Servet Pëllumbi: Rreziku i PS për t’u kthyer në parti klubi ose në Nanoshoqatë apo Nanokazino!

(Botuar me 28 Dhjetor 1997 në KOHA JONE)

Servet Pëllumbi: Rreziku i PS për t’u kthyer në parti klubi ose në Nanoshoqatë apo Nanokazino!

Servet Pëllumbi, njeriu i vetëm në PS që guxoi të kritikojë hapur Fatos Nanon, në Konferencën Kombëtare, për autoritarizëm në drejtimin e partisë, mbeti një javë më parë përfundimisht jashtë Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të PS. Ndërsa kanë kaluar vetëm tetë ditë nga zhvillimi i tubimit kombëtar të socialistëve, Pëllumbi vendosi të bëjë publike fjalën e tij që nuk u pasqyrua në asnjë nga mediat zyrtare dhe që shkaktoi replikat më të ashpra të drejtpërdrejta, ndërmjet ish-nënkryetarit dhe Nanos. Në këtë Konferencë, Pëllumbi shprehu në fjalën e tij pikëpamjet mbi pozicionin aktual të PS, por edhe kritikoi ashpër shkeljet statutore që pasuan zgjedhjen e 22 anëtarëve të rinj në KPD. Ai kërkoi që të propozuarit të votoheshin me kandidatura alternative, por kjo nuk u pranua nga Nano, nën arsyetimin e humbjes së kohës.

Fjala e tij e ashpër në Konferencë, i kushtoi jo vetëm epitetet “dogmatik, komunist dhe konservator”, por edhe sulmet e ministrave të Nanos mbi të, me diskutimet që sipas Pëllumbit ishin “të porositura me celular”.“Le të jetë edhe një konservator në PS, se mirë i bën”, pati thënë Pëllumbi përpara se të heshtte, pasi kuptoi se asgjë nuk kishte më vlerë përpara dorës së hekurt të Fatos Nanos, në krijimin e mitit të të cilit, më shumë se kushdo tjetër, ndihmoi Pëllumbi. “Koha Jonë” po boton sot fjalën e profesorit, për të qartësuar kështu shkakun e mosmarrëveshjeve të ashpra me Fatos Nanon. I. P

Të mbrosh alternativën e majtë nuk është doktrinizëm

Është fakt që e majta shqiptare e kuptuar si lëvizje në vitet e para të proceseve demokratike, ka qenë e përçarë dhe kjo, siç e dimë tashmë, i kushtoi jo pak demokracisë shqiptare. Pas 6 nëntorit 1994, por sidomos para e pas 26 majit 1996 afrimi i forcave të majta u bë, jo vetëm i domosdoshëm por edhe një mundësi reale. Ngjarjet e muajve të parë të këtij viti e sidomos koalicioni i sotëm qeveritar i pesë partive, mund të vlerësohen si një hap në drejtimin e duhur dhe si një shkallë pjekurie e civilizimi i PSSH. Aleanca historike e forcave të majta nuk u bë pengesë, por e modernizoi politikën dhe krijoi hapësira për bashkëpunimin e për koalicione edhe me forca të tilla liberale-demokratike si PAD e ndonjë tjetër. Prandaj do t’i quaja krejtësisht pa bazë diskutimet, apo ankesát, që dëgjohen, në nivele të ndryshme për përmasat e ndarjes së posteve qeveritare midis partive të koalicionit, apo nëse duhej shtrirë ose jo ai edhe në nivelin lokal.

Duke e vlerësuar aleancën e forcave të majta dhe koalicionin qeveritar si një dukuri të re të jetës politike shqiptare, në fillim të tetorit i drejtova një letër të hapur KPD dhe i bëra vërejtje kryetarit të PS, sepse në vend që të argumentonte rolin historik të të majtës shqiptare, por edhe të PS, për të provuar edhe në truallin shqiptar vlerat e një lëvizjeje socialiste të së majtës së re demokratike me peshë sot në skenën evropiane, deklaroi të kundërtën, nevojën e zhvendosjes politike të PS drejt qendrës së djathtë, duke shkarkuar pështjellim jo të vogël dhe jo vetëm në radhët e PS. Edhe pse më vonë u duk sikur u hoq dorë nga një tezë e tillë, në realitet ajo po zbatohet e shoqëruar me arsyetimin se ngjyrat e “majtë” e “djathtë” s’paskan më vlerë, se partia socialiste qenka thjesht parti elektorale që konceptohet si forcë politike pa asnjë ngjyrë.

