Sërvet Pëllumbi del kundër Nanos: Nuk jam i vetëm, kam përkrahës në bazë e qendër
(Botuar me 4 qershor 1998 në KOHA JONE)
Sërvet Pëllumbi del kundër Nanos: Nuk jam i vetëm, kam përkrahës në bazë e qendër
TIRANË – “Mocioni” i paraqitur nga Servet Pëllumbi ka ngjallur reagime tek anëtarët e PS në qendër dhe në bazë. Opsionet e paraqitura nga ai në një letër drejtuar KPD, vetëm janë lexuar nga anëtarët e KPD, por pa pasur një reagim të ashpër. Madje, letra, siç konfirmojnë zyrtarisht sekretarët në PS, nuk i është dërguar Kryetarit të Partisë, Fatos Nano, mbi të cilin kanë rënë akuzat kryesore të Pëllumbit. Megjithatë, kryetari i PS është informuar për këto vërejtje dhe kërkesa për sqarim që ka Pëllumbi, duke e lexuar në faqet e “ZP”.
Ndërsa përfaqësuesit në qendër, megjithëse thonë se e kanë lexuar letrën, nuk mendojnë se është e nevojshme thirrja e një Kongresi të Jashtëzakonshëm të partisë për të diskutuar mbi problemet e paraqitura.
Ndërsa vetë Pëllumbi tha dje për “KJ” se ai nuk kërkon domosdoshmërish një Kongres nesër, por mbledhjen e tij brenda vitit. “Unë mendoj se kam përkrahës në bazë, por edhe në forumet e larta të partisë. Nëse gjatë diskutimit në KPD, vërejtjet e mia fitojnë pakicën, kjo e fundit sipas statutit ka të drejtë të shtrojë këto pikëpamje në mbledhjen e ardhshme të KPD.”
Pëllumbi po dje për “KJ” nuk ka fshehur shpresën se në rast përkrahje, lëvizja e tij mund të institucionalizohet, gjë që më thjesht do të thotë fraksion brenda kësaj partie. Fakti që kjo letër u bë publike, tregon, sipas liderëve kryesorë të PS, se kjo parti është treguar shumë tolerante dhe luajale për një mendim të lirë dhe demokratik brenda partisë, duke ironizuar kështu mbi një nga pikat më problematike që ka prekur Pëllumbi në letër, demokracinë në parti. Për ta, diskutimi i kësaj letre dhe vërejtjeve të paraqitura aty është një gjë shumë normale për të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste si në bazë, ashtu edhe në qendër.
Gramoz Ruçi, sekretar koordinativ në PS
Është një gjë fare normale që çdo anëtar i PS dhe në rastin konkret Servet Pëllumbi, t’u drejtohet forumeve të partisë për opsionet që ka për alternativa të ndryshme apo mbi veprimet e strukturave të kësaj partie, qofshin ato të ekzekutivit, apo të legjislativit.
Para se të gjykoj mbi opsionet që ai ka për X apo Y anëtar apo drejtues të partisë, mund të them se sot vendi ka mjaft halle dhe probleme të tjera siç janë çështjet e situatës në veri. Kështu që unë ende nuk mund të shprehem për opsionet që ai ka, pasi mendoj ta them mendimin tim në forumet e larta drejtuese të PS, të cilave u drejtohet edhe kjo letër.
Madje kjo do të diskutohet në mbledhjen e parë të KPD, sepse po të ishte fjala për të mos u marrë me të dhe për të mos e diskutuar, paradoksi do të qëndronte tek fakti që kjo letër u botua në gazetën e PS. Dhe me një veprim të tillë, PS është treguar mjaft luajale. Megjithatë unë jam i mendimit se, përderisa kjo letër i drejtohej KPD, atëherë duhej të diskutohej në forum, dhe pastaj të gjykohej për botim. Më pas, KPD do të kishte një përgjigje për publikun dhe për vetë autorin e letrës. Statuti i PS përcakton që në rast se anëtari i PS, nuk gjen mbështetje për opsionet e tij në parti, ai ka të drejtë legjitime ta publikojë atë në organet e masmedias.
Megjithatë, nuk bëhet fjalë absolutisht për mbledhjen e një Kongresi të Jashtëzakonshëm, sepse ky kongres mblidhet vetëm në tre raste: kur plotësohet norma statutore; kur vendos KPD; kur vendos një e treta e anëtarëve të PS në shkallë vendi dhe opsionet e dhëna nga Pëllumbi nuk më bindin se duhet të mblidhet kongresi. Këto opsione janë hedhur edhe në konferencën kombëtare, dhe nuk është gjetur mbështetja e duhur. Për mua, kjo çështje nuk përbën asnjë problem.
