Regjisori Kujtim Çashku: Tempulli i artistëve janë veprat e tyre

(Botuar me 10 korrik 1999 në KOHA JONE)

Intervistë me regjisorin Kujtim Çashku-

Aktualisht po vazhdon një debat i madh në faqet e shtypit për kulturën. Mendoni se kultura është në krizë, dhe se disa iniciativa të ndërmarra nga ministri i kulturës z. Edi Rama (i cili është shndërruar në target të artistëve dhe shkrimtarëve) po e thellon më tej këtë krizë, apo kemi të bëjmë me një fenomen normal të një procesi zhvillimi?

Koncepti kulturë është i gjerë. Unë do doja të specifikoja kulturën artistike, krijimtarinë e shkrimtarëve dhe artistëve. Shpesh, në të folurën e përditshme, biem viktima të konotacionit të fjalëve. Për fjalë të njëjta kemi kuptime të ndryshme. Kultura artistike ka ligjësitë e veta. Mekanizmi i saj orientohet dhe drejtpeshon për nga universalja sesa nga konjuktura. Talenti dhe krijimtaria e shkrimtarit apo artistit nuk lidhet me etapa, nisma, apo tranzicione. Dihet, se dhe në kohët më të errëta të inkuizicioneve, diktaturave apo totalitarizmave ekstreme, kanë ndriçuar talente dhe janë shkruar libra. Talenti është dhunti, është dhuratë e shenjtë hyjnore dhe nuk bën pjesë në botën vdekatare. “Uni” artistik është privilegj dhe vetëflijim. Është përjetësim dhe njëherësh ndëshkim. Artisti apo shkrimtari në vetvete, është një tiran, por i një lloji tjetër. Ai nuk shtyp dhe vret, por pushton përmes kodeve estetike dhe vetëdijesimit të shoqërisë. Jo rrallë, kjo “tirani e së bukurës” shtypet nga specia tjetër e tiranisë gjakatare, në emër të sistemit shoqëror, shtetit apo politikës së ditës.

Jo pak talente janë flijuar përgjatë kalvareve të historisë. Për sa i përket raportit krizë shoqërore dhe asaj kulturore, duhet bërë dallimi se, në krijimtarinë artistike, kriza shoqërore përthyhet jo rrallë si burim inspirimi ku evidentohen fate e fenomene njerëzore. Kështu që termi krizë shoqërore merr një kuptim tjetër për artistin. Në këtë kuptueshmëri pyetja shtrohet ndryshe, mes raportit të krizës shoqërore dhe kulturës. Pas monizmit nisën një sërë reformash dhe ristrukturimesh.

Unë dua të ndalem në reformat në kulturë, të cilat nuk mund të jenë të së njëjtës dinamikë me ligjet e tregut. Arsyeja e parë janë ligjësitë e ndryshme që shpjegova më lart mes konjukturales dhe universales. Arsyeja e dytë është se dhe vende të fuqishme në botë, tregun kulturor e kanë deficient. Dhe e treta çka është dhe më e rëndësishmja, është interesi strategjik i çdo vendi që të ruajë identitetin e vet kulturor e kombëtar.

Nisur nga këto pikëpamje, çdo ç’përpjesëtim i raporteve të sipërpërmendura mund të rrezikojë qëllimin final të reformës. Më konkretisht, reforma nuk mund të konceptohet si një nisje nga “hiçi”, sikur vajtojnë një pjesë e kontingjenteve të bisnesoqaramanëve të kulturës shqiptare. Reforma është proces dhe jo stacion. E rëndësishme është tendenca, kahja dhe relativizmi i saj, duke adminsturar jo strukturat e mbetura apo hierarkitë e imponuara ideologjike, por duke nisur nga filozofía që “asgjëja buron nga “hiçi” dhe “hiçi pjell asgjënë”.

