Sabri Godo: Shënime nga një udhëtim në Kosovën e çliruar

(Botuar me 29 gusht 1999 në KOHA JONE)

Nga Sabri Godo-

Do shkojmë në Drenicë, te kulla e Adem Jasharit. Kam jetuar ngjarje që lënë mbresa të thella, po s’mbaj mend ta kem pasur ndonjëherë shpirtin aq të trazuar sa këto dy ditë. Këtë e vënë re edhe të tjerët, sidomos në dridhjen e zërit dhe atëherë ndihem edhe më keq. Është vjetruar zemra. Është edhe nga që tani po ndeshem drejtpërdrejtë me atë që jetuam për Kosovën, në muajt e vitet që shkuan, në tërë historinë e saj.

Tek Kelmendi dhe Agani

Në mëngjes ishim te familja e Bajram Kelmendit. Tre mbesat e tij, katër-pesë vjeçare, të lumtura e shumë të sjellshme, na urojnë mirëseardhjen me fjalë të mësuara. Po brenda syve të tyre të ndritura ka diçka që të ngrin gjakun. Duket sikur këto engjëllushe të bukura të qiellit të kenë pësuar një thyerje, një invaliditet të përjetshëm, që e mbulojnë me atë gjallërinë prej fëmije, duke të thënë nëpërmjet syve, ne e dimë punën, po tani le të gëzojmë së bashku, se ashtu duhet. Se këto vajza kanë parë edhe tytat e automatikëve të serbëve drejt mbi fytyrat e tyre, kanë parë edhe sesi mami u dha serbëve paret, unazën, orën, zinxhirin e qafës, që të mos i merrnin njërën prej vogëlushëve. E shoqja e Bajram Kelmendit, avokatit më të shquar të Kosovës, flet me atë zërin e qetë e të largët të gruas që jeton dhimbjen më të thellë që mund t’i takojë njeriut. Flet për punët e Kosovës. Është Sekretare e Përgjithshme e LDK. U pamë edhe dje, në takimin me udhëheqjen e partisë së saj. Arrij t’i them, Bajrami ishte zëdhënësi i Kosovës dhe ca fjalë të tjera. Ajo e kalon bisedën gjetiu, thotë se do ta hapin zyrën e Bajramit, bashkë me vajzën, Kosovaren, se nënë e bijë janë juriste, si Bajrami.

Kosovarja, grua e re, e pashme, rri e heshtur. Ato që kishte për të thënë m’i tha dy muaj më parë në Tiranë. Tha: mirë babin, hallal për Kosovën edhe vëllain e madh, po s’mund të fal të dytin, 16-vjeçar që i ranë me më shumë plumba se sa kishte vite, ama më parë e torturuan keqas në sytë e babës, i thyen eshtrat. Kishte fol qetë, e thjeshtë, me zotërim të plotë të mendjes e të fjalës., ndërsa fytyra i ndriste me atë bukurinë e lartë që i jep gruas pikëllimi më i thellë. “Zoti ia dha gurit dhe plasi, ia dhe njeriut dhe e mbajti”, thashë me vetë. Gra si Kosovarja dhe e ëma mund të ndeshen rrallë në jetë, po kisha për të parë edhe më. Te dera, tre vogëlushët ngrihen në majë të gishtërinjve për të na përqafuar e për të na thënë prapë njëherësh fjalët e përcjelljes. E shoqja e Fehmi Aganit duket e sëmurë, po rri në këmbë për të na nderuar. Thotë ngadalë se ka problem me vajzën që nuk mësohet dot pa të atin, si edhe me nipin trevjeçar. Ky i doli Fehmiut përpara kur u kthye nga Rambujeja dhe e pyeste, hë gjysh, a i munde serbët? Djalit i thonë se gjyshi është diku e do të vijë dhe djali bën sikur e beson. Herën e fundit e takova profesor Aganin para sulmit të NATO-s. Ai kishte një fjalë të mirë për gjithkënd, ishte njeriu që mund të bënte bashkimin e shqiptarëve, ishte nga ata personalitete të paktë, vdekja e të cilëve shtrihet përgjatë vendit.

