Roland Qafoku: Kokat e shtetit të lindur në tetor
(Botuar me 15 tetor 2000 në KOHA JONE)
-Katër peshore kanë drejtuar Shqipërinë. Curriculum-et e plota të udhëheqësve tanë së bashku me vlerat dhe antivlerat e tyre
-Më datën 8, Ahmet Zogu kishte 105-vjetorin e lindjes. Sot Sali Berisha feston 56-vjetorin. Nesër Enver Hoxha “mbush” 92 vjeç, ndërsa më 18, Ramiz Alia bëhet 75 vjeç
Nga Roland Qafoku
Ahmet Zogu 105 vjeç. Sali Berisha 56 vjeç. Enver Hoxha 92 vjeç. Ramiz Alia 75 vjeç. Si të kishin nënshkruar një marrëveshje të përbashkët, katër ish-kokat e shtetit shqiptar këtë tetor festojnë ditëlindjet. Kundërshtarë, armiq, ish-bashkëpunëtorë apo dhe miq të ngushtë, kjo nuk ka rëndësi. Rastësia e deshi që Shqipëria t’ua festojë ditëlindjet drejtuesve të saj në të njëjtin muaj. Madje, dhe me diferencë shumë të vogël ditësh. I pari që hap listën e VIP-ëve tetorian është ish-mbreti i parë dhe i vetëm i Shtetit shqiptar.
I shenjës peshorja, më 8 tetor të këtij viti, Ahmet Xhemal Zogu mbushi plot 105 vjet. Ai ka 39 vjet që ka vdekur, por në këto kohë po përjeton rehabilitimin e figurës së vet. I dyti në radhë vjen ish-presidenti Sali Ramë Berisha, edhe ky i shenjës peshorja, i cili sot, më 15 tetor mbush 56 vjeç. Edhe pse ka flakur dy mandate në postin e numrit një të Shtetit, aktualisht ai është tepër aktiv në politikë duke qenë në krye të opozitës. Më tej, më 16 tetor ish-diktatori Enver Hysen Hoxha, edhe ky i shenjës peshorja, mbush 92 vjeç. I vdekur 15 vjet më parë, njeriu që ka drejtuar më gjatë nga tre kolegët e tjerë të shtetin shqiptar, është edhe njeriu që e ka festuar më me pompozitet ditëlindjet e tij. Nuk është shumë të thuash se në kohën e tij, 16 tetori ishte njëlloj si festë kombëtare. Dhe i fundit ish-sekretari i KQ dhe ish-presidenti Ramiz Alia nuk e humbet peshoren akrep. Ai, më datën 18, mbush fiks 75 vjeç. Aktualisht, Alia është i tërhequr nga politika. Fati i keq e donte që edhe në kohën e diktaturës, ditëlindja e Alisë të mos festohej me shumë madhështi. Kjo edhe pas vdekjes së Hoxhës. Dhe ters për këtë ishte vetëm diferenca prej dy ditësh me ish-udhëheqësin.
AHMET ZOGU
Askush në fshatin Burgajet të rrethit të Matit nuk e mendonte se fëmija i lindur më 8 tetor të vitit 1895, në fisin e Zogollajve do të bëhej numri një i Shtetit shqiptar. Por, fëmija me emrin Ahmet Zogu do të bëhej një nga figurat më të spikatura të shtetit dhe kombit shqiptar. Vetëm 8 vjeç Ahmeti shkoi në Stamboll dhe nisi studimet në një shkollë ushtarake. Dhe pas 9 vjet studimesh, në gusht të vitit 1912, 17-vjeçari u kthye në Shqipëri për t’u angazhuar në luftën politike. Ngjarja më e shënuar në kurrikulumin e tij është pjesëmarrja në Kuvendin Kombëtar më 28 nëntor të vitit 1912 për Shpalljen e Pavarësisë, në të cilin edhe ka firmosur.
