Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Adem Çopani: SHIK-u hapi zjarr kundër ushtrisë në Jug
(Botuar me 14 Gusht 1997 në KOHA JONE)
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë: SHIK-u hapi zjarr kundër ushtrisë në Jug
Gjeneral major Adem Çopani, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, ka lindur më 15 korrik 1944 në Tiranë. Pasi kreu Akademinë e Mbrojtjes, ka shërbyer në njësi e reparte ushtarake deri në detyrën e Shefit të Shtabit të Korpusit, Shef i Katedrës Taktike dhe Operative në Akademinë e Mbrojtjes dhe më pas Këshilltar Presidencial për Mbrojtjen. Gjithashtu ai është fellou në Seminarin Ndëruniversitar amerikan për forcat e armatosura dhe shoqërinë, anëtar i Grupit Kërkimor Europian për Ushtrinë dhe Shoqërinë, anëtar i Komitetit për Zgjidhjen e Konflikteve të Shoqatës Ndërkombëtare Sociologjike dhe fellou në Konferencën Ndërkombëtare për Kontrollin e Armëve. Gjeneral Major Adem Çopani ka marrë gradën kandidat i shkencave në vitin 1986, titullin docent 1989 dhe atë profesor më 1994. Botimet e tij të shumta mbi politikën e mbrojtjes, sociologjinë ushtarake dhe komandimin e drejtimin, janë përfshirë në artikuj dhe libra të botuar si në Shqipëri dhe jashtë saj.
Ku keni punuar më parë?
Kam shërbyer si këshilltar për mbrojtjen që nga viti 1991 me Presidentin Alia dhe më tej me Presidentin Berisha. Më parë kam qenë shef katedre i përgatitjes taktiko-operative në Akademinë Mbrojtjes. Në detyrën time kam përgatitur për Presidentin studime, relacione dhe materiale të tjera rekomanduese për ushtrinë dhe mbrojtjen. Njëkohësisht kam mbajtur kontakte pune në këtë fushë me organet e larta të NATO-s për çështjet që i takonin sferës së marrë edhe me studime të veçanta, në fushën e politikave të sigurimit e të mbrojtjes dhe të marrëdhënieve civilo-ushtarake, të cilat janë botuar si brenda dhe jashtë vendit. Afro 20 tituj janë botuar jashtë vendit.
Cilat ishin rrethanat e emërimit në detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë?
Nga fundi i shkurtit ndiqja me shqetësim, si çdo qytetar revoltimin e popullit ndaj falimentimit ekonomik që pësoi vendi dhe qeverisjes së keqe të tij. Shqetësimi u bë më i madh, kur populli sulmoi repartet ushtarake në Vlorë, Tepelenë dhe Sarandë dhe sulmet u zgjeruan edhe në garnizonin e Fierit, Lushnjes.
Deri në këtë kohë e ndiqja gjendjen në mënyrë individuale, por nuk kisha asnjë dijeni për masat që merrte shteti për ta përballuar e stabilizuar atë. Më datën 2 ose 3 mars, thirrem në mbledhjen e Këshillit të Mbrojtjes, ku Presidenti, por veçanërisht Gazidedja po i flisnin me ashpërsi Sheme Kosovës, duke e akuzuar atë se mbante përgjegjësi për shkatërrimin e Ushtrisë.
Menjëherë, Presidenti kthehet nga unë dhe komunikon shkarkimin e Shemes dhe emërimin tim si Shef i Shtabit të Përgjithshëm. U befasova, jo vetëm se isha i papërgatitur për komunikimin që mora, por edhe me sa dija, tre vjet më parë isha kandidat për këtë post, por përfundimisht u bë zgjedhje tjetër. Megjithatë, një detyrë të tillë as e kam lakmuar ndonjëherë dhe as e dëshiroja, pasi veprimtaria ime studimore më kishte hapur fusha më interesante jete se karriera më e lartë ushtarake. Emërimi më tronditi aq më tepër kur lidhej me rrokullisjen që kishte marrë ushtria, e cila as më pak dhe as më shumë shënonte rrokullisjen e vetë shtetit. Pa kaluar shumë minuta nga emërimi, u nisa bashkë me ministrin Zhulali në Ministrinë e Mbrojtjes, ku vendimi për emërimin tim, iu komunikua edhe oficerëve të Shtabit.
