Ramiz Alia: Sali Berishën nuk e vura unë
Ekskluzive/ Ish-presidenti Ramiz Alia tregon momentet më të vështira. Marrëdhëniet me Hoxhën, revolta e ’90, burgun dhe njohjen me Nanon
-“Kërkova që para se Saliu të shkonte tek studentët të fliste me mua për ta dërguar tek ata në emrin tim… Në orët e vona të natës, vjen i nervozuar tek unë dhe më thotë: Me ta nuk merreshe vesh! Të nesërmen u gjend në krye të PD”-
Nga Anila Basha
Edhe pse ka mbi kurriz plot 72 vjet, Ramiz Alia tregon një shëndet të mirë. Vitet në përgjithësi, por sidomos këto tetë vitet e fundit duket se e kanë lodhur nga pak. Me trup mesatar, me flokët e rënë, një ecje të ngadaltë, me sytë që duken sikur do t’i paraprijnë asaj që mund të thotë në vazhdim, por me një formë gjithnjë të përmbajtur, ish-njeriu më i afërt i Enver Hoxhës jeton i vetëm në shtëpinë e vajzës së tij të vogël. Apartamenti, në katin e tretë të një pallati që i përket daljes së ish-bllokut në Tiranë, është i thjeshtë dhe komod. Dy divanet ku ulen njerëzit e afërt dhe vizitorët që i ka të shumtë, por të programuar siç thotë, janë të pandërruar që në vitet e para që kanë dalë, rreth ’80-ës. I ulur në njërin prej tyre, shpeshherë, ish-presidenti i Shqipërisë fillon të shpjegojë ngjarje dhe situata në të cilat, ai ka qenë protagonisti kryesor. Flet ngadalë, ndonjëherë merr frymë me pauza të gjata dhe mendueshëm dhe bën shumë ndalesa, ndoshta edhe prej operacionit që ka bërë më së fundi në zemër. Më pas, për ndonjë gjë të rëndësishme shpjegon duke vënë në përdorim duart. Nuk e ka të vështirë të kthehet në kohërat e kaluara, por shumë gjëra nuk do t’i tregojë për t’i lënë në librin e tij të ardhshëm. Megjithatë flet, rrëfen ngjarje e ndodhi që i ka përjetuar, i referohet ndonjëherë edhe literaturës së pasur që ka, duke kthyer sytë nga biblioteka prej druri dhe e ndarë në shumë rafte, të cilën, çdokush po ta shikonte do t’i bënte përshtypje. Kur i kujton ndonjë ngjarje jo të këndshme nga kohët e shkuara, periudhën kur ka qenë i pari i këtij vendi, ai revoltohet pak dhe ngre zërin: “Ashtu ishte koha! Unë ndiqja dhe mbroja vijën e partisë. Gjithçka mund të kishte ndodhur ndryshe sikur…”! Sikur të ishte ndryshe… Por ja që nuk ishte ashtu dhe pakkush u përpoq ta rregullonte. Ndërsa Alia thotë se situata do të rregullohej kur të vinte koha dhe momenti i duhur, “ashtu siç ndodhi në të vërtetë”. Ai tregon se në prillin e 1990, ende pa filluar ndryshimet e pluralizmit, ka hequr nga Kodi Penal nenin 55, shumë i përfolur si neni i tmerrshëm i agjitacionit dhe propagandës.
Megjithatë njeriu që do t’i qëndrojë edhe për disa vite të tjera periudhës së tanishme, si politikani më me eksperiencë, ashtu siç e etiketojnë në shumë raste, dalëngadalë, për disa ditë me radhë, iu kthye kohërave të vjetra dhe të tanishme, duke menduar dhe gjykuar, se s’kishte ç’të bënte ndryshe. “Njerëzit duhet ta kuptojnë këtë”.
