Profesor doktor Xhelal Gjeçovi, kundër fakteve të kolegut amerikan në librin “Shqipëria gjatë luftës 1939-1945”

(Botuar me 3 shtator 2001 në KOHA JONE)

-Profesor doktor Xhelal Gjeçovi, kundër fakteve të kolegut amerikan në librin “Shqipëria gjatë luftës 1939-1945”-

Studiuesi amerikan Bernard Fisher, të cilin opinioni ynë ka pasur rastin ta njohë edhe më parë me librin “Mbreti Zog dhe përpjekjet për stabilitet në Shqipëri”, u prezantua para pak kohe me një tjetër libër me temë nga Shqipëria, me titull “Shqipëria gjatë luftës 1939-1945”. Në librin më të ri, autori përpiqet të analizojë ngjarjet e zhvilluara në Shqipëri në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Libri është pritur me interes në rrethet shkencore të vendit dhe në opinionin publik jo vetëm për temën që trajton, por dhe për burimet e për informacionin që sjell, të cilat autori ka mundur t’i sigurojë nga hulumtimet e kryera në arkivat e një numri vendesh të përfshira në Luftën e Dytë Botërore, si Italia, Gjermania, Anglia, SHBA etj. Duke pasur në dispozicion një lëndë burimore të mjaftueshme si dhe me dëshirën që t’i kontribuojë njohjes së kësaj periudhe delikate të historisë së Shqipërisë, autori analizon disa nga ngjarjet, personalitetet e problemet e rëndësishme të Luftës së Dytë Botërore. Dhe për mendimin tim, këtë ndërmarrje jo të lehtë ai ka arritur ta përballojë mjaft mirë, duke dëshmuar edhe një herë para opinionit shqiptar aftësitë dhe paanësinë e tij në gjykimin e problemeve. Është me interes të theksohet se mjaft nga vlerësimet që bëhen në libër, për ngjarjet e për personalitetet e luftës, përkojnë ose afrohen me ato që janë dhënë dhe nga historianët shqiptarë. Dhe kjo shpjegohet me faktin se e vërteta ka karakter objektiv dhe historianët seriozë, pavarësisht nga shkolla, formimi dhe orientimi janë të prirë të ecin drejt saj. Në libër ka dhe fakte e gjykime, të cilat sipas mendimit tim janë të diskutueshme, disa herë dhe të pasakta dhe vijnë jo nga ndonjë paragjykim apo tendencë e autorit, por nga njohja e kufizuar, jo e plotë, e dokumenteve shqiptare. Tema e Luftës Nacionalçlirimtare është trajtuar edhe herë të tjera në punimet e autorëve të huaj. Mirëpo, botimet e tyre kanë qenë kryesisht krijime të gjinisë së memorialistikës. Autorët e tyre kanë qenë në Shqipëri në vitet e luftës dhe në këtë rast janë përpjekur të japin opinionet dhe mbresat e veta mbi ngjarjet që ka përjetuar vendi, por edhe ata vetë. Në dallim prej tyre, libri i Fisherit përmban gjykimet e një studiuesi, që analizat i mbështet para së gjithash në dokumente arkivore të besueshme. Libri ka një problematikë të gjerë e interesante, por boshti i saj është pozita dhe roli i Shqipërisë dhe i forcave politike shqiptare në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Rreth këtij boshti është parë e analizuar i tërë lëmshi i problemeve e i kontradiktave, ballafaqimi i forcave shoqërore, orientimi dhe lëvizja e tyre, roli i personaliteteve politike etj. Në libër ka një shpjegim mjaft të qartë të rrethanave të brendshme e ndërkombëtare, në të cilat u përgatit e u realizua pushtimi i Shqipërisë, si dhe të zhvillimeve të turbullta që i paraprinë pushtimit, e në këtë kuadër, dhe të përgjegjësisë së qeverisë shqiptare për pasivitetin e treguar ndaj tyre e për braktisjen që kreu i shtetit shqiptar i bëri vendit ditën e agresionit të 7 prillit 1939.