Cila ishte gjendja në Shtabin e Përgjithshëm?
Informacionin e parë për gjendjen e ushtrisë e mora nga drejtori operativ Vladimir Ismolli, i cili më shpjegoi shkallën e dëmtimeve që kishte pësuar Ushtria. U trondita dhe meqenëse nuk kisha konfirmuar nëse do ta merrja apo jo detyrën, pasi ajo mu dha si urdhër i prerë, mendova të mos e pranoja. Këtë mendim e hodha edhe me kolegët e Shtabit kur po diskutonim gjendjen. Pashë tek ata një dëshirë për të punuar bashkë për të mirën e Ushtrisë. Në ato çaste e ndjeva një detyrë patriotike, jo vetëm si shqiptar, por edhe si ushtarak për katër dekada, që për hir të ruajtjes së Ushtrisë, të punoja drejtpërsëdrejti me njësitë e repartet, duke e konsideruar atë si detyrë të përkohshme, dhe që për mua përbënte në fakt sakrificë të madhe familjare, shoqërore dhe personale. Si masa të menjëhershme për të përballuar gjendjen ishte forcimi i shërbimit në repartet ushtarake, kalimi i tyre në gatishmëri dhe rishpërndarje e efektivit në garnizone pa ushtarë apo me pak të tillë dhe plotësimi i tyre me oficerë.
Si e vlerësoni gjendjen në jug të vendit në këtë periudhë?
Gjendja në jug i ngjante një reaksioni zinxhir ngjarjesh. Ishin krijuar komitetet e shpëtimit publik, meqenëse organizmat e shtetit nuk ekzistonin më. Duke qenë se këto organe po i dilnin zot situatës, hyra personalisht në komunikim të drejtpërdrejtë me disa prej ish-oficerëve që i njihja dhe që bënin pjesë në këto organe. Vura re se ishin shumë të predispozuar të ruanin ushtrinë. Por nuk ishte gjithçka në dorën e tyre, pasi brenda në popull ishin futur dhe maskoheshin edhe elementë kriminelë e keqbërës që nuk pyesnin, pasojat e të cilëve po i vuajmë edhe sot. Nga ana tjetër, organizova disa grupe oficerësh që ishin nga këto zona apo që kishin shërbyer atje, të cilët u dërguan të takoheshin me këto komitete me kërkesën që Shtabi i Përgjithshëm ishte shumë i interesuar të bashkëpunonte me to për ruajtjen e reparteve ushtarake, pa ndërhyrë në problemet politike që kishin ata me organet e pushtetit dhe subjektet e tjera. Mund të them se, në sajë të interesimit të tyre, veçanërisht në Delvinë, Tepelenë dhe Gjirokastër, arritëm të ruajmë një sasi të konsiderueshme objektesh.
Cilat ishin marrëdhëniet tuaja me Berishën dhe me drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes?
