SHBA: Zgjedhjet 96, hap prapa për demokracinë
(Botuar me 2 Qershor 1996 në KOHA JONE)
Zgjedhjet e 26 Majit një hap pas nga ato të zhvilluara 4 vjet më parë, kur ende në fuqi qëndronte ish Presidenti i fundit komunist Ramiz Alia. Kjo ka qenë deklarata e fortë, që ka dalë dje nga zyrat e departamentit të shtetit, lidhur me atë çka ngjau në zgjedhjet e fundit në Shqipëri. Por qëndrimi i Shteteve të Bashkuara nuk mjaftohet vetëm me publikimin e shkeljeve flagrante që janë vënë re nga vëzhguesit e huaj, dhe me konstatimin se akrepat e demokracisë shqiptare kanë filluar të ecin me sens të kundërt nga ato të Perëndimit. Në deklaratën e djeshme thuhet se këto parregullsi hedhin hije mbi perspektivën e progresit demokratik i cili mbetet guri themeltar i marrëdhënieve të SHBA me Shqipërinë. Edhe një herë me deklaratën e tij të fundit, ku Shqipëria nuk konsiderohet si një vend që po shkon drejt demokracisë (por siç thuhet në deklaratë, drejt realizimit të një ekonomie funksionale të tregut të lirë ) Departamenti i Shtetit tregon se tashmë preferencat midis partive në Uashington nuk ekzistojnë më. Ashtu siç patën bërë të ditur edhe para zgjedhjeve parlamentare, zyrtarët amerikanë janë pothuajse mospërfillës se kush merr e kush lë kolltukun presidencial në Tiranë, ndërsa janë tepër eksigjentë për të vëzhguar funksionimin e demokracisë dhe të të drejtave dhe lirive njerëzore. Në emër të këtij parimi edhe një herë departamenti i shtetit i ka bërë thirrje qeverisë dhe të gjitha partive shqiptare për të forcuar institucionet demokratike në Shqipëri. Në emër të këtij parimi mbarë kancelaritë perëndimore po i bëjnë thirrje forcave politike për të shpallur alternativat e tyre për të gjetur rrugën e konsensusit. Për to i rëndësishëm është normalizimi i gjendjes dhe stabiliteti i Shqipërisë ndaj dhe përshëndetjet, duket se do t’ia dërgojnë atyre që do të gjejnë “formulën magjike” për të nxjerrë Shqipërinë nga kolapsi i 26 Majit. Në këtë dalë PD dhe Berisha e treguan se alternativa e tyre është dhuna, tani në bankën e provës është opozita…
Deklaratë e Shteteve të Bashkuara mbi zgjedhjet parlamentare në Shqipëri
Departamenti Amerikan i Shtetit, Zyra e zëdhënësit
1 Qershor 1996
Më 26 maj, Shqipëria mbajti raundin e parë të zgjedhjeve parlamentare. Zgjedhjet u monitoruan nga vëzhgues vendas shqiptarë, vëzhgues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara si dhe vëzhgues të tjerë nën kujdestarinë e OSBE. Gjatë 5 viteve të kaluara, Shqipëria është kthyer nga diktatura komuniste më e izoluar në Evropë, drejt realizimit të një ekonomie funksionale të tregut të lirë. Fatkeqësisht këto zgjedhje u shënuan nga parregullsi, gjë që përbën një hap të dukshëm prapa nga zgjedhjet parlamentare të 1992. Vëzhgues të ndryshëm qenë dëshmitarë të rasteve ku autoritetet dhunuan ligjet elektorale, përfshirë manipulimin e numërimit të votave si dhe hedhjen nga të tjerë të shumë fletëvotimeve. Është raportuar gjithashtu edhe prania kërcënuese e rojeve të armatosura në disa qendra votimi. Parregullsitë janë pranuar edhe nga vetë autoritetet shqiptare. Tërheqja e kandidatëve të partive kryesore opozitare dhe e anëtarëve të tyre në komisionet elektorale e bëri të pamundur përcaktimin e përmasave të sakta të problemeve që u vunë re për rrjedhojë gjatë numërimit të votave, si dhe kontribuoi në mungesën e integritetit të procesit të numërimit. Për rrjedhojë opozita duhet të pranojë një masë përgjegjësie për degradimin e këtij procesi. Këto parregullsi hedhin fije mbi perspektivën e progresit demokratik, i cili mbetet guri themeltar i marrëdhënieve tona me Shqipërinë. Është bindja jonë e patundur se nevojitet të ndërmerren hapa për të korrigjuar këto parregullsi. Ky veprim korrigjues, sipas gjykimit tonë, duhet të përfshijë rihyrjen në disa prej garave, ashtu siç është rekomanduar nga delegacione të ndryshme vëzhguesish përfshirë OSBE dhe BE. Për këtë qëllim, ne i kërkojmë Qeverisë Shqiptare si dhe të gjitha partive politike që të kërkojnë ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar në hetimin e parregullsive dhe përcaktimin e zonave në të cilat duhen përsëritur zgjedhjet. Qeveria gjithashtu duhet të shqyrtojë me kujdes rekomandimet e delegacioneve të vëzhguesve për të përmirësuar procesin elektoral për të siguruar që parregullsitë të cilat ndodhën gjatë këtyre zgjedhjeve të mos ndodhin më. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të shmangin provokimet dhe të mos i kthehen dhunës. Ne do të vazhdojmë të ndjekim nga afër zhvillimet dhe do të punojmë me qeverinë dhe të gjitha partitë politike për të forcuar institucionet demokratike në Shqipëri.