Pandi Gjata: Kadare pyet se “Ç’aspirinë do t’i gjendet Shqipërisë?!”
(Botuar me 1 nëntor 1998 në KOHA JONE)
Nga Pandi Gjata-
Ismail Kadare dhe bashkëshortja e tij Helena zbritën dje në aeroportin e Rinasit në orën 14.30. Me avionin e linjës “SWISSAIR” ata u nisën nga Parisi në orën 9.30 dhe në mesditë mbërritën në Shqipëri. Vizita e shkrimtarit të shquar shqiptar në vendin që e rriti, edhe këtë herë nuk ka asnjë arsye të veçantë. Çdo prag vjeshte, kur në kryeqytet fillon të bjerë shi dhe kur gjethet e pemëve nisin e shtrojnë rrugët, ashtu si edhe dy vitet e fundit, Kadarenë e gjen në Tiranë. Atij nuk i pëlqen fakti se sa herë që vjen në Shqipëri, shtypi apo mediat e ndryshme duhet të flasin për të. “Ai vjen thjesht në shtëpinë e tij”, thotë bashkëshortja Helena.
Megjithëse, i lodhur nga udhëtimi prej pesë orësh, Kadare ka pranuar të flasë shumë shkurt për gazetën dje në mbrëmje në shtëpinë e tij. Gjatë këtij muaji që shkrimtari ka preferuar ta kalojë në Shqipëri, thotë se nuk ka përgatitur ndonjë agjendë takimesh zyrtare. “Natyrisht që do të takohem me miqtë dhe të njohurit e mi, por për sa u përket takimeve zyrtare, nuk mendoj dhe nuk kam ndërmend që të realizoj asnjë”, tha ai, ndërkohë që vetëm disa orë pas mbërritjes nga Parisi, në shtëpinë e tij në qendër të Tiranës, pranë disko “Albania”, miqtë ishin të pranishëm. Rreth asaj se deri kur gjeniu i letrave shqipe do të jetojë në kryeqytetin francez, ai shprehet se: “mendoj se kur të jetë gjendja normale që unë të punoj në Shqipëri, them se do të rri shumë më gjatë . Natyrisht që koha do të vijë, por gjithmonë, unë do të kem një rezidencë në Paris, pasi më duhet që të mbaj lidhje me botuesin tim francez, i cili ka të drejtën ekskluzive botërore të botimit të veprave të mia”. Ndonëse, ai jeton prej 8 vjetësh në Paris, padyshim që ka qenë në kontakt dhe shumë afër me të gjitha zhvillimet dhe ngjarjet që kanë rrjedhur në Shqipëri dhe Kosovë. Kadare pranon se vështirësinë më të madhe e ka me pamjet nga Shqipëria, por “dashur ра dashur ato merren vesh”.
“Shpesh janë lajme që edhe ndoshta nuk dua që t’i marr vesh”,- thotë ai, duke nënkuptuar ngjarjet e shumta që kanë ndodhur kohët e fundit në vend, për të cilat çdo shqiptar që ndodhet në mes të botës së qytetëruar nuk do të dëshironte t’i dëgjonte. Njeriu i letrave shqipe uron që të ulet nervozizmi, por me sa ai shikon në faqet e shtypit të përditshëm, një pjesë e të cilit gjendej në atë moment mbi tavolinë, kjo gjë nuk dukej. “Temperatura duket e lartë, duhet të zbresë shumë shpejt, por po bie shumë ngadalë. Po nuk ra temperatura, asgjë nuk zgjidhet. E ç’aspirinë do t’i gjendet Shqipërisë pastaj” – tha Kadare.
Për ngjarjet më të fundit politike që kanë ndodhur në vend, largimin e Nanos dhe mbërritjen e kryeministrit të ri, Pandeli Majko, ai thotë se në këto ditë të qëndrimit të tij në Shqipëri do të njihet më mirë. “Gjithsesi, unë i uroj që t’i vejë mbarë çdo grupi që merr përsipër të qeverisë vendin, pa prekur ngjyrën apo krahun politik që përfaqëson”, – vazhdon ai.
Rreth gjendjes tragjike që prej muajsh po kalojnë vëllezërit shqiptarë në Kosovë, shkrimtari shqiptar me intervistat dhe opinionet e dhëna nga rezidenca e tij në Paris ka qenë i pranishëm në median shqiptare dhe botërore. Dje, në ditën e parë në Tiranë, ai ka rënë në kontakt me të përditshmet shqiptare dhe thotë se shtypi botëror, pasqyron dhe flet më shumë për gjendjen në Kosovë, sesa ai në Shqipëri. Madje ai dhe bashkëshortja Helena kanë sjellë me vete një revistë me emër dhe shumë prestigjioze në Francë, që në përgjithësi flet për jetën artistike në botë, por që në numrin e fundit i kishte lënë një hapësirë të gjerë gjendjes tragjike në Kosovë.