Kur erdhi Berisha në Presidencë, në vitin 1992, unë ashtu si disa të tjerë në këtë institucion, u përgatitëm të linim vendet, megjithëse ndjeja se si ushtarak dhe i depolitizuar, nuk kishte arsye të lëvizja. Nuk njihesha më parë me të, dhe megjithatë më mbajti në të njëjtin post. Gjatë gjithë kohës kam patur me të marrëdhënie korrekte pune, dhe nuk më lëvizi dhe kur i erdhën propozime me shkrim nga Kalakulla dhe Zhulali. Me Zhulalin nuk u harmonizova ndonjëherë, në dallim nga paraardhësi i tij Perikli Teta si dhe me Kostaq Karolin me të cilin bashkërendonim mirë, veçanërisht në hartimin e legjislacionit ushtarak. Me ministrin e ri takohesha vetëm kur ai më kërkonte mendimin për ndonjë problem. Rrallë më ftonte në veprimtaritë e Ministrisë së Mbrojtjes, kryesisht vetëm kur i duhesha. Takimet e punës dhe bisedimet me Presidentin i bënte të vetmuara dhe asnjëherë nuk më informonte për lëvizje kuadri, ndryshime strukturash apo për probleme të marrëveshjeve ushtarake. Këtë metodë pune me mua, ua kultivoi edhe Ilia Vashos dhe Sheme Kosovës, megjithëse prej meje vetëm ndihmë do të kishin. Madje Zhulali i kërkoi dhe Këshilltarit Amerikan që të mos takohej me mua. Sipas vetë këtij të fundit, Zhulali i kishte thënë se do ta largonte nga Shqipëria brenda 24-orësh po të takohej me mua. Në këtë kompleks marrëdhëniesh, besimi i Berishës ndaj Zhulalit ishte absolut në punët e ushtrisë, duke i besuar më shumë se sa duhej dhe duke mos marrë parasysh shumë propozime me vlera profesionale nga ushtarakët.
Cili është mendimi juaj për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme?
Në jetën time nuk e kisha njohur gjendjen e jashtëzakonshme, por kur Ramiz Alia paraqitej i gatshëm për ta vendosur atë, si ushtarak, isha i bindur se ai nuk do ta vendoste. Jo më shumë se nuk donte, por se nuk ishte e mundur. Aq më tepër nuk mund të kishte sukses, siç nuk pati vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme në fillim të këtij viti. Këtë mendim e shfaqa edhe në konsultën e Këshillit të Ministrave, ku u ftova për të dhënë mendimin për projekt ligjin që po përgatitej. Madje duke diskutuar se çfarë duhej bërë, rekomandova zgjidhjen politike si të vetme. Por pa kaluar shumë kohë si Shef i Shtabit të Përgjithshëm, më vjen ligji i Kuvendit Popullor për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, ku kërkohej edhe angazhimi i forcave të ushtrisë si dhe kryerja e mobilizimit. Por akoma më absurd ishte ligji për vendosjen e këtyre forcave, bashkë me ato të Ministrisë së Brendshme dhe të SHIK-ut nën komandën e gjeneralit me katër yje Gazidede.
Cili ishte raporti i lidhjeve të Shtabit të Përgjithshëm me komandën Gazidede?
Fillimisht kujtova se krijimi i këtij shtabi operacioni të Gazidedes kishte për qëllim ta mbante Shtabin e Përgjithshëm jashtë detyrave të gjendjes së jashtëzakonshme. Por nuk kaloi shumë dhe filluan të vinin disa urdhra të veçanta për ushtrinë të firmosura nga Gazidede, ndaj të cilave pati reagime të forta nga Shtabi i Përgjithshëm. Sqarimi i Gazidedes ishte se ka mandat absolut nga Parlamenti për të urdhëruar edhe forcat ushtarake.
Detyra e Shefit të Shtabit tani e tutje ishte vetëm të firmoste për dijeni tek urdhrat që jepte Gazidede. Ky sqarim vijoi me një ligj tjetër të Kuvendit Popullor ku thuhej se ushtarakët aktivë dhe rezervistë që nuk zbatojnë detyrat e ngarkuara dënohen sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal Ushtarak për gjendjen e jashtëzakonshme. Janë një seri ligjesh të tilla që nxori Kuvendin Popullor në fillim të marsit. Menjëherë u dhanë urdhra për kalim repartesh ushtarake në varësi të shtabit të operacionit Gazidede, u shkarkuan rrufeshëm shumë kuadro ushtarake me urdhër me shkrim të Gazidedes, duke u zëvendësuar me persona të panjohur si komandues në ushtri. Një pjesë që kundërshtonin ose shprehnin pakënaqësi u arrestuan nga Gazidedja, ndërkohë që Prokuroria nisi një sërë çështjesh penale brenda në ministri.
