuk dëgjon.

Si përfundim a do të shkoni në atë mbledhje me zgjidhjen në xhep?

Unë nuk jam magjistar dhe për më tepër, sot për sot askush që nuk e ka virtytin e magjistarit, nuk mund t’i japë këtij problemi një zgjidhje optimale. Besoj se zgjidhja duhet parë si një proces i ndërtuar mirë me disa faza, duke marrë parasysh qoftë nevojën shpirtërore të komunitetit tonë për të pasur një jetë teatrore, qoftë vrimën e madhe të xhepit të shtetit tonë, nga i cili nuk mund të rrjedhin milionat që duhen për një godinë të re të teatrit kombëtar, por padyshim mund të nxirren kacidhet e nevojshme për një strategji të suksesshme drejt realizimit të ëndrrës sonë të përbashkët. Pavarësisht nga kontradiktat konceptuale për ta bërë realitet këtë ëndërr, fakti që edhe ata që çirren kundër mënyrës sime të të parit të gjërave, edhe unë dëshiroj në fund të fundit që të bëhet më e mira, mund të jetë një pikë bashkimi, prej nga mund të niset, rruga e gjatë, për në dyert e teatrit të ri. /PANDI GJATA/

SHKARKO APP