Sabri Godo: Misteret e Ali Pashë Tepelenës

(Botuar me 3 tetor 2002)

Nga Sabri Godo

Thuhet shpesh se një popull që nuk njeh historinë e tij është i destinuar të përsërisë gabimet, por edhe të kapesh vetëm pas historisë është si të ngrohesh në dritën e hënës. E kemi njohur pak historinë tonë, ose e kemi lexuar shtrembër. Figurat si Ali Pasha i kemi njohur më tepër nëpërmjet të huajve. Unë mbeta krejt i habitur kur lexova se Viktor Hygo e vinte Aliun në krah të Bonapartit e thoshte se sundonjësi i Janinës dhe perandori i Francës shkonin bri njëri-tjetrit si tigri me luanin. Gëte gjithashtu gjeti një krahasim ndërmjet Aliut dhe Frederikut të Madh. Ca më tepër, shkoi në zemër sinteza e Follmejerit që thotë se shqiptarët i ka udhëhequr në lashtësi Pirrua i Epirit, në mesjetë Skënderbeu dhe në kohët e reja, Ali Pashë Tepelena. Që ky i treti të njihet ndopak, kanë dhënë kontribut edhe disa autorë shqiptarë, ndërmjet të cilëve edhe unë. Ato që kemi shkruar ne, u përpoq t’i derdhte në bronz miku im i vjetër, Mumtas Dhrami, që punoi me pasion e dashuri për disa vite dhe sot kemi aty në hyrje të Tepelenës një vepër monumentale që do të gëzojë syrin e shqiptarëve në shekuj.

Unë kam ende një llogari timen me Ali Pashën, që duket se nuk do të mbyllet kurrë. Zura të shkruaj për Aliun tridhjetë e tre vite më parë, që ta padisja si një despot oriental, i cili shtypi me gjak suliotët liridashës. Duke shfletuar dokumentet dhe veprat mbi Aliun që gjendeshin në bibliotekat dhe arkivat tona e pashë veten si një njeri që e ka pasur mendjen tërësisht në mjegull. Hap pas hapi, po kuptoja se isha duke shkruar jetën e një njeriu të madh dhe atëherë filloi mundimi i vërtetë që më çoi në botimin e librit. Në njëzet vite që pasuan, shkrova disa libra të tjerë, po Aliu nuk më hiqej nga mendja. Më ndiqte me nënqeshjen e tij dinake, po edhe me një farë mëshire, duke më thënë se isha sjellë rrotull së vërtetës, pa arritur ta kap nga brenda. Kjo ngjante me një fiksim mendor. Në botimin e dytë doja t’i bëja ndreqje aty-këtu, po ngarkesa e akumuluar në njëzet vite ishte e madhe dhe e shkrova librin përsëri nga kreu në fund. Ndjeva një lehtësim, por prapë zura të mendoj se nuk e kisha ulur Aliun këmbëkryq e të rrëfente historinë e tij siç duhej. Me mendjen dhe fuqinë shpirtërore të jashtëzakonshme ai prapë mbeti si një demon i mirë që s’mund të nënshtrohet, të paktën nga unë. Do të shtoj edhe se në çdo rast, u jap shumë rëndësi hollësive teknike, sepse lidhen me kulturën e autorit dhe me saktësinë e informacionit që i jepet lexuesit. Kur shkova për herë të parë në Janinë pashë se ishullin e Shën Pandajleimonit, Kishën e vjetër dhe shtëpinë ku u vra Aliu, i kisha stisur në vende krejt të gabuara dhe doja të fshihja fytyrën, po e keqja ishte bërë se ndërkohë edhe botimi i dytë gjendej në dyqane.

Disa mendojnë se është e pamundur ta kapësh deri në fund të vërtetën historike, për shkak të largësisë në kohë dhe të dokumenteve kontradiktore. Largësia në kohë vjen e zvogëlohet, po të vendosesh lidhjet shpirtërore me personazhet me ndihmën e jetës së sotme. Fizikisht dhe emocionalisht, njerëzit janë siç kanë qenë, po njëlloj kanë ndierë gëzimet, ndryshojnë vetëm mjedisi dhe formimi kulturor. Përsa u takon dokumenteve kontradiktore, nuk duhet të flakësh asnjërën por të kërkosh lidhjen ndërmjet tyre. Nëse ecim me këto kritere do të mund të kuptojmë e të shohim nga afër edhe jetën e habitshme të Ali Pashë Tepelenës.

