Pjesë nga libri “Si e njoha unë Nanon dhe PS”
(Botuar me 8 maj 2004)
Nga Nikoll Lesi
Nga pak e përditë vëreja pjesët e errëta të Fatos Nanos. Dikur e kisha idealizuar kryesocialistin si një njëri plot virtyte apo si një “diell” që rri vetëm lart. I tejngopur nga fantazia e viteve ’93-97 që më mbushte me optimizëm për Nanon, por kur u futa në terrin e pafund të pjesës që nuk njihja tek ai mbeta si i verbuar. Brenda Nanos është një gropë e zezë, plot kulisa, ku ngado që të kthehesh të del përpara thirrja e Ben Blushit “Kujdes!”.
Siç kam pohuar, në vitet ’92-’97 isha në radhën e parë të “luftëtarëve pro Nano”. Atëherë ai nuk kishte pushtet, bilës as që mendohej se mund të kishte ndonjëherë. Pushteti i Berishës ishte i fortë. Porse sot edhe pasi kam parë skutat e errëta të kryetarit të PS-së përsëri pohoj se burgu i Nanos ishte politik. Nuk mund të arrestohet kryetari i opozitës. Ai ishte një gabim fatal i Berishës. Nga njeri ende i panjohur për politikën shqiptare Fatos Nano u konvertua në flamur lufte vetëm se u arrestua nga pushteti i PD-së. Nëse nuk do të ishte arrestuar sot nuk do të ishte kryetar i socialistëve, pasi do ta kishin njohur më parë e më nga afër njerëzit në vitet ’93-’97.
Ndërsa burgu e bëri atë të blinduar. I bindur se rrethohet akoma nga ky blindazh, Nano vazhdon me idenë se socialistët vdesin për të, se shikohet si një lider largpamës dhe se nuk ka njeri që mund ta konkurrojë. I shquar për batuta e cinizëm të pashoq, ai mendon se mbetet “prijësi i mendjes”. Tallet me hallet e të tjerëve, plotëson çdo tekë të së shoqes me pushtetin e tij ekzekutiv dhe flet me cinizëm, sidomos për ata që e mbështetën në Lëvizjen për Katarsis. Kur merr inat dikë përdor gjithë forcën e pushtetit për ta dobësuar apo shkatërruar. Nuk njeh kufi e moral. Sytë i errësohen. Ka një bërtitur që tmerron këdo që ndodhet në një distancë ku të shpon timpanin e veshit. Ndërsa kur del në publik të merr në qafë me fjalët, ligjëratat dhe oratorinë që përdor. Po ta dëgjosh e të mos e njohësh nga afër bëhesh menjëherë nanoist 24-karatësh. Pasi bëmë sherr në zyrën e tij dhe më pas nuk pranova firmosjen e aktmarrëveshjes që mund të quajmë “Marrëveshja pro Xhoit” më merr në telefon Edi Rama, kryetari i bashkisë së Tiranës.
-Takohemi shpejt! Diku në periferi të Tiranës më thotë Edi duke marrë frymë në kontrast me trupin e tij dymetrosh. U takuam. Ishte fillim qershori 2003. Në tetor ishin zgjedhjet lokale, Edi rikandidonte, porse akoma nuk e kishte marrë viston zyrtare në emër të PS-së. Nano, si mjeshtër diversioni, kishte lëshuar në ajrin e Tiranës se mund të kandidonte njërin nga emrat, Majko ose Poçi. Edi në raport me shtatlartësinë e tij e kishte merakun se kryesocialisti mos ia fuste në kandidim. Në këtë frymë aspak miqësore për Ramën kryeministri filloi dhe tërhiqte “tërkuzën” ndaj fytit të Edit. Nga pak e përditë.
