Vazhdon rubrika: Shkrimet e 30 viteve në KOHA JONË
Nga sot, datë 12 shtator 2020, redaksia e gazetës KOHA JONE fillon botimin e shkrimeve, komenteve, analizave, intervistave dhe lajmeve më kryesore të botuara ndër 30 vite të gazetës së parë të pavarur shqiptare, KOHA JONE.
Botimi do të ruajë rendin kronologjik, sipas viteve.
Numri i parë doli në Lezhë me datë 11 maj 1991 si gazetë e përjavshme. Me 11 maj 2021 gazeta mbush 30 vite.
(Sqarim: Vijon çdo ditë botimi i shkrimeve dhe analizave, por më gjerësisht i gjeni te kjo rubrikë duke klikuar për sejcilin shkrim)
Programi i gazetës lokale “Koha Jonë”
-11 maj 1991-
Në foto: Faksimile e numrit të parë të gazetës “KOHA JONE” botuar me 11 maj 1991 në qytetin e Lezhës
Gazeta lokale “Koha Jonë” do të ketë si qëllim të saj kryesor përpunimin e një opinioni të shëndoshë te njerëzit për çdo gjë që lidhet me qytetin dhe rrethin e Lezhës, duke qëndruar sa është e mundur jashtë vlerësimeve të njëanshme partiake apo të interesave të ngushta vetjake të grupeve dhe individëve. Përmes kronikave të saj dhe shkrimeve të llojeve të ndryshme gazetareske do të fiksohen ngjarjet e ndodhitë më të rëndësishme të
një jave, çdo gjë që do të mendohet se ka interes për jetën e qytetit e të fshatit, ose që përbën sensacion në kuptimin e mirë të fjalës. Në të do të trajtohen probleme të diskutueshme ekonomike, shoqërore, politike, kulturore e sportive duke pranuar diversitet mendimi dhe alternativa të pakushtëzuara. Gazeta do të luajë rolin e një guide kulturore për njohjen e rrethit që është i pasur me ngjarje historike, figura të shquara të penës e të
pushkës, me folklor e vlera të shumta etno-kulturore që përvijohen që nga kohët ilire e në vazhdim.
“Koha Jonë” do të mbështetet në parimet e gazetarisë realiste duke mbajtur qëndrim kritik ndaj çdo dukurie e fakti spekulativ që cenon liritë e të drejtat e individit, proceset demokratizuese dhe zhvillimin e përparimin e rrethit. Të drejtat dhe përgjegjësitë e redaksisë dhe të bashkëpunëtorëve burojnë nga statusi i gazetarit, të njohura me ligj.
Për qëllime afariste, gazeta do të botojë herë pas here edhe reklama e lajmërime të subjekteve të ndryshme që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në rrethin tonë ose të familjarëve. Gazeta nuk do të botojë shkrime me karakter fashist, racist, luftënxitës, antikombëtar e që nxitin urrejtjen kombëtare ose shkrime që bëjnë thirrje për përmbysje me dhunë të rendit kushtetues në Republikën e Shqipërisë. Nuk do të botojë gjithashtu shkrime që bëjnë thirrje për akte terroriste e destabilizuese, që nxitin ndasitë fetare e krahinore, prekin dinjitetin kombëtar të
popullit, bëjnë thirrje për ndërhyrjen e të huajve në punët e brendshme të vendit tonë, dalin jashtë të drejtave të njohura me ligj të pakicave kombëtare, si dhe shkrime që përhapin sekretin shtetëror, përcaktuar në dispozitat në fuqi.
Përveç bashkëpunëtorëve të saj kryesorë, që janë anëtarë të shoqatës së gazetarëve të rrethit, të degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe të shoqatave shkencore, në gazetën “Koha Jonë”do të botohen shkrime nga cilido, brenda ose jashtë rrethit, që dëshiron të bashkëpunojë me të duke iu përmbajtur këtij programi.
11 maj 1991
Këshilli botues i gazetës “Koha Jonë”
1- Pjetër Kola
2- Tonin Çobani
3- Zef Shtjefni
4- Gjovalin Gjeloshi
5- Martin Leka
6- Fran Lleshi
7- Irfan Rama
8- Zef Pergega
9- Pjetër Jaku
Gazeta drejtohet nga: Nikoll Lesi dhe Zef Shtjefni
Faqosës: Luan Pengili
Korrektor: Pal Dragusha
Gazeta shtypet në shtypshkronjën “Mihal Duri”, Tiranë.
E premte 17 maj 1991
Prof.dr.Skënder Gjinushi dhe kandidati i shkencave Lisien Bashkurti u përgjigjen pyetjeve të lezhianëve
Përse zgjodhët pikërisht Lezhën si qytetin e parë të zonës së veriut për
të zhvilluar konferencën e PSD-së?
Lisien Bashkurti: Po ta shohësh Lezhën horizontalisht është rrethi më i vogël në Shqipëri. Por më kryesorja në këtë rast është vertikalja. Lezha ka një histori 2300-vjeçare. Ajo në shekuj i ka dhënë kombit figura të
ndritura si Frank Bardhin, Zarishin, Fishtën, Gjeçovin etj. e duke ardhur deri tek ata që sot quhen me të drejtë krenaria e Lezhës, si: Ndoc Gjetja, Preç Zogaj, Agim Isaku, Rudolf Marku etj. Kështu që e meritonin vlerësimin e plotë të PSD. Populli i Lezhës është në shpirt demokrat.
Ç’përfaqëson në thelb Partia Social Demokrate?
Skënder Gjinushi: Kristalizimi i saj është bërë që herët, fillimisht nga muaji janar, porse zyrtarisht u njohëm më 23 prill. Bile u vetëshpallëm si parti, pasi Ministria e Drejtësisë nuk na dha njoftimin dhe miratimin zyrtar. Kjo s’do të thotë se ne nuk jemi parti e ligjshme. Pritëm një muaj e ligjërisht ne jemi parti pavarësisht se Ministria e Drejtësisë e njoftoi me vonesë opinionin tonë. PSD-ja është një alternativë demokratike që i kundërvihet kryekëput Partisë së Punës. Ajo do të bashkëpunojë me të gjitha ato forca e parti që janë me të vërtetë për demokracinë. Ne si qëllim kemi po ato pika referimi që kanë edhe partitë e tjera opozitare, porse ndryshojmë në mënyrat, rrugët dhe ritmet e tyre për të arritur aty. Ne s’jemi për “terapi shoku”,pasi kjo gjë do të sillte një papunësi të madhe, saqë ndoshta edhe minimalisht ky numër mund të arrijë në 300 deri 400 mijë të papunë. Kjo gjë duhet bërë dalëngadalë dhe e llogaritur mirë. Natyrisht jemi pa diskutim për ekonominë e tregut. Në gjirin e saj PSD-ja ka dhe do të pranojë njerëzit më të mirë, të pastër moralisht, të aftë, të denjë dhe me shpirt demokrat.
Përse nuk pranuat koalicion me Qeverinë e Fatos Nanos?
Skënder Gjinushi: Jo se nuk jemi për koalicion, por ne jemi për një koalicion të një qeverie të shpëtimit kombëtar e shumta për një Qeveri 6 deri në 9 muaj jetë. Pastaj të bëhen zgjedhjet e reja. Kurrsesi nuk bëjmë koalicion me PP-në.
Si mendoni për nivelin e deputetëve të PS-së në Parlament?
Lisien Bashkurti: Shumica heshtin. PD-ja ka pakicën, por më të kualifikuarën.
Si ju duket programi i Fatos Nanos?
Skënder Gjinushi: Programi i Qeverisë është shumë i mirë, porse realizimi nuk bëhet. Atë program mund ta kishte secila parti opozitare e tanishme, po të ishte në pushtet më vonë. Ky program nuk është bazuar në programin e PP-së. Ajo ka e ka ndërruar programin më shumë se tre herë. Kujt t’i besojmë!
Përse Skënder Gjinushi e pranoi kandidaturën e PP-së?
Lisien Bashkurti: (Përgjigjet në vend të S. Gjinushit). Fillimisht e ka propozuar Bashkimi i Rinisë, pastaj na e përlau PP-ja. Kështu ka bërë edhe me R. Mejdanin, M. Laknorin, F. Nanon etj.
A mendoni se ka deputetë të PP-së në Parlament të cilët mund të simpatizojnë apo të anëtarësohen në PSD? A do të dalin hapur?
Skënder Gjinushi: Simpatizantë ka, se kur do të dalin hapur, është një e drejtë e tyre.
Ç’mendoni ju si parti për ngjarjet në Shkodër?
Lisien Bashkurti: Krimin, edhe kur e bën ushtari, përgjigjet komandanti i tij, pale pastaj kur nuk është vetëm dora e ushtarit në shkrehjen e armës.
Si Ministër i Arsimit ju hoqën, apo kërkuat dorëheqjen?
Skënder Gjinushi: Unë kisha kërkuar tre herë dorëheqjen, sidomos me rastin e grevës së urisë që bënë studentët për heqjen e emrit të Enver Hoxhës, Universitetit të Tiranës, por dorëheqja ime nuk u pranua nga Qeveria.
Përse para pak kohësh, kërkohej ndihmë në Kubë, biles ju dërguan edhe shkes?
Lisien Bashkurti: Shkesi u nis për Kubë, por atje i thanë: “O socializëm, o vdekje”! Ne provuam socializmin, kurse vdekjen po jua lëmë kubanezëve!
Përse nuk keni gazetë tuajën si parti?
Skënder Gjinushi: Ne e kemi kërkuar në Qeveri. Ekipin e gazetarëve e kemi gati, por përgjigja, si të gjitha përgjigjet burokratike, vonon.
A keni menduar ndonjëherë, kur ishit anëtar i PP-se dhe Ministër i Arsimit, për fraksion në Partinë e Punës?
Skënder Gjinushi: Unë disa herë kam kërkuar për rinovim të menjëhershëm të PP-së. Edhe në Kuvendin monist Popullor të vitit të kaluar, unë kërkova pluralizëm partiak dhe emigracionin ekonomik etj. Por kjo ra në vesh të shurdhër. Kështu u gjendëm mes dilemës: a të presim rinovim të PP-së? As që bëhej e bëhet fjalë për rinovim të tillë. Kështu morëm iniciativën me disa shokë të tjerë për krijimin e PSD-së.
Ç ‘mendoni për vrasjen e Qemal Stafës pasi ka shumë fjalë për vrasjen e tij?
Lisien Bashkurti: Di të them së janë vrarë dhe dënuar shumë të rinj dhe drejtues rinie komunistë me perspektivë për të udhëhequr vendin pas Çlirimit. Në kushtet e luftës së klasave sipas modelit stalinist dhe të diktaturës së proletariatit, këto drama ishin të zakonshme. Autorët dihen.
A mendoni të bëhen zgjedhje të parakohshme parlamentare?
Skënder Gjinushi: Patjetër, në qoftë se duam të shpëtojmë vendin tonë. PP-ja nuk është në gjendje të drejtojë vendin tonë me qeverinë e saj. Është një rinovim fals, ose më mirë rivonim.
Si hyri në kryesinë e Kuvendit Popullor Lush Perpali?
Lisien Bashkurti: Më mirë aty se nuk flet sesa po të ishte në sallë do të ngatërronte kot së koti Parlamentin me “njohuritë”e tij, siç e filloi në ditën e parë të punimeve të Parlamentit. Megjithatë nuk është figurë që ia vlen të diskutohet.
A keni ftesa nga partitë e tjera simotra evropiane?
Skënder Gjinushi: Po, ne kemi mendimin se mund të bashkëpunojmë me Partitë Social Demokrate, si në Itali, Gjermani, Austri dhe në SHBA etj. Edhe në Internacionalen Socialiste, në qoftë se do të krijohet do të marrim pjesë.
A do të ketë vend për anëtarët e PP-së në radhët tuaja?
Lisien Bashkurti: PSD-ja është parti e hapur e demokratike për këdo, por në asnjë mënyrë për ata që e kanë përlyer veten, që kanë përfituar privilegje në rrugë të padrejta dhe që s’gëzojnë respekt në popull, edhe për ata që për efekt të karrierizmit duan të aderojnë te ne.
Si e kuptoni ju kompleksin e tradhtisë te njerëzit tanë dhe kush e shfrytëzoi atë gjatë fushatës elektorale?
Lisien Bashkurti: PP-ja ka abuzuar shumë në besën e shqiptarit. Por tani nuk ka se ç’thotë. Vetë ajo po tradhton idealet e saj dhe themeluesin e saj “të paharruar”. Prandaj të “tradhtosh”një parti, që tradhton veten, nuk është poshtërsi, por nder.
Kush është aleatja juaj më e mundshme për të qeverisur vendin, në
qoftë se do t’ju jepej mundësia?
Skënder Gjinushi: Pa diskutim Partia Demokratike.
Sikur gjatë zgjedhjeve të parakohshme, që mendohet të bëhen nga PSD-ja, të fitonte shumicën absolute PD-ja, ju a do të dilnit në opozitë me PD-në?
Skënder Gjinushi: Varet nga qëndrimi i PD-së. Ne jemi për koalicion me
të.
A mendoni se edhe një evropian i pasur mund të kishte dëshirë të investonte në Lezhë?
Lisien Bashkurti: Lezha është ndër ato qytete bregdetare të rralla që mund të thuash se e ka bekuar Zoti. Ka detin, lumin, malin, fushën, pika turistike të veçanta që do ta kishte zili çdo evropian. Unë besoj se Lezha
do të bëhet një vend me të vërtetë për t’u pasur zili nga i gjithë pellgu mesdhetar. T’ía lemë kohës.
Përgatiti: Aleksandër Frangaj
7 qershor 1991
Lezha përballë terrorit
Lezha dhe kryesisht fshatrat e zonës së Bregut të Matit kurrë në historinë e tyre nuk kanë parë dhe jetuar një ngjarje të tillë kaq tronditëse e të dhimbshme. Vetëm më 31 maj janë thyer e grabitur dyqanet në Shën Koll, Tale, Gajushë, Pllanë, Zejmen, si dhe magazinat e gjithë kësaj zone në Zejmen, duke vazhduar me njësitë në Spiten e Tresh. Por veprimtaria e grabitjes zë fill më 27 maj në fshatin Rrile, ku u thye gjithë kompleksi i dyqaneve të tregtisë. Ngjarje të tilla kanë ndodhur edhe në Bërzanë, Grykë Manat e në Shëngjin. Është grabitur në mes të ditës për diell çfarë është gjetur, mallra industriale e ushqimore. Afërsisht vlera e mallrave të grabitura ka shkuar 4.271.000 lekë pa llogaritur këtu vlerën e 80 për qind të dyqaneve dhe magazinave të djegura, të shkatërruara e të dala jashtë përdorimit. Kështu u veprua edhe me bagëtitë, pothuaj në të gjithë fshatrat, edhe aty ku u votua kundër prishjes së kooperativave. Dikush mori 3-4 bagëti e në mos më shumë, e dikush asnjë. Arrihet gjer aty sa të pushtohen edhe shtëpitë e lindjes, të nxirren jashtë gratë shtatzëna e të grabiten pajisjet e ndryshme. Gjithashtu edhe çerdhet e kopshtet e fëmijëve nuk janë më të tilla. Kush i bëri këto? Dikush i quan terroristë, dikush vandalë, dikush hajdutë. Ndërsa unë do të them se këto veprime askush nuk i dëshiron pasi cenohet djersa dhe buka e popullit.
Shembuj që ia vlejnë të përmenden janë rastet në Manat e në kompleksin blegtoral e NB-së në sektorin e Hotelit të Gjuetisë ku vetë të rinjtë e punëtorët u dolën për zot dyqaneve dhe mallit të tyre. A nuk kishin mundësi ta bënin një gjë të tillë edhe në fshatrat e tjera?
Tentativa për thyerje e grabitje pati edhe në qytetin e Lezhës, të cilat u eliminuan si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë të forcave të ruajtjes së rendit, bile edhe me armë. Gjithashtu ndihmë dhanë edhe banorët e qytetit, të cilët nuk i përkrahën këto veprime, që në kurriz të këtyre banorëve do të rendonin, sidomos në këtë periudhë të vështirë ekonomike, ku edhe mundësitë për riparimin e gjendjes janë tepër të pakëta.
Po flitet shumë për këto organe dhe konkretisht shumë persona “të indinjuar” kërkojnë të veprojë ligji. Vërtet duhet të veprojë, por askush nga këta individë, organe të pushtetit, apo parti nuk po punojnë e ndihmojnë që të parandalohen këto veprime shkatërruese.
Të zbatohet ligji, pasi ndodhin këto që nuk duhet të ndodhin, është kollaj. Problemi është të parandalohen dhe për këtë duhet të japin kontributin e tyre të gjithë individët pasi organizatat, partitë, Qeveria e re e deri te Parlamenti, i cili me zgjatjet e stërzgjatet e diskutimeve s’po bën asgjë tjetër, veçse po u lë rrugë të hapur këtyre veprimeve të padëshiruara.
Në këtë situatë tejet të rënduar politikisht e ekonomikisht, është detyrë e të gjithëve të bëjmë diçka për të mirën e këtij kombi me kaq shumë halle, të kërkojmë me të gjithë mënyrat të drejtat që na takojnë, por duke shkatërruar edhe ato pak të mira që kemi ndërtuar, e shtyjmë dhe e vështirësojmë zgjidhjen e këtyre të drejtave të ligjshme.
Siç e thashë edhe më lart Lezha dhe lezhjanët nuk e kanë pasur traditë të djegin e shkatërrojnë, të vjedhin e të grabisin mallin e tyre, pasurinë e tyre, por kjo aktualisht po ndodh si në asnjë rreth tjetër. Vërtet kjo vjen si rezultat i varfërisë së përgjithshme dhe te humbja e besimit për të ardhmen, por këto veprime veçse e shtojnë këtë varfëri. Megjithatë le të shpresojmë te Qeveria e re për zgjidhjen e aspiratave të mbarë popullit. Me veprimet që ndodhën, nuk duhet të pajtohemi kush i thotë vetes burrë e lezhjan. /Aleksandër Frangaj/
12 korrik 1991
A duhet të kthehet në Shqipëri Ismail Kadare
Në dhomën time të vogël ku çrregullsia e gjërave krijon çuditërisht një mjedis të këndshëm, më ndodh herë-herë që muret, si në një magji, të afrohen kaq shumë me njëri-tjetrin duke më sajuar në gjoks një trysni gati të papërballueshme. Shpirti s’ka paqe. Një tufë brengash varen në ndërgjegje dhe rëndojnë kaq shumë. Në fletët e poezive të revoltuara shfaqen herë-herë si reflekse zbutëse, leshrat e verdhë të një vajze që i kam folur si rastësisht 100 vjet më parë, por që jo rastësisht ka zënë vend në kujtesë.
Nocioni kohë tani më është i paperceptueshëm. Në ç’stinë jetojmë?
Ngre kokën nga qelqet e avullta të dritares që sheh Veriun. Një degë e brishtë hardhie varet përsipër saj si dëshmi e vetme e mesverës. Të gjitha dëshmitë e tjera të kohës (sado që mundohesh të sajosh dëshmi të reja) mungojnë dhe unë besoj se vjeshta ka për të ardhur disi vonë dhe për rrjedhojë disi vonë ka për të ardhur edhe paqtimi i shpirtrave të trazuar, kushedi nga ç’shkaqe të panumërta. E ndoshta në morinë e pafund, një prej shkaqeve madhore të mospaqtimit të shpirtrave njerëzore lidhet me murin përballë që magjia ta afrojë kaq pranë duke të të sjellë para syve të ënjtur prej pagjumësisë një foto të madhe e të menduar të gjeniut të letrave moderne shqipe, Kadaresë. Në atë mesvjeshtë të shkuar, ku radioja Zëri i Amerikës përhapte në eter lajmin e përmasave ndërkombëtare, Shqipëria jo më kot, gjendej poshtë një mjegulle të hirtë, të lagësht e të dendur. Asokohe një shoku im, M.D., që kishte pasur rastin të rrinte një, dy a tri herë me gjeniun në hotelin e Gjuetisë, më pati thënë me solemnitet se shkrimtari i madh, me largimin e tij nga Shqipëri, s’po bënte asgjë tjetër veçse po zbatonte kësisoj ligjësitë e një universi të quajtur Kadare. Superlativi i këtij pohimi mbase kish aty këtu edhe ndonjë të vërtetë. Por, siç thashë, qe pikërisht mjegulla 46-vjeçare (e cila për fat të mirë po nisej të çahej) që krijoi një terren të tillë, prej nga ku në mes të agonisë pseudointelektualët dhe rrugeçërit e tjerë të shkolluar, por e veshur me pushtet, hodhën anatemat e tyre ndaj figurës qendrore të të dy dekadave të fundit në Shqipëri. Por mjerisht liliputët e ishullit të veçuar komunist, disa prej të cilëve (për fatin e tyre të keq) arrinin edhe deri afër thembrës së viganit Kadare, kujtuan më në fund se me dëbimin “de juro”të gjeniut nga Atdheu kurorëzuan me sukses një luftë të turpshme kundër inteligjencës shqiptare në përgjithësi. E vërteta qe ndryshe. Mjeranët nuk arrinin dot të kuptonin se ishin pikërisht ata që kishin humbur, pasi largimi i Kadaresë nga Shqipëria ishte pikësëpari akuza më e madhe që ishte ngritur ndonjëherë ndaj diktaturës që ata përfaqësonin në gjithë historinë e saj. Akti Kadarian, i cili përmbante në vetvete edhe sublimen, përbënte kështu sfidën më të madhe ndaj burokracisë dhe njeriut që përfaqësonte majën më të lartë të piramidës partiako-shtetërore.
Paterica komuniste në përpjekjet e saj të fundit për të mbijetuar nuk e kishte për gjë të fyente edhe një herë ndërgjegjen kombëtare: “Kadareja dezertoi”! Tanimë edhe një adoleshent që dinte nga gjeniu vetëm vargjet “Zhurmë e shiut në pullaz”s’do të qe kurrsesi dakord me një lidhje të tillë komuniste fjalësh. Sepse síç e thashë mjegulla, për fatin e mirë, kish nisur të çahej. Është krejt e thjeshtë të mendosh se alergjia e aparatçikëve të shtetit ndaj gjeniut të përbotshëm qe tejet e justifikuar. Ndërkohë që u thureshin elozhe e himne sançopançiste fjalimeve prej Don Kishoti të Enver Hoxhës mbi rëndësinë e patates dhe rrezikun e revizionizmit, gjeniu Kadare në kahun tjetër, me veprën e tij, po bënte me shumë kujdes autopsinë e një sistemi të tërë “…si është e mundur që një popull me përmasa të tilla të admininistrohet nga një regjim qesharak, madje është pak ta quash kështu”.
(“Dosja H”1981)
Tani kur gjithçka ka mbetur prapa e kanë kaluar muaj të tërë pritjeje e ankthi në qerthullin e ëndërrimeve e përsiatjeve tona të përditshme ka hyrë me tërë madhështinë e tij, gjeniu. Bibliotekat në pjesën më të ndritur të tyre, mbajnë një peshë të disafishtë. Kjo jo vetëm për faktin e peshës kolosale të veprës në tërësi, por se si ndodh një art i krijuar nën diktaturë, një art i nivelit bashkëkohës botëror!
Dhe përballë këtij arti të madh pyetja, nëse Kadareja duhet të kthehet në Shqipëri, është gati-gati e dyshimtë! Kthimi i Kadaresë në Shqipëri (më tepër se sa e atij vetë) është një çështje e popullit të tij.
Gjeniu që i ka dhuruar, përmes privacionesh Atdheut ,një thesar, ia ka besuar KTHIMIN popullit të vet. Mund të thuhet se ditardhja e Kadaresë në Atdhe do të jetë ditëftesa e demokracisë së plotë në Shqipëri, e për pasojë sa kohë që Kadareja do të vonojë në kthimin e tij, ne do të kuptojmë përditë e më tepër se në vend akoma nuk janë zhdukur kthetrat e diktaturës, se në vend akoma nuk është vendosur plotësisht demokracia.
Populli shqiptar duke aspiruar për ndërtimin e vërtetë të demokracisë në vendin e tij, përgatit terrenin për kthimin dinjitoz të gjeniut. Dhe populli shqiptar do ta bëjë këtë sa më shpejt. Atëherë shpirtrat e trazuar do të kenë pranë vetes, bashkë me hardhinë që dridhet tej dritares si gjallesë mishi, edhe dëshminë më kolosale të kohës që jetojmë, Kadarenë./Marash Mirashi/
19 korrik 1991
“Besoj në një ringjallje të shpejtë të Shqipërisë”
Intervistë me Zëvendëkryetarin e Këshillit të Ministrave dhe Ministër i Ekonomisë, Dr. Gramoz Pashko, dhënë Kryeredaktorit të Gazetës KOHA JONE, Nikoll Lesi
Duke ju falënderuar që në fillim të intervistës për gatishmërinë që treguat për t’u intervistuar, nga “Koha Jonë”, dua të di: gatishmëria juaj lidhet me emrin e Gazetës, me gazetarin, apo është një politesë e juaja e zakonshme për gazetarët në përgjithësi?
Të tria qëndrojnë njëkohësisht. Tranzicioni demokratik në Shqipëri si pa dashur na ka futur thellësisht në një periudhë transparence. Çdogjë sot del hapur në dritën e diellit para publikut. Gazetat janë bërë të barasvlershme me ushqimin e ditës edhe te njerëz që vetëm pak muaj më parë me plot të drejtë nuk lexonin fare shtypin te velur nga propaganda sterotipe komuniste.
Personalisht dashamirësinë ndaj gazetës suaj e kam krijuar që në numrin e parë kur kam parë transparencën, objektivitetin, pavarësinë e saj dhe deri tash imunitetin nga cinizmi, i cili shpesh në shtypin tonë po shpërfytyron demokracinë ende të brishtë. Por kam të njëjtën dashamirësi edhe ndaj gazetarëve në përgjithësi, ndiej jo rrallë edhe mirënjohje midis tyre.
Me sa jam i informuar, dje paradite, ju patët një bisedë me disa afaristë italianë si dhe me lezhjanin Eduart Reçi, të cilët interesohen për të investuar në Lezhë. Nuk e di sa jam i saktë porse Ministri i Kulturës, Arteve dhe Sporteve, zoti Preç Zogaj ka insistuar e po insiston me forcë në Qeveri që Lezha të përfshihet në zonën e lirë tregtare. Çfarë rezultatesh arritët me afaristët italianë?
