Rudina Xhunga: : Edi Rama në pritje për t’u dekretuar ministër Kulture. Një Don Kishot në politikë?
(Botuar me 23 Prill 1998 në KOHA JONE)
Nga Rudina Xhunga-
Edi Rama propozimin e kryeministrit Nano, për të marrë portofolin e ministrit të Kulturës, e ka pranuar. Pa u menduar gjatë, apo pasi mendoi gjatë, ai e tha një “po”… me zemër. Nëse, ai nuk e ka imagjinuar kurrë, të bëhej ndonjëherë ministër, ngasa duket, edhe presidenti Meidani, që po e shumëzgjat dekretimin e tij, ka përkuar me të njëjtin problem fantazie. Madje edhe shumë miq të afërt të piktorit, që kanë jetuar pranë tij, kanë qeshur, kanë folur, kanë pirë, e punuar me të, nuk mundin të konceptojnë si edhe Edi, mund të bëhej zoti ministër. Gjithashtu gazetarët s’arrijnë të parafytyrojnë, sesi njeriu që s’ka ngurruar askurrë t’ju japë gjithfarë përgjigje, për gjithfarë pyetjesh, një ditë do mund t’ju përgjigjet nga një celular ministror, “nuk jam i disponueshëm”.
Aq shumë janë marrë këto kohë me votën, pro dhe kundër ministrit të ardhshëm të Kulturës dhe sidomos me çfarë, ata mendojnë se do ndodhë më pas, sa Edi është shndërruar në “Casus Rama”. Ndërkaq të gjithë harrojnë të mendojnë se, pavarësisht nga opinionet e tyre, Edi e sheh Edi Ramën ministër, e në fund të fundit, kjo është zgjedhja e tij. Ndoshta, më mirë sa të paragjykojmë këtë vendim, ia vlen të gjykojmë paragjykimin tonë për ministrin, që jo domosdoshmërish duhet të jetë, zyrtar hermetik, celularpadisponueshëm, i lakuar për korrupsion dhe imoralitet. Ndoshta, jo ngaherë realiteti është i bardhë, apo i zi, pse mund të jetë blu, edhe i kafenjtë. Ndoshta, e të tjera ndoshta, që të gjitha bashkë vlejnë pak. Ajo që vlen vërtet duket të jetë, se në zyrën ku Anagnosti, Laço, Dade, etj, drejtuan si deshën, si ditën dhe si mundën kulturën, piktori dhe publicisti do futet në njërën prej këtyre ditëve, për të thënë fjalën e tij. Për sa kohë nuk e kemi dëgjuar të flasë, s’na mbetet veçse të flasim…
Edi Rama, piktor
Kandidatura juaj si ministër është më e përfolura nga shtypi, edhe pse nuk jeni dekretuar ende nga Presidenti. Pse?
Nuk e di sa e vërtetë është kjo që ju thoni, sepse shtypin e këtyre ditëve nuk e kam ndjekur pothuajse fare, qysh ditën e parë, pas daljes në tregun e lirë të thashethemeve të emrit tim, kur, në një gazetë lexova, sikur paskësha folur “në një rreth të ngushte” nga pozitat e ministrit, gjë që në fakt s’është e vërtetë. Por, nëse vërtet unë jam ministri më i përfolur, ma ha mendja se kjo mund te vijë ngase jam një mish i freskët për topin e shtypit shqiptar, i cili nuk bën dhe, ndoshta, nuk ka sesi të bëjë përjashtim nga realiteti mbytës i thashethemnajës shqiptare, bile, është një ulluk goxha i gjerë prej nga mund të shkarkohen tërë reshjet e gjuhëve, që në vend se të flasin parapëlqejnë të përflasin. Kaq për shtypin. Sa për ecejaket e emrit tim në rruge orale, gojë më gojë e vesh më vesh, unë nuk besoj se përbëj ndonjë përjashtim nga të tjerët, kur janë shfaqur papritur në shtigjet e kuriozitetit tonë provincial. Terë sa thashë hyn në normalitetin e përditshëm të vendit tonë të vogël, ku të gjithë njohin të gjithë dhe nuk gjejnë kohë për të njohur vetveten, ku të gjithë merren me të gjithë dhe nuk gjejnë kohë të merren me vetveten, ku të gjithë e kanë të vështirë të pajtohen me këdo e çfarëdo që, mirë a keq, shquhet sadopak, qoftë edhe për një çast të vetëm, në horizontin rrafshues dhe njehsues të vizionit tonë për Tjetrin e për bashkëjetesën në një komunitet të gjallësh, të cilin as vetë s’e zgjodhëm e as të vetmuar nuk mund ta bëjmë më të jetueshëm dhe më pak asfiksues.