Kadare, vizitë e mundshme në Gjirokastër
Megjithëse jo me një agjendë të përcaktuar, për muajin që Ismail Kadare ka nisur nga dje në Shqipëri, ai shpreson edhe për vizitën e kortezisë në qytetin e lindjes. Kadare vetëm para një muaji, e ka prezantuar Gjirokastrën në zemër të Parisit nëpërmjet një botimi që është bërë i njohur deri në Japoninë e largët. Vizitën në qytetin e gurtë, ai e lidh edhe me atë se, një ekip i televizionit francez TVF3, shumë shpejt nis xhirimet për të realizuar një film për shkrimtarin e madh shqiptar. Është një cikël emisionesh, që ka nisur prej kohësh në stacionin prestigjioz të Francës, dhe që ka në qendër të tij shkrimtarët më të shquar të shekullit të XX-të, një prej të cilëve është edhe shkrimtari shqiptar. Ai thotë se, po mbaron përgatitjet paraprake, dhe ndoshta gjatë këtij muaji që do qëndrojë në Shqipëri, ose në vizitën e ardhshme, një pjesë e xhirimeve do të realizohen edhe në qytetin e gurtë. Cikli i emisioneve titullohet, “Një shekull shkrimtarësh”, dhe në 60 minutat e transmetimit të përjavshëm ka për qëllim të përcjellë nga afër jetën e shkrimtarëve më të shquar të këtij shekulli, të gjallë apo të vdekur.
Shumë shpejt Kadare, i njohur në hapësirën franceze, do të jetë edhe me këtë emision televiziv, xhirimet e të cilit do të nisin në Gjirokastër, do vazhdojnë në Tiranë dhe do përfundojnë në Paris. Por edhe libri i tij më i fundit që ka dalë në qarkullim në tregun francez të librit, flet për Gjirokastrën, qytetin e tij të lindjes. Kadare ka shkruar parathënien, dhe njëkohësisht tekstin e këtij libri, i cili shoqëron fotografitë e një autori francez që i ka realizuar së fundi në qytetin e gurtë. Para një muaji Kadare e ka prezantuar këtë botim edhe në një takim të realizuar nga një universitet në Japoni, i cili iu kushtua vetëm qytetit të Gjirokastrës. Ai vërtet jeton në Paris, por me qytetin e lindjes thotë se vazhdon të ketë lidhje, dhe të bëjë ç’ka mundësi. Së fundi në Paris, ai ishte vetë prezent në një takim që pati kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, për problemet e qytetit dhe mundësinë e shpalljes së tij, si pasuri e kulturës botërore, për vetë vlerat dhe rëndësinë e madhe që gëzon aktualisht.
Nëse grupi i televizionit francez do të mbërrijë në Shqipëri brenda këtij muaji, Ismail Kadare do të zbresë në vendlindje për të filluar xhirimet e filmit, dhe për t’i vazhduar ato më tej në dy kryeqytetet.
Kadare dhe “Nobeli”
Shkrimtari shqiptar prej ’91 kandidat i Çmimit “Nobel” në letërsi edhe këtë vit nuk mundi të fitonte. Rreth ngjarjes më të rëndësishme në fushën e letrave në botë, Kadare shprehet se, “pa dashur dola profet i asaj se ç’do të shpallte Akademia Suedeze. Prej tre vjetësh portugezi Saramago ishte kandidat i këtij çmimi dhe them se e meritonte”. Madje ai tregon se me laureatin e sivjetshëm të Çmimit “Nobel”, punojnë së bashku në Akademinë Universale të Kulturës në Paris.
Vizita e Kadaresë…
Korifeu i letrave shqipe, që prej vitesh jeton në kryeqytetin francez, gjithmonë është i pranishëm në Shqipëri në momente kur ngjarjet janë në kulmin e tyre. Është rastësi apo jo, kjo nuk ka shumë rëndësi. Ismail Kadare gjithmonë është i pranishëm në të gjitha aspektet e jetës në Shqipëri. Me intervista, opinione, ose analiza të botuara në faqet e shtypit, ndonëse gjeografikisht larg, ai ka qenë shumë afër asaj se ç’ka ndodh në vendin e tij. Edhe këtë herë, ai vjen në një moment, kur duket se sapo ka dalë nga një krizë që mbiu papritur në mes shtatori. Pas largimit të qeverisë “Nano”, Kadare e gjen vendin nën qeverisjen e një kryeministri të ri, Pandeli Majkos.
Vizitat e tij gjithmonë janë komentuar nga pas, duke mos harruar që shpesh të ngatërrohet me ngjyrat politike. Edhe kësaj radhe ai thotë se nuk ka ndonjë arsye të veçantë. Bashkëshortja e tij shton se “ai vjen në shtëpinë e tij”. Por, Kadare vetëm kaq mund të thotë pas orëve të para të mbërritjes në Shqipëri. Duke qenë mes miqsh dhe kolegësh, ai edhe këtë vjeshtë do ta kalojë si gjithmonë në Tiranë, por siç thotë “larg takimeve zyrtare”. Sidoqoftë, Kadare do të njihet me gjendjen dhe ndoshta shumë shpejt do të japë mendimin dhe mesazhin e tij të pritur për shqiptarët kudo ndodhen. /PANDI GJATA/