Prononcime të politikanëve për një vjetorin e Radio KOHA 

 Prononcime të politikanëve për një vjetorin e Radio KOHA 

Dritëro Agolli, shkrimtar

A e dëgjoni Radio Kohën?

Po, Radio Koha është radio që unë dëgjoj më shumë nga këto radiot pritave që kanë dalë tani në Shqipëri. E ndjek në orare të ndryshme dhe dëgjoj programe interesante prej saj.

Çfarë vlerësoni më shumë tek kjo radio?

Vlerësoj faktin që ajo bën përpjekje maksimale për të qenë e paanshme për të dhënë mendimin e të gjitha palëve. Ajo ka një seriozitet dhe punon të jetë profesionale. Radio Koha mendoj se ka kontribuar, që të sjellë mendimin e civilizuar të shoqërisë sonë. Veçanërisht vlerësoj te kjo radio kontributin e saj në momente kyçe, në ngjarje të rëndësishme, ku ajo me guxim profesional ka arritur që të përcjellë një informacion të shpejtë dhe të plotë nga vendi i ngjarjeve. Kështu mund të kujtoj periudhat e zgjedhjeve dhe trazirat e Shkodrës në fillim të këtij viti, ku kjo radio me shumë guxim solli informacionin më të gjerë rreth kësaj ngjarjeje dhe në vendin e ngjarjes.

Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë te “Koha”?

Në fakt pretendimet e mia për ndryshim nga radio Koha lidhen me pretendimet për ndryshim nga i gjithë shtypi shqiptar. Unë mendoj se ai duhet të heqë dorë nga ajo mania për të sharë gjithçka, nga mania për të qenë gjithnjë kundër dhe për çdo gjë. Çdo qeveri ka të mirat dhe të këqijat e saj dhe këtu përfshij të gjitha qeveritë qoftë ato socialiste e qoftë ato demokratike.

Të qenit gjithnjë kundër është një defekt i trashëguar nga e kaluara vetëm se në variantin e kundërt. Pra nëse atëherë ishim gjithnjë pro tani jemi gjithnjë kundër. Pra këtë objektiv kërkoj që ta adoptojë edhe Radio Koha, edhe i gjithë shtypi shqiptar.

Pjetër Arbnori, politikan

I uroj 1-vjetorin Radio Kohës dhe të gjitha radiove të lira në Shqipëri. Liria e shtypit dhe masmedias është diçka themelore, të cilët duhet ta gëzojnë të gjithë qytetarët e Shqipërisë por duhet ta shfrytëzojnë për mirë të gjithë gazetarët, redaktorët dhe drejtuesit e radiove të lira në mënyrë që ata të bëhen më të besueshëm. Gjëja më e mirë është të bëhesh i besueshëm në Shqipëri dhe për të qenë i tillë duhet të thuash të vërtetën.

 Sa e gëzon Radio Koha këtë gjë?

Unë nuk dua të bëj dallime ose vlerësime por sa herë që e dëgjoj Radio Kohën më vjen mirë kur ka informacione të sakta, lajme pa shumë komente dhe kjo është një gjë e mirë.

Kastriot Islami, zv. kryeministër

Radio Koha duke qenë një vazhdim i gazetës Koha Jonë më jep një kënaqësi të veçantë, që feston 1-vjetorin e saj. Unë i uroj sukses dhe punë të mbarë jo vetëm stafit drejtues por të gjithë gazetarëve të saj. Unë kam bashkëpunuar me Radio Kohën kur isha zëdhënës i PS dhe mund të them që kam pasur një bashkëpunim të ngushtë. Edhe njëherë tjetër dëshiroj, që në të njëjtën linjë pavarësie dhe lirie të shtypit të vazhdojë dhe jam i sigurt se në këtë rrugë ajo do të festojë përvjetorë të tjerë. Edhe njëherë urime.

Bashkim Fino, zv. kryeministër

Në 29 qershor Radio Koha mbushi një vit jetë… Ah, përkim tepër interesant, nuk besoj se është i paramenduar. Urime për ditëlindjen dhe suksese gjithë stafit tuaj.

Na keni ndjekur?

Që të jem tepër i sinqertë me detyrën e ngarkuar që kam, pak e dëgjoj radion. Në radhë të parë më vjen mirë që po hapen shumë radio private nëpër Tiranë dhe Shqipëri. Ndërsa për sa i përket radio Kohës më vjen shumë mirë që ajo ka një elementë plus. Kështu informacioni, debatet politike, problemet e ndryshme sociale, diskutimi për fajdetë e të tjera, janë tema që i kam ndjekur. Kështu ju keni bërë atë që Fevziu e bën në ekranin e TVSH. Radio Koha është më e avancuar në raport me radiot e tjera private pikërisht pse nuk jep vetëm muzikë 24 orë siç bëjnë ato.

Çfarë do kërkonit më shumë nga Radio Koha?

Do doja të ishte më shumë informative dhe më pak komentuese, pavarësisht se komentet mund t’i bëjnë gazetarë shumë profesionistë, që ka ajo. Por është më mirë të jepni vetëm lajmin dhe komentet t’i bëjnë dëgjuesit e shumtë që ju keni. Dhe do ju jepja një këshillë. Qëndroni sa më larg politikës se njerëzit janë mërzitur me politikë. Ja unë jam politikan dhe më ka ardhur në majë të hundës nga politika.

