Rudina Xhunga: Reportazh në tokën e djegur buzë detit. Gusht 1997, Vlora i rikthehet jetës

(Botuar me 31 Gusht 1997 në KOHA JONE)

Nga Rudina Xhunga

Është naivitet të besosh se të mjaftojnë 7 orë për ta takuar, vizituar dhe përshkruar Vlorën. Sepse në Vlorë, (ndoshta ende ka njerëz që nuk e dinë), ka pasur 7 muaj luftë të mirëfilltë.

Nëse dikur në Hiroshima u hodh një bombë, që dihej nga kush dhe pse, vlonjatët ende nuk e kuptojnë, pse zgjodhën pikërisht Vlorën për të mbjellë vdekjen dhe s’dinë në do të ketë ndonjëherë njerëz që do dalin para gjyqit për t’u ndëshkuar siç e meritojnë. Ekziston një kujtesë kolektive që s’harron kurrë, në emër të së cilës një ditë do ketë shumë për të thënë. Veç, deri atëherë Vlora duket se do falë e harrojë përkohësisht. Sepse njerëzit që përjetuan netët e tmerrshme në pritje të Shik-ut, të plumbit të rastësishëm, të trokitjes në mesnatë që kërkonte jetën ose paratë, njerëzit që jetuan në ankth dhe tmerr, duke u ngujuar në shtëpi, pa ditur deri kur, ata që vranë pa u menduar, ata që humbën njerëzit më të afërt, ata që ngelën të gjymtuar, ata që kanë trupat e të afërmve në det, ata që humbën djersën e punës së keqpaguar nëpër botë, e kanë megjithatë një zemër dhe një shpresë, në emër të së cilës kërkojnë të jetojnë.

Vlora dëshiron fuqishëm ta rinisë jetën ku ia ndërprenë dhe kjo duket kur sheh makinat që kanë rënduar trafikun, plazhin plot, kur sheh dyqanet që po hapen përditë, kur sheh themelet e lokaleve buzë detit, kur sheh policinë në çdo rrugë. Është pikërisht një makinë policie dhe referenti i inspektoratit të rendit Vlorë që na shoqërojnë gjatë gjithë rrugëtimit tonë, duke dëshmuar kështu respekt për gazetën që i qëndroi qytetit afër në ditët e tij më të vështira.

Babica, qyteti i vdekjes

Në 10 shkurt 1997, u vra në Vlorë Artur Rustemi. Në 10 gusht vdiq një fëmijë i porsalindur, Bebi Saçaj. Nga 10 shkurti në 10 gusht janë shuar 362 jetë. Rruga më e zakontë për banorët e qytetit këta 7 muaj ka qenë ajo që të çonte në varreza. Andaj, nuk mund të mos e nisim reportazhin nga vdekja, që ndonëse tani duket sikur e ka braktisur qytetin, për ditë e muaj e ka zotëruar plotësisht.

Nekrologjitë e ngjitura shkujdesshëm në muret e bankës, zëvendësonin njëra-tjetrën, ndërsa varret mbinin përditë, duke shtuar parcela të reja në varrezat e vjetra. Të vdekurit e parë u vendosën në parcelën përcaktuar dikur për të persekutuarit. Mandej varret u shtuan aq shumë, sa zunë dhe rrugën dhe kur gjithë hapësira e mundshme u mbush, për të ardhurit e rinj u caktuan parcela të tjera.

Në qytetin e të vdekurve tani ka rënë heshtja, aq sa të duket e pabesueshme se dikur çdo ditë ka pasur deri 10 funerale, kuje, lule dhe krisma. Vdekjet ndillnin njëra-tjetrën. Ndërsa varrosej dikush, nga plumba të rastësishëm, apo hakmarrës vdiste dhe ndonjë tjetër. Punonjësit e varrezave tregojnë se aty kanë ndodhur çudira. Si rasti i një gruaje që vinte të qante të shoqin dhe merret peng nga dy djem, të cilët e detyrojnë të zhvendoset një varr më tutje për të qarë shokun e tyre. Gruaja që s’kishte dëgjuar kurrë për djalin para varrit të të cilit e lanë, nuk mund të bënte ndryshe, kur shikonte mbi kokë dy fytyra të egërsuara dhe dy automatike. Pasi e qau të vdekurin, djemtë që siç duket ngelën të kënaqur, e çuan me makinën e tyre në shtëpi, madje donin dhe ta paguanin. Ndërsa një varrmihës që mundohej t’i bindte dy të rinj se sipërfaqja e çdo varri është 1.2 me 2.4 dhe ai s’mund ta zgjeronte dot këtë hapësirë, u qëllua shtazërisht derisa u bind të vepronte siç donin shokët e të vrarit.