Shpresoj shumë në aktivitetin e këtij grupi afaristësh italianë dhe u premtova mbështetjen time. Kjo pasi në projektin e tyre kishte jo vetëm përfitime ekonomike, por edhe një ndërhyrje për të përmirësuar ekosistemin, ambientin dhe infrastrukturat e zonës. Lezha, dihet, ndodhet në një mjerim të vërtetë dhe pikëpamja e infrastrukturës, sidomos rrugëve, ujit të pijshëm etj., të cilat me kërkesën tonë do të përfshihen në investimin e firmave italiane që do të operojnë me Lezhën. Jam i interesuar që të tilla operacione komplekse, turizëm, mbrojtje ambienti, ndërtim infrastrukturash, të bëjmë në të gjitha marrëveshjet që po na ofrohen për turizmin. Këtë gjë po punojmë të bëjmë edhe me Vlorën së afërmi.
Një pyetje disi intime: Si e kalonit kohën e lirë kur ishit student, më pas si pedagog dhe tani si Zv.Kryeministër?
Kur isha student, kohën e lirë e kam kaluar duke u marrë me gjithçka. Por kryesisht studioja në bibliotekë.
Kisha një frustacion të madh nga shkolla, ndieja që nuk po shkolloheshim, dhe kërkoja të kompensoja atë që më mungonte, por kënaqësia më e madhe në kohën time të lirë ka qenë dhe do të mbetet qëndrimi pas darkave me miq e shokë të ndryshëm, në biseda e diskutime me njëri-tjetrin. E njëjta gjë si pedagog, gjithnjë studimi dhe e ndenjura darkave deri vonë me miqtë e shokët. Por që në fillim u shtua në një pjesë të mirë të kohës preokupimi për familjen, për gruan dhe femijët.
Tani si Zv.Kryeministër koha e lirë nuk llogaritet më pothuajse fare si pjesë e jetës së përditshme. Atë pothuajse e kam humbur, ma ka rrëmbyer puna. Tani koha e lirë nuk përfshihet në intervalin e ditës, por tek-tuk gjenden disa orë në ndonjë fundjavë për të ndenjur pak me gruan e fëmijët, apo me ndonjë shok të vjetër.
Për të vazhduar shkollën e lartë, kërkesën kryesore e keni bërë për Fakultetin Ekonomik apo…?
Po kam dëshiruar vetë të studioj ekonominë megjithëse shumëkush nga brezi im e diskriminonte. Unë endesha midis filozofisë e letërsisë, megjithëse isha nxënës i mirë në matematikë e fizikë. Me sa duket ndjeja se tek ekonomia kishte diçka midis të gjitha këtyre, racionalitet dhe imagjinatë.
A i keni duart e lira për të punuar si Zv.Kryeministër apo keni pengesa të qëllimshme burokratike nga të tjerët?
Çështja kryesore është “koha” më shumë se sa duart e zëna. Jemi në një garë me kohën. Problemet duan zgjidhje dhe operacione të shpejta. Edhe kur gjenden zgjidhjet, ato duket sikur treten diku. Këtu ndoshta është burokracia, e cila e bën kohën të veprojë kundër nesh. Por unë po përpiqem t’i kem “duart e zgjidhura”dhe kjo duke punuar pothuajse vetëm pa aparat burokratik rreth nesh.
Ju e morët detyrën e Zv.Kryeministrit në një moment tepër të vështirë. Thënia juaj në Parlament “Jemi si pilotët e vdekjes”, tashmë është bërë e njohur. Porse, dëshirojmë që avioni me pilotët e tij jo vetëm të mos bjerë në Oqean por të ulet i qetë e i sigurt në “pistën”e demokracisë. Më pas nga pista jonë të niset drejt Aerodromeve të Europës. A mendoni se “avioni” është ulur tashmë: pra, demokracia është vendosur?!
Po, demokracia për mua është vendosur, por është ende e brishtë. Përsëri e quaj veten kamikaz, pasi në luftën për demokraci tashmë kam marrë përgjegjësinë që të pastroj edhe fëlliqësirat që ka lënë rrugës regjimi totalitar 46-vjeçar. Qeveria ku unë bëj pjesë e mori shtetin në dorë me borxh të jashtëm e të brendshëm, me rezervat e shtetit bosh dhe me mungesa ushqimore të pashembullta. E mori shtetin në gjendjen më të mjerë se kurrë. Edhe pa qenë përgjegjës për këtë gjendje, jam i detyruar të përgjigjem edhe për strehimin e të pastrehëve, për ushqimin e të paushqyerve, për punësimin e të papunëve e kështu me radhë. Të gjitha këto drama nuk i kam krijuar unë, por kam marrë barrën që t’i riparoj. Dhe në këtë përpjekje e di fare mirë që ka njerëz që më kuptojnë por ka edhe të tjerë që nuk më kuptojnë, që pas pak kohësh do të më akuzojnë që nuk po i zgjidh dot hallet e tyre, të cilat me të vërtetë nuk zgjidhen dot menjëherë. E pra, hallet, popullit tim fatkeq, për 46 vjet për mua janë si ai kryqi që iu vu Jezusit mbi shpinë në rrugën e mundimeve. Ai u kryqëzua që të çlironte të tjerët.
E shikoni me optimizëm, që me këtë kabinet qeveritar, të arrini brenda afatit, deri në zgjedhjet e reja, ta vini në lëvizje të plotë ekonominë tonë të rrënuar?
Unë jam optimist që ekonomia jonë mund të vihet në lëvizje dhe shumë shpejt e pa dhimbje të bëhet një ekonomi tregu. E keqja e madhe, kriza është kryer tashmë. “Shoku ndodhi”. Atë e kreu kriza e sistemit totalitar. Tani jemi në amulli dhe me siguri pas kësaj, ajo do të vihet në lëvizje. Problemi është se kjo lëvizje a do të jetë e plotë apo jo. Këtu duhen përcaktuar dy gjëra që mund të duken teknike, por që janë politike, psikologjike, sociale etj. Së pari, koha. Kur, pas 8 muajsh, apo 6 apo … Kjo përcakton shtrirjen dhe intensitetin e masave që duhen marrë. Masat dihen dhe duan radhën e kohën e tyre për t’u përgatitur e kombinuar me njëra-tjetrën. Çdo shtytje do t’i japë gjallërinë ekonomisë, do të vërë në lëvizje diçka, sadopak, pra do të gjallërojë. Problemi është të bëhet në drejtimin e duhur. Ne jemi në gjendje të përcaktojmë masat për të bërë “terapinë”e duhur, në drejtimin e duhur. Por ne nuk jemi zotër të kohës. Ajo është pronë e forcave politike brenda ose jashtë Parlamentit, ajo është pronë e njerëzve të thjeshtë të popullit. Varet nga durimi i tyre dhe nga pranimi i të gjithëve bashkë që masat të merren ashtu siç duhet. Padurimi në të tilla raste është armiku i reformës dhe armiku i demokracisë. Ai na shpie ose në kaos dhe më keq akoma në rivendosjen e diktaturës që kishte stabilitetin e dhunës, të frikës dhe të varfërisë.
Ju si ekonomist i mirënjohur brenda dhe jashtë vendit, cilin model ekonomik do të preferonit personalisht?
Modeli ekonomik që sjell prosperitet, me sa njoh unë, është ai që mbështetet në lirinë e individit (ekonomike, politike, shpirtërore etj.). Ai mbështetet në pluralizmin dhe produkti i tij është ekonomia e tregut. Realizimi i ekonomisë së tregut të mbështetur në pronën private është modeli më i mirë. Ç’rol do të ketë shteti do thoni ju: të vogël ose të madh? Ajo ka rëndësi në rast se është realizuar e drejta e garantuar e pronës private dhe konkurrenca e lirë.
Shteti le të jetë atje, të konkurrojë të tjerët si partner, i barabartë në të drejta dhe jo si zot. Kjo duhet të garantohet me ligj.
Gazetat e shumta që botohen: e nxisin apo e mërzisin Qeverinë e Stabilitetit me kritikat e shumta?
Unë jam i hapur ndaj gazetave dhe cilësdo kritike. Por, sigurisht si njeri i gjallë nuk më pëlqejnë fyerjet që shfaqen aty-këtu në shtyp.
Vërehet se fëmijët, të afërm apo miq të ish-udhëheqësve partiakë po lidhen me afaristë të huaj. A është kjo një shkathtësi dhe “meritë”e tyre personale apo synojnë që nga pushteti politik të kalojnë në pushtetin ekonomik?
Fola pak më lart për ekonominë e tregut dhe barazinë e individëve. Biznesi është si një lloj maratone ku në start janë të gjithë të barabartë. Deri tani biznesin ne ia kemi lënë subjektivizmit, organizimit të tij nga filani apo filani, miku apo kushëriri, i njohuri apo shoku… Kjo sepse biznesi i pambështetur në ligj zhvillohet mbi bazën e njohjes apo të influencave, ndikimeve e pse jo nostalgjive. Me vendosjen e një baze ligjore edhe ky subjektivizëm pushon së jetuari. Kjo mund të bëhet kur biznesi të jetë i hapur për të gjithë.
Më i zoti, ai që merr riskun më të madh përsipër le ta drejtojë atë. Për këtë javën që vjen ne do t’i paraqesim Parlamentit ligjin e ri për pronën private, krijimin e Agjencisë së Privatizimit, e cila do të shpallë privatizimin e barabartë dhe të hapur për të gjithë ata që duan të marrin pjesë në të. Edhe një punëtor i Metalurgjisë, edhe një minator i Valiasit, do të ketë të drejtë po aq sa edhe një shitës, të bëhet pronari i një dyqani apo kafeneje. Në këto kushte nuk do të ketë më kohë dhe mundësi për aktivizimin e lidhjeve të vjetra, ryshfeteve apo njohjeve për të bërë biznes. Zotësia, dhe jo prejardhja familjare, do të fitojë.
A besoni se Shqipëria mund të bëhet “Zvicra e Ballkanit”?
Po, besoj dhe prandaj kam hyrë në këtë proces duke humbur shumë përfitime personale që do të kisha pasur po të kisha ndenjur jashtë proceseve demokratike, qenë thjesht vrojtues i asaj që do të bënin të tjerët.
Ekziston konfrontimi me armë me Serbinë për çështjen e Kosovës?
Nuk do të dëshiroja një zgjidhje in ekstremis ku Shqipëria të ndeshej me Serbinë. Dhe ne nuk e duam kurrsesi një zgjidhje me gjak të këtij problemi. Por ne nuk do të lejojmë më që të na poshtërojë askush.
Jeni i dhënë pas muzikës, sportit, letërsisë, apo…?
Ndaj të gjithave, por këto kohë i kam lënë të gjitha dhe këtë e them me pikëllim. Nuk kam më kohë të lexoj libra, të ndjek sportin dhe të dëgjoj muzikë.
Lezha është qytet me një pozitë gjeografike të rrallë. Po të ishit Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Lezhës, do të synonit për ta kthyer në zonë turistike apo thjesht bujqësore?
-E ardhmja e Lezhës është turizmi. Bujqësia mund t’i shërbejë shumë mirë atij.
Po i rikthehem së kaluarës. Besoni se Mehmet Shehu ka vrarë vetë veten apo është vrarë nga të tjerët?!
Për një kohë të gjatë, unë kam dyshuar në këtë gjë. Tani që dy shokët e mi Bashkimi dhe Skënderi, bij të tij, të vetmit të mbetur nga familja Shehu, dolën nga burgu kam biseduar net të tëra me ta për këtë enigme. Pozicioni i tyre për mua është i vetmi argument. Ata i qëndrojnë tezës se babai i tyre ka vrarë veten, por vetëvrasjen e tij ata e quajnë vrasje politike të bërë nga Enver Hoxha.
A besoni në zgjidhjen e enigmës së Shkodrës, megjithëse gjyqi po vazhdon?
Kam shumë shpresë se edhe nëse jo tani, në një të ardhme, dhe kjo është vetëm çështje kohe, vrasësit do të dalin. E vërteta do të dalë në dritë lakuriq, sado që t’i vrasë sytë ndokujt. Vetëm e ritheksoj: është çështje kohe.
Rubrika e Gazetës “Koha Jonë”për të njohur anëtarët e Qeverisë të Stabilitetit Kombëtar, mendoni se është e gjetur apo mbart në vetvete një formë – kopje të gazetave të tjera?
Është zgjidhja më origjinale dhe më e paanshme për t’u njohur me anëtarët e Qeverisë që i ka shkuar deri tani në mend ndonjë gazete.
Cilin keni kujtimin më të bukur me Ismail Kadarenë? Kur mund të kthehet ai?
Kam jashtëzakonisht shumë kujtime të bukura. I fundit është ai i disa orëve më parë kur fola në telefon. Një bisedë telefonike ngjan shpesh me një rutinë dhe s’ka asgjë të bukur në të. Por për mua është e bukur, sepse për herë të parë në telefon, pa pasur frikë nga përgjimi biseduam për kthimin e tij në Shqipëri. Është një fakt që s’kam më të drejtë ta mbaj për vete. Ka shumë mundësi që ai të kthehet në vjeshtë në Shqipëri.
Cilat ishin marrëdhëniet tuaja me Fatos Nanon në Fakultetin e Ekonomisë si pedagog?
Zoti Nano ka qenë vetëm pedagog i jashtëm në fakultet ndërsa punonte në Institutin e Studimeve M.L. Megjithatë kemi pasur miqësi një farë kohe në periudhën 1988-1990. Kam mjaft respekt për të si njeri inteligjent. Kemi pasur divergjenca si ekonomistë, por edhe pikëpamje të përbashkëta.
Ç’mendim keni për pretendimet e Leka Zogut për t’u kthyer në Shqipëri?
Unë kam luftuar për demokracinë kundër dhunës dhe jam luftëtar për Republikën.
Nuk kam asnjë kundërshtim që Leka Zogu të vijë si qytetar në Shqipëri. Por unë jam opozitar me Monarkinë, pra dhe në rast se Leka vjen dhe do të përfaqësojë një forcë politike për rikthimin e Monarkisë, unë do te jem në opozitë me të.
Gjatë intervistës me ju vërej se në zyre mbani Krishtin.
Krishti i kryqëzuar është simboli i sakrificës për të shpëtuar njerëzimin, por është edhe simboli i ringjalljes. Unë besoj te Krishti, siç besoj te ringjallja e Shqipërisë.
Kur e keni ndjerë veten më ngushtë?
Në tetorin e vitit 1977 më thirrën në Komitetin e PPSH te Simon Stefani së bashku me nënën time ku më “këshilluan”në mënyrë ultimative të mos flisja kundër PPSH-së, gjë që e kisha bërë në shkollë, të mos lexoja dhe të shpërndaja më libra si të Kafkës, Niçes etj. dhe të bëhesha djalë i mirë. Pas kësaj kam kaluar shumë net me ankthe dhe kur ndonjë makinë ndalonte natën qoftë edhe rastësisht te porta e shtëpisë zgjoheshim të dy me gruan time dhe thoshim të lemerisur një fjalë makabër: “erdhën”!/Intervistoi Nikoll Lesi/
E premte, 9 gusht 1991
E vërteta nuk e dëmton demokracinë, por e ndihmon
Intervistë e ish-Kryeredaktorit të Gazetës “Rilindja Demokratike”, z.Frrok Çupi, dhënë Kryeredaktorit Nikoll Lesi për Gazetën “Koha Jonë” dhe gazetarit shqiptar me punë e banim në Stokholm Milaim Zeka për shtypin e Evropës.
Aktualisht është ngritur shumë pluhur rreth largimit tuaj nga detyra e Kryeredaktorit të Gazetës “Rilindja Demokratike”, ku ishit Kryeredaktori i parë dhe njëri nga themeluesve kryesorë të saj. Të tjerët flasin, ju keni heshtur. Pse?
Jo gjithnjë heshtja është memece. Heshtja ka dhe gjuhën, edhe filozofinë e vet. Heshtja ime, më duket, ishte e kuptimtë. Në radhë të parë tregonte për një dhimbje. Çfarëdo që të flisja në kohën kur ju thoni se heshta, përderisa domosdo do të thosha të vërtetën, kjo do të shkaktonte dhimbje se nuk ka veçse 7-8 muaj që me gjithë shpirt, bashkë me disa shokë, sikurse është Saliu, Preçi, Gramozi, Mitro, hymë në një zjarr e në një luftë së bashku. Aty u bëmë më shumë të tjerë. Tani për çfarë të flas? Kundër vetes? Kundër shokëve? E vërteta është kundër disave prej këtyre. Kjo dhimbje njerëzore nuk më la të flas, por njeriu herë-herë del edhe nga dhimbja. Atëherë të flisja? Shpesh në këto çaste të shkarkuara u ndodha para një gjëje që s’e besoja. S’e besoja që kishte ndodhur pikërisht ashtu: që shoku im i afërt me të cilin hymë për të sakrifikuar gjithçka, tani, mbasi ishte davaritur qielli, më është sulur pikërisht mua nga mbrapa shpine. Nuk mund ta besoja aq shpejt.
Këto ishin ditët e para të heshtjes. Më vonë përsëri heshta, por me një mendim më të ftohtë: Prita që shokët e mi të thoshin një fjalë për atë çfarë ndodhi ose çfarë bënë. Pas disa ditësh këtë gjë e kërkuan edhe disa gazeta në faqet e tyre. Atëherë ata folën publikisht sikurse e keni lexuar në Gazetën “RD”. Por për fat të keq, me një gjuhë që po i them vetëm cinike tej e tej.
Do të heshtja më tej, ndoshta po qe se ju nuk do të më kishit kërkuar këtë intervistë. Heshtja dhe mosheshtja këto ditë më kanë munduar shumë. Ju falënderoj që më nxorët nga ky siklet. Disa e disa njerëz vinin e më thoshin: ç’bën, pse nuk e thua një fjalë, se ato që shkruajnë në “RD”e që thonë nëpër mbledhje, sikur nuk na bindin. Disa e disa të tjerë vinin e më thoshin: të lutem duro, duro gjer në fund, e dimë se ke të drejtë, por mos thuaj gjë. Sepse po fole, dëmtohet demokracia, dëmtohet rëndë!
Mirëpo ndërkohë në rrethe bëheshin mbledhje të aktivistëve të demokracisë dhe kërkohej të dinin nga të deleguarit e Partisë Demokratike, se pse kishte ndodhur kjo gjë me Kryeredaktorin e Gazetës “Rilindja Demokratike”. Shpjegimet, me sa di unë, janë dhënë nga më të ndryshmet. Diku-diku është thënë se e kemi ngritur në përgjegjësi, diku-diku se do ta dërgojmë Ambasador, diku se nuk na dëgjonte dhe gazetën nuk e kemi në dorë, diku-diku se nuk ka sakrifikuar sa duhet. Tjetër është thënë në mbledhje, tjetër në Hotel “Dajti”, tjetër në divanin e një dhome pritje, tjetër në një vesh me zë të ulët. Këto të gjitha me detyruan që unë vetë ta them të vërtetën si ka ndodhur. Jam i bindur se edhe kjo e vërtetë veçse do ta ndihmojë demokracinë dhe nuk do ta dëmtojë atë.
Opinioni, me të drejtë, ka pritur që ju të shpjegoni arsyet e largimit tuaj, sepse ju jeni ai i cili më së miri mund të na flisni për këtë.
Do të doja sinqerisht që të kisha një arsye, qoftë edhe kundër meje. Mjaft që të kisha një arsye për të qenë dhe t’u thosha njerëzve: kjo është arsyeja. Dhe do të ndahesha shpejt me ta, ata të qetë e unë i qetë. Nuk ka më keq sesa kur nuk ke se çfarë i thua tjetrit, sepse detyrohesh të mbllaçitësh fjalë nëpër gojë për të fshehur të vërtetën. Mirëpo kjo të torturon tmerrësisht. Torturon edhe tjetrin me të cilin flet. Në këtë vështirësi me duket se nuk kam qenë vetëm unë por edhe shokët e mi, drejtuesit e Partisë Demokratike. Ç‘thanë një herë, nuk e thanë një herë tjetër; ç’tha njeri, se tha tjetri për këtë problem. Në mbledhjen e komisionit drejtues të Partisë Demokratike kur u diskutua për këtë gjë, u tha vetëm se “gazeta është e dobët”. Mirëpo të nesërmen u thanë të tjera, në gazetë nuk u tha fare kjo gjë, te “Dajti”u tha puna e titujve të gazetës. Vërtet siklet e mbllaçitje fjalësh dhe copëtim arsyeje.
Mirëpo ka një të vërtetë që për fat të keq nuk thuhet. Është konceptimi i gazetës “Rilindja Demokratike”nga disa drejtues të Partisë. Ata e kishin menduar dhe e donin doemos vegël të tyre. Në kuptimin shumë vulgar që: dola nga shtëpia unë, gazeta të shkruajë që zoti filan doli nga shtëpia në kohën kur qielli ishte plot me re e pritej shi i rrëmbyer; zbrita nga makina unë, udhëheqësi: menjëherë gazeta të shkruajë se në kohën kur u hap dera e makinës, sikur u hap lumturia e vërtetë në fytyrat e njerëzve; dola në tribunë unë; gazeta të botojë edhe fotografi edhe lajm të madh se një program i ri u hap nga kjo tribunë. Mirëpo unë si një prej drejtuesve të gazetës (sikurse edhe e kishim bërë programin e gazetës që ajo të mos kthehej në një vegël të thjeshtë partiake), nuk mund ta lejoj këtë.
Arsyeja e vërtetë kjo është, Gazeta as do të ngrinte kulte, as do t’i bënte shërbimin ndonjërit, përveçse shërbimin ndaj lëvizjes për demokraci e ndaj shtypit të vërtetë demokratik. Po përse të mos thuhet kjo arsye hapur edhe nga drejtuesit e Partisë Demokratike. Kjo do t’i lehtësonte ata, por edhe mua. Sepse, në fund të fundit, është e vërtetë dhe e vërteta ndihmon e lehtëson. Ama, në qoftë se ata kanë të vërtetë tjetër, që nuk e thonë dhe e fshehin, qoftë edhe me mendimin për të më ruajtur mua, atëherë po ju them edhe sot që mundësisht ta thonë hapur, në faqet e gazetës, të buletinit, a të radios; por të vërtetën.
Flitet se linçi i organizuar kundër jush zgjati vetëm 3 orë. Si është kjo?
Po, vetëm tri orë. Dhe orët më të vështira të ditës. Që nga ora 15:00, tre e ditës pra. Po bëhesha gati të largohesha nga zyra, kur shoh që po vinte drejt derës një fare Napoleon Roshi. Pak si duke u përdredhur, si me fytyrë të thartuar, siç e bën shpesh kur fsheh diçka nën lëkurën e tij, me një zë si prej plake dhe më thotë: “Ja Frrok, ky është materiali që është bërë për analizën e Gazetës. Mbledhja bëhet sot në orën 6”. Dhe bën të largohet. Unë u befasova: – çfarë analize? – i them. Mua s’më ka njoftuar njeri për këtë, as më ka marrë mendim njeri, as më ka ardhur njeri këtu për një mendim. Ç’është kjo?
A, unë nuk e di, e di Doktori këtë punë. Mua ç’më thua, a derëbardhë, – u përdrodh prapë Napoleoni.
Po, mbas tri orësh do të bëhet mbledhja? Unë nuk kam kohë ta lexoj këtë material, pale pastaj ta analizoj, ta diskutoj me shokët e redaksisë ose ta pranoj a ta kundërshtoj.
-Të drejtë ke Frroku, të drejtë por ja, doktori më tha, – lëpiu ca fjalë Napoleoni, fshiu dhe një herë djersët e u rrëshqit shkallëve.
Që pas këtij minute mbeten vetëm tri orë. Tri orët e lodhjes dhe të vapës. E hap atë material të shkruar nga vetë dora e Napoleonit në emër të një ekipi dhe bëj ta lexoj. Po ç’t’i lexoj? I zi komplet. Vetëm zi për gazetën. Nuk mund ta lexoja gjer në fund (po ta shtyjë kureshtja lexuesin, ndoshta ta botoj diku), e hodha në çantë dhe u nisa për në shtëpi… Në orën 6 filloi mbledhja. Kushedi se çfarë kishte ndodhur me ata gjatë këtyre tri orëve, por për mua çdo gjë tashmë ishte e qartë dhe e thjeshtë. Vërtet një linç, ndoshta i pari linç në këtë kohë që po e quajmë demokratike.
A ngjajnë spastrime të tilla me ata të kohës së Enverit?
Shumë udhëheqës të Partisë Demokratike në raportet me Enver Hoxhën që është diktatori më i egër, që ka njohur ky vend, qëkurse ka mbirë lisi i parë, sot qëndrojnë në raporte interesante. Njihen fjalët, fjalimet, tubimet, deklaratat e tyre për të demaskuar diktatorin. Por sot, për mendimin tim, ata ndodhen në këtë pozicion me të: përfytyro Enver Hoxhën mbi një karrocë që ecën ende rrugës së tij. Pikërisht në bri të karrocës së Enverit ecën karroca e këtyre udhëheqësve demokratë. Këta demokratë kanë hipur në këtë karrocë jo për të shoqëruar Enverin, por për ta pasur sa më afër që ta godasin me kamxhikët e tyre. Megjithatë, dashur pa dashur janë duke ecur fare pranë në të njëjtën rrugë, ndonëse në dy karroca të ndryshme, ndonëse të zemëruar e të rrahur me njeri-tjetrin. Vetëm kështu mund të konceptohet në mënyrën më reale raporti që kanë sot këta udhëheqës demokratë me Enver Hoxhën. Këto raporte do të kenë gjersa të dinë të ndahen në një kthesë rruge nga karroca e Enverit, pra gjersa të gjejnë rrugën e vërtetë të demokracisë, me metoda demokratike.
Sepse shpesh përdoren ato metoda të Enverit, ose paralele me metodat e Enverit. Merr dhe shiko metodën që u përdor ndaj meje: ishte një puç i vërtetë i stilit të Enverit ose edhe të Stalinit mund të thuash. Unë ndodhesha me një delegacion në Amerikë, kur këtu paska qenë pjekur çdo gjë. Sapo zbres në Shqipëri, diçka dëgjoj se është mbushur vendi me fjalën që “atë do ta heqim sa të vijë”. Kjo është tamam si në kohën e Enverit që përpara se të kritikohej hapur e mandej t’i pritej koka njërit nga bashkëpunëtorët e Enverit, psikoza hapej me një si thashethem. Në numrin e parë të gazetës që do të nxirrja unë pas ardhjes nga Amerika, natën vjen Valiu në shtypshkronjë dhe vetëm sa më jep majat e gishtave. (Punëtorët thanë se “u zbut, mbasi të pa ty por përpara ulërinte: ku është ai, çfarë bëhet këtu?”). Pastaj thotë në formë urdhri që të hiqet ky shkrim e të vihet ky tjetri.
