Rudina Xhunga: PS, aty ku shteti lind në korridor
(Botuar me 11 Korrik 1997 në KOHA JONE)
Rudina Xhunga: PS, aty ku shteti lind në korridor
Debate, prapaskena, thashetheme në paradhomën e pushtetit të ardhshëm
Korridoret e PS-së zhurmojnë këto ditë. Zyrat janë plot simpatizantë dhe besnikë të hershëm, që nuk rreshtin së festuari fitoren dhe sharë të humburit. Këta janë entuziastët që rrethojnë zyrtarët e lartë të aparatit të Partisë Socialiste, të cilët fitimtarë mbi nëpërkëmbjen e demokracisë berishiane, tanimë, ndryshe përshëndesin, ndryshe komunikojnë, ndryshe mendojnë…. Në katin e parë të selisë së partisë qëndron një bashkësi njerëzish që s’lejohet nga rojet të futet në korridore. Megjithatë më stoikët kalojnë orë të mira në holl, duke pritur ndonjë salutim, që në mënyrën e tyre interpretohet; një apartament, një punë për gruan, një post për vete. Ka prej tyre, që në pritje të kalimit të të rëndësishmëve (në PS nga pastruesja deri te nëpunësit, tani janë pandryshim të rëndësishëm e të pushtetshëm), çlodhen në bilardon e katit të parë. Oborri është gjithashtu i mbushur me veteranë, që edhe përloten për fitoren, ish-kuadro të PPSH-së, vajza bukuroshe, madje shumë bukuroshe, që dhurojnë buzëqeshje pa kursim. Ndërsa baret rreth selisë, dikur të zbrazura nga frika e bombave dhe shikasve, tani po jetojnë ditët e tyre më të mira. Aty pareshtur porositet, porositet, vetëm porositet. Pa dyshim me idenë se një ditë porositë do të shpërblehen. Biseda e këtyre njerëzve që mbushin kafenetë, lulishtet, oborret dhe korridoret, rrotullohet rreth të njëjtës temë: “Kush do drejtojë? Ai zv.ministër?” “Mua nuk më kanë hequr për paaftësi, por se isha me bindje të majta” “Jo mor vëlla është e kotë. S’ka ç’bën Nano. Plehrat me plehra zëvendësohen.” “S’e kisha fajin unë, por regjimi. Kam fëmijë, detyrën kam bërë”…. etj. etj. Veç të interesuarve për të përfituar, sheh dhe kureshtarë vetëm për të dëgjuar. Në këtë kategori hyjnë gazetarët, të cilët e kanë aq të thekshme dëshirën e mirë për të informuar, sa kanë keqinterpretuar saktësisht, duke dëmtuar padashur imazhin e fundpërgatitjeve për pushtetin e ardhshëm. Shumëkush prej të privilegjuarve, të lejuar të përgjojnë, hamendëson në gazetën përkatëse, por gjithçka ngelet në kufijtë e një thashethemnaje gjigante, të cilës ne, veçse do t’i shtojmë diçka në mënyrën tonë. Kështu mund të ngacmojmë kuriozitetin e kujt mezi pret shpalljen e qeverisë dhe emrave të tjerë, që do drejtojnë shtetin e shqiptar në këta 4 vjet. Duke informuar dhe paralajmëruar, nuk harrojmë t’ju kërkojmë ndjesë për mungesën e etikës elementare të gazetarisë, që dënon kë mbush faqen me “më the, të thashë” …
Prapaskena e piketave të qeverisë së ardhme
Trekëndëshi Berisha-Meksi-Arbnori s’kishte të sharë për nga dukja; një mysliman, një ortodoks dhe një katolik. Kësaj here nuk se do të imitohet një formalitet i tillë qeverisjeje. Që nga kolltuku i kryetarit të Parlamentit e deri te Kryeministri dhe Presidenti, duket se do të jenë ortodoksë. Duket se po abuzohet ndërkaq me Finon. Media shprehet se ai nuk do të pranojë asnjë detyrë, veç postit të zv. kryeministrit. “Kinder sorpresa”, ose figura aq simpatike për marketingun e PS-së, kryeministri aktual Fino, e ka pranuar tashmë pozicionin e vet special. Do të jetë krahu i djathtë i Nanos, koordinatori direkt i ndihmave të huaja për Shqipërinë. Dikur ky post solli shumë fatkeqësi në PS, por Fino nga natyra është tip optimist. Kur pyet për preferencat mes dy kandidatëve, në Partinë Socialiste të shpjegojnë se pëlqesa anon ndaj Nanos, jo thjesht pse ka qenë në burg, por pse është “metropolitani i munguar në politikën provinciale shqiptare”. Por problemet s’mbarojnë këtu. Ministritë e pambuluara vazhdojnë të jenë pika të nxehta. PS, veç kryeministrisë dhe Presidencës, propozuar