Çdo varr i ri në qytetin e vdekjes e ka një histori të veçantë. Ajo ç’kanë të përbashkët është se të gjithë janë njëlloj të bardhë, të bukur, të mbushur me lule, e për më tepër punuar kujdesshëm. Pranë e pranë gjen jo vetëm varre njerëzish të së njëjtës familje, por dhe varret e atyre që kishin vrarë njëri-tjetrin. Një 20-vjeçar vrau një njeri, shokët e të vrarit e dogjën atë të gjallë. Të dy të vdekurit janë pranë megjithatë. Dy vëllezër i kanë gjithashtu pranë varret. I pari vdiq i madhi, tjetrin e vranë ndërsa vajtonte mbi varrin e vëllait. Afër varrit të gruas, vrarë nga policia 6 muaj të shkuar, është varri i burrit, vdekur dy ditë më parë në një aksident automobilistik. Familjarët kishin sjellë vajzën e tyre 1-vjeçare e cila shikonte e çuditur sa fotografinë e mamit dhe atë të babit, pa kuptuar gjë. Varre fëmijësh vdekur aksidentalisht, grash të bukura si Greta e vrarë pranë dyqanit, apo Eva e përdhunuar dhe braktisur, varre njëzetvjeçarësh vdekur për hakmarrje, varre pafund, epitafe rrëqethëse. 20 milionë kushton varri ende i papërfunduar i tre vëllezërve vdekur në të njëjtën ditë. “Ç’të duhen emrat? – të pyesin punëtorët e vdekjes, në fytyrat e të cilëve duket e gdhendur frika. Ata kanë qenë më pranë vdekjes se shumëkush dhe e dinë mirë ç’do të thotë të kesh gjetur arkivol për një kokë pa trup, apo për një trup lënë 3 ditë në Panaja, gjetur i ngrënë nga krimbat. Ata e dinë se ç’do të thotë të hapësh një varr duke pritur gjithë ankth mos një plumb i rastësishëm e shndërron atë në varrin tënd. Ata i dinë të gjitha, aq sa ju duket e çuditshme si kanë ende frymë të të flasin dhe të tregojnë për makabritete dhe paradokse, nga ato që kanë ndodhur sidomos në Vlorë. Ata nuk duan të shkruhet se afër kriminelëve, janë varrosur dhe policët vrarë prej tyre, afër një vrasësi është varrosur dhe viktima pafaj, “Mjaft të thonë; – mos shkruani më për krime dhe kriminelë. Kanë vdekur tani, s’dimë ç’bëhet më këtu, ndërsa ne të gjallët duam të harrojmë”.

Punëtorët e vdekjes janë gati të lumtur që këto ditë po shohin më pak makina funeralesh, madje fare pak dhe gëzohen shumë kur dëgjojnë për vdekje nga perëndia, megjithëse nuk e kanë fort të qartë nga kanë ardhur ato vdekjet e tjera. “Në mos ka qenë perëndia, ç’qe ai djall që mbolli aq varre?”

Bluzat e bardha që lanë jetën peng

Në këta 7 muaj vlonjatët mbijetuan gjithsesi. Në rast se ndër këta të mbijetuar ka nga ata që quhen heronj, ata janë bluzat e bardha. Kur Vlora u kthye në një kasaphanë dhe mori ngjyrë gjaku dhe erë vdekjeje, 690 punonjësit e spitalit nuk e braktisën punën për asnjë çast, ndonëse nën terrorin e kallashnikovëve. Spitali rrethohej përditë nga banda të armatosura që merrnin peng mjekët. Ndërsa kirurgët shpëtonin një jetë, rivalët e tij vinin e vrisnin në sallë të operacionit, kur ai ishte ende nën narkozë. Janë rrahur, ofenduar keqtrajtuar dhe kërcënuar mjekët e sanitarët, por askush prej tyre nuk u largua për asnjë çast, nuk u tremb nga morgu, ku kufomat duheshin kapërcyer për të kaluar, as nga shtretërit e larë në gjak, as nga krismat në korridore, as nga tarraca e spitalit ku qëllohej pareshtur që të mos hynin bandat rivale. Drejtori i spitalit Servet Kojdheli kujton një natë kur duhej të kthehej në punë natën dhe ndërsa në rrugë luftohej, ai ecte me një bluzë të bardhe në dorën e ngritur lart, derisa arriti ne zyrë, e veshi bluzën, piu një trinitrinë dhe u fut në morg për ekspertizën e zakonshme mjeko-ligjore. Ai të tregon se kur në Vlorë nisi ora e parë e luftës, mblodhi personelin për t’u thënë: “Tani kemi punë. Kush do të ikë unë e kuptoj, kush do te rrijë të fillojë në çast.” Atë dite u krijua brigada e parë roje 24-orëshe me mjekë të të gjithë specialiteteve, sanitarë, infermierë, që të lodhur, stresuar, trembur dhe të papaguar ndërronin përditë njeri-tjetrin, duke i shërbyer jetës, në pritjen e ankthshme të vdekjes së vet.