Në vitin 1914, i riu 19-vjeçar përkrahu ardhjen e princ Vidit në Shqipëri. Vetëm një vit më vonë, Ahmet Zogu merr nismë për thirrjen e një Kuvendi Kombëtar në Elbasan, por izolohet nga austro-hungarezët. Në këtë kohë, ai ishte në Vjenë dhe vazhdoi studimet e larta. Pas Luftës së Parë Botërore, Zogu kthehet në Shqipëri. Në vitin 1920 merr pjesë në Kongresin e Lushnjes dhe në Qeverinë e parë që hyn në Tiranën e sapozgjedhur kryeqytet, Zogu 25-vjeçar emërohet ministër i Brendshëm. Pas kësaj detyre, në dhjetor të vitit 1922 deri në shkurt të vitit 1922 ishte kryeministër i vendit. Ndërkohë revolucioni i ashtuquajtur në histori demokratiko-borgjez, bëri që ai të largohej nga ky post. Në këtë kohë, ai emigroi në Mbretërinë Serbo-Kroate Sllovene. Sipas të dhënave të historisë, në dhjetor të vitit 1924 me ndihmën e kësaj mbretërie, ai rrëzoi qeverinë e Fan Stilian Nolit dhe u bë përsëri kryeministër. Ndërsa, më 31 janar të vitit 1925 u bë President i Republikës dhe njëkohësisht mbante edhe postin e Kryeministrit. Ndërkaq, më 1 shtator të vitit 1928, Zogu shpallet mbreti i Shqipërisë. Propozimin që Zogu të shpallej mbret e bëri në Asamble një deputet i rrethit të Skraparit me mbiemrin Xhindi. Në këtë post Ahmet Zogu do të qëndronte për 11 vjet deri më 7 prill 1939 ku u largua nga Shqipëria me pushtimin nga Italia fashiste. Në Kongresin e Përmetit u mor një vendim, sipas të cilit ai nuk lejohej të kthehej në Shqipëri. Ky ka qenë edhe shkaku që këmba e njeriut që kishte qenë në krye të Shtetit shqiptar për gati 15 vjet nuk shkeli më në Shqipëri. Në fillim jetoi në Londër, më pas në Egjipt e më vonë në Paris ku vdiq në vitin 1961 në moshën 66-vjeçare, i sëmurë me kancer, në një klinikë të Kanës. Edhe sot e kësaj dite varri i tij ndodhet në Kanë.
SALI BERISHA
Ndërsa sot mbush 56 vjeç, Sali Berisha ndoshta pak e ka mendjen tek ky eveniment. Balotazhi i kësaj të diele, me dorëheqjen apo jo të demokratëve, për kryetarin e PD-së ndoshta përbëjnë një rëndësi më të madhe se sa ditëlindja. I lindur më 15 tetor të vitit 1944 në fshatin Vuçitol të rrethit të Tropojës, Sali Berisha do të qëndronte vetëm 13 vjet në vendlindjen e tij. Pasi mbaroi shkollën shtatëvjeçare në qytetin e Bajram Currit, ai fiton të drejtën e studimit për mjekësi në Tiranë, në fillim në shkollën e mesme dhe më pas në Fakultet. Të dy shkollat i mbaron me rezultate mjaft të mira në mësime. Në vitin 1967 në moshën 23-vjeçare, ai diplomohet në Mjekësi dhe duke u mbështetur edhe në rezultatet mjaft të larta emërohet pedagog në Universitet. Ndërkohë, gjatë kësaj kohe ushtronte profesionin e mjekut në Klinikën Kardiologjike në spitalin e Tiranës. Në fillim të viteve 80-të, Berisha specializohet në Francë si kardiolog. Në vitin 1988 mbron dizertacionin dhe merr titullin Doktor Shkencash. Nuk kalon asnjë vit dhe ai merr gradën e lartë shkencore Profesor.
Ndërkaq, në vitin 1986 Sali Berisha zgjidhet anëtar i Komitetit Evropian për kërkimet shkencore në mjekësi me qendër në Kopenhagen. Ndërkaq, përfshihet në lëvizjen studentore të vitit 1990, ku së bashku me disa kolegë e studentë vihet në krye të saj. Zgjidhet kryetar i PD-së pas Azem Hajdarit. Pasi ishte zgjedhur deputet, më 31 mars 1991 dhe më 22 mars 1992, më 8 prill të vitit 1992, me votim të anëtarëve të Kuvendit Popullor, Sali Berisha zgjidhet President i Republikës. Rizgjidhet President më 3 mars të vitit 1997 dhe jep dorëheqjen në korrik të vitit 1997. Dy muaj më vonë zgjidhet kryetar i PD-së. Të njëjtin mandat e merr edhe më 3 tetor të vitit 1999 ku rizgjidhet me votim për herë të tretë kryetar i Partisë Demokratike. Ndërkaq, në kurrikulumin e Berishës ka edhe një ngjarje që shënohet me të zezë. Më 18 shtator të vitit 1998, atij i hiqet imuniteti i deputetit me akuzën organizator i 14 shtatorit. Aktualisht është deputet pa imunitet.
