Robert Goro: Greqia që flet shqip

(Botuar me 8 gusht 1999 në KOHA JONE)

Nga Robert Goro-

Pas diçka më shumë se një vit po takohemi përsëri në faqen e përjavshme nga Greqia. Lexuesit mund t’i kujtohet se “premiera” e kësaj faqeje u bë në janar 1998, kur sapo kishte filluar procedura e legalizimit të emigrantëve. Në shënimin prezantues, më 11 janar shkruanim ndër të tjera:”… Në këtë faqe do të ketë ngjarje, lajme e informacione të dobishme nga Greqia, të cilat zënë një vend të rëndësishëm në jetën e emigrantëve atje. Kështu gazeta “Koha Jonë” mendon se do të krijojë një lidhje më të fortë me mijëra lexues të saj në Greqi”…

Me mikun tim të mirë, botuesin Nikoll Lesi, menduam ta ripërtërijmë këtë lidhje. E kjo koincidon përsëri me një ngjarje që lidhet drejtpërdrejt me emigrantët shqiptarë në Greqi: qeveria greke ka bërë të ditur se do të rikonsiderohet procedura e legalizimit, me qëllim që të përfitojnë edhe ata emigrantë që për arsye të ndryshme mbeten ilegale. Gjatë “periudhës së ndarjes” kanë ndodhur shumë gjëra, të cilat emigrantët që ndodhen në tokën helene i kanë përjetuar në kurriz, por edhe në shpirtin e tyre, e ma merr mendja, të njëjtat impresione kanë përjetuar edhe të afërmit e tyre në Shqipëri. Pas një dimri relativisht të qetë, aktualiteti për periudhën maj-korrik 1999 në Greqi u dominua thuajse plotësisht nga tema e emigrantëve shqiptarë. E njëjta gjë kishte ndodhur edhe në mars-prillin e vjetshëm, por sivjet ngjarjet qenë shumë më dramatike e arritën në “kreshendo” me dy rrëmbimet e autobusëve, të cilat ndonëse të dënueshme pa hezitim, e patën pikënisjen në sjelljen “xhentile” të disa prej pjesëtarëve të policisë greke. Haraçin, si gjithmonë e paguan emigrantët e pafajshëm.

Kronika e këtij viti të “heshtjes” së bashkëbisedimit tonë, ka regjistruar një numër të madh vizitash të nivelit të lartë dypalësh, mes të cilave edhe ardhja e kryeministrit Majko në nëntor. Mirëpo, pavarësisht “dyndallës” së kontakteve, marrëdhëniet mes Greqisë e Shqipërisë nuk patën atë zhvillim që pritej, madje ato u ftohën me shpërthimin e konfliktit në Kosovë e vazhdojnë të mbeten si të mpira. E ky është një fakt kokëfortë, pavarësisht se qeveritarët në të dy anët e kufirit insistojnë se niveli i marrëdhënieve “është i shkëlqyer”. Dëshmi e këtij niveli janë qindrat e emigrantëve që gjatë dyjavëshit të parë të korrikut provuan situatat kafkiane në rajonet e policisë greke ku u çuan për verifikim dokumentesh, shumë prej të cilëve morën rrugën për Kakavijë apo Kapshticë…

Marrëdhëniet, pra, mbeten të mpira. “Shkrifjen” do ta tentojë kryeministri grek Kostas Simitis, i cili do të mbërrijë në Tiranë dy javë më vonë, më 24 gusht. Pavarësisht konjukturave kalimtare e favorizuese për njërën apo për tjetrën palë, e vërteta është se marrëdhëniet e mira i interesojnë po aq, sa Shqipërisë, edhe Greqisë. Mirëpo, siç mendojnë shumë emigrantë këtu në Athinë, është e nevojshme që Tirana t’i vlerësojë disi më mirë raportet me Greqinë, ku ndodhen aktualisht të paktën 500 mijë emigrantë shqiptarë, të cilët janë mbërthyer në tokën helene, prej shtizës së helmët të mungesës së perspektivës në atdheun e tyre.

Vidhen 40 pasagjerët e autobusit

Mund të kishte ndodhur në çdo metër rrugë të tokës shqiptare, por kësaj radhe ka ndodhur në Greqi. Tre persona me fytyra të maskuara kanë grabitur autobusin e linjës Athinë-Kiev me një metodë krejt kinematografike dhe… inteligjente. Shoqëruesin e autobusit e mori në celular një person i panjohur e i tha se kishte biseduar me agjencisë që 35 kilometra larg Kavallës, të ndalonin për të marrë një pako me barna. Shoferi, si kristian i mirë e ndaloi autobusin aty ku i thanë ndaloi autobusin aty ku i thanë dhe hapi portën e pasme që të bëhej dorëzimi i pakos. Në atë moment tre persona, njëri prej të cilëve ishte gjeorgjian “24 karatësh”, mësynë brenda duke mbajtur në duar pistoleta dhe morën nga 40 pasagjerët 13 mijë dollarë, 60 mijë dhrahmi e u larguan si zotërinj, duke shtirë dhe në ajër për t’i frikësuar…

Gërvisht për të fituar, por fitoi prangat

Një nga mënyrat më interesante për të nxjerrë para kishte aplikuar një emigrant shqiptar në Drama. L. Bardhi, 35 vjeç, mblidhte biletat e përdorura të llogarisë “Gërvisht për të fituar”, i retushonte aq bukur sa dukeshin si të vërteta dhe pastaj dilte rrugëve e i shiste. Mirëpo këto ditë retushit i doli boja dhe L. u kap në flagrancë e tani i duhet të përballet me drejtësinë.