Arben Dervishi, kryetar i PS, Korçë
Mendimi oponent është i domosdoshëm, sepse problemet që aty ngrihen, janë reale. Kjo ndihet më tepër në strukturat në bazë. Në një testim që iu bë në Korçë qeverisjes lokale, mund të them se u la një debat i hapur për të plotësuar detyrën e oponencës të të metave dhe gabimeve të pushtetit. Ne kemi kërkuar të diskutojmë për të gjitha problemet me kryetarin e PS, Fatos Nano dhe i kemi bërë kërkesë të përbashkët atij nga Komiteti Drejtues i Korçës. Deri tani Nano nuk ka ardhur, por ka bërë takime në Korçë vetëm Sekretari i Përgjithshëm. Kjo tregon se ka një përkushtim të pakët të qeverisjes qendrore, drejt bazës. Për sa u përket zhvillimeve të fundit brenda partisë, mund të them se ato janë diskutuar në shumicën e organeve të partisë në Korçë. Ne mendojmë se roli oponent është i domosdoshëm dhe ky rol duhet të jetë më i madh në qendër. Ne kemi dërguar informacione të tilla por nuk është bërë ndonjë hetim. Nuk është normale të mos vlerësohet kontributi i socialistëve korçarë, kur mund të them se edhe tani ne si parti, i zhvillojmë aktivitetit tona në një kioskë.
Pandeli Majko, Sekretar i Përgjithshëm i PS
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, u shpreh për shtypin kundër propozimit të deputetit të PS-së, Sevet Pëllumbi, për mbajtjen e Kongresit të Tretë të Jashtëzakonshëm të kësaj partie.“Nuk mendoj se Kongresi përbën një zgjidhje për një varg çështjesh, të cilat përbëjnë shqetësim për PS-në. Kjo, sepse në thelb, në marrëdhëniet e brendshme të kryesisë së partisë nuk ekziston asnjë konflikt për mosmarrjen e vendimeve të nevojshme si garanci për zgjidhjen e problemeve”, tha Majko dje.
Sipas Majkos, bërja publike e letrës së Pëllumbit në organin e PS-së është normale, sepse “nuk lejon publicitete spekulative”. Gjithsesi, numri dy i PS, shprehet që më shumë se spektakël, PS-së i duhen mekanizmat qeverisës për zgjidhjen e problemeve.“Diskutimet elitare në një kongres, për lëvizje majtas apo djathtas, do të tingëllonin tepër të largëta për një shoqëri si kjo e jona, në tranzicion”, tha Majko.
Dritëro Agolli, anëtar i KPD
Për sa i përket letrës së Servetit, ajo duhet të diskutohet patjetër, sepse diskutimi përfshihet edhe në statut, kur ka një mocion të tillë. Por ky mocion, i cili tani është bërë individualisht nuk është një gjë krejt e panjohur dhe e papritur, që vjen si rrufe nga qielli. Vetvetiu ai ka formën e një fraksioni të paorganizuar. Por, duhet të pritet diskutimi në KPD dhe nëse kjo letër do të ketë përkrahës, atëherë do të mund të ketë një fraksion në PS. Madje Nano ka kërkuar vetë që çdo anëtar apo grup anëtarësh kanë të drejtë të bëjnë mocion dhe të kërkojnë votëbesimin dhe kjo është përfshirë në statut.
Për sa i përket mbledhjes së një Konference të jashtëzakonshme, mendoj se nuk janë kushtet politike për ta bërë atë, sepse vendi ka shumë probleme të tjera po të marrim parasysh gjendjen në Kosovë dhe faktin se gjendemi në një prag lufte. Megjithatë, mendoj se letra duhet të diskutohet në KPD. Mendoj se çdo vërejtje që ka bërë Pëllumbi në atë letër, duhet të merret parasysh, sepse denoncimin e të metave të partisë dhe të Qeverisë, mund ta bëjë çdo anëtar i PS.
Mendoj se për çështjet që ka shtruar patjetër që do të ketë përkrahës, sepse po të diskutosh mbi animin e programit të Qeverisë në qendër dhe në të djathtë, ai ka të drejtë, kur thotë se statuti parashikon një program të majtë të partisë, pavarësisht se nuk synohet për ndonjë të majtë të theksuar. Linja të ndryshme me ide të reja në parti, duhet të ekzistojnë. Mendoj se programi dhe veprimet e krerëve të PS duhet t’i përmbahen statutit; nëse jo, atëherë është e kotë që kemi një statut.
Për sa i përket faktit nëse PS është një parti elitare apo popullore, unë mendoj se PS i përket kësaj linje të dytë. Ajo është një parti e madhe që ka një masë të madhe njerëzish, të cilët përkrahin programin e saj social. Por vetëm një pjesë e drejtuesve të partisë, synojnë ta kthejnë atë në një parti elitare. Ata kanë synimin për meritokraci, por kjo mund të zbatohet fare mirë në Qeveri. Shtrirja në PS e kësaj meritokracie, do ta bënte PS një parti klubesh. Sepse PS ndryshon nga Qeveria. Kjo e fundit është e të gjithë popullit dhe jo Qeveri e një partie. Në PS, është ndryshe: duhet të ketë edhe militantë, edhe njerëz të tjerë të lartë që dinë të flasin me masat dhe të kuptojnë mendimet e tyre. Nëse mendimet e qeveritarëve transplatohen në PS, atëherë PS kthehet në një parti teknokrate, pragmatiste, pa elektorat.
Përgatiti A. BASHA