Emancipimi që solli Ali Pasha në Ballkan shtrihet në dy plane, në ndryshimet brenda zotërimeve të veta dhe në ndikimin në vendet fqinje, sidomos në luftën kundër perandorisë osmane. Në kulmin e fuqisë së tij Aliu ishte zot mbi tre të katërtat e Greqisë Kontinentale duke përfshirë për një kohë të shkurtër edhe Morenë, sundonte Shqipërinë e jugut e të mesme deri në Krujë dhe një pjesë të Maqedonisë. Miqtë, po edhe armiqtë e Aliut kanë qenë të detyruar të pranojnë se hapësira nën sundimin e tij ishte më e qeta, me ekonomi e zhvillim shoqëror më të përparuar dhe më pak e shtypur në tërë perandorinë. Fillimisht, ai vendosi rendin kudo që shkeli. Siç dihet, kishte qenë vetë hajdut, e njihte vendin me nuhatje, kishte pirë ujë në çdo burim, prej nga i dukej se lidhej me vetë tokën. Para tij, vendi kishte qenë një xhungël, ku çdo njeri i ngrinte tjetrit pritë. Vit pas viti ai e shndërroi xhunglën në një hapësirë të sigurt e të qetë ku “Ujku dhe qengji kullosin në lëndinë” këndonte Haxhi Sherreti, poeti i divanit të Aliut. Aliu e ndiente se drejtësia e ka strehën në shpirtin e njeriut, s’ka dhe aq rëndësi se çfarë drejtësi është, mjafton të jetë e njëjtë për të gjithë. Krahu i tij binte pa mëshirë e pa dallim mbi këto që shkelte bujurditë e Vezirit të Janinës. Ai u dha grekëve liri të plotë fetare, i lejoi të hapnin shkolla, i mori në administratë. Shtetin e tij të ardhshëm e shihte si një bashkim të dy popujve ku epërsinë ushtarake do ta kishin shqiptarët. U hoqi turqve privilegjet dhe zhduku bejlerët njëri pas tjetrit, do të kishte një bej të vetëm dhe ky do të ishte Ali Pasha. Ai fiksoi taksat. Bujqësia, zejtaria, tregtia, eksportet morën vrull të paparë. Ajo që ndodhte në këtë pjesë të perandorisë çonte me shpejtësi jashtë kanuneve të Turqisë, nga e cila Aliu po shkëputej gjithnjë e më tepër. Ndonjë studiues e ka gjykuar Aliun si jashtë kohës duke shpjeguar me këtë dhe rrënimin e tij. Unë mendoj ndryshe dhe këtë do të them pak më poshtë.

Emancipimi që solli Ali Pasha në Shqipëri dhe në Greqi, rritja e vazhduar e fuqisë së tij, pozita strategjike, pavarësia nga sulltani, tërhoqën interesimin e fortë të fuqive të mëdha. Ali Pasha mund të përdorej për një goditje vendimtare ndaj Turqisë dhe për dominimin në Mesdheun Lindor. Aliu u ruajt ndaj këtyre synimeve, si delja nga gërshëra dhe i shfrytëzoi në çdo rast në dobi të tij, duke dalë gjithnjë në gjysmë të rrugës. Askush nuk arriti të përdorte Aliun me shumë nga sa përdori ai aleatët e jashtëm, që ndërronin sipas kohës. Ai vendosi lidhje të qëndrueshme me Anglinë dhe Francën. Dinte se ç’bëhej në Vjenë dhe paguante aty ndonjë gazetë që thurte lavde për të. U ndesh me Rusinë përgjatë Danubit e në Ishujt e Jonit, por pa u shpallur haptas armik i saj. Ai përshëndeti revolucionin frëng dhe fitoret e Napolonit, po bëri kujdes që idetë e revolucionit të mos depërtonin më shumë seç duhej. Napoloni i shkruante Mbretit të Nepalit se punët me Aliun, nuk janë asnjëherë ashtu siç duken. Bashkohem me ata që thonë se Ali Pasha krijoi një rrymë të diplomacisë që mban emrin e tij. Por angazhimi i Aliut në politikën e madhe nuk ia pakësoi kurrsesi kujdesin për sa ndodhte në Bullgari, në Rumani e deri në Serbi. Ai mbante nën vëzhgim të fortë sidomos Stambollin ku e derdhte paranë pa kursim për të penguar në çdo hap Sulltanin e për të drejtuar aleancat e jashtme të Turqisë siç i voliste Aliut. Kur paraja s’bënte punë ai mund të përdorte edhe thikën. Ai akuzohet me të drejtë se ngriti komplotin për vrasjen e sulltan Selimit III. Gabimi i Aliut ishte se nuk e kuptoi që në fillim, se pasardhësi, Mahmuti II ishte një nga kokat më dinake të Turqisë në dyqind vjetët e fundit, ishte njeriu që diti të priste me durim orën e duhur për të larë hesapet me vezirin e Janinës.

