Roland Tasho: Ekspozitë fotografike në Torino, Paris, Lion, Zvicër, Austri dhe Tiranë e fototekës “Marubi”

(Botuar me 7 Shkurt 1997 në KOHA JONE)

Nga Roland Tasho-

Që prej disa kohësh në kryeqytetin francez Paris, qëndrojnë të afishuara punimet e fototekës “Marubi” për rreth 2 muaj. Dinastia Marubi, Pjetër, Kol, Gegë, tre gjenerata fotografësh, ka skicuar jetën shqiptare për më shumë se një shekull (1858-1950) dhe në këtë periudhë të ngacmueshme të jetës kulturore, sociale e politike të Shqipërisë, fotografia ka qenë guri kryesor i themelit tonë nacional.

Mbi këtë trashëgimi dhe bazë, organizata Patrimoine Sans Frontiere, e ndihmuar nga UNESCO, hapi në Paris që prej datës 16 janar 1997 një ekspozitë të Marubit, e cila do të qëndrojë në dispozicion të publikut për mbi 2 muaj. Me një mision fisnik, për të shpëtuar këtë fototekë nga degradimi, nga kushtet jo të përshtatshme, nga lagështia dhe ndryshimet e temperaturës, të cilat bëjnë që imazhet e planfilmave të zhduken dita-ditës.

Mbas vëllezërve francezë Lumierë, që njihen si shpikësit e fotografisë, shumë shpejt arti i fotografimit u bë prezent edhe në Shkodër, një qytet i zhvilluar ballkanik, por edhe një qendër e rëndësishme kulturore. Si e tillë fotografia nuk hyri vetëm si teknikë, por duke patur parasysh kërkesat kulturore të qytetit, ajo zuri vendin e saj edhe si një art i magjishëm që prekte dhe ndihej kudo. Në fotot e dinastisë Marubi janë trajtuar skena nga jeta e përditshme e një pjese të Shqipërisë si dhe evenimente historike që janë të një kualiteti cilësor, kjo estitikisht por edhe etnografikisht. Në këtë fototekë janë 180.000 negativë, foto origjinale, planfilma xhami etj. Fototeka Marubi është cilësuar si një nga perlat e kulturës sonë kombëtare. Në këtë kontekst, albumi i fundit, i cili është publikuar në Francë dhe Itali, me tekst të shkrimtarit Ismail Kadare, është mjaft cilësor dhe më e rëndësishmja, është i domosdoshëm për shqiptarët në prizmin e traditës dhe historisë. Fototeka e famshme Marubi, e cila përpara Parisit u hap në Torino të Italisë, do të vazhdojë turin e saj evropian edhe në Lion, Zvicër, Austri, për t’u kthyer në vjeshtë në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

 

SHKARKO APP