Ndërkohë përballë Edit përflitej se mund të dilte avokat Spartak Ngjela. Tipa të njëjtë në disa drejtime. Oratorë të mëdhënj të dy. Dikur miq tepër të ngushtë. Në ’91-in kishin bërë një lojë që shkuli Tiranën së qeshuri. Sapo kishte filluar pluralizmi u gjenden brenda PD-së me shpirt, por jashtë saj me tesër. Po ndahej torta dhe të gjithë ishin sulur tek PD-ja me lugë në brez. Kurse Spartaku dhe Edi vazhdonin opozitën kundër të gjithëve. Qeshnin dhe ironizonin çdo politikan që donin ta merrnin nëpër gojë. Batutat e tyre fillonin në QNK e dilnin xhiro nëpër Shqipëri. I kishin dërguar departamentit të Shtetit të SHBA në vitin 1991 një letër ku thonin se është krijuar në Shqipëri një parti kristian-myslimane dhe se kryetari ishte një person më shumë autoritet. PP dhe PD nuk janë parti të besueshme, por kjo parti ishte e ardhmja e vendit. Ishte dërguar, por e kishin harruar edhe vetë të dy shakanë. Nuk mbanin mend se cilin kishin dërguar si kryetar. Ndërkohë më vonë do të vinte në Tiranë një zyrtar mjaft i lartë i SHBA-së. Në protokoll ishte futur edhe takimi me partinë kristian-myslimane! U bë alarm atëherë. Ku të gjenin një kryetar?! U kujtuan. Vrapuan në Shkodër Spartaku dhe Edi. Gjetën një kryetar! Ankthi i kishte pushtuar të dy se ç’do të thoshte “kryetari kristian-mysliman”! Por kishte dalë mirë ai. Sapo hyri në takim ka bërtitur: “Rroftë Amerika! Poshtë komunizmi”. Nuk vonoi në ambasadë kryetari, pasi e kishin nxjerrë për “fresk” në rrugën e Elbasanit. Ky siklet i ndoqi ca kohë. Sa herë ua kujton këtë trishtohen për shakanë e rëndë.
Duke kujtuar këtë histori brilante të Edit me Spartakun mendova duelin e tyre elektoral në tetor 2003.-Duhet të marrim masa tepër sekrete për nesër në ora 10.00-foli dhe u ul Edi i tensionuar jashtëzakonisht.-Çka ngjarë? – pyeta.-Nesër në ora 10.00 legalizohet ndërtesa e Lirisë së Medias shqiptare. Shumicën e ka qeveria në KRT e Tiranës, ndaj mos i thuaj kujt, ndërhyri ai dhe fshiu djersët nga ngjitja e shkallëve dhe nxehtësia që i krijonte emri Nano. E kishte fjalën për legalizimin pas 5 vitesh të ndërtesës së gazetës “Koha Jonë”. Dokumentet ishin plotësuar sipas ligjit, porse prishja me Nanon kishte sjellë bllokimin e futjes së tyre në KRT për legalizim.
Kryeministri kishte urdhëruar që nëse njeri guxon të japë lejen e ndërtimit për “Koha Jonë” do ta “përvëloj”. Asnjërit nuk ia mbante. Edi ishte në siklet si me mua që kisha të drejtë, por dhe me kryetarin e PS-së që ishte forcuar dhe të bënte gjëmën. Aq me tepër para fushatës elektorale. Ndërtesa e gazetës është krejtësisht mjedise zyrash për gazetarët e “Koha Jonë”, “Sport Ekspres”, radio Koha dhe TV Koha. Pra ishte bërë në kohën e Albert Brojkës, pasi nuk kishim zyra për të punuar. Pas djegies së redaksisë me 2 mars 1997 kishim mbetur rrugëve. Sa në një vend në tjetrin. Me qera. Na nxirrnin sapo qeraja rritej. Ndërkohë që media të tjera, krejtësisht të reja, morën pjesën e luanit në mes të Tiranës me qera nga 1 dollar metri katror. Nuk u bëmë xhelozë, por donim të jetonim e punonim dhe ne që kishim krijuar median e pavarur në Shqipëri.
-Kemi problem tre votat e ministrit Besnik Dervishit (ministër i Rregullimit të Territorit). Ata nuk e di se si mund ta kenë urdhrin foli i merakosur Edi, i cili ndjente obligimin mes ligjit, moralit dhe Nanos. Po përse fshehurazi ore? Hapur, publikisht dua të bëhet. Nuk i kam borxh kurrkujt dhe as që dua t’ia di për Nanon, mora zjarr, pasi ishin dhënë dhjetëra e dhjetëra leje ndërtimi në Tiranë, kurse mbahej si “pong politik” ndërtesa e “Koha Jonë”. Të tjerët bëjnë miliona e miliona dollarë pazare nga lejet dhe ndërtimet, kurse unë duhej të rrija peng se “kisha prishur miqësinë me Nanon”.
-As nuk më rruhet fare! Në daç bëje në daç kurrë mos bëfsh! Nano për vete i ka tre kate tek Shallvaret pa leje ndërtimi. Tre kate ore iu drejtova kryebashkiakut dhe tre sa për të luajtur edhe futboll me Xhoanën.
