Preç Zogaj: Krizën e gazetës “Koha Jonë” nuk e shkaktuan drekat e darkat
(Botuar me 21 Korrik 1996 në KOHA JONE)
Preç Zogaj: Krizën e gazetës “Koha Jonë” nuk e shkaktuan drekat e darkat
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë, si një nga organizatat më aktive të shoqërisë civile, ka luajtur një rol të padiskutueshëm për të mbajtur në këmbë e lartësuar lirinë e shprehjes në Shqipërinë postkomuniste. Nuk është rastësi që shumica dërrmuese e gazetarëve profesionistë të shtypit joqeveritar janë anëtarë të kësaj shoqate. Këtu kremi provën se principet e profesionalizmit në shtyp nuk mund të funksionojnë pa principin e lirisë dhe anasjelltas. Ne jemi një shoqatë e lirë dhe e hapur, kriteri bazë i organizimit tonë është profesionalizmi, por në përbërje ne jemi një shoqatë e gazetarëve të lirë dhe opozitarë. Në përgjithësi, ne jemi pjesa që mendojmë ndryshe nga kolegët e shtypit pro qeveritar. Ne jemi pjesa që provokojmë me pavarësinë dhe antagonizmin tonë, që vëmë në dyshim tabutë e reja, pjella të tabuve të vjetra, por më të rafinuara. Mjaft prej nesh, sidomos gazetarët e shtypit politik partiak, mbrojnë dhe zhvillojnë mendime politike alternativa me ato të pushtetit. Pa këtë arsenal të mendimit alternativ, kritik e propozues, pa zakonin e dyshimtë, e vërteta do të ishte e kërcënuar dhe e robëruar, ndërsa shoqëria demokratike do të ishte një konvencion. Shoqata jonë, kryesia dhe anëtarët e saj, në bashkëpunim me organizata të ndryshme botërore të shtypit, kanë bërë punët e tyre që liria e shtypit dhe shtypi i lirë të jenë realitete sa më të prekshme në Shqipëri.
Sot është rasti të përshëndesim qëndresën dhe rritjen e gazetës së pavarur “Koha Jonë”, e cila në kushtet kur në Shqipëri ka vetëm një stacion Radioteleviziv shqiptar, është bërë një tribunë alternative e informacionit dhe opinionit të lirë. Por “Koha Jonë” do të ishte një zë monoton dhe i mërzitshëm pa zërat e tjerë të shtypit të pavarur e opozitar që krijojnë jo vetëm polifoninë por edhe polivalencën jetike të shtypit. E kam fjalën për gazetën “Dita Informacion” që pa asnjë mbështetje, çau nëpër dallgët e konkurrencës dhe sabotimeve duke zënë një vend të vetin në spektrin e shtypit. Të njëjtat fjalë meritojnë gazetat “Intervista”, “Poli i Qendrës”, “Java” dhe mjaft gazeta të tjera më të vogla qendrore dhe lokale. Sot është rasti gjithashtu të përshëndesim hopin cilësor të gazetës së vjetër “Zëri i Popullit”. Me stafin e gazetarëve dhe drejtuesve të rinj ajo është strukturuar sipas modeleve bashkëkohore dhe i ka hapur rrugë diversitetit të mendimeve në faqet e saj. Prapa këtyre titujve është një grup i madh gazetarësh profesionistë, kryesisht të rinj, që kanë hyrë e po hyjnë në botën e bukur të shtypit duke i dhënë jetë me talentin dhe përkushtimin e tyre një stili të ri dhe një mënyre të re të menduari. Botëkuptimi dhe botëndijimi ynë janë më afër Evropës sesa jeta jonë në përgjithësi. Në këtë kontrast bazohet prirja jonë për t’i thënë të vërtetat hapur, sado të hidhura qofshin ato. Ne duam të provokojmë një afrim më të shpejtë me shoqërinë moderne evropiane dhe këtë mund ta bëjmë të gjithë me dashurinë për të vërtetën dhe njëri tjetrin, me respektin për të tjerët. Flisni po të dëshironi për arritjet dhe defektet, për sakrificat dhe ditët e bukura. Në periudhën që jetojmë, mua personalisht, puna e deritanishme nuk më intereson shumë, aq më tepër kur mendoj se shoqata dhe vetë shtypi kanë mbyllur një cikël për të hapur një tjetër. Mua më ka hyrë një frikë e pazakonshme për të tashmen dhe të ardhmen e shtypit të shkruar. Asnjëherë, as kur ju kam ftuar në grevë për kolegët e burgosur apo kundër censurës ekonomike nuk kam patur kaq frikë.
