Profesor Alfred Uçi: Rreth botimit të veprës së Sefulla Malëshovës në tre vëllime
(Botuar me 23 dhjetor 1998 në KOHA JONE)
Nga Profesor Alfred Uçi-
Nga Shtëpia botuese Argeta LMG, në kuadër të serisë së saj “Panteon”, u botua vepra letrare e Lame Kodrës (Sefulla Malëshovës) në tre vëllime, që përfshijnë poezinë, përkthimet dhe publicistikën e tij. Përmes kësaj iniciative është realizuar për herë të parë botimi më i plotë i krijimtarisë së Lame Kodrës. Ky botim është për t’u përshëndetur sepse e zgjeron dukshëm përfytyrimin tonë, për veprën letrare të një prej personaliteteve më të shquar të kombit tonë. Ky fakt merr rëndësi edhe më të madhe, sepse për Sefulla Malëshovën vitet e fundit është folur duke iu referuar vetëm librit “Vjersha” (të botuar më 1945 dhe të ribotuar më 1994), publicistikës së tij të viteve 1939-1945 dhe referatit “Roli i Kulturës në Shqipërinë e sotme” (1945).
Siç e ka vënë në dukje edhe vetë botuesi, M. Gëzhilli duhet të ketë edhe shumë materiale të tjera të L. Kodrës, që gjenden nëpër arkiva publike e private brenda e jashtë vendit, që do të duhej të mblidheshin e botoheshin më vonë. Sidoqoftë, vëllimi i I-rë i botimit të tanishëm përfshin përveç poezive të librit “Vjersha” dhe një tufë me poezi, që nuk kanë qenë njohur e nuk kanë qenë përfshirë në botimet e sipërpërmendura; ato kanë qenë botuar në revista e gazeta kryesisht të viteve 1923-1924. Ndonëse këto poezi nuk janë të një niveli të njëjtë artistik, kanë rëndësi, sepse dëshmojnë evoluimin e krijimtarisë poetike të S. Malëshovës nga vitet e djalërisë e më vonë.
Disa prej tyre na zbulojnë edhe drejtime e prirje të tjera poetike të tij, sidomos vjershat lirike dhe satirike, që nuk kanë qenë vlerësuar më parë. Vëllimi i dytë u kushtohet përkthimeve letrare të Lame Kodrës, i cili, siç dihet, hyn në qarkun e përkthyesve më të dalluar, krahas F. Nolit, S. Luarasit, F. Konicës, M. Kutelit, L. Poradecit, R. Shvarcit, P. Zhejit, etj. dhe është shquar si për zgjedhjen e krijimeve mjeshtrash gjenialë të poezisë botërore (Pushkini, Hajne, Potje, Gëte, Gorki), ashtu edhe për cilësinë e lartë përkthyese të veprave të tyre.
Poezitë “Internacionalja”, “Punëtorët e avlemendit”, “Mbreti i Tulës”, “Ançari”, “Kënga e zgalemit”, “Kënga e skifterit” janë përkthyer kaq mjeshtërisht nga S. Malëshova sa që janë çmuar si rikrijime të letërsisë sonë kombëtare.
Veçse edhe në këtë vëllim përfshihen edhe përkthime të tjera, siç janë drama “Kopshti i vishnjave” i A. Çehovit dhe sidomos një tufë poezish të N. Nekrasovit, që kanë qenë ruajtur dhe shpëtuar nga Moisi Zaloshnja në një kohë, kur pengohej administrativisht botimi i tyre. Poezitë e N. Nekrasovit shquhen për një origjinalitet të veçantë, që e bën jashtëzakonisht të vështirë përkthimin e tyre; mirëpo S. Malëshova ka hyrë në thelbin e në frymën e poezive të Nekrasovit dhe, përsëri, kur i lexojmë fitojmë po atë kënaqësi që na dhurojnë edhe poezitë e tjera të mirënjohura, të përkthyera prej tij. Spikat në këtë mes veçanërisht poema “Kush rron mirë në Rusi”. Vëllimi i tretë përmbledh artikuj publicistikë e gazetareskë të Sefulla Malëshovës, të shkruar që në kohën e studimeve të tij në itali në fillim të viteve 20 dhe deri pas Çlirimit.