A kishte dijeni Presidenti i Republikës dhe ç’qëndrim mbante?
Presidenti i Republikës kishte dijeni të plotë se çfarë po ndodhte, pasi ai i dekretonte ligjet e Kuvendit Popullor. Masat absurde të komandimit të Shtabit të Përgjithshëm nga shtabi Gazidede, krijuan një gjendje mosbesimi të përgjithshëm në vetë oficerët e Shtabit të Përgjithshëm. Bashkë me Zhulalin iu ankuam në një takim Presidentit, ku krahas të tjerave i thamë se me ligj emërimet dhe lëvizjet e oficerëve bëhen me urdhër të ministrit përkatës, prandaj nuk ka punë Gazidedja të komandojë dhe të urdhërojë në ushtri. Presidenti kërkoi që të zbatohet çdo gjë siç kërkohet nga ligjet e sapo miratuara, dhe nga urdhrat e Gazidedes.
Si funksiononte dhe si ishte ndërtuar Shtabi i Operacionit Gazidede?
Si ishte krijuar, kur, nga kush përbëhej shtabi i operacionit, për mua është enigmë akoma dhe kësaj dite. Përveç Gazidedes, që nga ligji e mora vesh që ishte komandant, asnjë gjë tjetër nuk mora vesh. Por një gjë është e sigurt. Shtabi Gazidede u krijua sepse drejtuesit politikë të vendit dhe Presidenti i Republikës e kishin humbur plotësisht besimin tek Ushtria dhe Shtabi i Përgjithshëm i saj. Për ta, ajo le të shërbente për t’i marrë ndonjë gjë që mund t’i nevojitej, ndërsa për operacionin, lypseshin të përdoreshin forca besnike të SHIK-ut, të Ministrisë së Brendshme ose të sapo mobilizuarve. Por megjithëse u tentua që krijimi i një shtabi të tillë të bazohej në një ligj të ri, kjo nuk e përjashton absurditetin e veprimit. Sipas ligjit vetëm Shtabi i Përgjithshëm ka të drejtë të paraqesë për miratim idetë e Forcave të Armatosura në këto operacione, duke kuptuar këtu si Forca të Armatosura edhe vetë forcat e SHIK-ut apo të Ministrisë së Brendshme. Ishte e kuptueshme që Shtabi i Përgjithshëm, në rastin konkret nuk do ta kryente një detyrë të tillë.
Cili ka qenë roli i shtabit tuaj në operacionin kundër jugut?
Për herë të parë kam mësuar për ekzistencën e një operacioni kundër jugut nga shtypi, kur u botua para disa kohësh. Thirra Gjeneral Brigade Koçekun që të më jepte shpjegime, meqenëse i dilte aty edhe emri, por m’u përgjigj se as nuk kishte poseduar ndonjëherë dokument të tillë, as nuk kishte patur dijeni dhe çdo gjë është trillim. I kërkova që ta përgënjeshtronte në shtyp, por ai nuk e pa të arsyeshme. Nga analiza e zhvillimit të ngjarjeve deduktoj se një operacion i tillë nuk është i pakonceptuar, por i dokumentuar duhet të jetë në SHIK. Në Ministrinë e Mbrojtjes duhet të ketë patur dijeni Zhulali, pasi disa urdhra të tij përputhen me elementë të planit që paraqiteshin në gazetë. Shtabi i Përgjithshëm ishte i preokupuar për të përforcuar disa garnizone që nuk kishin trupa, për t’u ruajtur nga sulmet që bëheshin kundër komandave e depove. Gjendja ishte kërcënuese. Komandanti i garnizonit të Gjirokastrës dispononte vetëm 35-40 ushtarë, me të cilët ai nuk arrinte të siguronte veten dhe jo më depot dhe kërkonte të plotësohej me ushtarë shtesë. Shtabi ishte i gatshëm, por më tepër i gatshëm u tregua Zhulali, i cili kërkoi që atë garnizon ta përforconim akoma më tepër. Duke qenë se zona kufitare Gjirokastër – Delvinë – Sarandë ishte jashtë kontrollit, grekët mund të intervenonin dhe të bënin një fakt të kryer intervenimin e ushtrisë së tyre. Arsyetimi kishte logjikë. Nisur nga këto premisa, u autorizua nga Shtabi i Përgjithshëm dërgimi i një sasie efektivi aktiv për në Gjirokastër. Sipas urdhrit me shkrim që gjendet në Shtabin e Përgjithshëm, këto vetëm forca do të rikompletonin deri në një masë njësitë e Gjirokastrës. Këto forca, pjesërisht arritën, pasi si rezultat i kombinacioneve operative të SHIK-ut dhe Zhulalit u krijua incidenti i turpshëm i Përmetit.
