Ridvan Peshkepia: Koalicioni privat

(Botuar me 2 Prill 1998 në KOHA JONE)

Nga Ridvan Peshkepia-

Pak ditë pas zgjedhjeve të 29 Qershorit, në një mbledhje të “Aleancës Demokratike”, Presidenti i partisë shpalli kërkesat e Kryeministrit Nano për pjesëmarrjen në koalicionin qeveritar. Neritan Ceka do të ishte Ministri i Punëve të Brendshme, Arben Imami do të ishte Ministër i Reformës Legjislative dhe Perikli Teta do të ishte Sekretar Shteti për Mbrojtjen, që më pas u ndryshua duke u quajtur “për politikën e mbrojtjes”. Po ashtu u njoftuan edhe emërimet e mundshme nga partitë e tjera të koalicionit.

Unë asokohe isha dakord, por pati shumë vetë që kundërshtuan emërimin e zotit Ceka në postin e Ministrit të Brendshëm dhe u kërkua që të bisedohej me Partinë Socialiste për zgjidhje të tjera ose të diskutohej në parti për mundësinë e emërimeve të tjera në këto poste. Çështja vajti deri në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të partisë ku një anëtar i partisë, Arben Demeti e cilësoi Presidentin e Partisë si gënjeshtar pikërisht për këtë çështje. Të gjitha diskutimeve u dha fund zoti Ceka, i cili edhe njëherë deklaroi se kjo nuk ishte çështje zgjedhjesh ndërmjet disa personave. Postet nuk i ishin dhënë partisë por ishin shpërndarë emërtimisht nga Kryeministri për disa persona që i duheshin atij dhe në qoftë se nuk shkonin në këto detyra personat e kërkuar, ato vende do t’u ofroheshin emrave të tjerë nga partitë e tjera. Nuk ka patur asnjëherë asnjë tryezë të partive që do të formonin koalicionin dhe për pasojë asnjë ndarje kolegjiale të detyrave dhe të të drejtave në koalicion. Nuk ka patur një marrje mendimi, të paktën për atë që di unë, të Aleancës Demokratike, se cilën detyrë kërkonte ajo në Qeverinë që po formohej. Nga kjo rrjedh që koalicioni qeveritar i PS me AD është një çështje private midis atyre që e bënë këtë koalicion.

Është lehtë për të përfytyruar që në kushtet si u formua ky koalicion dhe në mënyrën si u përfshi në të Aleanca Demokratike, ajo do të ishte e hapur ashtu si një lehonë ndaj çdo infeksioni që mund të vinte prej stilit të qeverisjes. Ky infeksion, për të cilin deri para pak ditësh nuk gjenin dot emrin, ishte shkërdhatokracia. Sipas të njëjtit stil, shkallët e pushtetit nga AD i ngjitën anonimët e politikës shqiptare që deri atëherë kishin vegjetuar “punëve të tyre” por që gjithmonë e mbanin një lugë të pastër xixë në brez. Bodigardizmi është sëmundje dhe e jona si subjekt që vërtitemi në të njëjtin ambient të infektuar. Ndërsa liberal-demokratëve shqiptarë u duhet të sillen rrotull për një punë ose të trokasin nëpër dyer që i hapin ata që ua kanë përplasur në hundë gjatë Berishokracisë.

Duke qenë personalisht nga radhët e të kënaqurve dhe jo të të pakënaqurve, sepse që prej një viti Shqipëria hodhi tutje sundimin e barbarëve primitivë e injorantë, që megjithë vitet e shkollimit dhe të qëndrimit në Tiranë nuk mësuan dot gjuhën letrare shqipe, këtë e bëj sepse me koalicionin nuk dua të prishem sa kohë që fenomenet janë përgjithësisht në planin etik.

Po kështu nuk do të doja që AD të prishej me koalicionin tani që vendi ka nevojë më shumë se gjithçka për qeverisje. Por problemet e zotit Nano me ministrat që qëmtoi nëpër parti, duke besuar për rrëfimin e Cekës rreth emërtimeve, janë vetëm probleme ndërmjet tyre dhe aspak të koalicionit, i cili në fakt në mënyrën se si u ndërtua nuk ekziston. Ajo që ka nevojë qeverisja e vendit sot është që më në fund të bëhet një koalicion. Kjo do të thotë që për realizimin të funksionohet sipas praktikave botërisht të njohura për marrje dhe ndarje përgjegjësie. Koalicioni Made in Nano na ka dhuruar të paktën ne si AD ministra të pakontrollueshëm. Sa për ministrat që për t’u emëruar nuk kanë nevojë për lejen e partive, ndërsa kur vjen puna të lirojnë karrigen nxjerrin përpara, unë mendoj se padrejtësisht veprojnë sipas dy standardeve. Tek e fundit, ky stan këtë bulmet ka dhe paradokset e një koalicioni privat nuk përfundojnë vetëm kur ai realizohet. Çuditë e vërteta ndodhin kur ai nuk funksionon më.

RIDVAN PESHKOPIA

SHKARKO APP