Servet Pëllumbi: Reformat e Nanos sjellin rrezikun e përçarjes në PS

(Botuar me 12 Tetor 1997 në KOHA JONE)

Deputeti Servet Pëllumbi, letër të hapur për Komitetin e Përgjithshëm Drejtues të Partisë Socialiste

Reformat e Nanos sjellin rrezikun e përçarjes në PS

Deklarata e kryetarit të partisë se “Mocioni im e solli PS në pushtet”, përveç delirit të madhështisë ka dhe pasoja fataliste

Partia Socialiste, pas fitores së thellë e plotësisht të merituar që arriti më 29 Qershor 1997, po përballon sfidat e shumta me të cilat po shoqërohet periudha e sotme e kalimit të pushteteve. Në këtë rrafsh, Konferencën Kombëtare, që ju keni vendosur ta zhvilloni në fundin e nëntorit, e vlerësoj si një masë të domosdoshme organizative dhe si një rast të mirë për të analizuar situatën e re dhe pozicionimin e qartë të PS, tashmë si parti në pushtet. Por, kam përshtypjen se për këtë konferencë nuk po vihet re, sidomos në nivelin e bazës, preokupacioni i nevojshëm.

Gati-gati nuk dihet se ç’është kjo konferencë, ç’do të shqyrtojë, ç’do të zgjidhë, në ç’drejtime do ta çojë më tej punën e partisë. Mendoj se problemet e shumta e të ndërlikuara të qeverisjes së vendit nuk duhet të pengojnë punën për të rritur më tej rolin politik të PS, të ideve, zgjidhjeve iniciativave politike të saj.

Nisur nga këto rrethana, mbase do të ishte me vend një diskutim apo një debat në parti për t’i dalë përpara një vargu çështjesh, pse jo dhe zhgënjimesh, që herë-herë, po marrin përmasa shqetësuese. Ndër çështjet që mund të kishin nevojë për diskutim mund të ishin: çështjet që kanë të bëjnë me gjetjen e rrugëve dhe përpunimin e përvojës për të mos lejuar që një parti që vjen në pushtet të shndërrohet në parti-shtet; me raportet midis militantizmit partiak dhe profesionalizmit kur është fjala për vlerësimin e aftësive qeverisëse; me konceptimin e reformimit të PS si një proces i gjatë shndërrimesh që nuk çojnë medoemos në ndryshimin e fizionomisë së partisë sonë; me raportet midis të shkuarës, të sotmes dhe të ardhmes në politikat që adoptohen dhe zbaton PS; me konceptimin e partisë si parti elektorale, nevojën e testimit të vazhdueshëm të mobilitetit të elektoratit në kushtet e pluralizmit pa rënë në “populizëm” etj.

Mund të ketë, dhe me siguri ka, edhe shumë çështje të tjera që mund të kishin interes. Do të dëshiroja që për ndonjë prej tyre të shprehja, në mënyrë paraprake, para jush, mendimet e mia.

  1. Zhvendosja e theksuar politike në PS. Kam përshtypjen se janë përvijuar dy konceptime, që me kalimin e kohës, po diferencohen gjithnjë e më qartë midis tyre. Njëri konceptim, të cilit i jemi përmbajtur deri tani, e sheh reformimin e PS si një proces të natyrshëm e të domosdoshëm që ajo të mos mbetet pas nga jeta, që alternativa, konceptet, idetë, strukturat dhe individët që e përbëjnë atë të jenë në zhvillim të pandërprerë e jo thjesht në ndryshim). Kuptohet, një konceptim i tillë i reformimit nuk përbën ndonjë specifikë vetëm për PS, meqenëse ajo qenka “një parti ish-komuniste”!

Çdo forcë politike serioze, që ndjek jetën, zhvillimet e situatat, brenda e jashtë mjedisit rrethues, ka nevojë për një reformim të tillë. Koncepti tjetër, reformimin e PS e sheh si një proces ndryshimesh, në momente të caktuara radikaliste, që shoqërohet jo vetëm me ndryshimin e pozicioneve themelore politike, por edhe të fizionomisë së partisë. Një konceptim i tillë filloi të qarkullojë në PS me “mocionin Nano” një vit e ca më parë. Nuk them se ky konceptim i dytë s’ka asgjë racionale, sidomos në periudha kthesash, kur vërtet kërkohen ndryshime të thella strukturore, siç ishte rasti para e pas Kongresit të I të PS.

