Shaban Sinani: Shqipëria gjendet para luftës me Serbinë

(Botuar me 5 janar 1999 në KOHA JONE)

Nga Shaban Sinani-

Sigurisht që takimi i Majkos me Berishën kishte një motivim të rëndësishëm, për të mos thënë të jashtëzakonshëm. Ta shtrosh çështjen nëse ky takim u bë që Majko të shpëtojë kolltukun dhe Berisha të mbrohet prej qelisë, është tejet naive. Prej më shumë se një viti faktori ndërkombëtar ka këmbëngulur që “shqiptarët e Kosovës duhet të flasin me një zë”. Kjo është një kërkesë që formalisht duket ideale. Mirëpo në thelb kërkohet që shqiptarët e Kosovës të flasin me zërin e Rugovës, domethënë me një zë të vetëm. Nuk është aspak e rastit që dokumenti i pari i autoriteteve të Tiranës pas “pajtimit” ishte një rezolutë për Kosovën. Në këtë rezolutë për herë të parë opinioni i vendit dhe ai i jashtëm njoftohet se faktori ndërkombëtar është tërhequr prej kërkesave fillestare të tij ndaj Beogradit. Kosova gjendet para provash të reja. Por përpjekjet ndërkombëtare për një paqe të sforcuar në Tiranë tregojnë se edhe Shqipëria gjendet në vorbullën e luftës. Dhe s’ka si të ndodhë tjetërsoj. Popujt përjetojnë fatin e përbashkët, pavarësisht nga ndarjet e historisë. Ky është konteksti i pajtimit Majko-Berisha.

Të dyja palët përjashtuan kategorikisht që takimi të ishte nxitur nga ndonjë faktor i jashtëm

Kur pothuajse ishin përjashtuar të gjitha shpresat se midis qeverisë dhe opozitës në Shqipëri mund të funksiononte dialogu; pasi grupimi i së djathtës kishte lëshuar kushtrimin “Të rrethojmë kryeministrinë”; kur zhvillimi i ngjarjeve dukej se s’mbetej tjetër veçse t’i dorëzohej fatit, opinioni shqiptar u njoh me vendimin e Majkos dhe të Berishës për një takim të menjëhershëm.

Takimi i zhvillua në “zonë neutrale”; as në kryeministri, as në zyrat e partisë më të madhe opozitare, por në hotel Rogner, më i shtrenjti në Shqipëri. Të dyja palët përjashtuan kategorikisht që takimi të ishte nxitur nga ndonjë faktor i jashtëm apo nga ndonjë ndërmjetës tjetër çfarëdo. Në komunikatën zyrtare dhe në njoftimet shtesë që kanë mundur të nxjerrin gazetarët bëhet e ditur se ky takim përballoi dy çështje: ndërprerjen e grevës së urisë të studentëve dhe garantimin e hetimit personal të rrethanave të vrasjes së A. Hajdarit. Për çështjen e parë rezultatet qenë të menjëhershme. Studentët hoqën dorë nga kërkesa për dorëzimin e qeverisë, pranuan të takohen me një delegacion të saj pa kryeministrin (sigurisht në një mjedis neutral: as në pallatin e grevës, as në zyrat e qeverisë, por në sallën e mbledhjeve të rektoratit). Pamjet televizive të takimit, në të cilin studentët shfaqeshin tërë energji, treguan edhe një herë se në traditën e re politike të Shqipërisë nuk mund të marrësh seriozisht as gjërat më serioze, duke përfshirë grevat e urisë dhe betimin për vetëflijim.

Çështja e dytë, ajo e hetimit për atentatin kundër A. Hajdarit, parimisht u quajt e vënë në rrugë të mbarë nga dy krerët Majko e Berisha me ardhjen e tyre në një mendje për krijimin e një “grupi prokurorësh të pavarur”. Por juristët kanë shprehur menjëherë mospëlqimin e tyre, duke iu referuar pavarësisë së pushtetit të drejtësisë. Prokuroria e ka quajtur bazë juridike vendimin e dy politikanëve. Sipas saj, nëse do të pranohet krijimi i një “grupi prokurorësh të pavarur”, kjo do të thotë të akuzosh gjithë institucionin e prokurorisë për humbje të pavarësisë.

Dan Everts, i cili ishte moderator i bisedimeve të studentëve grevistë me delegacionin e qeverisë, gjithashtu përshëndeti akordin

Ky reagim i papritur, që është shoqëruar me thirrjet publike drejtuar qeverisë dhe opozitës: “na lini të punojmë”, “mos ndërhyni në punët tona”, e ka vënë në dyshim rezultatin e takimit për çështjen e dytë. Por, ndërkaq, të dyja palët tregojnë vullnet pozitiv për të kërkuar formulë tjetër, që nuk cenon drejtpërdrejt emrin e pushtetit, të drejtësisë. Një nga propozimet e tyre është krijimi i një grupi hetimor parlamentar ad hoc.