Si qëndron sipas jush ngjarja e Përmetit?
Në Përmet, ushtria ka patur një repart komando, i cili që nga krijimi kishte krijuar marrëdhënie të mira me popullin dhe respektohej prej tij. Në njërën nga ato ditë vëmë re se Zhulali nuk vjen në zyrë. Meqë i kërkohej diçka, pyetëm edhe në familje, por nuk dinin gjë ku ishte. Asnjë nuk kishte dijeni gjatë gjithë ditës. U hap fjala në Shtab se ai do të ishte arratisur. Pastaj rastësisht marrim vesh se kishte marrë një helikopter dhe pa njoftuar paraprakisht asnjërin, kish shkuar në Përmet. Sipas informacioneve gojore të disa oficerëve të pranishëm, Zhulali kishte mbledhur oficerët dhe u kishte kërkuar besën për të luftuar, sepse më kanë tradhtuar gjeneralët e Shtabit të Përgjithshëm dhe nuk kam më besim tek ata. Pasi kishte patur reagime prej disave, i kërcënoi se kush kthehej prapa do të qëllohej.
Nga sa morëm vesh më vonë, në zonën e Përmetit ishin futur fshehurazi edhe forca të SHIK-ut, për të cilët Shtabi i Përgjithshëm nuk kishte marrë asnjë njoftim. Ndërkohë më njofton në radio komandanti i repartit komando, se tek ata kishte qenë Zhulali dhe sapo ai u largua, forcat e SHIK-ut kishin kryer veprime rrugaçërie në qytet, duke irrituar popullin dhe tensionuar situatën në qytet. Ai kërkoi leje për t’u tërhequr e kthyer në Tiranë. Kërkesa iu miratua, por nuk ishte e thënë të fillonim lëvizjen e kthimit, sepse u goditën me zjarr nga forcat e SHIK-ut. Si rezultat i këtij zjarri humbën jetën disa qytetarë të pafajshëm të Përmetit.
Gjatë këtyre ditëve, në shtyp po flitet për goditje ajrore ndaj Tepelenës, Delvinës dhe Sarandës të bërë në ditët kur ju sapo morët detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Kush ka urdhëruar për këto sulme?