Në një qytet të braktisur dhe nga zogjtë, ku vetëm vdekja ishte zot, ku vritej, plagosej, me dhe pa shkak, mjekët, infermierët lanë peng jetën e tyre në emër të jetës së Vlorës. Tani spitali i Vlorës është i zhveshur nga shumëçka. Në sallën e operacioneve duken gjurmët e plumbave të kujt vinte dhe qëllonte gjatë punës. Dyshekë, shtretër, ilaçe, janë vjedhur. Aparate të rëndësishme janë shpuar nga plumbat dhe nuk funksionojnë më. Xhamat gjithashtu s’duken gjëkundi. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe, kur në dyert e këtij spitali kanë hyrë 345 të plagosur me armë zjarri dhe janë shtruar për ditë të tëra deri në shërim, janë mjekuar dhe dërguar në shtëpi 461 persona, kanë vdekur 13 njerëz dhe kanë ardhur të vdekur 315 të tjerë. Prej të plagosurve, 94 janë dërguar në Greqi dhe 14 në Itali, shumica nën kërcënimin se do të hidhej spitali në erë, nëse ata nuk dërgoheshin jashtë. Ndërkaq në spital së fundi ka ardhur një testament i një anglezeje, që pasurinë e vet prej 150 mijë dollarësh ia ka dhuruar spitalit. Deri sa këto dhe të tjera fonde të vijnë, spitali i qytetit do të jetë po ai. Mjekët do lëvizin nëpër korridoret dhe dhomat që mbajnë kujtime nga më makabret dhe kujtdo vizitori a gazetari do i rrëfejnë nga një ndodhi, për ta mbyllur në fund me fjalët… Asgjë nuk mbaroi këtu. Do t’i shihni ata që lindën në këto kohë nga nëna të sëmura dhe të tmerruara. Tani nuk vijnë më në spital shumë të plagosur, apo të vrarë, por njerëz me infarkte, me ishemi zemre, ose cerebrale. Njerëzit deri dje të adoptuar me tmerrin, tanimë do ndjejnë pasojat…

Vlora apo Hiroshima?

Si për shoqërim idesh në udhëtimin nëpër Vlorë të kujtohet filmi “Hiroshima mon amur”. Dhe Vlora i ngjan paksa qytetit të rrafshuar nga bomba. Pallate të rrëzuara nga tritoli, dyqane të zhveshura nga grabitjet, Banka e Kursimeve e djegur, Vefa e plaçkitur. Karkasa makinash të djegura dhe lule në çdo rrugë në kujtim të një vdekjeje.

Ngado hedh sytë ndesh vetëm shkatërrim, aq sa të duket se nuk ka ngelur asnjë kujtim nga kohët, kur në Vlorë takoje lumturinë në një javë plazhi. Asgjë nga ç’ke dashur dhe pëlqyer dikur nuk është më, apo është ndryshe. Kështu jo vetëm në qytet. Po të shkosh në breg të detit dhe të vazhdosh rrugën nga vilat ndesh të njëjtin shkatërrim. Dikur vila më e bukur e Vlorës ishte ajo e Mehmet Shehut, e përdorur më pas nga Berisha. Tani ajo është një gërmadhë, se cilës i kanë marrë gjithçka duke i lënë vetëm përfytyrimin e asaj gjithçka duket ç’ka qenë dikur. Nuk bëhet fjalë për orendi, apo pllaka, por as për tavane e dritare. Ka vetëm skelet objekti. Aty gjen disa 16-vjeçarë që e përdorin pishinën e dikurshme si trampolino për t’u hedhur në det. Fëmijët të afrohen dhe kur i pyet se ç’bëjnë, qeshin: “Lahemi”- të thonë.

Keni qenë këtu kur është shkatërruar vila?

Jo, kur erdhëm ne s’bëhej fjalë më për vila.

Vini këtu edhe për të peshkuar?

Pse të duket se ka më peshq në Vlorë? Peshqit kanë emigruar, tani në det mund të gjesh vetëm kocka.

Do ikni nga Vlora?