Pas shembjes së totalitarizmit në Shqipëri, nisi një sulm dhe një trysni histerike, si inerci e shembjes ideologjike ndaj patrimonit kulturor dhe u kalua në një mohim tërësor. Në thelbin e vet, kjo histeri udhëhiqej nga njerëz që pas shembjes së ideologjisë komuniste, zbuluan krizën e identitetit të vetvetes. Në ato ditë, më vinte ndërmend, një moment i dhimbshëm nga jeta e skulptorit të madh Odhise Paskali. Në kohët e errëta të Koçi Xoxes u hartuan lista të arrestimeve dhe ekzekutime të disa prej intelektualëve dhe artistëve shqiptarë. Kur makina policore iu drejtua një shkrimtari të njohur duke i kërkuar informacion për plotësimin e dosjes së Paskalit, shkrimtari iu përgjigj: “Më parë se ta arrestoni skulptorin, rrëmbeni një vare në dorë dhe thyejani kokën të “Uriturit”, shkoni në Krujë, shembni monumentin e “Skënderbeut”, hidhni në erë dhe “Luftëtarin e Panjohur” dhe pastaj s’ka më nevojë të ekzekutoni Paskalin. Skulptori vdes kur ekzekutohet vepra e tij”.

Koha e atyre, që me vare në dorë mendojnë se bëjnë reformë, ka vdekur. Jemi në këtë etapë të zhvillimit kulturor, jo sepse vijmë nga filozofía e “hiçit, dhe shkojmë drejt “hiç”-it, por se vijmë nga “diçka”-ja, që na kthjellon se si e ku duhet shkuar më tej. Ministri Rama në iniciativën e reformave që ka ndërmarrë, qëllimin e ka të mirë dhe një pjesë artistësh e shkrimtarësh duhet të çlirohen nga pasionet individuale ndaj tij. Unë mendoj se mjetet dhe gjestet etike që ai përdor janë ataviste dhe ia komprometojnë qëllimin. Unë, sikurse dhe shumë artistë e shkrimtarë të tjerë, jemi pro reformave në kulturë. Por, për fat të keq, Z. Rama këtë bashkësi shkrimtarësh e artistësh pro-reformë nuk i konsideron si bashkudhëtarë. Ndaj sot, ai ka vënë veten në morsën e artit dhe politikës, artit dhe biznesit. Mikut tim sa vjen dhe po i ngushtohet koeficienti i kuptueshmërisë së reformës në kulturë. Reforma nuk bëhet vetëm, duke dhënë me qera mjedise, tulla, apo aparatura. Nuk bëhet duke i treguar me gisht derën e hapur artistëve. Të tëra ato që përmenda më lart nuk vlejnë një grosh pa artistin, për më tepër që Shqipëria s’i ka të shumtë shkrimtarët dhe artistët sa t’i flakë e t’i shporrë tej. Këtë më mirë se kushdo duhet ta kuptojë miku im Rama sesa ministri Rama.

Në duelin mes shtetit dhe artistit, ai duhet të jetë me artistin dhe jo me shtetarin. Reforma nuk bëhet pa krijuar klimë, ekip, kushte e struktura përkatëse. Shtetari nuk duhet të vetëviktimizohet apo të vetëkryqëzohet përballë artistëve. Kur një njeri nis të mbetet vetmitar në rrugën e vet, ai duhet të ngrejë dyshim jo ndaj të tjerëve, por ndaj vetvetes.

Shkrimtarët dhe artistët e vërtetë janë të parët të interesuar për reforma, mbasi ata janë nga më të varfrit, si rezultat i barazitizmit dhe totalitarizmit të gjatë e të mundimshëm që kaluan mbi supe.

Nga ana e z. Rama është gjetur një investitor strategjik, kompania “2 K” së cilës i janë dhënë dhe një pjesë e mjediseve të Albafilmit me qira. Gjatë parashtrimit të projektit, ju keni braktisur sallën, i pasuar dhe nga kineastë të tjerë. Gjesti juaj ka hedhur dyshime mbi këtë ndërmarrje.