Në kërkim të fillit të humbur

Po shkojmë në Drenicë te Jasharajt. Anës rrugëve tek kalojmë me makinë, na përshëndesin njerëzit. Na njohin nëpërmjet televizionit. Jemi pesë deputetë të Komisionit të Jashtëm nga katër parti. Partitë na kanë dalë nga mendja që se shkelëm në Kosovë. Partitë në Kosovë ngelen të përçara. Kjo është si jashtë vendit dhe kohës. Njerëzit këtu janë ende si të dalë nga shtrëngata e zezë nëpër të cilën ecën dhe tani mezi e besojnë se dolën shëndoshë e u kthyen aty ku duhet. Vëreja mbrëmë bulevardin në Prishtinë. Mijëra njerëz, gati të ngjeshur. S’kanë dalë të shëtisin me nge, po ecin me hap të shpejtë, si për t’i thënë vetes se tani mund të ecin nëpër rrugët e tyre sa të duan. Sot hynë për herë të parë edhe në stadium. Do të luajë futboll Prishtina me Tetovën. Që nga viti 1989 asnjë shqiptar s’kishte shkuar në stadium, nuk lejohej. Janë të shumta gjërat që lejohen tani për herë të parë. Njerëzit jetojnë si në një farë habie që u sjell vetëm gëzim.

Kur vjen fjala te politika, te përçarja, e kalojnë në heshtje, e largojnë nga mendja, si diçka që kurrsesi s’mund të jetë. Tabelat anës rrugëve janë ende të shkruara serbisht. Pyes z. Hydajet Hysenin, anëtar i Qeverisë, që na shoqëron për te Jasharajt. Ky lëviz vendit dhe thotë: “do t’i heqim, kemi marrë vendim. Ngjet një gjë e çuditshme, më parë shqiptarët diku i hiqnin tabelat edhe pse e dinin burgun, kurse tani nuk i prekin”. Them me vete se gjëja e ndaluar gjithnjë të tenton. Në një kryqëzim pyesim për rrugën. Porsa të thuash shkojmë tek Adem Jashari, njeriu të sheh me respekt e duket sikur të thotë: A e di mirë or mik se ku po shkon? Zë e më shtohet ankthi, po shkojmë drejt vatrës që jeton zinë më të madhe që është parë ndonjëherë për nga numri i viktimave. Duhet të kontrolloj veten. E kishim ngrënë drekën me Thaçin. “Ah sa mirë që po shkoni tek Ademi”, më tha. Po shkojmë tëk Ademi, te njeriu që nuk është, por që do të jetë përgjithnjë.

Në takimin e djeshëm, me Thaçin ku ishin edhe disa nga bashkëpunëtorët e tij të afërt, ai foli qartë për problemet e Kosovës. Ishte fleksibël. Lehtas la të kuptohej se e shihte me një farë habie qëndrimin e mënjanuar të Tiranës. Në takimin e veçuar i bëra një propozim lidhur me Rugovën. Thaçi hapi sytë e mëdhenj të qeshur, pranoi në çast. Shumë fleksibël. Dhe ishte i qetë, i sigurtë. Megjithatë duket se dyshimi e inatet e vjetra lidhur me palën tjetër ia mbajnë shpatullat mbërthyer. Profesor Qosja na kishte pritur në shtëpi me hare, një festë e vogël e shpejtë. Ama në mendjen e tij të ndritur luhatej diçka, zë e zbehet, rënkon, kur flet për enklavat serbe, për rreziqet që mbart e ardhmja e Kosovës. Kryesia e LDK ishte e përmbajtur, me një brengosje për sa ndodhte në klasën politike të Kosovës. Në mur ishte portreti i Rugovës. Dukej enigmatik. Kurse unë e kam njohur përherë të çiltër e të qeshur. Kam bindjen se ndonjë ditë do të flasë, duke e shuar enigmën. Folën me radhë anëtarët e Kryesisë së LDK-së, disa me përvojë, disa me të rinj në politikë. Po që të gjithë duan të heqin nga supet akuzën e përçarjes. Të njëjtën gjë pashë pak më parë te Thaçi. Kjo duket e pabesuar. Palët duan të takohen, të arrijnë marrëveshje. Cila e fshehtë i mban ende të ndarë edhe brenda në Prishtinë? Në bisedat e para me grupimet të duket se ke hyrë në epiqendrën e politikës kosovare, pastaj sheh se je i tëri jashtë. Bardhyl Mahmuti, burri i ri që krijoi partinë e re, duket se shkon përpara. Por a do të gjejë pikën e takimit me të tjerët? Kjo turbullirë politike në Kosovë ecën mbuluar si ujërat nën dhe. Po nuk është e helmuar, as e pashpresë, është në pragun e zgjidhjes së mirë.