Në libër analizohen me hollësi e në shumë plane regjimi italian i pushtimit, interesat strategjike që përcaktuan agresionin kundër Shqipërisë, si dhe përpjekjet që u bënë për t’i realizuar ato gjatë viteve të pushtimit. Në punim jepen gjykime mbi rezistencën shqiptare në rritje, mbi shkallën dhe intensitetin e luftës së armatosur dhe mbi rolin e rëndësinë që patën ato jo vetëm për Shqipërinë, por dhe më gjerë. Një vend i rëndësishëm në libër i jepet regjimit gjerman të pushtimit që u vendos në Shqipëri pas kapitullimit të Italisë. Autori bën vlerësime të sakta për sistemin gjerman të pushtimit, duke argumentuar se, pavarësisht nga demagogjia e përdorur nga pushtuesi, Shqipëria në këtë kohë ishte një vend i pushtuar e se Gjermania hitleriane vepronte në Shqipëri si pushtuese. Veçoritë, që sipas autorit, shfaqen në funksionimin e shtetit kuisling, nuk preknin thelbin e problemit, natyrën dhe synimet e regjimit të pushtimit, pasi siç thuhet edhe në libër, i vetmi rend në Shqipëri përfaqësohej nga ushtria gjermane.

Në libër pohohet me të drejtë se e vetmja forcë e organizuar që iu kundërvu qysh në fillim nazistëve gjermanë ishte Ushtria Nacionalçlirimtare e Shqipërisë. Gjykime e vlerësime të sakta bëhen në libër për lidhjet e Shqipërisë me Koalicionin Antifashist e me fuqitë aleate, sidomos me Anglinë, e cila u tregua në këto vite mjaft aktive në çështjen shqiptare. Autori e njeh lexuesin me pozicionet pragmatiste të shtetit britanik ndaj Shqipërisë, me njohjen në fillim të pushtimit italian e me ndryshimet që pëson më pas politika britanike, me mbështetjen që ajo i dha rezistencës shqiptare, jo vetëm me deklarata zyrtare, siç ishte ajo e dhjetorit 1942, por dhe me dërgimin e misioneve ushtarake, të ndihmave për forcat e rezistencës etj. Në libër konfirmohen meritat e LANÇ-it të popullit shqiptar për pozicionin që zuri në këto vite prove, për rreshtimin dhe orientimin konsekuent të kësaj lëvizjeje përkrah aleatëve. Rreshtimin në Koalicionin anglo-sovjeto-amerikan autori e vlerëson si një nga aktet më të urta të popullit shqiptar në historinë e këtij shekulli dhe një nga vlerat e mëdha të LANÇ-it. Pa të nuk do të mund të arrihej çlirimi i Shqipërisë dhe as mbrojtja e saj nga pretendimet që do të ngriheshin pas lufte nga qarqe të caktuara në vendet fqinje. Mjaft interesante është dhe analiza që u bëhet në libër grupimeve të ndryshme të nacionalizmit shqiptar dhe krerëve të tyre. Përmes një analize të qetë, mbi bazën e dokumenteve të kohës, autori zbulon filozofinë, mentalitetet dhe interesat që frymëzuan lëvizjet, veprimet e qëndrimet e tyre në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Gjykimet për ta janë mjaft të sakta, të bazuara në dokumentet arkivore, si dhe në qëndrimet konkrete që u mbajtën në ato vite.