Shtypi këto ditë ka dhënë një pjesë dhe jo të tërën. T’i referohesh pjesës jashtë të tërës nuk do të thotë se ke gjetur të vërtetën. Asnjëherë ushtarakët nuk i vënë në lëvizje mjetet luftarake pa urdhër. Nga ana tjetër, vetëm Presidenti ka të drejtë, në bazë të ligjit, të urdhërojë, në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, për lëvizjen, dislokimin dhe përdorimin e Forcave të Armatosura. Gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme, Presidenti e ka përdorur këtë kompetencë. Jo vetëm avion, por edhe një tank, nuk mund të lëvizte pa lejen e tij. Por nga ana tjetër të gjithë urdhrat që ka dhënë Presidenti për përdorimin e aviacionit, kanë patur porosinë që, asnjëherë të mos qëllohet në njerëz, dhe kjo porosi i është dhënë edhe komandës ajrore për ta zbatuar me rigorozitet. Zhurma që bëhet në shtyp lypset të sqarohet edhe me pyetjen se sa veta kanë humbur jetën nga këto fluturime. Gjatë gjithë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme, nuk rezulton as edhe një qytetar i Shqipërisë të ketë humbur jetën, jo vetëm nga aviacioni por as nga të gjitha veprimet e Ushtrisë. Përkundrazi, Ushtria pësoi 12 ushtarakë të vrarë dhe 29 të tjerë të plagosur në ruajtje të objekteve ushtarake. Shumica e kërkesave për vrojtim ajror dhe zjarr demonstrativ vinin kryesisht nga organet e Policisë. Ka patur edhe kërkesa të çmendura prej tyre, por që asnjë nuk është realizuar me jetë njerëzish. Nga ana tjetër, në Shtabin e Përgjithshëm janë hedhur poshtë kategorikisht propozimet për të hedhur në erë objekte si ura e Mifolit ne Vlorë.
Shkurt, po qe se do të ekzistonte qëllimi i mbrapshtë për të hapur zjarr me pasoja, nuk ishte e vështirë që një gjë e tillë ushtarakisht të realizohej, qoftë edhe një herë, por një gjë e tillë nuk ndodhi asnjëherë. Shikoni se në ato procesverbale do të gjeni shumë shprehje e porosi që zjarri të hapet në shpate, “të hapet për laraska” etj. Nuk jam në dijeni nëse për detyrat që i vinte Zhulali aviacionit, për të bombarduar, i merrte nga Berisha apo i jepte vetë. Në rast se është kjo e fundit, ai ka shkelur ligjin, qoftë edhe nëse nuk ka patur pasoja. Zinxhiri i komandimit operativ kalon nga Komandanti i Përgjithshëm te komandanti i njësisë. Vetëm këta kanë të drejtë të lëshojnë urdhra. Hallkat e tjera ndërmjetëse vetëm i transmetojnë. Megjithatë, jam i ndërgjegjshëm, se përdorimi i një arme të tillë të fuqishme, qoftë edhe për demonstrim dhe panik, qoftë edhe kur rrezikoheshin depo apo objekte, nuk është veprim i mençur nga kushdo qoftë. Hezitimet e Shtabit për përdorimin e aviacionit gjatë kësaj periudhe nuk kanë qenë të rralla.
Është folur gjithashtu edhe për një plan të Flotës Detare për të sulmuar Vlorën.
Këto gjera i thonë njerëz që duan të fitojnë pikë në situatën e re. Imagjinoni një operacion për pushtimin e Vlorës me një flotë me disa mikroanije që, pas eksodit në Itali, tashmë numëroheshin me gishta. Në fakt, ne kemi planifikuar të dërgonim anije në Sarandë për të tërhequr prej andej dy mjete detare që kishin mbetur. Për këtë veprim ramë në kontakt edhe me organe publike në qytet. Por me keqësimin e gjendjes atje, si dhe me sulmin e armatosur të përsëritur të bandave të paidentifikuara kundër bazës detare, plani nuk u realizua. Dhe ju keni parë më tej në televizionet e huaja anijet tona ushtarake të drejtuara për turp nga civilë të armatosur, duke lundruar në gjirin e Sarandës. Sot ato nuk shërbejnë më as për muze.
Cili ka qenë roli i homologut të SHIK-ut në ushtri që ju e quani SHIU?
Për këtë shërbim në ushtri, mendoj se unë kam ditur dhe di aq sa dini edhe ju. Ai është varur në mënyrë të rreptë nga ministri. Aktualisht, Shefi i Shtabit merr vetëm informacion zbulimi ushtarak nga sektori përkatës, i cili mendoj se bën punë të kualifikuar. Kam kërkuar që organet e zbulimit të hapur ushtarak t’i kalojnë në varësi Shtabit të Përgjithshëm, por deri tani pa rezultat. Për pjesën tjetër të informacionit të SHIU-t merr dijeni vetëm ministri.