Në një kodër nga e majta ngrihet përmendorja e betejës së Fushë Kosovës më 1389. Një poemë serbe thotë se Shën Elia fluturoi si skifter i murrmë që nga Kostandinopoja dhe i tha Princit Lazar se ai mund të fitonte aty mbretërinë e tokës ose të qiellit, po jo të dyja bashkë. Lazari zgjodhi mbretërinë e qiellit, duke sakrifikuar veten dhe ushtrinë. Bëri zgjedhje të mirë, sepse mbretëria e qiellit është e përjetshme. Serbët gjithnjë i kthejnë disfatat në fitore. Nën atë përmendore nisi fluturimin e tij Milosheviçi 600 vjet më pas, më 28 janar 1989, kur u tha serbëve se do të çlironte Kosovën nga kosovarët. Anës rrugës, dendësohen shtëpive prej tulle e betoni janë në këmbë. Janë djegur nga brenda dhe sidomos plaçkitur. E gjithë Kosova e bleruar dhe e bukur është dhunuar thellë, në shtëpitë dhe në shpirtrat e njerëzve, si dhe nëntokën që mbulon kobe të rënda. Kemi hyrë në Prekaz të Drenicës. Udhëtojmë në heshtje.

Shtëpia e Jasharajve, Meka e shqiptarëve

Ajo është një luginë e blertë, rrethuar nga dy anët e me kodra të buta, të veshura rreth majave me pisha. Në faqet e kodrave janë shtëpitë e bardha me çati të kuqe të fisit të Jasharëve. Varreza e tyre e re është në pllajën nga e djathta, 56 varre, të gjithë Jasharë, të rënë thuajse njëherësh, nga fëmijët e pamëkëmbur deri te pleqtë. Përpara në të majtë shtrihet një mur tepër i gjatë, nja katër metra i lartë.