Ikjen e tij e kisha parë në teatralizimin e ndonjë sekretareje të parë vetëm pak kohë para se aty rreth e rrotull të fillonte stuhia e qarkullimit të kuadrit. Midis punëtorëve mbeti varur mendimi se “midis këtyre çdogjë paska marrë fund”. Veçse nuk folëm. Pastaj lajmërimi i menjëhershëm për mbledhje, ai linçi prej tri orësh sikurse thamë. Shumë i shëmtuar e i tupshëm. Por jo si i Enverit, se Enveri të njoftonte shumë kohë përpara, të vinte edhe njerëz që të të ruanin në kohën kur përgatiteshe etj. Më e turpshme dhe krejt prej puçi paska qenë mënyra e hartimit të raportit. Paska qenë ngarkuar një farë Napoleon Roshi për të bërë raportin si specialist që mund ta nxijë punën e gazetës. Ky Napoleoni që në atë mbledhje zuri një vend si në fund të sallës dhe herë më bënte mua shenjë që “ja këta s’e marrin vesh gazetën”), e herë u lëpihej të tjerëve. Rrinte si i bukuri shejtan, engjëll thoshe. Ky Napoleoni që erdhi e iu betua gazetarëve të RD se “ju betohem që nuk kam gisht në komplotin që i bënë Frrokut”. Mirëpo kur shkova, këto ditë rastësisht në zyrën ku kishte punuar ai, gjeta sa e sa fletë të shkruara prej tij ku ishte stërmunduar me ditë të tëra për të hartuar planin e për të bindur partinë se gazeta është e dobët, nuk është gazetë e partisë, ka dalë doret partisë etj., dhe kështu të bëhej ndryshimi në drejtimin e gazetës. Pra, ai të zinte vendin. Më kishte ardhur dhe një herë me copa letre nëpër duar sikur ishin vërejtje nga masat por unë meqë e njihja që kur si punonjës i gazetës “Bashkimi”, u solla urtë e i thashë: “mirë, lëri aty në tavolinë”. Se do të merresha vesh ndryshe. Ç’ishte ky që e bënte këtë as anëtar i komisionit drejtues të partisë, as anëtar i këshillit botues të gazetës, asgjë. E lëmë këtë Napoleonin, e kthehemi te puçi. I pastër puç, e kam thënë edhe aty. Mblidhet komisioni drejtues i partisë në orën 18.00 dhe thotë se analizojmë gazetën. U thanë fjalë për gazetën. Por jo për kryeredaktorin. Kur papritur më thonë: “dilni pak jashtë se ne kemi punë”. Dola, të nesërmen në mëngjes ishte e diel, më thërret kryetari i partisë dhe më thotë se vendosëm që të të lirojmë nga detyra, vendin tënd e zë Napoleoni. Si kështu? Unë jam vendosur si kryeredaktor me vendimin e këshillit drejtues të gazetës dhe ai këshill duhet të më lirojë,- i them. Po kush e bën këtë punë, mua as mu dëgjua fjala për këtë, as u pyeta, as u pashë. Kështu kemi vendosur ne, partia,- tha kryetari.
Këshilli botues as që dinte gjë se ç’po ndodhte. As iu kërkua mendim e as qëndrim. As mua jo. As gazetarët nuk u pyetën e as u dëgjuan. Redaksia ishte zhvleftësuar plotësisht. Të nesërmen në mëngjes shkova në zyrë. Mendova se do të vinte dikush nga udhëheqësit e partisë, të bisedonte të paktën tani me redaksinë, të dëgjonte; mendova se me kryeredaktorin e ri (tani është në prag të pensionit) do të pinim një kafe, do të shkëmbenim ndonjë fjalë miqësisht. Por jo. Përpiqem të hap zyrën, por çelësi nuk punonte. Brenda në zyrë kishte hyrë kryeredaktori i sapoemëruar. Kishte ardhur që me natë, i kishte marrë çelësin punonjëses së shërbimit të redaksisë dhe ishte ulur në karrigen ku isha ulur unë.
-Po ti? – i them Napolonit.
-Ja, më thanë për kryeredaktor, por ti rri ca, lëre dhe çantën sa për sot.
-Mirë çantën, – i them, por redaksia do të mblidhet, do të njoftohet apo jo?
Andej i foli Arben Imami. Fjalët e Napolonit: “Mbledhim këta që ndodhen, o derëbardhë. Dy fjalë, dy fjalë”. Makina e Arbenit nuk u vonua. Arbeni tha se kishte ardhur vetëm për komunikim.
Pra, ja shefat e kuadrit, emërimet nga lart. Ju thatë për Enverin por ta merrte vesh Enveri se dikush i ka shkelur edhe kompetencat e organikave, namin e bënte. Njëri nga redaktorët u ngrit e tha se kjo i dukej e padrejtë, prandaj “kërkoj të mos punoj më në këtë redaksi”. Nuk kaluan vetëm dy orë dhe e thirrën këtë gazetar e i komunikuan: “pushohesh nga puna”. Më duket se më pyetën për spastrimet e stilit enverist.
Partia juaj ju bëri akuza të rënda, bile ju akuzon për një injorim të çështjes së Kosovës. Çfarë mbrojtjeje keni për të paraqitur para prokurorëve publikë?
Kur kam lexuar në gazetë këtë formulim për problemin e Kosovës, kam provuar dy ndjenja njëra pas tjetrës; një herë m’u duk një shaka që mund ta ketë bërë Valiu kur ka formuluar atë paçavure në gazetë. Pastaj mora vesh se atë formulim e ka bërë Napoleoni, dhe, atëherë provova tmerr. Unë e injoroj Kosovën?! Dhe aq më keq që këtë e thotë një grek, Napoleon Roshi. Nëse ka për të mbrojtur njeri çështjen kosovare këtë e bën së pari e mbi të gjithë shqiptari dhe shqiptarët.
Si mund të akuzojë një grek një shqiptar, përse nuk do Shqipërinë, pra Kosovën. Dhe na vjen ky grek, i cili dikur ka mohuar edhe kombësinë e vet për t’iu servilosur regjimit të Enver Hoxhës, për të marrë në mbrojtje çështjen shqiptare të Kosovës. Ky nuk është vetëm absurditet. Më duket më tej. Më kujtohet debati ca ditë më parë në Parlament e në shtyp për vërshimin e një klani grek në lëvizjen e sotme demokratike kombëtare shqiptare dhe kam për detyrë ta mbaj mend. Tani Shqipëria është si një lehonë dhe të tjerët e shohin shumë të favorshme që të fusin infeksionin e vet, të fusin edhe njerëz si Napoleoni që jo pa qëllim e nis me sulmin publik kundër një ose disa demokratëve e intelektualëve shqiptarë për t’i kundërvënë me kombin e tyre. Pas disa ditësh ky Napoleon shkruan në RD një shkrim ku u përgjërohet zotërinjve qeveritarë italianë: “mos i ktheni djemtë shqiptarë në Atdheun e tyre”. Doemos e tha Koci Xoxe atëherë: “pse duhej të më dhimbseshin shqiptarët, unë s’jam shqiptar”. Vetë ardhjen e këtij farë Napoleoni në krye të shtypit të demokracisë e shoh shumë me dyshim, me dyshim të mëtejshëm, pikërisht për çështjen kombëtare.
Ndërsa po ta kishte formuluar Saliu këtë, do të më dukej vërtet një shaka e tij. Sepse ai e di sa i lidhur jam unë edhe personalisht me Kosovën. Ai e di se sa miq të përbashkët kemi në Kosovë, e kosovarë nëpër botë. Ai e di se nga i merrja dikur edhe fshehur gazetat e Kosovës për t’i lexuar me dashuri. Ai e di se sa herë jemi takuar për një kafe, për Kosovën kemi folur më shumë.
Ndërsa për atë që ka bërë gazeta për çështjen kosovare këtë e dinë të gjithë. Vetë emri i gazetës “Rilindja Demokratike”, u shkëput nga fjala e njërit prej intelektualëve të shquar shqiptarë nga Kosova, prof. Rexhep Qosja. Që në faqen e parë të numrit të parë të gazetës botohet shkrim nga Kosova. Që në kryeartikullin e parë, gazeta deklaron se i shërben e do t’i shërbejë zgjidhjes së çështjes së bashkimit e të pajtimit. Gazeta ka pasur shkrime e informacione nga intelektualët kosovarë, nga të tjerët për Kosovën etj. Kosova në gazetë ka qenë ajo pjesë që hynte menjëherë sapo e shikonim se është duke ardhur.
Por në qoftë se me akuzën e injorimit të Kosovës në gazetë bashkohet jo Partia (se ndoshta e bëtë jo fort të qartë pyetjen), por Komisioni Drejtues i saj atëherë kjo të zgjon edhe një mendim tjetër: Unë si kryeredaktor akuzohem edhe për injorim të fshatit. Kjo është tamam e stilit të vjetër. Sa herë çalonte puna në një sektor, Enver Hoxha do të bënte një kurban, do t’ia linte fajin atij dhe do të krijonte përshtypjen që çdo gjë u zgjidh me kaq. Kur faji i vërtetë ndodhej në vijën e tij drejtuese e në dështimet e saj. Si mundet që një Parti t’ia kërkojë gazetës që t’i zgjidhë punën e fshatit? Më duket se RD-ja e mësoi keq udhëheqjen e partisë: i hapi rrugën, i tha herë pas here se si duhet ecur, cila është mirë e cila është keq. Tani kërkohet që gazeta të bëjë edhe mbjelljet e vjeshtës, se ne po rrimë në Tiranë.
Në vendet e vërteta demokratike gazetat e partive janë në opozitë me partitë. Në rastin tuaj konkret, gazeta “RD”a ka guxuar të kritikojë veprimet e këqija të PD?
Vetëm një ditë para se të dilte gazeta “Rilindja Demokratike”kam dhënë një intervistë në “Zërin e Amerikës”, ku kam thënë se gazeta do të kthehet ne oponencë të partisë së saj, që të pastrojë e të ndihmojë partinë dhe vetë demokracinë që po përpiqemi të bëjmë. Ky ishte një nga synimet që kishim vënë në programin e gazetës. Një ditë pasi doli numri i parë i gazetës, qëlloi që erdhi këtu dhe më kërkoi në një takim gazetarja e njohur Elene Paukku, nënkryetare e Shoqatës Ndërkombëtare të Gazetarëve. Afërsisht këtë pyetje që më bëtë ju më bëri edhe ajo. Dhe unë i dhashë përgjigjen që kisha dhënë edhe në intervistën e parë. Atëherë ajo m’u kthye e më tha: Nuk ke frikë se partia jote do të ta këpusë kokën? E bëri këtë pyetje e pastaj filloi ta zbutë: – Se kështu ka ndodhur midis partive të opozitës dhe gazetave të tyre në Lindje.
-Jo, i thashë, nuk kam frikë, sepse nuk jam vetëm unë që e bëj këtë. Ne jemi një këshill botues i gazetës, disa intelektualë që i kuptojnë mirë e bukur raportet parti-gazetë. I shpjegova se përse e kishim ngritur këshillin botues, pikërisht me qëllimin për të amortizuar goditjet e partisë ndaj gazetës drejtpërdrejt. Mirëpo partia gjeti rastin që këshilli botues u shpërndau ca nga punët qeveritare, ose s’e pati dhe aq vëmendjen dhe partia shkeli mbi të e bëri këtë që bëri.
Për funksionin e këshillit botues u pata folur edhe disa gazetarëve evropianolindorë, që erdhën këtu dhe e patën vlerësuar shumë këtë masë tonën duke më thënë se edhe ata kishin probleme me bajraktarizmin e partive të tyre. E shpjegova sa herë më ra rasti edhe në Perëndim, edhe me gazetarët perëndimorë që erdhën këtu, dhe shikoja që mbeteshin të menduar para kësaj praktike. I tregova edhe prof. Rexhep Qoses kur isha në Amerikë dhe ai më dëgjoi me shumë vëmendje e më pyeti disa herë si e kishim bërë ne. Ju duk e mrekullueshme ideja se si shtypi të mos shtypet nga partia, sikurse ishte dukur e mrekullueshme edhe vetë gazeta. Ndërsa për ta kritikuar drejtpërdrejt partinë, kjo na u duk shpejt dhe partia shumë njomëze. Ndoshta e thyenim me kritikat tona. Tani do të fillonim.
Ju, zoti Çupi, akuzoheni për devijim të rëndë ndaj linjës redaktoriale të gazetës RD, pastaj sikurse thamë më lart edhe për injorim të Kosovës. Pas këtyre akuzave krijohet një përshtypje sikur ju keni marrë një post akoma më të rëndësishëm. Pse ndodh kështu?
Përballë një të paqene qëndron vetëm një e paqenë, ose e kundërta. Sikurse nuk janë të vërteta akuzat që bëhen, s’është e vërtetë edhe që unë kam marrë poste. Jam gazetar i thjeshtë i “Rilindjes Demokratike”. Por këtë e bëjnë përsëri sipas ligjit të vjetër: të godasim e bëjnë sikur të japim poste. Dhe vërtet janë gati të më japin ndonjë post, për të thënë se ja s’kemi gjë me ty. Unë nuk dua poste. Më lini vetëm postin e gazetarit që e kam profesion dhe nuk dua asgjë. Madje kështu qemë betuar të gjithë kur themeluam Partinë Demokratike: nuk duam poste, të gjithë do të kthehemi shpejt në profesionet tona.
Jeni gazetar i persekutuar në kohën e Enverit. Keni ëndërruar fitoren e demokracisë. Po ju lutemi, na thoni ku janë shkaqet që shumë veta edhe të opozitës vazhdojnë me avaze të vjetra?
Kam shumë frikë nga kjo që thoni ju, se shumë veta që brohorasin për demokracinë në thelb janë bajraktarë, nopranë, harbutë, karrieristë e diktatorë. Shoh shumë të vërteta në këtë që thoni ju. Frikën e kam jo për vete, por më vjen tmerr për ata njerëz që janë me mijëra të cilët qenë gati të bëjnë sakrifica të mëdha, të japin djalin e vajzën, të sakrifikojnë jetën, vetëm që të fitojnë demokraci, sipas fjalës që thamë ne, demokratët. Çfarë t’i themi popullit ne po qe se dalim jo demokratë, por diktatorë. Jam i sigurtë se vetë populli do të kërkojë të ngjallet Enver Hoxha, dhe ky do të ishte fundi. Sikurse po kërkojnë këto ditë të vijë Leka Zogu në monarkinë e tij sepse ka rrjedhur mjaft besim edhe nga demokracia. Ku është burimi i kësaj, thua? Burimet janë te vetë Enveri e morali i tij dhe te personat, padyshim. Ka persona që e kanë përvetësuar aq mirë taktikën e Enverit sa nuk dalin dot prej tij. Nuk kanë faj, nuk dalin dot, përdorin të njëjtën metodë.
Ja, merr persekutimin tim të parë enverist e të dytë që shumë shokë kanë filluar ta quajnë neostalinist. Ka pika ngjasimi të mahnitshme. Atëherë më 1984 u dha urdhër nga lart (nga vetë Enveri thanë nën zë) që të merreshin masat më të rënda sepse shkrova të vërtetën në gazetë atëherë: “Nuk mund ta akuzoj më vetëm për artikullin sepse faktet janë të vërteta. Por e akuzojmë se ka diskredituar shtetin tonë”. Pastaj shpikën ca shpifje për biografinë. Pastaj thanë se nuk bëri mirë punën në prodhim. Lëshonin një degë, kapeshin në tjetrën.
Sot: një herë është gazeta e dobët. Mirëpo u tërhoqën shpejt se ndryshe mendonte lexuesi, se ndryshe kishte thënë Ismail Kadare e mendimtarë të tjerë të vërtetë. Pastaj shpikën titujt, kryeartikujt. Pastaj postin e rëndësishëm. Pastaj u shpikën ato që lexova në gazetë, të cilat nuk i kisha dëgjuar kurrë. Pra e shikoni ngjasimin?! Edhe atëherë korrik ishte, data 12. Po afrohej mesnata kur bie telefoni në shtëpi. Kryeredaktori i atëhershëm i “Zërit të Popullit”(një gjysmë i çmendur sikurse njihet) kishte urdhëruar që të fillonte mbledhja e kolegjiumit për të më dënuar mua sipas porosisë nga lart. Në mes të natës ishin mbledhur urgjent njerëzit e kolegjiumit. Si hije i gjeta që rrinin rrëzë derës së kryeredaktorit. Sapo hyj në zyrën e kryeredaktorit, hyn aty djali i Enver Hoxhës, Sokoli, bashkë me të shoqen Lilianën. Të gjithë ngrinë nga… respekti. Ishte e qartë: kryeredaktori A.Xh. që i kishte miq të ngushtë si Lilianën edhe Sokolin i paska telefonuar në mes të natës që të vinin aty menjëherë për t’u thënë njerëzve: “Hë, më dilni dot kundër të mbroni Frrokun”. Pra unë do të isha kurbani në sy të trashëgimtarëve të Enverit. Po ata nuk mund të duronin mbledhje të gjatë dhe ikën. Iku edhe kryeredaktori me ta për një kafe te “Dajti”. Dënimi do të bëhej të nesërmen. Dëgjoja që në zyrën time binte shpesh telefoni. Me siguri ishin fëmijët që u tromaksën nga ajo ikje natën.
Kështu ika edhe kësaj here nga shtëpia. Ishte e shtunë mbrëma kur gjithë bota mblidhej në shtëpi. Aq më shumë që nuk isha çmallur ende me fëmijët që nga ditët e qëndrimit në Amerikë. Sa të vrejtura i pashë ato fytyra ato ditë! Saliut i dhembte dhëmballa, por iku e hoqi shpejt e shpejt dhe porositi që të na gjente aty. Sa më trishtojnë këto ngjasime. E vetmja frikë që kam, o popull i dashur.
A ju duket sikur ëndrrat tuaja për demokraci qenkan vështirë për t’u realizuar.
E vështirë po, por jo e pamundur. Këtë e kam ditur gjithnjë. Një gjë do t’u thosha njerëzve që i falënderoj tek më dëgjojnë fjalën: të mos dëshpërohen e të mos tërhiqen nga puna demokratike kur dikush që thotë që është demokrat, bën veprime jo prej demokrati. Unë nuk ndiej asnjë inat me drejtuesit e Partisë Demokratike për këtë që bënë. Inati i keq është antidemokratik, inati i keq ta pret ëndrrën për demokraci. Jo pengesa tjetër, as diktatura, as plumbi, as shpifja. Vetëm vetja jote, brendavetja. Në të vërtetë, fyerjen më të rëndë e kam ndjerë kur një shoku im i redaksisë duke dashur të më vlerësojë, por në stilin skolaresk, tha se kam vetëm një vërejtje për Frrokun, se “është shumë demokrat…”. Te këta është duke vdekur ëndrra për demokraci.
Në një emision te RTV skandinav kam theksuar (M.Zeka) se në Serbi dhe Shqipëri nevojiten edhe 20 vjet kohë që njerëzit të mësohen për të diskutuar në mënyrë demokratike. Sa kam pasur të drejtë?
Një kohë të përcaktuar nuk mund të jap. Por në qoftë se caktojmë një kohë, kur të diskutojmë në mënyrë demokratike, këtu në Shqipëri, do të vijë më parë se në Jugosllavi. Duhet ta mëshirojmë popullin kosovar që ka mbi kokë vrastarët e Serbisë dhe duhet ta ndiejnë veten të lumtur me njëri-tjetrin, shqiptari me shqiptar, dhe të gjejmë një gjuhë për të folur demokratikisht. Kam shumë shpresa te brezi që po vjen, te mosha e djalit tim 15-vjeçar. A i keni vërejtur mirë? Kanë fytyrë të butë, vështrim të qartë, inat të përmbajtur, fjalor të pasur, nuk i durojnë rast e pa rast gishtat përpjetë. Këta janë shpresa. Pra më pak se 20 vjet.
Rexhep Qosja para shumë e shumë vitesh ka folur në “Anatominë e Kulturës” për dialog të kulturuar. Unë për vete tmerrohem kur shoh se si sillen disa deputetë në Parlament. A keni sjellje të tilla edhe nëpër redaksitë e gazetarëve? (M.Zeka)
Pjesa më e madhe e atyre që janë sot anëtarë të Parlamentit as që e kanë lexuar “Anatominë e Kulturës”. Ka hyrë ilegalisht në kufirin e Shqipërisë. Unë e kam lexuar fshehurazi. Por nuk është kjo kryesorja. Kryesorja është që sot populli është shumë më i qetë e më i kulturuar se vetë Parlamenti i tij. Për fat të mirë në popull ka qetësi e edukatë, ndërsa në Parlament të kundërtën. Tani ti themi Parlamentit kthehu e merr shembull nga populli. Por me siguri në zgjedhjet e ardhshme nuk do dalë më ky Parlament. Se populli do të jetë me sy më të hapët e do të votojë për deputetin e jo për partinë. Jo se sot nuk ka deputet që e meritojnë plotësisht të jenë. Por këta që janë me demokratët edhe punë kanë më shumë e nuk vijnë përditë në Parlament. Ja për shembull atë që unë e vlerësoj më shumë dhe e kam shok e bashkëthemelues te gazetës demokratike, Preç Zogaj, e shoh që vjen rrallë. Sa për redaksinë e gazetës ka apo s’ka sjellje si në Parlament?
Ka sjellje të tilla qëkurse këtu erdhi si kryeredaktor një parlamentar që rri nga fundi i sallës e thotë shpesh “Zoti kryetar, Zoti kryetar”. Ky është Napoleon Roshi. Në Parlament rri urtë, por redaksinë e ka armiqësuar plotësisht. Më sabotoni thotë, më sabotoni. Tani gazetarët bëjnë një shaka të lezetshme, por shaka politike: “Me sa duket redaksia jonë do të gëzojë partinë me zbulimin e një grupi armiqësor”.
Shumë kolegë tuaj në redaksi e pritën me indinjatë largimin tuaj. Na thoni diçka më konkretisht për përkrahjen e tyre dhe a je larguar nga partia apo nga redaksia?
Largimin tim e bëri arbitrarisht partia, pa pyetur redaksinë, pa pyetur këshillin botues, pa bërë më përpara asnjë vërejtje për gazetën as për mua. Po të mos kishte ndodhur kështu, atëherë redaksia nuk do të ishte ashtu sikurse është sot: e indinjuar dhe e fyer shumë. Po të më pyesnin ndonjëherë ata të partisë, do t’ju lutesha vetëm për një gjë: mos e prishni atë redaksi, sepse është edhe redaksi gazetarësh të talentuar, edhe grumbullim njerëzish të mirë e demokratikë. Por kanë dërguar Napoleon Roshin që po ju thotë përditë: “e ke rrogën të prerë, gjeni punë tjetër, se nuk e keni të gjatë këtu”. Sa rëndë?
Kush vendos për kryeredaktorin, partia apo redaksia?
Kur ngritëm gazetën, kishim vendosur që kryeredaktorin ta ketë nën pushtet vetëm këshilli botues i redaksisë. Mirëpo tjetër gjë, krejt tjetër gjë ndodhi: për kryeredaktorin vendosi partia. Sa kohë që partia të bëjë si t’i dojë qejfi, sa kohë që vendimi i partisë të mos pyesë për normat e tjera, sa kohë që për gazetën e për letërsinë të vendosin njerëz e forume jashtëgazetareske e jashtëletrare, nuk kemi bërë gjë tjetër më shumë se sa në kohën e monizmit. Mendoj se këto fakte e shenja duhet tí diskutojë vetë Partia Demokratike, pra një diskutim në tërë partinë, se udhëheqja po anon nga monizmi. Kjo është fatkeqësi.
Napoleon Roshi thotë se është bërë kryeredaktor për kundër vullnetit të tij. Atëherë si ndodhi kjo?
E kam dëgjuar edhe unë këtë dhe nuk jam çuditur. Nuk çuditet askush që njeh Napoleon Roshin. Ju nuk e njihni?
Ky Napoleoni ka punuar në sektorin e jashtëm të gazetës “Bashkimi”. Edhe unë kam punuar në atë gazetë. Sa fraza ka thënë ai tërë jetën kundër imperializmit amerikan! Rrezik që edhe në mëngjes duke kërkuar kafenë të ketë thënë një herë: imperializmi amerikan. Mbaj mend kur ishte në gazetën “Bashkimi”dhe e kritikoi rëndë Enver Hoxha, pse ishte treguar më i tejshëm në idenë e Enverit se sa vetë Enveri. Ky Napoleoni kishte shkruar një artikull për Konferencën e Helsinkit, me titull “Konferenca e Mossigurimit Europian”. E shante Helsinkin (që po i përshpirtet sot), sa e bënte fije-fije. Po shante rusët e shante amerikanët. E thoshte se nga Helsinki i vjen e keqja botës. E thoshte se të gjitha fajet në këtë rruzull i kanë amerikanët. Mirëpo aq pa logjikë i shante amerikanët sa ishte zemëruar edhe vetë Enveri. E bubulliu ky: ç’është ky pseudogazetar që për të më bërë qejfin mua, na shkel vijën e partisë dhe na ngatërron edhe me kinezët të cilët më janë ankuar se i keni rënë si tepër në qafë amerikanëve”. U bë atëherë Napoleoni sa një grusht, sepse iu turr edhe Mehmet Shehu në një mbledhje. Mirëpo e mbrojti kryeredaktori. I shërbeu me aq zell politikës së atëhershme, sa e bënë drejtor të radios së jashtme. Drejtor ishte kur u krijuar Partia Demokratike, në kohën e demonstratave, në kohët e tjera të vështira. Pasi kishin nxjerrë nja 7 a 8 numra gazete i kërkoj për të botuar një intervistë.
Jo, jo, jo – më thotë ashtu duke u shtrydhur. Mos më ngatërro me atë gazetë të lutem. Pastaj dërgoi një gazetar të sektorit të tij që të merrte disa shënime në zyrën time se kishte frikë. “Mos i merr padashur shtypshkronja e dalin në gazetë”. Pas ca ditësh përsëri tek po shkonim në një festë ne Ambasadën Franceze e takoj para Liceut dhe i kërkoj të më shkruajë një shkrim për minoritetin grek, si grek që është. Prapë lëvizi dorën e kokën njëherësh në atë ajër të ftohtë dimri, për të kundërshtuar kategorikisht. Nuk e di çfarë ndodhi në prag të zgjedhjeve. Më duket se nuk i plotësonin dot listat e deputetëve dhe vunë emrin e Napoleonit. Mirëpo, marrin vesh ata të Partisë Demokratike se Napoleoni kishte vënë kandidaturën edhe si deputet i Partisë Republikane. E telefonojnë në darkë dhe i thonë se duhet zgjidhur kjo gjë. Ai qe shumë i gatshëm: “mos kini merak”, e zgjidh unë këtë punë, unë bëhem i juaji që sonte, ata të republikës i dëboj. Mos kini merak, nesër në mëngjes, unë nuk jam kandidat i tyre por vetëm i juaji. Ju betohem! Ja kështu u bë edhe deputet. Të tjera i di vetë si i bën Napoleoni. Sikurse i bëri. Ngatërroi fijet për ta bërë kështu edhe Rilindjen, bëri edhe një raport që nxiu punën e të gjithëve dhe prit kur të na dalë heroi i demokracisë. Në qoftë se ky popull i ka sytë mbyllur. Por nuk e besoj. S’është fjala për një Napoleon por për disa renegatë që kanë hyrë në lëvizje demokratike.