Në këtë vëllim janë përfshirë edhe kritika letrare e studime për historinë e letërsisë shqipe, për Jul Varibobën, F. Nolin, Gjergj Fishtën, Faik Konicën dhe për probleme të zhvillimit të kulturës sonë kombëtare. E pasuron publicistikën e tij letrare edhe një varg ligjëratash, që e paraqiti S. Malëshovën në rolin e një tribuni të madh popullor. Interesante janë edhe raporte, referate politike dhe dokumente historike, si edhe epistolari i periudhës së paraluftës. Edhe në këtë vëllim spikasin shumë materiale arkivore që botohen për herë të parë; ato ndriçojnë personalitetin poliedrik të një mendimtari që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në zhvillimin kulturor, politik e shoqëror të vendit tonë në shek.20.
Botuesi M. Gëzhilli, që ka bërë një punë të mirë për të grumbulluar e botuar shumë dokumente, që lidhen me jetën e veprën e S. Malëshovës, u drejtohet gjithë lexuesve, miqve dhe institucioneve që lidhen me jetën e veprën e S. Malëshovës, u drejtohet gjithë lexuesve, miqve dhe institucioneve që disponojnë letra, dokumente e shkrime të S. Malëshovës, sidomos të periudhës kur pat qenë i dënuar (periudha më e zbrazët e studimeve historike e letrare për të), të ndihmojnë duke i vënë në dispozicion për të vazhduar më tej botimin e trashëgimisë së tij.
Në vëllimin e parë janë botuar edhe disa artikuj kritikë, që i kushtohen veprës letrare e shoqërore të S. Malëshovës; midis tyre spikatin analizat e Ymer Dishnicës dhe të Selaudin Totos me rastin e botimit të parë të “Vjershave” më 1945. Pas një heshtjeje të gjatë e të turpshme për të, qysh nga viti 1992 filluan të duken disa artikuj, që orvateshin të bënin rivlerësimin e figurës dhe të veprimtarisë së L. Kodrës. Artikujt e mësipërm dëshmojnë më fort për pikënisje ideologjikisht e politikisht pluraliste se sa për një thellim në njohjen e vlerave të mirëfillta të krijimtarisë letrare dhe veprimtarisë politiko-shoqërore të tij. Botuesi ka bërë mirë që i ka përfshirë në botimin e tij edhe këta artikuj, sepse sidoqoftë ata tregojnë se mbetet shumë për të bërë që personaliteti i shqiptarit të madh, Sefulla Malëshovës, të vendoset aty ku meriton, në një radhë me figura të mirënjohura të kombit tonë N. Frashërit e S. Frashërit, F. Konicës e Gj. Fishtës, L. Gurakuqit e B. Currit, F. Nolit e Migjenit e shumë të tjerëve.
Sefulla Malëshova jetoi nga 1900 deri më 1971 dhe po të ishte treguar një interesim minimal human mundet që të ish afruar në vitet e fundit të këtij shekulli dhe kështu do të ish bashkuar me shpresat për një botë shqiptare më të qytetëruar. Sidoqoftë aq sa jetoi ai i mbushi vitet dhe ditët e jetës së tij me vlera konsistente, me atdhedashuri dhe nder, me poezi dhe krijimtari shoqërore për qëllime fisnike, me dinjitet e frymë të kulluar shqiptare. Cili s’do ta kishte zili të jetonte e të vdiste si ai?!
Sefulla Malëshova jetoi në një epokë të vështirë të historisë së kombit tonë, të ngjeshur me konflikte e tronditje, me kthesa e kontradikta, me përmbysje e zigzage, me disfata të rënda të pariparueshme, por edhe me fitore e ringjallje ngadhënjimtare. Në rrjedhat e kësaj historie, Sefulla Malëshova nuk pat qenë figurant pasiv; përkundrazi, ka qenë një nga subjektet krijuese protagonistë të kësaj historie, i zhytur në vorbullën e gjithë ngjarjeve më të rëndësishme të saj. Atë e pret historia e kombit tonë të zërë në të vend nderi që nuk mund t’ia errësonin as shpifjet e dënimet e vjetra, as ca politizime vulgare vitet e fundit. Sefulla Malëshova nuk është nga ata personalitete që i luten historisë t’u lerë pakëz vend; është historia kombëtare që ka nevojë për të e për të tjerë si ai.
