Roland Qafoku: Udhëtim në qelitë e burgut të ndërtuar nga Ahmet Zogu, vendi ku kanë vuajtur dënimet Koci Xoxe, Kozma Nushi

(Botuar me 9 dhjetor 1999 në KOHA JONE)

Nga Roland Qafoku-

Një derë e madhe hekuri prish tërë rregullin e ndërtesave në krahun e djathtë të rrugës “Mine Peza”. Edhe më shumë e përforcon këtë cilësi një tabelë përbri, në të cilën shkruhet Burgu 302. Është burgu më i ri, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin. Banorët e tij kanë vetëm disa muaj që kanë hyrë aty dhe ashtu të rrethuar me mure ta larta, me tela me gjemba e me dhjetëra shtëpi në çdo skaj, të krijojnë përshtypjen e një ishulli misterioz. Por, përcaktimin tonë e kundërshton menjëherë, sapo hyjmë brenda, drejtori i këtij institucioni. Petrit Ismaili, një 35-vjeçar me fizik të bëshëm dhe shumë energjik, tregon se pikërisht kjo godinë që sot quhet tamam ashtu, më shumë se një gjysmë shekull më parë ka shërbyer për të njëjtën qëllim, pra ka qenë burg.

Në vitin 1924 me urdhër të Ahmet Zogut dhe me ndihmën e konstruktorëve italianë, fiks kjo godinë e ky vend ishte burgu numër një i atij shteti. I njohur gjithnjë më pas si burgu i vjetër, fama e tij do të rritej në 29 prill të vitit 1943, kur të dënuarit e asaj kohe shpërthyen hekurat dhe dolën të gjithë jashtë. Historia pasurohet edhe më kur drejtori tregon se të burgosur të kohës së vjetër kanë qenë Koçi Xoxe, Hajdar Dushi, Kozma Nushi dhe Sotir Vullkani. Ndërkaq, duhet të vinte viti i fundit i shekullit, që kjo godinë të restaurohej dhe në të, të hynin banorë të rinj. Janë 70 të dënuar, nga mosha 20 e deri mbi 50 vjeç, që duke mbajtur mbi supe mëkatet e shkeljes së ligjit, popullojnë brenda hekurave këtë institucion.

Të dënuarit punëtorë

Pas portës së parë vjen një tjetër portë po prej hekuri. Rregulli dalëngadalë vjen dhe forcohet dhe të krijohet ndjesia se prej andej edhe ne vizitorët nuk mund të dalim më. Dy policë të kontrollojnë bagazhet dhe kujdesen që në gjoks të jetë varur etiketa “vizitor”. Sapo shtyhet porta, shihet pa problem që në oborrin e madh një mesoburrë i veshur si të ishte pranverë që lan një makinë. E marrim për punëtor të administratës, por drejtor Islamili thotë të kundërtën. Ai është i burgosur dhe punon kundrejt një rroge. Madje, edhe më me leverdi se kaq. Sipas drejtorit, edhe të tjerë që punojnë në burg, jo vetëm që paguhen por në çdo muaj atyre u hiqen nga katër ditë nga dënimi.

Natyrisht kjo nuk është shumë, por ama me një status të tillë në xhep, të burgosurit sikur e ndjejnë më afër lirinë. Një tjetër personazh që punon është edhe Mentor Hyseni. Fati i vogël i këtij njeriu ka dashur që kontributin ta japë në kuzhinë. Është krejtësisht e çuditshme që krahas dy kuzhinierëve të punësuar aty, ndihmës është edhe Hyseni. Në duar nuk mban pranga por një garuzhde. Në trup nuk mban të veshur uniformën e të burgosurit, por kostumin e bardhë të kuzhinierit. E megjithatë ai është një prej 70 njerëzve që aty kanë të shënuar emrin në forcë. Thotë me gjysmë zëri që është dënuar për vrasje, porse për këtë ndjehet shumë i penduar. Ndoshta i vetmi inkurajim për të janë katër ditët që i hiqen me laps, që nëse llogarit i bie që ulja nuk e kalon një vit kalendarik. Kur mëson se jemi gazetarë menjëherë çehrja e tij ndrin dhe pa e pyetur thotë se i lexon të gjitha gazetat.