Është kulla e Adem Jasharit, me skeletet e shtëpive të rrahura me top e të djegura. Kjo është epiqendra, që të merr frymën. E gjithë ngrehina të kujton një anije të mbytur të dalë në breg. Në dy skajet e murit të gjatë valojnë flamurët, shenjë se brenda murit të stërgjatë banojnë njerëz. Hyjmë në një dhomë përdhese të madhe, që u mbush shpejt me burra. Kërkoj me sy të parin e shtëpisë. Ky është në të djathtën time, Rifati, i vëllai i Jasharit. Rifati ishte në Tiranë atë ditë kur humbi gruan dhe katër fëmijët, vëllaun Ademin me dy djemtë, vëllaun tjetër Hamzanë dhe shtatë fëmijët, si dhe pleqtë. Ndiej mbi vetë një si valë turpi që nuk i kam ditur më parë hollësitë, shoh turbull rreth dhomës. Këtu s’mund të pyesësh kush u vra e kush mbeti, se nuk po bisedohet për gjëmën, po rreth motit e për punët e zakonshme të njerëzve. Të zotët e shtëpisë janë çehreçelur, të rregullojnë jastëkët, të pyesin për shëndetin e për familjen, kanë merak të presin sa më mirë pesë deputetët e ardhur nga Shqipëria. Pijet freskuese dhe kafet i sjellin burrat, se gra s’kanë mbetur. Nga kjo vatër prej tridhjetë frymësh ishin vrarë njëzetedy vetë. -Ju ardhshim për të mirë, – i them Rifatit. Ky burrë 65 vjeç duhej të ishte si një trung i djegur nga rrufetë e qiellit. Sepse, veç gruas e fëmijëve dhe 18 të vrarëve të vatrës së tij, janë edhe 34 të tjerë në fis. Ky burrë ka rreth vetes 56 varre të freskët, kush më shumë kush më pak të gjithë nga gjaku i tij. Po ai nuk është trung i djegur. Është i tëri i gjallë dhe përgjigjet me urtësi, me mirësi e me sytë e qeshur. “Ja dhanë gurit dhe plasi, ja dhanë njeriut dhe e mbaj Më duket se bëra të vetmin ngushëllim të mundur, që u prit mirë. Po duhej të thosha ndonjë gjë më tepër.- Kjo shtëpi duhet të jetë si Meka e shqiptarëve, thashë. Dikush në fundin e dhomës hapi një bllok dhe i shënoi shpejt fjalët e mia, duke pritur të thosha më tepër, por nuk e ndjeja zërin të sigurt dhe ndenja heshtur. Edhe heshtja u çmua. -Tani vjen Lulzimi, ishte duke punuar çuni, krejt në djersë, sa të rregullohet, -tha Rifati me shfajësim. Lulëzimi është djali 17-vjeçar i Ademit që u ndodh në Tiranë ditën e luftës së madhe. Mendoj rreth asaj që thashë, për Mekën e shqiptarëve, që s’e kisha menduar më parë e që më erdhi drejt nga shpirti. Këto janë ato çastet e rralla në jetë, kur ndjehesh i tëri brenda vetes. Në të vërtetë s’ka shembuj në luftërat e popujve dhe as në legjendat fetare, që një familje e madhe si e Jasharajve të jetë sakrifikuar e tëra me vetëdije. Me anën tjetër të mendjes dëgjoja kolegët e mi, duke folur me radhë dhe me urtësi, me fjalë që gjithashtu u vinin nga zemra. Hyri Lulzimi, na përqafoi dhe shkoi në fund të dhomës, si më i riu. E thirra pranë meje. Edhe kjo ishte me vend, se dy vëllezërit iu vranë me babën dhe Lulëzimi zë vendin e Adem Jasharit. Djaloshi ka një fytyrë rrumbullake krejt të çiltër, trupmadh e i fuqishëm, është ata djem që të japin menjëherë gëzim. “A jeni mirë axhë Sabria” më thotë me sytë e mëdhenj plot dritë. Pastaj hedh shikimin jashtë dritares si për të thënë “mirë po bahet Kosova”. Ky rrezaton fuqi me lëvizjet e qeta, këlysh luani i rritur shpejt. Asgjë s’mund ta thyejë, asgjë s’mund t’ia ndërrojë rrugën. Kolegët e mi e sjellin fjalën rreth shtëpisë së madhe të rrënuar. Le të mbetet muze, po a e kanë ndërmend Jasharët të ndërtojnë gjetiu? Mbase djemtë mund të shkojnë në Prishtinë. thuhen me mirësi, si për të ndihur që të hapen rrugët e jetës pas murit të gjatë. Në dhomën e madhe sikur kalon një pëshpëritje. -Mos e fol mor zotni, kthehet e thotë Lulëzimi buzagaz.- Këtu qëndruam të mbrojmë tokën. Si ta lemë tani që u lirua Kosova?