-E di, e di. Ishalla nuk bie ndonjë termet dhe na dhjeu! qeshi Edi. Sipas arkitektëve tre katet e shtëpisë së Nanos ishin shtuar në projekt pa e llogaritur në e mban pallati apo jo. Një termet i vogël dhe kur ta shikoje familjen kryeministrore tek Shallvaret. Iku ajo natë. Të nesërmen nga ora 7.30 e mëngjesit më merr prapë në telefon Edi Rama.
-Urgjent tek hotel Rogner në ora 8.00 ishte zëri i tij që u mbyll sikur donte të thoshte “aman se jam keq”. U vesha dhe nxitova atje ku më tha “Urgjent!”. Në tavolinën jashtë restorantit, ngjitur me pishinën gjej edhe dy burra të tjerë, shtetarë të lartë në PS e në Shtet; Gramoz Ruçi e Ben Blushi.
-Problemi është se sot në ora 10.00 nuk guxoj ta fus për miratim lejen e ndërtesës së Lirisë – u fut në temë direkt Rama dhe shikonte Ruçin si barrikadë mbrojtëse.-Do të futet dhe nuk asnjë diskutim,-thashë qetë. Ndeza një cigare nga ato të Gramozit, meqë i ka të mira dhe të shtrenjta.-Jo!- fliste pa ngritur sytë Edi. Kryeministri kishte urdhëruar për gjithë natën prefektin e Tiranës, ministrin Dervishi dhe anëtarët që vareshin prej Ekzekutivit që nëse votoni për Nikollë Lesin jeni të pushuar. Iu kishte bërtitur personalisht të gjithëve. E bërtitura e Nanos është e një lloji të veçantë. Lëshohet si ngadalë dhe kur merr vrull të shurdhon veshët. Britmë të tillë nuk kisha dëgjuar. E hëngra njëherë, para disa muajve, kur gazeta “KJ” ia kishte mbështjellë atij me ca dokumente skandaloze.
-Bëju njëherë burrë, iu kthye Ben Blushi kryetarit të bashkisë, të cilit mornica i kalonin në trup. -O re je në vete ti, Beni, përgjigjej Edi. A e di se ç’ka bërë Nano? Gjithë natën telefon vetëm për ndërtesën e gazetës “Koha Jone”.
Je frikacak! Ti firmos dhjetëra leje dhe nuk firmoske një leje që jo vetëm i takon, por të dha ty dhe neve pushtetin, replikoi Blushi.
Ndërkohë Ruçi nuk kishte folur. Pinte duhan. Ai ka marrë masat!-Kush Ai? e ngacmonte Beni i entuziazmuar që Edi nuk ia thoshte dot emrin. Ai, pra. Ai atje dhe bënte me dorën në drejtim të kryeministrisë.
Po ku atje se më çmende? thumbonte prapë Beni që i erdhi në dorë që ta masakronte kryebashkiakun.
– Hë mo Gramoz si e mendon ti këtë pune? A merret kryeministri me këto gjëra ?-i fuste pak uthull bisedës Blushi. Edhe merret, edhe nuk merret! Por me Lesin kush nuk merret i qeshi Gramozi, duke parë nga hyrja e hotelit ku po vinin dy punonjës “spiunë” të kryeministrit.
-Ja, erdhën këta. I ka çuar për të na parë se ç’po thurim, merakosur pinte kafenë i pari i Tiranës.
– Nëse Nano bën ndonjë budallallëk ndaj “Koha Jonë”, ku unë kam punuar të garantoj se jap dorëheqjen publike si ministër i tij – e mbylli bisedën Beni dhe bëri të ngrihej.-Edhe unë me “Koha Jonë” kam punuar, por nuk është momenti. Janë zgjedhjet para dhe ta bën sallatë fushatën që kam.
– O re Gramoz, Majkon apo Poçin do ta kandidoj Nano për në Tiranë, tha Beni dhe i vuri flakën gjithçkaje. -Si, si? Po unë? Do të dalë i pavarur atëherë – u nxeh Rama. -Prit ore prit! Jam dhe unë në PS ndërhyri Ruçi si për të thënë se ngadalë beg se ka hendek.
Edi Rama e kishte një frikë nga kryetari i PS-së. I kishte kërkuar dhënien e nja pesë lejeve të ndërtimit. Kur kryetari i Bashkisë i ishte përgjigjur se “nuk i kanë dokumentet krejt në rregull”, kryesocialisti shqiptar ia ka kthyer në mënyrën që njeh më mirë vitet e fundit.” Ta bëj mut fushatën, o Edi!” – i kishte thënë Nano.