Pjetër Arbnori: Nga ky miell politik që qarkullon sot në Shqipëri, asnjëherë s’do të dalë ndonjë simite

(Botuar me 29 maj 1999 në KOHA JONE)

-Intervistë ekskluzive e Pjetër Arbnorit dhënë gazetarit Pandi Gjata për  gazetën “Koha Jonë: Nga ky miell politik që qarkullon sot në Shqipëri, asnjëherë s’do të dalë ndonjë simite- 

  1. Arbnori, si i shikoni zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike dhe lëvizjen e një grupi deputetësh që janë quajtur grupi i moderatorëve në PD?

Në Partinë Demokratike që nga krijimi ka pasur zhvillime dhe kjo është provë se ajo është një parti e gjallë me ngritje-ulje, por që gjithmonë ka në vetvete fazën e krijimit të lirë. Flas për një liri sa jemi mësuar ta durojmë ne shqiptarët. Në procesin e natyrshëm të lindjes ka edhe dështime, por edhe përvojë të mirë edhe përvojë të keqe. Të dyja rrisin eksperiencën. Do të kisha një vërejtje lidhur me emrin e këtij grupi, “moderatorë”, që sigurisht nuk ia dhatë juve, por e keni të huazuar. Më mirë do t’i quaja grup që kërkon t’u përshtatet situatave, pa kuptim të keq të kësaj fjale. Se për shembull z. Shehu ka pasur kohë më se të mjaftueshme për të luajtur rolin e “moderatorit”, kur kishte fusha e hapësira shumë më të gjëra, thuajse tredimensionale në Partinë dhe Qeverinë Demokratike. Të them të drejtën nuk jam unë që kam mbështetur një përqendrim kaq të madh funksionesh, të cilat i bëjnë dëm si partisë ashtu edhe vetë individit. Ai që merr mbi vete një peshë aq të rëndë, kur të tjerët ecin me kurrizin drejt pa pasur asnjë trastë me gurë për të transportuar, e dini ç’ndodh pastaj? I mbingarkuar, duke pasur punë shumë, sforcon mendjen dhe nuk vë në lëvizje trurin. Po t’i kishte pasur këto ide z. Shehu ta zëmë në pranverë të 1996 do të na kishte bërë mirë të gjithëve, po ja që asokohe e kam dëgjuar vetëm duke përsëritur gjëra shumë të zakonshme. Do të isha i paburrë, po ta kritikoja sot dhe t’i bëja qejfin atëherë. Unë kam shëtitur shumë në të gjitha rrethet e Shqipërisë (Gramshin dhe Skraparin që kam shpresë t’i shoh shpejt). Sa herë që kthehesha nga aktivet e PD-së gjithmonë shkruaja diçka të rëndësishme që më kishte bërë përshtypje. Besoj të kenë mbetur këto të shkruara, ku theksoja se baza jonë demokratike thonte troç se ishte e pakënaqur nga z. Shehu. Dhe thoshte se ai duhet të jepte dorëheqjen ose duhej hequr. Unë e mbroja, por kur kthehesha në Tiranë, i vija në dukje Presidentit mendimin e atyre që na përkrahnin. Kurrë nuk kam vepruar pas shpine dhe z. Shehu do të ketë kurajën të thotë se ia kam thënë të njëjtën vërejtje edhe atij në sy. Tani shohim që shumë artikuj me tri anë pa një çerek të shtypit shqiptar, sa më vjen t’i them mikut tim (se as mos dyshoni që e kam mik): Tritan, pa shiko se mos janë duke të bërë qejfin. Ti u dogje njëherë pa faj, se askush nuk mund të fajësohet për aq sa i ka dhënë Perëndia, pa shiko njëherë se ku e kanë hallin. Nuk besoj se ta bëjnë këtë nder duke të quajtur “moderator” dhe krye të të moderuarve. Të kesh mendime dhe t’i shprehësh mendimet lirisht në PD, është fare minimale, po unë dyshoj mos bën pjesë në të vonuarit.

Cili është mendimi juaj, a duhet të futen deputetët e Partisë Demokratike në Parlament dhe cila është arsyeja?

Mendimi im i prerë është se Partia Demokratike e ka vendin e vet në Parlament, po fatkeqësish ata që na ftojnë çdo ditë në dasmë, na kanë lëshuar qentë te porta. Pastaj, me një zë të mallëngjyer ata i ankohen botës dhe sidomos miqve tanë. “Ke dëgjuar ta ftosh tjetrin të hajë, të pijë e të hedhë valle e të mos dëgjojë!”. Mishrat e prerë janë 23 aktivistë të PD-së me në krye liderin e dhjetorit Azem Hajdari. Se çfarë është pirë ditën e dasmës, besoj se keni dëgjuar që; vallja më e kënduar e dasmës është ajo e “napolonit”. Megjithatë përsëri vendi ynë është në Parlament. Le të lidhë qeveria murron ose kuqon, kurse me të tjerët merremi vetë. Ne nuk kemi thënë kurrë se Parlamenti nuk duhet të miratojë ligje që s’na pëlqejnë ne. Ne kemi thënë se nuk duhet të na mbyllë gojën. E majta ekstreme sapo sheh shenja uljeje tensioni, ose propozime konstruktive, bën nga një provokacion që ne të mos futemi në Parlament. Cili u hetua këto dy vjet për vrasje politike? Cili u dënua për kontrabandë të madhe? Cili u hetua për korrupsion? Cili kishte dëm nga pakti për rendin? Cili i beson “grushtit të shtetit”? Cili është i bindur për “krime kundër njerëzimit” me shishe me ujë gline? Ta bëjë një provë reale qeveria, në qoftë se kërkon sinqerisht të na shohë në Parlament. Atëherë do të na shohë të gjithëve në karriget e deputetit.