Pragu i shtëpisë, vendi më i mirë për të vdekur

Dalim të shohim vendet e luftimit. Më heqin rrugën Lulëzimi dhe Murati, nipi i Ademit çdo hap, sidomos që nga viti 1985, kur Ademi nisi veprimtarinë për Kosovën. Ishte si i zgjedhuri i axhës, i rritur me frymën e tij. Bashkë ishin edhe në vitin 1993 në Tiranë në kursin special të Akademisë Ushtarake. Ditën e luftës, Murati që kishte qenë në vite hija e axhës, nuk u ndodh në Prekaz, po në Tiranë. Kjo ishte një nga ajo lojërat e pashpjeguara që i kurdis fati njeriut. Nga qetësia me të cilën tregon vendet e luftës duket se ky burrë i ri do ta vuajë në heshtje tërë jetën, lojën që i punoi fati për të mos qenë atë ditë pranë axhës, nënës, motrave e vëllezërve të vegjël. Apo vallë diku në thellësitë e errëta të shpirtit ka edhe ndjesinë e gëzimit që mbeti gjallë? Është i ri e plot jetë dhe një ndjesi e tillë nuk është e panatyrshme te njeriu. E dëgjoj tek shpjegon, e shoh si lëviz. Jo, ky e ka hidhërimin në palcë, është burrë i ri i vërtetë. Ky nuk do ta falë kurrë atë lojën e fatit. S’ka nënshtresë tjetër në shpirtin e tij. Po prapë do të jetojë e do të punojë fort, për njerëzit që i kanë mbetur dhe sidomos për Kosovën, se më në fund të gjitha për Kosovën u bënë. Nga sa shoh rrotull këtë mendje e këtë shpirt e kanë të gjithë Jasharët që mbijetuan, të mbrojnë tokën e tyre në Prekaz, të mbrojnë Kosovën. Këta janë ndryshe. Një bosht të tillë të jetës mund ta krijojë vetëm ai të cilit i takoi të japë gjithçka. Mbase vite më pas, jeta do ta bëjë të sajën. Jemi në ballin lindor të shtëpisë. Në të djathtë janë kodrat me pyje gati të errët. Aty u ndesh atë ditë me serbët axhë Ademi, 5 Mars 1998. Ai pa se po vinin forca të shumta edhe nga mbrapa, me rropullimin e tankeve, duke e përhapur luftën në krejt lagjen e Jasharajve. Aty po bëhej gjëma. Atëherë Ademi u tërhoq brenda shtëpisë. Gjithkush mbante frymën. Tani do të shihej nëse Adem Jashari ishte vërtet i pamposhtur, njeri që nuk e kapte plumbi, legjendë që nisi të sajohej prej asaj natës së Janarit me dëborë kur Ademi ra në pritën e katër policëve serbë dhe i mundi me krahët e fortë. Ai ishte burrë i shëndetshëm me mjekrën të zezë dhe shikimin depërtonjës, 43 vjeç. Sipas gojëdhënës, prej treqind vjetësh, në familjen e tij aty në Prekaz, trashëgimia kalohej në breza nga një djalë i vetëm. Ky lloj mallkimi u thye mbas vitit 1945 kur Shaban Jashari dhe Zekidja lindën tre djem, Hamzanë, Rifatin dhe Ademin që nga ana e tyre lindën secili një vatër me fëmijë. Ajo që ngjau më 5 Mars 1998 në kullën e Ademit nuk është e dokumentuar në detaje. Tregimi bazohet më shumë në atë që kujtojnë dy vajza të vogla dhe sipas vendit ku u gjendën të vrarët, sipas gropave të hapura në mure nga predhat e topave. Duket se Jashari me burrat u ngjit në katin e dytë, prej nga zotërohej oborri i madh. Në katin përdhes me dritaret e ulëta, nga e djathta, ishin gratë dhe fëmijët që mbushnin armët. Në të majtë të plevicës mbronte hyrjen baba Shabani, me nënë Zekidenë. Me ta ishte edhe Kushtrimi, djali 12 vjeçar i Ademit, me të cilin do të ndodhte në fund diçka e pabesuar. Sa orë luftë u bë, kush u vra i pari dhe ku çanë serbët më fort, këto duhet të vërtetohen më pas. Ndofta në fillim u vra djali i madh 17 vjeç i Ademit. Hamzai, vëllai i madh i Ademit, zbriti poshtë dhe pa se ishin gjakosur dhe gratë e fëmijët. Ishin vrarë edhe plaku e plaka me armët në duar, po shembeshin muret nga qitja e topave. Ademi pa se rreth tij në katin e dytë s’kishte mbetur njeri i gjallë. Nëpër tym zbriti shkallët ngadalë. Në dhomën përdhese nga e majta pa të birin, Kushtrimin 12 vjeçar, në gjunjë para gjyshit. Topi kishte çarë në mur një gropë të madhe rrumbullake. Plumbi ngrinte çika guri në çdo anë. Në plevicën e grave nga e majta ndihej ndonjë rënkim. Dikush mund të ishte gjallë. Ai mendoi se Lulzimi 15 vjeçar me dy gocat, Shqipen dhe Marigonën ishin me xhajën në Tiranë. Do të mbetej një mashkull në vatrën e tij dhe historia niste nga e para. Ata do të ndiqnin rrugën e drejtë. U kishte futur Kosovën në shpirt, u kishte mësuar armët që gjashtë vjeç. Kur hapte kanatet e dritares në mëngjes u thoshte fëmijëve “Ja, nëna Kosovë rënkon nën diell”. Kurse vetë mendonte me një ndrydhje në zemër se populli sillej si i përgjumur që bën të ngrihet e nuk mundet, duke duruar prej njëqind vjetësh vrasje, therje, dhunë, djallëzi e poshtërime që s’mund t’i durojë njeriu. Po ngritja e popullit mund të merrej përsipër dhe ai vetë do t’i hynte kësaj pune. Ai mendoi se vendi më i mirë për të vdekur ishte pragu i shtëpisë. Kishte ardhur fundi papritur, por edhe që dihej. Adem Jashari, i arratisur që nga viti 1985 dhe tani së fundi Komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së që po formohej, s’kishte bërë dhe aq kujdes dy muajt e fundit. Kishte dalë fitues nga disa prita, duke rritur rreth vetes legjendën, ndërsa fryhej dosja e tij me informacione, fotografi e filmime mbi lëvizjet që bënte. Kishte rënë befas heshtja; mund të ndihej hapi tinëzar i serbit rreth oborrit. I kishin kërkuar Ademit të ikte me familjen jashtë Kosovës. Tani po vinin për ta shfarosur megjithësejt. Po ai s’mund ta linte truallin e të parëve. Duhej ta mbulonte atë me trupin e vet e ndofta kështu shpëtonte dikush aty nën rrënojat. Ishte çasti për të vdekur. Vendi më i mirë ishte aty te pragu.