Të burgosurit me këtë status shtohen edhe më tej. Çuditë shtohen kur mësohet se punëtori i radhës bën shtylla prej betoni që përgatiten për të bërë një tjetër rrethim për burgun. Nuk ka kontribut më të mirë. I burgosuri punon pa e ditur se ndihmon në sigurimin që ai të mos dalë prej andej. E kështu, duke kërkuar anëtarët e kësaj skuadre, një prej tyre del ballë-përballë. Brenda godinës dykatëshe ku shtyjnë ditë-netët të gjithë të burgosurit, një burrë i vjetër nuk e heq shkopin dhe leckën nga dora. Fshin dhe lan pa bërë zë. Edhe pse kalojmë ne aty, ky njeri vetëm punon. Vetëm kur drejtori e pyet për diçka, ai merr qëndrim gati si ushtarak dhe përgjigjet me një “po” dhe një “jo”. “Jam dënuar për kontrabandë, por me këtë punë mendoj se heq ndopak mërzinë”.

Më tej mësojmë për një tjetër mostër. Myrteza Çekiçi, ka një profesion që do paksa mjeshtëri. Ai është berberi i burgut. Shkojnë tek ai radhë-radhë me dëshirë dhe me urdhër, pa përjashtim, të gjithë kolegët. I qeth me radhë të gjithë dhe siç tregon drejtori, zbatohet urdhri sipas të cilit flokët lejohen të gjatë deri në 4 centimetra, ndërsa mjekra deri në 2 centimetra. Dhe në fakt asnjë i burgosur nuk i kalon këto norma. Por, njerëzit e jetës tjetër nuk punojnë vetëm në punë të rëndomta. Një djalë i ri dhe simpatik nuk i ndan librat nga duart. Në momentin kur hyjmë ne, ai ishte duke takuar njerëzit e familjes. Na përshëndet me tepër edukatë, sikur do të tregojë se nuk është tip i rëndomtë, madje pse jo një intelektual i vërtetë. Por, bisedën e ndërpresim ne, duke menduar të mos i marrim asnjë minutë nga takimi me të ëmën. Ato 30 minuta për të ndoshta janë më të shpejtat në botë.

Burgu 302, simboli i rregullit të shtetit

Çdo gjë e pastër, me rregull e gati të gjitha veprimet kryhen në sinkron. Ky është me pak fjalë aktiviteti i këtij burgu. Dhe padyshim, për këtë arritje, meritat duhet t’i vishen tërë stafit që drejton jetën në burg. Kur e pyesim drejtor Ismailin se si është bërë e mundur një gjë e tillë, ai na e kthen me shumë modesti: “Vetëm zbatimi i ligjit dhe i rregulloreve bëjnë që burgun ta kesh nën kontroll”.

Më tej ai tregon se edhe masat ndaj shkelësve ndikojnë në mbarëvajtjen e regjimit. Brenda një periudhe të shkurtër kohe, për thyerje të disiplinës, janë dënuar me veçim në qeli speciale pesë të burgosur. Ndoshta nga një aplikim i tillë, të tjerëve nuk u intereson të ndjekin të njëjtin shembull. Dhe kur sipas statistikave mësohet se nga 70 të dënuar që ka aty, 20 prej tyre janë përsëritës. Është e vërtetë shton drejtori, se këtë institucion të dënuarit e cilësojnë me regjim shumë të fortë e të rreptë, por vetëm kështu të dënuarit janë më të sigurt, nuk ka kapo e nuk ka probleme dhe zënie me njëri-tjetrin.

