Reportazh/Tiranë-Kalkutë: Udhëtim për në vendin e Shenjtores së Madhe
(Botuar me 17 Shtator 1997 në KOHA JONE)
Reportazh/Tiranë-Kalkutë: Udhëtim për në vendin e Shenjtores së Madhe
Ishte hera e parë që merrja pjesë në një delegacion të nivelit të lartë. Gjatë rrugës për në Rinas vëreja se rruga automobilistike ishte mbushur plot me gardistë. Urat ruheshin si dikur në kohën e Berishës. Ndërsa në aeroport kishin mbërritur para nesh: ministra, zyrtarë e ambasadorë. Bashkim Fino, si gjithnjë provokues e në humor, i drejtohet ministres së Kulturës, Arta Dade: -Do të bëjmë gjithë atë rrugë, me mijëra kilometra. -Unë nuk jam në delegacion-përgjigjet ajo, duke lenë përshtypjen e një gruaje të fyer. Natyrisht që Fino e dinte përbërjen e delegacionit, por për të kaluar ato pak minuta, i drejtohet, gjoja i preokupuar presidentit të Republikës, Meidani: “Unë mendoj që ta marrim Artën, zoti President. Nuk mund të shkojmë pesë burra pa një grua”. Meidani, duke e kuptuar lojën dhe ngatërresën që donte Fino i anashkaloi “sqarimit”.
Dy ministra të tjerë, të mërzitur nga përbërja më pyetën në vesh se kush më futi në listë. Fino, duke dashur që ato pak minuta t’i kalojë me humor, më shkel syrin që të futem në lojën që kurdi ai. Menjëherë sajova diçka dhe fillova t’u shpjegoj dy ministrave:
Isha në gjumë sot paradite kur mbërriti një makiné policie dhe një e presidencës. Si është puna?- i pyeta, por m’u përgjigjen se duhej të shkoja në presidencë urgjent, pasi do të shkosh në Kalkuta në ceremoninë e varrimit të Nëné Terezës. Sapo vajta në Presidencë më thanë se Fino nuk pranon asnjë ministër në delegacion, pasi kështu e ka porositur Nano nga Viena, ndaj do të vish ti. Ore, dakord, se për mua është kënaqësi të vij në Kalkuta, por nuk mund të shkoj para ministrave apo jo, zoti Fino.
-Po, po, Lesi nuk pranoj të shkonte para jush, por kështu ishte porosia nga Lart,- ndërhyri Fino, duke e drejtuar zemërimin e ministrave nga Presidenti. Ministrat e hëngrën, pasi edhe kur mbërriti presidenti ditën e diel nga Kalkuta nuk dolën për ta pritur. Lojën e Finos e pagoi presidenti.
Arritja në Bombei
Pasi kishim udhëtuar nga Rinasi për në Zyrih, menjëherë morëm rrugën e paëndërruar ndonjëherë, atë për në Indi. Ishte një avion i tipit të fundit me 558 vende, i vetmi që mund të përballonte një distancë të gjatë prej 6535 km. Në krah kishim indianë, kinezë dhe malajzianë. Natyrisht edhe të bardhë. Udhëtimi ishte afërsisht 8 orë e 20 minuta. Stjuardesat, fatmirësisht, ishin zvicerane dhe të sojshme.
Në ora 9.30, sipas orës indiane, ose në ora 6.00 të mëngjesit sipas orës shqiptare, ne arritëm të preknim tokën e Indisë, të cilën e kishim parë vetëm në filma. Duke zbritur në aeroport vërejmë një mori të pafund policësh dhe oficerësh, të cilët kishin rrethuar vendin përreth. Dy veturat e delegacionit u rrethuan nga të dyja anët me makina policie, nga dritaret e të cilave dukeshin grykat e ca automatikëve të vegjël. Fino, si gjithnjë në humor, thotë “Si nuk na u ndanë këta automatikët edhe këtu. Boll kishim në Shqipëri. Me sa duket i kanë blerë tek ne…”
Të detyruar për të pritur linjën tjetër të avionit Bombei-Kalkuta, i cili nisej në ora 18.40, sipas orës vendase, preferuam të vizitojmë qytetin e Bombeit, shumë të lakuar si qytet i kontrasteve të mëdha shoqërore. Po ecnim rrugës për në hotelin më të madh të qytetit prej 12.5 milionë banorësh. 45 minuta duke udhëtuar mes përmes qytetit për të arritur në hotel, megjithëse rruga ishte e lirë nga policia. Lëvizja e automjeteve bëhej në krahun e majtë, ashtu si në Angli. Policët mbanin nga një shkop druri afërisht 1.5 metra të gjatë në vend të shkopit të gomës. Sapo hymë në hotel një mori gazetarësh filluan të kërkojnë Meidanin. Të gjithë e dinin se Nënë Tereza ishte me origjinë shqiptare.