Ku të gjesh një fëmijë si Kushtrim Jashari?

Djali kishte ngritur me të dy duart automatikun e rëndë që të delte pas të atit. Po krisma e njëhershme e armëve dhe shpërthimi i bombave e prapsën. E pa të atin të shtrirë pjerrtas te qoshja e portës duke i rrjedhur gjak nga trupi i bëshëm. Dy goca moshatare të Kushtrimit që mbeten gjallë thonë se panë që ai nuk shkoi te i ati. U kthye mbrapsht, ndoshta duke menduar gjyshin dhe gjyshen, ose nënën, motrat dhe kushërinjtë në plevicën tjetër. Po nuk shkoi as andej. Ngriti edhe më lart automatikun e rëndë dhe shkoi drejt derës nga perëndimi prej nga vinte zhurma shurdhuese e luftës. Djali u ul në gjunjë pranë gropës që kishte hapur topi, po nuk arrinte të shihte jashtë. U ngrit prapë në këmbë dhe shkrehu me tre ndërprerje tërë karikatorin. U fol se nga kjo ana e mbrapme e oborrit ranë shumë serbë të vrarë dhe se këtë e bëri Kushtrimi, që po hynte në të trembëdhjetat. Kjo s’ka rëndësi. E rëndësishme është të dish atë që kalonte në ato çaste në mendjen dhe shpirtin e djalit. Po kjo është gati e pamundur. Me zotësi prej psikologu mund edhe të hysh në botën e një djali që po kalon në të trembëdhjetat. Po ku të gjesh një fëmijë tjetër që të ketë kaluar një ngjarje të afërt me atë të Kushtrim Jasharit?

Po shkojmë drejt Mitrovicës

Këto ishin dy ditë të intensitetit të lartë politik trazuar me dhimbjen njerëzore dhe me një lloj krenarie për njeriun që s’e kisha ndjerë prej kohe. Mirëpo, duke u qetësuar, duke dashur të vë pak rregull në ndjesitë e forta, shoh të ngrejë përsëri krye ajo pyetja e vjetër nëse ekziston madhështia e vërtetë e njeriut dhe deri në ç’shkallë? Kjo është një pyetje thelbësore për një burrë të moshuar si unë, që gjithë jetën ka vrojtuar njerëzit. Dikush ka thënë se shkrimtari duhet të ruajë aftësinë e të vrojtuarit edhe kur ndodhet mbi shtratin e vdekjes së të atit. Këto ditë s’kam vrojtuar, kam ecur sipas zemrës dhe gjeta prapë konfirmimin se njeriu është i madh, veçse kjo del kur vihet në provë. Konfirmohet gjithashtu se dhembja është shtresa më e thellë dhe më e ndritur e njeriut. Me vizitat në tre familje të shquara pashë ndryshimin e madh që sjellin te njeriu drama nga më të rëndat.

