Ruaj paqen, o shtet
(Botuar me 1 mars 1997 në KOHA JONE)
Ruaj paqen, o shtet
Nata e djeshme ishte e tmerrshme. U gjakos populli i dashur i Vlorës, u flijuan jetë njerëzish. Le të heshtim në shenjë nderimi të përjetshëm para këtyre engjëjve që sot fluturojnë në qiell. Pas kësaj le të qëndrojmë para shtetit, sado pak që të jetë. T’i lutemi shtetit, kësaj makine të hekurt që për një sekondë përpin jetë njerëzish: Ndal dorën dhe ftoh mendjen!
Gjithçka në betejën e përgjakshme varet nga shteti. Shteti ka armën, shteti ka edhe forcën, shteti ka edhe gishtin e këmbëzës. Të gjitha këto, njeriu i mjerë ia ka dorëzuar shtetit me qëllim që t’i mbrojë jetën dhe jo t’i marrë jetën. Për fat të keq shteti shqiptar është xhindosur dhe po vret e torturon nënshtetasit e vet. Kjo është fatkeqësia më e madhe: Kur inkriminohet shteti, njerëzve nuk u lihet aq kohë sa të flasin me Zotin. Është shumë vonë për të shkuar deri atje lart. Le ta lëmë filozofinë e mbajtjes së pushtetit me forcë. Le të flasim paqësisht dhe të bindemi. Në radhë të parë të bindet shteti. Bindu, o qeveri, që nuk të duan të qeverisurit, dhe largohu nga skena e qeverisjes. Mos u tkurr në atë karrige, sepse populli ta dha e populli ta merr kur e kërkon. Bindu zoti President dhe hiq dorë nga dufi për të mbajtur pushtet me zor. Lere mandatin tënd që ta gjykojë populli. Mandatin që ke edhe sot e disa ditë, përdore për të mos derdhur gjak, por për të ruajtur jetë njerëzish.
Mos e kthe mandatin në mandatë. A dëgjon, o Perëndi! Dorën që ta ka zënë etja për pushtet e për rizgjedhje, përdore për të vendosur paqe, zoti President. Bindu o komandant dhe ti o mercenar.
Gjaku që po derdhni dhe jeta që po rrezikoni i përket vëllait tuaj, ju përket ju. Bindu, o i dashur qytetar, se përballë ke një shtet të egërsuar dhe të duhet që ti vetë ta ruash paqen dhjetë herë më me kujdes.
Protesta, protestë, por edhe paqja, paqë. Larg nga provokimi i policisë sekrete. Tani ndodhemi këtu. E paguam mjaft shtrenjtë mosbindjen e shtetit: Vetëm dje, tre të vrarë e njëzet të plagosur. Këtu stop. Edhe ata engjëj që na lanë, do të na bekonin në qoftë se që tani do të vendosnim paqen mes nesh që jemi. Asnjëra palë nuk del e fituar prej gjakderdhjes.
O shtet, rri në anën e paqes dhe, me kaq është e sigurt se gjaku ndalet.