Rituali indian na bëri që vajzat e bukura të hotelit të na vinin nga një shenjë të kuqe në mes të ballit si dhe në qafë të varnim një kordon me lule të bardha, Mediani i pari e përballoi ritualin, ndërsa Fino u mundua t’i bëjë bisht, por vajza indiane, siç duket këmbëngulëse për zv. kryeministra, e zbuti dhe pas kësaj në qafën zv. kryeministrit tonë rënduan edhe disa gram lule, si për ta rrumbullakosur peshën e tij trupore nga 80.80 kg në 81 kg! -Atë që s’arriti Berisha për të mposhtur ja, e bëri kjo indiania, që po i vardiset Aleksandër Frangajt, -foli Fino dhe u ul në kolltukun, ku duhej pirë lëngu i një fruti të veçantë, i cili të bënte të nxirrje zorrët. Kudo vinte një erë e rendë, me të cilën nuk u ambientuam edhe gjatë dy ditëve që ndenjëm edhe në Kalkuta. Ishte një klimë e ngrohtë, plot zagushi. Ajri sikur të merrte frymën. Vendasit thonin se kjo vjen nga malet Himalaje, të cilat janë në kufi më Indinë. Ngjyra e lëkurës së tyre përballonte diellin e fortë, por edhe punën e lodhshme. Niveli i jetesës ishte mizerabël.
Anash rrugës kishte vetëm kasolle të mbuluara me plastmasë dhe një lloj mushamaje, e cila u ngjante atyre që përdornim dikur në zboret e fakultetit në Thumanë të Krujës. Sirenat e policisë që na shoqëronin zgjonin nga çdo kasolle mbi 7 fëmijë të vegjël, të cilët luanin duart e vogla dhe tepër të thata, tamam si në filma. Afër mesditës na dërguan në një tip xhamie, e një lloji të veçantë që nuk ishte as e fesë myslimane, por një variant vendas. Hymë brenda. Shoqëruesi nga tha se duhej të hiqnim këpucët se nuk e lejonte feja, paçka se jemi vizitorë.
-Mos i ka ndonjëri çorapet e grisura?! – pyet Fino, duke iu drejtuar presidentit. Njëri pas tjetrit hymë brenda në vendin e shenjtë të vendasve. Pasi ciceroni na shpjegoi mbi 30 minuta historinë e fesë së tyre, na u drejtua me një lloj përulje fisnike: “Ju lutem, si rregull duhet të lini diçka në “Arkën e të Varfërve”. Presidenti shikon Finon, ky i fundit shikon Sandrin dhe mua, shefi i protokollit të presidencës bën me shenjë se i ka në çantë, në hotel dollarët e udhëtimit, ndërsa bodigardi i presidentit kërkon xhepat, por i dalin vetëm 500 lekë të reja shqiptare. -Hajde, fute në arkë atë 500 lekë, se mos marrin vesh se çfarë janë. Ai tha se duhet të lemë para dhe ne para po iu lemë!- tha zv. kryeministri. Ciceroni, me sa duket e kuptoi se ato lekë nuk i hynin në punë, ndaj shpjegoi se “mund të lini edhe dollarë”. Ore, ky qenka qerrata,- vazhdoi Finoi dashka edhe dollarë! Meidani, i pamësuar me djallëzi, u skuq.