Qeveria vërtet është qeveri koalicioni, pra jo vetëm e PS, dhe ajo është e detyruar të mbështetet mbi një platformë shumëpartiake, të vazhdojë reformat e ekonomisë së tregut, të marrë edhe disa masa radikale, sidomos në nivelin makroekonomik, në fushën e financave tatimore, por kjo nuk do të thotë se alternativa e majtë është pa të ardhme dhe se PS duhet të heqë dorë prej saj dhe të adoptojë programin e liberalizimit të dikurshëm, i cili në pyetjen ç’duhet bërë për të luftuar varfërinë përgjigjet: “Të mos ndihmojë të varfrit”. Ose u bë mirë që u përpunua një strategji e privatizimit, po pse në themel të saj duhet vënë parimi “çdo gjë është e privatizueshme” dhe të mos figurojë në të, thuajse fare, çështja e pronës publike kur dihet se askund në botë sot nuk mund të gjendet një ekonomi e liberalizmit klasik, pa pronë publike dhe pa një sistem të mbrojtjes sociale, sepse pa të, vështirë të arrihet stabiliteti politik dhe social i shoqërisë. Dhe më tej. Vërtet strategjia e integrimit në Evropë është një strategji për të cilën duhet punuar me kujdesin maksimal. Po, pse duhen krijuar iluzione, pse duhet të shkruhet e të flitet, herë me metafora e herë pa metafora, sikur kjo është diçka e shpejtë dhe se, do të shpëtojë nga hallet e përditshme brenda një mandati qeveritar dhe se u arritka vetëm duke thithur ndihma të huaja? Kjo kur shoqërohet me një shpërfillje të faktorit të brendshëm, me një kujdes të pamjaftueshëm për rritjen e prodhimit e të investimeve në vend, për inkurajimin e investimeve nga kursimet e vetë shqiptarëve etj, atëherë zhgënjimet bëhen edhe më shqetësuese. Fshati do të vazhdojë ta ndjejë veten të braktisur, të papunët (që janë mbi 90 për qind) do të mendojnë se nuk do ta provojnë më shijen e punës, 70 për qind e popullsisë, që jeton nën nivelin zyrtar të varfërisë, do të mallkojnë fatin e do të shohin si të largohen nga vendi si emigrantë. I radhita këto jo si probleme që mund të zgjidhen lehtë, por për të theksuar nevojën e pozicionimeve të qarta të forcave të majta qeverisëse në raport me to, për të theksuar se çështje të tilla kërkojnë transparencë, veçse pa eufori. Atyre nuk mund t’u shpëtosh as me zhvendosje politike dhe as duke deklaruar se Shqipëria problemet e saj do t’i zgjidhë pa e vrarë shumë mendjen, thjesht duke zbatuar “modelet standarde të Perëndimit” që, në ndonjë rast, marrin edhe trajta skemash të imponuara e që nuk u përgjigjen kushteve e problemeve tona.

Gjithsesi nuk është kjo rruga më e mirë e rritjes brenda e jashtë vendit të shkallës së besnikërisë së qeverisë së sotme të koalicionit. Shkurt, do të tingëllonte jo realiste dhe moralisht e papranueshme për shumicën dërrmuese të elektoratit shqiptar, që na votoi më 29 qershor, nëse të ndodhur para vështirësish të shumta dhe pamundësisë ekonomike për të realizuar, sot për sot, një program e mbrojtje sociale efektive, të hiqnin dorë nga alternativa e majtë demokratike dhe modelet ekonomike të përpunuara mbi bazën e saj (që s’janë standarde) për t’i zëvendësuar me politika të ashpra e modele të kapitalizmit të egër që quhen ndryshe edhe standarde. Kjo do t’i thellonte padrejtësitë dhe gjithë barrën do ta hidhte mbi individin e pambrojtur gjë që do ta bënte ilaçin më të dëmshëm se vetë sëmundja.

Një rrugë e tillë në vend që të na ofronte me të majtën demokratike evropiane dhe me Internacionalen Socialiste, do të na largonte prej saj dhe do të duhej të endeshim në kërkim të vazhdueshëm të një alternative. Nuk jam kundër ndryshimeve dhe filozofisë së ndryshimit. Veçse kjo nuk duhet përdorur vend e pa vend, e aq më keq nëse do të çohej në ekstrem e do të krahasohej me alternimin e hapave, i majtë i djathtë, si gjatë ecjes. Duhet t’u ruhemi sofizmave të tilla dhe pozitave të Kritillit të lashtë, i cili filozofinë e ndryshimit të Heraklitit e çoi deri atje sa të thoshte: “Nëse të ftoj të vish nesër për drekë, unë nuk ndjej ndonjë përgjegjësi të të pres, sepse ndërkohë, unë kam ndryshuar, jam bërë tjetër” (!). Nuk do të dëshiroja që të shihja kurrkënd nga PS në pozita të tilla!

Të mbrosh demokracinë e brendshme në parti s’është “sensibilitet fals”!

Që Partia me të gjitha strukturat e veta, sidomos në qendër, të jetë promotor i politikave, që venë në lëvizje qeverinë dhe grupin e saj parlamentar, që vizitorët të mos e quajnë veten “të ngrirë” për t’u “shkrirë” përsëri e për t’u kujtuar për partinë kur të mos jenë më në qeveri, çelësi është demokracia e brendshme, moslënia në hije e partisë.