Mirëpo ideja e këtij komisioni është kundërshtuar rreptë nga kryetari i parlamentit Gjinushi, duke paralajmëruar se kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit nuk lejojnë që deputetët të marrin përgjegjësinë e të tjerëve. Nisur prej dëshirës për t’i gjetur doemos një zgjidhje çështjes ka pasur iniciativa vetjake deri për të ndryshuar kushtetutën, e cila nuk lejon që deputeti të bëhet prokuror, në atë mënyrë që për rastin konkret ta lejojë. Ky propozim iu bë Kuvendit Popullor dhe opinionit nga ish-bashkëkryetari i komisionit për hartimin e kushtetutës Imami.

Pa kaluar as katër orë nga takimi Majko-Berisha, departamenti amerikan i shtetit, nëpërmjet zëdhënësit Rubin, përshëndeti fillimin e dialogut dhe shprehu dëshirën e administratës së presidentit Klinton që palët të jenë së shpejti së bashku në sallën e parlamentit. Marrëveshja u përshëndet gjithashtu nga qeveria italiane, nga qeveria franceze dhe ajo greke. Dan Everts, i cili ishte moderator i bisedimeve të studentëve grevistë me delegacionin e qeverisë, gjithashtu përshëndeti akordin.

Thirrjet e rretheve politike ndërkombëtare për kthimin e opozitës në parlament gjetën mirëkuptim në një pjesë të madhe të udhëheqjes së partisë demokratike. Disa prej anëtarëve të saj u shprehën pro bashkimit në Kuvend para se të merrej ndonjë vendim në forumin e partisë. Edhe aleanca për shtetin gjeti mënyrën më të pëlqyeshme për t’ia shtruar rrugën e kthimit opozitës: do të miratojmë një rezolutë për Kosovën, ne ndahemi për çështje të politikës së qeverisjes, por jo për qëndrimin ndaj problemit kombëtar.

A duhej të takohej Majko me Berishën?

Pse Majko i hapi rrugën e zyrave të larta kreut të opozitës, kur ky i fundit duhej të përfundonte nën hetim, si organizator i “grushtit të shtetit” të 14 shtatorit? Pse Berisha shkoi në takim pa na njoftuar neve, që jemi aleatë të tij në Bashkimin për Demokraci? Kush humbi e kush fitoi nga ky takim?  A duhej të takohej Majko me Berishën pa njoftuar më parë partinë e tij?  Pse Berisha nuk na i bën të ditura përfundimet e takimit në një takim të krerëve të partive aleate? Këto janë disa prej pyetjeve më të mprehta që kanë dalë prej qarqeve politike, në të majtë e në të djathtë.

Në fakt, shtypi i vendit është marrë e vazhdon të merret intensivisht me shkaqet e takimit Majko-Berisha dhe përmbajtjen e bisedimeve të tyre, duke kërkuar opinione pro e kundër, duke i zgjedhur në mënyrë tendencioze protagonistët e ekranit e të shtypit (kryesisht kundërshtarët). Duket sikur në Shqipëri ka ngjarë një mrekulli e vërtetë! Aq e magjepsur është një pjesë e shtypit nga kjo ngjarje, sa nuk ka mbetur pa thënë vetëm se këtë dhuratë hyjnore na e sollën krishtlindjet, na e solli mbarimi i shekullit dhe i mijëvjeçarit, na e solli nevoja kombëtare për ta filluar mbarë “kohën e re” të viteve tre mijë. Është për të ardhur keq që takimi i përfaqësuesve të dy partive më të mëdha, në një vend që mbështetet në lirinë e individit e të iniciativave, përjetohet si një sensacion, si një kombinim i magjishëm i fatit, si një fakt që do të ndryshojë thelbësisht të ardhmen e shtetit.

Në vendet demokratike, kryetarët e partive takohen për të biseduar për politikë e për çështje të tjera, që s’kanë të bëjnë me politikën, javë për javë. Por, kur opozitarizmi kuptohet si armiqësi, ndodh që palët t’ia japin dorën njëri-tjetrit (apo më saktë “t’i buzëqeshin njëri-tjetrit”), pas 6-7 vjet “grevë të heshtjes”.

Sigurisht që takimi i Majkos me Berishën kishte një motivim, madje një motivim të rëndësishëm, për të mos thënë të jashtëzakonshëm. Ta shtrosh çështjen nëse ky takim u bë që Majko të shpëtojë kolltukun dhe Berisha të mbrohet prej qelisë, është tejet naive. Nga kjo analizë e kujdesshme e zhvillimeve që paraprinë dhe përcollën takimin, del bindshëm se ky takim ka të bëjë me vlerësimin e situatës gjeorajonale nga faktori ndërkombëtar, me një profilaksi të domosdoshme që ky faktor përpiqet të zbatojë për të parandaluar thellimin e destabilitetit.