Pse ku të shkojmë? Ka qytet më të bukur se Vlora. Ne do e bëjmë nga e para, ja kështu… dhe njëri prej tyre ulet në pishinë, merr disa pllaka, bën sikur i ngjit dhe qesh.

“Hë më nxirrni në fotografi tani, që ta shikojnë edhe në Tiranë, si do e bëjmë Vlorën nga e para. Ju vazhdoni të shkruani në gazeta për Zanin që është në Itali, dhe gënjeshtra të tjera nga ato që lexohen nëpër kafenera.” “Zani ishte dje tek moli dhe bënte plazh”. “JO”,- ia pret një tjetër,- dje ai po vriste cironka me tritol. Pastaj të gjithë qeshin dhe ndërsa ne largohemi, na shoqërojnë me batuta aspak naive…”Na keni dërguar specialet, po para do na dërgoni? Ju bie ndërmend për ne, apo vetëm ju vjen keq që s’bëtë dot plazh këtë vit? Në rast se e doni Vlorën, pse s’vini…?”

Çole

“Mos u prezantoni në Çole si gazetarë të “Koha Jonë” se do t’ju vrasin fare. Nuk durojnë që ju keni sharë Zanin”,- me këto fjalë të presin në të hyrë të lagjes-kështjellë të Myrteza Çaushit.

E megjithatë ne futemi në lagjen periferike të Vlorës, ku ndesh shumë shtëpi private të varfra, fëmijë të veshur keq, një grup burrash që luajnë domino dhe pasi të vështrojnë mospërfillës, vazhdojnë lojën. Këtu të gjithë janë me PS dhe të gjithë e shajnë PS. Një paradoks që në Vlorë përjetohet gjithnjë e më i fortë, me largimin e datës së zgjedhjeve, “kur iku dushmani Berisha”. Gjithçka është e qetë tani në Çole. Nuk ka asnjë mbeturinë nga koha kur një sirenë alarmi binte dhe gjithë lagja mobilizohej nën urdhrat e Zanit Caushit. Nuk dëgjohet asnjë krismë, asnjë zhurmë, veç lehjes së qenve. Shtëpia e Zanit është mbyllur. Aty pranë është një lokal i vogël dhe i zhveshur, ku shërbejnë motra e tij Drita dhe vëllai Luani. “Gazetarë shpërthen motra e tij. Mjaft me gazetarë! Keni gënjyer aq shumë, sa nuk durojmë më”. Pasi ajo qetësohet, nisim një bisedë që ndërpritet herë pas herë nga Luani, që thotë: “Mjaft tani nuk thuhen të gjitha”. Më pas vijnë një grup njerëzish që sapo marrin vesh se jemi gazetarë të “Koha Jonë”,ndonëse të revoltuar me gazetën që papritur e shpalli kriminel djalin e tyre, të tregojnë se kanë procesverbale të gjithë parave që Zani u kapi bandave dhe i dorëzoi aty ku ishin vjedhur. Pastaj kush më shumë e kush më pak, tregojnë rrëmujshëm dhe në mënyrën e tyre, se si djali 27-vjeçar, “që s’ka rrëmbyer ndonjë vajzë mjeku”, siç është përhapur fjala dhe s’është martuar ndonjëherë, ka ikur pa i thënë kujt ku. Ndoshta është në Itali. Luani vëllai i tij, kryetar i PS për lagjen, tregon se një ditë pasi erdhën specialet, Zani bëri thirrje për të grumbulluar armët e Çoles para shkollës së lagjes. Kur u grumbulluan një sasi e madhe armësh, erdhi Fatmir Hakani i specialeve, për t’i marrë me makinë. Të nesërmen, djem të grupit të Zanit, shkuan tek forcat nga Tirana, për të folur, por u kapën dhe u trajtuan si kriminelë. Të tre kishin shpëtuar nga vdekja, dikur në shkurt, Neritan Cekën. Një ditë më pas, thotë Luani, Zani iku. Të nesërmen, specialët erdhën në lagjen e paarmatosur dhe u futën shtëpi më shtëpi duke kontrolluar. Duket pakënaqësia e tyre ndaj forcave të ndërhyrjes së shpejtë, të cilët në shumë shtëpi arrestuan njerëz.

Mandej, dikush kujton se njëri, duke rrahur vëllain e Zanit, Lefterin 43 vjeç, i ka thënë: “Komunist, atë që na bëtë në shkurt, do jua kthejmë tani”. “Ne,- të thonë në lagje, i pritëm specialet se ishin të Cekës, por siç duket vetëm koka është ndërruar, ata janë të njëjtët, sepse disa prej tyre na treguan dhe plagë që i kishin marrë në Vlorë kur kishin ardhur të dërguar nga Berisha.”