U paraqit si shqiptar e mori paratë, por nuk i gëzoi

Një emigrant gjeorgjian u paraqit në një nga zyrat e IKA-s (Sigurimet shoqërore) në Selanik, për të marrë kompensimin e që i përkiste emigrantit shqiptar P. H. Nëpunësja e padjallëzuar ia dha paratë (214.058 dhrahmi) dhe mashtruesi shkoi në punë të vet. Mirëpo pas pak në IKA u paraqit vetë shqiptari dhe, kur ky i nxori gjithë dokumentet e nevojshme, nëpunësit i thirrën mendjes e lajmëruan policinë, e cila mundi të binte në gjurmë të mashtruesit, i cili ndërkaq kishte harxhuar vetëm një sasi të vogël nga paratë e shqiptarit. Gjatë kontrollit në banesën e gjeorgjianit u gjetën 200.000 dhrahmi, si dhe një sasi droge.

Grekët kanë mësuar shqip

Sa herë që vjen në Athinë Filip Çakuli, rrimë e pimë kafe në qendër, ku çdo dy-tri minuta do të na afrohet dikush, ose për të na darovitur syze apo bizhuteri të vjedhura, ose shamia letre, ose thjesht për të lypur 100 dhrahmi. Filipi të gjithë këtyre, pavarësisht kombësisë, u flet shqip. Këtë komunikim të tij që unë ia kam quajtur kapriçio, ai e shpjegon fare thjeshtë: “Në Greqi ka kaq shumë shqiptarë, sa që edhe grekët tani flasin shqip”. Këtë përgjigje e kam kaluar përherë si një shaka të lehtë të Çakulit në morinë e humoreve të tij plot kripë. Mirëpo parmbrëmë, duke ndjekur në televizion një reportazh nga kronika policore i dhashë të drejtë, sepse nisa të bindesha që fjalët e tij kishin një të vërtetë.

Në vitin 1993, kur media greke filloi t’u vishte shqiptarëve shumicën dërrmuese të krimeve ordinere që kryheshin në vend, reporterët thoshin pa iu dridhur qerpiku: “Autori ishte shqiptar”. Në vitet e mëpastajme, argumenti u “përmirësua” disi: “Mendohet se janë shqiptarë, pasi e flasin keq greqishten”. Mirëpo vjet, kur dy vjedhës në Mitilini, që “e flisnin keq greqishten e prandaj ishin shqiptarë”, kur u arrestuan doli se ishin grekë, të drejtën e qytetarisë e mori argumenti tjetër: “Keqbërësit flisnin shqip”.

Reporterët, dëshmitarët, viktimat po e përdorin dendur këtë argument dhe dihet, që të emërtosh se në ç’gjuhë komunikojnë dy të panjohur, duhet që të kesh njëfarë njohurie mbi gjuhën në fjalë. P. sh, unë mund të kuptoj kur dikush flet rusisht, por s’i jap fare dum, kur bie fjala, tjetri flet mongolisht!… Ajo që mbetet të sqarohet është se ku dhe kur e mësuan shqipen, pasi në gjithë shkollat private të gjuhëve të huaja, unë nuk kam hasur ndonjë që të reklamojë mësimin e shqipes. Ndofta për këtë duhet pyetur Filipi…

Karta e blertë: një shans i ri, apo një zhgënjim i ri?

Brenda më pak se tri javëve qëndrimi i qeverisë greke për emigrantët e në veçanti shqiptarët, përshkoi një kurbë 180-gradëshe: nga fshesa e gjysmës së parë të korrikut, në shpalljen e vendimit se do t’u jepet emigrantëve të paligjshëm edhe një shans tjetër për t’u legalizuar. Normalisht kjo do të thotë se do të përsëritet procedura e vitit 1998, kur në zyrat e Entit të Punësimit (OAED) u paraqitën kërkesat për marrjen e kartës së bardhë, e cila do t’u mundësonte më vonë edhe atë të blertën.