Në këtë kuadër autori ndalet sidomos në fizionominë e në qëndrimet politike të Ballit Kombëtar, si grupimi më i madh që vepronte jashtë Frontit Nacionalçlirimtar. Në punim konfirmohet teza e historiografisë shqiptare se Balli u formua në nëntor 1942 si reagim i drejtpërdrejt ndaj themelimit të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar. Duke krahasuar programin e Ballit Kombëtar me atë të Frontit, autori thekson se ndryshimet midis tyre ishin të mëdha. Programi i Ballit Kombëtar kërkonte krijimin e “Shqipërisë së lirë, etnike e demokratike”, por ai nuk tregonte rrugën se si do të arrihej në krijimin e Shqipërisë së lirë dhe etnike, nuk shpjegon se kush e kishte pushtetin në Shqipëri në atë kohë dhe kundër kujt duhej të luftonte Balli. Dhe kjo, sipas autorit, përbën një nga pikat e dobëta të programit të Ballit që krijonte mjegull e që e shndërronte atë në një program pasiv. Duke u nisur pikërisht nga kjo, por dhe nga pozicionet dhe qëndrimet konkrete që adoptoi Balli Kombëtar, autori thekson se “kur Hoxha thotë se Balli Kombëtar u formua jo për të luftuar pushtuesin, por për të shkatërruar punën e PKSH, ai nuk është larg së vërtetës”. Ndër aktet që e provojnë këtë në periudhën e pushtimit italian autori rendit dhe Protokollin Dalmaco-Këlcyra të nënshkruar në marsin e vitit 1943, midis përfaqësuesit të Ballit Kombëtar Ali Këlcyra dhe komandantit të forcave italiane të pushtimit Renco Dalmaco. Protokolli e angazhonte Ballin që të mos ndërmerrte sulme kundër forcave italiane të pushtimit dhe t’u vinte atyre në ndihmë në operacionet ndëshkimore kundër reparteve partizane.

Duke analizuar Marrëveshjen e Mukjes, të nënshkruar në fillim të gushtit 1943 midis Frontit Nacionalçlirimtar dhe Organizatës së Ballit Kombëtar, autori thekson se ajo ishte më shumë një akt politik, i ndërmarrë nga të dyja palët për qëllime politike, për të fituar kapital politik, për t’ia lënë fajin e për të akuzuar njëra-tjetrën për mungesën e predispozicionit për të bashkëpunuar, pasi në të vërtetë, thekson autori,- “si LANÇ-i ashtu dhe Balli Kombëtar nuk dëshironin të bashkëpunonin me njëri-tjetrin”. Për të përforcuar këtë ide, në rastin e Ballit, autori sjell mendimin e shprehur nga Frider, kryetar i zyrës së SOE për Shqipërinë, “se ndoshta krerët e Ballit kërkonin ndonjë shkak për të prishur marrëveshjen kur u bë e qartë se mund të kishin një shans për të punuar me gjermanët”. Ky mendim i tij u vërtetua menjëherë pas Mukjes.

Me ardhjen e pushtuesve gjermanë, Balli Kombëtar kalon në kolaboracionizëm të hapur, duke ndërtuar ura të shumta bashkëpunimi me ta. Më 7 tetor kreu i Ballit Mit’hat Frashëri lëshon urdhrin që të ndërpritej çdo veprim i armatosur kundër gjermanëve, megjithëse veprime të tilla deri atëherë nuk kishte pasur. Këtij urdhri iu bindën thuajse të gjitha njësitë e armatosura të Ballit Kombëtar. Ky moment shënon fillimin e bashkëpunimit të gjithanshëm të Ballit Kombëtar me nazistët. Fillimisht, thuhet në libër, çetat e Ballit nisën të informonin gjermanët rreth veprimtarisë së LANÇ-it, më pas ata filluan të marrin fonde nga gjermanët për të blerë armë që do të përdoreshin në luftimet me partizanët, për të kaluar shumë shpejt në veprime luftarake, së bashku me gjermanët kundër forcave partizane.