A është e vërtetë ajo që ka thënë Tritan Shehu se, po të hyjnë në Parlament deputetët e PD-së, bie autoriteti i njëshit në parti?

Tritan, mos të na dëgjojnë të tjerët, ta kemi në mes nesh. Ti ke qenë zyrtarisht njëshi në parti dhe treçerek në qeveri, por kurrë nuk ke bërë gjithsej as gjysmën si autoritet. E keqja jote ka qenë se sa herë fliste Sali Berisha, ti vetëm lëvizje kokën “po, po”. Unë nuk luftoj për Sali Berishën, por për Partinë Demokratike. Le të nxjerrim ndonjë sekret se nuk është mëkat. Unë çoku e kam thënë ndonjëherë ndonjë gjysmë fjale, herë treçerek, herë ndonjë fjalë të plotë. Jo tani, që mund të flasë kushdo, por atëherë ku ca njerëz nuk kujtoheshin për të thënë të vërtetën, por më tepër kujdeseshin për të mos prishur qejf. Unë u ngrita njëherë në mbledhje të kryesisë së PD-së dhe thashë: “Të mos e lemë Presidentin të udhëheqë fushatën. Përse ta konsumojmë atë?” Sigurisht e kujton se si m’u vërsulën disa “besnikë” për këtë sakrilegj që bëra. Sigurisht, ty nuk të kujtohet, ishe me ta apo me mua (se ka kaluar shumë kohë), por besoj që mban mend të paktën, që, ata që më kundërshtuan, i janë kthyer qenërisht kundër, se kanë inatin që ishin shumë servilë aso kohe, ndryshe nuk e zhdukin dot atë njollë. Një herë tjetër u mblodhëm në një rreth të ngushtë ku ishe edhe ti dhe diskutuam për ata pesë derrëzestë minoritarë që kishin bërë ndonjë spiunllëk nga e keqja në komunizëm, që kishin dhënë e marrë ndonjë informatë nga e mira me vëllezërit e një gjaku, po jo të një nënshtetësie. Na u tha që si “ndihmë humanitare” kishin marrë nja tre mijë çifte në Janin për të gjuajtur gjithë atë gjah që gjendej në Dropull e Vurg ku qëllonte derri i egër, thëllëzat dhe ndoshta edhe krokodilët. Pasi shqyrtuam provat të gjitha me radhë, secili nga pjesëmarrësit e paktë dha mendimin e vet, edhe ju në mos gabohem. I fundit fola unë. Ti e di që flas rrallë.

Bëra një pyetje: Mirë se provat janë dhe ligjin e kanë shkelur, po a jemi të zotët t’i mbajmë brenda? Të gjithë më shpjeguan me durim se ku ishte shkelje e ligjit. Unë prapë: A i mbajmë dot brenda? Ata po çuditeshin me injorancën time. Unë prapë: A i mbajmë dot brenda? E kam fjalën Tritan, që koha më e mirë e një politikani kurajoz e të ndershëm për të ulur autoritetin e tepruar të njëshit në parti është kur të jesh në fuqi dhe jo kur njerëz përpiqen të vënë përfundi, në mos ty ish-shokët tuaj. Ti qe njësh e s’u bëre dot gjysmë, mos të gënjen mendja se të bën më njeri njësh. Aq më pak, ata që kanë dhënë prova se dinë të shtrydhin limonë. Kam dëgjuar se punon shkëlqyeshëm reaminator matanë Adriatikut. Mbaje zanatin, mos e ndërro profesionin kur vjen këtej nga brigjet tona. Unë të dëgjoj me vëmendje sa herë që flet. Një fjalë popullore thotë: “Trimëria pas luftës dhe urtia pas kuvendit s’vlejnë gjë”. Shumë nga gjërat që thua janë të urta, vetëm se nuk gjen kohën e përshtatshme për t’i thënë.

Ç’marrëdhënie keni me Berishën?