A mund të mbroheshin depot ushtarake nga shkatërrimi total?
Një truproje ushtarake mund ta ruajë një depo, por e ka të vështirë në mos të pamundur, që ta mbrojë nga sulmues të shumtë. Shtrohet pyetja pse nuk hapi zjarr Ushtria. Së pari, shpesh nuk kishte të bëjë me keqbërës të paktë, por me turma që vinin para gra dhe fëmijë, çka krijonte vështirësi për të përcaktuar objektin kundër kujt duhej hapur zjarr. Së dyti, ligji aktual për hapjen e zjarrit nga ushtarakët është i tillë që nuk të detyron të hapësh zjarr, sepse përmban dhe disa klauzola frenuese. Për shembull të kërkon të përcaktosh drejtuesin e turmës pastaj të veprosh. Së treti, në rast se vret, pavarësisht nga rrethanat, ligji të heton dhe ushtaraku i nënshtrohet hetimeve jo të këndshme. Në kushte të tilla ligjore, kur shteti nuk e mbron ushtarakun që mbron me zjarr objektin që ruan, por e çon në gjyq, mos prit që të kryej detyrën seriozisht. Po t’i sulmohet shtëpia e tij, ai vepron pa hezitim. Madje rojet ushtarake shqiptare nuk kanë as ato kompetenca që kishin ushtarët e ALBA-s për të hapur zjarr.
Kohët e fundit është në proces, rishikimi i një ligji të përshtatshëm. Por kjo është ana teknike e çështjes. Ishte një moment kur turmat paraqiteshin para depove për të kërkuar armë. Madje kjo ndodhte në të gjithë vendin. Shtabi i Përgjithshëm, me urdhra të veçantë porosiste që të sqaroheshin turmat, se si civilë që ishin, duhet të paraqiteshin për armë jo në repartet ushtarake, por në komisariatet e policisë, pasi këta e kishin në kompetencë për t’u dhënë armë qytetarëve. Por nuk zgjaste shumë, dhe ata vepronin të organizuar si me komandë dhe, bashkë me armët, rrëmbenin edhe kazanë e krevate si dhe gjithë pasurinë ushtarake.
Përse u shkatërrua Ushtria?
Ushtria është pjesë e shoqërisë së gjerë shqiptare. Ajo përjetoi dhe përjeton në të njëjtën shkallë krizën e thellë ekonomike, politike dhe sociale që kalon vendi. Si pjesë e shoqërisë, asaj i kërkohen të kryejë detyra më të vështira se segmentet e tjera. Ushtaraku urdhërohet të zbatojë urdhra edhe atëherë kur nuk i pëlqejnë; të shkojë atje ku edhe nuk dëshiron, të marrë familjen me vete dhe të mos ketë strehim, të jetë në detyrë 24 orë në ditë, 7 ditë në javë dhe 365 ditë në vit pa ndërprerje. Por për këto përgjegjësi shtesë, ai nuk shpërblehet në të njëjtën masë. Një oficer epror e ka pagën mujore 6000-7000 lekë në muaj, aq sa një nëpunës i thjeshtë dhe shumë larg një punëtori në firma private. Një i ri nuk pranoi të bëhej polic ushtarak, sepse aq sa merrte atje për një muaj, mund t’i merrte duke shkarkuar për 23 orë një kamion. Megjithatë, oficerit i ndalohet të bëjë punë tjetër. Kushtet e punës janë mizerabël. Profesioni i oficerit nuk mund të kryhet në jetën civile dhe kur ky nxirret në lirim, as pension të pjesshëm nuk merr.