Nga fillimi i shkurtit 1944, thuhet në libër, oficerët britanikë njoftonin se për partizanët po bëhej tepër e vështirë që të sulmonin gjermanët, pasi shpesh njësitë gjermane mbuloheshin nga Balli Kombëtar dhe se forcat e këtij të fundit, të cilat luftonin aktivisht kundër partizanëve, ishin bërë tashmë pjesë e forcave të armatosura gjermane”. Në libër analizohen dhe qëndrimet e Abaz Kupit, të Partisë së tij Legaliteti dhe në tërësi lëvizjes zogiste në këto vite. Sipas autorit, Kupi dhe njerëzit e tij, pas disa veprimeve fillestare antigjermane vendosën lidhje me bajraktarët e veriut, me Ballin Kombëtar e me qeverinë kuislinge, vegël e pushtuesit për të luftuar së bashku kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Një politikë e tillë e adoptuar nga Kupi, shkruan autori, binte ndesh me të kaluarën e tij, me qëndrimin e mbajtur më 7 prill 1939, por dhe me vetë programin e Legalitetit, organizatë që ai drejtonte. Autori përshkruan veprimet e ndërmarra nga forcat nacionaliste dhe krerët e tyre, përfshi edhe Kupin, në periudhën e fundit të Luftës, në momentet më kritike që kalonte okupatori, për t’i ardhur në ndihmë atij, duke menduar se kështu do të arrinin të shpëtonin dhe veten. Këto veprime autori i cilëson si vetëvrasëse, pasi, veç të tjerave, ato shkatërruan dhe planet e shpresat e tyre për pushtet. Ka një domethënie jo vetëm historike, por dhe aktuale, analiza që u bëhet në libër forcave kolaboracioniste. Në këto dhjetë vjetët e fundit janë bërë përpjekje të shumta nga autorë të ndryshëm që të ndryshohen realitetet, pozicionet e vlerësimet për forcat politike e për personalitetet historike që vepruan në këto vite. Libri i Fisherit, faktet dhe argumentet që sjellë ai, ndihmojnë për të hedhur poshtë spekulimet e bëra me këtë çështje, për të njohur opinionin me pozitën e me rolin e vërtetë të forcave politike dhe personaliteteve politike shqiptare në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Me gjithë vlerat që ka, libri përmban dhe një numër gjykimesh të pasakta e disa herë kontradiktore. Kështu mund të thuhet për trajtimin jo të saktë që i bëhet në libër karakterit të LANÇ-it. Përgjithësisht duket se autori është i prirë të pranojë versionin e atyre që e cilësojnë Luftën Nacionalçlirimtare si një luftë civile, megjithëse e tërë analiza e ngjarjeve dhe e fakteve që sillen në libër, të çon në përfundime të kundërta.

Mjafton të mbajmë parasysh programin e LANÇ-it, objektivat e përcaktuara në të, si dhe përpjekjet që u bënë për arritjen e tyre, për të nxjerrë përfundimin se Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ishte një luftë për çlirim kombëtar. Nga ana tjetër, Fronti dhe Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, siç dëshmojnë dokumentet, bënë kujdes që të mos dilej jashtë objektivave të përcaktuara, që të mos ndryshohej deri në fund karakteri i luftës dhe qëllimet e saj. Të pasakta e disa herë kontradiktore janë gjithashtu shpjegimet që autori u bën pozitës dhe qëndrimit të shqiptarëve në luftën italo-greke. Autori pohon me të drejtë, se shqiptarët nuk pranuan të bashkoheshin me italianët në agresionin kundër Greqisë fqinje. Mirëpo dezertimet e ushtarëve shqiptarë nga fronti i luftës, ai i shpjegon me ballafaqimin e tyre me një realitet të ashpër, në një fushatë malore dhe me një armik të vendosur. Një pohim i tillë bie ndesh me atë që thotë vetë autori se shqiptarët nuk deshën të luftonin përkrah italianëve, sepse i konsideronin ata pushtues dhe luftën e tyre të padrejtë. Nuk është e saktë dhe pikëpamja e shprehur në libër se rezistenca që iu bë armikut në prapavija i dedikohej minoritarëve grekë dhe atyre që autori i quan agjentë të Greqisë. Siç dëshmojnë dokumentet, krahas dezertimit që i bënë frontit të luftës ushtarët shqiptarë, gjatë gjithë kohës së vazhdimit të luftimeve, në thellësi të vendit, në Jug e në Veri, madje dhe në ato zona ku dominonte popullsia e besimit mysliman, si në Dishnicë të Përmetit, në Skrapar, në Shqipërinë e Mesme etj., ka patur veprime të hapëta antitaliane, në mbështetje të luftës së popullit grek. Këtu mund të përmendim dezertimet masive të ushtarëve, xhandarëve, mosparaqitjen e rekrutëve në zyrat e rekrutimit, sabotimet në ndërmarrjet që punonin për makinën ushtarake të armikut etj. E sidomos sulmet e armatosura të çetave patriotike, si çetës së Pezës etj. Nuk qëndron gjithashtu pikëpamja e shprehur nga autori se pushtuesi gjerman mundi të sigurojë në Shqipëri një mbështetje të gjerë, e se ai qenka kursyer në zbatimin e masave të dhunës. Një pohim i tillë nuk i përgjigjet realitetit, madje përgënjeshtrohet dhe nga faktet që sillen në libër. Mjafton të mbajmë parasysh se vetëm gjatë muajve shtator-tetor 1943, kur nisi invadimi i Shqipërisë nga gjermanët, në qarqet Gjirokastër, Berat, Vlorë, Korçë, në Shqipërinë e Mesme dhe në Peshkopi janë zhvilluar luftime të ashpra, gjatë të cilave forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare përballuan me sukses një numër operacionesh të armikut.