Ramiz Alia kërkon që përherë të programojë kohën. I rregullt në zbatimin e orareve dhe respektimin e agjendës të vet, ai në pamje të parë, duket se nuk mërzitet. Në shtëpinë e bollshme me disa dhoma të së bijës, në të cilën është vendosur me t’u kthyer nga Suedia, sepse nuk ka një shtëpi të tijën, banon në vetmi të plotë. “Por nuk jam i vetëm”,- thotë Alia. Dhe në të vërtetë, në shtëpinë e tij gjatë ditës gjendet një shërbyese, e cila ka qenë ndihmëskuzhiniere që në kohën kur ai ka qenë Sekretari i Parë i KQPPSH si edhe një nip i tij. Ai duhet të programojë edhe pritjet dhe përcjelljet e njerëzve të ndryshëm, të njohur e të panjohur, nga mëngjesi dhe deri në darkë. “Ju e shikoni që unë mbaj gjithmonë në tavolinë çokollata, apo biskota për të qerasur mysafirët”.
Alia gjen kohën edhe për të shëtitur në vendet ku ai ndjehet i qetë dhe larg zhurmës së njerëzve, edhe pse mendon se ka shumë njerëz të mirë dhe që të respektojnë. “Paradite më pëlqen të dal nga liqeni, sepse është shumë qetë. Nuk mund të shkoj në këmbë dhe dikush më çon me makinë. Ndërsa pasdite më pëlqen të qëndroj në një vend afër pishinave, ku ka edhe një fushë futbolli, Aty mund të mendosh pa të shqetësuar askush, sepse nuk është një vend i zhurmshëm dhe rrallëherë vijnë njerëz”. Por kohën më të shumtë ai e kalon duke lexuar dhe duke hedhur në kompjuter kujtime të vetat, që ka dëshirë t’i publikojë më vonë. Dhomën e pritjes e ka organizuar si një zyrë pune dhe ka goxha hapësirë. Një derë e hapur, e mbuluar nga një perde e bardhë e tejdukshme të çon deri në ballkon. Vështrimi i saj bie nga rruga, por nuk është se bllokmeni i vjetër del shpesh për të parë. Atë e trishton nga pak, pamja tragjike që i shfaqet përpara syve dhe për të cilën nuk kishte menduar se mund të ndodhte. Brenda në studio gjendet një tryezë pune, në të cilën ish presidenti ka vendosur kompjuterin dhe printerin, telefonin, që nuk ndihet të bjerë shumë shpesh, një bllok shënimesh në fletët e të cilit nuk ka asnjë shënim dhe në ndonjë qoshe të tryezës ka ndonjë libër në shqip që pasqyron ngjarjet e vitit të kaluar, kur Alia nuk gjendej në Shqipëri. Madje ka edhe disa dhurata, kujtime që nga e kaluara kur gjendej në krye të shtetit.
Paradite, i pëlqen të pijë një kafe turke, por nuk pi cigare, të cilat i ka lënë shumë vite më parë pas disa shqetësimeve shëndetësore. Dikur ka pirë cigaret të markës “Diamant”, të cilave tashmë u kanë humbur gjurmët. Në një cep të dhomës është një televizor i madh, të cilin e hap gjatë ditës vetëm për të dëgjuar lajmet. Në fakt, do të tregohet indiferent, sikur nuk i ndjek situatat politike, por është në dijeni të plotë të tyre, pavarësisht se nuk dëshiron të flasë shumë. Preferencat, i ka në politikën e jashtme, një fushë që e ka studiuar me shumë imtësi. “Ndoshta ka të bëjë edhe shkolla që kam mbaruar në Rusi, por më tepër është eksperienca e shumë viteve dhe lidhja logjike e mjaft fakteve”. Kështu, ai tregon se që kur ka qenë 20 vjeç, ka dëgjuar gjithmonë lajmet në radio dhe tregon me dorë drejt tryezës duke thënë se edhe tani i ka mbetur zakon të drejtohet më shumë nga radio. “I ndjek gjithmonë zhvillimet ndërkombëtare nëpërmjet mediave vizive, sepse gazetat kanë shumë sencasione”. Tashmë, pas daljes nga burgu dhe pas persekutimit nga regjimi i Berishës, Alia nuk përfiton asnjë të ardhur, as pension. Nuk revoltohet me shtetarët e sotëm, por me një dekret të Berishës në vitet e para të pluralizmit, sipas të cilit, nuk përfitojnë asnjë të ardhur politikanët përpara vitit 1992. Dhe sipas tij, ky veprim i Berishës, ka qenë tendencioz dhe i qëllimshëm.