Përtej dritares së makinës, shikoj fshatrat e Kosovës. Mijëra familje të tjera kanë jetuar drama të përafërta. Dhjetëra familje janë dhunuar, pushkatuar e therur, pastaj i kanë mbuluar me kashtë për t’i djegur. Çdo ditë zbulohen gropa të varreve të përbashkëta. Dhembjen e Kosovës nuk e mban toka, por e mban kosovari, që rregullon varret e në të njëjtën kohë ndreq shtëpinë. Zë e besoj gjithnjë më tepër te njeriu, po jo deri aty sa të marr në bllok racën njerëzore. Se nga njëra anë shohim Kushtrim Jasharin dymbëdhjetë vjeç që shkon drejt vdekjes meqë s’i ka mbetur tjetër dhe pak më tej shohim një baba qyqar i cili, për të shpëtuar pjesën tjetër të familjes, e ndofta dhe veten, mbuloi fytyrën me duar kur ushtari serb i zbriti vajzën nga traktori për ta dhunuar.

Mijëra djem morën armët, të gatshëm të jepnin edhe jetën, kurse disa të tjerë gjetën rastin të bënin edhe ndonjë tregti me fitim. Dy milionë kosovarë iu nënshtruan një prove shumë të rëndë, po peshën nuk e mbajtën të gjithë njëlloj. Kështu është populli. Por margaritarët që dolën nga temperatura e lartë duhen mbajtur. Burrat që bëhen strumbullarë në kohë rreziku duhen shquar. Nëse në Rahovec dhe në çdo komunë duhet ngritur një përmendore, te kulla Adem Jashari duhet ngritur një memorial madhështor ku çdo shqiptar të shkojë së paku një herë. Nëse nuk i bëjmë këto, do të tregohemi një popull i humbur me më tepër batakçi e hajdutë dhe më pak njerëz patriotë e të qytetëruar.

KFOR, postbllok vetvetes

Ana e këtejme e Mitrovicës, e banuar më dendur nga shqiptarët është pothuaj e tëra e djegur dhe duket sikur tymos ende. Po anës rrugës kanë zënë të gëlojnë tezgat dhe dyqanet. S’më bën zemra të ngre sytë mbi anën përtej urës. Më tej, në shpatet e maleve është Trepça, ku ish-Jugosllavia, si eksportuesja e tretë e zinkut, plumbit dhe magneziumit në Evropë, nxirrte prej andej 65 për qind të prodhimit. Te ura janë telat me gjemba që ndalojnë shqiptarët të kthehen në shtëpitë e tyre. KFOR i ka ngritur këtu postbllok vetvetes.

Më 3 korrik 1999 Serbia kapitulloi, pas konfliktit me NATON, që zgjati 72 ditë. Bota mësoi se filozofia e Perëndimit mbi Rendin e Ri Botëror triumfoi. Ky rend do të godasë çdo diktator rreth globit që nëpërkëmb të drejtat e popujve dhe rrezikon paqen. Beteja për Kosovën ishte prova se kështu do të jetë. Për Kosovën u tha, tërheqje totale e forcave serbe, kthim në shtëpitë e tyre për gjithë kosovarët, deri te më i fundit. Postblloku me tela aty te ura të rrëqeth lëkurën. Të duket sikur punët nuk do të çohen në fund. Kësaj i thonë të fitosh luftën e të mos e instalosh të plotë fitoren, të ndjekësh vrasësin e të mos e kapësh e ndofta t’i ushqesh idenë e rikthimit aty ku ka qenë, gjë shumë e mundshme te udhëheqësit serb që ecin në mënyrë tërthore. Ajo puna e telave te ura mund të jetë një gjë e vogël, po mund të jetë edhe prova e parë e dikujt për të krijuar enklava serbe në Kosovë, vatra me prushe të mbuluar për t’i vënë zjarrin Ballkanit. Nga Mitrovica në Prishtinë rruga kalon ndanë disa shtëpive serbe, ish-nëpunës etj. Janë shtëpi të ndërtuara nja 40 vite më parë, të mbyllura e pa jetë. Aty-këtu mund të shohësh edhe ndonjë grua të sillet rreth oborrit kokulur. S’ka shtëpi të djegura, as rrethim me tela. Duket se aty banojnë njerëz paqësorë. Veçse flitet shumë për udbashë dhe paramilitarë të Arkanit që filtrojnë në Kosovë. Mund të besoj një pjesë të vrasjeve e djegieve që u atribuohen shqiptarëve, po jam fare i sigurt se dëmtimin e kishave e bëjnë vetë serbët. Është ajo klauzola e marrëveshjes që thotë se njëqind ushtarë serbë duhet të kthehen për të mbrojtur monumentet.