Perandoria Turke ishte përherë e zënë me luftëra të jashtme e kryengritje të brendshme, ndërsa rrënohej edhe nga administrimi abuziv i pashallarëve. I sëmuri i madh i Bosforit, siç thirrej Turqia kishte nisur rrokullimën. Ndër kryengritjet në Ballkan që zunë të tronditin Portën e Lartë ishte ajo e Karah Mahmut Bushatlliut. Si vasal formal i sulltanit u nis kundër Bushatlliut edhe Ali Pasha, që zgjeroi në rrugë e sipër sundimin e tij me pushtimin e Ohrit dhe viseve të tjera. Kur arriti para Shkodrës krijoi turbullira në kampin turk dhe i shkroi Bushatlliut “Shpëtimi yt janë vetë armët e tua”. Të njëjtën gjë bëri me Pasvanoglune në Vidin të Bullgarisë. Agjentët e Aliut arrinin deri te pashallarët kryengritës të Azisë. Le të goditej Turqia nga çdo anë, ndërsa Aliu fuqizohej edhe me shumë, shtypte çdo kundërshtim të brendshëm, ndërtonte rrugë e kala me një vrull që nuk ishte parë kurrë, blinte topa e barut pa kursim, për të qenë gati kur të vinte dita për ballafaqimin e fundit me Turqinë.

Napoloni u internua në Shen Helenë, mbi Evropën ra heshtja, monarkitë që dridheshin aty më parë shtrënguan duart me vendi min e prerë të mos lejonin asnjë lloj rebelimi. Sulltan Mahmuti ishte i lirë t’i kthehej Aliut si rreziku më i madh për perandorinë. Kishte ardhur dita pa pritur dhe në kohën më pak të dëshiruar për Aliun. Kjo ia solli rrënimin. Ai duhej të përballonte vetëm fuqinë e përqendruar të sulltanit. Atëherë doli në shesh gjerësia e vërtetë e veprimtarisë së Aliut në Ballkan.

Ali Pasha gjendej i rrethuar në Janinë, kur shpërthyen kryengritjet në principatat e mëdha të Moldavisë e Vllahisë, kur dolën në krye kapedanët dhe agjentët e Aliut. Ai po e përhapte zjarrin larg. Por mendja dhe fuqia e madhe e Ali Pashës u përqendruan veçanërisht në kryengritjen greke, në shërbim të së cilës ai vuri kapedanët e tij me famë, e financoi dhe e drejtoi fillimisht. Ai Pasha tetëdhjetëvjeçar mbajti ushtrinë turke të mbërthyer rreth Janinës për tetëmbëdhjetë muaj, gjatë të cilëve zjarri i kryengritjes përfshiu lirisht Greqinë Kontinentale, Morenë dhe Ishujt e Egjeut.

Në rrugën e gjatë të themelimit të mbretërisë që do të mbante emrin e tij, Ali Pashës asnjëherë nuk iu errësua mendja nga shkëlqimi dhe nuk iu nda qëllimit kurrë, as në ditët ku mbeti krejt i vetëm. Krahas politikës, përdori dhe jataganin e rëndë. Në librin e çmuar “Ali Pasha dhe Britania e Madhe” Bagaly thotë “Ai ishte një njeri mizor por një pasha i drejtë”. Aliu derdhi gjak pa hezitim me vetëdijen se edhe veprat e kobshme si Hormova, Preveza, Nivica, diktoheshin nga interesa të larta të shtetit. Pastaj do të murmuriste se dallgët e gjakut do të ndiqnin edhe përtej vdekjes. Fatin e tij të rrallë e ndoqi me bindje dhe mbi vete i mori përgjegjësitë.

Nëse duam të jemi të drejtë me Aliun duhet të themi se ai lëkundi nga themelet perandorinë Turke për 35 vjet dhe shpejtoi rënien e saj. Pa Aliun, pavarësia e Greqisë do të ishte vonuar disa dekada, po kështu edhe për viset e tjera të Ballkanit. Me Aliun Shqipëria u shfaq sërish në arenën Evropiane pas heshtjes së rëndë që pasoi vdekja e Skënderbeut. Njeriu që tani rri ulur në fronin e tij aty në hyrje të qytetit të Tepelenës i përket kategorisë së individëve që lëvizin popujt përpara. Ai ishte në kohën e vet ndër figurat e shquara në Evropë dhe pa dyshim më i shquari në Ballkan.

Dy shtëpi botuese ofrojnë një botim të tretë të “Ali Pashës”, është pyetur nëse do t’i bëja me këtë rast ndryshime të mëtejshme. Ngacmimi është i fortë. Duket se me Aliun s’mund të mbarosh punë kurrë. Po edhe ballafaqimi me të për herë të tretë nuk është gjë e lehtë.

 

SHKARKO APP