Personalisht nuk kam asnjë paragjykim ndaj kompanisë në fjalë, madje mund të them se përshëndes çdo lloj iniciative në këtë drejtim. Ajo që më brengos nuk ka të bëjë vetëm me këtë kompani, por dhe me kompani të tjera investimesh këtu në Shqipëri, të cilat lidhin fatet e tyre me garnitura politike dhe si të tilla falimentojnë menjëherë sapo bie garnitura që i mbështet. Përgjithësisht kompanive tona u mungon transparenca e origjinës së burimeve financiare. Deklarimi i aktiviteteve prodhuese që ato kryejnë. Sistemi bankar nuk garanton dhe nuk u paraprin në fushën e investimeve. Nuk ushtron kontrollin e nevojshëm mbi paratë që qarkullojnë. Aktivitetet në fjalë mbartin gjithnjë mbi vete riskun e spekulimit apo të falimentimit pa pasur asnjë garanci. Unë inkurajoj iniciativën e “2K” që i është drejtuar kinemasë. Nuk është objekti im aktiviteti i njërës apo tjetrës kompani. Janë mekanizma të tjerë shtetërore që merren me fushën e investimeve. Për mua i rëndësishëm është zbatimi i ligjit te kinematografisë, i cili nuk lejon ndryshimin e destinacionit të objektit.

Për sa i përket Albafilmit, dikur i kam shfaqur një mendim z. Rama lidhur me strategjinë e mëtejshme të reformës në kinematografi. Për përkrahjen që u duhet dhënë krahas investitorëve të mundshëm, edhe shtëpizave të vogla private të prodhimit direkt të filmit, të cilat nuk kanë karakter investues në Albafilm, por karakter manaxherial të projekteve filmike. Një përkrahje do të ishte dhënia në përdorim nga një zyrë modeste në hapësirat e pafundme te Albafilmit, për një afat të përcaktuar me një rregullore të brendshme ose kontratë. Praktika të cilat janë zbatuar me sukses në Poloni, Çeki e gjetkë. Ky mund të ishte një faktor nxitës në konkurrencën e tyre të lirë. Këto 10 shtëpiza aktuale do të vetëseleksionoheshin përmes aktivitetit që do të kryenin dhe për rrjedhojë do të mbeteshin tre-katër syresh, çka do të ish normale për prodhimin tonë kinematografik. Kjo do të bënte që të ruhej klima e bashkësisë së kineastëve, tashmë jo si rrogëtarë të dikurshëm të çatisë Kinostudio, por si konkurrentë të lirë privatë. Ambiciet e bukura të këtyre shtëpizave filmike, nga aktiviteti i prodhimtarisë që do të kryenin, do të shlyenin njëherësh dhe detyrimet financiare ndaj Albafilmit për zyrat e vena në dispozicion të tyre.

Realisht a është kryer një reformë në arte dhe kulturë që pas shembjes së diktaturës në Shqipëri?

Mendoj se po. Baza e reformës është, së pari, kuadri ligjor. Po t’i referohemi kinematografisë, ka disa vite që është miratuar një ligj i parametrave Evropiane. Ky ligj krijon premisat integruese të zhvillimit kinematografik shqiptar, krahas kinematografike të tjera perëndimore. Është krijuar një institucion i miratimit të projekteve, i cili për momentin subvencionohet nga buxheti i shtetit, por që në të ardhmen e afërt duhet të gjejë forma për të mos mbetur vetëm me këtë subvencion. QKK mbulon një pjesë të realizimit të projekteve të miratuara, mbasi pjesa tjetër plotësohet nga burime të dyta e të treta. Tendenca duhet të shkojë drejt minimizimit të parasë shtetërore dhe maksimizimit të burimeve të tjera. Të tilla mund të ishin lotaritë e telebingove kombëtare, televizionet publike e private, përqindjet e burimeve nga shitja e biletave, çlirimi nga taksat e biznesmenëve që subvencionojnë projekte kulturore, institutet e fondacionet e ndryshme kulturore brenda dhe jashtë vendit etj. Këto forma kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin rezultate në perëndim. Konkretisht: prodhimi kinematografik anglez mbulohet nga lotaria kombëtare angleze; prodhimi kinematografik francez, pjesërisht mbulohet nga shitja e biletave të sallave të kinemasë. Kuadri ligjor ekzistues për kulturën mund të plotësohet me amendamente shtesë që vijnë në ndihmë të prodhimit kinematografik, por dhe të arteve të tjera, dhe në këtë pikë z. Rama dhe Komisioni parlamentar i kulturës mund të luajnë një rol të rëndësishëm. Nuk mund të jenë e njëjta taksë e TVSH në aktivitetet dhe prodhimet kulturore, njëlloj si në aktivitetet dhe produktet e tjera të biznesit shqiptar.