Të gjithë mbetëm keq. Përreth “Arkës të Varfërve” u grumbulluan të gjithë në pritje të ritualit të përditshëm. E dija se kisha dollarë me vete, por shpresoja të kisha 5 ose 10 dollarësh. Nuk ishte e thënë. Fus dorën në xhep. Fino qesh, duke m’u drejtuar: “Nikoll e hëngre!” Skena nga serioze u kthye në një shaka, e cila do të na shoqëronte gjatë gjithë udhëtimit. Të gjithë vendasit prisnin të fusja në arkë monedhë vendase. Për fat të keq timin dhe për fatin e mirë të tyre nga xhepi i djathtë nxjerr një 100 dollarësh të mbështjellë me 1000 lekëshe shqiptare. Fytyra e indianëve nga e zeze filloi të rrezatojë bardhësi. Fino shikon presidentin Meidani, duke i picërruar sytë gjithë gëzim me idenë se “e hëngri Lesi”. Aparatet fotografikë të gazetarëve të huaj ishin drejtuar nga unë. S’kisha ç’të bëja. Futa 100 dollarë në “Arkën e të varfërve”! Pas kësaj indianët me rrethuan, duke harruar presidentin dhe Finon. -E hëngri Lesi! – qeshi Fino, duke iu drejtuar indianeve.-Çfarë thatë? – pyeti ciceroni indian. Fino i thotë përkthyesit të delegacionit:“Thuaj se ky është gati të fusë edhe 100 dollarë të tjerë, nëse nuk fyheni ju”. Përkthyesi besnik i punës së tij përkthen pa asnjë ndryshim. Unë, ndërkohë isha nisur të mbathja këpucët, kur shoh, pa e ditur djallëzinë e Finos, që ciceroni më fut krahun, duke me buzëqeshur. Sandri ma bën me shenjë. E kuptova se diçka ka kurdisur zv. kryeministri. Sapo më drejtoi përsëri për tek “Arka” bëra një kthesë të fortë dhe ia dërgova ciceronin, Finos. Kështu mbaroi “spektakli” dhe vizita në Bombei për t’u rikthyer përsëri dy ditë më pas në një “spektakël” tjetër në aeroportin e qytetit, ku ish-presidenti shqiptar, Berisha mbajti kohën rekord prej 45 minuta, me një gazetë para syve vetëm e vetëm që të mos shikonte në sy delegacionin tonë.
Kalkuta: Vendi i Shenjtores së Madhe shqiptare
Kisha dëgjuar dhe lexuar për Kalkutën si vendi i varfërisë. Një qytet mbi 21 milionë banorë, ku gërshetohej kultura aziatike dhe ajo evropiane, nga ku rrezatohej për më tej në drejtim të qyteteve të tjera, ku e gjithë India mbarte 950 milionë banorë. Kudo rrugët ishin mbushur me parulla në mirënjohje të bijës shqiptare me emrin Nënë Tereza. Brenda trupit të vogël të saj ishte një zemër e madhe, e cila derisa vdiq, rrezatoi shpresë, paqe, mirësi. E kisha ndjekur edhe kur kishte ardhur në Tiranë dhe sugjestionohesha me forcën e fjalës së saj, ku miliona vetë në mbarë botën e shikonin atë si njeriun e shpresës.
Por asnjëherë nuk kisha menduar se mund të isha fare pranë saj, kur zemra i kishte pushuar së rrahuri dhe shpirti i udhëtonte prej disa ditësh drejt parajsës.
Në aeroportin e Kalkutës mbërritëm vonë, afër orës 22.00, gjithnjë sipas orës indiane. Monsinjor Rrok Mirdita dhe disa bashkatdhetarë të ardhur nga Tetova, Bostoni, Detroit dhe viset e Malit të Zi na pritën në aeroport. Pastaj nisi udhëtimi për në Kishën e Kalkutës, ku dergjej trupi pa jetë i Shenjtores së Madhe. Presidenti Meidani u bllokua që në hyrje nga gazetarë të shumtë, të cilët e ndiqnin hap pas hapi. Më në fund, pas 10500 km rrugë me avion, ne ishim përballë asaj që dha gjithçka për njerëzit e kësaj bote. Murgeshat i bënin roje në natën e fundit të saj, para se të nesërmen të udhëtonte për atje tek kishte ëndërruar, në parajsë. Ka disa momente që njeriu harron realitetin ku jeton dhe zhytet në botën e përtejme, atje ku do të prehemi të gjithë, paçka se dikush në parajsë dhe dikush në ferr, sipas fesë. Pas 20 minutave largohemi përgjithnjë nga ajo Nënë e madhe, duke medituar për mesazhin e veprës së saj, e cila shkriu jetën për paqen dhe shpresën e njerëzve.