Ndërsa motra e Zanit vendos të zbulojë pjesën më të padukshme të aventurës së të vëllait: telefonatat me Tiranën. Dikur merrte në telefon Azem Hajdari. “Ai, thotë Drita, premtonte 5 milionë dollarë për çdo djalë të shtëpisë dhe një pasaportë diplomatike. Kur Zani s’pranonte, e mbyllte telefonin duke sharë. Merrte gjithmonë në orën 2 të natës. Zani asnjëherë s’pranoi”. Drita thotë se Myrteza Çaushi nuk i dha kurrë fjalën PS për të marrë pushtetin, por ai ishte gati të bënte çdo gjë kundër Berishës. “Dhe zona jonë e urrente e gjitha Berishën, ndaj votoi kundër tij. Por ata na tradhtuan”. Rrëfimi i motrës vazhdon më tej me momentin e largimit të bossit. “Një ditë para se të ikte, dikush i telefonoi. Zani u ngrys i gjithi kur u mbyll telefoni dhe s’foli asnjë fjalë me ne. Të nesërmen takoi dikë dhe erdhi në shtëpi, na përshëndeti dhe tha se po ikte. Nuk tregoi ku. Vetëm qau dhe kur mbylli derën tha: “Më tradhtuan”. Megjithatë e motra nuk duket e dorëzuar. “Zani nuk i shërbeu askujt, vetëm popullit të vet, por siç duket aq ju duhej. Të paktën mbeti gjallë”.

Bolonja, bunkeri i gazetarëve

E vetmja ndërtesë që i ka rezistuar shkatërrimit është hotel Bolonja. Për muaj të tërë, e mbrojtur më armë nga të zotët e saj dhe më pas nga Alba, që e përdorte herë-herë si rezidencë për ushtarakët e lartë, Bolonja nuk njohu asnjë shkatërrim. Gjatë luftës ajo u shndërrua në vendstrehim gazetarësh. Nga dhomat e saj të kthyera në studio televizive, transmetohej direkt në dhjetëra kanale të televizioneve më të fuqishëm të botës. Hoteli me 24 shtretër mbante brenda një nate mbi 80 vetë, që flinin dhe në sallën e ngrënies. Pakkush nga mysafirët e Bolonjës do mund ta harrojë të vetmin oaz të shkretëtirës vlonjate gjatë atyre muajve tmerri. Tani hoteli është sërish i qetë. Nuk ka mysafirë, veç klientëve të zakontë që pinë kafen. Kjo s’do të thotë se verën tjetër s’do të ketë shumë miq…

Vlora tjetër

Ka dy javë që Vlora ka nisur të marrë frymë. Qyteti që mbyllej në shtëpi në orën 10 të drekës, tanimë, ndonëse jo krejt shpenguar ka nisur të jetojë normalitetin e vet. Kjo shkak të parë ka edhe ardhjen e specialeve, që në njëfarë mënyre tregojnë vendosjen e shtetit. Sidomos në Vlorë e kanë kuptuar se shteti i mirë, apo i keq, është i domosdoshëm, sepse kur ai mungon, ligjin e bëjnë bandat, të cilat të mira, apo të këqija ngelen banda. Njerëzit përpiqen të flasin sa më pak për ç’ka shkoi. Shumëkush jo se ka harruar paratë humbur te Gjallica, por gjithsesi i gëzohet mundësisë për të shkuar në plazh. Ata që nuk u kujtuan në 7 muaj se kishin edhe det, tani mbushin plazhin deri vonë. Në çdo cep të qytetit sheh policë. Në komisariatin e riorganizuar të tregojnë se 80 për qind e rendit është plotësisht në kontrollin e policisë, e cila ka raporte shumë të mira me popullin. Tek kalaja është postblloku i cili kontrollon makinat që shkojnë në fshatrat e bregut, për armë, drogë, persona në kërkim, apo automjete të vjedhur. Natën nuk e trembin më krismat dhe dëshira për t’iu kthyer jetës është zotëruese në qytet. Të gjithë duan të jetojnë ndryshe, duan të besojnë te njerëzit për të cilët kanë votuar dhe presin, presin vëmendjen e premtuar. Sidoqoftë, nesër në Vlorë shkon Presidenti i Republikës i shoqëruar nga 4 ministrat që qyteti i ka dhënë qeverisë. Pasnesër, të gjithë shpresojnë se do të jetë një ditë tjetër… A do mund t’ia rivrasin shpresën këtij qyteti? Nëse ndodh, Vlora e ka treguar si reagon….

 

SHKARKO APP