Kinostudio e dikurshme është ristrukturuar në katër kolona kryesore, të pavarura nga njëra-tjetra. Projekti (QKK), Servisi (Albafilm), Arkivi Qendror dhe Distribucioni, i cili është fleksibël ndaj çdo subjekti të licencuar për këtë qëllim. Gjatë kësaj kohe, janë krijuar bërthamat e para të shtëpizave të filmit, që përmenda me lart, ku producenti është figura kryesore, i cili nuk ka para, por ai krijon montazh financiar dhe udhëheq projektin. Deri tani janë realizuar katër bashkëprodhime me vende të huaja, çka është e pakrahasuar për nga numri dhe koha me fqinjët tanë. Nuk duhet harruar se kinematografía jonë është thuajse krejt e panjohur në botë.

Në Servisin-Albafilm, ku është përqendruar industria e prodhimit të filmit, aktualisht punojnë një numër i kufizuar specialistesh në shërbim të prodhimit aktual kinematografik. Në të, nuk është problemi i mureve të amortizuar, por i një pjese teknologjike jokompetitive dhe të prapambetur, e cila nuk u shoqërua hap pas hapi me investime gjatë tranzicionit. Vëmendja u përqendrua vetëm te prodhimi, dhe jo njëherësh tek investimi. Ky ishte një gabim. Ndodhi që filma u realizuan, dhe kjo ishte pozitive, ndryshe do të ishte, dy herë tragjike, sepse do të ndalej ingranazhi krijues, por ndërkohë industria mbeti pas. Them se është ende koha për ta korrigjuar këtë gabim, duke respektuar formulat e ligjit të kinematografisë, ku shteti ka 51% të aksioneve dhe nuk të lë shteg për të ndërruar destinacionin e objektit. Në kushtet e reja gjeokulturore, ku hapësira shqipfolëse merr një përmasë të re, një sërë artistësh të kinematografisë do të koordinojnë punët e Podgoricës e Tiranës. Kështu që, ia vlen një investim strategjik në industrinë e filmit, i cili do të krijojë dhe tregun e mundshëm në të ardhmen e afërt me hapësirat e reja të krijuara. Në këtë aspekt shteti për një periudhë, mund të përdorë dhe formulën e “Cinecitas” duke ruajtur 100% të aksioneve, ashtu sikurse i ka sot, për një interes strategjik kulturor ku Albafílmi mund ta mbulojë gjithë këtë hapësirë. Një tjetër argument për domosdoshmërinë e investimit është dhe strategjia e integrimit të kulturës evropiane e cila shkon drejt diversitetit e jo drejt hegjemonizmit kulturor. Në këtë diversitet padyshim se kultura shqiptare do të ketë ngjyrën e konstelacionit të vet evropian.

A mendoni se reforma që po realizohet në kinematografi është e aplikueshme dhe për Teatrin Kombëtar dhe atë të Operas dhe Baletit?

Elementi bazë i reformës është projekti dhe kontrata individuale e artistit, dhe jo rroga apo “lopa shtet”. Problemi duhet pozuar ndryshe, nuk është qëllimi se si nën ombrellën e rrogave të shtetit të vazhdojmë të mbajmë gjallë mediokritetin, mbasi ne artistët shqiptarë e dimë më mirë se kushdo tjetër se çdo të thotë ky fenomen. Ajo që duhet përmbysur sa më parë është mentaliteti dhe konsiderata për shpërblimin e produktit artistik. Dhe kjo duhet realizuar jo nga mëshirshmëria e shtetit ndaj artistëve, por, së pari, nga vlerësimi që kanë artistët ndaj veprës së tyre. Dikur një tablo e një piktori shitej për njëzet dollarë. Një biletë teatri ose opere kushton më pak se një dollar. Një libër po kështu. Të gjitha këto çmime të produktit artistik nuk kanë asnjë korrespondencë me çmimet dhe produktet e tjera të tregut.