Ushtrinë shteti e mban për një detyrë të veçantë, por kur shteti nuk e mban mirë ushtrinë, të mos presë të njëjtën përgjigje nga Ushtria. Pra rrënjët e shkatërrimit të Ushtrisë, duhen kërkuar në radhë të parë në marrëdhëniet e saj me shtetin dhe shoqërinë. Trajtimi jo i mirë ekonomik dhe social uli moralin e Ushtrisë, por kush e shkatërroi atë efektivisht del nga pyetjet: kush ishin të interesuar për shkatërrimin e saj; kush e planifikonte dhe kush e realizonte. Përgjigjet për këto kërkojnë analiza të mëtejshme dhe nuk mund të thuhen me një fjalë goje. Bashkë me popullin u futën dhe kriminelë ordinerë, që sulmojnë akoma bazën e Sarandës apo Sazanin, që organizojnë prita dhe grabitje rrugëve, apo sulmojnë objekte ushtarake si uzina, depo dhe reparte. Një karakteristikë e veçantë e situatës së krijuar ka qenë dhe është paraprirja e disinformacionit për të çorientuar Ushtrinë dhe njerëzit. Hapej llaf me një zonë se po vijnë forcat e Berishës dhe sulmoheshin depot. Hapej llafi se forca nga Jugu po vijnë drejt Tiranës, sulmoheshin deri në rajone të tjera. Hapej llafi se po sulmohej Mifoli, alarmohej policia dhe kërkonte nga lartë ndihmë me aviacion. Thuhej se kolona me automjete lëvizin për në depot e ushtrisë, dërgohej aviacioni për zbulim dhe nuk konstatonte gjë. Ky terror psikologjik i organizuar mbi popullin dhe Ushtrinë tensiononte gjendjen dhe çonte në veprime destruktive kundër ushtrisë. Analizën e dukurive të tilla mendoj se lipset ta bëjmë në radhë të parë politike por në Shqipëri akoma nuk kemi politikanë që të kenë edukimin përkatës për Politikat e Mbrojtjes e të Sigurimit. Derisa të sigurohen njerëz të tillë të arsimuar në këto fusha, Ushtria do të vazhdojë të trajtohet si pasuri praktike dhe të vuajë si e tillë. Sa më tepër të rritet sasia e politikanëve me këtë arsimim aq më tepër ajo do të konsiderohet si pasuri e shenjtë kombëtare.
Ç’mendim keni për të ardhmen?
Nën drejtimin e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm ndërmorën një program të ngjeshur masash për ndalimin e shkatërrimeve dhe fillimin e ringritjes së ushtrisë. Në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme që ekzistonte, puna nuk ishte e lehtë. Oficeret, megjithëse të goditur psikologjikisht, iu përveshën punës jo vetëm si oficerë, por edhe duke kryer shpesh detyrat e ushtarit. Ndjeva veçanërisht mbështetjen dhe inkurajimin e gjithanshëm të ministrit Vukaj, për të cilin, për aq kohë sa punuam bashkë, ruaj kujtimet më të mira për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin për zgjidhjen e problemeve të situatës duke u qëndruar punëve në kokë ditën dhe natën.
Tashmë, Ushtria është në prag të fillimit të punës për ndërtimin e plotë. Janë në proces programet për legjislacionin ushtarak, manualet dhe rregulloret, strukturat ushtarake dhe stërvitja, si dhe shumë elementë të tjerë. Është kërkuar bashkëpunim dhe po arrihet në marrëveshje bashkëpunimi ushtarak me Shtetet e Bashkuara, NATO-n dhe vendet fqinjë, pjesëtarë të NATO-s. Nëse unë do të vazhdoj apo jo të punoj në këtë detyrë edhe për të ardhmen, kjo është kompetencë ekskluzive e udhëheqjes politike për të vendosur. Unë si ushtarak, jo thjesht i bindem, por i bindem me mirëkuptim absolut. Gjithsesi çdo ekip i ri që do të vihet në krye të punëve të ushtrisë, do të ketë edhe ndihmesën time, me të gjitha mundësitë e mia.