Veçse, duhet thënë, se përdorimi konjuktural i konceptit “reformim”, herë për të bërë ndryshime të thella në stafin drejtues të partisë e herë tjetër për të përligjur ndryshimin e boshtit social dhe të fizionomisë politike të PS, është i qortueshëm. Po mundohem të jem më konkret. Edhe më parë, por sidomos në mbledhjen e 19 shtatorit të grupit parlamentar e të KPD, kryetari i PS kërkoi me ngulm “vazhdim të angazhimit që procesi i reformimit që kemi nisur, në Konferencën e nëntorit të marrë një zgjidhje decizive”. Dhe kjo “zgjidhje decizive” u lidh me “zhvendosjen drejt qendrës”. Veçse fjala, kësaj here, është për zhvendosjen drejt qendrës së djathtë, e realizuar në programin e Qeverisë së Re. “Bibla politike e veprimtarisë së ardhshme të PS, deklaron ai, është programi politik i qeverisë së re që është i qendrës së djathtë” (citimet nga “ZP” 21.09.1997) .

Prej këtej kuptohet se “zgjidhja decizive”, që pritet në Konferencën Kombëtare, do të jetë kapërcimi i àntinomisë: “Programi i Qeverisë është i qendrës së djathtë, programi i partisë i qendrës së majtë, vëllezër, angazhohuni për reforma standarde” (term ky që nënkupton reformat me karakter të djathtë, liberal).

Pa hyrë në analiza të hollësishme të një konceptimi të tillë të reformimit të PS, do të desha të tërheq vëmendjen të paktën në dy momente: Së pari, programi i Qeverisë, edhe sikur të mos ishte qeveri koalicioni i pesë partive, nuk mund të shpallet “bibël politike e veprimtarisë së ardhshme të PS”, me të cilin u dashka zëvendësuar programi themelor politik i PS. Programi qeveritar, që përfshin detyra e zgjidhje konkrete për fusha të ndryshme siç janë masat për të vendosur ekuilibrat në nivelet makroekonomike, nuk mund të zëvendësojnë kurrsesi programin e partisë, as si shtrirje e as si kohëzgjatje.

Jo vetëm kaq. Kur qeveria detyrohet të marrë masa e të adoptojë zgjidhje me karakter të djathtë, siç ishte p.sh. rritja e TVSH nga 12,5% në 20%, programi themelor e sidomos ai social i partisë, jo vetëm s’kanë për të ndryshuar, por përkundrazi duhet të aktualizohen, riaktivizohen dhe të imponojnë masa për të amortizuar, sa të jetë e mundur më shumë efektet negative sociale që i rrjedhin nga masat me karakter të djathtë të imponuara. Në qoftë se do të vepronim ndryshe e të arsyetonim se meqë programi i qeverisë qenka i qendrës së djathtë (unë nuk mendoj se ai është në tërësi i tillë), i tillë të bëhej automatikisht edhe ai i partisë, atëherë do t’u hapej rruga hamendjeve sipas të cilave deri sa shoqëria jonë ka nevojë për reforma e zgjidhje të djathta, atëherë fitorja e PS dhe e mazhorancës aktuale ose është aksidentale ose diçka krejt e përkohshme. Sipas kësaj logjike reformat e tranzicionit mund të bëhen vetëm nga programe të djathta, prandaj nëse një forcë e majtë fiton zgjedhjet pas kësaj do t’i imponohej “zhvendosja e theksuar politike”! Por në një rast të tillë, kujt do t’i lihet të përfaqësojë “zonën e stërmadhe” të së majtës?

