Përsëri terror ndaj gazetës “Koha Jonë”, tre karikatorë kallashnikovi mbi automjetin e redaksisë, nga bandat e pushtetit
(Botuar me 10 Qershor 1997 në KOHA JONE)
Përsëri terror ndaj gazetës “Koha Jonë”, tre karikatorë kallashnikovi mbi automjetin e redaksisë, nga bandat e pushtetit
TIRANË – Përsëri terrorizohet “Koha Jonë”. Me sa duket të destinuar të përjetojnë skena tmerri, punonjësit e të përditshmes së pavarur, “KJ”, i kanë ndjerë edhe një herë, fare pranë krismat e kallashnikovit. Tre karikatorë automatiku janë zbrazur, dy ditë më parë, mbi automjetin e redaksisë. Ditën e diel rreth orës 5.30 të mëngjesit, tre persona të veshur me uniformën e Gardës presidenciale të hipur në një “Benz” pa targa kanë ndjekur automjetin tip “Fiat Dukat” të gazetës “Koha Jonë”. Të armatosur, ndjekësit, që nga Tirana e deri në fshatin Tapizë (fshat në drejtim të Fushë-Krujës) e kanë shoqëruar automjetin, i cili transportonte gazetën “Koha Jonë” në drejtim të veriut të Shqipërisë. Disa herë e kanë parakaluar, duke nxjerrë tytat e automatikëve në dritare. Pasi ka parë tabelën e kuqe, shenjë e policisë rrugore, (duket se Garda është e pajisur edhe me kartonë policie) menjëherë shoferi Asllan Tollja ka ndaluar, duke respektuar shenjën e nxjerrë nga gardistët. Nga “Benzi” kanë dalë dy persona të veshur gardistë, me maska në fytyrë, të cilët kanë detyruar shoferin që të zbriste nga makina. Asllan Tollja ka respektuar urdhërin e tyre, nën kërcënimin e tytave të automatikëve. Fatmirësisht terroristët gardistë nuk kanë qëlluar mbi shoferin e gazetës, por i janë drejtuar: “Largohu! Kemi punë vetëm me gazetën “Koha Jonë”. Pas kësaj dy personat e armatosur kanë filluar të qëllojnë mbi automjetin duke harxhuar, sipas policisë, 56 plumba. Pasi makina është bërë shoshë nga plumbat, gardistët kanë kthyer “Benzin” në drejtim të Tiranës. Nga verifikimet e para të policisë, e cila erdhi në vendngjarje del se automjeti në fjalë, sipas dëshmive, përdoret nga gardistet e Berishës. Pas kësaj, automjeti i gazetës “KJ” u kthye në redaksi, 300 metra larg Gardës së Republikës, ku po “pushonte” edhe “Benzi” i gardistëve.
Sulmi i fundit ndaj gazetës “Koha Jonë” është në vazhdën e terrorit që bëjnë segmentet e pushtetit të Berishës mbi gazetën me të madhe shqiptare. Dita e diel pason edhe sulmin me bombë, tentativë e ditës së premte në darkë. Në orën 23.45, të kësaj dite, nga një makinë e gardës tip “Iveco”, boje qielli, pa targa. Bomba që shpërtheu para gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, e cila falë nxitimit të agjencisë se Meros Bazes me emrin “Enter”, ishte planifikuar të hidhej në redaksinë e gazetës. Por gardistët të vënë para murit të fortë të 9 rojeve të armatosura të redaksisë janë larguar, duke e hedhur kot së koti para gjimnazit “Petro N. Luarasi”.
Terrori që po ushtron pushteti berishian ndaj së përditshmes më të madhe të pavarur “Koha Jonë” nuk është bërë mbi gazetat as në kohën e grushtit të shtetit në Kili e as nën sundimin e Markosit në Filipine. Megjithatë stafi i gazetarëve dhe punonjësve të “Koha Jonë” janë të vendosur që të punojnë edhe në këto kushte tepër të vështira, në mënyrë që të përçojnë tek lexuesi, i cili padyshim është pro gazetës sonë, informacionin se çfarë ndodh me Shqipërinë dhe se si po shkatërrohet ajo. Gjithmonë me pretendimin që situata të ndryshojë për mirë.
Redaksia e gazetës “KJ”
Policia, Garda dhe krimi
Nga Nikoll Lesi
Para disa ditësh, në një prej lokaleve më luksoze në qendër të Tiranës, ndodhi një incident, ku fillimisht u fye e pastaj u godit i mirënjohuri Agim Fagu, ish-basketbollisti shtatlartë i “Partizanit”. Dhunuesit e Fagut ishin të gardës presidenciale. Në tavolinën ngjitur incidentit ndodhej, sipas dëshmitarëve, edhe zv/drejtori i drejtorisë së Policisë së Tiranës, Arben Ujka. Gjithnjë sipas të pranishmëve të shumtë, mes gardistëve të lartë dhe zv/drejtorit të Policisë, u zhvillua pak a shumë ky dialog:
-Ç’keni ore me Fagun? ka ndërhyrë menjëherë Ujka.
