Redi Sejamini: Ajsbergu fajde
(Botuar me 12 Prill 1998 në KOHA JONE)
Nga Redi Sejamini-
Zbulohen rreth 165 milionë dhrahmi (540 mijë USD) në llogari të emrit misterioz, “VEFA-ALBA-KUBAN” dhe 400 mijë USD të depozituara nën emrin e tij personal, Vehbi Alimuçaj, përkatësisht në dy llogari bankare, në bankën e Kursimeve dhe atë Italo-Shqiptare. Këshilli i Mbikëqyrjes së Fajdeve bëri të ditur dje për shtypin se me fillimin e fazës së dytë të transparencës janë zbuluar llogari bankare personale,- jo në emrin e kompanisë të presidentëve të pesë kompanive të para huamarrëse. Këto të hapura me qëllim prej tyre, për t’iu shmangur kontrollit dhe procesit të transparencës.
Pas përfundimit të fazës së parë të transparencës, sipas komisionit qeveritar për transparencën, përballë një detyrimi prej rreth 380 milionë USD ndaj kreditorëve, në total depozitat bankare të pesë kompanive të para, të vendosura nën administrimin e Deloitte & Touche, nuk i kalonin 11 milionë USD. Nga të cilat 7 milionë USD u përkisnin depozitave bankare të huamarrëses VEFA. Por me sa duket këto nuk janë të vetmet para që disponojnë presidentët e huamarrësve shqiptare. Për më tepër kompania VEFA dhe presidenti i saj Alimuçaj, rast të cilin Këshilli i Mbikëqyrjes e vlerëson si më tipikun ndër huamarrëset shqiptare, konfirmon faktin që kompanitë rentiere kanë kryer veprime financiare në dëm të interesave të kreditorëve. Gjetja e llogarive të reja së fundi e ilustron më së miri këtë, ku në kundërshtim me të gjitha ligjet kontabël, Alimuçaj, ka krijuar të ashtuquajturin “fond i presidentit”.
Ndërkaq, depozitat e zbuluara tani së fundi, ndodhen nën administrimin e Këshillit të Mbikëqyrjes dhe do të përdoren për shlyerjen e kreditorëve të kësaj kompanie, sqaron Këshilli i Mbikëqyrjes së Fajdeve. Por këto nuk janë të parat dhe të fundit llogari, që fshehin paratë e mijëra kreditorëve. Sipas Këshillit të Fajdeve, vetëm gjatë periudhës janar-mars ’97, ndërsa ekzistonin sanksione bankare, Alimuçaj ka shpërndarë në mënyrë të paligjshme në shtatë persona fizikë rreth 140 milionë USD. Depozita të cilat më pas ai i ka përdorur për interesat e veta duke bërë edhe pagesa të paligjshme. Gjithsesi, procesi i cili do të zbardhë më së miri të gjitha transfertat dhe lëvizjet e parave, që kanë bërë gjatë gjithë lulëzimit të tyre huamarrëset, është auditingu, i cili sapo ka nisur zbatimin. Ky proces i cili do të drejtohet nga kompania e huaj Cooper & Lybrands, me financimin e bankës Botërore, do të përfshijë edhe zbardhjen e depozitave bankare që “presidentët e këtyre kompanive kanë çelur në banka jashtë vendit”, përfundon Këshilli i Mbikëqyrjes së fajdeve duke kërkuar për këtë edhe ndihmën e të gjithë atyre që kanë dijeni dhe punuar për huamarrëset. Një ecuri e tillë tregon se në një të ardhme të afërt do të shtohen shanset që kreditorët e këtyre kompanive të marrin prej kapitalit të mbetur të tyre më shumë nga sa mendohej në një moment të parë.
Flet Vehbi Alimuçaj
Cili është komenti juaj për deklarimet e fundit të Këshillit Qendror të Mbikëqyrjes dhe të kompanisë Deloitte & Touche?
Është shkelje e rëndë ligjore të emërtosh hajdutë, drejtues të kompanive dhe njerëz të tjerë, që kanë punuar pranë këtyre kompanive e vazhdojnë të punojnë. Ata nuk janë “grabitqarë” dhe nëse dikush ka përgjegjësi konkrete, do të jetë drejtësia kombëtare dhe ndërkombëtare që do të vërtetojë saktësinë e deklarimeve dhe akuzave të papërgjegjshme të zotërinjve Arapi dhe Cameron, të cilët do të përgjigjen penalisht. Janë të tjerë emra konkretë ata që kanë përfituar padrejtësisht, të mbështetur nga segmente shtetërore, duke tërhequr shuma të konsiderueshme nga bankat e kategorisë së dytë, krahas kapitaleve që i kanë tërhequr disa herë në formë interesash. Kanë rimarrë kapitalet, interesat për gjithë vitin dhe shpenzimet gjyqësore, nën hundën e D&T, që gjoja mbron kreditorët.