Ish-Presidenti Berisha dhe Presidenti në Bombei
Ceremonitë dhe gjithçka kishte mbaruar që në drekën e së shtunës. Mbetej vetëm kthimi për në Atdhe. Tirana, nga Kalkuta, dukej tepër larg, pafundësisht larg. Vonë, nëpër mjegull, nisemi nga Kalkuta për në Bombei, nga ku do hipnim në avionin e linjës Bombei-Zyrih. Megjithë tensionin që krijoi lëkundja marramendëse aeroplanit, më në fund mbërrijmë në Bombei. Në sallën e lenë enkas për delegacionin shqiptar në aeroport, në pritje të nisjes, u futëm për të pirë një kafe. Sapo ulemi shohim dikë që kishte hapur një gazetë dhe shikonte në drejtim tonin nga një vrimë e gazetës. Frangaj, menjëherë tha: “Doktori”.- Më duket se është Berisha,- tha Fino. – Nuk ka mundësi, -u përgjigj i habitur Meidani, -pasi duhej të na kishte folur kur hymë. -Prit të largoj paksa gazetën se e ka mbuluar krejt fytyrën e ndërhyri zv. kryeministri. -Jo, jo nuk është Berisha, megjithëse flokët i paska si ai. U ngrita dhe u nisa drejt njeriut-gazetë. Shikoj se ishte Berisha. Si je doktor? -i drejtohem dhe ulem ngjitur tij. Ai më shikon, ngre njërën vetull, me jep dorën dhe largon paksa gazetën. Në moment Frangaj fillon të shkrepë aparatin fotografik për të fiksuar këtë moment me ish-presidentin. Vazhdova bisedën me të, por gazetën kurrsesi nuk e largonte nga fytyra, në mënyrë që të mos shikohej sy në sy me presidentin Meidani. Avioni me të cilin ai do të udhëtonte vononte plot 45 minuta, ndaj fillova një bisedë debat me ish-presidentin. Më bëri përshtypje se ai ishte fare vetëm dhe energjia e tij e pashtershme për të qenë vetëm këmbëngulës, nuk kishte sosur.
Në Kalkuta isha informuar me telefon për incidentin e tij në Romë, por nuk preferoi të japë shpjegime. Ishte i lodhur dhe paksa i mërzitur, por bisedën nuk e ndërpreu për asnjë çast. As edhe mbajtjen e gazetës para syve, megjithëse nuk lexonte asgjë. Brenda tij, me sa dukej diçka ziente. Në një moment, presidenti Meidani ngrihet dhe rrugës për në tualet i jep dorën, duke i thënë: “Si je Sali? Unë e di se shqiptarët i flasin njëri-tjetrit…” Berisha u ngrit, duke i dhenë dorën, por duke mos e shoqëruar më fjalë. Përsëri vendos gazetën para, sikur të ishte një mburojë. Një pjesëtar i delegacionit më shikon me inat se po rrija me Berishën. Ndërsa Fino ma bënë me shenjë që t’i heq gazetën nga dora. Por, ndërkohë policët e aeroportit e shoqërojnë për në avionin e linjës Bombei – Dubai – Zyrih. Fino merr gazetën-mburojë të Berishës, të cilën ai e kishte mbajtur mbi 50 minuta dhe thotë: “Po kjo është e shkruar në indisht. Kur ka mësuar Berisha gjuhën indiane?!”
Kthimi
Në aeroportin e Rinasit presidentin Meidani dhe delegacionin e priti nënkryetari i parlamentit dhe ministri i Bujqësisë, Xhuveli. Ndërsa në darkë TV tha se presidentin e priti Dokle dhe zv. kryeministri Fino!
Ndërkohë Fino kishte katër ditë që ishte me delegacionin…
NIKOLL LESI