-Ti rri aty ku je – janë përgjigjur gardistët. -Largohuni që këtej dhe mos bëni gjëra të tilla,- ka insistuar zv/drejtori i Policisë së Tiranës dhe ka bërë të ngrihet.
-Ulu aty ku je se të varëm një bombë në qafë. Makinën ta dogjëm, por të hedhim në erë bashkë me makinën tjetër,- ia kanë prerë shkurt gardistët dhe kanë vazhduar të qëllojnë mbi Agim Fagun.
Ky incident i rëndë, jo i vetmi që sheh të përfshirë Gardën presidenciale, rihap temën e krimit politik në një fushatë të sunduar nga dhuna dhe vrasjet. Kemi përballë dy institucione: Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit dhe Gardën e presidentit të Republikës. I pari presupozon vendosjen e rendit dhe siguron qetësinë për të tjerët. Nga ana tjetër kemi Gardën, e cila me ligj ruan presidentin e Republikës. Të dyja janë institucione shtetërore. Të dyja të rëndësishme. Por fakti i mësipërm si dhe disa të tjera, tregojnë se këto dy institucione janë vënë përballë njëra-tjetrës, natyrisht duke e shikuar stabilitetin e qetësinë në këndvështrime të ndryshme. Sa herë në krime apo ngjarje, fijet të çojnë në derën e hekurt ku shkruhet “Garda e Republikës” (nuk janë të gjithë gardistët elementë negativë), policia tërhiqet dhe mjaftohet me “S’kemi ç’t’u bëjmë. Janë ata…!” Askush nuk guxon të ngrihet kundër forcave që paguhen për të ruajtur numrin një të shtetit.
Në kohën që policia tërhiqet, në kohën që hesht drejtoria e policisë së Tiranës përballë gardistëve që bëjnë krime, atëherë çfarë duhet të bëjnë njerëzit e thjeshtë? Të heshtin, kur u vidhen dyqanet, të qajnë e të mos bëjnë gjë kur i rrahin e i torturojnë për shkak të bindjeve të tyre politike?! Sa i mbrojtur është qytetari, kur zv/drejtorit të policisë së kryeqytetit i tregojnë bombat dhe nuk e lënë të zbatojë detyrën? Në vend që policia të kishte mbërritur në çast dhe të kishte arrestuar thyerësit e ligjit, ajo ka preferuar të justifikohet me formulën “Me ata s’kemi punë!” Po natën, kur përveç policisë shëtitin edhe automjete të Gardës pa targa ose me targa të huaja, nuk mundet policia t’i identifikojë dhe t’i ndalojë ata që shëtisin për të mbjellë terror? Po a ka gjë më fyese për policinë, kur para pak ditësh një punonjës i saj në kryqëzimin e Tiranës së Re, u rrah egërsisht nga një gardist vetëm se guxoi e i kërkoi me të drejtë, që të respektonte rregullat e qarkullimit?! Për çfarë është polici, kur nuk ruan as dinjitetin e rrobës së tij e natyrisht të ligjit? Çfarë është ai polic, i cili armën e ka gati për të tjerët, kur shkelin ligjin, ndërsa për ata që e dhunojnë, hesht se mos e pushojnë nga puna? Kush është ajo forcë që sundon mbi ligjin dhe mbi policinë? Atëherë ç’kuptim ka të shtojmë uniformat blu dhe pagat e tyre? Për të shtuar ngjyrat në kryeqytet apo për të gënjyer veten dhe popullin se “jeni të qetë, pasi në çdo qoshe kemi policë”. Më mirë 50 policë, të cilët zbatojnë dhe nderojnë ligjin, se sa një urdi policësh, të cilët “lagen” para pesë gardistëve të ardhur këto ditë në Tiranë. Në qoftë se në Gardë ka elementë negativë, kjo nuk do të thotë se të gjithë janë të një kallëpi. Edhe personalisht njoh gardistë me kulturë dhe zbatues të ligjit. Por a jemi të zot ne, njerëzit e shtypit dhe policia, që të diskreditojmë dhe të vëmë para ligjit ata civilë të armatosur gardistë, të cilët nuk kanë asnjë ideal, përveç vrasjes dhe krimit. A mundemi ne t’u japim frymëmarrje garditësve që nuk kanë vendosur ta ndajnë jetën me fatin e presidentit Berisha? Në Tiranë, përveç krimit të rrugës, në rrugë janë edhe disa segmente shtetërore, të cilët kanë për qëllim terrorin. Këto segmente që nuk paguhen as në SHIK, as në Gardë, por që rrinë aty dhe firmosin në borderotë sekrete dhe jashtë institucioneve të shtetit, përbëjnë rrezikun më të madh për fushatën aktuale, partitë politike, shtypin dhe qytetarët e thjeshtë. Kjo gjendje duhet të marrë fund. Para se të marrë fund shpresa se diçka mund të rregullohet në vendin tonë.