Duke e respektuar si kryetar partie, kam marrëdhënie barazie. Nuk jam zënë me të, se për natyrë nuk zihem. Nja dy a tri herë e ka ngritur zërin, dhe e kam ngritur edhe unë menjëherë. Pastaj jemi marrë vesh. Po t’ia gjesh damarin, është njeri me të cilin mirëkuptohesh. Ka pasur raste kur ia kam mbajtur dorën, se në momente vrulli mund të marrë vendime të ngutura. Ta dëgjon fjalën dhe kur ia përsërit dhe pa ia deklaruar tërheqjen, tërhiqet dhe gjen zgjidhjen e duhur. Jam takuar me të në 12 dhjetor 1990 ditën e shpalljes së PD-së. Asokohe në Partinë e re Demokratike nuk kishte një opinion të qartë për qëndrimin ndaj të përndjekurve politikë dhe ndaj nacionalistëve. Kjo shkaktoi vonesën e krijimit zyrtar të PD-së së Shkodrës (në fakt ne u krijuam në 30 dhjetor, kur organizuam demonstratën më të fuqishme antikomuniste dhe hodhëm në erë së pari në Shqipëri bustin e diktatorit Hoxha). Jam marrë vesh përfundimisht në 29 dhjetor 1990 me Sali Berishën. Dhe që atëherë jam caktuar kryetar i komisionit nismëtar të PD-së së Shkodrës dhe komisionit organizator të mitingut krijues më 3 janar 1991. Më duket se aty nis edhe ndarja me krah tjetër që kishte nënçmim për të burgosurit politik. Kjo u shpreh në tre raste nga Arben Imami publikisht. Nuk është e vërtetë se më ka ndihmuar Sali Berisha që të zë vendin tim dhe e kam kuptuar pozitën e tij, për të mos ndodhur përçarje në PD. Sali Berisha përkrahu vendimin paraprak që Arben Imami të zgjidhej kryetar i Kryesisë së Kuvendit popullor.

Por Kryesia e PD-së dhe më vonë këshilli kombëtar me votim të përsëritur votuan për mua dhe mendoj se nuk ka mbetur e zhgënjyer as PD-ja as Sali Berisha.

Ju vetë përse nuk dilni në publik, psh në Konferenca shtypi të PD-së?

Nuk jam kundër konferencave të shtypit, por edhe e di që konferencat e përditshme ia ulin disi vlerën. Konferencat e shtypit bëhen nga nevoja meqenëse na janë prerë rrugët për akses në masmediat shtetërore. Megjithëse, për natyrë komunikoj lirshëm me televizionet, radiot dhe shtypin, nuk kam prirjen të kërkoj kamerën. Po nuk i ik kamerës.

Ku ndryshon ky Parlament nga ai që keni drejtuar juve dy vjet më parë?

Në fakt ju duhet të më pyesni për katër parlamentet pluraliste ku kam marrë pjesë. Jemi Azem Hajdari dhe unë të vetmit deputetë të zgjedhur katër herë me votë direkte. Ka edhe të tjerë të zgjedhur katër herë, por që kanë hyrë nga listat. I respektoj edhe ata, por më duket se zgjedhja me vota direkte ishte sinjifikative. Parlamenti i 31 marsit 1991, kishte një opozitë demokratike tepër luftarake, entuziaste gjithmonë me ofensivë para një pozite me dy të tretat e votave, por pa zemër. Mund ta quaj ndër më të bukurat legjislatura. Partia e Punës përfaqësohej nga agronomë që duke qenë më të pakompromentuar se udhëheqësit e Gardës së Kuqe përpiqeshin të mbanin disi të vjetrën, por me argumente të shtruara. Parlamenti i 22 marsit ishte triumfi i demokracisë dhe provë e suksesshme e qeverisjes demokratike dhe e reformave. Populli do ta mbajë mend periudhën e suksesshme 92-96. Aty nisen edhe pakujdesitë tona, edhe euforia. Mendoj se qe një periudhë eksperience personale që nuk mund ta quaj negative, megjithë vështirësitë që ka pasur. Vijmë tek pyetja direkte. Parlamenti i 26 majit ka dy anë: Euforia, dhe mungesa e eksperiencës shtetërore krijuan një situatë të cilën e shfrytëzuan keqas kundërshtarët tanë. Aftësia e të majtëve për t’u paraqitur shtruar na dëmtoi. Diku 40 vjet më parë Dallasi në mos gabohem shkroi teorinë e interdipendencës. Ca njerëz bënë sikur u mbeti hatri, ca të tjerëve u mbeti hatri vërtet. Flas për burra shteti dhe jo për njerëz të zakonshëm. Megjithatë, interdipendenca kishte arsye politike ekonomike dhe erdhi duke u thelluar se s’mund të ndodhte ndryshe. Kur kjo ndodhte me shtete të mëdha, as që bëhej fjalë për shtete të vogla. Me këtë mes, përsëritja e zgjedhjeve në 30 zona mund të kapërcehej, madje mund të avancohej në 140 zona. Me atë hov që kishim marrë fare ndershmërisht fare mirë mund të fitonim përsëri shumicën. Le edhe po të humbnim të gjitha ato zona përsëri demokratët do të ishin në fuqi. Nuk po përsërisim gjëra të tjera që i kemi përsëritur e thënë publikisht. Fare mirë mund të kishim ndryshuar edhe kreun e qeverisë e të Parlamentit, se popullit i pëlqen kur sheh fytyra të reja. Ju pyesni se ku ndryshon parlamenti i sotëm nga ai që drejtoja unë para dy vjetëve. Merreni listat e deputetëve të 96. Shikoni kulturën, moshën, përbërjen shoqërore, traditat e tyre familjare. Ishte një parlament vërtet i zgjedhur, por disi artificial. Humbi militantizmin, besnikërinë, bindjen për vazhdimësinë e reformave, nuk pati qëndresë për mbrojtjen e institucioneve dhe të ligjeve. Çfarë të them për parlamentin e sotëm. Ai nuk ka dinjitet për të mbrojtur as emrin e vet. Me përjashtim të një numri të vogël serioz dhe specialistë (jo në kuptimin e thënies sime: Këta nuk janë socialistë por specialistë). Shumica dërrmuese janë ajka e komiteteve rebele, që gjithçka mund të jenë, veç deputetë jo. Ata janë deputetë lufte, të etur për pasuri që nuk ndalen para asgjëje, njëlloj si në rebelim. Ata i ka përkufizuar dy herë Fatos Nano dhe një herë Skënder Gjinushi me atë metodën të shtyp njeri me këmbë, tjetri me dhëmbë. Janë më të bindurit e botës po u sigurove zgjatjen e muajve, më të tërbuarit po i le pa pjesë.

