ROLAND QAFOKU, YLLI PATA: “Bombë” në zyrën e kryeministrit. Alarm i rremë në selinë e Qeverisë shkakton ikjen e ministrave
(Botuar me 13 Shkurt 1998 në KOHA JONE)
Nga ROLAND QAFOKU, YLLI PATA-
TIRANË – “Bombë” në selinë e kryeministrit Nano. Për tre orë rresht tmerr dhe tension në zyrat e selisë qeveritare. Dhjetëra policë kanë “kthyer përmbys” zyrat e qeveritarëve, në kërkim të një eksplozivi, që duhej të ishte vendosur në katin e tretë, atje ku punojnë njerëzit e administratës. Një telefonatë anonime ka mbërritur dje në orën 15.20 në zyrën e informacionit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, duke njoftuar për një bombë në selinë e ministrave. “Jam një punonjës i kryeministrisë dhe kam vënë një bombë në katin e tretë” – është dëgjuar zëri i trashë i një burri anonim dhe që ende nuk dihet nëse e ka pasur fjalën për zyrën e vetë kryeministrit Nano apo për ndonjë tjetër. “Do të shpërthejë nga momenti në moment”, ka mbyllur fjalimin “zyrtari anonim”. Ndërkohë, pas kësaj dhjetëra policë me qen dhe mjete antiminë kanë bllokuar rrugën dhe kanë rrethuar selinë e qeverisë.
Gjithashtu, nuk ka ngelur pa u njoftuar nga ana e oficerëve të ndërlidhjes edhe Garda Kombëtare, si siguruesja direkt e godinave VIP të shtetit. Menjëherë sapo kanë mbërritur atje forcat e policisë janë shpërndarë në skutat e kryeministrisë në kërkim të bombës së paralajmëruar. Çdo zyrë, dhomë, paradhomë e ambient tjetër i është nënshtruar kontrollit special, për të evituar një tragjedi të mundshme. Mësohet se “përmbys” është kthyer edhe zyra e kryeministrit Fatos Nano, i cili në ato momente nuk ka qenë prezent në ambientet e punës. Specialistët e xhenios dhe oficerët e tjerë që kryesonin kontrollin, nuk u kanë munguar veprimet të imtësishme edhe mbi aparatet e telefonave të instaluar në godinën katërkatëshe. Vetëm, pas tre orë pune hetimore dhe kërkuese ka mbaruar dhe inspektimi i grupit të hetimeve, dhe pasi është konstatuar se alarmi ka qenë i rremë, në zyrat e kryeministrisë është rikthyer qetësia e një pasditeje. Ndërkohë që hetimet duket se nuk kanë mbaruar, pasi duhet të bëhen verifikimet për të gjithë ata që kanë hyrë në kryeministri, të cilët pajisen më parë me fletëhyrje.
Dje duket se ka qenë dita e alarmeve të rreme ne zyrat e shtetit. Vetëm dy orë më parë është përsëritur e njëjta skenë, në ambientet e godinës së Bankës Agrare të Shqipërisë. Ndërsa ende nuk dihet nëse ka një lidhje mes telefonuesit anonim të kryeministrisë dhe atij të Bankës, mësohet se godina është zbrazur nga të gjithë punonjësit e këtij institucioni. Pas kontrollit edhe këtu është vërtetuar se policia kishte të bënte vetëm me një alarm të rremë, për qëllime që i dinë vetëm autorët e saj. Por kur telefonata të tilla mbërrijnë deri në godina si ajo e Kryeministrisë, kemi të bëjmë me një fenomen gati në mani. Megjithatë ende nuk dihen arsyet dhe shkaqet e “forta” që e kanë detyruar telefonuesin të organizojë një show në godinën ku punon kryeministri socialist. Nga ana tjetër nuk dihet gjithashtu nëse një gjë e tillë është kryer për të kërcënuar kryeqeveritarët apo për të mësuar gatishmërinë e ruajtjes së tyre. Megjithatë hetimet kanë nisur në mënyrë intensive dhe pritet që ato të fokusojnë anonimatin.
ROLAND QAFOKU, YLLI PATA