Për sa i përket teatrit, nuk duhet konfonduar debati rreth godinës me kuadrin ligjor të reformës. Dhe as objeksionet individuale ndaj ministrit Rama të ndonjë artisti me dy çështjet e para. Janë probleme të ndryshme të cilat shpesh ndërthuren me qëllimin për të stopuar reformën. Në të përzihen sentimente e nostalgjira të pranueshme dhe krejt te kuptueshme, me elemente që duan të mbijetojnë si inerci e strofullave të kohërave të shkuara. Në mjedisin aktual ku është godina e teatrit kombëtar, ka vend të bollshëm për të ndërtuar një teatër të ri, qoftë dhe aty ku sot zhurmojnë bingomanet. I vjetri mund të ruhet me një rikonstruksion modest për t’u shndërruar në një muze dhe arkiv të artistëve të skenës, së bashku me oborrin e qiparisave, të atyre që punuan për dekada të tëra në atë skenë. Godina e vjetër mund të mbetet një relike e bukur e kohërave.

Gjeja më e lehtë që na vjen në mend ne shqiptarëve është të prishim dhe të shembim reliket e vjetra, kur bota ruan dhe kasollet mesjetare krahas arkitekturave moderne. Për sa i përket shtetit, ai duhet të vetëdijesohet një orë e më parë ndaj përqindjes së buxhetit që akordon në tërësi për kulturën. Ai duhet ta kuptojë thellë, se duke investuar më shumë për kulturën, do të kemi me pak burgje, me pak kriminelë, dhe do të çlirohen më shumë energji në drejtim të zhvillimit të ekonomisë dhe shoqërisë civile. Janë idetë të parat, ato që emancipojnë kushtet shoqërore. Është e pamundur të udhëhiqemi në vazhdimësi nga slogani materialist i mbushjes njëherë të barkut, pa pastaj mendojmë për kulturën. Ky slogan u provua në këtë fund shekulli duke lënë barkzbrazur dhe në terr një pjesë të mirë të globit. Janë idetë, individët dhe elitat, që emancipojnë popujt, sikurse janë fatkeq ata popujt, që nuk krijojnë elita, por i shtypin dhe i asfiksojnë ato.

Ju i referoheni shpesh individit dhe bashkësisë, le të kalojmë në një plan më personal, a e ndjeni ju vetë si individ, se shoqëria shqiptare është në gjendje të krijojë një bashkësi apo elitë, po të përdorim termin që ju propozoni, në kushtet e klimës së nxehtë politike që ekziston tek ne?

Personalisht përpiqem të miradministroj energjitë e mia. Të zbuloj prioritetet dhe të seleksionoj në maksimum “vrimat e zeza”, që të përpijnë e të tjetërsojnë. Unë, himn të jetës kam punën, pastaj vij unë, familja dhe bashkësia ku jetoj. Për fat të keq, dy nga gjërat më të çmuara të botës, Koha dhe Jeta e njeriut, janë ende nga më të lirat në Shqipëri. Njerëzit pamëshirshmërisht vrasin kohën dhe njeri-tjetrin. Kjo është brengosëse për të gjithë ne. Shqipëria e momentit është një kaos pozitiv. Çdo ditë secili nga ne duhet të bëjë përpjekje për të mos qenë pjesë e kaosit, por e pozitivitetit.

Në faqet e shtypit çdo ditë ndeshen gladiatorët e star-politikanëve shqiptarë, krimit dhe mashtrimit. Njëherësh gazetat dhe mediat kanë krijuar një botë krejtësisht artificiale dhe mashtruese. Çudia e madhe qëndron tek etja e popullit për të blerë gënjeshtra me ato pak kacidhe që mban në xhep. Dëshira shfrenuese për t’u vetëmashtruar qoftë edhe pas rënies së skemave piramidale është enigmatike. Disa herë pyes veten për shkakun e kësaj epidemie.  A është vallë inercia e së shkuarës, vetëmashtrimi i dikurshëm ideologjik që rigjeneron këtë fenomen?! A është prapambetja shekullore dhe shkalla relative e civilizimit? Apo të jetë ky një virus i patologjive kolektive të cilat, verbërisht, më parë se vetëdijesimin e individit dhe të bashkësisë, kanë në preferencë vuajtjen e përbashkët mazohiste dhe vetëmallkimin?