Ky farë Napoleoni, që në mbledhjen e datës 5 gusht në redaksi u distancua nga komisioni drejtues i partisë dhe shau sa mundi e shpalli dorëheqjen si kryeredaktor.
Kam dëgjuar se keni kërkuar punë në “Zërin e Popullit”. Cili është komenti juaj?
Nuk është e vërtetë.
Jeni nga të parët që e goditët regjimin e Enver Hoxhës. Me dëshirë dhe entuziazëm u futët në radhët e PD-së. Tani pas kaq muajsh mendoni se idealet tuaja u tradhtuan?
Kam vënë re një gjë shumë të mirë në Partinë Demokratike. Anëtarët e saj ngado që janë, kur kanë një shqetësim për Partinë, ose një problem tjetër që lidhet me partinë, marrin rrugën e vijnë deri te kryetari i partisë. E thonë hapur mendimin e tyre pa frikë. Kjo gjë nuk ka qenë bërë dot në Partinë e Punës, një komunist nuk mund të shkonte tek Enver Hoxha e t’i thoshte nuk e ke drejt këtë gjë. Megjithatë kjo është ende shumë pak. Mendoj se duhet të presim të shohim edhe kuvendet zgjedhore te Partisë në rrethe e në qendër. Mendoj se është mirë që Televizioni Shqiptar të gjejë aq hapësirë sa t’i transmetojë direkt. Mendoj të presim sa të freskohet udhëheqja. Mendoj të presim sa të dalë shtypi i lirë shqiptar për të cilin kemi nisur të angazhohemi disa gazetarë e shkrimtarë e intelektualë të tjerë. Mendoj të durojmë sa secili të fitojë pak pavarësi ekonomike. Mendoj të presim sa të rriten edhe pak fëmijët se i kemi nëpër duar. Mendoj të presim e të punojmë sa të bashkohet kombi këndej e andej kufirit. Deri atëherë unë jam i bindur se nuk do të më humbasë as edhe një gram shpresë në demokracinë. Përkundrazi, përditë bëhem më optimist se populli ynë do ta arrijë demokracinë. Kjo nuk tradhtohet kurrë.
Sipas mendimit tonë shqiptarët kurrë në jetën e tyre nuk kanë qenë bolshevikë. Bajraktarizmi shqiptar ka lindur para Marksit. Çfarë kërdie po bën ky bajraktarizëm brenda partive politike dhe institucioneve të tjera?
Kërdia që mund të bëjë ky bajraktarizëm është ky: mund të bëjë të mundur që këtu të kërkohen mënyrat e jetesës arkaike. Mund të bëjë të mundur që populli të copëtohet më keq nëpër grupe e grupazhe. Mund të bëjë të mundur që mes parcelash të bajraktarëve të hyjë çdo e keqe për kombin. Mund të bëjë të mundur që të kërkohet përsëri diktatura e Enver Hoxhës. Edhe një gjë është më e mundshmja: që vetë partitë dhe së pari populli të kërkojë që ky bajraktarizëm të fshihet nga jeta e tij dhe atëherë ai del i fituar. Mbetëm duke thënë se gjërat i ka në dorë populli, kur udhëheqësit janë kanë marrë nga duart, por këtë e ka në dorë vetë populli.
Jam njohës i mirë i Lindjes. Në Bullgari, Rumani, Serbi dhe Shqipëri, kam përshtypjen se opozitar i vërtetë quhet vetëm ai që shan Presidentin. Rrallë ose hiç fare dëgjoj të sulmojnë programet politike të njëri-tjetrit. Ju lutem sa jam i saktë në pohimet e mia?
Mbi të gjitha nuk duroj dot kur shahet në Gazetë. Ç’është kjo punë? Por unë mendoj se kjo kohë për ne shqiptarët do të kalojë shpejt. Madje do të kisha dëshirë që të ishim aq të qetë e të kompletuar sa të prisnim gjersa këta që shajnë të lodheshin. Pastaj t’u thoshim: keni më, se duam të fillojmë të ndërtojmë rendin demokratik.
Sipas jush, nëse vetes i japim të drejtën e rinovimit a duhet që këtë të drejtë ta ketë edhe Presidenti Ramiz Alia?
E drejta e rinovimit nuk i mohohet askujt. Madje as në çaste kritike ose në çaste fatlume do të thosha, se këtë e ka jo vetëm të drejtë, por edhe detyrë kushdo, qoftë edhe sikur dy ditë të ketë në karrierën politike ose edhe dy ditë t’i kenë mbetur këtu. Por ama edhe Presidenti kur të rinovohet, me këtë nuk ka të drejtë të thotë se unë nuk jam ai që isha, nuk ka të drejtë të thotë se unë nuk isha ai që isha.
Kë do të propozoje ti për President aktualisht?
Ai që mendoj unë si President aktualisht është një njeri i zakonshëm. Shëtit me ne e punon me ne së bashku. Ka të njëjtat halle në familje. Na imponohet vetëm me urtësinë, me ndershmërinë dhe me kulturën e tij. E do shumë njeriun. Respekton sinqerisht kombin. Nuk ka komplekse nga e kaluara dhe nuk mban anën e asnjë Partie. Ka një fytyrë të butë e vështrim të ëmbël. Çdo gjë e bën se e ndjen se duhet bërë dhe e kupton ashtu. Ditën që do të zgjidhet President, ai nuk do t’i përkasë më vetes. Ditën që do ta bëjmë President, do të fillojë të ndihet realisht në jetën politike dhe ekonomike të vendit. Do t’i kushtohet vetëm punës orë e çast. Dhe njerëzit e partisë politike do t’i kushtohen porosisë së tij, udhës së tij për ta mëkëmbur vendin. Ai është përsëri po aq njerëzor dhe po aq si ne, sa ç’është edhe sot. Këtë njeri unë e njoh. Është në popullin shqiptar. Të gjithë e njohin këtë njeri dhe e duan besoj. Prandaj këtë të kemi President.
Mendime të Kryeredaktorëve të disa gazetave qendrore për probleme të gazetarisë së sotme
Botuar me 8 nëntor 1991
- A jeni i mendimit se në disa gazeta po shkruhet pa kulturë profesionale. Nëse po, cila gazetë duhet të korrigjojë diçka nga vetja e saj?
- Kush ka më tepër faj: Autori i shkrimit të pakulturuar apo kryeredaktori që i lejon të tilla botime?
- Ka një mori firmash të reja që po vërshojnë në shtyp, kur mund të quhen me të vërtetë gazetarë?
- A ndjeni brenda vetes suaj se diçka duhet të korrigjoni në punën me gazetarët e rinj? Kush ju lodh më tepër: një gazetar kryeneç, por i talentuar, apo një i pakulturuar që penetron në faqet e gazetës tuaj?
- Cilën gazetë dhe cilin gazetar e vlerësoni më tepër?
Bardhyl Londo
Gazeta DRITA
- Më duket se disa shkrime diskutante, e të tjerë, nuk dinë të flasin, por vetëm të bërtasin, nuk dinë të kritikojnë, por vetëm të shajnë, nuk dinë të polemizojnë, por të denigrojnë, nuk diskutojnë, por zhurmojnë. Kur kjo mbetet në një rreth të ngushtë, ta zëmë prej 4-5 vetash mund të quhet thjesht shkelje e rregullave të mirësjelljes, etikës, edukatës etj. Kur këto dalin nëpër gazeta dhe për më tepër ndonjë gazetë e shndërrohen në “politikë botimi” është fatkeqësi për të gjithë. Shkrime të tilla e fyejnë rëndë lexuesin dhe auditorin shqiptar. Këtij lexuesi s’ke nevojë t’i bërtasësh apo të shash për të thënë mendimin tënd, ai është tepër i kulturuar. Britmat dhe sharjet i duhen vetëm një publiku injorant. Kush e mendon të tillë auditorin shqiptar gabohet rëndë… Ju doni emra? Për mua të gjithë gazetarët janë kolegë. Më duken shpirtvegjël ata që mezi presin të gabojë kolegu, qoftë edhe për një ndërrim banal fotografie dhe të përfitojnë nga ky gabim.
- Në radhë të parë ai që shkruan. Kryeredaktori nganjëherë është i pafuqishëm. Faji i tij është se nuk duhej ta merrte në gazetë një autor të tillë, ose, në rastin më të parë, ta largojë atë në rast se do të shpëtojë gazetën.
- Autorë ka shumë, për fat të keq, gazetarë ka fare pak, edhe nga ata që mund të kenë vite të tëra ne shtyp. Gazetarët e vërtetë kanë luftuar për 40-50 vjet rresht duke përdorur presionet e hapura, kërcënimet apo privilegjet, miklimet etj. E njëjta gjë po ndodh edhe sot, megjithatë po ravijëzohen gazetarë të zot dhe gazeta të vërteta.
- Unë kam pasur të bëj gjithmonë me gazetarë të kulturuar.
- Ndoshta gaboj në përgjigje, sepse tashmë nuk i lexoj të gjitha gazetat, madje lexoj shumë pak prej tyre. Disa pasi i kam lexuar numrat e parë, nuk i shfletoj më. Preferencat e mia janë për gazetat me tendenca enciklopedike (për fat të keq të tilla tek ne nuk ka) dhe ato jopartiake. Më pëlqen “ZËRI I RINISË”, “KOHA JONË” dhe herë-herë edhe “ADRIATIKU”. Besoj se lexuesi nuk do të ma marrë për keq kur të shpreh në faqet e “Koha Jonë”pak mendime për këtë gazetë. Ajo, sipas meje, është zbulim i këtyre muajve për shtypin e lirë e të pavarur, ashtu siç ishte në fillim zbulim befasues “RD” për shtypin opozitar partiak. Dhe këtë “Koha Jonë”e ka fituar me konceptimin, kulturën, pavarësinë dhe larminë e saj. Ajo nga shumë pikëpamje është gazetë kombëtare dhe jo lokale. Dëshiroj që ndonjë shkrim me tendenca regjionale që për fat të keq edhe është botuar në të, të mos gjejë më vend në faqet e saj të larmishme.
Skënder Shkupi
“RD”
- Jam plotësisht i një mendje me ju. Por për këtë temë kam botuar një shkrim në gazetën “Bashkimi”, “Recidive të filozofisë së terrorit”. Pa dashur të bëj përsëritje, dua të theksoj se unë e shoh këtë mungesë etike në shkrimet e gazetarëve tanë si mbeturinë e monizmit, ku një artikull denigrues në gazetë, sillte pasoja tepër të rënda për këdo.
Të gjitha gazetat pa përjashtim duhet të korrigjojnë diçka. Por, padyshim, më tepër i takon të bëjë “Zërit të Popullit”. Shpesh sulmohet ai që thotë dhe jo ajo që thuhet prej tij. Kjo praktikë duhet kufizuar sa më shumë.
- Jam i mendimit se të dyja palët kanë përgjegjësi, por në radhë të parë, autorët e shkrimeve të pakulturuara.
- Ata do të jenë të tillë kur masa e lexuesve do t’u lakojë emrin gjithnjë e më shpesh me komente miratuese në biseda familjare e shoqërore.
- Më mungon shumë obligimi i të thënit troç “ky shkrim nuk vlen”ose “ju nuk dini të shkruani”, kujtdo që duhet t’i drejtohet ky sugjerim.
E ndiej që është e metë e natyrës sime që nuk dua të fyej askënd. Por me sa duket, ekonomia e tregut e kërkon një sakrificë të tillë, të bëhesh edhe “armik” ose bashkëpunëtor.
- Secili ka një mendim dashamirës për gazetën e “tij”. Por nga ana tjetër, e ka edhe një dobësi për një gazetë simotër. Më pëlqen “Zëri i Rinisë”. Ndër gazetarët, më ka pëlqyer në mënyrë të veçantë Shaban Murati, ndonëse ka kohë që nuk kam lexuar shkrime të tij.
Remzi Lani
“ZËRI I RINISË”
- Është fare evidente, që në jo pak gazeta po shkruhet jo vetëm pa kulturë profesionale, por edhe pa etikë profesionale. Madje disa herë më duket se mungon çdo lloj etike. Shpesh ka raste: në vend që të luftohet me teza, argumente, luftohet me fyerje dhe zhbirilime biografike, sipas një koncepti bolshevik, që kujtuam se e kishim lënë pas. Për sa i përket pjesës së dytë të pyetjes se cilat janë këto gazeta do të rezervohesha të përmendja tituj, thjesht për një oportunitet kolegësh. Megjithatë, mendoj se lexuesi i di fare mirë se cilat janë këto gazeta, të vjetra ose të reja.
- Kush ka më tepër faj? Ndofta është një term i rëndë “faj”. Mund të ishte më e saktë fjala përgjegjësi. Dhe pa e kaluar anash përgjegjësinë e atij që shkruan, unë mendoj se përgjegjësia kryesore është e botuesve. Në një kohë si kjo, pas një nate të gjatë diktature pritej një shpërthim i tillë. Njerëzit do të kërkonin të shkruanin, qoftë se kishin për të thënë shumë gjëra të cilat më parë s’i thoshe dot, qoftë edhe për të gëzuar një liri të mohuar, siç ishte liria e shtypit. U takon botuesve të zgjedhin atë që u intereson të gjithëve.
- Nuk mund të thuash prerë se kur këto firma të reja mund të jenë gazetarë. Ndoshta të gjithë neve do të na duhet një kohë e gjatë sa të jemi vërtetë gazetarë. Deri tani më shumë kemi qenë njerëz që punojmë nëpër gazeta. Sidoqoftë kjo klimë është e mrekullueshme për gazetarinë.
- Po i përgjigjem vetëm pjesës së dytë të pyetjes. Në këto vite që unë drejtoj një gazetë, duke qenë vetë i ri, në fillimet e kësaj pune të paktën, jam ndeshur me të dy kategoritë: me të talentuarit kryeneçë dhe me të paaftët. O Zot, mos m’i kujtoni të paaftët. Është e tmerrshme sidomos në gazetë, të merresh me ta. Vetëm tani vonë gjeta një ilaç: me ta është mirë të mos merresh fare, është më mirë t’i thuash “merrni rrogën dhe bëni ç’të doni”. Pra zëre sikur s’janë. Tani e tutje, le të shpresojmë që të paaftët të figurojnë vetëm në listat e asistencës sociale.
- Mendoj se “DRITA” është gazeta më e mirë e shtypit të sotëm shqiptar. Gazetari më i mirë është vështirë ta them, pasi sot ai nuk punon më në gazeta, por është Ministër. Ai është Preç Zogaj.
Petro Dhimitri
“REPUBLIKA”
- Sigurisht, të gjitha gazetat nuk i ndjek dot, veç duke pasur parasysh “Zërin e Popullit”. Them se në mjaft raste kësaj gazete i ka munguar dukshëm kultura profesionale.
- Autori është autor. Përgjegjësia kryesore është e redaksisë sidomos e drejtuesit të saj.
- Nuk di ç’t’u them, është pyetje e vështirë, sepse edhe unë vetë shpesh nuk e quaj veten gazetar, ndonëse me këtë profesion merrem që nga viti 1961.
- Gazeta nuk është shkollë në kuptimin didaskalik, por në të njëjtën kohë çdo gazetar aty, çdo ditë mëson të fshehtat e profesionit që s’janë të pakta. Por i mëson vetë, sepse as kryeredaktori, as ndonjë epror tjetër s’ka kohë të merret me punë të mirëfillta arsimore kualifikuese. Nga problemet që trajton gazeta, nga këndvështrimet tematike, nga mënyra se si u jepen idetë, ose si bashkëbisedohet për to dhe së fundi nga cilësia e redaktimit, çdo gazetar duhet të mësojë vetë. Kështu ai do të jetë edhe nxënës edhe mësues i vetvetes. Preferoj gazetarët punëtorë, por që mbrojnë krijimtarinë e tyre. Përpiqem t’u ruaj stilin dhe t’i kem kolegë me dinjitet. Doemos puna ka edhe kërkesat e disiplinës, si : ardhja në orën 8:00, dorëzimi i 12 bashkëpunimeve dhe i 4 shkrimeve profesionale. Kur gazetarët e mi, pra të kësaj gazete që drejtoj unë, botojnë të pestin shkrim, u paguaj honorar. Kjo për të mos rendur gazetari që të botojë nëpër gazeta të tjera, edhe me pseudonim artikuj vetëm me qëllim honorari. Kjo jo vetëm për të pestin, por për të gjithë shkrimet mbi normën e tij mujore.
5-Secila gazetë ka vlerat e veta. Unë preferoj gazetat “RILINDJA DEMOKRATIKE”, “DRITA” dhe “ZËRI I RINISË”. Si gazetar nuk mund të vlerësoj asnjë më shumë se të tjerët, pasi cilësor ka disa.
Rrapo Zguri
ALTERNATIVA SD
- Në morinë e gazetave gjen jo rrallë edhe shkrime të cilëve u mungon jo vetëm kultura profesionale, por edhe etika më elementare. Veçse, unë mendoj se më të rrezikshme e më të dëmshme se sa rastet sporadike, janë ato organe të shtypit të cilat akulturën, dezinformimin, hipokrizinë dhe prostitucionin profesional e kanë në boshtin e tyre. E tillë mund të jetë, p.sh. një gazetë që propagandon dhe mbron shformimin dhe maskimin e diktaturës, që ndjek hap pas hapi “spiralen”e hipokrizisë së saj. Një gazetë e tillë ka për fytyrë, fytyrën e “padronit” të vet dhe jo atë të së vërtetës. Pavarësisht se klasifikohet ndër organet e shtypit, personalisht unë s’do ta quaja atë gazetë, por “kënd emulacioni”. Asosacionet le t’i bëjë vetë lexuesi.
- Në rastin e shkrimeve sporadike, të cilave nuk u kanë shpëtuar pothuaj të gjitha gazetat, “faji” fillon tek autori dhe përfundon pa dyshim tek botuesi, duke rënduar më shumë tek ky i fundit. Ndërsa në rastin e një gazete të tërë, faji shtrihet, si të thuash, “në sistem”, dhe botuesi s’është veçse një marionetë e bindur.
- Për mendimin tim s’ka firma të reja e të vjetra, gazetarë të rinj e të vjetër, por ka gazetarë dhe rrogëtarë që aksidentalisht paguhen si gazetarë. Këta të fundit mund edhe të dalin në pension në gazetë por zor se kush mund t’i vlerësojë si gazetarë. Dallimin e bën vetë opinioni.
- Në redaksinë tonë, ne nuk kemi ndërtuar ndonjë punë të diferencuar me gazetarët, të ashtuquajtur të rinj apo të vjetër. Korrigjojmë te njëri-tjetri çdo ditë diçka.
- Si lexues, çmoj veçanërisht pararojën e shtypit opozitar, “RILINDJA DEMOKRATIKE”, “REPUBLIKËN”, “SINDIKALISTIN”, por nuk i tradhtoj edhe pasionet e mia të dikurshme: “DRITËN” dhe “ZERIN E RINISË”. Më pëlqejnë ata gazetarë që pavarësisht nga konjukturat politike, kanë vetëm një idhull: të vërtetën.
Nikoll Lesi
KOHA JONË
- Në shumë gazeta, sot po shkruhet pa kulturë elementare profesionale. Nuk po ndihet forca e fjalës intelektuale, por shumë herë ka sharje, zhbirilime, ngacmime e gjithfarë gjërash të tjera, të cilat nuk duhet të kenë vend në gazetarinë e sotme.
Përsa i përket pyetjes se cila gazetë duhet të korrigjojë diçka nga vetja, unë do të thosha që të gjitha, kanë ç’të korrigjojnë në këtë drejtim. Po cila ka më shumë nevojë, – do thoni ju ? – Si kryeredaktor i një gazete të pavarur nuk kam dëshirë të përmend emra. Të gjithë i kam kolegë e miq. Lexuesi i di vetë ato, dhe ai e ka në dorë të ta lexojë gazetën apo të ta lërë stok për në fabrikën e letrës.
- Pa dyshim e kryeredaktorit. Më mirë i ashpër me autorin e shkrimit, sesa të luash me nderin e gazetës.
- Mund të shkruash edhe vetëm një artikull e të mbetesh në mendjen e lexuesit për mirë. Porse mund të botosh edhe 10 artikuj e askush s’të mban mend, përveçse llogaritari i gazetës që detyrohet për ta plotësuar emrin në fund të 15-ditëshit.
4- Eh! Ku t’i gjej gazetarët kryeneçë por të talentuar! Një që kisha ma “rrëmbeu” gazeta “ALTERNATIVA SD”, Marash Mirashin. Pastaj, po ta marrësh në një kuptim tjetër e gjithë redaksia e “KOHA JONË” është krejt e re. Unë, p.sh. jam 28 vjeç dhe ndihem “më i vjetri” ndër ta. Redaksia jonë është redaksia me moshë më të re në Shqipëri, ndoshta edhe në botë: 24.5 vjeç.! Më thoni ju ndonjë redaksi tjetër e do të pranoj të kundërtën.
- Pa dyshim “DRITA”, “ZËRI I RINISË” dhe “RD”kur ishte Frrok Çupi kryeredaktor, si dhe tani kur është Skënder Shkupi. Për mendimin tim, kryeredaktori ka të bëjë shumë në fytyrën e gazetës. Ndërsa nga gazetarët që punojnë në shtyp më pëlqejnë: Mehmet Elezi në “BASHKIMI”, Irina Zaloshnja në “ALTERNATIVA SD”, Petro Dhimitri në “REPUBLIKA”, Bujar Xhaferri në “RD”, Rudolf Marku në “DRITA”, Faruk Myrtaj në “ZËRI I RINISË”e Luan Rama në “ZËRI I POPULLIT”. Kurse admiroj: Xhevahir Spahiun dhe Preç Zogajn. Nga Kryeredaktorët: Remzi Lamen. /Përgatiti: ALEKSANDËR FRANGAJ/
Tani e tutje le të diktojë dituria
botuar me 15 nëntor 1991
Intervistë e zotit Remzi Lani, Kryeredaktor i Gazetës “ZËRI I RINISË” dhënë gazetarit Marash Mirashi.
Zoti Lani çfarë ndjeni në këtë çast kur gazeta e qytetit tuaj të lindjes ka dërguar një djalë për të biseduar me ju?
Çfarë ndiej? Padyshim një nga kënaqësitë e veçanta që lidhen me vendlindjen, me qytetin tënd, i cili të ndjek pas kudo, të shfaqet në ëndrra, të tërheq me një forcë të magjishme. Kam edhe një arsye më tepër për ta pritur me dëshirë ftesën tuaj dhe kjo lidhet me gazetën “KOHA JONË”. 4 vjet më parë në mars të 1987 unë punova së bashku me Kujtim Dashin, kryeredaktorin e parë të gazetës së Lezhës, për të nxjerrë numrin e saj të parë. Ruaj në sirtarët e mi kopjen e parë të gazetës që doli nga rrotativa.
Çfarë kujtoni më shpesh nga Lezha?
Gjithmonë kam menduar se në Lezhë jetonin poetët më të talentuar dhe burokratët më të këqij. Për mua qyteti bënte dy jetë: njëra ishte jeta e librat, e poetëve dhe e shkollarëve dhe tjetra ishte jeta e burokracisë e zyrtarëve dhe e sportistëve. Kultura dhe vaniteti, delikatesa dhe brutaliteti janë ndeshur më shumë se kudo në qytetin tonë. Në Lezhë ngjiste pak a shumë kështu: në shtëpitë e ftohta, nën një ndriçim të zbehtë poetët shkruanin vjersha të bukura, kurse nëpër klube, në zyrat e Komitetit të Partisë dhe të Degës së Punëve të Brendshme burokratët dhe operativët e sigurimit (kalecët apo fuksat, siç i patëm quajtur ne në Lezhë), kurdisnin plane kundër tyre, transferimet për në Zejmen, Rrilë, Shën Koll, Velë të vendit; raportime se lexohej poeti reaksionar (!) francez Pol Elyar; sinjalizime se në Lezhë po vjen pak si shpesh shkrimtari (lexo: liberali) i njohur Ismail Kadare etj. Thashë pra se Lezha kishte, sipas mendjes sime, poetët më të mirë dhe burokratët më të këqij. Unë po përmend vetëm poetët, jo për oportunitet, por edhe sepse dihet se ata mbeten, ata mbahen mend. Ndoc Gjetja, Rudolf Marku, Agim Isaku dhe Preç Zogaj ishin dhe mbetën shokët e mi të afërt, ishin dhe janë ajo çka mbaj mend unë nga Lezha. Pasdite të tëra të kaluara bashkë, duke folur dhe diskutuar për gjithçka, duke shkruar dhe mallkuar injorancën që dukej se kish vendosur të mos i shqitej këtij qyteti. Besoj mbahet mend ai Sekretar i Parë i Partisë së Punës, që çdo ditë drejtonte mbledhjen e mëngjesit me pjatën e pilafit përpara që ia sillnin në zyrë nga mëngjesorja aty pranë. Nuk e quaj aspak rastësi që Lezha nxori një brez të tërë poetësh, piktorësh dhe gazetarësh. Kultura ishte arma e saj kryesore e rezistencës nën diktaturë. Bashkë me të edhe humori. Në Lezhë me siguri e dinë, por unë kam dëshirë të përmend një ngjarje të vërtetë që tingëllon si anekdotë, por që përsëri, është e vërtetë. Në studion e skulptorit të talentuar, Agustin Shyti, shkon papritur për vizitë (survejim) instruktori i Komitetit të Partisë për kulturën i cili e llogariste veten si njeriu i katërt apo i pesti i rrethit. Gusti po punonte dhe u gjend i befasuar dhe disi keq pasi në studio kish një nudo, e cila mund të bëhej shkak për ditë të zeza. Instruktori vështron rrotull nëpër studio, sheh nudon dhe cakërron sytë. “Po kjo ç’asht! – flet me ton të rreptë”. Gusti, pa ia bërë syri tërr përgjigjet aty për aty: “një zadrimore shoku Z. Por s’e kam vesh hala”. “Vishe shpejt..” “Do ta vesh shoku Z.”, i tha Gusti. Dhe instruktori Z. iku i kënaqur. Duket si një histori e nxjerrë nga faqet e Gogolit. E pra, ne nuk deshëm kurrë që qyteti ynë të ishte një provincë Jonicësh, sepse nuk i takonte të ishte provincë. 12 Portat e Lissit dikur të lavdishme, Kalaja dhe Varri i Skënderbeut, Frang Bardhi dhe Pjetër Zarisha, Fishta i Madh, nuk “pajtoheshin”me trajtimin e Lezhës si një rezervat gjuetie, siç deshën ta bënin dhe siç e bënë në fakt feudalët komunistë.