Rivlerësimi i personalitetit të S. Malëshovës është i rëndësishëm jo vetëm për të nderuar emrin e tij, por edhe për ta bërë një masë, një kriter, që ndihmon të rishkruhet drejt edhe gjithë historia jonë kombëtare. Ashtu si s’mund të shkruhet me vërtetësi e me drejtësi historia e Rilindjes Kombëtare pa emrat e Naimit e të Samiut, Pashko Vasës e Jani Vretos etj., ashtu s’mund të jetë e saktë dhe e respektuar historia e shkruar e shekullit tonë, pa emrin e Sefulla Malëshovës e të personaliteteve të tjera, që jo vetëm i kushtuan gjithë jetën, mendjen e shpirtin e tyre Shqipërisë, por edhe që e kanë ruajtur të pastër e të nderuar emrin e saj.
Mund të ketë dashakeqës që mund të kapen pas ndonjë mendimi të S. Malëshovës që vjen nga kohë të largëta, mendim i cili nga pikëpamja e ditëve të sotme mund të duket i gabuar, iluzion ose i kapërcyer historikisht. Si çdo njeri, edhe ai nuk mund t’u shpëtonte kufizimeve historike, iluzioneve dhe ëndërrimeve fisnike e të bukura të kohës së vet. Por figura e personalitetit të tij nuk zbehet aspak edhe nga të tilla; ajo s’ka aspak nevojë të zbukurohet ose idealizohet, as t’iu fshihen edhe gabimeve të pashmangshme njerëzore, të cilat në shumicën e tyre janë të pashmangshme për arsye të kohës se sa për faj të individit. Secili individ, sado gjeni qoftë, është i zoti t’i shmangë krejtësisht të tilla?! Edhe Dielli ka njolla, thuhet, – veç vetëm prej tij ndriçohemi.
Prandaj edhe politizimet dashakeqe s’janë veçse shpifje “të reja”, që bëhen për t’i vënë në një piedestal Ata, me të cilët mburret e duhet të mburret kombi, Pishtarë e Kalorës të Nderit e Lirisë së tij, dhe ata, që për karrierë, për përfitime personale egoiste, për ca florinj ose zell të tepruar për pushtet i kanë bërë varrin Atdheut, janë marrë e vazhdojnë të merren me tregti flamujsh.
Në të gjitha momentet më kruciale, në rrethanat më dramatike, më tragjike për vendin e popullin, Sefulla Malëshova ka qenë vendosmërisht në anën e tyre, i pandarë nga hallet e mundimet e tyre, ka mbajtur Kryqin e fatit të tij të dhimbshëm dhe ka ngjallur shpresa për ditë të gëzueshme.
Menjëherë pas Kongresit të Lushnjës, kur kish asish që shpresonin të rivendosin pozitat e humbura nga rrëzimi i Perandorisë Osmane, studenti S. Malëshova ëndërronte e luftonte që Shqipëria të bëhej për së mbari, domethënë të ndërtonte institucione demokratike sipas shembullit të qytetërimit perëndimor, të ishte e lirë dhe e pavarur. Për këtë, karrieristët anadollakë “e shpërblenin” duke e rrasur në burg, ku e shikojmë në një fotografi, duke lexuar gazetën “Dielli”.
Së bashku me Avni Rustemin shkoi pas Fan Nolit, Bajram Currit e Luigj Gurakuqit në Revolucionin Demokratik të 1924. Kur Ahmet Zogu me ndihmën e bandave të Pasiçit kthehej të vetëshpallej “Mbret i shqiptarëve”, S. Malëshova detyrohej të merrte rrugët e mërgimit në dhera të huaj, por duke luftuar kundër atyre që përgatitnin t’ia shisnin Shqipërinë Italisë fashiste. Zëri, fjala e zjarrtë e Lame Kodrës buçiste në faqet e shtypit përparimtar të emigracionit, ngjallte shpresa se do të vinte një ditë të kthehej në vendlindje.