Vazhdojmë rrugën nëpër korridore që na duken si labirinthe për të mësuar se si funksionojnë fjalët e tij. Sapo hyjmë në brendësi të ndarjeve me qeli, dy policë kryejnë ritualin e zakonshëm. Të kontrollojnë nga koka deri te këmbët dhe të shoqërojnë më pas në destinacion. Asnjë zhurmë. Nuk pipëtin as miza edhe pse ora tashmë shënon 12.30. Dalëngadalë hamendjet tona se në zemër të burgut do të kishte tinguj dhe klithma të dënuarish, shuhen sapo futemi në mes korridorit. Nga të dy anët qeli. Brenda tyre njerëz si ne. Por që ndryshojnë vetëm nga privimi i lirisë. Është me të vërtetë një ndjenjë e veçantë kur mendon se vetëm të me të vërtetë një ndjenjë e veçantë kur mendon se vetëm ajo derë e rënduar me hekura ndan dy botë. Këtej jemi ne që nuk kemi bërë mëkate. Matanë ata që kanë marrë mbi vete barrën e një veprimi që edhe pse ndihen të penduar, janë të detyruar të jenë në izolim. Por, këtë mendje na e shkund një tjetër mrekulli me erë qelie. Drejtori hap vetë një derë dhe për momentin shkundemi nga pamja. Një banjë moderne me dyshe dhe me ujë të ngrohtë. Ismaili tregon se uji është 24 orë pa pushim dhe atje lahen me radhë dhe me grafik të gjithë të burgosurit. Shumë njerëz që jetojnë të lirë, këtë e quajnë luks, por ja që një gjë e tillë rri e strukur atje, në të dy katet e të burgosurve. “Objekti” i fundit që shikojmë është vendi i ajrimit të burgosurve. Janë gjashtë qeli te mëdha që në vend të tavanit kanë zgara të rënda hekuri. Lart qielli ka të njëjtën pamje, por ai duket sa një grusht, aq sa është edhe liria e të dënuarve. Por, nga tërë këto shkëlqime ka edhe disa shqetësime nga titullarët. Vetë drejtori ngre si problem atë të pajisjes së stafit të policëve që kryejnë shërbimin e rojës, me armë më speciale se kallashnikovët. Imagjinoni, thotë ai, jemi të rrethuar nga shtëpi banimi dhe si mund të veprojë dhe qëllojë një polic me ketë armë, kur dihet se efekti i saj është deri në 1500 metra. Prandaj, për këtë i është kërkuar Ministrisë së Drejtësisë që të bëjë të mundur ndërrimin e armëve qoftë me scorpions e së bashku me të edhe me armë me plumba paralizues dhe plastikë.

Historia e burgut të vjetër

Nga të gjithë të dënuarit, të paktë janë atë që e dinë se historia e një prej godinave me më shumë hekura në Shqipëri nis në 1924, kur me urdhër të Ahmet Zogut ndërtohej i pari burg i tipit evropian. Sipas të dhënave, konstruktori i saj ishte një italian ndërsa shteti ynë ka bërë investimet. Burgu i asaj kohe njihet për masa të forta sigurie edhe për arsyen tjetër se, tamam ky burg cilësohej edhe si burg politik. Por, në materialet arkivore është shënuar një tentativë ikje e të burgosurve në 10 prill të vitit 1928, por që nuk u arrit të realizohej, falë ndërhyrjes së policisë. Menjëherë pas kësaj u morën masa dhe u përforcuan muret dhe kangjellat. Madje, oficerët tregojnë se në atë kohë u bënë qeli jo me dritare por me një tub në mes të dhomës që nxirrte vetëm pak dritë jashtë.

Pikërisht përpara godinës së këtij burgu, në vitin 1942 është vrarë gruaja Mine Peza, pas një demonstrate të grave të Tiranës për arrestimet masive të asaj kohe nga qeveria fashiste që ishte vendosur në Tiranë. Por, kjo grua nuk do të lëvizte më prej vendit ku ra, e qëlluar nga plumbat fashistë. Në atë vend qëndron busti i saj si dhe emri i rrugës, me anë të së cilës mund të orientohesh se ku bie i njëjti burg, por tashmë me një emër të ri. Vitet do të kalonin dhe fama do të rritej në 29 prill të vitit 1943 kur të gjithë të burgosurit do të shpërthenin qelitë dhe do të dilnin partizanë në mal. Gjithçka kishte ardhur si rezultat i gërmimeve në tokë, nëpër kanalet e ujërave të zeza, që më pas të nxirrnin në Brrakë. Ky veprim, cilësohej si ngjarja më e rëndë e asaj kohe dhe gjithçka u pasua më pas me arrestime dhe raprezalje të fashistëve nëpër Tiranë. Në arkivin e burgut gjendet edhe një shkresë e lëshuar nga ana e prefektit të Tiranës në atë kohë, Qazim Mulleti. Në të urdhërohej që administrata e burgut të merrte masat që në shpinë të burgosurve të shënoheshin numrat. Kjo sipas tij bëhej me qëllim që të eliminoheshin ngatërresat e identiteteve.