Llogaria e firmës ALBA-KUBAN-VEFA nuk ka qenë e fshehur, pasi s’ka si të ketë llogari të fshehur brenda ligjeve të shtetit dhe rregullave bankare. Firma është e regjistruar në Gjykatën e Tiranës dhe këtu s’ka asgjë për t’u befasuar. Publiku nuk duhet të besojë asnjë deklarim të papërgjegjshëm servirur nga kushdo qoftë. Katastrofike është që në një letër dërguar filialeve të VEFA-s nga D&T, pa asnjë hezitim thuhet se në këtë kompani do të pushohen nga puna 700 punonjës e specialistë. Kuptohet që D&T dhe qarqe të tjera i kanë vënë vetes detyra dritëshkurtra, për të mos thënë dashakeqe, në kurriz të shqiptarëve për arsye të interesave të ngushta vetjake të tyre dhe për përfitime të pamerituara nga shitjet e objekteve.
Por për të arritur deri në shitjen e pronave të kompanive, do të duhet shumë kohë dhe këtu gjykatat duhet të bëjnë kujdes e të mos u hapin rrugë shkeljeve të reja ligjore dhe nëpërkëmbjes të të drejtave njerëzore dhe të pronës. Gjëja më e mirë që do të bënte z. Arapi bashkë me z. Cameron, do të ishte sigurimi dhe likuidimi i kreditorëve në një kohë rekord me 100% të kapitaleve dhe nëse nuk janë të zotët ta bëjnë, të lejojnë VEFA-n të punojë dhe të shlyejë kreditorët 100%, të ruajë vendet e punës dhe të rihapë vende të reja.
Flet Farudin Arapi
Si i vlerëson Këshilli i Mbikëqyrjes dy llogaritë bankare të zbuluara së fundi, në emër të presidentit të kompanisë VEFA, Vehbi Alimuçaj dhe shoqërisë ALBA-VEFA-KUBAN?
Të dyja këto llogari janë të paligjshme. Llogari që realisht nuk mund të krijohen, sepse të dyja ato janë vlera financiare, të cilat kreditorët i investuan në kompaninë VEFA dhe jo në llogaritë personale të drejtpërdrejta, krijuar nga ish-presidenti i shoqërisë VEFA. Kështu që të dyja këto llogari janë ngrirë dhe bllokuar për interesat e kreditorëve.
Llogaritë e reja të kompanisë VEFA janë të parat dhe të fundit apo ekzistojnë edhe të tjera të fshehura?
Faza në të cilën ka hyrë transparenca është vetëm fillimi i identifikimit dhe verifikimit të të gjitha veprimeve financiare që kanë shpërbërë llogarinë kryesore, bazuar në vlerat e investuara prej kreditorëve.
A ekzistojnë të tilla llogari bankare të çelura nga presidentët e kompanive të tjera huamarrëse jashtë vendit?
Në kuadrin e fazës së dytë të transparencës, ne po bashkëpunojmë dhe kemi të dhëna të sakta që një pjesë e vlerave financiare të këtyre kompanive është nxjerrë jashtë vendit. Për këtë jemi duke investiguar për persona konkretë që kanë vepruar nëpërmjet transfertave financiare në formë “cash-i”, për dhënien e llogarisë financiare bankare, ku ato janë vendosur. Kjo me mbështetjen e organeve të Prokurorive të vendeve, ku janë depozituar paratë e kreditorëve shqiptare.
A ka shifra paraprake për vlerat financiare të këtyre depozitave?
Tani për tani nuk mund të bëjmë publike asnjë shifër, por me përfundimin e këtij procesi do të publikohet gjithçka mbi rezultatet.
A mendoni se zbulimi dhe bllokimi i të gjitha depozitave bankare të fshehura, brenda dhe jashtë vendit, përbën një mundësi reale për kompesimin e plotë të kreditorëve?
Ky është preokupimi dhe detyra jonë ligjore. Si fillim ne po punojmë për riatdhesimin e të gjitha depozitave jashtë vendit dhe bllokimin e atyre, në dobi të interesave dhe shlyerjes së kreditorëve. Do të shtoja gjithashtu, se jemi duke bashkëpunuar me ekspertët e huaj dhe vendas për zbardhjen e të vërtetës dhe vënien para përgjegjësisë të gjithë atyre, që kanë abuzuar me paratë e popullit./REDI SEJAMINI/