ENVER HOXHA
Në vitet e komunizmit zor se mund të kishte ndonjë shqiptar që të mos e dinte se Enver Hoxha kishte lindur më 16 tetor të vitit 1908 në qytetin e Gjirokastrës. Ditëlindja e udhëheqësit cilësohej si festa më e madhe e vitit. Por, asnjëherë kurrikulumi i tij nuk është dhënë i saktë. Pasi mbaron shkollën elementare në Gjirokastër, Enver Hoxha nis liceun në fillim në vendlindje e më pas në Korçë. Në vitin 1930 nisi studimet në Francë në shkollë të lartë, por arriti të mbaronte asnjë vit. Në vitin 1936 u kthye në Shqipëri dhe punoi si mësues deri në vitin 1939. Më 8 nëntor të vitit 1941 merr pjesë në themelimin e Partisë Komuniste në Tiranë ku zgjidhet anëtar i Komitetit Qendror. Ndërsa në mars të vitit 1943 zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i Partisë dhe në korrik 1944 komisar politik. Në Kongresin e Përmetit zgjidhet president i Komitetit Antifashist dhe komandant i Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Në Asamble, më 11 janar të vitit 1946, Enver Hoxha zgjidhet kryeministër. Edhe sot e kësaj dite shumë pak vetë e dinë se në këtë post, ai ka qëndruar vetëm 9 vjet. Në vitin 1954 ai shkëputet nga të qenit numri një i Ekzekutivit, por ama merr detyrën e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSH-së, kryetar i Frontit Demokratik dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Me këto “armë” në duar, Enver Hoxha kontrollonte tërë jetën në vend. Vdiq më 11 prill të vitit 1985, në moshën 77-vjeçare.
RAMIZ ALIA
Data e lindjes së Ramiz Alisë, më 18 tetor të vitit 1925, është cilësuar ters.
Kjo, pasi asnjëherë ajo nuk është festuar me madhështi, edhe pse ky njeri arriti të bëhej deri Sekretar i Parë i Komitetit Qendror i PPSH-së. Një gjë e tillë ndodhi për vetë faktin se ditëlindja e Alisë ishte vetëm dy ditë pas Enver Hoxhës. Dhe kështu, populli shqiptar kurrsesi nuk mund të bënte dy festa madhështore brenda 48 orëve. Në këtë mënyrë, pas festimeve të ditëlindjes së Hoxhës, ajo e Alisë lihej përherë pas dore. Arsimin elementar Alia e ka marrë në qytetin e lindjes, Shkodër. Por, pas përfundimit të tij menjëherë përfshihet në lëvizjen Antifashiste. Në Kongresin e Rinisë Antifashiste në Helmës të Skraparit, Alia zgjidhet sekretar i këtij organi. Ishte vetëm 17 vjeç dhe një detyrë e tillë nënkuptonte nisjen e një karriere të madhe. Menjëherë pas luftës nis studimet në Bashkimin Sovjetik për filozofi. Me të mbaruar studimet dhe me të ardhur në atdhe, i jepen detyra të lartë shtetërore si ministër i Arsimit dhe në të njëjtën kohë anëtar i Byrosë Politike e deri në sekretar i saj. Pas vdekjes së Enver Hoxhës, Alia merr të gjitha detyrat e tij duke i shtuar edhe detyrën e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Kongresin e PPSH-së, të mbajtur më 9 nëntor të vitit 1986, Ramiz Alia e cilëson si kongresin e vazhdimësisë. Kjo nënkuptonte se për të nuk kishte kthim prapa dhe se do të vazhdonte në rrugën e Hoxhës. Në vitin 1989, Alia merr një varg masash liberale, por që gjithnjë mbeteshin në kuadër gjysmak. Megjithatë, një rol kryesor do të kishte Alia gjatë lëvizjes studentore të vitit 1990. Edhe pse presionet nga të dy krahët kanë qenë të mëdha, me shumë mençuri ai diti të japë zgjidhje të buta që në asnjë moment nuk kishin synim mbajtjen e pushtetit me dhunë. Megjithatë, në mars të vitit 1992 ai dha dorëheqjen nga president pas zgjedhjeve pluraliste. Alia nuk kishte mundur të merrte mandatin e deputetit si kandidat në një zonë në Tiranë. Në verën e vitit 1993, ai arrestohet me akuzën shkelje të Kushtetutës. Lirohet në mars të vitit 1997 duke përfituar nga trazirat si dhe nga amnistia e presidentit Berisha. Aktualisht është në pension dhe jashtë politikës, por shkruan libra me kujtime.