Shpesh këto dilema mbeten pa përgjigje, mbasi ende nuk janë bërë objekt studimesh të psikologjisë sociale. Dhe atëherë kur i jemi referuar i kemi përthyer këto dukuri në gjuhë politiko-ideologjike e populiste. Arsye tjetër e kaosit pozitiv është beteja mes 68% të krenarisë së dikurshme fshatare e cila aktualisht po zbret drejt zonave urbane, por jo thjesht dhe vetëm me shatin, trastën dhe purtekën e bariut në dorë, por me kostumin e kollarisur të politikanit dhe me Benzin e shndritshëm të bizneso-trafikantit, i cili jo rrallë gjendet në parlament, në gjykatë, parti apo qeveri. Kudo po ngrihen vila e pishina, por brenda ende është provinciali dhe fshataraku i ankthueshëm. Peizazhi shqiptar, në veçanti ai kryeqytetas, i ngjan fshatit të madh Taraphan dhe jo kryeqytetit Tiranë. Dhe pse e quaj kështu, përsëri them se Tirana-Taraphan është një kaos pozitiv.

Për momentin është mbytur sjellja, etika, morali dhe estetika qytetare dhe në mënyre spontane është pranuar sfida që sjell një baticë e tillë. Shqetësimi lind te tendenca, për të krijuar peizazh oriental. Madje shpesh thuhet, se ne s’jemi as lindje as perëndim, as orient as oksident, dhe reduktohet gjykimi te të quajturat interesa strategjike e ekonomiko-politike të vendit. Një pjesë syresh, japin interpretime religjioze, duke i atribuuar Shqipërisë një statistikë artificiale të mazhorancës islamike. Dhe të thirrurat e altoparlantëve në kupë të qiellit, ende pa zbardhur dita i interpretojnë si tolerancë ndaj orientit. Madje prezencës islamike i atribuojnë vlera proteksionizmi ndaj hegjemonizmit ortodoks apo katolik, duke harruar se kultura dhe civilizimi janë shumë më të gjëra se sa segmenti religjioz i saj.

Rilindësit tanë, dolën nga terri otoman me alarmin dhe platformën e oksidentalizmës, te “… dritës që len nga perëndon” dhe ndërrimit urgjent të mënyrës orientale të jetesës së shqiptarëve. Personalisht nuk ushqej asgjë kundra kulturës orientale, përkundrazi çmoj pasurinë e saj, atje ku ajo ndodhet, por nuk mundet që në mënyrë të dhunshme t’ia imponojmë gjeneratave që vijnë pas, atë që nuk u takon duke iu referuar gjeo-kulturës së dikurshme të pushtimit otoman. Në faqet e shtypit vazhdon ende dihatja e rendë e star-politikanëve shqiptarë orient-oksident, si të ishin në një botë jermi, dhe përmenden vetëm atëherë kur perëndimi dërgon djemtë e vet për t’u vrarë në mbrojtje të interesave të shqiptarëve, ose atëherë kur perëndimi hap dyert e bankave të veta për atë popull të cilin e konsideron pjesë të infrastrukturës së vet shpirtërore. Kjo është papërgjegjshmëri e thellë politikanësh, që bie ndesh me strukturën e shtetit perëndimor që ka zgjedhur populli shqiptar, duke ndarë tre pushtetet dhe duke konsakruar laicitetin e plotë të vendit. Për fat të keq, armiku i Shqipërisë janë vetë shqiptarët. Të bëhemi një çast esëll dhe të mos flakim tej fatin e vetvetes. Nuk është rasti të bëj objekt fatet e humbura të Shqipërisë për gjatë rrjedhave të historisë. Ajo që më intereson më shumë është e ardhmja dhe jo vetëviktimizimi në rrjedhat historike.

Nga fjalët që thoni duket sikur klasës politike i mungon një përgjegjësi dhe ndërgjegjësim i tillë ndaj fatit historik.

