Sabri Godo: “Pas Lesit, votëbesohet Nano”
(Botuar me 27 shtator 2004)
Nga Markel Bejdo
Plaku i urtë Sabri Godo reagoi dje pas kërkesës së Gjykatës së Lartë, e cila i kërkoi parlamentit heqjen e imunitetit të deputetit Nikoll Lesi. Kryetari i Nderit i republikanëve deklaroi se kjo çështje mund të sjellë turbullimin e mazhorancës dhe votëbesimin e kryeministrit Fatos Nano. “Argumentet që shoqërojnë kërkesën nuk përbëjnë një arsye të mjaftueshme për t’i hequr imunitetin deputetit Lesi. Nuk ka një vepër penale të mirëfilltë, por dihet që do të ketë një reagim shumë të fortë ndërkombëtar”, tha Godo. Sipas tij, dihet që gazeta “Koha Jonë” ka patur prirje të jetë gjithnjë në opozitë, si kundërshtare e atij që ka pushtetin. “Të gjitha këto e bëjnë shumë të vështirë që ndokush të ngrihet atje dhe të veprojë për heqjen e imunitetit të Lesit, i cili është faktikisht botues, deputet, kryetar partie, duke i mbledhur të gjitha gjërat bashkë, të çojnë në atë përfundim që tentativa është matematikisht e dështuar”, u shpreh Sabri Godo. Opinioni i kreut të republikanëve erdhi tre ditë pasi Gjykata e Lartë vendosi t’i kërkojë Kuvendit heqjen e imunitetit për deputetin Lesi në mënyrë që ai të procedohet penalisht.
Zoti Godo, cili është mendimi juaj për vendimin e Gjykatës së Lartë në lidhje me kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit Nikoll Lesi?
Mua më duket se në bazë të procedurave ligjore që janë në fuqi, gjykata ishte disi e detyruar t’ia dërgonte këtë kërkesë për shqyrtim Kuvendit. Nuk është kjo çështja, por ajo që do të ndodhë pas kësaj. Unë besoj se kjo nuk do të shtrohet fare për shqyrtim në Parlament, kjo do të tërhiqet ose do të shtyhet për një kohë të pa caktuar. Duket qartë që kërkesa kërcënon dështimin dhe kjo pastaj mund të ketë pasoja politike të tjera. Kjo mund të sjellë turbullim rreth shumicës së majtë në parlament që do të çojë drejt e në votëbesimin e Nanos.
Cilat mund të jenë pasojat politike në rast se kjo kërkesë rrëzohet nga Kuvendi?
Së pari, për mendimin tim do të ketë një rrugë, të mos shtrohet kjo kërkesë duke ndier dështimin. Dështimi do të vijë për faktin se deputetët e kanë të vështirë të votojnë për heqjen e imunitetit të një kolegu, qoftë ky edhe kundërshtar, pasi mendojnë si për veten e tyre.
Së dyti, argumentet që shoqërojnë kërkesën nuk përbëjnë një arsye të mjaftueshme për t’i hequr imunitetin deputetit Lesi. Nuk ka një vepër penale të mirëfilltë, por dihet që do të ketë një reagim shumë të fortë ndërkombëtar. Ka dhe arsye të tjera shoqëruese. Dihet që “Koha Jonë” është një nga gazetat e para në Shqipëri, dihet gjithashtu që kjo gazetë ka patur prirje të jetë gjithnjë në opozitë, si kundërshtare e atij që ka pushtetin. Të gjitha këto e bëjnë shumë të vështirë që ndokush të ngrihet atje dhe të veprojë për heqjen e imunitetit të Lesit, i cili është faktikisht botues, deputet, kryetar partie, duke i mbledhur të gjitha gjërat bashkë, të çojnë në atë përfundim që tentativa është matematikisht e dështuar.
Unë nuk mendoj si Gjinushi që thotë se nuk është momenti i duhur për këtë hap, nuk mund të shtrohet çështja në këtë mënyrë. Mua më duket se në përgjithësi, në çdo kohë qeveria duhet të jetë shumë e duruar, tolerante ndaj shtypit e të mos kalojë në masa të tilla represive. Do të krijohej një situatë e re në eventualitetin që kërkesa do të shtrohej në Parlament, sepse është një provë e forcave dhe ata që haptas ose me votim të fshehtë do të votojnë kundër kërkesës, po të shtrohet pastaj çështja e votëbesimit të Nanos, ata marrin një angazhim që tani për të votuar kundër tij. Prandaj më duket e pabesueshme që Nano t’i shkojë deri në fund kësaj.
Shtypi vazhdimisht ka denoncuar ministra, funksionarë të ndryshëm për afera korruptive në mënyrë të përsëritur dhe me insistim. Më së paku do të duhej të ndërhynte qeveria, për të shfajësuar veten në mënyrë publike e mira do të ishte të fillonte hetimin e anëtarit të qeverisë të vënë nën akuzë. Kjo nuk është bërë ndonjëherë. Kjo bëhet thjesht për një kritikë, që quhet fyerje nga ana e një gazetari. Në çdo anë që ta shikosh kjo nuk ka një farë logjike. Këto janë veprime inatçore të papeshuara, që sikundër thashë mund të sjellin zhvillime politike të tjera.
A mendoni se në rast se merren masa ndaj botuesit të “Koha Jonë”, Nikoll Lesi, do të ketë reagime nga ana e faktorit ndërkombëtar apo aktorëve të shoqërisë ndaj qeverisë shqiptare?
Në qoftë se deri tani nuk kemi patur deklarime ose ndërhyrje nga faktori ndërkombëtar, kjo ndodh sepse ata janë para një çështjeje që është në zhvillim e sipër. Kur kjo të bëhet fakt, atëherë medoemos do të ngrenë zërin. Kjo medoemos shkon në dëm të Nanos por kjo është dhe në dëm të imazhit të Shqipërisë në tërësi, që bën përpjekje për të ecur drejt Europës. Ky është një element që duhet llogaritur mirë. Jam shumë i sigurt që do të kemi një reagim të ashpër nga organet e masmedias ndërkombëtare, nga institucione të ndryshme në mbrojtje të të drejtave të individit, të fjalës së lirë etj.