Edhe pohimi se gjermanët ishin të kënaqur që t’u linin partizanëve malet dhe vetë të zinin qytetet dhe vijat e komunikacionit është i pasaktë. Siç figuron dhe në planet e luftës, të hartuara nga komanda ushtarake e pushtimit, synimi dhe preokupimi i saj ishte mbajtja me çdo kusht nën kontroll e situatës në vend, në mënyrë që të përballohej, veç të tjerave dhe një zbarkim i pritshëm aleat. Dhe kjo kërkonte jo vetëm zënien e qyteteve dhe zotërimin e rrugëve, por dhe sigurimin kudo të prapavijave të qeta. Kurse prania e forcave partizane në male përbënte një kërcënim të vazhdueshëm për rrugët e për krejt gjendjen në vend. Për sa i përket shkallës dhe intensitetit të luftimeve të zhvilluara këtu mjafton të mbajmë parasysh se në dy mësymjet e mëdha, të dimrit 1943-1944 dhe pranverës 1944, të cilat zgjatën mbi 6 muaj, dhe u drejtuan pikërisht kundër zonave malore, komanda gjermane angazhoi trupa elite të Wermachtit, siç ishin Divizioni I Malor dhe Divizioni 290 i këmbësorisë, si dhe forca të tjera shtesë të zgjedhura e të stërvitura në luftimet kundër partizanëve në vendet fqinje.

Në këtë mënyrë, goditjet e vazhdueshme të ndërmarra kundër forcave partizane, si dhe terrori i egër ushtruar paprerë ndaj popullsisë civile, masakrat e padëgjuara që u bënë këtu, siç ishte ajo e Borovës, e 4 shkurtit në Tiranë etj., tregojnë se armiku nuk u kursye aspak në përdorimin e dhunës në Shqipëri, përkundrazi ai bëri të pamundurën për të likuiduar Ushtrinë Nacionalçlirimtare e për të shuar rezistencën në Shqipëri, por përpjekjet e tij dështuan. Në libër ka dhe pasaktësi të tjera, sidomos në dhënien e disa fakteve të rëndësishme. Megjithatë, ato nuk e zbehin luftën e zhvilluar në Shqipëri dhe as meritat e autorit në paraqitjen e saj. Libri rreshtohet ndër ato botime serioze që ndihmon të njihen e të çmohen vlerat e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar dhe përbën një kontribut të çmuar në historiografinë e sotme për këtë temë madhore të historisë kombëtare.

 

 

SHKARKO APP