Në mbrëmje pyes Dan Evertsin nëse ka rend në Prishtinë. Natën, diku digjet ndonjë shtëpi serbi a romi, më thotë. Miku im Everts, duket po aq i hequr e i shqetësuar sa ç’ishte në Tiranë në ca ditë të shkuara të vështira, po këtë e mbulon me atë humorin ledhatonjës. Në orën 10.00 të mbrëmjes kalojmë kufirin Kosovë-Maqedoni. Vargu pa mbarim i kamionëve që presin prej ditësh të hyjnë në Kosovë, zgjatet pothuaj deri në Shkup. Tani mund të mendoj politikisht.

Kosova, shpresë dhe rreziqe

Kosova lëpin plagët, duke u gjallëruar çdo ditë e më tepër. Në historinë tonë si komb, u hap befasisht horizonti me shpresëdhënës që kemi jetuar ndonjëherë, po për këtë nuk jemi aq të vetëdijshëm. Kosova me vitalitetin e vrullshëm njerëzor dhe me burimet e mëdha natyrore mund të rritet shpejt. Po a do t’u sjellë kjo gëzim gjithë shteteve të Ballkanit? Emri “Ballkan” vjen nga turqishtja dhe do të thotë “male me pyje”. Pakti i stabilitetit është rruga e drejtë, po ajo duhet të kalojë nëpër shtigje të larta e hone të thella ku e nesërmja bllokohet nga e djeshmja në një sipërfaqe prej 320.00 km2. Qeveritarët tanë të mos e shohin shesh me lule.

Nga fëmijëria më vjen ndërmend një tregim i “Lumo Skëndos” që e shihte Shqipërinë si një foshnje në një djep që përkundet në tehun e jataganit. E sotmja e Kosovës plot shpresa përmban edhe rreziqe të shumta që duhet t’i mënjanojnë vetë kosovarët. Rreziku i shtrirë në kohë mbetet rryma nacionaliste serbe që hapet si llavë e errët kudo të gjejë hapësirë. Edhe po të bjerë Milosheviçi nuk do të thoshte se në të njëjtën kohë do të zhduket ideologjia e Serbisë së Madhe e kultivuar thellë.

Po ç’duhet të bëjmë me shtetin Amë?

Gjatë krizës kosovare, Qeveria e Majkos lau një pjesë të detyrimeve që krijuan qeverinë e Shqipërisë ndaj Kosovës gjatë njëqind viteve. Po tani e mbrapa? Rruga Durrës-Prishtinë është boshti i zhvillimit të Kombit, me përparësi më të madhe se Korridori 8. Por rruga Durrës-Morinë është gati e papërdorshme dhe nën kërcënimin e banditëve. Nga Tirana mund të flasësh në telefon me çdo pikë të dheut, po kurrsesi me Kosovën. Thuhet se Maqedonia eksporton 5 milionë dollarë mallra në ditë në Kosovë, kurse nga kufiri ynë me Kosovën na vijnë vetëm lajme për ndonjë kamion kontrabandë. Ndërsa po mbyll këtë shkrim të gjatë, televizioni dha deklaratën e Majkos për të ndërtuar me kontribute rrugën Durrës-Kukës. Vrulli i Kryeministrit do përkrahur, por dua t’i them miqësisht se ndërtimi i kësaj rruge, edhe duke e bërë të thjeshtë, mund të dojë nja 200 milionë dollarë. Më mirë le t’u jepet shoqërive aksionere vendase e të huaja që do ta ndërtonin në një vit me të drejtën të shlyejnë investimin nga taksa rrugë. Ura e madhe e Stambollit u shlye brenda dy viteve. Fondet që mund të mblidhen për rrugën le të përdoren për memorialin, në Drenicë. Duhet të kemi një strategji të qartë për Kosovën, për sot e për të ardhmen. Duhet një dikaster për Kosovën, për shqiptarët rrotull nesh, për emigracionin e diasporën. Historia po lëviz me shpejtësi, duke shkurtuar etapat. Ky tren që është nisur mund të mos kthehet më në stacionet e Tiranës dhe Prishtinës./Sabri Godo/

SHKARKO APP