Genc Pollo, nënkryetar i PD

Mendoj që radiot private që nga krijimi i tyre në 1997, kanë qenë një përparim i madh për median shqiptare. Radiot si Radio Koha, apo edhe radio të tjera si Stinët, Kontakt, Studenti, përbëjnë një burim informacioni për dëgjuesit e tyre, burim zbavitje dhe kulture për publikun shqiptarë.

 E dëgjoni radio Kohën?

Meqë udhëtoj shumë dëgjoj atë që mundem, dhe kryesisht ato që kanë shtrirjen e valëve më të gjata. Shpresoj që problemet teknike të tyre t’i zgjidhim më mirë.

 Gramoz Ruçi, politikan

Jeni dëgjues i Radio Kohës?

Jam një dëgjues i hershëm dhe i përhershëm i radio Kohës. Mes gjithë radiove private në Shqipëri mendoj se është radioja më e dëgjueshme dhe çdo ditë po rrit auditorin e saj.

Çfarë këshille i jepni?

Në fillim e uroj për njëvjetorin. Në fund dua të them se duhet të vazhdojë të punojë për të rritur edhe më shumë audiencën e saj si edhe për të ruajtur emrin e bukur “Koha”.

Arben Imami, politikan artist

Sot Radio Koha mbush një vit… Shumë urime për ju…

Çfarë ju ka bërë përshtypje te kjo radio?

Në fakt unë nuk jam dëgjues i rregullt i radiove. Por do te veçoja se: Radio Koha ka pasur një nisje shumë të mirë me zgjedhjet e vjetshme elektorale. Më tej kam ndjekur transmetimet për ngjarjet e Shkodrës, pothuaj të gjitha debatet politike, zgjedhjet e fundit lokale, dhe përfundimisht mendoj se kjo radio është indoktrinuar në gazetarinë shqiptare. Kontributi i saj është fondamental. Uroj të ketë një të ardhme të sigurt.

Robert Shvarc, përkthyes

E ndiqni Radio Kohën?

Dikur, tani jo edhe aq sepse jam i sëmurë.

Çfarë ju bezdis më shumë te kjo radio?

Jo vetëm tek ajo por në përgjithësi tek mediat radiotelevizive, që kanë lindur tani, më shqetëson e folura në gjuhë të huaj, aspak bukur, mospërkthimi korrekt dhe lënia pas dore e figurave të mëdha të letërsisë dhe artit shqiptar dhe botëror. Atë fjalëkryqin tuaj nuk e duroj dot fare. Fusni personazhe nga Shqipëria se nuk mund të flasë njeri për karron që tërhoqi Afërditën… Megjithatë gëzuar dhe u bëfshi 100.

Musa Ulqini, kryetar i komisionit parlamentar të medias

Me rastin e përvjetorit të parë të Radio Kohës, uroj që ajo të mbetet siç e anonçoni ju, radio e lajmit të fundit, uroj që ajo shpejt të licencohet. Mendoj që ajo është radio e lajmit të fundit dhe dëshiroj që ajo të vazhdojë të informojë sipas parametrave të informacionit në vendet demokratike, shpejt, saktë dhe qartë.

Leonard Demi, politikan

I uroj Radio Kohës suksese të mëtejshme në pasqyrimin realist të situatës politike dhe ekonomike të vendit tonë njëkohësisht në ndihmë të zgjidhjes së problemeve kombëtare dhe politike që po thellohen nga dita në ditë.

Pavli Zëri, këshilltar i kryeministrit

Ju uroj suksese, jeni radio shumë simpatike .

Maqo Lakrori, politikan

Uroj Radio Kohën të festojë edhe shumë e shumë përvjetorë të tjerë.

Ndre Legisi, deputet

Radio Koha është radio më e dashur për ne… E kam dëgjuar shpesh radion tuaj, është një radio që jep lajmin e shpejtë dhe të saktë. Disa herë jam prononcuar edhe vetë në Radio Koha. Veçanërisht në momentet e vështira që kemi kaluar në Ministrinë e Rendit. Madje kemi kaluar edhe net së bashku me Radio Kohën.

Pandeli Majko, kryetari i grupit parlamentar të PS

Radio Kohën e kam ndjekur me interes të jashtëzakonshëm, jo vetëm për mënyrën se si i ka zhvilluar transmetimet e saj, por edhe sepse aty kam miq. Miq jo në kuptimin e politizuar të fjalës por miq me të cilët jam rritur në politikë. Kujtoj me një lloj malli dhe nostalgjie ditët e para të Radio Kohës kur nuk më merrnin ata mua në intervistë por i merrja unë ata dhe u thosha se mund të bënin intervista me njerëz të ndryshëm, për t’u dhënë një lloj ndihme.

Nuk ndodhi kështu edhe në 21 qershor?

Jo, ishte pak më ndryshe, se ne ishim politizuar më tepër dhe na merrte Radio në telefon. Ishim dhe më të frenuar. Por pasi zgjedhjet mbaruan kishim dëshirë të flisnim në radio më shumë se radio vetë.

Ridvan Bode, sekretar i përgjithshëm i PD

Urime për Radio Kohën në një vjetorin e saj. Ajo përbën një zë më vete në masmediat private shqiptare. Mendoj se ka kontribuar nëpërmjet aktivitetit të saj në pasurimin e opinionit dhe mendimeve pluraliste në situatën aktuale politike që është një situatë e vështirë. Shpresojmë që në të ardhmen kjo radio të bashkëpunojë më shumë me klasën politike shqiptare, të gjejë më shumë vend fjala e opozitës shqiptare që për fatin e keq nuk ka aksesin e duhur në masmediat shtetërore.

Intervistoi: Mimoza  PICARI dhe Mimoza DERVISHI

SHKARKO APP