Realisht, ngjarjet rrjedhin sipas një logjike tjetër. PS mund të mbështesë e të zbatojë programin e qeverisë së koalicionit pa bërë “zhvendosje të theksuara politike”. Ajo e meritoi votën e elektoratit të majtë dhe ka rastin të provojë efikasitetin e alternativës së saj të majtë. Dhe, nuk ka kuptim që kur njerëzit varfërohen e shkojnë majtas, liderët të kërkojnë “zhvendosu djathtas”. Edhe përvoja e partive socialiste e socialdemokrate evropiane provon se procesi reformimit të tyre nuk ndryshon natyrën e tyre si forca të majta. Kështu psh, PS Franceze që ka mbi 60 vjet që kalon përmes një reformimi, askush nuk e merr sot për një forcë të qendrës së djathtë. Së dyti, nëse PS do të adoptonte një program të qendrës së djathtë, atëherë nuk mund të bëhej fjalë për reformim të partisë mbi bazën e vet karakteristike, por për diçka tjetër, për një forcë të djathtë të qendrës, gjë që do të shoqërohej me shkarkim të ngarkesës së tepërt”, për të hyrë në zona sociale që nuk i përkasin asaj por forcave të tjera politike. Nuk besoj se kjo bëhet për t’u marrë anëtarët dhe elektoratin forcave të qendrës dhe as që PS të shkrihet me forcat e tjera të qendrës që përbëjnë koalicionin qeveritar.

Një hap i tillë vërtet do të ishte “një zgjidhje decizive” veçse me pasoja të rrezikshme, likuidatoriste e përçarëse për PS. Prandaj, nuk mund të mos shpreh keqardhjen time, kur shoh që kryetari i PS, një pikëpamje të tillë e shoqëron me kërcënimin: “Në qoftë se kjo (zhvendosje e theksuar politike) është në kundërshtim me fizionominë tonë politike, më thoni, dhe unë jap dorëheqjen që sot!”

Mirë do të ishte që gjykime të tilla të mos kalohen në heshtje në mbledhjet e KPD, por t’u nënshtrohen diskutimeve konstruktive e të argumentuara që, jo medoemos, përfundojnë me dorëheqje.

  1. Problemi i “mentalitetit të vjetër 555-vjeçar” në PS

Edhe rreth problemit të kontradiktës bazë të tranzicionit meriton të diskutohet. Ajo mund të kërkohet në luftën midis së resë dhe së vjetrës, midis shoqërisë demokratike që po instalohet dhe mbeturinave të një ekonomie të komanduar e të një jete politike me tipare totalitariste, me konfrontime, me shkelje të lirive e të drejtave të njeriut etj. Por, them, se kësaj kontradikte, apo një tjetre të ngjashme me të, nuk ka pse t’i jepen trajta e përmasa biblike, sikur për të evropianizuar vendin dhe vetveten do të na duhet të luftojmë “mentalitetet e sëmundjet otomane-hoxhiste-berishiane 555-vjeçare”(!)

Kryetari i PS, i dashuruar pas këtij koncepti, kontradiktën bazë e gjen të fushën e mentaliteteve e sëmundjeve shumë shekullore dhe shpall ndarjen institucionale me të kaluarën 555-vjeçare si traserë e evropianizimit, jo vetëm e vendit tonë, por edhe të krejt Ballkanit! Kuptohet, pa thënë si mund të realizohet kjo detyrë, pa thënë ende se nga duhet filluar kjo, ç’duhet luftuar më parë e ç’duhet luftuar më vonë, pse datohet kjo e kaluar 555 vjet e vjetër dhe nuk përqendrohet te e kaluara më e afërt, psh e 50 vjetëve, apo e pesë vjetëve të fundit. Duke e menduar këtë si një përpjekje të kryetarit të PS për ta ngritur politikën shqiptare në nivele filozofike e për të futur koncepte të reja, le të më lejohet të shpreh edhe për këtë çështje ndonjë sugjerim e ndonjë vërejtje kritike para Konferencës Kombëtare të PS.

Që kemi për të luftuar plot “mëkate” për t’u pastruar e për t’u bërë “evropianë të vërtetë”, këtë besoj, askush nuk mund ta kontestojë. Veçse nuk mund të jem kurrsesi dakord me një vizion që fut kompleksin e inferioritetit për ne si popull e si komb, sikur për 555 vjet ne të kemi qenë jashtë historisë e mbartës vetëm të mentaliteteve primitive, mesjetare e turkomane.