* * *
Ramiz Alia ka shumë gjëra për të kujtuar nga e kaluara, por “pengu” i jetës së tij është ngjarja e viteve ’70, kur një festival kënge pati pasoja të paparashikuara, edhe në rangjet e zyrtarëve më të lartë të shtetit.
“Historia është krejt ndryshe”. Ky është fillimi i rrëfimit të tij për historinë e ndryshimeve, në vitet e diktaturës enveriste, vite të cilat njerëzit i konsideruan si “mrekullia që po vinte” dhe që do të përfundonin shumë shpejt me Pleniumin e katërt të PPSH. Ai tregon se njerëzit e paraqesin këtë periudhë, sikur kishte disidencë në parti dhe sikur bëhej fjalë për një grup të organizuar njerëzish. “Atëherë, pati një ndikim nga bota e jashtme, por jo se mund të ishte e nxitur nga ndonjë disidencë brenda.
Ngjarja që u bë shkëndija e parë e ngjarjeve të mëvonshme, ishte festivali i 11”. Në atë kohë, Ramiz Alia, ishte Sekretari i Partisë për Çështjet e Propagandës dhe përgjegjësia kryesore mbi edukimin e rinisë dhe propagandën që zhvillohej në vend, binin mbi të. “Natën e festivalit të 11, unë personalisht kam qenë në sallë. Në një seancë pushimi të festivalit, kam takuar Todi Lubonjën dhe i kam thënë: “Todi, ka ca gjëra që nuk janë në rregull”. Por vetëm kaq, gjithçka rrodhi ashtu siç e dinë të gjithë”. Ai është i bindur se edhe këtë shprehje e ka thënë, sepse ka zbatuar dhe mbrojtur vijën e partisë dhe “nga ky këndvështrim, unë kisha objeksionet e mia”. “Pikëpamja ime ka qenë se aty pati gabime, dhe duke qenë se ai ishte sektori për të cilin përgjigjesha, unë kisha përgjegjësi për situatën”. Kështu, gjithçka i kaloi Pleniumit IV të PPSH, por Alia thotë se ajo çështje duhej të zgjidhej në rrugë partie dhe në asnjë mënyrë nëpërmjet instancave shtetërore, ashtu siç mori në të vërtetë. “Madje, unë u kritikova në mbledhjen e Pleniumit. Kjo gjë u cilësua si shmangie e hapur nga vija e partisë dhe oportunizëm. U kritikova për mungesë vigjilence dhe lëshime”.
Alia tregon edhe për armiqtë e tij në Byronë Politike, njëri prej të cilëve, ishte edhe Mehmet Shehu. “Nga ana e Shehut, në të gjitha këto që ndodhën, ishte prirja për të më implikuar edhe mua. Nuk kam qejf të nxjerr konkluzione pas vdekjes, se është njësoj si ajo shprehja jonë “i mençuri pas kuvendit, apo trimi pas betejës”. Por mendoj se ai donte të më godiste, meqë unë isha njeriu më i afërt me Hoxhën”. Alia tregon se historia me Shehun ka vazhduar edhe në vitet e mëvonshme, pas festivalit. Në 1978 diskutohej në Byronë Politike një projekt për arsimin, ku hidhej ideja e arsimit të detyrueshëm 10-vjeçar dhe më pas një shkollë e specializuar trevjeçare. Siç tregon tani vonë, ky propozim është kundërshtuar me akuza të hapura të Mehmet Shehut ndaj Alisë në këtë mbledhje. “Unë pavarësisht se parashtrova një ide, do ta diskutoja atë në mbledhje, por nuk prisja një reagim kaq të ashpër. Ndoshta kjo ndodhi edhe për faktin se sistemi shkollor që aplikohej, ishte përgatitur nga një komision që kryesohej nga Shehu”, – kujton Alia. Por, kur flitet për Mehmet Shehun, njeriu i afërt i Hoxhës, nuk thotë ndonjë gjë të madhe. Kur i përmend letrën që Shehu e ka lënë pas vetëvrasjes, ai tregon se e ka lexuar, “por nuk kishte asgjë të madhe aty brenda”. “Pastaj, kjo letër duhet të gjendet në arkivat e Komitetit Qendror të Partisë”,- thotë Alia duke precizuar se aty Shehu kishte kërkuar vetëm kujdes për familjen e tij dhe asgjë më tepër edhe pse sot e kësaj dite, letra nuk është gjetur akoma. Ndërsa thotë se kjo letër nuk është 33 faqe, ashtu siç shkruan djali i Shehut, por vetëm një faqe e gjysmë dhe e shkruar me shkrim dore”. “Në të, madje për saktësim, shkrimi ishte shumë i hapur dhe ka dy shigjeta në paragrafë të ndryshëm, që tregojnë se ka pasazhe edhe në faqen e pasme të letrës”.