Kontributi intelektual i gazetës “ZËRI I RINISË” është i padiskutueshëm në proceset e demokratizimit. Kjo gazetë i ka dhënë shenjat me kohë. Në një anketë që “KOHA JONË” pati organizuar me drejtues të gazetave qendrore, pothuaj të gjithë të anketuarit cilësojnë si më të mirën gazetën që ju drejtoni prej vitesh, “ZËRI I RINISË”. Po kështu edhe lexuesit i bëjnë një pritje pozitive gazetës. Cili është çelësi me të cilën kjo gazetë ka depërtuar në shpirtin e njerëzve?
Do të ishte një pretendim i tepruar të mendoje se “ZËRI I RINISË” është gazeta më e mirë e vendit. Në anketën që përmendni ju, unë votën time ia dhashë “DRITËS”. Njëkohësisht çmoj “Rilindjen Demokratike”, “Republikën”, e hera-herës edhe “Bashkimin”. Për mua si drejtues i “Zërit të Rinisë” i rëndësishëm është fakti që ndonëse u shtuan 10 apo 15 gazeta të reja, ndonëse erdhi një kohë e re, “Zëri i Rinisë” mbijetoi. Ajo ka lexuesin e vet, autorin e vet, vendin e vet në një shtyp të lirë; ajo konsiderohet si një burim i besueshëm edhe nga agjencitë e huaja. Mendoj se na ka ndihmuar paksa tradita, sidomos viti 90, kur ne u ndeshëm hapur me udhëheqësit komunistë. Sot ndoshta na ndihmon fakti që përpiqemi të mos bërtasim.
Po gazetat që përsërisin refrenin e stoqeve përgjatë trotuareve: “Na blini edhe ne, pse s’na blini”, ç’duhet të bëjnë në të ardhmen?
Mos kërkoni të jap këshilla. Kjo është një punë shumë më e rëndë se puna e kryeredaktorit. Madje, sot të bëhesh kryeredaktor i një gazete është shumë më e lehte, sikurse është bërë shumë më e lehtë që koshi i një gazete të shërbejë si faqe e parë e një gazete tjetër. Sot kërkesat për kryeredaktor kanë arritur kulmin, aq sa unë kam frikë që edhe një të paaftë që kam në gazetën time, po ta shkurtoj shkon e bëhet kryeredaktor i ndonjë gazete, dhe ec e prit ndonjë faqe të posaçme pastaj. Më duket se u përgjigja njëfarësoj.
Më mirë një pyll në periferi apo një gazetë që thërret çdo ditë që në kryeartikull gjoja gjithë shqetësim: “Kush na i pret pa kriter pyjet”?
Më vjen shumë keq për pyjet, veçanërisht për ata drurë që u takon të priten për stoqet e Gazetës së Partisë Ekologjike.
Në ç’periudhë “ZERI I RINISË”, që kur e drejtoni ju, ka pasur ekipin më të mirë të gazetarëve, a vijnë më në “Zërin e Rinisë” ata?
Deri para dy vjetësh në “Zëri i Rinisë” punonin Preç Zogaj, Ilirian Zhupa, Lazër Stani. Ky ka qenë pa dyshim ekipi më i mirë i gazetarëve me të cilët kam punuar. Ishte kohë e paharruar ajo. Shpesh përfytyroj se ç’mund të bënim sot po të ishim përsëri së bashku. A vijnë ata? Sigurisht që vijnë. Një lexues i vëmendshëm i gazetës besoj e vëren se ata nuk mungojnë.
Ç’duhet të bëjë një gazetë për të krijuar tipin e lexuesit?
Të mos mbrojë sot atë që mund të mallkojë nesër. Të mos shtiret, ose, siç thotë Haveli, “të mos shtiret sikur nuk shtiret”.
A do t’ia rekomandoni, ta zëmë, një letrari të talentuar të punonte në redaksinë e një gazete partiake. Çfarë i jep dhe çfarë i merr një gazetë e tillë atij?
Gazeta si e tillë është padyshim një shkollë e madhe, me mjaft interes për cilindo që shkruan. Në këtë kuptim, të punosh në një gazetë është një fat i mirë. Por, unë mendoj se për letrarët e rinj, madje për shkrimtarët në përgjithësi, një gazetë partiake është tepër e ngushtë. Ndoshta e kam gabim por unë s’e përfytyroj dot, ta zëmë Ilirjan Zhupën apo Rudolf Markun duke shkruar një kryeartikull që fillon me frazën: “Alternativa që jep partia jonë është e vetmja që do të na çojë përpara…” Mendoj se për intelektualët më i përshtatshëm është shtypi i pavarur.
A ju pëlqen të merreni me politikë?
Nuk mund të them se jo, sidomos kur shoh nivelin e ulët intelektual të Parlamentit tonë, kur shoh që për të pritur përfundimisht se sa bëjnë 2+2, duhet të dëgjosh një njeri që thotë se 2+2 = 3, një tjetër që thotë se 2+2=5 dhe më në fund, pas shumë debatesh me shumicë votash, del se 2+2=4. Ndoshta e vulgarizova pak si tepër me shembullin që dhashë, por më duket se sot më shumë se për gjithçka kemi nevojë për politikanë.
Flitet shumë për intelektualët e anshëm dhe të paanshëm…
Më duket një diskutim i sajuar, me synime jo fort të qarta, për të mos thënë të mbrapshta. Sot në Shqipëri nuk ka intelektualë të paanshëm. Një ditë dikush më tha se “Zëri i Rinisë” është një gazetë e paanshme. Madje atij i pëlqente pikërisht kjo paanësi. I thashë se unë dhe “Zëri i Rinisë” nuk jemi të paanshëm. E konsideroj veten një opozitar të pavarur. Dhe në përgjithësi mendoj se opozita jopartiake mund të luajë një rol gjithnjë e në rritje në fatet e sotme dhe të ardhshme të Shqipërisë. Ata që shtrojnë temën e intelektualëve të paanshëm, në fakt thonë vetëm gjysmën e fjalisë. Gjysma tjetër është “… ja, intelektualët nuk janë me opozitën”. Territorin e të pavarurve, neokomunistët priren ta shohin si tokën e tyre, por në fakt s’është ashtu. Inteligjenca shqiptare me kohë diti ta zgjedhë rrugën e kundërshtimit të komunizmit dhe të neokomunizmit.
Kur patët intervistuar Kadarenë para një viti e gjysmë, më duket, ai i qe përgjigjur guximit tuaj me të njëjtën monedhë. Diktatura ishte në fuqi. Si ia arritët?
Do të thosha të kundërtën: ai që guxoi i pari ishte Kadareja, unë dhe shokët e mi të redaksisë iu përgjigjëm. Ismaili më paralajmëroi “shiko, mua s’kanë ç’të më bëjnë, ti mund të kesh telashe”. Unë i thashë se i kam marrë parasysh pasojat. Pas meje intervistën e lexoi Preçi dhe më tha: “kjo s’kalon lehtë, por duhet botuar. Në fund të fundit s’kanë ç’të na bëjnë”. Dhe intervista u botua.
Jehona e saj dihet. Telefoni binte vazhdimisht, njerëzit uronin. Pas dy ditësh erdhën letrat e para me përgëzime, por paralel me këto në Komitetin Qendror të PPSH-së shkonin letra me sharje dhe mallkime. Një ish-oficer i lartë i sigurimit i kish shkruar 10 faqe letër Ramiz Alisë, ku redaksinë tonë e cilësonte si “çerdhe të liberalizimit”, që shkel mbi figurën e shokut Enver etj. Kur agjencitë e huaja transmetuan komente për intervistën e ndjeva se telefoni për t’u paraqitur në Komitetin Qendror të Partisë do të binte nga çasti në çast, por pa rënë telefoni, se ç’ngjiste atje lart e mora vesh nga Spiro Dede. Më takoi në rrugë dhe më tha: “Duhet të jesh i përgatitur se do të thërrasin. Ata janë nxehur keq. E kishin nënvizuar rresht për rresht gazetën”. Duket se Kadareja kish dhënë një goditje mjeshtërore, pikërisht në momentin e duhur. Ngjarjet e janarit në Shkodër dhe përpjekjet për demonstratë në Tiranë kërkonin një mbështetje intelektuale të fuqishme. Nga ana tjetër platformës pseudodemokratike të udhëheqjes së PPSH, që kërkonte edhe lidershipin e demokratizimit, madje pasaportën e nismëtarit të tij, i duhej vënë përballë një platformë e vërtetë demokratike, të cilën Kadareja e dha me intervistën e tij për t’u pasuar më pas nga intelektualët e tjerë. Më thirri në zyrë Foto Çami. M’u duk se e kishin ngarkuar ta bënte këtë punë, pasi fliste si me përtesë, duke parë në një letër ku kish shënuar disa pika dhe duke përsëritur: “po mirë, në dy faqe gazetë, s’përmendet asnjëherë fjala “parti” ose “ç’do të thotë kjo: kombëtarja mbi ideologjiken”. Dola me një këshillim: “duhet të keni kujdes. Reaksioni i shfrytëzon këto gjëra etj.” Dukej qartë se jehona e intervistës e kish trembur keqas. Ky takim më siguroi se ata s’do të mund të vepronin kundër nesh. Pas intervistës së Kadaresë në mars, erdhën shkrimi i Ylli Popës dhe Poema e Bardhyl Londos në prill, shkrimi i Sali Berishës në maj etj. Dua të shtoj diçka: kur unë çoja në shtypshkronjë intervistën e Kadaresë kisha parasysh se në sektorin e shtypit nuk ishin më burokratët e mëparshëm, por një njeri i kulturuar, të cilin, për më tepër e kisha edhe mik, Mehmet Elezi.
Meqenëse jemi te më i madhi shkrimtar shqiptar: a mund t’i thoni lexuesit të gazetës sonë, se si ka lindur miqësia midis jush dhe Kadaresë, a e patët ndjerë largimin e tij dhe si ia gjykuat atë, a shpresoni se ai një ditë do të kthehet dhe si ia gjykoni kthimin, a do ta takonit tani së shpejti atë, etj.?
Nuk mund të them saktësisht se në cilin vit ka lindur miqësia ime me Kadarenë. Shkrimtarët e rangut të Ismailit, njeriu i njeh herët, që kur fillon të lexojë libra. Di vetëm që erdhi një kohë që nuk takoheshim më rastësisht, por i telefononim njëri-tjetrit, madje kishim edhe dëshirë të shkonim diku më shpesh në Lezhë për të kaluar një pasdite.
Nuk mund të them se nuk e pata ndjerë largimin e tij. Padurimi për të botuar “Ftesë në Studio”, dhurimi i disa dorëshkrimeve, gjë që më parë nuk bënte pjesë në zakonet e tij dhe sidomos kafeja e fundit në “Dajti” një ditë para ikjes formuluan në kokën time pyetjen: “Mos nuk do të kthehet?”
Një ditë përpara 27 shtatorit, kur ai iku u takuam në “Dajti” për një kafe. Atë ditë, unë do të shkoja me shërbim në Elbasan. Ismaili më dha “Qorrfermanin” duke më thënë ta lexoja dhe kur të kthehej t’i jepja një mendim. Më dha edhe dy kopje të shtypura të “Migjenit”, njërën për Tefik Çaushin, tjetrën për Preçin. “Jepua kujtim nga unë”, tha. Insistoi të paguante ai. Më pas insistoi ta përcillja një copë rrugë, megjithëse mua po më kalonte ora e nisjes për në Elbasan. Kur më 25 nëntor, gazetari francez Nikola Miletiç, më tha në Pallatin e Kongreseve se “Kadare kërkoi strehim politik”, thashë me vete “Paska qenë e vërtetë”. A isha dakord me të? Sigurisht që po. Unë dija përpjekjet e tij të pafund, dija përgjigjen e Ramiz Alisë, dija se njerëzit prisnin nga Ismaili. Koha tregoi se Kadare nuk u gabua. 25 tetori nga 9 dhjetori kishin vetëm një muaj e gjysmë në mes. Për pyetjet e tjera, do të doja t’u përgjigjesha pasi ta takoj Kadarenë javën e ardhshme në Paris. Një gjë është e sigurtë: ai mendon për kthimin.
Ç’do të thotë të kesh qenë parlamentar shqiptar i periudhës 31 mars e këtej. Cili parlamentar ju pëlqen më tepër?
Për këtë duhen pyetur parlamentarët. Për sa i takon preferencave të mia, ato i takojnë Genc Rulit.
Si lindi ideja për të ftuar në gazetë kreun e enveristëve shqiptarë?
Unë e quaj normale që në një gazetë të pavarur të flasin të gjithë. Përndryshe liria e shtypit do të mbetej një frazë e zbrazët, një frazë në letër. Pas ngjarjeve të shkurtit, organizata e enveristëve u bë një fantazmë që filloi të shfaqej në sfondin e ngjarjeve politike, pa guxuar të dilte në skenë. Unë mendova ta ftoj në skenë, që njerëzit të merrnin vesh se kush ishin këta njerëz, ç’mendonin. Përveç kësaj donkishotizmi gjithnjë përbën një fenomen që paraqet interes. Simbioza e tij me një ortodoksi fanatike enveriste padyshim që do të rezultonte në një diçka tragjikomike, një tragjikomizëm ballkanas, që ia kalonte ku e ku Sojliut të Mançes. Dhe më duket se kur lexoja frazat e tipit “Enveri parashikonte një univers larg”, njeriu duket sikur ndeshte në një orë të ndryshkur që kish mbetur në ditën e inaugurimit të shtatores së Enver Hoxhës, ndërsa mbahej fjalimi kryesor.
Është bërë shumë zhurmë për një intervistë që zoti Frrok Çupi ka dhënë në “Koha Jonë”. Më pas vërshuan disa sulme kundër nesh: monist, komunist, ZP-istë etj.
Çudi! Si ju quajtën vetëm monistë dhe jo edhe omonistë.
Kur konsiderohet e zhdukur diktatura sipas jush, cila shtresë e shoqërisë e përcjell e fundit diktaturën?
Diktatura në Shqipëri është përmbysur, por nuk është zhdukur. Ka ngjarë diçka e ngjashme me atë që ndodh kur përmbyset një makinë. Ajo nuk punon më, por është aty, e shkatërruar. Diktatura në Shqipëri nuk është çmontuar ende. Në makinën e përmbysur, është i njëjti shofer, ai që e çoi atë drejt greminës. Aty janë mekanizmat e saj të verbër, të cilët vetëm sa janë zhvendosur paksa. Besoj se e kuptoni se e kam fjalën për sigurimin, Alias Shikun.
Ç’duhet të bëjmë për të zhdukur diktaturën? Një operacion politik të plotë, me të cilin unë kuptoj një Parlament dhe një President të ri të zgjedhur në mënyrë demokratike, pa mashtrime televizive, pa eufori mitingjesh, pa replika të stilit të “Zërit të Popullit”. Shqipëria ka nevojë t’i nisë gjërat nga e para. Është e qartë se kjo nuk u intereson të gjithëve, sidomos atyre mekanizmave të verbër që diktatura i krijoi për të mbajtur veten në këmbë. Ata s’bëjnë dot pa diktaturën, ata e ëndërrojnë natë e ditë atë. Veçse tani me sy hapur. Është e qartë se kjo nuk i intereson gjithashtu klasës së mediokracisë. Kjo klasë i solli shumë të këqija Shqipërisë. Dhe si një infeksion i keq kërkon të brejë akoma. Besoj se s’ka mbetur njeri që s’e ka marrë vesh krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare. Tani tabloja u plotësua: kemi komunistë dhe neokomunistë. Lum si ne! Amen!
Ju jeni njëherësh edhe anëtar i Forumit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. A është i lirë njeriu shqiptar, nëse jo, kush ia privon lirinë atij?
Natyrisht, nuk mund të krahasohet liria që gëzon sot njeriu shqiptar, me shtypjen e rëndë të diktaturës. Liria e shtypit, organizimi në parti e shoqata, manifestimet dhe grevat pa dyshim flasin për liri, për ushtrim të demokracisë dhe të të drejtave të individit. Por kjo s’më pengon të shoh se njeriut të thjeshtë i përplaset dera njëlloj si më parë nga ai nëpunësi i mesmë që është aty ku ishte (tashmë “i rinovuar”). Kjo s’më pengon gjithashtu të shoh se kjo liri cenohet rëndë në radhën e gjatë të qumështit dhe të mishit.
Nëse për një apo tjetër arsye ju duhet të braktisni gazetarinë, çfarë do të preferonit më tej?
Tani është vonë për t’u ndarë nga gazetaria. Megjithatë, kur mendoj një ndarje, përpara më dalin librat e filozofisë nga Rozher Bekoni te Dekarti, një periudhë që më ka tërhequr dhe më tërheq. Ndoshta do të merresha me ta. Kur i shoh këto libra më kujtohet Niçe: “dhe kur të më keni harruar, unë do të shfaqem përsëri”.
Në radhë të parë ju jeni intelektual i Lezhës. A mendoni se “shkolla lezhjane e poezisë” do të “diplomojë” të tjerë poetë të mençur dhe cilët mund të jenë ata? A njihni ndonjë?
Nuk kam dyshim se Lezha do të mbetet “trevë”e poetëve. Njoh disa, që unë besoj se do të marrin siç thatë ju, diplomën e poetit: Alban Bala, Mark Simoni, Marash Mirashi, Rexhina Prela, Alfons Zeneli. S’janë pak, apo jo?
A mund të bëhet Lezha një qytet i bukur në të ardhmen dhe si? Cilës degë të ekonomisë i duhet dhënë më tepër përparësi për të realizuar këtë?
Lexova përpara disa numrash një faqe të gazetës suaj ku përfytyrohej Lezha e vitit 2001. Më pëlqeu shumë. Unë shpresoj që qyteti im të bëhet një ditë ashtu siç guxojmë ta përfytyrojmë. Po ç’duhet bërë: “Jeta, thotë Uitmani, mund të rregullohet aq keq, sa ç’e dikton injoranca, apo aq mirë sa ç’e lejon dituria”. Deri tani diktoi injoranca dhe po e shohim se në ç’ditë të hallit arritëm. Tani e tutje le të diktojë dituria. Është radha e saj.
6 dhjetor 1991
Meremetimi i shpirtrave është tepër i vështirë
Me poetin, përkthyesin dhe publicistin e njohur RUDOLF MARKU
Intervistoi: Marash Mirashi
A jeni intervistuar ndonjëherë nga gazetat shqiptare?
Gazetari zakonisht interviston të tjerët. Fatmirësisht para se të jem gazetar, e konsideroj veten poet dhe përkthyes. Por edhe po të kisha qenë veç gazetar, mendoj se njeriu që interviston të tjerët, padashje ka intervistuar edhe vetveten. Përsa i përket intervistave të drejtpërdrejta, kam botuar në “Le Monde” (e Parisit), “Korriere de la Sera” (e Milanos), “The Independent” (e Londrës) dhe gjatë gushtit të këtij viti tek qeshë i ftuar nga Mondatori në Romë, në “Qui Giovani”, gazeta më e madhe e të rinjve në Itali. Madje, kjo e fundit më botoi afërsisht një faqe gazetë… Përgjithësisht, intervistat e botuara në shtypin tonë kanë vuajtur ose nga mania ekzibicioniste për të hutuar gjimnazistet budallaqe dhe politikanët me intelekt adoleshentësh, ose për të bërë alibinë e së kaluarës së dymishtë komuniste… Jo, faleminderit, nuk kam dhënë deri më sot asnjë intervistë, me pak fjalë i shmangem drogës narcistike me aq sa të mundem.
E megjithatë, kjo e sotmja quhet intervistë, apo jo?
Nuk do ta quaja intervistë. Në faqet e kësaj gazete janë botuar sharjet më rrugaçërore kundër meje. Dhe është interesante se sharjet bëheshin në emër të parimeve morale-komuniste, të gatuara në sobat e Komitetit të Partisë apo në furnelat me vajguri të Degës së Brendshme, vetëm e vetëm se guxova të flas kundër E.Hoxhës, në një miting të këtij qyteti. Këmbëngulja juaj për të biseduar po në faqet e kësaj gazete më duket një ide interesante. Ndonjërit prej jush, siç duket, i duhet petku i rinovimit. Jam aq zemërgjerë sa të pranoj rolin e një rrobaqepësi për ata që janë lakuriq. Nga gazeta juaj çmoj shumë gazetarë dhe shumë shkrime të botuara dhe veçanërisht çmoj aftësinë e komunikimit me shumë lexues.
Në një prej punimeve të piktorit P.Përvathi, kam parë dritaret e shtëpisë tuaj në Lezhën e vjetër, të cilën si për ironi të fatit, e shkatërroi plotësisht tërmeti i vitit 1979. Thua vetëm tërmeti?! A ju merr malli për Lezhën, njerëzit e saj? A ju dhimbsen ata, ç’kujtime ruani?
Tërmeti i vitit 1979 e shkatërroi plotësisht Lezhën e vjetër, pra shkatërroi atë që ende nuk kish arritur ta shkatërronte pushteti komunist. Në këtë kuptim tërmeti u bë një aleat i fuqishëm i komunistëve… Jo më kot gazetat qendrore asokohe shkruanin “Në Lezhë nuk ka mbetur as edhe një shtëpi private! Fitore e madhe e socializmit!” Në të vërtetë edhe pas tërmetit, Lezha mund të restaurohej, por zyrtarët injorantë nxituan të zhduknin çdo gjë. Kjo është njësoj sikur nga një shtëpi të vrasësh pleqtë, mençurinë e tyre dhe kujtesën e tyre. Komunistët nuk duronin kujtesën historike të Lezhës, faktin që Lezha kishte qenë dikur vendi i Skënderbeut, i Frang Bardhit, i Mjedës, Zarishtit dhe i poetit më të madh, Fishtës.
Zhdukja e çdo gjëje të vjetër bëri që Lezha, sidomos pas vitit 1979 të marrë pamjen e një qendre fermash, me zetorë dhe skoda që kalojnë përmes shëtitores së vetme, me ca nëpunës të lartë që hanë nëpër zyrat shtetërore pilaf dhe byrek (ah, sa qejf i ka shoku Zef byrekët që shiten te Dega e Brendshme! Ah, ç’pilaf që gatuhet tek Arifi! Thuhet se shoku Mentor, pilafin e Arifit e pëlqen më shumë se atë që gatuhet te Hoteli i Gjuetisë!) Merret me mend se Lezha, me zhdukjen e rrugicave karakteristike, me prishjen e dyqaneve intime ku shfaqeshin pamjet babaxhane të Buto Cekës e të Dan Burrit, avokat Bilishtit, ish-përfaqësuesit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Nju Jork, të hokatarëve si Luigj Çini, të njerëzve strambo, të çuditshëm, e plot fantazi, siç ishin Pali i Kallmetit, Marka Fana, Ndoc Traboini, i vetëquajtur Antonio Luna, që dikur kish qenë sekretar personal i Jakomonit, e që më vonë deklaronte me seriozitet se sapo ishte kthyer nga një udhëtim prej Hënës, të gjitha këto mrekullira, që përbënin limfën e qytetit, u thanë dhe u zëvendësuan me zyrtarët idiotë, malinj, injorantë dhe kokëtrashë të komiteteve. Aq i tmerrshëm ishte shkatërrimi total i Lezhës, sa njerëzit lavdëronin Sekretarin e Parë, vetëm ngaqë ai nuk mungonte në asnjë varrim. Sekretari i Parë, tamam si një nëpunës i zellshëm i zyrës së varrimeve, shfaqesh në të gjitha varrimet, dhe kjo gjë i bënte të lumtur njerëzit. Në fakt Sekretari i Parë, në mënyrën më të sinqertë e identifikonte veten me vdekjen, me zinë, me të keqen, me lotët. Por njerëzit, çuditërisht ia njihnin këtë gjë për meritë Mentor Muçës, këtij dibrani që ishte fis me Nexhmije Hoxhën, e që bënte ligjin në atë qytet, që dikur kish njohur Pompein dhe Cezarin. Po, është e vërtetë, se njerëzit e Lezhës, më dhimbsen. Tërmeti i vitit 1979 ra sa për t’u kujtuar atyre se simbolikisht, që nga viti 1944, ata jetonin pasojat e një tërmeti tjetër të tmerrshëm, që kishte shkatërruar jo godinat, as edhe rrugicat, por shpirtrat e njerëzve. Dhe meremetimi i shpirtrave, siç dihet, është i vështirë, tepër i vështirë. Zoti i ndihmoftë njerëzit e Lezhës!
Konsiderojeni si një ndër poetët shqiptarë më në zë. Kam dëgjuar se librat e tu shkonin herë-herë për recensë në MPB. Si arritët të botonit poezi me nëntekst kaq të qartë, si bie fjala, “Këngë dashurie për vendlindjen”, “Kali i Kaligulës”, “Arkitekti i burgut në kalanë e Gjirokastrës”, apo “Shpeshherë”.
Është e vërtetë se librat e mi dhe të shokëve të mi shkonin për recensë (kjo e fundit nuk mendoj se duhet vënë në thonjëza), në zyrat e MPB. Një gjë e tillë tashmë nuk përbën sekret. Në zyrat e Komitetit Qendror, siç duket në atë që quhej Drejtori e Shtypit, bëhej kontrolli i dorëshkrimeve që dorëzoheshin për shtyp. Më qartë akoma: Autorët dorëzonin një libër për botim. Librat që konsideroheshin si të rrezikshëm, pa u botuar, dërgoheshin në Drejtorinë e Shtypit, pra në K.Q. Nga këtu, emrat e autorëve dhe shkrimet e tyre përfundonin në Ministrinë e Brendshme. Kam qenë ndër autorët e papëlqyer prej zyrtarëve të lartë. Më kujtohet se si sekretarët e Komitetit të Partisë, sidomos ato që merreshin me ideologji, kishin të njëjtin opinion për mua si dhe zyrtarët, policë të Degës së Brendshme. Megjithatë, injoranca e tyre e madhe ishte një fat për ne. Por fatkeqësia ishte kur shkrimtarët më në zë të kombit, si dhe banda e kritikëve dhe ortakëve partiakë, na denonconin hapur nëpër Kongrese dhe Plenume të Lidhjes së Shkrimtarëve. Partiakët dhe policët e letërsisë kishin njerëzit e tyre për të kontrolluar nga brenda Pallatin e letrave. Ishte një gjë e trishtuar të dëgjoje se si shpeshherë vetë poetët shanin poezinë shqipe, se si shkrimtarët shanin letërsinë, se si artistët e Presidiume me beze të kuqe bënin thirrje për vigjilencë estetike. Më e shara dhe më e nëmura nga të gjithë ka qenë Poezia. Në shtetin shqiptar komunist, ashtu si në shtetin imagjinar të Dino Buxatit, dukej se funksiononte institucioni i luftës kundër poezisë. Komunistët, që ishin kundër personalitetit njerëzor nuk mund ta duronin fantazinë, ndjenjën, lirshmërinë, muzikalitetin, harmoninë dhe … E vërteta është se dhe në kushtet e censurës më të rreptë në botë (më ka çuditur pohimi i shkrimtarit Ismail Kadare se në Shqipëri ka munguar censura!), botoheshin poezi të guximshme dhe romane të guximshme. Polifemin-budalla shpeshherë e zinte gjumi nga pijet e banketeve të festave. Nga ana tjetër, duhet thënë se krijimet e guximshme duhet të shoqëroheshin me ambalazhin e ca vargjeve për partinë dhe për temën e ditës. Ky ishte dhe bakshishi që shpesh autorët duhet t’i jepnin nën dorë punonjësit të doganës, për t’i lejuar kalimin e mallit që konsiderohej kontrabandë!