Është e papranueshme shpërfillja e historisë sonë në emër të ribërjes së aktualitetit. Të qenët shqiptar apo dhe ballkanas në përgjithësi, nuk është as mallkim dhe as turp përballë Evropës, përfshi dhe atë të sotmen. Mentalitete irracionale kemi, të tilla mund të gjesh në shtresa të caktuara edhe në vende të BE, mbase në ndonjë aspekt më tepër se te qytetarët e një vendi të tillë të vogël si Shqipëria, por kjo askujt (qoftë edhe kryetar partie) nuk i jep të drejtën që të qortojë një popull të tërë e një histori 555-vjeçare, e cila s’ka qenë e s’ka si të ketë qenë vetëm e zezë, vetëm negativiste. Dhe, për më tepër, çështja nuk mund të shtrohet në rrafshin: “Unë do të eci përpara dhe nuk do të bëj asnjë lëshim ndaj traditës negativiste 555-vjeçare” (!). Ecja i vetëm përpara e një lideri partie nuk do të kishte ndonjë vlerë të madhe, ashtu sikurse nuk do të ketë vlerë as deklarimi i tipit: “unë u dola borxhit” pas kësaj për ju “mëkatarë” nuk mbetet tjetër alternativë veç: “më ndiqni dhe jam i bindur që nuk do të kem nevojë t’ju lutem më” (cituar nga “ZP” 7.09.1997).

Një gjë e tillë, duke iu shtuar deklarimit: “Mocioni im e solli PS në pushtet”, shkon shumë larg e nuk mund të mos cenojë dinjitetin e një forumi të tillë si KPD e PS-së.

Përveç dëlirit të madhështisë ajo përmban edhe doza të mëdha të një lloj fatalizmi prej nga nxirret, shpesh, përfundimi qaraman se shqiptarët janë “të mallkuar”, se “Shqipëria nuk bëhet” prandaj duhet larguar “një sahat e më parë”. Nën ndikimin e një lloji të tillë fatalizmi ndonjë “intelektual” kosovar shkon edhe më tej kur, tani në fund të shek. XX, e shpall kombin tonë si komb folklorik, si komb kanunor, mesjetaro-primitiv, pra parahistorik, kur deklaron në revistën “Mehr Licht” se “kanuni është dëshmia e vetme e identitetit historik të shqiptarëve”! Nuk do të doja, kurrsesi, të zbuloja ndonjë ngjashmëri midis këtij deklarimi dhe objektivit të emancipimit nga “mentaliteti 555-vjeçar” që ka shpallur kryetari i PSSH.

Sipas bindjes sime të patundur, në luftën tonë për të realizuar objektivin madhor afatgjatë të integrimit të Shqipërisë në Europë, theksi nuk duhet të vihet aq te zbulimi i “së veçantës shqiptare”, apo e “mentalitetit 555-vjeçar” që na ndajnë nga Europa, se sa te ato tipare të përbashkëta e mundësi që na afrojnë me të. Për ne Evropa nuk është “një planet tjetër” dhe ne, që duam të integrohemi në këtë “tokë të premtuar”, nuk na ndajnë 555 vjet.

Vërtet ne kemi humbur jo pak kohë, por ajo nuk mund të fitohet as me predikime dhe as duke rënë në dëshpërim për të humbur sensin e kohës e të hapësirës dhe për të vënë në pikëpyetje krenarinë kombëtare të Shqiptarëve, në këmbim që të tjerët të na japin “statusin” e intelektualit kritik. Realitetin tonë kontradiktor ne vetë duhet të mësohemi ta shohim në mënyrë dialektike, pra realiste, as duke nxjerrë në pah vetëm gjysmën e ndritshme, por as duke e injoruar këtë për të theksuar gjysmën tjetër, të errëtën, të cilës rrënjët mund t’i shkojnë edhe në thellësi të shekujve, por më tepër mund të gjenden midis nesh e në ditët tona. Njëherësh, nuk duhet harruar se jetojmë në një kohë, kur rrethanat e sotme e jo ato historike “555-vjeçare” kanë bërë që ne të paragjykohemi si popull, si nga fqinjët, ashtu edhe më gjerë.

