Petri Bozo: Mik dhe tifoz në qytetin e finales së shkëlqyer të Champions League
(Botuar me 1 Qershor 1997 në KOHA JONE)
Nga Petri Bozo-
Të jesh prezent në finalen më të madhe të futbollit evropian, është një ëndërr për të gjithë ata që duan futbollin në kontinentin e vjetër. Për më shumë, po të kesh parasysh faktin se gjithmonë je i mirëpritur nga njerëzit qyteti, komplekset sportive. Futbolli gjithmonë bën shumë miq për vete, tifozë, skuadra, popuj…
E hënë 26 maj ‘97
Pas një udhëtimi më shumë se komod, me avionin e shoqërisë ajrore “Lufthansa”, mbërritja në aeroportin gjigant të Frankfurtit ruan gjithnjë befasi tunduese. Por ndërsa në aeroportin më të madh të Gjermanisë (një ndër më të mëdhenjtë në Evropë), atmosfera e ndeshjes ishte e paprekshme, në Mynih gjithçka të lidhte me takimin. Një vajzë e bukur, në sportelin ku shkruhej “UEFA Champions League Information”, të drejtonte për të marrë hollësitë në lidhje me akreditimet dhe çdo gjë tjetër. Kishim hyrë në qytetin e ndeshjes, atmosfera e të cilës ishte kudo e pranishme. Në qendër të qytetit, në rrugën Shilershtrase, sistemohemi në hotel “Italia” ndoshta për të qenë më pranë tifozëve italianë që ende nuk kishin mbërritur. Pronarët e hotelit për çudinë tonë ishin të gjithë turq dhe flisnin pak nga të gjitha gjuhët. Ekipi italian mbërriti në orën 20.30 dhe u sistemua në hotel “Rafael”, godina e të cilit ishte njëri prej më luksozëve në Mynih në lagjen Marian-Platz. Të nesërmen në hollet e tij do të zhvillohej konferenca e shtypit, por padurimi ynë na ka çuar në hyrjen e tij që atë ditë. Një grup i vogël italianësh ishin grumbulluar përpara tij dhe prisnin me padurim ardhjen e autobusit të skuadrës bardhezi. Siç ndodh rëndom në raste të tilla, një grup xhirimi i televizionit italian mbërriti në vend rreth 20 minuta përpara, duke përdorur truket televizive për të xhiruar 20-30 tifozët e pranishëm të cilët në edicionet informative, do të dukeshin 200-300. Duke qenë se autobusi është vonuar shumë, jemi larguar, duke ecur nëpër bulevardin e vjetër. Përpara dyqaneve luksoze, me dhjetëra djem dhe vajza të talentuar u binin instrumenteve muzikore. Këngëtarë violinistë, flautistë, shumica e të cilëve studentë të huaj, i zbavitin turistët me klasin e tyre. Gjithçka bëhej për të nxjerrë shpenzimet e ditës. Ndërkohë, ne vështronim të mahnitur orën e cila kishte kaluar 23.00 dhe askush nuk po na ndalonte në rrugë. Për më shumë nuk dëgjohej asnjë e shtënë… Harruam ishim në Mynih. Kryeqyteti ynë Tirana kishte mbetur pas.
E martë 27 maj ‘97
Zgjohemi herët dhe nisemi menjëherë në vendin ku do të zhvillohet ngjarja e madhe. Instinktivisht përjetojmë emocione të mëdha. Stadiumi i Mynihut, i njohur jo thjesht si objekt sportiv por si një vepër e vërtetë arti, do të befasonte këdo. Pranë tij ishin vendosur edhe zyrat e UEFA-s, në të cilat mund të marrësh akreditimin dhe të mësosh të gjitha hollësitë për ta patur krejtësisht të lirë rrugën për në ndeshjen e madhe. Rruga për në stadium ishte e gjatë por ajo shkurtohej lehtësisht nga metroja e Mynihut e cila me të gjithë aksesorët e saj, konsiderohej si qytet i nëndheshëm. Me të dalë nga metroja në zonën e kompleksit olimpik, na është shfaqur përpara syve kulla e lartë televizive, stadiumi olimpik, i pishinave, i stadiumit të mbyllur të lojërave me dorë. Një përsosje e vërtetë e arkitekturës. Sistemi i shkëlqyer i rrjetave plastike të jepte përshtypjen e një ombrelle të madhe. Ndërthurur me gjelbërimin rreth e rrotull, gjithçka dukej si në përrallë. Në fakt, gjelbërimi ishte tipari kryesor i Mynihut. Kopshtet dhe lulishtet ishin gjëja më veçantë e tij, të cilat i gjeje në çdo cep të qytetit. Përballë gjithë kësaj pamjeje, sintezë e rregullit gjerman, na doli përpara antiteza italiane. Për fat të keq edhe këtu kishim arritur të parët. Matrapazët që mezi i presin raste të tilla për të përfituar, në kurriz të ndjenjës së pastër të tifozëve, janë afruar menjëherë. Një italian na afrohet dhe na thotë: “kemi bileta”. Për të provuar “zemërgjerësinë” e tyre pyesim për çmimin. 