Jeni ndër të parët intelektualë që u angazhuat totalisht në shtypin e opozitës. Lexuesi do t’i kujtojë si ditë festash të vërteta, ditët kur dilte RD, do të kujtojë gjatë titujt e shkrimeve të tua e në mënyrë të veçantë reportazhin tronditës për Gjergj Fishtën (ndërkohë ka kundërthënie të mëdha) dhe shkrimet për klanin skllav dhe për degradimin e regjimit komunist. Ju vetë si i kujtoni ato ditë?
Në harmoninë e përgjithshme të natyrës, njeriu është i ngjashëm me elementët kimikë. Që të tregojë përbërësit e tij, elementi kimik kërkon një temperaturë të caktuar. Krijimi për herë të parë pas shtypjes së egër 46-vjeçare barbaro-komuniste, të një realiteti pluralist bëri të mundur krijimin e një klime për t’i zbërthyer të gjithë shqiptarët. U shfaqën më së qarti opozitarët, hipokritët me rroba opozitarësh, histerikët, fanatikët, karrieristët, të ndershmit, tregtarët e flamujve, maniakët e presidiumeve, kuzhinierët e partive, vrasësit … I gjithë qelbi 50-vjeçar që kish grumbulluar Shqipëria në trupin e sëmurë, duket se ato ditë shpërtheu. Dikush e vuri veten në rolin e mjekut, dikush në rolin modest të infermierit, e dikush fërkonte duart si varrmihësi. Komunistët, këta varrmihës të zellshëm të Atdheut, prisnin kufomën. I gjithë respekti i komunistëve për popullin (sepse ç’është e vërteta, askush nuk ka folur më shpesh për popullin nga komunistët), në fakt ishte respekti i varrmihësit për atë që pret të varrosë! Në këtë atmosferë të përzishme, roli i gazetës “RD”ishte jashtëzakonisht i madh. Nuk është fjala për shkrimet e mia të botuara aty. Do të ishte një megallomani e stilit të vjetër partiak përmendja e titullit të atij shkrimi. Gazeta “RD”ato ditë ishte mendësia e vërtetë e turmave njerëzore, ishte britma e triumfeve kundër marrëzisë dhe çmendurisë komuniste, ishte shpresa dhe besimi për një jetë më logjike humane. Për shkrimet që botoheshin në “RD”, gazetarët merrnin honorarë kërcënimesh të fëlliqura, shpifje, telefonata anonime. Gazeta komuniste “Zëri i Popullit” përmes firmës së agronomit Selam Xoxe, shkroi për mua se jam pijanec i madh dhe bredh klubeve, një shpifje kjo nga më banalet dhe më trashamanet që mund të imagjinohet. Po “Zëri i Popullit” vazhdoi me sharje rrugaçërore, duke dëshmuar se sa ulët mund të bjerë niveli intelektual i homonidëve. Më vonë u përpoqën edhe të më vrasin (pikërisht kështu – të më vrasin). Policia di të krijojë vrasje të rastësishme nga ordinerë të paguar nëpër qoshe rrugësh, në muzg. Po, pikërisht te këta vrasës qëndron shpresa e fundit e marrëzisë komuniste. Megjithatë, kërcënimet, përpjekjet për vrasje, telefonatat me sharje, qenë konfirmimi se ne, në shkrimet tona, nuk kishin gabuar. Po të mos na kishin kërcënuar, fare mirë mund t’i bënim pyetje vetes – ku kemi gabuar që nuk na kërcënojnë?
A e lexonit më pas “RD” kur kryeredaktor ishte Napoleoni?
E keni fjalën për Napoleon Roshin, apo jo? Sepse emri i Napoleonit, i pashoqëruar me mbiemër krijon keqkuptime historike, aq sa edhe Xhorxh Oruelli në “Fermën e kafshëve” ka preferuar të krijojë asosacione nominative me këtë emër. Më falni se iu largova pyetjes. “RD” në kohën e Napoleonit? A, jo nuk kam pasur kohë që ta lexoj! Më vjen keq që shprehem kështu, pasi gazetarët e “RD” janë të shkëlqyer. Veçanërisht Mitro Çela, Bashkim Trenova dhe Bujar Xhaferri. Por duhet të më kuptoni, thjesht nuk kam pasur kohë!
Shkrimi juaj në “Drita”, “Ç’do OMONIA në Lezhë” ishte si një thirrje për zgjim të ndërgjegjes kombëtare. Ç’përfaqëson në të vërtetë OMONIA?
Nuk di se çfarë përfaqëson Omonia. Di se ajo është një organizatë nacionaliste e minoritetit grek në Shqipëri. Deri këtu çdo gjë tingëllon normale, aq më tepër që grekët janë mjeshtër për t’i dalë zot kombit të vet (dhe ne duhet të marrim shembull prej tyre). Por si organizatë nacionaliste e një pakice kombëtare, ajo nuk kishte se përse të përfaqësohej në Parlament, sepse nuk kishte status politik. Në fakt ç’do Omonia në Lezhë duhet të ishte titulluar: Ç’do Gomonia në Parlament? Presidenti Ramiz Alia, siç duket, i pëlqeu ta kishte në Parlament si kundërpeshë ndaj opozitës demokratike, pavarësisht se Omonia, ç’është e vërteta e zhgënjeu Presidentin-llogaritar. Më vonë, pas debatit tim me Omonia, kam dëgjuar se kjo organizatë është themeluar dhe në Orosh të Mirditës, vetëm e vetëm se në Orosh paska jetuar i transferuar një dentist nga Saranda, dhe në Shkodër, madje edhe në lagjet 8, 9 dhe 11 të Tiranës! Por ta lemë Omonian mënjanë. Mua më duket se problemi i kërcënuar për ne shqiptarët, është problemi kombëtar. Për të shkuar në Kosovë dhe në Çamëri, çdo shqiptari i duhet të nxjerrë një vizë udhëtimi, e kjo vizë nxirret me më vështirësi se viza e udhëtimit për në Suedi, Australi apo Hong Kong. Dhëntë Zoti që të mos na duhet të shkojmë, në një të ardhme jo tepër të largët, edhe në qytetet që i përkasin shtetit të tanishëm shqiptar, në Sarandë, Gjirokastër dhe Korçë, me viza të nxjerra nëpër konsullata të huaja.
Po jetojmë një krizë gjithëplanëshe, krizë ekonomike, krizë besimi, krizë Parlamenti, krizë Qeverie. A na ka mbetur gjë tjetër që nuk e kemi në krizë?
Është e vërtetë se jetojmë krizën e përgjithshme. Mendoj se të vetmen gjë që ne shqiptarët nuk e kemi në krizë, është vetë KRIZA.
Flitet se viti 1991 për fatet kombëtare i përngjet vitit 1913. Bile disa thonë se është edhe më i zi. A është vërtetë kjo?
As një vit nuk është i ngjashëm me një vit tjetër. Gëzimi, po, është universal, kurse hidhërimi është tepër autentik për të qenë i ngjashëm me diçka tjetër. Prandaj edhe viti 1991 nuk i ngjet vitit 1913. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se jemi futur në dhjetëvjeçarin e fundit që na ndan nga viti 2000 i Biblës. Pra, dita-ditës, po i afrohemi Zotit. Le të shpresojmë se edhe Zoti do t’i afrohet më së fundi Shqipërisë!
Janë krijuar deri tani nja 20 parti me nja 20 alternativa që mund ta bënin Shqipërinë Evropë, e madje Amerikë. Të tjera parti e alternativa pritet të shpallen, e prapë, vendi është zhytur në një mjerim të paparë. Ç’mendim keni për këtë paradoks?
Është e vërtetë se janë krijuar deri më tash mbi 20 parti politike të ndryshme, të cilat premtojnë, e vazhdojnë të premtojnë Evropën, Amerikën, Japoninë, Zelandën e Re, Greqinë, Afrikën e Jugut, Suedinë. Veç Shqipërinë duket se nuk e premtojnë! Vetëm te ne mund të ndodhë që të krijohet një parti si ekologjikja, e cila merr në fushatë elektorale veç 150 vota. Pra, del që 150 anëtarët e tjerë (sepse që të themelohet një parti duhen të paktën 300 firma, apo jo?), të cilët kanë firmosur në Ministrinë e Drejtësisë për krijimin e kësaj partie, kanë qenë kundër vetë partisë. Ose, le të marrim atë që quhet Partia Universale. Vetë fjala parti në latinisht do të thotë e pjesshme. Pra, përkthimi i lirë i Partisë Universale do të qe: e pjesshmja gjithërruzullore! Të mos flasim për udhëheqësit e shumë partive që quhen opozitarë, të cilët kanë një të kaluar të dyshimtë e një të tashme akoma më të dyshimtë. Ramiz Alia duhet të jetë shumë i kënaqur me shumicën e kundërshtarëve të vet.
Dhe një pyetje të fundit, kur do të vini në Lezhë?
Në Lezhë? Nuk kam nevojë të vij në Lezhë. Atë që kam më të dashur nga Lezha, e marr me vete kudo që shkoj.
Ju Faleminderit!
17 janar 1992
Çmimi poetik “Ndoc Gjetja”
Në këtë kohë të ngarkuar më politikë dhe varfëri, por edhe me shpresa të mëdha për të ardhmen e bukur, poezia vjen dhe ulet mes nesh si balsam për shpirtin, duke na fisnikëruar paprerë, duke na bërë më tepër njerëz. Redaksia e gazetës sonë, duke respektuar pikërisht poezinë, këtë art kaq fin, konciz dhe magjepsës, duke respektuar këngëtarët bujarë të shpirtit – poetët, shpall me modesti Çmimin Poetik “Ndoc Gjetja”, i cili është i vlefshëm për letrarët deri në moshën 25 vjeç. Letrarët e rinj që dëshirojnë që me poezitë e tyre të marrin pjesë në garën poetike për fitimin e këtij çmimi duhet të sjellin në adresën e redaksisë sonë nga një cikël me jo më pak se 15 poezi të daktilografuara në dy kopje me shënimin: për konkursin.
Konkursi mbyllet më 29 shkurt. Pas kësaj date nuk pranohen më cikle. Në përpunimin e materialit të sjellë në redaksi, do të punojnë poetë të rinj, anëtarë të redaksisë sonë, të cilët do t’i paraqesin jurisë së përbërë nga poetët Rudolf Marku, Preç Zogaj dhe Agim Isaku 10 cikle poetike më të mira, prej nga do të dalë edhe fituesi i çmimit. Fituesi i këtij çmimi do të shpallet në numrin e datës 13 mars të Gazetës “Koha Jonë” ku do t’i publikohet cikli me poezi, si dhe një jetëshkrim i shkurtër. Përveç kësaj, autorit fitues do t’i dhurohen të gjitha librat poetikë të poetit Ndoc Gjetja si dhe vlera modeste materiale prej 1500 lekësh të reja. Ta nderojmë poezinë! Mirë se vini!
Ndoc Gjetja ka ardhur që fëmijë në qytetin e Lezhës dhe ka punuar, mësuar dhe jetuar aty deri në moshën 35-vjeçare. Sot punon si kryeredaktor i Revistës “Spektër”. Është ndër nxënësit e parë të Shkollës Moderne të Poezisë Lezhjane. Autor i 8 vëllimeve poetike. Poet me individualitet të spikatur poetik. Një zë krejt origjinal në poezinë e sotme shqipe. Natyrshmëria, transparenca, raportet koncize mes sendeve dhe dukurive të dhëna bukur në poezinë e tij, e bëjnë poetin tepër të dashur për lexuesin. Nga libri i tij i fundit KTHIMET po shkëputim:
Kur më jepet e tëra qenia jote
Ti je kaq e bukur sa më jepet të pyes:
“Çfarë më je ti? Njeri apo art?”
Të shoh dhe vjershat e shkruara i gris
Se para teje zbehet çdo varg
Ti je poezia. Të tjerat janë proza
Ti je poezia që s’bëhet dy herë,
Ti je frymëzimi që më deh dhe bota
Më duket e tëra e larë me diell
Kaq ditë ti ecën përkrahu me mua
Ditë e përditë ne rrimë kaq pranë
Sa që më e dashura fjalë “të dua”
U bë e zakonshme si buka që hamë.
Kur më jepet e tëra qenia jote
Marr botën në dorë dhe të fshehtat ia di
Dhe puthja përsëritet e bëhet si kopje
Them gjëra të mençura që s’kanë poezi.
Prandaj ik e më lër deri në mbrëmje
Ose largohu një javë se vij e të marr
Unë dua të jetoj me mungesën tënde,
Të krijoj pa ty në vetvete një hall.
Më duhet një bosh që kërkon të mbushet,
Më duhet një gjemb që nga brenda më ther,
Më duhet të krijoj një dimër pa lule,
Më duhesh të të dua edhe një herë.
17 janar 1992
Preç Zogaj: Ardhja e demokratëve në pushtet, një shans real për demokracinë në Shqipëri
Intervistë e shkrimtarit dhe publicistit Preç Zogaj, dhënë redaktorit tonë, Marash Mirashi
Pyetje: Zoti Zogaj, tani që nuk jeni më Ministër, më dilni më në pah si shkrimtar dhe, për rrjedhojë, jam më i kontraktuar tek bisedoj me ju. A më jepni të drejtë?
Përgjigje: Ma merr mendja se po bëni humor dhe unë jua çmoj këtë djallëzi të padëmshme e miqësore. Zakonisht, përpiqem të jem demokrat dhe t’i trajtoj bashkëbiseduesit sipas dinjitetit tim.
Pyetje: Libri juaj i fundit “Qielli i gjithkujt” doli në qarkullim kur ju ishit ende në detyrën e Ministrit dhe kur vëmendja për librat ka rënë. Ç’mund të na thoni për këtë?
Përgjigje: “Qielli i gjithkujt” është libri im më i dashur, më i plotë, më i paprekur, falë kapitullimit të censurës në letërsi. Poetët e këtij libri, të gjithë pa përjashtim i kam shkruar përpara se të triumfonte pluralizmi në Shqipëri. Ato, në pikëpamje të mesazheve dhe konotacioneve ideore, mendoj se mbyllin një etapë në krijimtarinë time; etapën e të shkruarit në kushtet e ndalimit të lirisë, kur unë, dhe kolegë të tjerë të letrave, përmes efekteve polivalente të metaforës, regjistronim në letër të vërteta të hidhura të jetës shqiptare, regjistronim zemërimin tonë dhe indinjatën tonë, regjistronim shpresën e një ringjalljeje demokratike, të gjitha këto në djepin e madh të dashurisë për njeriun. Duke shfletuar tash faqet e librit “Qielli i gjithkujt”, konstatoj jo pa trishtim se gjuha e “Ezopit” mbaroi. Por prapë them se ky është një iluzion, se shkrimtarit, në çdo kohë i mbetet të flasë me nëntekste, me parabola, alegorikisht. Kjo i ndodh atij në mënyrë të pashmangshme. Ai, po t’i referohemi Biblës, është caktuar të gjejë dhe të kapërcejë vazhdimisht “portën e vogël” sepse “porta e vogël të çon drejt jetës, kurse porta e madhe të çon drejt vdekjes”. Duke e kuptuar me mendje dhe me shpirt filozofinë e kësaj reference, mund t’ju them se jam vazhdimisht i çliruar nga i ashtuquajturi ankth për suksesin e një libri. Në kohën e zhurmave është heshtja, ajo që depërton zemrat.
Pyetje: Kryeministrat e para një viti, me siguri që nuk do ta shikonin me sy të mirë “ministrin” që gjen kohë të merret me “vargjet”. A jeni dakord me mua?
Përgjigje: E shoh se dëshironi të më tërhiqni në sferat e politikës. Ne nuk mund të mos jemi brenda! Pyetjes suaj mund t’i përgjigjem në një kah të kundërt: personalisht, si qytetar, zor se do t’i shoh me sy të mirë kryeministrat që nuk do të mundin e nuk do të dinë të shkruajnë libra të profesionit dhe të politikës. Për librin tim “nuk ka pasur reagime” në Qeveri. Është e habitshme, por një reagim i tërthortë erdhi nga një koleg i imi i opozitës. I nervozuar, kushedi pse, doli përpara disa studentëve dhe deklaroi me zë të lartë kështu: Këtë vit ne s’kemi pasur kohë të shkruajmë libra! (nënkupto: si Ismail Kadare, Neshat Tozaj, Teodor Keko, Besnik Mustafaj, Preç Zogaj etj.) Të pranishmit e morën vesh mirë mesazhin e oratorit, por askush nuk thirri “poshtë libri, poshtë shkrimtarët”, askush nuk bëri thirrje të sulmohen libraritë. Ishte e natyrshme: ata studentë që thyen mitin e komunizmit në mitingjet dhe manifestimet e Dhjetorit 1990, kishin në shpirt zjarrin e një ideali kulturor, në kuptimin më të gjerë të fjalës: zjarrin e lirisë, zjarrin e demokracisë, me të cilat kultura është binjake.
Pyetje: Kur ishit në Lezhë, vëreja se vinit vetëm të shtunave nga Malësia, ndërkohë që në shkollat e qytetit dhe të fshatrave të afërt, punonin lloj-lloj mësuesish mediokër. Ç’mendoni sot për këtë fakt?
Përgjigje: Kanë kaluar vite qysh atëherë, por ju mos prisni që unë të ankohem sot pse zyrtarët e Lezhës më ndaluan përkohësisht të drejtën e shkollës, apo përse më caktuan me punë në Velë. Mos i prisni nga unë këto! Burracakët i përdorin konfliktet e fituara. Zoti Pjetër Arbnori dha një shembull të shkëlqyer demokracie me shkrimin për bllokmenët e arrestuar. Mandej, ambiciet e mia të asaj kohe nuk kishin asnjë lidhje me mësuesit e shkollave të qytetit. Ambiciet janë një gjë e mirë, shumë e mirë, por ata rrezikohen të kthehen në cinizëm, kur drejtohen kundër personave, individëve. Parimi im në jetë, përsa i përket destinimit të ambicieve është ky: askush nuk e ka zënë vendin tim. Ai vend është bosh, ai vend më pret mua dhe unë do të bëj çmos ta arrij. Më tej akoma, qysh kur isha në Lezhë dhe ende më qartë, më vonë e kam kuptuar se për problemet e mia vetjake, në esencë, nuk ishte fajtor X zyrtar, X komunist. Ishin skemat absurde të Enver Hoxhës që helmonin shpirtrat e sa e sa djemve e vajzave duke i lënë pa shkollë për shkak të “biografisë”. Indinjata dhe urrejtja ime i drejtohej pra një sistemi dhe jo një apo dy nëpunësve të gjorë!
Pyetje: Ç’përbënin për ju zyrtarët e Lezhës asokohe? Po poetët? Si e kujtoni Lezhën?
Përgjigje: 1. Ju nuk më tërhiqni dot në grackë që të shaj të vdekurit. Jam marrë me ta kur ishin gjallë.
- Poetët, e them sinqerisht, ishin për mua mrekullia e qytetit. Mund t’ju duket se e teproj, por kështu ishte atëherë. Unë u besoj përshtypjeve të asaj kohe. Zakonisht nuk më kanë gabuar dhe tani them me vete: vallë a e ka ditur Lezha se disa djem dhe burra si Rudolf Marku, Ndoc Gjetja, Agim Isaku, Frrok Kovaçi, Daniel Gazulli, Dodë Jaku, Pjetër Jaku, Remzi Lani etj., në ato vite të zymta plot butafori partiake, kur policia e mendimeve mbante nën kontroll gjithçka, i sollën qytetit mysafirë të tillë si Garsia Lorkën, Eugjen Jevtushenkon, Oskar Uaildin, Tomas Eliotin, Ana Ahmatovën, Dostojevskin, Marsel Prustin, e sa e sa figura të shquara botërore të ndaluar atëherë në Shqipëri. Lezha mund të mos e dinte, por Lezha duhet të jetë krenare për këtë. Lezha duhet të jetë krenare për “shkollën letrare të Lezhës”, që në zhargonin e nëpunësve partiakë të letërsisë, në Tiranë, përdorej në kuptimin e një herezie që duhej prishur menjëherë!
- Si e kujtoni Lezhën…? Dikur Tirana më dukej vërtet larg, por tani bota “është zvogëluar”dhe se si tingëllon kjo pyetje. Kujtimi im më i mrekullueshëm nga Lezha mbetet meraku i zyrtarëve të vegjël para dhe pas mitingjeve të dështuara e të sforcuara me raste festash e vizitash. “Prapë s’pati entuziazëm”!- thoshin ata gati me dëshpërim tek vrisnin kohën nëpër kafene, duke rrotulluar mbajtëset metalike të çelësave nëpër duar. Ndofta shtireshin, por kjo s’kishte rëndësi. Rëndësi kishte fakti se Lezha nuk i bënte temena askujt, Lezha s’kishte entuziazëm për Partinë e Punës, Lezha s’kishte idiolatri, Lezha mendonte dhe mendimi e vret idiolatrinë.
Pyetje: Cilët letrarë, besoni ju, janë aktualisht “maturë” e shkollës lezhjane të poezisë.
Përgjigje: Në fundin e viteve 80, një gjeneratë e re poetësh nga Lezha u shfaq plot ambicie në faqet e shtypit letrar. Një pjesë prej tyre kam pasur rastin e lumtur t’i botoj në gazetën “Zëri i Rinisë”, si Alban Balën, Marash Mirashin, Alfons Zenelin, Rexhina Prelën. Të shtojmë këtu Neritan Bylykun, të cilin më duket nuk arrita ta botoj. Të pestë erdhën si poetë. Këto ditë lexova në gazetën “Koha Jonë” ciklin tuaj të fundit. Kam kurajën të them se ishte një cikël i mrekullueshëm. Mendova se demokracia në letërsi u jep gjerësi e frymëmarrje të talentuarve, por kurrsesi të patalentuarve.
Pyetje: Në fillimet e lëvizjes demokratike ju ishit kryetar i këshillit botues të “RD” angazhimi i intelektualëve më në zë të vendit në atë gazetë ishte i madh. Më pas gazeta u bë pothuaj mediokre. A bini dakord me mua? Nëse po, përse ndodhi kështu?
Përgjigje: Zigzaget në nivelin e një gazete janë diçka e pritshme. Gazetës i duhet të lindë në çdo numër. Çdo numër fillon nga e para dhe, po të bëjmë pak humor, ajo nuk mund të mos reflektojë dhimbjen e dhëmballës së shefit përgjegjës, elasticitetin e kurrizit të redaktorit, apo zbrazjen e befasishme të kokës së gazetarit. Dhembja e dhëmballës të bën të luash mendsh, shiatiku prish drejtqëndrimin, mendja shterpë është e gatshme të mbillet me zallamahi dhe direktiva. Përsa i përket RD, unë mendoj se lëkundjet e saj shpjegohen me lëkundjet në konceptimin e raportit parti-gazetë. Ky raport sipas meje nuk duhet të jetë kurrë i ngurtë, në kuptimin që partia të nënshtrojë krejtësisht gazetën, domethënë ta eliminojë, apo që gazeta të ketë lidhje të zbehta me partinë. Gazeta ra, nën ndikimin e efektit pasqyrë, pra i përkushtohej tej mase replikave e shamatës me shtypin kundërshtar. Më tej gazeta zuri të imitonte “ZP” në mjaft aspekte, madje dhe në sajimin e letrave, pa përmendur revanshin e opinioneve kategorike, përkundër argumentimeve e analizës së fakteve. Duke ndërruar temat procedohej sipas mendësisë së vjetër. Në një rast u citua dhe Stalini, nuk e mbaj mend se nga kush. Bashkëpunëtorët e kualifikuar u larguan njëri pas tjetrit. Kriza për shkrime kuptohej menjëherë. Boshllëkun s’e mbushnin dot as korrespondentët e as gazetarët mediokër të cilëve u shkon thënia e Jevtushenkos: demokracia u hapi gojën, kur ata papritur zbuluan se nuk kishin gjë për të thënë. Ata pra s’kishin ç’të thoshin! Të shkruanin për alternativat e së ardhmes nuk dinin ose kishin frikë se duke shkruar për ardhmërinë nuk do të spikasnin si opozitarë! Dhe kështu ata përsëritnin temat e trajtuara nga gazeta në fillimet e veta. Gjithçka u bë velëse, monotone, veçse kjo nuk vazhdoi gjatë. Gjithkush po sheh se gazeta “RD” po përmirësohet, bashkëpunëtorët e kualifikuar po kthehen.
Pyetje: Futja e Partisë Demokratike në koalicionin qeveritar a nuk shërbeu për konservimin e kufomës komuniste? Nëse po, a mendoni se prishja e koalicionit do të jetë dështim përfundimtar i komunizmit?
Përgjigje: Zhvillimet e vitit 1991 në epilogun e tyre, e nxorrën në një dritë tjetër, koalicionin e PD me PS në muajin qershor. Politikisht PD kishte nxituar. Në qershor nuk gjykonin të gjithë kështu dhe kjo shpjegonte refuzimin e gjatë të Genc Rulit me shokë për t’u përfshirë në Qeveri. Më në fund retorika e “interesave të përgjithshme” na mposhti të gjithëve. Ne hymë në Qeveri siç e dini mirë, jo për të konservuar komunizmin, por për të luftuar bazat e ekzistencës së tij si sistem që mbjell varfëri, prapambetje, rrënim moral e fizik të individëve, diktaturë dhe shtypje të personalitetit, izolim të kombit. Puna e madhe e zotit Gramoz Pashko, si protagonist i reformës ekonomike, dhe e ministrave të tjerë për të përgatitur, kaluar e aplikuar ligje demokratike evropiane duke i shtyrë në harrim të përjetshëm ligjet ekzistuese që paralizuan burimet ekonomike të vendit, pra gjithë kjo punë përbën në realitet një akt antikomunist. Komunizmi nuk është një njeri, dy a tre njerëz. Komunizmi është sistem që ngrihet mbi strukturat politike, juridike, ekonomike e të tjerë. Praktikisht komunizmi në Shqipëri mori një plagë vdekjeprurëse në dhjetor të vitit 1990 kur lindi pluralizmi dhe PD. Ekonomikisht mori një plagë tjetër me privatizimin e tokës, dhe me aspekte të tjera të privatizimit. Mjafton kjo për të pohuar se prania jonë në Qeveri e afroi fundin e komunizmit. Reforma ekonomike, siç theksohej në deklaratën e PD, me rastin e daljes nga Qeveria, ishte vepër e ministrave reformatorë, ishte traseja nga do të kalojë Shqipëria demokratike. Çështja e zbatimit të reformës si akt shpëtimtar për kombin dhe individët, është çështje kohe, çështje konsensusi mbarëpopullor, për të mos e penguar atë. Nga ana tjetër u pa se socialistët e shfrytëzuan qenien tonë në Qeveri për të mbajtur të pareformuar Ministrinë e Jashtme, për të zvarritur gjykimin e bllokmenëve. Jeta fillon e të mëson edhe në politikë. Në koalicion nuk hyhet pa kondita. Ne hymë në qershor pa kondita.