Ndër “banorët” më të dëgjuar të burgut përmenden Koçi Xoxe, Hajdar Dushi, Kozma Nushi, Sotir Vullkani e të tjerë. Për tu pasuruar më pas me plot emra të tjerë të kohës së diktaturës, deri në vitin 1967, kur burgu do të mbyllej. Një nga shkaqet e këtij veprimi ishte se ai ndodhej në zemër të lagjes dhe ndikonte shumë në marrjen e masave të sigurisë.

Feriolio, italiani që përfaqëson të huajt

Ai nuk e di se burgun shqiptar që po kalon dënimin, e ka projektuar një bashkëkombës i tij. E megjithatë kjo pak rëndësi ka. Jeta prej burgu e këtij djali me nënshtetësi italiane dhe amerikane, nuk ndryshon nga të tjerët. I kërkojmë drejtorit ta takojmë dhe ai menjëherë nga jep aprovimin.

Adresa: Dhoma e parë në katin e dytë. Së bashku me dy kolegë të tjerë, sapo hapet dera, ai i lë letrat që kishte në dorë duke luajtur dhe na përshëndet. Qelia ka përmasat dy me pesë metra dhe ka vetëm pak vend për të lëvizur. Krevatet tip marinar dhe një televizor kolor janë të vetmet pajisje. “Ndjehemi shumë ngushtë. Alesandro Feriolio, i arrestuar në korrik të vitit 1998 me 1.8 kilogram kokainë në pistën e Rinasit, i cilësuar si trafikant e të tjera si këto, nga policia dhe nga media, nuk dukej tamam ashtu. I gjatë rreth 1.60. I dobët, ezmer në pamje por i tendosur në nerva, ai të jepte përshtypje krejt tjetër. E pyesim se si ndjehet dhe duket se mezi priste të shprehte disa pakënaqësi. Me një anglishte perfekte, italiani nis të tregojë se ajo që i kishte ngjarë në Shqipëri ishte skandal.

“Mua më dënoi njëherë gjykata me 3 vjet e gjysmë, por më pas Prokuroria e Përgjithshme apeloi dhe u dënova nga Gjykata e Shkallës së Dytë me 8 vjet e gjysmë. Kjo nuk është e drejtë” – përsëriti dy herë me radhë të dy fjalitë ai. Të dy bashkëvuajtësit e Feriolios janë më të mëdhenj se ai. Një prej tyre, madje pas dy muajsh del nga qelitë dhe ndihet me shumë entuziazëm. Janë bërë miq dhe kjo duket qartë. Kur e pyesim Feriolion se çfarë fjalësh kishte mësuar në shqip, ai thotë “mëngjes” dhe “mirupafshim”. I bindur, më tej deklaron se shqipet do ta mësojë. Duket qartë se jeta prej burgu shqiptar ka qenë shumë e vështirë për të. Por, duke u privuar nga vizitat e shpeshta të familjarëve, drejtori tregon se sasinë e lejuar të ushqimeve ia blejnë punonjësit e burgut. Feriolio tregon në një rast se djathi dhe sallami i blerë në tregun shqiptar nuk futej në gojë. E ngushëllojmë duke i thënë se atë prodhim e hamë ne që jemi jashtë dhe jo më ti brenda. Në fund Feriolio na përshëndet dhe thotë se nesër do të lexojë gazetën se si do të kemi shkruar për të.

Shoqëruesi na “tregon se vizitorët e tij, përveç familjarëve, kanë qenë edhe përfaqësues të Ambasadës Italiane dhe asaj Amerikane, meqenëse ai mban të dy këto nënshtetësi. Nga ana e tyre nuk ka pasur asnjë vërejtje për trajtimin e tij në qeli.