300 dollarë për në anësore, 500 dollarë për në tribunë. Ishin çmime rreth dy herë e gjysmë më të larta se çmimi real i biletës. I lëmë të qetë në punën e tyre dhe nxitojmë për në zyrat e UEFA-s ku na presin me dashamirësi, na pyesin për udhëtimin etj. Nuk harrojnë të ngrenë supet dhe të shqetësohen për situatën në Shqipëri. Pasi pajisemi me dokumentacionin përkatës nxitojmë për të arritur në kohë në hotel “Rafael” ku në orën 14.00 do të zhvillohej konferenca e shtypit. Përballë tij ishte e njëjta situatë me një ditë më parë, me ndryshimin se këtë herë numri i tifozëve ishte 200-300 vetë. Të gjithë shtyheshin për të prekur lojtarët, për t’i përgëzuar duke u rënë shpatullave dhe për t’u dhënë zemër për të nesërmen. Kudo thirrje dhe këngë. Gazetarët dhe fotoreporterët shtyheshin për të zënë vend të parët. Por entuziazmi ra kur përfaqësuesi i zyrës së shtypit të Juventusit lajmëroi se konferenca do të shtyhej për 40 minuta për shkak se lojtarët sapo ishin kthyer nga stërvitja. Dhe kështu u vendos. Duhej të kalonte edhe kjo kohë kur përballë gazetarëve do të dilnin Lipi, Di Livio, Deshamps dhe më vonë “babai i tifozit më të ri të Juventusit”, Anxhelo Peruci, i cili sapo ishte bërë me djalë. Me këto fjalë hapi konferencën trajneri Lipi. Në atmosferën e përgjithshme ndihej një lloj frike e fshehur në fjalët e trajnerit italian, Di Livio e të tjerëve. Sidoqoftë, kultura e komportimit të Lipit dhe zgjuarsia në dhënien e përgjigjeve e justifikonte në çdo moment “mister”-in siç e thërrisnin lojtarët, për të dalë nga çdo lloj situate. Ndërkohë televizioni gjerman nuk ka pushuar për asnjë çast së foluri për ndeshjen.
E mërkurë, 28 maj 1997
Pamja e stadiumit ka qenë me të vërtetë magjepsëse. Por jo vetëm kaq. Duke patur natyra të ndryshme si kombe, italianët e gjermanët edhe futbollin e përjetonin në mënyra të tjera. Ndërsa tifozët italianë të grupuar bërtisnin dhe bëheshin gati për në stadium për orë të tëra para ndeshjes, gjermanët bënin të kundërtën. Ata kishin nisur festën e birrës. Pothuajse të pirë nën ndikimin e avujve të alkoolit ata kanë hyrë në stadium afro gjysmë ore përpara se të fillonte ndeshja. Atmosfera në stadiumin Olimpik është ndezur prej kohe që atëherë kur Juventusi dhe Borusia kanë zbritur në fushën e lojës. Kanë qenë rreth 22 kamera të instaluara në stadium, të cilat kanë përcjellë në pothuajse gjysmën e botës, finalen më të madhe të kupave të Evropës për këtë edicion. E drejta ekskluzive e këtij transmetimi është fituar nga kanali RTL, i cili rreth dy orë pas përfundimit të ndeshjes ka vazhduar programin e tij, në të cilin ishin të ftuar përveç protagonistëve gjermanë edhe Kaizeri i njohur, Franc Bekenbauer. Në çdo kënd të stadiumit ka qenë e pranishme reklama e sponsorëve zyrtarë, të cilët me madhështinë e publicitetit të tyre të imponoheshin. Në krahun e majtë të stadiumit, në tribunën anësore ishin vendosur tifozët e Borusias, ndërsa në të djathtën ata të Juventusit. Janë llogaritur rreth 25.000 tifozë të ardhur nga Italia, ndërkohë që nga qytetet e tjera gjermane të ardhurit llogariteshin rreth 30.000. Gjithçka ka mbetur e paharrueshme, që nga vërshëllima e parë e Shandor Puhl e deri tek ngritja e kupës, që nga golat e gjermanëve dhe deri tek “kryepuna” e Del Pieros, që nga ngritja e kupës e deri tek trishtimi i Lipit dhe të tjerëve. Të gjitha të fiksuara në kujtesë dhe në celuloid, për të marrë me vete në kryeqytetin e vendit të vetëm në Evropë pa kampionat futbolli, një pjesë nga finalja e më e madhe e kontinentit. PETRI BOZO