Vlerat dhe antivlerat e tetorianëve
E përbashkëta e tetorianëve është se të katër ia kanë dorëzuar pushtetin njëri-tjetrit. Kështu, Enver Hoxha pasi zgjedhjes së tij si kryeministër, edhe pse gjatë luftës kishte disa qeveri kuislinge, njihet si zëvendësues i pushtetit të Zogut. Më pas edhe Ramiz Alia njihet si njeriu që zëvendësoi Enver Hoxhën pas vdekjes së tij në vitin 1985. Në të njëjtin hallkë të zinxhirit, është mbajtur edhe Sali Berisha. Edhe ish-Presidenti njihet si njeriu që zëvendësoi në vitin 1992 Ramiz Alinë.
Një tjetër karakteristikë e tyre është se të katërt janë akuzuar nga kundërshtarët si diktatorë. Enver Hoxha e ka cilësuar Zogun satrap e gjakpirës. Sali Berisha, Hoxhën dhe Alinë, njërin diktator dhe tjetrin të fundit diktator të komunizmit. Por, ama nga ana tjetër, janë po këta përfaqësues të këtij populli që ua ka rritur kultin atyre, kanë qenë të gatshëm të japin edhe jetën për ta. Duke e shoqëruar këtë me lule loti në ditët e vdekjeve. Por, po ky popull i ka hedhur poshtë e i ka demaskuar si tradhtarë të çështjes kombëtare e të zhvillimit të vendit. Por, sapo kjo periudhë është çimentuar mirë, ka ardhur koha e rehabilitimit. Figurat janë rivlerësuar duke e konvertuar këtë në sharje për veten.
Vlerat dhe antivlerat e Ahmet Zogut
Kështu, në kohën e vet, Ahmet Zogu ishte jo vetëm mbreti në fron. Ai njihej si themeluesi i Shtetit modern shqiptar dhe këtë vlerë nuk ia mohon kush. Vlerat më të mëdha të Zogut kanë qenë në vizionin e tij për të ardhmen si në legjislacion, por edhe në konceptin e shtetit. Por, hedhja poshtë e kësaj figure nisi që nga ikja e tij më 7 prill 1939. Fill pas kësaj Zogu nuk u cilësua gjë tjetër veçse një tradhtar. Brezi i parë këtë sharje ia transferoi brezit tjetër, aq sa ata që nuk e njihnin e imagjinonin atë si një njeri vetëm i të këqijve të vendit. Madje edhe veprat e ideuara nga Zogu thuhej se i kishte bërë populli. Rehabilitimi i figurës së Zogut nisi vetëm pas vitit 1990. Madje, ai vazhdon të bëhet dhe sot e kësaj dite. E kjo është duke arritur kur gati përditë zbulohen fakte të reja gjatë drejtimit të tij. Kështu, nuk është pak kur zbulohet s e ky njeri ka drejtuar dhe konceptuar tërë urbanistikën e Tiranës, kur mëson se Zogu ka nënshkruar deri marrëveshje në fushën e legjislacionit me presidentin amerikan Rusvelt e të tjera e të tjera.