Nuk mund të përgjithësoj dhe të arrij në një konkluzion të tillë, por e vërteta është se dinamika e saj është e prapambetur dhe nuk korrespondon me dinamikën e zhvillimit të ngjarjeve të fundit. Energjia që e dominon klasën politike shqiptare është “sherrosja e pambarimtë” dhe kjo është tragjike. Ndërkohë që ata sherrosen natën, sapo zbardh dita populli lexon në faqet e shtypit listat e të vrarëve, të mbyturve e të grabiturve. Statistika të cilat korrespondojnë me numrin e viktimave të vendeve që janë në luftë. Pozita dhe opozita e kanë më se të domosdoshme të marrin dhe të ndajnë përgjegjësitë “to share the responsability”. Pjesë e kësaj arene sherromanie janë dhe disa pseudointelektualë, të cilët e kanë biznes të tyre ndërsimin e turmave dhe mallkimin e vendit.

Dhe atëherë kur Chai Wrisë i vihet zjarri, ata hyjnë nëpër strofullat dhe skutat e tyre duke soditur nga larg flakët e saj. Ky klan politikanësh dhe pseudointelektualesh duhet të çmitizohet, të deheroizohet dhe të shfolklorizohet sa më parë. Vetëm atëherë do krijohet hapësira e nevojshme e njerëzve të shkencës, kulturës dhe artit të cilët krijojnë fuzionin real në shoqëri, bashkësi dhe elitë qytetare. Prezenca e tyre, e cila tashmë ndodhet e shtypur nga këta dinozaurë, do të vijë nga periferia drejt qendrës së opinionit publik, sapo ende kanë mbetur idealistë të cilët nuk i kanë thënë përfundimisht “mirupafshim Shqipërisë”.

Le t’i rikthehemi sërish reformës dhe në veçanti debatit që po bëhet në faqet e shtypit për Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe Qendrën e Kulturës Franceze. Ju jeni nga nismëtarët e idesë së qendrave kulturore perëndimore.

Me keqardhje konstatoj se dhe në këtë debat ka një dezinformim të plotë dhe hera-herës një ndërthurje djallëzore me qëllime të mbrapshta e meskine. Çështja e parë ka të bëjë me pronësinë e godinës. Do të jetë kjo godinë në vazhdim, pronë e shoqatës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve apo e Ministrisë së Kulturës, etj?

Personalisht jam që godina t’i mbetet në pronësi Lidhjes dhe jo shtetit. Ajo godinë ka historikun e vet sa të çmuar aq dhe të dhimbshëm. Çështja e dytë lidhet me z. Rama dhe irritimi që ai ka sjellë tek një kategori e caktuar shkrimtarësh dhe artistësh dhe si rezultat i kësaj ngarkese emocionale, është identifikuar iniciativa e ngritjes së Qendrës së Kulturës Franceze me vetë personin në fjalë. Iniciativa për ngritjen e Qendrës nuk ka të bëjë me z. Edi Rama. Ai është një nga 210 intelektualët nënshkrues nga fusha e Shkencës, Kulturës dhe Artit, të cilët dy vjet më parë i dërguan një letër presidentit francez z. Zhak Shirak, ku i kërkonin ngritjen e një qendre Kulture Franceze në Tiranë. Bashkangjitur mund ta botoni dhe letrën që i është dërguar presidentit francez si dhe listën e intelektualëve nënshkrues.

Pas kësaj letre, janë bërë një sërë takimesh specialistësh dhe ekspertësh nga pala franceze me ish-kryetarin e Lidhjes z. Bardhyl Londo si dhe me kryetarin aktual z. Xhevahir Spahiu, rreth idesë së mundshme të bashkekzistencës së Qendrës së Kulturës Franceze me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve brenda godinës së Lidhjes.