Para pak ditësh ndodhi një tronditje e fortë në gazetën “Koha Jonë” që për pak çoi në ndarjen e bashkëpronarëve. Gazeta më e madhe në vend nuk kishte paguar për rreth një muaj detyrimet në shtypshkronjën “Demokracia” dhe ia ku doli në shesh i ashtuquajturi borxh prej rreth 200 mijë dollarësh. Shifra, në pamje të parë, duket marramendëse dhe mendjet jo dashamirëse menjëherë fillojnë e inventarizojnë shpenzimet buxhetore të bashkëpronarëve për të arritur në përfundimin e gabuar se borxhi është krijuar nëpër dafrunga. Harrohet se po këta bashkëpronarë i kanë paguar për muaj e vite detyrime të rënda në shtypshkronjë, se po këta kanë paguar rroga dinjitoze, madje të larta për gazetarët e stafit, se po këta kanë investuar për kushtet e punës së gazetarëve si asnjë gazetë tjetër… Harrohet se “borxhi” është i barabartë me detyrimet e një muaji, a diçka më shumë. Edhe pak a shumë njëlloj sikur gazeta “Intervista” t’i detyrohet shtypshkronjës 4 mijë dollarë apo “Poli i Qendrës” 10 mijë dollarë e kështu me radhë. Por borxhi i gazetës “Koha Jonë” ishte i mjaftueshëm për të shpërthyer krizën e akumuluar pikë për pikë me kalimin e kohës. Gjithkush, varësisht nga raportet që ka me atë gazetë, e shpjegon në mënyrën e vet tronditjen që po kalon “Koha Jonë”. Kundërshtarët e shohin vetëm në sipërfaqe fenomenin dhe gjejnë rastin të sulmojnë jetën private të bashkëpronarëve, të cilët vërtet mund t’i kenë shtrirë këmbët përtej jorganit, po a vërtetë mendoni ju se drekat dhe darkat e çuan në krizë gazetën “Koha Jonë”? Po të reduktojmë disa defekte evidente të administrimit të kësaj gazete, na del përpara kjo pyetje: kur gazeta me tirazh më të lartë rrezikon falimentimin, fillon e del me humbje, atëherë ç’mund të thuhet për të pavarurat e tjera qeveritare dhe jo qeveritare që kanë një tirazh tre-katërfish më të vogël dhe që rëndon, nuk mbesin prapa për sa u përket shpenzimeve për t’u dukur? Gazetat qeveritare më kot i fërkojnë duart kur shohin se po u rrezikohet gazeta më e madhe dhe po ashtu më kot tërbohen kur një fondacion krediton një pjesë të borxhit të kësaj gazete. Sot për sot gazetat proqeveritare i garanton shteti, por pa shtet të lirë opozitar e të pavarur dhe pa një kuadër të shanseve të barabarta edhe ato janë të destinuara të zhduken ose të shndërrohen në letra të shtypura. Ajo që ndodhi në gazetën “Koha Jonë” është fati i përbashkët i gjithë shtypit të shkruar shqiptar që po na troket në derë, është shpërthimi i një fushe të minuar të mungesës së rregullave dhe garancive ku ecin prej shumë kohësh iniciativat e lira dhe iniciativat e porositura në Shqipëri. Bashkëpronarët e gazetës “Koha Jonë” thjesht nuk e parashikuan në kohën e duhur këtë situatë për të marrë masat e nevojshme. Ne shpresojmë se organet shtetërore do ta shohin thellë këtë problem, përtej mllefeve të cekëta dhe do të pushojnë së cituari Bakunimin sikur anarkia është mëma e rregullit.