Për vitet ’90, Alia kishte menduar që të bënte hapat e parë të reformave të reja. Sipas idesë së tij, kjo do të rridhte natyrshëm, sepse po e ndjente presionin që vinte shpeshherë nga vendet e tjera. Pastaj, ai thotë se Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë, që nuk kishte kryer reformat demokratike. “Ndaj Shqipërisë u përqendrua në atë kohë, i gjithë vështrimi i botës së jashtme. Këtu filluan të përdoreshin të gjitha metodat që kohë më parë u praktikuan edhe në vendet e tjera lindore. Futja në ambasada, u iniciua nga të huajt; filluan manifestimet në Kavajë, në Shkodër etj. Pra, sinjalet ishin të qarta për një goditje që po përqendrohej në vendin tonë. Për t’u dalë përpara gjithë këtyre ngjarjeve, ne shpallën pluralizmin politik në Shqipëri.
Në këtë kohë, PD e filloi aktivitetin e vet me shumë agresivitet, sepse ajo u mbështet si gjithmonë te rruga. Kjo kuptohet lehtë po të kihet parasysh se me të u bashkuan të papunët, ish-të burgosurit, një pjesë e mirë e tyre të dënuarve për krime ordinere dhe shtresa të tjera të popullatës. Por nuk mund të lihet pa përfshirë këtu, mbi të gjitha, ndikimi i jashtëm”,- thotë Alia. Ish-njeriu që në atë periudhë ndodhej në krye të vendit, mendon se për Shqipërinë nuk ishin të përshtatshme metoda të tilla, “sepse ato ishin sinjali i fillimit të një agresiviteti që mund të çonte në luftë civile: gjithçka që po bëhej ishte e një karakteri ideologjik”.
Ai përmend me keqardhje shenjat dhe rrezikun e luftës civile që ishte shumë i pranishëm në atë kohë, “kur populli ishte ndarë në dy pjesë dhe nga njëri krah dilej me parullat në mbrojtje të Enverit dhe nga krahu tjetër rrezoheshin bustet e Enverit”. “Në kohën e tensionit të madh, unë ndërhyra që të mos qëllohej mbi popullin dhe kërkova nga partitë që të ulnin nervat dhe të ndiqej një rrugë normale për zgjedhje. Kështu kërkova që të ndaloheshin mitingjet, manifestimet… “Kjo shpëtoi paqen dhe rrezikun që na kërcënonte në atë periudhë”, Por tashmë mbi Alinë rëndon akuza e dorëzimit të pushtetit nga një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve, të cilët e kanë të vështirë të pranojnë largimin e Alisë nga posti i Presidentit, pas zgjedhjeve të para, kur ai kishte një mandat 5-vjeçar. Nuk e kam vënë unë Berishën, president në atë periudhë. Në zgjedhjet e marsit 1992, populli i dha dy të tretat e votës PD dhe është krejt legjitime që kjo parti të zgjidhte president Berishën. Para meje qëndronin dy alternativa: ose të bëhesha kukull e PD dhe të nënshkruaja çdo vendim që merrte parlamenti me shumicë parlamentare të demokratëve, pa pasur mundësi të reagoja dhe kjo ishte diçka që unë nuk mund t’ia lejoja dot vetes. Kjo ishte në kundërshtim me bindjet e mia dhe për këtë arsye unë dhashë dorëheqjen, duke zgjedhur alternativën e dytë”.