Nuk jam i prirë që të mohoj arritjet e qeverisë së koalicionit gjatë këtyre pesë muajve të parë dhe as përvojën që u përgjithësua edhe në raportin e mbajtur nga P. Majko. Veçse ka ende shumë çështje në raportet midis strukturave të qendrës e të bazës, apo midis forumeve nga njëra anë dhe masës së anëtarëve dhe elektoratit nga ana tjetër që kanë nevojë për një demokratizim të mëtejshëm dhe për më shumë efektivitet.

Më ka shqetësuar dhe vazhdon të më shqetësojë si anëtar i PS, veçanërisht fryma e diktatit nga ana e drejtuesit kryesor të PS, ky lloj konformizmi në raport me të nga të zgjedhurit në KPD si dhe prirja për t’iu larguar forumeve e për të ngushtuar hapësirat e dialogut në emër të “konsensusit” për të evituar “kokëçarjet” që sjell përballimi demokratik i problemeve dhe zhgënjimeve duke i rrumbullakosur këndet e mprehta.

Pa hyrë në analizën e kësaj dukurie komplekse po rreshtojmë më mirë disa fakte që flasin vetë. Dihet tashmë mënyra se si u veprua për të përcaktuar drejtuesit kryesorë shtetërorë pas zgjedhjeve të 29 qershorit duke i lënë në hije KPD dhe normat e statutit. Ose, po në kundërshtim me normat e statutit, i kërkohet KPD që sekretari i përgjithshëm “të zgjidhej” me konsensus. Kur ky i fundit, me të drejtë, kërkon votim të fshehtë dhe me kandidatët në alternativë. E njëjta gjë u përsërit ditët e fundit edhe në Konferencën e Tiranës, kur kryetari i saj u zgjodh me anën e duartrokitjeve. Bëjmë mirë që e rishikojmë statutin e PS për ta përsosur, por, sipas mendimit tim, themelore është rritja e kujdesit për ta zbatuar atë, për të mos lejuar shndërrimin e tij në diçka formale. Ndryshe nëse do të thellohet shkëputja që vihet re midis qendrës e bazës, nëse nuk do të merren masa, pas kësaj, për të siguruar funksionimin normal të kryesisë, të KPD, të Komisioneve apo departamenteve, nëse do të vazhdohet të hiqet dorë nga politika e filluar për organizimin e diskutimeve e debateve publike për çështje themelore, nëse nuk do t’u pritet rruga shkeljeve statutore sidomos praktikës së zëvendësimit të zgjedhjeve të lira me votën e fshehtë e kandidatëve alternativë me “emërimet” nga kryetari apo me votimin e hapur, PS rrezikon shumë, rrezikon të shndërrohet në një “parti klubi” apo në një shoqatë qeveritare, “Nano-shoqatë”. Si këto ashtu edhe teorizimet evropiane sipas të cilave, për t’i dhënë PS një “fytyrë evropiane” u dashka bërë “shkarkimi i ngarkesës së tepërt” – me të cilën nënkuptohen shumë nga pensionistët dhe veteranët, të shpallur konservatorë, janë shkatërruese për PS dhe nuk duhen lejuar në asnjë mënyrë. Jo, nuk është e nuk duhet të jetë ky çmimi i “evropianizimit”!

I quaj të papërligjura dhe refleks të një pozicionimi të gabuar, edhe ankesat e ndonjë drejtuesi kryesor të partisë që thotë “na mbytën militantët” (!) apo edhe më keq akoma, të deklarohet që në “asnjë nga dyert e dikastereve të reja të mos trokasë asnjë militant partie! Harrohet kështu se partitë, qofshin ato të majta apo të djathta, nuk bëjnë dot pa njerëz të përkushtuar, pa njerëz me ideale, dobia e të cilëve, mbase duket më mirë në fushata elektorale, por ata nuk bëhen të pavlerë as në situatat “më të qeta” të qeverisjes së vendit. Ndokujt, që mund t’i duken mendimet e tilla ndryshe, si “sensibilitete false” do t’i thosha: “Kush i do dafinat pa “gjemba” si rregull mbetet pa to”! Në mbyllje, edhe pse ende nuk na janë bërë të njohura propozimet për ndryshimet në statut, do të desha të shtoja që Kongresi i Partisë ashtu si dhe konferencat e rretheve të mblidhen çdo dy vjet dhe që viti 1998 të jetë viti i Kongresit të III të PSSH. Unë mendoj, se situatat dhe problemet që përbënin tematikën e kësaj konference e bëjnë të domosdoshme thirrjen e Kongresit të III-të gjatë vitit të ardhshëm.

SERVET PËLLUMBI, 20 dhjetor 1997

 

SHKARKO APP