Flitet për izolim të PD-së nga opinioni ndërkombëtar. Nëse është kështu, kush ka përgjegjësi për këtë?

Ka një parim: Kur gabojnë të mëdhenjtë nuk të thonë më fal. Kur gabon i vogli duhet të kërkojë dy tri herë ndjesë dhe pale a bindet njeri. Nuk flas për humbjen e PD-së, se mund të kemi merituar për lëshimet që bëmë. Flas për ca arbitër ndërkombëtarë që e qelbën kaq shumë në ’97, sa që u vjen turp për pasojat që erdhën në ’98 dhe ’99. Unë kam lexuar një pjesë të vogël të raporteve për të vërtetat e zgjedhjeve të qershorit ’97, për qeverinë, për personalitete madhore që i kanë marrë mbi 4 milionë dollarë firmave piramidale që vetë i ngritëm, vete i shkatërruam. Është e vërtetë se miqtë dhe jo miqtë po kërkojnë që të futemi në Parlament. Dhe është e vërtetë që institucionet duhen respektuar. Por, kur një parlament nuk ka respekt për veten e vet, si i bëhet hallit? Le ta marrim zgjidhjen e problemit nga e kundërta. Shumë miqve dhe jo miqve u vjen turp për Parlamentin ekzistues dhe e ndiejnë që një pjesë të përgjegjësisë e kanë edhe vetë (shumicën e kemi ne). Ata kërkojnë që të futemi në parlament që të japim një farë legjitimiteti atyre derrëzezëve që u mbeti peshku në dorë.

Albert Brojka ka thënë se PD nuk ka respektuar marrëveshjen e San Edixhios për të hyrë në Parlament. A rrezikohen marrëdhëniet e saj me partnerët?

Kam marrë pjesë në disa mbledhje e disa takime me Brojkën dhe sinqerisht nuk e kam dëgjuar ta ketë thënë një shprehje të tillë. Por ai i shenjti Edixhio nuk besoj të jetë aq naiv, që të lejojë që të fshihte pas hijes së tij të gjithë socialistët që kërkojnë të gënjejnë demokratët. Besoj në qëllimin e mirë të këtij komuniteti. Në marrëveshje flitet për ato që i takojnë opozitës. Me opozitë kuptohet PD dhe aleatët e saj. Exhidion e gënjeu ca kohë më parë Milosheviçi, por kjo nuk i bëri fajtor partnerët që i besuan. Në fund të fundit më mirë të të gënjejnë, se sa të gënjesh.

A është e vërtetë ajo që thuhet se Berisha ushtron diktat ndaj njerëzve të PD-së?

Ndaj atyre që kanë personalitet e dinjitet, Berisha nuk ushtron e as mund të ushtrojë diktat. Ndërsa servilët, Berisha i vë përpara. Mezi numërohen me gishtat e dorës personat, ndaj të cilëve Berisha është ngutur dhe është prishur me ta. Edhe mua më vjen keq dhe flas normalisht me ta. Shumica e të tjerëve, që u ndanë prej nesh duke u betuar për parullat e demokracisë, tolerancës, mirëkuptimit e vërtetuan se u bashkuan me të majtën ekstreme. Thuhet se për inat të sime vjehrre, nusja fjeti me mullixhinë. Le ta thonë shqip: Atyre u pëlqente të flinin me mullixhinj, vjehrra nuk kishte punë fare aty. Shikohet se ku kanë arritur ata. U bënë të majtë ekstremë dhe promotorët e Fatos Nanos që i qëndruan edhe kur ai i shau në mes të Këshillit të Ministrave dhe i shkeli me këmbë.

Së fundi keni qenë në Gjirokastër, cili do të jetë aktiviteti i PD-së në bazë?

