Petrit Malaj: Artistët e rinj nuk mund të rriten pa kontaktet me botën
(Botuar me 28 Tetor 1997 në KOHA JONE)
Nga Petrit Malaj-
Nga data 13 deri më 18 tetor, në Sofje të Bullgarisë u organizua Takimi i Shkollave të Teatrit të Ballkanit nga Akademia Kombëtare e Teatrit dhe Filmit “Krustyo Sarafov”. Midis trupave të Bullgarisë, Jugosllavisë, Rumanisë, Maqedonisë mori pjesë edhe një grup i vogël studentësh dhe pedagogësh të Departamentit të Aktrim-Regjisurës. Të lajmëruar me kohë nga institucioni, morëm që të gjitha masat, qoftë që të përzgjidhnim pjesën që e mendonim si më të mirën për t’u paraqitur, qoftë për ta përsosur atë në të gjithë komponentët. Studentët tanë paraqitën një fragment nga tragjedia “Elektra” e Sofokliut. Prezantimi i saj i suksesshëm, nderoi jo vetëm studentët tanë të regjisë – aktrimit dhe skenografisë, por gjithaq edhe shkollën tonë. Profesori i Akademisë së Arteve të Bukureshtit Nikolae Mandeau shpreh publikisht: “Ne pamë një shkollë të realizimit psikologjik, e cila paraqitet e vetëdijshme se këtë mision e ka përsosur e zotëron dhe e distribuon në mënyrë tepër të lavdërueshme në fushën e interpretimit. Ne dalluam një shkollë që zotëron formim të qartë e të lartë në konceptimin e simbolikës në fushën e regjisë”.
Vlerësime dhe gjykime të argumentuara u shprehën edhe nga pjesëmarrës të tjerë, regjisorë e aktorë me emër dhe kritikë të teatrit. Suksesi i trupës sonë studentore, me regjinë e Sabina Kodrës dhe Suela Hajnajt dhe me udhëheqjen pedagogjike të Milto Kutalit, nuk ishte i rastit. Për një vit me radhë studentët e kursit të dytë u organizuan që të gjithë me pjesë nga teatri antik grek. Informimet teorike nga historia e teatrit dhe letërsia botërore, ndikuan dukshëm që studentët të krijonin fondin e domosdoshëm të njohurive që vënë në lëvizje imagjinatën dhe fantazinë skenike. Një udhëtim në Butrint për të parë e prekur nga afër teatrin antik i pasuroi parapërfytyrimet.
Zgjedhja e fragmenteve u bë sipas pëlqimit të vetë studentëve. Edhe pse provimet u zhvilluan pas një periudhe nga më traumatiket në historinë tonë, provat nuk u lanë asnjëherë dhe impenjimi ishte maksimal. Studentët tanë dhe shkolla jonë bënë figurë të mirë. Por ata dhe i gjithë ekipi ynë shijuam kënaqësitë estetike dhe emocionale nga shfaqja teatrale-muzikore me maska dhe lëvizje të improvizuara, titulluar “Me kokë poshtë”, nga trupa e Akademisë Kombëtare të Teatrit dhe Filmit, Sofje; shfaqjen me elementë të shumtë folklorikë të Universitetit të Ri të Bullgarisë, Komedinë e Shekspirit “Ëndrra e një nate vere” interpretuar nga studentët e Artit Dramatik të Beogradit, dramën me dy personazhe “Dashuria e një çifti” të Joneskos nga trupa e Akademisë së Teatrit dhe filmit të Bukureshtit, dramatizimin e librit të parë të shkrimtarit të shquar amerikan, Stefan King nga Akademia e Teatrit dhe e filmit “Kristo Sarafov” Sofje, “Neroni super yll” nga një trupë tjetër e po kësaj akademie, Komedinë del Arte nga studentët e Artit Dramatik të Novisadit dhe spektaklin “Muzikë Çamber” nga Fakulteti Dramatik i Shkupit.
Shfaqje të larmishme nga të gjitha drejtimet teatrore dhe shkollat regjisoriale u mishëruan në aktorë dhe aktore të reja tërë temperament, hov rinor dhe prurje novatore. E në tërësinë e tyre u duk edhe ai gjësend që shumë qartë u shpreh nga profesorja e Kolegjit privat “Luben Grois”, Elena Baeva kur pohoi: “Ne jemi shumë pranë njëri-tjetrit dhe duhet ta ndihmojmë njeri-tjetrin”. Ky mesazh i saj shprehte në fakt dëshirën e brendshme të të gjithë pjesëmarrësve. Shkëmbimet artistike, teatrore janë ngjarje të mëdha. Në to mësohet shumë më tepër se në qindra orë praktikë dhe teori. Në to shkëmbehen përvojat më të freskëta, origjinalitetet e trevave tona, pikëpamjet e reja për teatrin, aktrimin, skenografinë, regjisurat. Ato ngjallin motive për t’u ngjitur më lart. Mirëpo pritësit duhen pritur. Ne, në Akademinë tonë të Arteve, kemi mjedise të mrekullueshme, një sallë nga më të mirat në Ballkan. Dëshirat tona duhet të mbështeten nga qeveria, nga Ministria e Kulturës dhe institucionet sponsorizuese. Vetëm me jetën mësimore, çdo prirje dhe talent fiket. Një Teatër Studentor pranë Akademisë, mund të ishte një alternativë e madhe, do të ngjallte konkurrencën artistike, do të impulsonte talentet e reja dhe do ta pasuronte jetën tonë artistike. Edhe ne duhet t’i thërresim ata që na thirrën. T’u dëshmojmë se këtu bëhet punë, se ka një fidanishte të Teatrit Kombëtar, se ka një profesorat të kualifikuar dhe vizione të guximshme për të ardhmen. Për të tilla synime fondet duhet të gjenden. Përndryshe kot që flasim se qenkemi një shoqëri e hapur dhe se duam të përfshihemi në artin evropian.
Petrit Malaj, dekan i Fakultetit të Artit Skenik pranë Akademisë së Arteve të Bukura