Redi Sejamini: Transparenca e fajdeve në stacionin e fundit. Sot dueli VEFA – Qeveri në gjykatë
(Botuar me 16 Tetor 1997 në KOHA JONE)
Nga Redi Sejamini-
TIRANË- Sot në Gjykatën Kushtetuese të kryesuar nga Rustem Gjata pritet të zhvillohet seanca gjyqësore për ligjin e transparencës pas padisë së bërë për të si antikushtetues nga kompania VEFA. Objekt kryesor është Neni 7 i tij, që përcakton vendosjen, të drejtat dhe detyrimet e administratorëve pranë firmave që kanë marrë hua nga publiku. Qeveria nuk i trembet gjykimit të Ligjit të transparencës në Gjykatën Kushtetuese. “Jemi të bindur se Gjykata Kushtetuese nuk do ta hedhë poshtë ligjin e transparencës. Nuk ka asnjë shkelje të dispozitave Kushtetuese në atë ligj, si kundër pretendon kompania VEFA”,- deklaroi dje për KJ, Farudin Arapi. Me mandatin e mbikëqyrësit të lartë të transparencës së fajdeve dhënë nga Qeveria Nano, dje, nisur nga padia e VEFA-s në Gjykatën Kushtetuese, ai ka komentuar: “Edhe sikur një gjë e tillë të ndodhë atëherë nisur nga gjendja në të cilën ndodhet VEFA përballë detyrimeve që ka, do të gjendet një formë tjetër ose një ligj tjetër për të bërë transparencën. Shmangie nga transparenca nuk do të ketë.”
Padia e ngritur prej kompanisë VEFA ndaj ligjit të transparencës insiston në nenin 7 të këtij ligji. Ky nen përcakton me vendosjen e administratorëve pranë firmave që kanë marrë hua nga publiku i gjerë dhe plotësojnë kushtet për kontroll. Dhe pikërisht me të drejtat dhe detyrimet që kanë këta administratorë në kryerjen e transparencës.
Kjo padi u bë paralelisht me atë të ngritur në Gjykatën e apelit, por në ndryshim nga e para në këtë gjykatë u apeluan ndaj vendimit të qeverisë që emëronte administratorët e përkohshëm pranë VEFA-s. Padia e ngritur prej VEFA-s ndaj Qeverisë në Gjykatën e Apelit fitoi. Ndaj një vendimi të tillë të Apelit, prokuroria e kësaj gjykatë për gjykim të padrejtë bëri ankim në Gjykatën e Kasacionit. Së shpejti, në ketë gjykatë të lartë pritet gjykimi, ndërkohë që sot Gjykata Kushtetuese do të vendosë në lidhje me drejtësinë e Ligjit për kontrollin ndaj personave fizikë dhe juridik që kanë marrë hua nga publiku i gjerë. Ky ligj u hartua nga Ministria e Financave në Qeverinë e Pajtimit me mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Miratimi dhe dekretimi i tij u bë nga parlamenti i ri dhe Presidenti i Republikës Meidani, mbas një sërë refuzimeve që i bëri dekretimit të tij paraardhësi i tij, Sali Berisha.
REDI SEJAMINI