Ne jemi në një periudhë përforcimi dhe organizimi. Dëbimi i gjysmë milioni kosovarësh në Shqipëri na bëri që të pengojmë aktivitetin e mirëfilltë opozitar, në dobi të çështjes kombëtare dhe hapjes së dyerve ndaj shqiptarëve të Kosovës. Kush asistoi në vizitën tonë në Gjirokastër mundi të vërtetojë ngrohjen e madhe të qytetit të gurtë ndaj PD-së. Popull u mblodh shumë, gjimnazi me gjithë urdhrin e prerë ndërpreu mësimet dhe doli në oborr. Nga gjithë dritaret e gjimnazit djem e vajza na përshëndesnin. Dy mijë kosovarët e strehuar shkëlqyeshëm e nxorën të rremë alarmin për jugun, për destabilizim, për reagimin e minoritarëve dhe shantazhin e grekëve, se cilët duhet e cilët nuk duhet të presin në shtëpitë e tyre. Gjirokastra, Lazarati, Libohova, Picari dhe shumë familje minoritare ishin treguar mikpritës. Vihej re dallimi i madh. Kryetari i Bashkisë, i PD-së, gjithë strukturat tona demokrate, afaristët demokratë ishin mikpritësit. Prefektura indiferente në mos armiqësore, përjashto sekretarin e tre katër nëpunës të PS-së. Çështja kombëtare nuk mund të bëhet çështje e dytë për askënd. Kjo është gjetje e PD-së. Shpejt do të bëjmë një vizitë të tillë edhe ne Sarandë e Konispol. Mos të harrojmë se çamët e dëbuar dikur dhe minoritarët i kanë pritur me zemër të hapur kosovarët dhe kjo është meritë e demokratëve kryesisht.

 Pse nuk e njeh PD-ja qeverinë Thaçi dhe pse mbështet Rugovën, me këtë pozicion mos shkohet vallë drejt një ndarje të faktorit të Kosovës, ndërkohë që bëhet fjalë për bashkim të tyre?

Qartë dhe prerë ne respektojmë institucionet dhe nuk lidhemi me emra. Unë respektoj si Rugovën edhe Thaçin, si dy realitete ekzistuese që nuk bëjnë dot pa njëri-tjetrin. Nderoj historinë 10-vjeçare të lëvizjes paqësore të personifikuar nga Rugova që ndihmoi për t’u njohur çështja shqiptare e Kosovës. Ndërsa UÇK-ja dhe udhëheqësit e saj që krijuan një realitet të ri, luftën e armatosur për mbrojtjen e trojeve të veta, shtëpive, familjeve. Sa më tepër të flasim kundër njeri-tjetrit, aq më tepër i bëjmë dëm vetes.

  1. a) Lëvizja paqësore në Kosovë nuk ka dështuar. Ajo bën që të njihen shqiptarët në botë me fytyrën e tyre të mirë të drejtë, ajo krijon opinionin në favor të shqiptarëve duke u ndeshur me kërcënimin e Milosheviçit, të cilit nuk i hiqet asnjë ashkël. Shqiptarët fituan moralisht në politikën ndërkombëtare dhe i lanë rrugën hapur alternativës tjetër, luftës së armatosur.
  2. b) Përkrahja që po fiton UÇK në Shqipëri dhe në komunitetin ndërkombëtar duhet ta beje të krenohet, por jo t’i rritet mendja faktorit të armatosur. Ta kenë të qartë ata që nuk e dinë, Luftën kryesore po e bën NATO dhe Kosovën do ta verë nën protektorat NATO, Lufta e UÇK është luftë dinjiteti, lufte nderi që do të vijë duke u rritur si faktor përkrah atyre që do të thyejnë Milosheviçin e kompani. Faktori kosovar duhet të bashkohet. Po nuk arritën të bashkohen turpi është joni, dëmi është joni. Duan apo nuk duan, Thaçin me Rugovën do t’i takojnë të tjerët dhe të tjerët do t’i bëjnë të merren vesh. Qeveria shqiptare nuk bën mirë duke mbajtur qëndrim paternalist në çështjen e Kosovës. Mos harrojë qeveria shqiptare: Shqipëria vetë është në gjendjen e protektoratit dhe s’e pyet njeri për çështjet madhore. Mos ta gënjejë mendjen qeveria nga disa takime të shpeshtuara tani që u kthyem në një kryeurë për çlirimin e Kosovës nga NATO-ja, ku qëllimi kryesor është ndihma humanitare, kthimi i kosovarëve, vendosja e protektoratit dhe zbatimi i 5 kushteve të NATO-s.

Thaçi ka akuzuar Bukoshin se ka lidhje me ngjarjen e 14 shtatorit në Shqipëri. Cili është komenti juaj?

Lufta propagandistike mes krerëve është një gjë, realiteti është krejt tjetër. 14 shtatorin nuk e ka bërë as Bukoshi, as Berisha. Ai ishte reagim i vetvetishëm ndaj vrasjes së liderit të dhjetorit, Azem Hajdari. Pjesëtarët e funeralit të qëlluar nga Kryeministria ishin dhe janë të bindur se Fatos Nano dhe jo vetëm Fatos Nano nga rrethi i tij ishin përgjegjës direkt në vrasjen e Azem Hajdarit. Një qeveri që për afër 300 ditë nuk bënë asgjë për të vënë para përgjegjësisë vrasësit e tregon veten pjesëtare në krim. Jo vetëm Bukoshi, por as hazreti Bukoshi nuk mund të ndikojë për ngjarje të tilla në Shqipëri. Mos na nisi Bukoshi ne deputetëve dhe drejtuesve të PD në mes të plumbave për të qetësuar demonstruesit e hakërryer nga vrasja. Kam lexuar një revistë italiane “LIMES” mos gabohem, ku thuhet: “Ora 10.45, grupet e armatosura të PD sulmojnë Kryeministrinë të kryesuar nga deputeti, Pjetër Arbnori”. Fjala është e lirë për cilindo, por unë e njoh vetveten dhe më njohin dhe të tjerët. Do të dëshiroja miqësisht t’i kujtoj Thaçit një eksperiencë të Fatos Nanos që nuk duhet të përsëritet. Kryeministri shqiptar shkoi tek shefi i Shërbimit Informativ maqedonas dhe bashkë me të deklaruan kundër Berishës pa na mbushur mendjen askujt. “Ekziston rreziku që të bëhemi viktima të propagandës që bëjmë vetë”. Sidomos një udhëheqës duhet të matet për të mos thënë fjalë që nuk i kthen dot më.