Përpjekjet ndërkombëtare për një paqe të sforcuar në Tiranë tregojnë se edhe Shqipëria gjendet në vorbullën e luftës

Disa nga arsyet që mund ta kenë shtyrë faktorin ndërkombëtar të sugjestionojnë njerëzit e thjeshtë të Shqipërisë me një takim të befasishëm të “dy kundërshtarëve të papajtueshëm” mund të jenë: Së pari, duhet urgjentisht një “model”, një “precedent” i pajtimit “nga lart” të shqiptarëve. Prej më shumë se një viti faktori ndërkombëtar ka këmbëngulur që “shqiptarët e Kosovës duhet të flasin me një zë”. Kjo është një kërkesë që formalisht duket ideale. Mirëpo në thelb kërkohet që shqiptarët e Kosovës të flasin me zërin e Rugovës, domethënë me një zë të vetëm. Për të forcuar “logjikën e marrëveshjes” dhe për të rritur argumentin që shqiptarët e Kosovës të pranojnë një qëndrim, nga (parimisht) dy të mundshmet – rrugës paqësore apo rrugës së luftës çlirimtare, sigurisht që më përpara dakordësia duhet të arrihet në Tiranë.

Së dyti, Ballkani është një rajon i trazuar. Paqja rajonale nuk ka asnjë siguri. Sikur të mos mjaftonte kriza ndëretnike në ish-Jugosllavi, vetë shteti zyrtar shqiptar mbërrin në një gjendje kritike të qeverisjes. Ndërsa opozita lëshon kushtrimin “të rrethojmë kryeministrinë”, ambasada amerikane u drejton sërish qytetarëve të vet thirrjen që të largohen menjëherë nga Shqipëria. Paniku përhapet ndër shqiptarët. Bota euro-amerikane bëri të pamundurën që ta mbajë “Maqedoninë” larg konflikteve. E ruajti vendosmërisht prej krizave. Por shpërthimi i një vatre të re konflikti në Shqipëri do të shkatërronte projektet globale për paqe rajonale. Për hir të kësaj paqeje duhet të takoheshin ata që s’ishin takuar qysh prej vitit 1992.

Së fundi, me sa duket, “qetësimi” artificial i gjendjes në Shqipëri (“sa të kalojmë festat” – shprehet një nga politikanët e vendit), ka të bëjë me përfundimet e misionit të vëzhgimit të ekspertëve evropianë në Kosovë. Beogradi po përgatitet për luftë. Serbia nuk do ta presë pranverën. Millosheviçi është i vendosur që të veprojë kundër shqiptarëve, pavarësisht nëse janë të organizuar në UÇK, apo jo.

Në Kosovë pritet një mësymje e dytë e përgjithshme. Kjo nuk do të ndodhë në pranverë, por më shpejt. Situatat mund të vijnë të tilla që ta përfshijnë në luftë edhe Shqipërinë. Alarmi i një lufte që ka trokitur në prag është një rrethanë detyruese që kundërshtarët të braktisin mëritë e vjetra dhe të pajtohen publikisht.

Nuk është aspak e rastit që dokumenti i parë i autoriteteve të Tiranës pas “pajtimit” ishte një rezolutë për Kosovën. Në këtë rezolutë për herë të parë opinioni i vendit dhe ai i jashtëm njoftohet se faktori ndërkombëtar është tërhequr prej kërkesave fillestare të tij ndaj Beogradit. Në debatin për aktin përfundimtar ministri i jashtëm, Milo, akuzoi se tani faktori ndërkombëtar padrejtësisht i trajton shqiptarët si palë ndërluftuese me serbët, me përgjegjësi të barabartë për gjendjen. Ai tha se “bota euro-amerikane është e gatshme të bëjë lëshime për çështjen shqiptare. Qëndrimi i qeverisë shqiptare, që në Kosovë duhet të zbatohet parimi i vetëvendosjes dhe që ne do të përkrahim kërkesat që kanë vetë shqiptarët në Kosovë”, është krejt i ndryshëm prej qëndrimit të disa ditëve më parë: “ne pajtohemi me qëndrimin ndërkombëtar për Kosovën”.

Duket se gjendja në zemër të Ballkanit është mjaft e trazuar. Pritet që lufta të rifillojë. Kosova gjendet para provash të reja. Por përpjekjet ndërkombëtare për një paqe të sforcuar në Tiranë tregojnë se edhe Shqipëria gjendet në vorbullën e luftës. Dhe s’ka si të ndodhë tjetërsoj. Popujt përjetojnë fatin e përbashkët, pavarësisht nga ndarjet e historisë. Ky është konteksti i pajtimit Majko – Berisha. /Shaban Sinani/

 

SHKARKO APP