“Diplomacia Amerikane” libri më i lexuar nga të burgosurit

Ndonëse shumë nga ne ndoshta nuk e kanë lexuar ende, në burgun 302 libri më i lexuar është “Diplomacia Amerikane”. Nuk dihet shkaku, por duket se idetë dhe eleganca e diplomacisë së ndjekur nga shteti më i fortë i botës në shekuj, i kanë tërhequr shumë të 70 banorët e këtij institucioni. Gjithçka bëhet nga një dhomë gati tre me tre, në hyrje të godinës-qeli. Një raft me ndarje të vogla dhe një shënim “bibliotekë”, të tregon se të arrestuarit aty gjejnë ushqimin e shpirtit. Nisim të shfletojmë me radhë kartelat dhe mes tyre shikojmë edhe kampionë të vërtetë të leximit. Një prej tyre është Ilir Rakipi, që padyshim është i dënuari që ka lexuar më shumë nga të gjithë. Vetëm në pak kohë ai ka lexuar rreth 15 tituj. E padyshim mes tyre edhe “Diplomacia Amerikane”. Por, në vend të dytë më i lexuari është libri “Nudo zyrtare” e shkrimtarit Faruk Myrtaj. Nuk mund të lihet pa përmendur më tej se i lexuar është edhe “Arti i të Dashuruarit” që tregon se të burgosurit kurrë nuk janë pesimistë. Për ta jeta dhe ëndrrat janë të njëllojta me ne që jemi jashtë hekurave.

Takimi me familjarët, moment lumturie

Një grua rreth të 50-ve që qëndron përpara portës së dytë të hekurt, nuk e fsheh gëzimin. Do të takojë djalin e vet. Është hera e parë këtë muaj dhe të njëjtën gjë do ta bëjë edhe tre herë të tjera me radhë, deri në ndërrimin e shekujve. Me vete ka marrë plot ushqime, por edhe mallin që i vlon për mungesën e të birit në shtëpi.

Si kjo gjenden me dhjetëra në trotuarin përballë portës së hekurt. Ata presin radhë-radhë nën rregullin dhe regjimin e burgut dhe mundohen që në minutazhin 30 minutësh të mos harrojnë asgjë për të thënë. Zëvendësshefi i policisë së burgut Engjëllush Musai, na tregon se gjithçka kryhet me rregull strikt, ku të gjithë u nënshtrohen verifikimeve dhe kontrolleve. Më tej, drejtori Ismaili shton se, në një muaj lejohen katër takime familjare dhe brenda tyre vetëm 7 kilogramë ushqime. Por për ata që vijnë nga larg, për të mos krijuar vajtje-ardhje të shpeshta, ato konvertohen dy nga dy ditë në muaj. Të gjitha verifikohen se çfarë janë dhe nëse ata mund të prishen për ruajtje për disa ditë nuk lejohen. Duke treguar këtë papritur bisedën e ndërpret me xhentilesë një oficer. Ai kishte sjellë një lajm të mirë për një të burgosur nga Librazhdi, i dënuar me 25 vjet për vrasje. Sipas tij, ishte bërë e mundur që të dy fëmijët që i kishte në jetimore, t’i merrnin dhe t’i çonin tek i ati i tij. Dhe tërë këtë kujdes e kishin bërë njerëzit e administratës së burgut, që mendojnë për të krijuar të gjitha kushtet të burgosurve.

Kërkesat e të burgosurve

“Duam një dhomë të veçantë të takohemi me gratë”. Kjo ka qenë kërkesa më e rrallë e ardhur këto ditë nga të burgosurit. Për drejtuesit, një gjë e tillë mund të jetë normale, mbështetur kjo edhe në përvojën e huaj. Porse ende tek ne nuk janë kushtet për ta realizuar këtë. Por, kërkesat e këtyre njerëzve që e shohin ajrin me dylbi, vijojnë më tej. Drejtori tregon se ka pasur disa kërkesa për leje në shtëpi, për raste fatkeqësish apo dhe gëzime. Por, fati i keq e donte që asnjë prej tyre të mos e fitonte atë. Titullari tregon se pak muaj më parë, në burgun të Lushnjes, pas lejes që iu dha një të burgosuri, ai nuk u kthye më. Kjo ka bërë që nga lart të jepet urdhri sipas të cilit pezullohen të gjitha lejet. Por, për të eliminuar faktin që prej një personi të vetëm të vuajnë të tjerët, pritet që shumë shpejt urdhri të zhbllokohet. Dhe kjo nuk është pak për të burgosurit. Në ato pak ditë, ata mund të shijojnë atë që e ëndërrojnë çdo natë, përpara se të vënë kokën në jastëk./Roland Qafoku/

SHKARKO APP