Pak retrospektivë

Në ditët e para të janarit të vjetshëm, në dyert e këtyre zyrave dominonte një kaos i vërtetë teksa qindra emigrantë zinin radhën që pa gdhirë. Të torturuar për vite të tëra mes përpjekjeve për mbijetesë (puna e pasigurt) dhe frikës së përditshme nga dëbimi (mungesa e dokumenteve të rregullta), emigrantët menduan se me në fund erdhi dita që të ndiheshin të qetë. Dhe vërtetë, ditë qetësie pasuan marrjen e vërtetimit të kartës së bardhë apo dhe të vetë kartës, deri më 30 prill 1999, kur përfundoi afati (i shtyrë dy herë) për aplikimin e kartë s së blertë në fund të procedurës u pa me habi se vetëm 373.000 emigrantë kishin paraqitur kërkesën për kartën e bardhë dhe rreth 100.000 më pak për të blertën. Pra, diçka më pak ose diçka më shumë se gjysma e emigrantëve që mendohet se ndodhen aktualisht në Greqi. 60 për qind të aplikimeve e kishin bërë emigrantët shqiptarë, të cilët sipas vlerësimeve më të fundit përbëjnë 56 për qind të të gjithë emigrantëve të huaj në Greqi, me diferencë shumë më të madhe nga egjiptianët e vendit të dytë (9 për qind). Megjithatë, gati gjysma e shqiptarëve nuk bënë aplikim.

Arsyet e mundshme

Sipas sondazheve të bëra gjatë ditëve të regjistrimit, por edhe më pas, arsyet e mundshme që rrënuan një numër të konsiderueshëm shqiptarësh të paraqiteshin në zyrat e OAED-it ishin: a) Mungesa e informimit. Sidomos emigrantët që punonin e jetonin në zonat bujqësore, disi të veçuar nga pjesa tjetër e komunitetit, nuk u informuan as në kohën e duhur, as siç duhej. Veç kësaj njohja mjaft minimale e greqishtes, bëri që edhe kur u paraqitën, të mos merreshin vesh e të mos plotësonin dokumentacionin e nevojshëm. b) Nisur nga përvoja e hidhur e viteve të mëparshme, një numër emigrantësh nuk krijuan besim për procedurën e legalizimit, rrjedhimisht neglizhuan e nuk u paraqitën fare. c) Një tjetër kategori, shumë më e vogël që kishte provuar më parë shijen e dëbimit (pasi u qenë marrë dhe shenjat e gishtërinjve), mendoi se do të kishte pasoja të pakëndshme nga paraqitja në polici, ku duhej shkuar patjetër për të marrë vërtetimin se i interesuari nuk ekzistonte në listën e personave të padëshirueshëm, e ku procedura parashikonte edhe daktiloskopimin, pra shenjat e gishtërinjve. d) Shumë emigrantë, kryesisht nga zonat e jugut, nuk u pranuan nga OAED-i, më arsyetimin se për ta do të zbatohej një masë tjetër: dhënia e lejeve trevjeçare të qëndrimit. Sot shumë prej këtyre qëndrojnë në hava, pra as në qiell as në tokë, teksa as nga OAED-i nuk u trajtuan, por as pranohen të trajtohen nga policia por lejet trevjeçare, pasi këto leje jepen vetëm për atë që kanë kombësinë greke. e) Që me shpalljen e dekreteve për legalizimin (dhjetor 1997) mjaft ‘emigrantë shprehen shqetësimin se dhënia e statusit të ligjshëm do të krijonte për ta probleme serioze, teksa punëdhënësit do t’i pushonin nga puna, për të mos u dhënë pagesën që përcakton ligji apo kontributin e siguracioneve. Kështu që, në zbatim të proverbit “Më mirë një vezë sot, se një pulë mot”, preferuan të mbeteshin siç qenë, pra ilegalë, e të kishin punën të sigurt.

Dhe tani?

Deklarimi i numrit dy të qeverisë greke, ministres së shumëpushtetshme të punëve të brendshme Vaso Papandreu se do t’u jepet një shans i ri gjithë emigrantëve që ndodhen në Greqi, është padyshim i mirëpritur. Ndërkaq duhen pritur javët e ardhshme, kur të bëhen të njohura hollësi për mënyrën e rikonsiderimit të legalizimit e do të kemi mundësi të nxjerrim edhe konkluzionet e sakta. Ministri i Mbrojtjes Akis Cohaxopullos, ka kërkuar një “revolucion” në politikën e Greqisë ndaj emigrantëve, teksa duke u pozicionuar kundër operacioneve “Fshesa”, deklaroi se Greqia duhet “t’u krijojë mundësi për të punuar gjithë emigrantëve (e veçanërisht shqiptarëve) që ndodhen aktualisht në Greqi, si dhe atyre që vijnë dhe dëshirojnë të punojnë”. Nga burime qeveritare greke theksohet se mangësitë e shumta që u vërejtën gjatë zbatimit të procedurës së mëparshme të legalizimit duhet të korrigjohen. Nga ana tjetër, edhe vetë emigrantët duhet t’i thërrasin mençurisë popullore: Pësimi duhet bërë mësim…

SHKARKO APP