Në rrethana të tilla ne s’kemi pse t’i shtojmë paragjykimet e të tjerëve me autodestruktivitetin tonë duke e paraqitur vendin tonë si një “oaz të së keqes” në Evropë. Kështu ne, pa dashje, i përgatitim vetes një vetizolim të pamerituar. Vetëm duke ia lënë të kaluarën të kaluarës ne nuk do të justifikoheshim për vështirësitë, arritjet e pakta në ndërtimin e një shoqërie demokratike, kurse grindjeve e sherreve midis politikanëve nuk do t’ua kërkonim burimin “te e kaluara 50-vjeçare” (Berisha) apo te “mentaliteti 555-vjeçar” (Nano), por në realitetin konkret në të cilin jetojmë, në krizën e sotme, në përplasjen e interesave, në varfërinë ideore që po përjetojmë etj.

Pa një vështrim të tillë është vështirë të gjendet gjuha midis pozitës dhe opozitës për të parë bashkërisht përpara dhe për të rifituar simpatitë e humbura. Shqiptarët nuk janë një popull primitiv, parashtetëror, pa arsim e kulturë, pa imagjinatë krijuese e pa logjikë, as edhe fare pa tradita demokratike e aftësi zhvillimi. Shembujt e sherreve të brendshme e të papjekurisë politike që ka treguar klasa politike, nuk kemi pse t’ia veshim mbarë kombit dhe gjithë të kaluarës tonë historike, përfshi edhe atë të 555 vjetëve të fundit!

Modernizimi, evropianizimi i vetvetes nuk arrihen duke anatemuar “555 vjetët”. Kështu nuk do të bënim gjë tjetër veçse do ta shtynim në pafundësi kohën që do të na duhej për t’u pjekur” për integrimin në Europë dhe vetë objektivi i integrimit do të shndërrohej totalisht në një utopi të kulluar. Të kuptohemi. Nuk jam as për harrimin e historisë, as për modernizimin subjektiv dhe as për nxitjen e një nacionalizmi ekstrem, apo siç thirret ndryshe “nacionalizëm i dyfishtë”, por nuk jam as për mohimin e çdo lloj nacionalizmi.

Nuk kam frikë se e teproj po të them se, mbase, për politikën botërore nacionalizmi dhe edukimi atdhetar janë bërë më pak të rëndësishëm, kurse ne shqiptarëve, që kemi dhe një çështje kombëtare të pazgjidhur ende, na duhet “ca nacionalizëm”, i kuptuar si prirje emancipimi e kohezioni. Rastit tonë, mendoj, se i shkon thënia e goditur e studiuesit të njohur E. Y. Hobsbaun: “aty ku shoqëria dështon, del në skenë kombi si garant në instancë të fundit”. E përkthyer në një gjuhë më të thjeshtë kjo do të thotë: lidhje emocionale me atdheun e popullin tënd, të domosdoshme për të krijuar e përhapur jo dëshpërim e fatalizëm, por një sistem vlerash të mirëfillta kombëtare, pa të cilat s’ka krenari kombëtare.

Kjo ka rëndësi të qindfishuar, veçanërisht kur shoqëria përjeton një krizë të vërtetë, siç është ajo që po përjetojmë. Dhe, është për të ardhur keq që forcat politike shqiptare, pavarësisht nga vendi që zënë në spektrin politik, përfshi dhe partinë tonë, janë duke bërë shumë pak në këtë fushë. Si fillim le të kërkojmë që, të paktën, të mos bëjmë të kundërtën! Në asnjë mënyrë dhe për asnjë arsye nuk duhet të injorohet aksioma: Uniteti politik kombëtar dhe krenaria kombëtare duhet të jenë mbi diversitetin e politikave të partive.

SERVET PELLUMBI, Tiranë më 28.09.1997

SHKARKO APP