Pyetje: A kanë ndryshuar pikëpamjet tuaja për demokracinë nga Dhjetori i vitit 1990 në Dhjetor të vitit 1991?
Përgjigje: Pikëpamjet për demokracinë nuk i kam formuar në dhjetor të vitit 1990, por shumë kohë më parë. Natyrisht, në fillim kam qenë si shumë të tjerë thjesht antikomunist. Kjo është pak për të qenë demokrat. Këtë e theksoj jo vetëm se antikomunistë të tërbuar kanë qenë edhe fashistët, por para së gjithash sepse njeriu plotësohet duke qenë kundër diçkaje apo pro diçkaje tjetër. A e dini se vrasësi i atdhetarit, Luigj Gurakuqi, dorëziu Baltjon Stambolla, teksa mbrohej në gjyq pat deklaruar se ndjenjat antikomuniste e shtynë të vriste Gurakuqin. Me antikomunizëm mund të spekulohet shumë dhe unë çuditem se si disa intelektualë përkëdhelin veten duke thënë se jemi antikomunistë dhe me kaq e quajnë të mbaruar detyrën para kombit, kur kombit i nevojiten prova dhe jo fjalë, ndërtues dhe jo shamatorë. Duke u ballafaquar me zhvillimet e reja vërej se në thelb pikëpamjet e mia për demokracinë nuk kanë ndryshuar e nuk kanë përse të ndryshojnë. Një rend që nuk u jep garanci, shans edhe mbrojtje gjithë qytetarëve, nuk mund të jetë demokratik. Një njeri nuk mund të jetë kurrë i lumtur në qoftë se lumturia e tij ngrihet mbi fatkeqësinë e një tjetri. Iniciativa e lirë e individëve, e shprehur në ligje demokratike, eviton totalitarizmin. Kjo do të thotë braktisje e plotë e komunizmit, pa asnjë lloj shartimi, dhe në këtë aspekt të gjithë demokratët janë e duhet të jenë radikalë. Këtu duhet dalluar radikalizmi primitiv dhe barbar që drejtohet kundër personave fizikë. Ky lloj radikalizmi mbjell hakmarrje dhe i lë gjallë në turpin e shoqërisë metastazat e përçarjes. Nga ana tjetër, në ditët e sotme po lulëzon, edhe “radikalizmi” i të vonuarve. Për të përligjur vonesën dhe për të marrë patentën e protagonistit, ato i vënë vizë të gjithë arritjeve të derisotme antikomuniste. Ato i ngjajnë atij që hyn në kinema nga gjysma e filmit dhe, meqenëse nuk e ka parë fillimin, ankohet se filmi nuk u dha. Të vonuarit janë të mirëpritur në PD në çdo kohë, por ata s’duhet të harrojnë se “sofra është shtruar para tyre”. Çfarë bënë studentët me Azem Hajdarin në krye? Çfarë bëri PD dhe RD gjatë kësaj kohe? A mund të mohohet heroizmi i tyre vetëm që karrieristët e vonuar të bëjnë vend sot? Kurrsesi! Idetë demokratike janë një farë që meriton të mbillet me kujdes në tokë të pëlleshme e jo në djerrina. Juve ju kujtohet parabola e mbjellësit në Bibël. Disa fara, thotë parabola ranë në një terren me shumë gurë e pak tokë. Këto fara mbijnë menjëherë sepse toka nuk ishte e thellë, por kur u ngrit dielli bimët u thanë shpejt sepse nuk kishin rrënjë të forta. Jezu Krishti e shpjegon kështu kuptimin e kësaj parabole: Fara që bie në një terren me shumë gurë e me pak tokë tregon atë që e dëgjon fjalën e Zotit me entuziazëm, por që nuk ka rrënjë dhe nuk është i qëndrueshëm: ky tip sapo ndesh vështirësi, menjëherë e braktis Zotin!
Pyetje: Muaj më parë zoti Frrok Çupi i ka dhënë një intervistë gazetës sonë. Të nesërmen RD e cilësonte gazetën tonë degë të ZP.
Çështja Çupi, sot e kësaj dite, shëtit në faqet e shtypit, në mbledhje… Ju s’keni folur. Ju lutem ç’mendoni për këto?
Përgjigje: Ajo që ndodhi me zotin Frrok Çupi sipas bindjes sime, shpjegohet me kontradiktat midis një synimi dhe një realiteti. Frroku më shumë dhe unë, më pak mendonim për një gazetë të lirë, për një gazetë krejt të ndryshme nga shtypi i mëparshëm partiak. Por ky ishte një iluzion. Gazeta RD pavarësisht nga hapësira kritike, lindi si gazetë partiake, si gazetë e PD dhe kishte si mision parësor të ngrinte autoritetin e partisë në popull. Kjo tashmë është normative, madje në kushtet kur gazetat i bëjnë oponencë njëra-tjetrës dhe kur çështja e fitores së plotë të demokracisë nuk është zgjidhur akoma, pozicioni partiak i gazetës është i drejtë. Kjo kontradiktë që them unë, “u vesh” me fakte të punës së përditshme, me marrëdhëniet që shpunë në acarime, shpeshherë të panevojshme, dhe krejt të mundshme për t’u kapërcyer me dialog mes partisë e gazetës. Diskutimi i zvogëlon problemet, kurse akumulimi i zmadhon. Në muajin maj, duke qenë se Frroku ishte i lodhur dhe nuk i qëndronte në krye gazetës si në fillim, edhe unë përqafova idenë e një zëvendësimi të mundshëm. Por kurrsesi për motivet që u sajuan më pas. Duke kuptuar delikatesën që paraqet ndërrimi i kryeredaktorit themelues, duke njohur meritat dhe talentin e tij të padiskutueshëm, unë i kisha krijuar zotit Sali Berisha që çështja të diskutohej me urtësi dhe pa vendime paraprake. Në të vërtetë kur u hoq Frroku unë nuk u thirra fare në mbledhje, procedura e largimit të tij ishte jo korrekte dhe mandej jam tronditur kur në gazetën “New York Times” kam lexuar deklaratën e zotit Berisha për Frrok Çupin. “E flaka se ishte spiun”! Nuk u besova syve, nuk ma qaste mendja këtë, megjithëse ishte shkruar nga një gazetar me autoritet si Devid Bajnder. Kam besim se zoti Berisha do ta përgënjeshtrojë! Me përralla me spiunë jemi të ngopur gjer në grykë, e në mos qofshin përralla, lipset të nxirren në tryezë provat që të mbledhim mendjen, të tregohemi të drejtë me njerëzit e jo t’i fyejmë e t’i flakim, sepse siç thotë Gëte, padrejtësia të merr për dore dhe të shpie te padrejtësia e dytë, e tretë e kështu pa kthim. Nga ana tjetër, nuk mund të mos e shënoj mirëkuptimin që pata në fillim me zotin Berisha për emërimin e zotit Çupi në QNK, sikurse i quaj tepër të skajshme kualifikimet e zotit Frrok për zotin Berisha në intervistën e tij. E gjithë kjo “lojë”u zhvillua në skaje, duke vështirësuar dialogun që, siç e thashë, i zvogëlon problemet. Por asnjëherë nuk është vonë. Përsa i përket gazetës suaj përshtypja ime është kjo: Me ardhjen e gazetarëve të krahut të opozitës si Edmond Kaçeli, Aleksandër Frangaj, Alfons Zeneli e Marash Mirashi, gazeta është bërë pluraliste, por ende e pavarur. Unë kam një mendim tjetër për pavarësinë e shtypit.
Pyetje: Si mendoni ju, përmes cilave rrugë, Shqipëria do të shërohet përfundimisht?
Përgjigje: Pyetje e madhe! Rrugët e shërimit të Shqipërisë nuk mund t’i tregojë një njeri veç në qoftë megaloman. Por diçka mund të thuhet nga secili. Dhe unë ju them se ardhja e demokratëve në pushtet përmes votës së lirë të shqiptarëve, përbën një shans real për vendosjen e demokracisë në të gjitha aspektet. Fitorja e demokratëve do të duhet që menjëherë të provojë një aspekt shumë të rëndësishëm dhe modern të demokracisë: fitimtarë e të mundur të mund të bashkëjetojnë në këtë hapësirë. Për këtë, do të duhet që fitimtarët të respektojnë të mundurit, të respektojnë minorancën. Për këtë do të duhet që të menduarit të kontribuojnë për rendin e jo për të turbulluar e acaruar punët. Ata janë mundur politikisht ndërsa para shtetit juridik janë qytetarë si gjithë të tjerët. Më tej, mendimi im është që shqiptarët duhet të pranojnë vështirësitë dhe sakrificat objektive të reformës. Por ky konsensus po bëhet i domosdoshëm dhe për çështje të tjera me rëndësi përcaktuese për pavarësinë e Atdheut, sepse siç po zhvillohen ngjarjet në rajonin e Ballkanit, në skenë po thirret historia. Le të mendojmë mirë për këtë, le të shtrojmë pa humbur kohë duart e pajtimit, para se të bien kambanat ogurzeza të krizës rajonale.
17 janar 1992
Gjergj Fishta dhe Lezha
Gjergj Fishta është një figurë komplekse mbarëkombëtare. Por ai do të mbetet pikësëpari krenaria e trevave të vendlindjes, sepse frymëzimi i tij merr krahë nga fushat e Zadrimës së tij, nga fshati Fishtë që e lindi; nga fshati Troshan, ku ishte nxënës e më vonë meshtar e mësimdhënës. Qendra e këtyre fshatrave Zadrimorë, ashtu si edhe sot, ishte qyteti i Lezhës, ku dëshmohej e plotë lashtësia ilire, që në të ardhmen do të bëhej vokacioni historik i poetit. Caktimi i tij si kapelan në kishën e Lezhës (1896-1897) do të befasojë edhe me pamjen mjaft piktoreske që kundrohej në çdo orë të ditës nga Kisha e Dom Lleshit, vendosur në kodrën përballë qytetit. Fisha për këtë arsye nuk do t’i shkëpusë më lidhjet me këtë qytet. Në rastin më të parë do të punojë për arkitekturën e qelës së Kishës, ku do të ketë edhe një dhomë të vetën, në të cilën vinte për të pushuar e punuar. Biografët e Fishtës pohojnë se aty shkroi pjesën më të madhe të veprave dhe i dha dorën përfundimtare “Lahutës së Malësisë”. Por nuk janë vetëm elementet biografike që dëshmojnë lidhjet e poetit me një trevë ose qytet. Te Fishta, këto lidhje ndihen si emocione të veçanta në nuancat e epizmit dhe të satirës së tij; në strukturën e vargut dhe për ftesat poetike të shprehjes gjuhësore. Shpeshherë ato marrin dukje në toponime dhe emra banorësh me zë në krahinë si në vargjet: Tue ju ngjitun Kuprovnikut si ato berret e Nik Sykut. Në Lahutën e Malësisë ai u lë vend të spikatur luftërave të Leknisë, që përfshinte tërësisht rrethinat e Lezhës. Mjaft prej tyre janë dhënë edhe me emra që identifikohen si lezhjanë: Mati Gjoka, Prek Matia, Zef Preçi, Lek Ndoka, i vëllai i poetit, Marka Tuku, Shtjef Haberi, Mark Pashuku, Kin Ndoci, Gjok Dodë Gashi, Gjon Tuku, Ndrec Lleshi, Ndoc Gjo Goci, Gjeto Staka, Vuksan Gjeli etj. Vargje të frymëzuara përcjellin figura të tilla si Bec e Cul Patani të kodrës së Marlekajve dhe Llesh e Nik Daka, babë e bir të Bregut të Matës, të cilët individualizohen me bëma e guxim heronjsh homerikë. Kënga e 26 e Lahutës me titull “Koha e re” është shprehja më e plotë e asaj që mund ta quanim lezhjane te Fishta dhe vepra e tij. E themi këtë sepse në të gjithë veprën fishtjane nuk gjejmë asnjë qytet a qendër tjetër të populluar, përfshi edhe Shkodrën e kuvendin e françeskanëve, të atij qyteti, që të ketë zënë vend aq gjerësisht sa Lezha. Kjo këngë me 490 vargje është frymëzuar nga natyra e mrekullueshme e qytetit të Lezhës dhe rrethinave të saj, nga mitologjia, legjendat e gojëdhënat krahinore, nga historia e lashtë e në vazhdimësi e këtij qyteti, dhe realizohet në formën e një dialogu ndërmjet poetit dhe anës së frymëzimit:
Hej moj zanë ty t’kjosha true
Si s’po të bjen ndërmend për mue…
Behna këtu n’këtë Lissus t’vjetër
Ku larg zhurmës e potere
Dola edhe un n’kët buzë pranveret
Për me këndue n’lahutë t’Malësisë…
Këtu gjen shka t’kande ty
Vezullime e shixhillime,
Gurgullime dhe blerime
Me lugina e me kodrina
Me lëndina e me rudina
Hije, kroje dhe currila
Dejka, mjellme e n’shteg kojrrila…
Në konceptin estetik të Fishtës: poetikja është një harmoni e treshes: mjedis natyror, mitologji dhe bëma njerëzish. Kjo harmoni në formën më të pastër të saj, ashtu siç e njohu vetë Fishta asokohe, është një realitet tipik lezhjan i gjysmës së parë të shekullit tonë. Është një mjedis i ndritshëm natyror, një mjedis pastoral klasik:
…Këndo bylbylat n’për filiza,
Kërce dhijzit n’për driza,
Tue e blegërue kingjat “n’për mriza:
Ende hardhia m’qepariza
Lulzon pjeshka e zerdelia,
Me u shej matet m’gem qershia
E kështu vazhdohet me radhë me “fikun qe lidh kokrra, me plepat breg Drinit, me kundërmimin e lules së blinit, tingujt e fyllit dhe të zumares”, instrumentet karakteristike të rrethit dhe konkludon me një dyvargësh që e kthen këtë realitet në një magji të vërtetë:
…Qielli kaltër, toka e blertë,
Njeti dimër, këtu pranverë…
Aty janë ruajtur legjenda e gojëdhëna të shumta të cilat në penën e Fishtës paraqiten si gjëra reale, ashtu siç kanë bashkëjetuar me jetën e popullit prej thellësive të shekujve. Ata janë pjesë e mendësisë shqiptare, janë histori e gjallë, ndonëse fantastike e ndoshta të tejkaluara për një botë të emancipuar, përfshirë edhe ata të qytetit të Shkodrës. Por ky është një realitet që e josh poetin.
Zana e frymëzimit që grish ai në Lezhë jeton diku thellësive të maleve të Dukagjinit. Në qytetin e lashtë dhe rrethinat e tij do të gjejë një vend të përshtatshëm për to:
Se ky vend nëse mbahet mend
Po kisht’ kenun nji dervend:
Nji log zanash m’nam e n’za
Ndërsa tani:
Shum po i kishte doj shtojzovalle
Shoqet tua qi po këndojshin
Qeniet fantastike të përrallave dhe gojëdhënave janë një pasuri kulturore e këtyre trevave. Ato janë të frikshme si kulshedra e Velës, që ka mbërthyer në dana Lleshi i Zi në shpellën e Rrejës (kjo mund të identifikohet me shpellën e ngrohtë të malit të Troshanit), shtrigat e Mirditës, Zhybës e Selitës, që sillen nëpër malin e Velës dhe të Malungut “ndo’i dell ujkut për t’fërgue,/ qi me ba ndokand gjyt’rym/… mos me lanë me rritun fëmijë,/ tue e ngranë zemër e mushkni”.
Përballë tyre poeti ka vënë floçkat e kzhetzat e bregdetit të Shëngjinit, të cilat “herë rrinë në shulla tue u kreh, tue u babitë” e herë “turr e vrap nëpër ranë t’hedhme… kmishat kap me triza t’dredhme”. Në këtë përshkrim kaq poetik të Floçkave të detit, Fishta tregon edhe episodin e martesës së njërës prej tyre me një djalë të ri malësor. Ndoshta ky bashkim i përket fillimit të vendosjes së malësorëve në rrethin e Lezhës. Ajo mësoi shumë shpejt gjuhën shqipe, u vesh me xhubletë, lindi e rriti fëmijë dhe u bë amvisë e mirë (malësorët u përshtatën me vendasit dhe nuk u asimiluan prej tyre). Kjo botë e pasur fantastike ndoshta do t’u sugjerojë fishtologëve të ardhshëm një çelës për të kuptuar më mirë Fishtën, që aktin e krijimit e lidh me një dhunti të mbinatyrshme, që simbolizohet me figurën e Zanës, e cila nuk zbulohet qartë në këtë këngë, herë i rri pranë poetit e herë i largohet, merr arratinë pyjeve për kënaqësitë e veta, në shoqëri e laverda, në valle e këngë “sa t’ketë në krye”, që në thelb s’janë gjë tjetër veçse pasionet e një poeti, të vetë Fishtës, që realizohen imagjinativisht në mjedisin e qytetit të Lezhës në një realitet magjik natyror e shpirtëror. Jo më pak magjik është edhe realiteti historik lezhjan. Ai vjen nga mitologjia e koha parailire. Kalaja “mbi ledhe ciklopike”, “tri mijë e kusur vjet i bani qëndresë Galit, Romakut, Sllavit e Turkut (“turku, shpëlaka e randë e Zotit”). Në ato kohë, aty jetuan e luftuan mbretërit ilirë; Bardyli, Teuta, Kliniku, Pleurati, Hila, Agroni e Genci. Në kohë më të vona Skënderbeu, “shpata e të cilit dikur motit/vezulloi n’hazem t’Shqipnisë/ si ajo rrfeja e Perëndisë”. Mjaft poetike është edhe evokimi elegjiak për veprën e Heroit tonë Kombëtar:
Ke me ndie edhe si kjanë
Vala e Drinit prap n’drit t’sotit
Për urë t’vorrit t’Gjergj Kastriotit
Ky realitet, që gjen Fishta në Lezhë, nuk shpjegon vetëm afrimitetin vetjak të tijin me këtë qytet. Ai realitet është simboli i besimit që ka poeti i Lahutës në epërsinë e kombit të tij, i domosdoshmërisë së të qenit i lirë e i vetëqeverisur, si të gjithë kombet e tjera të Evropës:
Se Shqiptari, s’ashtu gabel
S’asht shkerbe pjellun n’Zabel,
Mos me pas ai Fis e Atdhe,
Veç me shkel n’te Turq e Shkje
Konkluzioni i mësipërm që në thelb është kryeideja e Lahutës së Malësisë dhe i gjithë veprës letrare të Fishtës, jo rastësisht është formuluar me një këngë që frymëzohet nga motive lezhjane. Në Lezhë (Fishtë, Troshan e Kisha e Dom Lleshit), Gjergj Fishta ndjeu tingujt e parë të gjuhës shqipe, muzikën e vargut popullor, vallen e Zanave dhe të Shtojzovalleve, melodinë e zymares, e të bilbilit, historinë shqiptare të shkruar në gurët e kalasë ilire, flladin e detit, duhmën e fushës dhe freskinë e malit. Nga këto treva u rrit poeti me të cilin krenohet Shkodra, djep i kulturës sonë, mbarë kombi ynë./Tonin Çobani/
25 janar 1992
Azem Hajdari për herë të parë për KOHA JONE
- Azem, me sa di, keni kohë që nuk jeni prononcuar në shtyp. A ka ndonjë arsye që lidhet me këtë fakt apo është thjesht rastësi?
Nuk më duket fort i goditur termi “prononcuar”, sepse nuk përbën fakt që unë të jem vënë në pozita detyrimi ndaj shtypit për morinë e problemeve që preokupojnë sot shoqërinë tonë e të ketë ndodhur që t’i kemi bërë qëllimisht. Mendimet e mia të lira. Larg çdo vetëndrydhjeje, sikurse termi i parapëlqyer prej jush lë shteg të supozohet, i kam shprehur me forcë me qindra takime të organizuara kohët e fundit anekënd vendit. Tematika e larmishme e këtyre takimeve është bërë deri diku e njohur nëpërmjet transmetimeve radio-televizive. Sidoqoftë, për momentin kemi gjykuar se do të ishte më e rëndësishme të racionalizoheshin koha dhe përpjekjet në këtë drejtim. Por nga ana tjetër, nuk mund të mos vë në dukje pengesat artificiale dhe aspak të rastësishme, veçanërisht kohët e fundit, që ka sajuar Qeveria për të bllokuar shtypin e lirë, e sidomos atë të partive të opozitës. Pretekste qesharake si mungesa e letrës nuk mund të justifikojnë këtë situatë paprecedentë, aq më tepër po të mbajmë parasysh se ndodhemi në pragfushatë elektorale. Për t’u kthyer te shqetësimi juaj, unë kam qenë e do të jem i lidhur me shtypin, madje në të ardhmen edhe më tepër.
Kanë kaluar shumë kohë që nga demonstratat historike të Dhjetorit. Sot shumë gjëra kanë ndryshuar. Natyrisht, keni ndryshuar edhe ju. Si i shikoni këto ndryshime në veten tuaj. Çfarë konstatoni?
Qysh nga demonstratat e Dhjetorit 1990 ka kaluar më tepër se një vit, vit ngjarjesh të mëdha që çuan në ndryshime jo thjesht të sipërfaqes, por thelbësore historike. U shpall pluralizmi, u fitua e drejta e fjalës, shtypit të lirë, e besimit, u liruan të burgosurit politikë, u sanksionua prona private mbi tokën, u shpërthye izolimi 45-vjeçar. Shqipëria aderoi në shumë organizma të rëndësishme ndërkombëtare etj. Antikomunizmi i demonstratave të studentëve heroikë, sfidoi sllavo-komunizmin konservator që përfaqësohej nga diktatura e Enver Hoxhës dhe më pas nga ajo e pasardhësit të tij, Ramiz Alisë, pra nga diktatura më e egër e të gjitha vendeve të Lindjes. Por është fakt që kjo luftë ekstremesh politike, që ka të bëjë me vetë ekzistencën e kombit, ende nuk ka përfunduar. Antikomunizmi është në opozitë ndërsa komunizmi qeveris vendin. Kjo tregon se nuk mjafton ta godasësh, qoftë edhe për vdekje diktaturën. Kryesorja është ta shpërbësh e ta çrrënjosësh atë në të gjithë sistemin e saj metastazë. Kjo është e para që na ka mësuar përvoja e këtij viti. Në radhë të dytë, përforcuam bindjen se antikomunizmi nuk është vetë demokracia, por një kërkesë e domosdoshme për të shkuar drejt saj. Demokraci do të thotë tolerancë, dialog, respektimi i mendimeve të kundërta, do të thotë të udhëhiqesh nga ideja e pajtimit kombëtar, nga ideja e ndërtimit të perspektivave të qarta, do të thotë të pranosh konceptin bashkëjetesë, do të thotë t’u nënshtrohesh kërkesave të shtetit ligjor, demokratik.
Na thoni diçka për krizën qeveritare, pra për tërheqjen e ministrave të PD. Cili qe mendimi juaj?
Dalja nga Qeveria e Stabilitetit e ministrave të PD është përfundimi logjik i një bashkëjetese të sforcuar e të panatyrshme mes një krahu demokratik e përfundimtar dhe një krahu neokomunist konservator. Unë vetë personalisht, në kushtet e rënda plot tensione e vështirësi të shumta që u krijuan në periudhën maj-qershor të vitit të kaluar e kam përkrahur idenë e një Qeverie Stabiliteti, me pjesëmarrjen e forcave kryesore politike të vendit. Por me atë rast u përcaktuan edhe një varg kushtesh e detyrash që duheshin respektuar. Fakti është se PS, sikurse dhe rritej shumë shpejt u shfaq si partnere e pandershme në këtë bashkëqeverisje të përkohshme. Ajo u përpoq të konsumonte reputacionin e brendshëm dhe të jashtëm të PD për qëllimet e saj të ngushta partiake. PS, nëpërmjet strukturave të saj shtetërore e gjyqësore, la në heshtje të plotë, duke mos përfillur kërkesat e vazhdueshme të opozitës, çështje të tilla kardinale si gjyqi i Shkodrës, çështja e bllokmenëve, depolitizimi dhe statusi i RTV, depolitizimi dhe rinovimi tërësor i Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Rendit Publik etj. Nga ana tjetër Qeveria e Stabilitetit merr përsipër më tepër nga ç’i lejonte mandati i Kuvendit Popullor. Vetë ministrat e PD-së u dominuan nga prirja tekniciste, dobësuan frymën e tyre antikomuniste dhe humbën nga shikimi lidhjet që ekzistonin midis ministrave socialistë dhe administratës së ngurtë burokratike komuniste. Në këto kushte stabiliteti i vendit u trondit rëndë, ligji nuk funksiononte, ndërsa Qeveria kontrollohej nga Presidenti. Këtu pati ndikimin e vet dhe mosrespektimi de fakto i pavarësisë së tre pushteteve: legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Shtatë ministrat e PD-së për shumë çështje kardinale nuk ia dolën të imponoheshin, sepse nuk kishin gjë në dorë. Përbërja kryesore e Qeverisë qe socialiste, ndërsa periudha e qeverisjes së saj u karakterizua nga forma neokomuniste. Në këto rrethana unë kam kërkuar largimin e ministrave të PD-së nga Qeveria e Stabilitetit qysh në muajin nëntor. Vendimi për këtë hap u mor më pas nga Këshilli Kombëtar i PD-së dhe unë kam qenë dakord me të. Gjithsesi ushqej respekt për punën e ministrave të PD. Ndërkohë dhe një konkluzion e kam nxjerrë: asnjëherë në koalicion me PS-në. Të them të drejtën nuk e prisja që në mbledhjen, tashmë të njohur të Këshillit të Ministrave, zoti S. Berisha të mbetej vetëm përballë kundërshtarëve të tij. Megjithatë sinqeriteti i z. Sali, forca e argumentit si dhe mbështetja e popullit bënë që ai të kishte bashkudhëtar fitoren.