Ai nuk harron të përmendë qeverinë e stabilitetit, të cilën e mendon si zgjidhjen politike më të mirë për vendin në atë periudhë. “Unë personalisht kam qenë i mendimit që zhvillimet në vendin tonë të bëheshin gradualisht dhe hap pas hapi. Nuk kam qenë për “terapinë shok” apo për nivelin zero… nuk kishin pse të ndodhnin gjithë këto. Sepse tani ç’po ndodh? Të gjitha ato objekte që atëherë dolën jashtë përdorimit me terapinë shok, po përpiqen që t’i vënë në eficensë. Dhe pikërisht gjithë çka ndodhi atëherë, e çoi Shqipërinë nën nivelin zero. Kështu që as demokratët, por as socialistët më së fundi, nuk duhet të vepronin në këtë mënyrë. Edhe socialistët sot, nuk mund të bëjnë më shumë, veçse të mundohen të vënë në punë atë që u shkatërrua 8 vjet më parë”.
“Lidhjet e mia me Enver Hoxhën kanë qenë lidhje tepër të ngushta, sepse unë kam punuar me të më tepër sesa 25 vjet, që në 1960 kur unë isha Sekretar i KQ, deri kur ai vdiq në 1985, pavarësisht se njihemi që herët, që nga LANÇ. Kam qenë në kontakt të përditshëm, sepse edhe sektori që unë drejtoja, kultura, shkenca, politika e jashtme, vija ideologjike, etj, ishin fusha për të cilat Hoxha kishte preferencat dhe mendimet e tij. Në këtë kuptim, them se lidhjet e mia me të, ishin të vazhdueshme. Ai kërkonte shumë llogari për gjithçka bëhej, por nuk mund të them se ishte i bezdisur. Është shumë e vështirë që me të gjithë njerëzit të biesh në një emërues të përbashkët, aq më tepër kur bëhen pyetje të tilla për Enverin. Nëse bashkëbiseduesi të ngjall interes, ai nuk bëhet i bezdisur, por nëse nuk të ngjall interes, atëherë mundohesh ta evitosh për të mos qenë në kontakte direkte me të. Por Hoxha gjithmonë ka qenë i prirë drejt një mënyre të biseduari që mund të ngjitej muhabeti, si thuhet në gjuhën popullore. Ai më merrte mendime sidomos për politikën e jashtme dhe për çështje të ideologjisë”. Për Enver Hoxhën, Alia ka përshtypjet më të mira. Sipas tij, një varg reformash të mëdha që ka pasur në vend dhe që nuk janë arritur në asnjë periudhë tjetër, kanë ndodhur në kohën kur Hoxha drejtonte vendin.
Alia kundërshton pikëpamjet që ekzistojnë tani si tek të majtët, ashtu edhe të djathtët, për njeriun që është cilësuar si diktator. Alia mendon se Hoxha ka vendin dhe personalitetin e vet në atë pjesë të historisë së Shqipërisë, ku ai ishte protagonisti kryesor dhe nuk është e lehtë ta mënjanosh. “Hoxha tani është paraqitur si një figurë autoritare në kontekstin që vetë vulos dhe vetë vendos, por që në fakt nuk ka qenë i tillë. Autoritar ai mund të ishte, sepse ishte i pari i vendit, një arsye më tepër për t’i dhënë më shumë autoritet”. Sipas tij, pozicioni që mbahet ndaj Hoxhës, është i gabuar nihilist. “Kjo nuk është një ofezë vetëm për Hoxhën, por një ofezë për të gjithë Shqipërinë, njerëzit e të cilës e kanë mbajtur atë për mbi 40 vjet në drejtimin e vendit. Për Hoxhën ka pasur mjaft simpati dhe me sa e njoh unë realitetin këtu, vazhdon të ketë.
Për sa i përket pikëpamjes së aftësisë, mund të them se ai ishte njeriu më i aftë duke realizuar një varg reformash në momentet më të vështira. Nuk mund të kishte ecur vendi përpara, nëse Hoxha nuk do të ishte ai që ishte në të vërtetë. Sepse të flasësh për një fenomen shoqëror, duhet të jesh objektiv dhe duhet të bësh një analizë reale”. Megjithatë për Alinë ka pasur gabime dhe “do të ishte budallallëk të mendohej që nuk ka pasur kufizime, sepse ato kanë ekzistuar”. “Patjetër që Hoxha dhe Alia kanë pasur gabime, sepse do të ishte absurditet të mendohej ndryshe. Por jam i mendimit se çdo gjë duhet të diskutohet realisht dhe konkretisht”.