A do të ketë një bashkim të faktorit politik dhe ushtarak kosovar?

Po patjetër. Dhe Rugova dhe Thaçi do të bashkohen. Turp është t’i bashkojnë të tjerët me hir e me pahir. Më mirë t’ia lemë nderin vetes.

Cilën forcë politike në Kosovë do të mbështesë PD-ja në zgjedhjet e ardhshme?

Partia Demokratike ka pasur dhe ka një vijë të veten, të përpunuar dhe përcaktuar qartë. Jemi për shqiptarizmin, për demokracinë, për perëndimin. Sofra shqiptare në Kosovë është mjaft e madhe. Kam vite që e kam deklaruar hapur, mos e ndani byrekun para se të futet në furrë.

Si e vlerësoni stafin e Majkos në këtë moment krize?

Thonë që ish-ministri i Brendshëm, Petro Koçi, ka thënë në një mënyrë euforike të justifikuar: “Tani na ra telebingo”. Nuk besoj ta ketë thënë këtë fjalë vetëm për vete. Duhet të ketë bërë pjesëtar edhe kryeministrin e ri, pavarësisht që më vonë u ndanë. Megjithëse momenti është tejet i rëndë. Për të ndenjur në karrige nuk është aspak e vështirë.

Çfarë mund të bëjë tani kryeministri Majko?

Ai nuk ka mundësi të zgjidhë realisht problemin financiar. Kur i japin para, ndan rrogat, kur nuk i japin rrudh krahët. Nuk ka fuqi që të ndryshojë gjendjen në dogana, as të frenojë sadopak kontrabandën e korrupsionin. Rendin nuk mund ta vendosë vetëm pakti për rendin, nuk mund ta firmosë se i nxjerrin sytë shokët. Shefin e Shikut nuk mund ta heqë, me gjithë dëshirën e mirë. Shefi ndërkaq paralajmëron se do të ketë destabilizime nga data 24-26 maj dhe parashikimet e tij dalin si ditët me diell, kur prognoza e motit thotë që do të ketë breshër e furtunë. Kryeministri nuk bën zë, megjithatë e kupton se shefi i Shikut këput broçkulla. Ju më pyesni për stafin e Majkos. Mbaj mend nga historia se kur Luigji XVI emëroi në prag të revolucionit të 1789 Necken në financat, kundërshtarët thanë: Necken s’mund të jetë ministër se ai ka shkatërruar financat e veta personale. Necken u përgjigj: Kjo është një arsye më tepër përse duhet të bëhem ministër. Të kuptohemi nuk e kam me asnjërin prej ministrave, por kam dëgjuar për disa ministra e funksionarë që e kanë emrin në listën e kontrabandës të ardhur nga Brukseli. Mos qofshin të vërteta, se edhe ata në Bruksel njerëz janë, mund t’i bien në qafë edhe ministrave. Ndërkaq, di një funksionar jo nga më të vegjlit që i ka marrë një borxh të vogël prej më tepër se 4 milionë dollarësh një firme piramidale, tejet kriminale, por edhe tepër dorëlëshuar. Ose di një shembull tjetër, një ministre e re zonjë e nderuar, pushoi nga puna drejtorin e tenderave të marrë nëpër gojë për gjëra të vogla, që nuk arrijnë as 50 milionë dollarë. Menjëherë u gjet një zemërmirë dhe e mori drejtorin e tenderave në Ministrinë e Komunikacioneve dhe e vuri shef llogarie për të rregulluar tenderat e kryesisë së kuvendit. Kështu, unë e kuptoj që z. Majko ka rënë në një fole grerëzash, dhe po lëvizi shumë në karrige, do të pësojë pickime që të prishin rehatinë. Partia Demokratike nuk u lodh së propozuari alterantiva për ndarjen e përgjegjësisë në rend. Nuk i pëlqen PS-së. Propozoi një qeverisje me bazë të gjerë. Përsëri nuk i pëlqen. Theksuam se nuk kërkojmë pushtet. Kërkojmë të ndajmë përgjegjësitë, nuk kërkojmë të ndajmë vendet e pëllumbave.

Cili është mendimi juaj për presidentin Meidani?