Pala franceze do të administronte disa mjedise të godinës, pa qera, përkundrejt investimit dhe rinovimit total të saj. Ndërsa, Lidhja e Shkrimtarëve do të kishte ambientet e domosdoshme për vazhdimin e aktivitetit administrativ dhe kulturor të saj. Një koordinim harmonik interesash kulturore ka dominuar të gjitha takimet deri në momentin që nisi debati për pronësinë e godinës së Lidhjes. Lëshimi i disa mjediseve të godinës së Lidhjes, Qendrës së Kulturës Franceze, kurrë nuk ka patur objeksion pronësie nga pala franceze, gjë e cila është në fuqi dhe sot. Ndaj bashkëbisedimet gjetën përkrahje si nga z. Londo ashtu dhe nga z. Spahiu, të cilët shihnin në këtë ndërmarrje një gjallërim të plotë të Lidhjes. Kjo bashkëjetesë, në radhë të parë, do t’i shërbente shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë, të cilët do të kishin një mjedis të përbashkët kulturor, me metropolin e kulturës evropiane.

Është i dhimbshëm fakti se ku është katandisur aktualisht godina e Lidhjes, duke u reduktuar në një dorë kafenesh dhe diskoteke dhe me suvara që bien çdo ditë. Është fakt i gezueshëm që pala franceze e miratoi një buxhet të konsiderueshëm për rinovimin total të godinës madje posaçërisht për këtë erdhi dhe një arkitekt francez, i cili u prit direkt nga kryetari i lidhjes. Mirëkuptimi ishte i plotë dhe ende nga ana e Lidhjes projekti mbetet i hapur, duke përjashtuar çdo prapaskenë politike. Kjo është procedura serioze që është ndjekur në mes të përfaqësuesve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe palës franceze. Miratimi i buxhetit nga pala franceze për rinovimin e lidhjes ishte problematik mbasi Franca ka kohë që ka ndërprerë ngritjen e qendrave kulturore në botë, por me insistimin dhe ndihmën e kryetarit të komisionit të politikës së jashtme të parlamentit francez z. Zhak Long, si dhe ambasadorit francez në Shqipëri z. P. Christinant, dhe z. M. Tarran e z. I. Beauvois, atashe kulturor pranë kësaj ambasade, u akordua një buxhet i konsiderueshëm nga shteti francez.

Shkurtimisht kjo është e vërteta e gjithë kësaj zallahie, ku nuk munguan fyerjet, etiketimet, interesat meskine, emfatizmat patriotike ndaj pushtimit të tempullit të kulturës dhe u harrua fakti se shkrimtarët dhe artistët tempull kanë veprat e tyre dhe jo muret e gurët e një godine.

Qëllimi i iniciativës nuk lidhet thjesht dhe vetëm me Qendrën e Kulturës Franceze, apo thjesht me godinën e Lidhjes, por me dëshirën për të patur në Tiranë disa qendra kulturore perëndimore dhe jo salla bingo e baraka që fabrikojnë krime e barbarira.

Së fundi, do dëshironim të dinim diçka lidhur me punët dhe projektet që keni në dorë dhe se kur do të vijë ajo ditë që spektatori ynë të shohë në ekran filmin “ Kolonel Bunker”?

Pas pak ditësh do të shfaqet premiera e filmit te ri dokumentar “Lotët e Kosovës”, i cili është vazhdim i dokumentarit të vitit të kaluar “Sytë e Kosovës”. Jam me idenë e realizimit të një trilogjie dokumentareske dhe me dokumentarin e tretë të titulluar “Gëzimi i Kosovës”, dokumentarë të cilët i kam realizuar me mbështetjen e Fondacionit Soros. Në të njëjtën kohë jam në negociata me italianë dhe francezë për skenarin e filmit të ri artistik “ Paranoia”. Për sa i përket shfaqjes së “Kolonel Bunker” shpresoj se së shpejti ta shfaq në kinemanë e re “Millenium”, ndërtimi i së cilës është dhe një kontribut i z. Rama, i cili nuk duhet parë veç bardh e zi. E pres me padurim këtë shfaqje, mbasi filmi është shfaqur në 37 vende të botës, dhe pas tre vjet pritjeje, “Kolonel Bunker” më në fund do të shohë dritën e ekranit shqiptar. Më 28 korrik nis distribucionin në rrjetin komercial Francez. T. Çobani

 

SHKARKO APP