dhe pranuar publikisht nga Mejdani, do ketë ndoshta dhe Ministrinë e Mbrojtjes, ku ende mendohet të mos zëvendësohet Vukaj. Kjo, jo pse është i zgjedhuri i Dokles, por sidomos për të ndryshuar diçka në raportet e përmbysura jug-veri. Ministria e Drejtësisë duket se po i buzëqesh Përparim Sanxhakut, ndërsa Financat padyshim të përkëdhelurit të masmedias, Arben Malajt. Ndërsa Ministria e Shëndetësisë i është premtuar kardiologut Brokaj, i cili s’duket të ketë ndërmend ta lerë profesionin për një ripërsëritje përgjegjësie. Për sa u përket partive të tjera të aleancës, ( për të cilat debati sa vjen e bëhet më i prekshëm), duket se ende ka për të thënë. Takimet tete a tete me Nanon dhe kryetarët e partive, kanë dhënë rezultatet e para; Ministria e Brendshme arkeologut Ceka, e jashtmja historianit Milo, Reforma Institucionale aktorit Imami, kultura ndoshta Partisë së Melos. Diskutimet nuk kanë reshtur për Kryetarin e Parlamentit që duhet ta ketë një parti e aleancës. Ishte menduar të gjendej një grua e përshtatshme për këtë detyrë, por duke qenë se zakonisht Shqipëria i ka pasur gratë vetëm për përdorim shtëpiak, si ngaherë ngeli të zgjidhej mes burrave të aftë. Sidoqoftë, megjithë hamendjet dhe dëshirën për të qeverisur, ende s’është thënë fjala e fundit. Shumë është diskutuar në mbledhjen e kryesisë së PS-së 4 ditë më parë, shumë diskutohet në hotel Rogner dhe në shtëpinë e Fatos Nanos, por fundfjala do përcaktohet dhe aprovohet në mbledhjen e Komitetit Drejtues të PS – i cili pritet të mblidhet. Kur? Sapo të shihet e arsyeshme…..
Të vetëshpallurit dhe politika e kuadrit….
Veç një karrigeje ministrore, ka shumë vende të tjera po kaq të lakmueshme. Angazhimi i “të talentuarve”, “profesionistëve” dhe “të ndershmëve” duket sheshit. Ata nuk lënë mundësi t’u kalojë pa e shfaqur aftësinë dhe persekutimin nga regjimi që shkoi. Duke mos munguar në korridoret e PS asnjë ditë, duan të tregojnë devotshmërinë dhe kapacitetin e pashfrytëzuar. Kur i sheh, provon trishtim për fytyrën e shtetit të ardhshëm, beson se historia përsëritet dhe gabimet vështirë bëhen mësime… Korridoreve ndesh Harrilla Papajorgjin, që ndoshta vjen thjesht për t’iu gëzuar humbjes së kundërshtarëve dhe për hir të disa reflekseve ende të pafikura në cepat e kujtesës. Apo, ish-Ministrin e Komunales Flamur Hoxha, të parashpallurin drejtor televizioni Kiço Londo, ndonjë drejtor drejtorie që ka vuajtur shumë nën regjimin e diktatorit Berisha, një ndër rojet personale të Presidentit, që i dërgon pusulla Feim Abdiut, sapo merr vesh se ai do të jetë Kryetar i Gjykatës së Lartë. Në PS sheh dhe Halil Kamberin e televizionit, apo Vladimir Meçen e porsakthyer nga Bullgaria, sheh dhe gazetarë që ëndërrojnë të bëhen ambasadorë, drejtorë departamentesh në televizion, ose Kryetar të Komisionit të Medias në Parlament, për të mos folur për ata më të vegjlit që i kanë marrë pohimet e para për zëdhënës ministrash. Këta janë të vetëshpallurit, që pasi kanë marrë fjalën e mirë, largohen të përkundin ëndrrën, ndërsa ata që caktojnë dhe propozojnë janë të tjerë. Është një zyrë në katin e tretë të PS-së, ku dallohet dukshëm posteri elektoral i Kastriot Islamit dhe diku afër, fotografia e zmadhuar e Klintonit nën sfondin e flamurit amerikan. Në këtë zyrë, ku ndihet era e rëndë e puros, mblidhen herë-herë Islami, Brokaj, Lleshi dhe Legisi. Duket se ata bëjnë politikën de facto të kuadrit. Kjo mund të rezultojë kryekëput e pavërtetë, por fakti është se Islami i shoqëruar ngaherë nga celulari, Brokaj me një radio që s’e ndan nga vetja, Lleshi me syze dhe Legisi me kostum të ri plot shkëlqim, janë më të preferuarit e kujt ka piketuar një përgjegjësi për vete dhe familjen. Në korridore është krijuar ideja se çdo fjalë që iu thuhet “3 + 1 musketierëve bie dhe në vesh të shefit”.