Ne sikur u hapëm shumë. Nuk mund të analizohet i gjithë shteti në një intervistë. Po përgjigjem shkurt. Telebingo nuk i ra vetëm qeverisë Nano. Madje për fare, aty nga mesi i shtatorit, i ra dhe “Magic Bingo” Presidentit. Komuniteti ndërkombëtar duke e kuptuar që Nano e kishte qelbur aq shumë, iu drejtua me mesazhe të larta në pikëpamje të institucionit të Presidentit duke anashkaluar kryeministrin. Njëkohësisht edhe PD dhe partitë aleate të saj iu drejtuan me një letër të firmosur ku i propozojnë që, meqë qeveria braktisi veten dhe shtetin, Presidenti të zbatojë kompetencat kushtetuese duke marrë drejtimin e qeverisë në këto rrethana të jashtëzakonshme. Kuptohet ne nuk mund të kërkonim ta bënim aleat Presidentin. Por i drejtoheshim atij në mbështetje të institucioneve. Shkova vetë në Presidencë atë ditën e keqe, ku nuk dukej këmbë polici në Tiranë, i shoqëruar nga kryetari i PR Mediu, nga kryetari i PLB Laço, si dhe nga Ylli Vejsiu. Fola indirekt në telefon me Presidentin. Më komunikoi që për 10 minuta do të zbriste nga Vila në Presidencën e boshatisur. Pas 10 minutash përsëri më thanë se do të vinte pasi të kryente disa telefonata Pastaj duke ecur m’u tha se ka takime me Ambasadorë, se ka takime me përfaqësues të Aleancës për Shtetin. Pastaj m’u tha se do të takoheshim në 4.30.

M’u komunikua se do të takoheshim kur Presidenti të mblidhte tryezën e partive. Unë i sqarova se nuk kisha ardhur për tryezën e partive, por për ta ftuar që të merrte në dorë kompetencat kushtetuese që i takonin. Pastaj u larguam. Në kthim na ndodhi incidenti me një nga oficerët e policisë gjysmë të veshur, gjysmë të paveshur që fyeu zotin Mediu, na kërcënoi të gjithëve me kallashë. Këtë sherre zbutën ca shoqërues të tij që futën kokën në veturë dhe thanë: zoti Pjetër na fal, por këtë oficerin enverist na e kanë vënë sot në krye dhe bën zhurmë. Zoti Meidani parapëlqeu që të mos u jepte rëndësi mesazheve ndërkombëtare dhe vazhdoi të lëkundej midis mirësisë dhe pamirësisë, gjë që e ka dëmtuar. Zotin Meidani e ka dëmtuar edhe futja e gjithë drejtësisë nën kontroll me anë të KLD dhe zëvendësimit antikushtetues të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, kryetarit të Gjykatës së Kasacionit dhe mos frenimit të prokurorisë politike dhe proceseve politike. Më flagrantja është vendimi politik se të gjithë gjykatësit që i kanë shërbyer diktaturës së Hoxhës, dhe kanë dhënë dënime me burg me internim dhe me pushkatim me gjyqe të stisura, e kanë mjaftueshëm këtë eksperiencë dhe nuk kanë nevojë të japin provim në drejtësi. Ndërsa të gjithë gjykatësit e paktë, që janë shkolluar dhe emëruar në demokraci, janë të detyruar të japin provim para të parëve. Afati ndarës i 1990 mes drejtësisë komuniste dhe jokomuniste është fare i qartë dhe nuk është ëndërr për cilindo që e ka provuar. Unë nuk jam kundër që drejtësia të vihet në rrugë të mbarë dhe nga Presidenti, por zoti Meidani duhet ta dijë që këto dy vjet që drejton ai, drejtësia është diskretituar keq dhe vazhdon të bëhet pazari i Zanit, Kakamit dhe shumë emrave të tjerë me doreza të bardha apo të zeza.

A jeni për bashkëpunim të PD me strukturat shtetërore në këtë krizë?

Patjetër. Bashkëpunimi i PD me strukturat shtetërore është i domosdoshëm jo vetëm tani që është krizë por edhe në kushte normale. Fatkeqësisht ka njerëz që këpusin fijet e pëlhurës dhe ka të tjerë që lidhin fijet e këputura. Në këto rrethana pëlhura e endur del me shumë nyje gjë që e prish cilësinë. Mbi 80 për qind e Pushtetit Lokal është e PD. A mund të bëhej pritja e gjysmë milionë kosovarëve po të mos ekzistonte vullneti për bashkëpunim nga ana jonë?

Si e shikoni pozicionin e pozitës sot dhe veçanërisht ngjarjet në kampin socialist?

E kuptoj që ju donit të thonit në kampin e socialistëve, por pa dashur ju doli në kampin socialist që na kujton atë kampin e famshëm 1945-62. Atëherë flitej për bllok monolit për socialistët, për unitet. Sa më tepër forcoheshin epitetet aq më tepër thërrmohej blloku. Armiqësitë për shkak interesash janë aq të shumta saqë çuditesh se si mund të rrinë tok. Kanë një unitet kundër nesh nga më të butët deri tek të egrit bëhen të gjithë bashkë. E kaluara e rebelimit, aleancat e pamoralshme i detyrojnë të dëgjojnë edhe në Këshillin e Ministrave të shara pa përgjigje si “kokëderr”, ose “kokëtul”. Sidoqoftë dy vija janë të qarta në PS: tek Fatos Nano bashkohen të gjithë veteranët. Nano është shpirtërisht me lindjen por maskohet pas frazeologjisë së ngatërruar ku përmend integrimin evropian; Majko nuk ka takat dhe grupi parlamentar i PS do ta rrëzonte një herë në javë, po të mos kishte fotografitë ku ka dalë nën sqetullën e Klintonit, apo përqafimet me Mariza Linon.