Vlerat dhe antivlerat e Sali Berishës
Padyshim një nga vlerat spikatura të Berishës është pjesëmarrja dhe udhëheqja e lëvizjes studentore të vitit 1990. Së bashku me një grup intelektualësh, doktori flaku bluzën e bardhë dhe iu fut rrugës së demokracisë, ndoshta pa e ditur as e vetë se do të lidhej aq ngushtë me politikën. Vendosmëria dhe njëkohësisht edhe guximi i këtij njeriu në shumë situata ka qenë vendimtare. Por që nga zgjedhja e tij si President, opozita, por edhe shumë intelektualë, e kanë akuzuar atë për diktator lidhur me mënyrën e të drejtuarit të shtetit. Vendimmarrjet e tij, sipas opozitarëve, gjithnjë kanë qenë të lidhura me mentalitetin komunist. E pafalshme nga një pjesë e madhe e popullit është thërrmimi i Shtetit shqiptar në vitin 1997. Të njëjtën cilësim po bëjnë sot jo vetëm socialistë, por edhe ish-drejtues të Partisë Demokratike duke e sulmuar Berishën si një njeri ndikues në idetë dhe vendimet që merr ai.
Vlerat dhe antivlerat e Enver Hoxhës
Do vijë një ditë që historianët do të zhbirojnë shumë në labirintin e kurrikulumin e njeriut që e udhëhoqi këtë vend për 40 vjet me radhë. I cilësuar si një nga diktatorët më të mëdhenj që ka kaluar Shqipëria, Hoxha ka qenë përfaqësuesi i komunizmit më të egër në Botë. Por, duke e nisur nga vlerat, padyshim ato nisin gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare ku ka qenë në krye të kësaj lufte. Ndërkohë që antivlerat e tij janë të mbërthyera në atë që drejtoi dhe e çoi Shqipërinë drejt izolimit dhe një sistemi komunist që dështoi totalisht në Lindje. Dhe tërë kjo pjesë e historisë është e pafalshme. Megjithatë po ky popull e ka duartrokitur e ka dashur dhe për të ishte gati të jepte jetën. Një flijim që gati çdokush nuk e kishte problem. Por, rrjedhja e ngjarjeve të bën të dyshosh jo më tek masa e madhe e njerëzve, por edhe tek vetja. Ishte po ky popull që e lau me lotë bulevardin Dëshmorët e Kombit në ditën e varrimit. Por, po ky popull ishte ai që e tërhoqi zvarrë statujën e tij po në këtë bulevard. Natyrisht kjo kishte të bënte me rizgjimin e popullit, flakjen tutje të ideve socialiste dhe kërkesat për demokraci. Ndërkohë, sot kujtohet me nostalgji rendi i vendosur nga Enver Hoxha. Pakkujt i intereson se si e vendoste ai. Por një njeri i thjeshtë kohën e Hoxhës për rend e kujton me nostalgji.
Vlerat dhe antivlerat e Ramiz Alisë
Elastik në marrjen e vendimeve. Asnjëherë konfrontist. I zgjuar dhe për më tepër elokuent, Ramiz Alia është tetoriani që ka bërë kalimin nga sistemi komunist në atë kapitalist. E nëse gjatë sundimit të Hoxhës ai nuk ishte gjë tjetër veçse nxënësi i tij, gjatë kësaj periudhe ai diti të shmangë atë më të madhen: Gjakderdhjen. Shumëkush e akuzoi dhe e akuzon për ngadalësi në vendimmarrje të atyre ditëve. Por, mendjet e holla vazhdojnë ta vlerësojnë Alinë si njeriu që pushtetin e kaloi jo si në Rumani apo ndonjë shtet tjetër. Se nëse Alia do të vendoste dorën e fortë askush nuk mund ta parashikonte se ç’mund të bëhej në Shqipërinë që 40 vjet kishte ngrënë bukë komuniste bashkë me mësimet e Enverit. Ndoshta i vetmi gabim i Alisë ka qenë ngadalësia në vitet pas vdekjes së Hoxhës. E pafalshme për të do të mbetet mbyllja e dyerve për kryeministrin e Landit të Bavarisë, FJ. Shtraus, në vitin 1987. Ai së bashku me ministrin e Jashtëm gjerman erdhën në Shqipëri për të investuar në industri e turizëm nëpërmjet aplikimit të kredisë, por Alia as që pranoi të vazhdonin bisedimet duke e shoqëruar këtë me frazën “ne nuk i shkelim parimet”.