A e sheh Edi, Edi Ramën ministër?
Më ka tërhequr qysh në fëmini dëshira për ta parë veten nga një kënd që të tjerët, përgjithësisht, nuk kanë pasur dëshirë të më shohin. Dikur, kjo kishte të bënte me prirjen time për të qenë sa më i pavarur nga familja, më vonë me domosdoshmërinë e brendshme për të vendosur vetë për veten time, duke e vënë vazhdimisht në pikëpyetje rutinën e jetës së përditshme. Zgjedhja që bëra për të qenë ministër, pa e pas imagjinuar kurrë më parë një gjë të tillë qe një zgjedhje spontane, një vendim i marrë në fare pak minuta, një “po” e thënë me zemër. Unë i besoj inteligjencës së zemrës shumë më tepër se asaj të trurit, nëse mund të shprehem kështu. Nuk e di se ç’duhet të shohë njeriu, kur pret të emërohet ministër apo se ç’sheh kur bëhet i tillë, sa për vete, nuk ndiej tjetër gjë përveç peshës së barrës që kam marrë përsipër. E kuptoj që jam futur në një terren të minuar dhe e panjohura që kam përpara është ende e padëshifrueshme për mua, gjëra që më mbushin me pasiguri. E vetmja siguri qe kam është se nuk u futa në këtë terren për të marrë diçka për veten time, po për të lënë diçka nga vetja. Koha ka treguar se përgjithësisht ky është një parriz qejfesh të patreguara për ata frymorë të shumtë që duan të marrin dhe një ferr nervashkatërrues, për ata Don Kishotë që duan të japin, por, çfarëdo të tregojë koha për mua si ministër, ajo çka unë mund të them me bindje, qysh sot, është fakti se edhe në qofsha ministri me i dështuar që ka njohur ky vend, dështimi im nuk do të ketë të bëjë me asnjë nga qejfet e atij parrizi.
Pirro Mani, regjisor
A e shikoni Edi Ramën, ministër Kulture?
Pse të mos e shoh? Është krijues, artist i mirë dhe unë s’gjej arsye të mos e shikoj si ministër Kulture. Më duket djalë i mprehtë me kulturë, inteligjent, me aftësi dhe cilësi shumë pozitive. Ajo çka i vlerësoj më tepër është guximi.
Jeni kundër përfshirjes së artistit në politikë?
Nuk kam arsye të jem kundër përfshirjes së artistit në politikë. Është e vërtetë që artisti duhet t’i përkushtohet artit, por mund të gjejë edhe periudha shkëputjeje, në të cilat, ai jep kontributin e vet në shërbim të qeverisjes më të mirë. Ka shumë raste në botë, kur artistë të mëdhenj kanë qenë përfshirë në qeveri dhe kjo ka qenë shumë e dobishme. Andaj unë jam pro Edi Ramës, ministër, pse jo vetëm e vlerësoj si artist, por besoj se do të dijë të mbetet i tillë edhe kur të bëjë ministrin.
Agim Isaku, publicist
A e vlerësoni propozimin e Kryeministrit për ta pasur Edi Ramën në kabinetin e tij?
Zgjedhjen e Edit, ministër unë e shoh si shenjë emancipimi të politikës shqiptare. Nuk di si do të angazhohet ai nga pikëpamja administrative, por di që është i mbushur me ide. Shpresoj se, sikundër ka bërë me shkrimet e tij, do arrijë të bëjë ndryshime rrënjësore në politikën shqiptare.