Mirëpo, me fotografi nuk hidhen themele dhe i takon të bëjë me shumë për t’i mbushur mendjen shokëve se është kockë e fortë. E para ndër të gjitha është që të mbajë fjalët që thotë. Dëgjoj herë pas herë edhe zotin Pëllumbi që jep mendime të pjekura dhe të ekuilibruara. Mua më vjen keq që ca vjet më parë shtypi demokrat e ka sulmuar se mbajtka bustin e Marksit në tavolinë. Sulm serioz është ky? Ai të thotë ujku, e ti thua gjurmët. Nanon nuk e kam parë kurrë me bustin e Marksit, megjithatë është më i majtë se Servet Pëllumbi. Hapni procesverbalet e parlamentit për shumë vjet dhe nuk gjen një fjalë histerike, me të shara, jargavitje, sikur kemi ndihmuar edhe në fitoren e Fatos Nanos dhe humbjen e Servet Pëllumbit. Sidoqoftë ne na intereson që të kemi një të majtë të ndershme me përfaqësues shqiptar që të ndihmojë në ekuilibrin politik në Shqipëri.

Është folur për një bashkim të të gjithë liderëve të dhjetorit 1990. Është përmendur rikthimi i Eduard Selamit dhe është propozuar si alternativë e vetme e momentit për të drejtuar vendin. Cili është komenti juaj?

Teorikisht disa gjëra bëhen kollaj. Praktikisht janë të pamundura. Merre me mend se si janë shpërndarë njerëzit nëpër parti, nëpër kontinente dhe funksione. Eduard Selami, (i punësuar në New York USA), Gramoz Pashko AD, i punësuar dhe i pushuar ditën e fundit nga Fatos Nano, Aleksandër Meksi, inxhinier ndërtimi i pandarë nga PD, por edhe i paaktivizuar në PD, Preç Zogaj, AD këshilltar i Presidentit, Neritan Ceka AD, ish-ministër i brendshëm me Nanon, aktivist i rebelimit me tre gishta në ’97, me fobinë e Berishës, Arben Imami ideator i shkatërrimit të institucioneve bëri një vrimë në ujë si ministër i reformës Institucionale, Shezai Rama nga Vatikani në SHBA pastaj në strukturat e UÇK-së, Tritan Shehu, i angazhuar për të ulur autoritetin e njëshit në PD, që u kujtua tani vonë për një punë që mund ta bënte që në mëngjes, kur Saliu e kishte afër e të themi të drejtën e afroi vetë etj. Eduard Selamin e kam takuar edhe pasi u hoq nga kryetar partie dhe të them të drejtën më vjen keq që nuk e gjetëm fjalën para se të ndodhte konferenca e jashtëzakonshme. Ai ka qëndruar dinjitoz dhe u ka qëndruar joshjeve nga të gjitha anët, sepse është i mençur dhe e di fatin e partive të shkëputura, ato janë partitë e nën njëpërqindëshit. Aleksandër Meksi e pësoi më 1997, sepse rebelimi e kishte llogaritur të rrëzonte një herë Meksin pastaj Sali Berishën, pastaj parlamentin, pastaj tanket të futeshin në Tiranë triumfalisht me gjeneralë të veshur e të paveshur nga PD kundër PD. Meksi ka qenë ndër njerëzit më të qëndrueshëm ndaj rebelimit; ka pasur një të metë se nuk e përfillte Parlamentin dhe Parlamenti nuk ia harroi mospërfilljen, duke mos e mbështetur në momentin vendimtar. Jam i bindur se e ka kaq eksperiencë sa të mos pranojë të luajë rolin e figurantit. Të tjerët në qofshin 10 vetë, janë 15 kandidatë për Presidentë, gjë që është një farë pengese për ata që kanë ideuar bashkimin.

Atëherë cili është mendimi juaj për klasën politike sot, gjithë politikanët të majtë, të djathtë, pa bërë dallime?

Është bërë zakon të shahen politikanët me të drejtë e pa të drejtë. Unë do t’i gjykoja ndryshe. Politikanët janë pasqyrim i popullit shqiptar me të mirat e të këqijat e veta, me kulturën, përvojën, dredhitë, hiletë, energjinë, por edhe me fisnikërinë e vet. Shpesh njerëzit ankohen për cilësinë e bukës. Shkolla politike është si furra: po fute në furrë brumë të grunjtë del bukë gruri, po i fute brumë të misërt del bukë misri, po i fute brumë të thekërt, del bukë thekri. Mënyra e gatimit ka rëndësi, majaja që i hidhet i jep shije të veçantë. Por mos prisni kurrë që nga mielli i misrit të dalin simite. Ju faleminderit, dhe sidomos ju faleminderit që nuk më pyetët për burgun. Intervistoi: Pandi Gjata

 

SHKARKO APP