Ndërkaq në PS ende nuk duket në horizont ndonjë post për Ruçin, i cili duket se preferon të jetë vetëm deputet. As për Ulqinin, për Daden, Hajdaragën dhe për Metën. Lista e meritokratëve vazhdon e zgjatet derisa të krijohet përshtypja se gjithë aparati i Partisë Socialiste detyrimisht do zhvendoset pa ndryshime në zyrat e pushtetit të ardhshëm. E ndërsa emrat pafund mjaftojnë për qeverisjen e gjithë Ballkanit, postet e rëndësishme s’janë të shumta. Ndaj, ose do shpiken institucione, ose do krijohen parti të reja….
Sakaq diskutimet vazhdojnë, listat hartohen dhe grisen, për t’u zëvendësuar me të reja, hamendjet pasojnë njëra-tjetrën, për t’u harruar një ditë më pas dhe ajo çka ngelet është ndoshta vetëm vargu i Agollit; “Ata që në sheshe vërshuan/ nuk janë as në lista/Ata që në sheshe vështruan/ u bënë dhe ministra…
Nano: “Jo më ose, ose”, por “edhe, edhe”
Pyetjes se a do të ketë ndryshime në kandidaturën e njëshit të qeverisjes, Nano i përgjigjet, “Mundohuni t’i lini mënjanë bisedat e kafeneve dhe të kuptoni se në Shqipëri s’duhet të ketë më;”Ose, ose”, por “Edhe, edhe”. Unë kam konfirmuar se do të jem kryeministri i ardhshëm, ndërsa Fino krahu im i djathtë.”
Për shumëkënd në PS gjithçka varet nga Nano. Emri i tij lakohet, aq shumë, sa të krijohet ideja se nuk flitet për një njeri të zakonshëm, por për një idhull, nga ata që vazhdimisht shqiptarët i shpikin për t’i adhuruar. Nano, sipas gjasave, e ka parasysh fundin e sindromës berisha, por a e kanë të qartë këtë lajkatarët dhe mikluesit pafund? A do mjaftojë buzëqeshja e tij diplomatike dhe batutat pikante për të larguar të paaftët dhe përzgjedhur njerëzit e duhur në vendin e duhur? A do ta rrotullojë politikën shqiptare rreth vetes, apo njeriu që ka përvojë vuajtjesh të mjaftueshme, do sjellë tetin politik shqiptar? A do t’i shmanget populizmit Nano, siç dëshmoi natën e fitores, kur nuk pranoi të flasë para konfuzionin e dikurshëm të borive të Berishës? A do ta ndalë ai vrullin e fytyrave jugore që po mbushin listën e qeverisë ardhshme? A do të dëshmojë tolerancë si në rastin, kur Musa Ulqini e takoi për t’i dhënë dorën, ai iu kthye: “Kemi fituar bashkë. Të përqafohemi pra”. A do të materializohen fjalët e tij, apo do ngelen përgjigje pyetjesh në intervista? A do kemi një shtet në të aftësh dhe profesionistësh, apo shoferët demokratë që zëvendësuan gjeneralët, do të zëvendësohen nga shoferë socialistë? Të presim, ndonëse koha s’pret…
RUDINA XHUNGA