Si i vlerësoni opinionet e kujt e quan absurde këtë zgjedhje?
Unë mendoj që duke e parë nga njëri prej këndvështrimeve, shumëkush ka të drejtë ta shohë këtë zgjedhje si absurde. Sepse parafytyrimi ynë i përgjithshëm, që bazohet në traditën komuniste, na e paraqet ministrin të ftohtë, pa ide, gjithmonë të kollarisur. Ndërsa rasti i Edit e përmbys gjithë këtë imagjinatë. Mua më duket e rëndësishme që Edi të mos humbasë shpirtin e revoltës, sepse në rast se kjo ndodh, do ta quaja humbje shoqërore. Shpresoj që ai të ngelet rebel edhe në qeveri.
Bujar Xhaferri, publicist
Sipas jush, cila ka qenë arsyeja që Nano zgjodhi Ramën ministër të Kulturës?
Për mua, kryeministri, si çdo tjetër njeri, për shkak të komplekseve, oshilon nga vulgarja te sublimja. Në këtë rast, sublimja, sipas meje, është Rama. Më duket hera e parë, që një figurë e plotë artisti si e tij, të shfaqet në nivelet e larta të aparatit shtetëror. Ndoshta, kjo duhet të jetë arsyeja, që Presidenti e ka të vështirë të dekretojë emërimin e tij, ndonëse e pati të lehtë, të firmosë, Finon psh. Gjithashtu, ngase Edi është i tillë, aq kompleks dhe i formuar, edhe opinioni i figurave publike, e ka të vështirë ta mendojë në krye të politikës. Nëse propozimi për ta bërë ministër Kulture pranohet, ky më duket eveniment për t’u duartrokitur, përshëndetur, qoftë edhe nga pak njerëz. Kjo, pse Edi Rama nuk është vetëm një artist i jashtëzakonshëm, por edhe një politikan, i cili e kapërcen nivelin e politikanëve profesionistë.
Ç’i vlerësoni më tepër mikut tuaj?
Ajo çka unë i vlerësoj Edit, është sidomos idealizmi. Vetëm një miniaturë figurash si ai, kanë mundësinë e të qenit, ngaherë të pakompromentueshëm.
Ylli Pango, psikolog
Votoni për ministrin e ri të Kulturës?
Po, patjetër. Veçse, unë e shoh problemin në dy aspekte. Edi padyshim është figurë me potencial, si piktor dhe publicist, por ai nuk e ka provuar deri tani veten, në një të tillë pozicion. Përballja me botën e administratës, burokracisë, financës shtetërore, është e vështirë dhe, ç’është e vërteta, duket një sferë jashtë njohjes së deritanishme të Edit. Megjithatë ai ka një shans për ta provuar veten, në sensin konstruktiv, sepse do t’i jepet mundësia të bëjë diçka.
Ju nuk provoni asnjë çudi që një njeri ekstravagant për shumëkënd, të bëhet ministër?
Ngaqë deri tani jemi mësuar ta shohim Edi Ramën si një analist i sensit të fortë kritik, mbase caktimi i tij në këtë detyrë, krijon një lloj kontrasti. Sipërmarrja e tij është e vështirë, sepse ajo mund t’i heqë nesër mundësinë që në rast dështimi (të cilin, unë nuk e paragjykoj dhe nuk ia uroj), ai të mos ketë më komoditetin që ka tani, duke bërë kritikun. Sa për përcaktimin ekstravagant, apo ndonjë tjetër epitet që i kanë bashkëngjitur, opinioni im është se Edi më duket shumë i rakorduar. Ka potenciale të mëdha, është energjik, është lart, jo vetëm si gjatësi, por edhe në aspektin psikologjik, e në mundësitë që ka. Epitetet i vënë zakonisht, të zakonshmit, ose mediokrit, të cilët çdo gjë të ndryshme nga vetja, e shohin si herezi.
RUDINA XHUNGA