Pse jam kundër anëtarësimit të Shqipërisë në Konferencën e Vendeve Islamike?

(Botuar me 16 tetor 2001 në KOHA JONE)

Nga Nikoll Lesi, deputet

I detyruar nga spekulimi mediatik dhe për interesa të caktuara të një klase të caktuar politikanësh të cilët fjalën time në parlament, të para disa ditëve dhe të djeshme, në lidhje me pranimin e Shqipërisë në Konferencën e vendeve Islamike kanë filluar ta përdorin si tendencë për ndarje fetare apo si fundamentalizëm katolik; po jap shpjegimet e mëposhtme, të cilat, mendoj, se do të plotësojnë të vërtetën e fshehur që nga koha e firmosjes së këtij akti denigrues për kombin shqiptar.

Së pari, unë jam kundër çdo tendence fetare që turret kah fundamentalizmi, qoftë katolik, islamik, ortodoks apo i çdo natyre tjetër, pasi mendoj se vetëm në këtë mënyrë mund të largohet e keqja e revanshizmit të ndonjë feje mbi tjetrën, aq më tepër që në Shqipëri raportet mes feve të ndryshme kanë qenë ekselente dhe duhet të ruhen në këtë vazhdë tradite. Parë në këtë mirëkuptim fetar nuk duhet që cilido shtetar i lartë, i besimit katolik apo mysliman, bektashian apo çfarëdo sekti tjetër, të shfrytëzojë postin shtetëror për të shprehur besimin e tij fetar në dëm të pjesës tjetër të shoqërisë, siç bëri Berisha.

Së dyti, dhe më kryesorja në diskutimin tim në parlament, është mënyra e pranimit të Shqipërisë në Konferencën e Vendeve Islamike nga ish-Presidenti Berisha, i cili nuk ka zbatuar ligjet dhe Kushtetutën e asaj kohe, pasi nxitimi me të cilin u bë ky pranim dhe fakti që edhe sot e kësaj dite nuk ka asnjë dokument të firmosur nga pala shqiptare, ndërkohë që Shqipëria merr pjesë në këtë Konferencë, pa dyshim janë për secilin një pikëpyetje që kërkon një përgjigje zyrtare e publike.

Së treti, unë, ndonëse rastësisht kam qëlluar katolik, nuk mund të pranoj që Shqipëria të futet as në ndonjë Konferencë të Vendeve Katolike apo të vendeve Ortodokse, pasi, pa dashje mund t’i jepej Shqipërisë ngjyrim fetar konkret, duke lënduar ndjenjat e bukura të myslimanëve, të cilët kanë tradita fetare ekselente dhe që lenë vend të mahnitësh për nga virtuoziteti.

Së katërti, terrorizmi dhe Islami janë dy gjëra krejt të ndryshme dhe nuk mund të përputhen asgjëkund në këtë hapësirë të madhe, ku raketat amerikane po bien mbi terroristët islamikë në Afganistan. Islami predikon paqen dhe mirëkuptimin, kurse terroristët, e në këtë rast talebanët, mundohen të mbulojnë të keqen e tyre gjoja me Islamin kundër Amerikës. Terrorizmi nuk mbart ngjyrë fetare, ai mund të jetë katolik siç është ETA në Spanjë apo me ngjyrim kristian, siç po zhvillohet lufta në Irlandën e Veriut. Çdo lloj terrorizmi ishte i rrezikshëm për të gjitha foto dhe për ata që mbartin idenë e fesë.

Së pesti, asnjë shtet europian dhe që ka më shumë popullsi myslimane se Shqipëria siç mund të jenë Franca dhe Gjermania, bile edhe Italia ka qindra mijë banorë myslimanë, nuk kanë pranuar të futen në këtë Konferencë, pasi qëllimi nuk është ai që shpallet, por episodi fetaro-rajonal.

Së gjashti, Shqipëria është vend ateist me Kushtetutë. Ajo nuk është si Greqia apo Serbia ku Kisha ndikon ose bën ligjin mbi Shtetin dhe nuk është as shtet mysliman si në Vendet e Botës Arabe, ku zbatohen ligjet e Islamit. Nisur edhe nga premisa se të gjithë në Shqipëri duam një Shqipëri europiane dhe jo aziatike dhe as arabe diskutova në parlament me sensin e dashamirësisë për të kontribuar në ruajtjen e këtyre raporteve fetare, porse një grup mediatiko-politiko-financiar filluan sulmin për gjoja “fundamentalizëm katolik nga Nikoll Lesi”(!), gjë që nuk shkon me realitetin e fakteve. Megjithatë, nëse duhen argumente të tjerë, një grup deputetësh të parlamentit shqiptar po hartojnë edhe një projekt për ta paraqitur në parlament ku do kërkohet dalja e Shqipërisë nga Konferenca e Vendeve Islamike me synimin e vetëm që Shqipëria të shkojë drejt Europës si ateiste që është me Kushtetutë.

SHKARKO APP