Numri dy i bllokmenëve, thotë se nuk i ka qëlluar asnjëherë rasti për të pasur debate të ashpra me Hoxhën, përkundrazi, “ishte fryt i një pune të përbashkët, sepse që të dy e dëgjonim njëri-tjetrin”. Pa dashur që të shmangë nga vetja cilësitë që kishte si njeriu më i afërt i Enver Hoxhës, ai thotë se vënia e tij në drejtimin e vendit pas vdekjes së të parit, nuk ishte një çështje e njëanshme. “Objektivisht unë isha mbi të tjerët, sepse i rëndësishëm ishte për më tepër sektori që unë drejtoja”.
***
Përjetimi i një periudhe të dytë burgu, shumë më të gjatë se e para, është një pjesë e veçantë e jetës së Alisë. Atij akoma i kanë mbetur të freskëta në mend të gjitha hollësitë e qelisë… Ndoshta kjo edhe për shkak të kujtesës brilante që ka. “Kur të më lërë kujtesa, – thotë, – atëherë duhet ta kuptoni që unë kam përfunduar si njeri, pavarësisht se në ç’moshë do të jem”. Dhe me një kujtesë që do ta dëshironte çdo njeri, ai përpiqet të tregojë me rezerva atë çka përjetoi brenda mureve të qelisë. Ai thotë se aty kishte një dritare fare të vogël, prej së cilës nuk hynte asnjë rreze drite e jo më ndonjë rreze dielli.
“Në burg, mundohesha ta organizoja kohën. Flija në kohë të caktuar, merrja ushqimin në rregull dhe ecja nëpër qeli gjithnjë sipas një programi. Qelia e burgut ishte e vogël dhe nuk të lejon shumë mundësi “të dëfrehesh”. Ndonjëherë edhe shkruaja, duke i shpëtuar vigjilencës së policëve dhe duke shkelur rregullat e burgut, pasi atje nuk lejohej as që të shkruaje”. Ai nuk mund të duronte dot idenë që mund të prishte regjimin e tij të përhershëm, me të cilin ishte ambientuar në të gjitha vitet e jetës së vet. I mungonin takimet me miqtë dhe të afërmit, por jo edhe aq. “Është folur shpesh për takimet e mia me Nanon, por me thënë të drejtën, Nanon e kam takuar shpesh, edhe për faktin se qelitë i kishim afër. Tosi në burg kishte një radio dhe sa herë mbaronin lajmet e pyesja në mos kishte diçka të re. Madje nuk shkoja as vetë, por shpeshherë këtë punë e bënte edhe polici që ishte rojë aty. Dhe Tosi më tregonte të rejat e fundit. Ose kishte ndonjë rast tjetër, kur unë i thosha policit se doja të shkoja në banjë dhe qëndroja përballë dritares së vogël në derën e Fatosit dhe bëja muhabet me të, ndërsa polici rrinte e ruante në krye të portës se mos vinte ndonjë njeri. Dhe kur shihte ndonjë të afrohej, më thoshte që të largohesha pa u vënë re”.
Ai kujton se e ka provuar burgun edhe një herë tjetër, gjatë kohës së LANÇ ku u arrestua për aktivitet antifashist në gusht 1942. Por të qenit në burg, pas një karriere të gjatë politike në drejtimin e vendit, për Alinë është diçka tjetër, të cilës ai i vë vetëm një emër: hakmarrje politike. Nuk sqaron asgjë se pse e cilëson të tillë, por edhe nuk pranon ta konsiderojë ndryshe, edhe pse është i prirë të flasë paksa i tërhequr nga një urrejtje e brendshme personale, gati-gati e padukshme. “Për herë të dytë, nuk e prisja të hyja në burg, sepse në të vërtetë nuk kam bërë asgjë të kundraligjshme në të gjithë historinë time politike. Ndoshta ka qenë edhe fusha e tillë që nuk mund t’ia lejoja vetes të implikohesha në gjëra të papërgjegjshme dhe të paqena. Kjo ishte thjesht një hakmarrje politike e Berishës, një revansh…tamam një “gjueti shtrigash”. Arsyeja e vetme që jep Alia për të sqaruar këtë burgosje që mbante emrin “Genocid”, ishte thjesht antikomunizmi i Berishës. “Berisha u nis me një koncept dhe ide të qartë: çrrënjosje e komunizmit nga një lëvizje antikomuniste!” Kur i përmend faktin se kemi të bëjmë me një mendim që është i prirë më tepër emocionalisht, ai nervozohet nga pak dhe thotë: “nuk është e vërtetë. Berisha nuk mund të honepste dot faktin se unë isha iniciatori i pluralizmit politik në Shqipëri dhe isha Presidenti i parë i këtij vendi. Kurse Berisha gjithmonë është përpjekur të vërtetojë të kundërtën: që historia e këtij vendi fillon vetëm në 22 mars 1992”.