Edhe më 7 Prill ai nuk ishte në anën e atyre që shpejtonin t’i dorëzonin Kurorën e Skënderbeut mbretit xhuxhmaxhuxh të Italisë, sado që agjentët e paguar të Musolinit bridhnin Evropës për të blerë intelektualë mercenarë, që të viheshin në shërbim të pushtuesve të huaj. Sefulla Malëshova qëndronte ato ditë në anën e Mujo Ulqinakut dhe jepte kushtrimin e kryengritjes popullore, në një krah me Aleancën e Madhe Antifashiste Anglo-Sovjeto-Amerikane. Kur kolaboracionistët bënin plane si ta braktisnin vendin, “Poeti rebel” kthehej të përfshihej në rreziqet e luftës, kthehej në Atdheun e pushtuar të bashkohej me rreshtat e partizanëve. Dhe populli, luftëtarët e lirisë njohën në të njeriun që, më mirë se kushdo tjetër, mund t’u ndriçonte rrugën drejt Lirisë. Si burrë i madh e i mençur shteti, në prag të Çlirimit e menjëherë pas tij, ai ish ndër të paktët ata që dinin se ç’duhej bërë e ku duhej ecur për të ndërtuar Shqipërinë Demokratike. Ai e kuptonte se me fitoren e popullit mbi pushtuesit e huaj dhe kolaboracionistët do të duhej të ndalej vala e përleshjeve të armatosura midis vëllezërish të një gjaku, duhej të shmangej politika sektare e terrorit, duhej të ndërtohej një demokraci gjithëpërfshirëse, pluraliste, duhej krijuar një shoqëri e mirëqenies së përgjithshme. Vepër e tij ish fryma demokratike e vendimeve të Konferencës së Beratit (tetor 1944), Deklarata e të Drejtave të Qytetarëve, platforma e Frontit Demokratik (menjëherë pas Çlirimit) e bashkimit të gjithë popullit në ndërtimin Shqipërisë së re dhe sa e sa reforma me karakter demokratik, si Reforma Agrare etj. Për këtë vepër të tij ai u luftua, u quajt “oportunist”, “agjent” dhe u dënua rëndë pa e merituar. Mënjanimin e tij e përdor për t’i çelur rrugë vijës sektare, aventuriere, sipas shembullit të “nacional-komunizmit jugosllav” dhe totalitarizmit stalinist.
I nisur nga dëshira të mira si edhe shumë të tjerë, S. Malëshova pati edhe iluzione e zhgënjime mbi krijimin në Shqipëri të një shoqërie pa shfrytëzim të njeriut nga njeriu, në kushtet kur ende s’kish ndonjë model tjetër më të mirë, por ai ishte i vetmi që shihte kufizimet e mangësitë si të rrugës së kapitalizmit klasik, që polli fashizmin e s’e ndali dot të vinte në fuqi e ta kridhte njerëzimin në luftën e tmerrshme të dytë botërore, por edhe të rrugës të totalitarizmit stalinist, prandaj anoi dhe përkrahu të ashtuquajturën “rrugë të tretë”, e cila mbeti vetëm fjalë dhe iluzion, sepse secili nga të dy blloqet ushtarake që u krijuan atë kohë synonin të shtinin në dorë gjithë vendet që porsa kishin dalë nga zgjedha fashiste.
Shumëkush e pat quajtur “rrugë e tretë” “ëndërr të parealizuar”, duke parë plagët e rënda e krizat e njëpasnjëshme të sistemit të sotëm botëror, kanë filluar të mendojnë për të gjetur një rrugë “të tretë”, as kapitaliste, as staliniste, në të cilën të mishërohen anët pozitive të ekonomisë së tregut dhe të socializmit demokratik human. Prandaj s’janë veçse një anakronizëm primitiv, si vazhdimi i akuzave “për oportunizëm” të Sefulla Malëshovës (harrohet se atë e internuan nga që qëndronte shumë më lart se ata që ia bënë këtë të keqe, se ish demokrat i vërtetë, i ndershëm, i moralshëm) dhe, ashtu edhe orvatjet e ulëta të atyre që përpiqen ta paraqisnin atë gati – gati të njëjtë me “kolaboracionistët”, fashistë, me të djathtën ekstreme (harrohet se gjithsesi ai vdiq duke qenë ithtar konsekuent i një socializmi me fytyrë humane) Sefulla Malëshova ka qenë një personalitet, që s’ka nevojë të merret në mbrojtje, se e gjitha jeta e vepra e tij dëshmojnë për një njeri të madh të kulturës dhe të kombit shqiptar, që meriton ta ketë varrin në panteonin kombëtar.