Tronditjet e gazetës “Koha Jonë” verifikuan veprimin e shumë faktorëve që janë pleksur me njëri-tjetrin dhe natyrshëm, më në fund, po fitojnë forcën e mijëra fijeve me të cilat liliputët lidhën guliverin. Po nuk u vu dorë, këto fije do të lidhin gjithë shtypin. Nuk ka Soros, agjenci kombëtare e privatizimit VEFA, INSIG apo SHIK që e shpëton. Këto faktorë të pleksur për t’i marrë frymën shtypit janë politike, ekonomike, organizative dhe deontologjike. Nuk është e re që qeveria ndjek një politikë diskriminuese me shtypin e pavarur e opozitar, qoftë me shpërndarjen e benefiteve të agjencisë kombëtare të privatizimit e agjencive të tjera, qoftë në mbylljen e informacionit për këtë shtyp, pa përmendur fushatën e padive kundër gazetarëve të pavarur e opozitar. Ky diskriminim ka gjasa të shtohet me forma të tjera që synojnë kastrimin e shtypit duke e katandisur atë në marxhet e një shtypi kritik, por jo alternativ. Shtypi i pavarur dhe opozitar nuk mund ta shkëpusë fatin e vet nga fati i krizës politike ku ka hyrë vendi pas zgjedhjeve të datës 26 maj. Është naivitet të mendohet se në një vend me një parlament të sforcuar njëngjyrësh mund të lulëzojë shtypi i lirë. Kthetrat e censurës ekonomike zgjaten në një vijë me politikën diskriminuese të qeverisë. Taksat e shumta shtetërore, tarifat e larta jo konkurrenciale dhe arbitrare të shtypshkronjës, mungesa e sistemit të abonimeve dhe fragmentimi i llahtarshëm i rrjetit të shitësve privat, të gjitha këto përbëjnë një rrjetë gjithnjë e më të lakueshëm për shtypin. Presidenti i Shqipërisë, Zoti Sali Berisha, ka nxjerrë nga goja një frazë lapidare: “Një shtyp i uritur nuk mund të jetë i lirë”. Dëshiroj të shtoj se gjithashtu një shtyp që diktohet nga monopolizmi i shtypshkrimit nuk mund i lirë, as i garantuar, tarifat e paqarta dhe gjakpirëse të shtypshkronjës “Demokracia”, pronë e 5-6 njerëzve të pushtetit, janë një lak vdekjeprurës në qafën e shtypit.
Gjithë ky lëmsh taksash, tarifash, humbjesh në rrjetin e shitjes etj duhet zgjidhur me vullnet të mirë nga shoqata e gazetarëve. Qeveria, bordet dhe privatët që veprojnë në botën e shtypit. Qeveria duhet të ulë urgjentisht taksat mbi shtypin, pa përjashtuar një ndërhyrje kompensuese pranë shtypshkronjës për uljen e posteve. Ne duhet të mendojmë seriozisht dhe të bashkëpunojmë me shoqatën tjetër, me fondacionin “Soros” e fondacionet e tjera për të krijuar kuadrin e qartë të shanseve të barabarta pë çdo gazetë. Nuk mund të ecë shtypi në qoftë se dy-tri gazeta kanë ekskluzivitetin e shtypshkrimit, dy të tjera të tjera kanë ekskluzivitetin e shpërndarjes, një tjetër ka ekskluzivitetin e opinionit e kështu me radhë. Krijimi me rrugë të jashtme i superfuqive në shtyp shkatërron pluralitetin e mediave. Eksperienca tregon se këtu në Shqipëri, kur jemi ngopur me një gjë dhe pakënaqësia na ka ardhur në grup, gjithmonë jemi iluduar të shpëtojmë duke zëvendësuar “mbretin e keq me mbretin e mirë”. Në fakt ekuilibrimi i fuqive mund të fusë jetën e vendit në përgjithësi, e rrjedhimisht edhe jetën e shtypit, në rrugën një shtypi normal. Ka ardhur koha që për këto çështje të rëndësishme të mendojnë edhe afaristët e investitorët. Shtypi i iniciativave të individëve pasionantë për fjalën e shkruar, po e mbyll ciklin e vet. Tani shtypi duhet të garantohet me rregulla dhe me pjesëmarrje në rolin e aksionistëve të grupimeve ekonomike. Një punë e madhe del përpara për riorganizimin e shoqatës si një sindikatë, për riorganizimin e gazetave me statute bashkëkohore ku të përcaktohet qartë statusi i gazetarit. Sot një pjesë e madhe e shtypit, sikurse e madhe e popullit punon si i thonë fjalës “në të zezë”. Mendoj se kryesia e re duhet të reflektojë thellë rreth këtyre problemeve. Si themelues të kësaj shoqate ne do të japim kontributin tonë.