Berisha është një njeri pa ekuilibër. Hyri në politikë si mjek dhe siç duket, politikën kërkoi ta trajtonte nën syrin e një mjeku. Të kishte bërë edhe këtë ishte mirë, por nuk e bëri. Fakt është edhe diçka tjetër… ai ç’thotë sot, nuk e thotë nesër. Ai e shkatërroi këtë vend si në planin ekonomik, ashtu edhe në atë politik. Nëse këto konsiderata, unë do t’i kisha thjesht personale, për shkak të burgosjes time, atëherë do të kërkoja që edhe ai të futej në burg. Por unë po them atë që thotë populli dhe asgjë më tepër. Për mendimin tim, është një fatkeqësi që Partia Demokratike e mban akoma një njeri si Berisha në krye të saj. Që PD të arrijë të luajë rolin e një opozite konstruktive, nuk mund të zgjedhë Berishën për ta bërë një gjë të tillë, sepse autoriteti i tij ka rënë në sytë e popullit shqiptar, ashtu edhe në sytë e opinionit ndërkombëtar.
Për herë të parë, Berishën e kam njohur në periudhën e ndryshimeve. Ai ishte në listën e pedagogëve që ishin planifikuar të flisnin me studentët që kishin lënë mësimin. Kur ma lexuan listën, kërkova që para se Saliu të shkonte te studentët, të fliste me mua për ta dërguar tek ata në emrin tim meqenëse ishte verior. Saliu atë mbrëmje, më tha se do të bisedonte. Ndërsa në orët e vona të natës, vjen i nervozuar tek unë dhe më thotë: Me ta nuk merreshe vesh! Të nesërmen u gjend në krye të PD. Se si u vendos, atë nuk e di unë, por mund ta dijë fare mirë Preç Zogaj apo Frrok Çupi.
* * *
Ish-presidenti nuk ruan kujtime vetëm për Sali Berishën, por edhe për Fatos Nanon, të cilin e ka caktuar vetë kryeministër në vitin ’91 kur ishte kryetar shteti.
“E kam njohur Nanon edhe para periudhës së pluralizmit në Shqipëri. Kisha mendimin se ishte një ekonomist i zoti, njeri energjik. Ndërsa kur ishte në krye të qeverisë, në periudhën që unë isha president i vendit, e kam ndjekur më nga afër dhe e vura re që mori tiparet e një drejtuesi kompetent, që sipas mendimit tim, angazhoi të gjitha forcat dhe energjitë e tij që periudha e tranzicionit të kalonte me sukses. Më pas, historia jonë e njohjes ka vazhduar gjatë ditëve të burgut. Megjithatë, Fatos Nano ka fituar mjaft popullaritet. Fakti që edhe populli dhe elektorati i PS e zgjodhi në krye të partisë, e tregon fare mirë këtë”, thotë Ramiz Alia.”Por është e vështirë të them nëse është i njëjti edhe tani, pasi nuk e kam vërejtur nga afër aktivitetin e tij. Janë kohë të reja, situata të tjera dhe njerëzit detyrimisht ndryshojnë. Nano besoj se në këtë periudhë ka mbi supe një barrë të madhe që lidhet me trashëgiminë që i la Berisha kur iku nga pushteti. Përveç kësaj Nano duhet ta ketë të vështirë sepse ai ka marrë mbi supe barrën e qeverisë në radhë të parë dhe të partisë gjithashtu. Mund t’i them vetëm: Daltë faqebardhë!”