Si e vlerësoni posaçërisht reagimin e papritur të Z. Ceka dhe qëndrimin pak enigmatik të z. Pashko në një konferencë shtypi, lidhur me përgënjeshtrimin që i bëri “Rojter-it”?
Për këto çështje unë jam pozicionuar qartë në Parti. Personalisht përkrah qëndrimet e forta antikomuniste dhe kontributin e secilit e vlerësoj në bazë të luftës që bën kundër komunizmit. Në lidhje me zotin Ceka, unë me përjashtim të ndonjë rezerve të vogël, mbështes deklaratën e kryesisë së PD, të grupit të deputetëve dhe të ministrave të saj. Zotin Berisha e ka zgjedhur kryetar të PD, Kuvendi i PD me vota të fshehta dhe me lëvizjen demokratike atë e bashkoi disidenca e tij e hershme antikomuniste, prandaj askush nuk mund të kërkojë dorëheqjen e tij, aq më pak përpara një Presidenti antikomunist që konfirmoi depersonalitetin e vet. Kontributi i zotit Ceka është tepër i madh në shërbim të demokracisë dhe jam i sigurt për bindjet e tij antikomuniste. Si intelektual i shquar dhe si njeri i prononcuar fuqimisht në favor të demokracisë, unë i kërkoj të vazhdojë rrugën e tij demokratike dhe të rektifikojë deklaratat e mëparshme, me përjashtim të pikës mbi dorëheqjen e Presidentit. E them këtë sepse kam bindjen që ai ka qenë i lodhur dhe në ndonjë rast ka pasur mungesë transparence. Z. Ceka në këshillin kombëtar gjithmonë ka mbrojtur idenë e daljes nga Qeveria. Gjithsesi njeriun e rehabiliton vetëm lufta antikomuniste dhe jo vendimet e partisë. Në rast se z.Neritan lë në fuqi dy deklaratat e tij, ai lë në fuqi dhe opinionin e ngritur mbi të. Populli ka të drejtë se cilin nga ne ta hedhë, kur ne i hedhim aspiratat dhe idealet e tij. Përsa i përket z.Pashko, mund të them se reforma e tij e bazuar plotësisht në programin e PD fiksoi përfundimisht parimet e ekonomisë së dështuar centraliste të regjimit nga spekulatorët politikë. Ai është në qendër të vëmendjes së opinionit, ndaj unë mendoj se duhet të jetë i kujdesshëm në deklarata. Z.Pashko kur insistonte për shtyrjen e zgjedhjeve, harronte se ndikonte në zgjatjen e qeverisjes komuniste me z.Alia në krye. Megjithatë unë instalimin e kuptoj si përpjekje e dëshirë që Shqipëria të aderonte në sa më shumë organizma ndërkombëtare deri në zgjedhjet e ardhshme.
Në ç’gjendje është sot aleanca ndërmjet PR dhe PSD? Çfarë solli tërheqja juaj nga Qeveria e kësaj aleance?
Kam mendimin se dalja nga Qeveria e Stabilitetit ka kontribuar në forcimin e aleancës sonë me PR dhe PSD. Hapi që u hodh në atë rast shërben edhe si test i fortë në evidentimin e qëndrimeve të vendosura antikomuniste dhe ky test më duket se u kapërcye me sukses. Gjithsesi kuptohet, aleancat ndërtohen mbi një strategji dhe teknikë të caktuar. Ne jemi për aleanca me të gjitha partitë e vërteta opozitare, e të tilla padyshim që ka.
A mendoni se mund të ketë “hilanjosë’” në gjirin e udhëheqjes së lartë të PD?
– Këtë mendim mund ta kenë socialisto-komunistët, të cilët përpiqen të përçajnë udhëheqjen e PD. Nuk e di përse atyre që thuhen lart e poshtë, qoftë edhe nëpër gazeta, ju u vini emrin “fakte”, sepse unë dyshoj të jenë të tilla. Shpeshherë duke heshtur thuhet më tepër, sesa duke thënë diçka.
A e ekziston, sipas jush rreziku që PS të fitojë përsëri?
Nuk ndodh, besoj unë, që një popull të gabojë dy herë brenda një viti. Kjo do të thotë të vendosësh përfundimisht në kahe të kundër me shanset që ofron historia. Unë nuk e kuptoj se me ç’kurajë PS tenton të hyjë përsëri në zgjedhje! Vështirë të gjendet parti në botë që duke pasur 70 për qind të vendeve në Parlament të mos jetë në gjendje të qeverisë.
Është deklaruar nga PK, se ata gëzojnë simpatinë dhe mbështetjen e mijëra njerëzve. A thua të jetë e vërtetë? Si ka mundësi që pas një skëterre të tillë, viktima, që mezi ka shpëtuar të brohorasë përsëri për xhelatin?
Paradokset njihen. Edhe ky pretendim kish për të qenë një paradoks, sikurse është dhe vetë legalizimi i PK. Gjithsesi mendimi im personal, duke pasur parasysh dhe aktivitetin apo deklaratat e kundërligjshme të kësaj partie, është se ajo duhet të nxirret jashtë ligjit, ndërsa njerëzit e thjeshtë që vazhdojnë të manipulohen nga Millosheviçët me shokë, duhet të gjejnë vetveten në forca të tjera politike.
Megjithatë, shumica dërrmuese e njerëzve e duan demokracinë e vërtetë dhe besojnë në të. Edhe votat asaj do t’ia japin. Ju si mendoni do të fitojë, apo jo?
Kam bindjen se po. Sot më tepër se kurrë ka dalë në skenë historia dhe jo fushata e zgjedhjeve. Sot varet fati i kombit dhe atë e kemi në dorën tonë. Sot hapen ose mbyllen përfundimisht perspektivat e këtij populli. Gjithsecili duhet të kontribuojë me votën e tij për demokraci, sepse kontribuon për Shqipërinë.
Zgjedhjet po afrojnë. Një problem i rëndësishëm është edhe sistemi i votimeve. Për cilin sistem jeni ju dhe si e argumentoni?
Paraprakisht mendohet që Parlamenti të ketë 140 vende. PD nga ana e saj ka pranuar sistemin mazhoritar me korrektim. Në bazë të këtij sistemi gjithë territori i Republikës së Shqipërisë të ndahet në 100 zona elektorale, ku do të votohet thjesht në bazë të sistemit mazhoritar. Pra fiton kandidati që siguron më shumë vota. Pas përfundimit të votimit bëhet përcaktimi i deputetëve të tjerë për 40 vendet e paplotësuara. Pra bëhet i ashtuquajturi korrektim. Kjo realizohet mbi bazën e numërimit të të gjitha votave të grumbulluara në të 100 zonat elektorale nga partitë e ndryshme politike. Ajo parti që siguron më shumë vota, përfiton edhe më shumë vende në kuadrin e 40 vendeve të lartpërmendura. Me sa dimë, përjashtohen nga e drejta për të përfituar pjesën që u takon në këto 40 vende ato parti që nga votimi i përgjithshëm rezulton se kanë marrë më pak se 4 për qind të votave. Në këtë mënyrë plotësohet numri i deputetëve për të 140 vendet e Parlamentit. Gjithashtu do të bëhet kujdes që numri i zgjedhësve të mos ndryshojë nga zona në zonë, ose ndryshimi të jetë krejtësisht i papërfillshëm.
A do të ketë vend në një Qeveri të ardhshme demokratike grupi ministerial i G.Pashkos?
PD askujt nuk ia mohon meritat. Gjithsesi mendimet e mia do t’i shpreh në Këshillin Kombëtar të PD, të cilit i takon e drejta të diskutojë dhe të vendosë për këto çështje.
Pëshpëritet në shumë ambiente të ndryshme se PD e ka piketuar Qeverinë e saj të paszgjedhjeve. A ka mundësi të ketë ndodhur një gjë e tillë?
Parandërtimi, qoftë dhe në mënyrë aprosimative, i strukturave qeverisëse, të gatshme për të ngritur pushtetin ekzekutiv pas një fitoreje të mundshme në zgjedhje, është një praktikë krejt normale, madje e domosdoshme për çdo parti serioze e të organizuar mirë. Në të kundërt organizimi spontan dhe i nxituar i këtyre strukturave do të ndikonte keq drejtpërdrejt në nivelin e qeverisjes së vendit.
Edhe diçka tjetër brenda orbitës së pyetjes paraardhëse. Thuhet se në Qeverinë e ardhshme të PD ju keni prenotuar postin e Ministrit të Rendit Publik. Kjo ka marrë përmasat e një thashethemnaje. A do të ishte e saktë këtë radhë sentenca e vërtetuar popullore “ku ka zë s’është pa gjë”?
Në radhë të parë dëshiroj të nënvizoj se as unë dhe askush nuk ka të drejtë të prenotojë poste të tilla. Dëshiroj të qëndroj jashtë kabineteve qeveritare. Që nga fillimet e lëvizjes studentore e deri më sot caktimi im në detyra të ndryshme është përcaktuar nëpërmjet mekanizmit të votës së lirë e të fshehtë. Unë punoj për demokraci, ajo ka qenë përkushtimi im, e që të mbetet edhe në të ardhmen përkushtim dëshiroj të mbetem kurdoherë nën kontrollin e mekanizmit të votës që shpreh vullnetin e lirë të një numri të gjerë zgjedhësish. Përsa i përket postit të Ministrit të Rendit Publik, PD e konsideron atë mjaft të rëndësishëm, delikat e të respektuar, prandaj do të përzgjidhte me kujdes në radhët ë kandidatëve më të mirë, më të kualifikuar e me shpirt të madh demokrat, të cilët nuk i mungojnë PD.
Ç’përfaqëson një gazetë moniste, pra ç’kriter duhet të plotësojë ajo që të quhet e tillë. Një mendim tuajin për Gazetën “Koha Jonë”.
Të kërkosh kritere në përcaktimin e një gazete moniste ose jo, më duket se s’është gjë tjetër veçse mendësi moniste. Demokracia nuk pranon korniza të tilla, por ushqen mendimin e lirë e gjykimin e pavarur pavarësisht se ai mund të lërë shije të ëmbël apo të thartë. Gjykime të tilla të lira mund të ishin në përcaktimin ose jo të ngjyrave moniste nëse gazeta e caktuar u jep përparësi interesave të demokracisë, apo shkrimeve sensacionale të ndërtuara mbi thashetheme, përgojime e fakte të fabrikuara që godasin dhe konsumojnë padrejtësisht në pikëpamje morale kë të mundin, qoftë majtas apo djathtas dhe që shpenzimet e rastit i hedhin mbi shpinën e vetë demokracisë. Shkurt, kush synon të godasë demokracinë, s’mbetet të jetë tjetër veçse nostalgjik i monizmit. Përsa i përket gazetës suaj, nuk më pëlqen dhe aq, sepse vërehen pikërisht defekte të natyrës së mësipërme. Veçmas, disa gazetarë të saj i pëlqej dhe i vlerësoj.
Cili është qëllimi juaj në jetë, a do të vazhdoni të merreni me politikë?
Qëllimi im në jetë u fiksua përfundimisht, atëherë kur triumfoi demokracia mbi diktaturën, dhe ai është vetëm një: luftë komunizmit, përkushtim idealeve demokratike, idealeve të shqiptarizmës. Ky është edhe ideali i themeluesve të demokracisë, studentëve heroikë, ky është dhe ideali i mbarë popullit shqiptar. A do të jetë ose jo kjo në jetën politike, kjo ka pak rëndësi.
21 shkurt 1992
Paradokset shqiptare arritën deri në Amerikë
A mund të ndihet mirë “Zëri i Amerikës” në zërin e Xhevdet Shehut?!
Ndodhi (më në fund do të ndodhte) ajo që pritej! Paradokset shqiptare arritën deri në Amerikë! Në një klimë paradoksesh jetojmë këtu e prapë u befasuam kur dëgjuam tek “Zëri i Amerikës” (në gjuhën shqipe) se bashkëpunëtori i saj në Tiranë ishte shoku Xhevdet Shehu! Pse u befasuam? Pse u çuditëm dhe pse u shqetësuam? Po mundohemi të shpjegohemi: Te “Zëri i Amerikës”, dihet, mund të flasë kushdo, aty gjithkush mund t’i shprehë të katër të vërtetat, siç thuhet. Në atë radio jemi mësuar të dëgjojmë një varg figurash kombëtare dhe gjithsesi demokratike, fjalën e të cilëve e kemi pritur me shumë interes e respekt; ata kanë përcjellë nëpërmjet “Zërit…”të Amerikës, jo të zërit të popullit të vërtetat që ende nuk mund të thuheshin te ne, në mjetet tona të informacionit. Por si ta presim si të tillë zërin e shokut Xhevdet Shehu, kur në tërë këtë periudhë përplasjesh, në shtypin pluralist, ai s’ka “guxuar” qoftë edhe një herë të vetme, të prononcohet hapur në favor të opozitës dhe të demokracisë?! Atëherë përse është zgjedhur (dhe pranuar) një zëdhënës i tillë, përfaqësues i publicistikës së re demokratike, për “Zërin e Amerikës”? Kur në Shkodër lëkundej për t’u rrëzuar busti i diktatorit Stalin, ishte ky Xh.Shehu që shkruante reportazhin me titullin joshës: Ç’po ndodh në Shkodër? dhe si përmbajtje kishte jo dhunën dhe gjakun që derdhej në Shkodër, por rendimentet e larta që siguroheshin nën udhëheqjen e Partisë e të shokut Ramiz! Kur në Tiranë rrëzohej nga qindra mijërat përmendorja e Enver Hoxhës, Xh.Shehu pikëllohej dhe kujtonte në biseda intime “të mirat e Enverit”. Prej këtyre mendësive u nis edhe sh.Hysni Milloshi që në një intervistë të tij, e quajti Xhevdet Shehun “birin trim të Mallakastrës Heroike”! Të gjitha shakatë e Xhevdet Shehut kanë objekt, fare rastësisht, vetëm opozitarët! Dhe së fundi, si korrespondent i “Zërit të Amerikës”, si e ka pasqyruar ai mitingun e madh “për Kosovën, me Kosovën”, pozicionimet e forcave të ndryshme politike ndaj pajtimit kombëtar dhe fillimin e fushatës elektorale, krejt të pabarabartë dhe tepër irritonjëse? Duhet thënë shkurt: nuk është në nderin e demokracisë shqiptare sidomos të radhës së gazetarëve të saj të shumtë e demokratë, që interpret i proceseve të tilla, që po zëvendësojnë sistemet shoqërore, të bëhet as më pak e as më shumë, por pikërisht sh.Xhevdet Shehu. A mund të ndihet mirë “Zëri i Amerikës” në zërin e Xh.Shehu? /Ylli Rakipi/
21 shkurt 1992
Nëpër labirintet e enigmës së floririt
Intervistë me z.Teodor Keko
Duke t’i ditur dhe preferencat ndoshta do të ndiheshin më mirë në këtë intervistë po të drejtoheshim si kolegë…
Padyshim! Më vjen mirë që në hyrje për mirëkuptimin midis nesh.
Ju keni shkruar relativisht rrallë në shtyp kryesisht në RD dhe po kaq rrallë keni folur edhe në Parlament. Veçse fjalia juaj ka ngjallur diskutime të mëdha. Ne do të na interesonte si fillim të ndalonim në këtë intervistë te problemi i artit shqiptar, të cilin ju e keni ngritur i pari në shtyp. Si erdhi te ju kjo ide?
Pa u zgjatur, do të dëshiroja të bëja pak histori: unë kam lindur në Tiranë dhe babai im ka qenë partizan që në vitin 1942 (në janar të këtij viti). Babai im ishte kinoregjisor dhe i njihte shumë mirë si ngjarjet e luftës, ashtu dhe arkivat e Kinostudios. Që fëmijë, ai herë pas here më tregonte për pasuritë e mëdha që u ishin grabitur individëve dhe kishës në veçanti. Ai nuk gënjente sepse duke pasur shumë shokë në luftë, fillimisht në krye të pushtetit komunist dhe duke xhiruar vazhdimisht filma dokumentarë i dinte nga burime të sigurta të gjitha ç’thoshte. Dhe duhej të fliste pak po të kemi parasysh ç’bënte diktatura atëherë. Si parantezë, mua më vjen keq që disa nga ish-shokët e tij, më pas të burgosur, të braktisur e të zhgënjyer nga PP, që unë ua di emrat e që kanë grumbulluar arin e popullit shqiptar, apo kanë lexuar relacionet për sekuestrimet e tmerrshme, sot nuk flasin ende. Këtë e konfirmoj edhe z.Blerim Çela kur tha se nga 1700 të sekuestruar, vetëm 90 kanë dëshmuar. Nga ana tjetër si i lindur dhe i rritur në Tiranë, unë kisha dëgjuar shumë histori për arin e Tiranës. Kisha dëgjuar nga tiranasit e moshuar që dallohen për pastërtinë dhe ndershmërinë e tyre, për kërdinë që kishin bërë mbi Tufinasit, mbi Shijaksit e mbi shumë të tjerë. Pata biseduar me shumë tiranas, si zotërinjtë Myslym Alla e Zihni Gjinali dhe isha tmerruar. Në Tiranë pata parë nga afër gjetjen e florinjve në themelet e ish-hotel Vollgës, dhe më vonë, kur kuptova se ku ndryshonte feudalizmi nga kapitalizmi në administrimin e floririt, arrita në konkluzionin se legjenda ishte e vërtetë. Në Shqipëri, deri në vitin 1945 mund të pranohet se mbizotëronte etja e grumbullimit të floririt. I gjithë ky informacion vinte nga rrugë të ndryshme, përforcohej kur dëgjoja të flitej nëpër Tiranë se djali i diktatorit Sokol Hoxha blinte që në fillim të viteve 80 sende floriri nga qytetarët që i shisnin për një kafshatë bukë dhe se kishte grumbulluar shumë syresh edhe me ndërmjetësinë e ndonjë nëpunësi të bankës (të cilët ende nuk flasin), por më ngushëllonte, siç më ngushëllon ende fakti që Enver Hoxha ishte për vete feudal 24 karat (vetë sistemi i kooperativave alla Hoxha e dëshmon këtë) dhe se s’mund të kishte vdekur pa lënë gjë pas ikjes nga kjo botë. Një injorant si Enver Hoxha nuk dinte ta shumëfishonte pasurinë, po ai dinte të ta bllokonte atë.
Nga rruga logjike kur arritët te fakti?
Kur gjeta në një revistë “Në shërbim të popullit” të vitit 1985 një shkrim, ku jepej një shifër prej afro 44 milionë napolona floriri e sekuestruar në kufi të viteve 1945-1948, pa llogaritur bizhutë dhe lingotat e floririt. Shifra ishte me copë dhe jo me gramë. Ajo gjithashtu nuk mbaronte me zero, pra nuk linte shteg për t’u justifikuar si gabim shtypi. Publikimi i kësaj shifre shkaktoi alarm te lobi i Partisë së Punës. Ai ka qenë dhe mbetet një lob kriminal, që kanë zakon të hanë kokat e njëri-tjetrit. Në atë kohë ata futën në qorrsokak thesarin e shtetit. Përgjigja e drejtorit të atëhershëm të këtij thesari ishte aventureske dhe zbuloi fakte të reja. Ai u përgjigj se unë gënjeja ose nuk isha i saktë, duke iu referuar shifrave. Ndau periudhën 1945-1990 (mos gabofsha) në tre katër periudha dhe dha shifra sa flori ishte marrë në çdo periudhë. Menjëherë mua më erdhën përgënjeshtrimet. Zoti Zihni Gjinali më tregoi vetëm për floririn e kapur më 1945 (një kamionçinë e mbushur me lingota floriri, që u kap në kufirin shqiptaro-grek), zoti Paskal Andoni më tregoi për floririn e gjetur nga vetë ai në Shkodër në vitin 1952; kurse Zoti Lulja, arsimtar nga Elbasani, më solli dëshmi për floririn e gjetur në Elbasan, rreth vitit 1972, kur hapeshin themelet e hotelit të Elbasanit (dëshmi e firmosur nga disa dëshmitarë okularë). Ishte qesharake, por vetëm këto tre dëshmi kapërcenin shumën e floririt të gjetur të çdo periudhe të deklaruar nga drejtori i thesarit të shtetit. Më pas unë kam dëgjuar histori rrëqethëse se si u grabitej floriri pasanikëve katolikë të Shkodrës (ata nuk duronin kur ua thërrisnin gratë në hetuesi dhe tregonin menjëherë gjithçka), si grabiteshin pasanikët myslimanë të Shkodrës, si u grabitën pasanikët me nam të Korçës (për ta shkruar hollësisht në RD), ata të Durrësit, të Tiranës, të Elbasanit etj. Histori të hollësishme të tmerrshme më ka treguar edhe zonja Drita Kosturi, e cila atë kohë ishte e burgosur në burgun e Shkodrës, por ndoshta ajo mund të flasë vetë publikisht në mënyrë të hollësishme për këtë çështje.
Si e shpjegoni ju që ende s’po jepet asnjë përgjigje e saktë për fatin e arit shqiptar?
E para, ata që dinë shumë ende nuk po vendosin të flasin. P.sh. të gjithë, ndoshta ish-punonjësit e vjetër të MPB dinë historinë komike, se si një shok i tyre hapi pas gati 20 vjet punë në këtë Ministri kasafortën e zyrës, e cila nuk i hynte në punë. Nga kasaforta rrodhën lumë florinjtë dhe ai i tmerruar vrapoi tek K.Hazbiu. Këtë histori e dinë shumë njerëz, mirëpo askush nuk e pohon publikisht. Të tjerë dinë mirë se në kasafortat e Enver Hoxhës apo Hysni Kapos mbaheshin florinj, të tjerë dinë se fëmijët e familjeve Hoxha, Shehu dhe Kapo kishin të drejtë të tërhiqnin mijëra dollarë para xhepi te çdo ambasador i yni jashtë shtetit. As këta nuk flasin. E dyta, nga zotërinjtë e thesarit askush s’ka marrë kurajën të tregojë çka parë dhe ç’di. P.sh. kur ne ishim si grup parlamentar në thesar, një njeri atje na tregoi se paskësh pasur një rregull që disa familje të mëdha të Byrosë Politike, kishin të drejtë të blinin sende floriri në thesar me lekë shqiptare. Domethënë, një unazë antike floriri, me diamante, hidhet në peshë, bëhet llogaria dhe blihet nja 1200 lekë të reja! A ka hajdutëri më të madhe? Një të tillë, sipas punonjësit të thesarit e ka blerë zonja Vito Kapo. Mirëpo këto dëshmi s’po duken ende në shtyp. As Banka e Shtetit nuk po tregon se kur ishte kursi i dollarit me 7 lekë të reja shqiptare, sa dollarë kanë blerë zotërinjtë e Bllokut. Dhe as hetuesia s’po i pyet ata të arrestuar nga Blloku që ka në dispozicion, se ç’dinë ata për masakrën rreth floririt shqiptar. E treta, qëndron te kambizmi, me anë të të cilit janë nxjerrë jashtë shtetit tonelata floriri dhe argjendi. A e dini se e gjithë ndihma italiane është afërsisht sa vlera e këtyre tonelatave? Hetuesia jonë duhet të zbulojë një gjë: ky flori dhe argjend është humbur në lojën e kambizmit, apo kambizmi ka shërbyer si lojë për sigurimin e këtij floriri në banka apo diku jashtë vendit? E katërta, që është më e rëndësishmja lidhet me gojëkyçjen heroike të ish MPB. Ata i dinë të gjitha, sepse procedura e sekuestrimit të floririt ka qenë kjo: floriri i gjetur nga një degë e MPB çohej në Bankën e Rrethit ku ishte zbuluar. Atje peshohej, numërohej dhe përpilohej një proces verbal në tre kopje. Njëra mbahej në bankën e rrethit, njëra në degën e MPB të rrethit dhe tjetra i dërgohej drejtorisë së policisë në MPB që merrej me grumbullimin e floririt. Të hysh në arkivat kolosale të MPB, të duhet mundim të hysh e nja një vit kohë t’i zhbirosh. Këtu bëhet vendimtare dëshmia e të sekuestruarit, e sekuestruesit apo dëshmitarit të ngjarjes. Po ta keni vënë re me kujdes, shumë dëshmi në raportin e zotit Çela kishin gjetur dokumentin përkatës në arkivin e MPB dhe në bankë. Po t’i kishim këto dëshmi, ne mund të bënim një kërkim të orientuar dhe mund të bënim një bilanc të përafërt të floririt të grabitur. Mirëpo njerëzit nuk kanë dëshirë të dëshmojnë. Kjo do të thotë se, ose nuk besojnë që do të dalë e vërteta në shesh, ose nuk duan t’i hapin më këto plagë të vjetra. Mirëpo ky mosbesim nuk shkon në të mirë të popullit tonë. Ky popull, po nuk e mori vesh realisht se si ia kanë futur thikën deri në kockë, dhe me ç‘hajdutë ka pasur të bëjë, mund të bjerë prapë në gabimin e parë: të futet edhe një herë gjysmë shekulli nën zgjedhë.
Cilën zgjidhje do të propozonit ju, që do të hidhte dritë mbi enigmën e floririt shqiptar?
Kjo ndërmarrje kërkon njerëz kompetentë. Duhet ekipi i arkivistëve, i cili do të merret vetëm me gjurmimin e arkivave. Duhet ekipi i ekspertëve financiarë, ai që do të shpallë numrin e të arrestuarve për 45 vjet për kontrabandë floriri dhe sasia që u është gjetur, duhet ekipi i cili do të kontrollojë të gjitha uljet dhe ngritjet e avionëve në Aeroportin e Rinasit, si dhe kush ka udhëtuar nga familjet e mëdha të Bllokut, duhen kontrolluar dhe fluturimet e këtyre 10 viteve të fundit të fëmijëve të familjes Hoxha, me emrat e tyre apo pseudonime, dhe pastaj kur të bëhen bilancet ka mundësi të themi: “e di, që na e paskan bërë mirë, se paskemi qenë budallenj”!
Ndoshta e kemi gabim, por ky popull këto 50 vjet ka vuajtur, sepse ka pritur ta ndihmojnë të tjerët. Kjo duket edhe në enigmën e floririt shqiptar. Mirë, administrata komuniste nuk flet, po i grabituri pse nuk e ngre zërin? A e dini se Myfit bej Libohova ka qenë një ndër antikuaristët më të mëdhenj të Ballkanit me rreth 20 mijë antikuarë? Ato iu grabitën dhe sot nuk gjenden as 2 mijë antikuarë të tij. Përse nuk flasin njerëzit e zotit Libohova për këtë masakër të pashembullt? Të gjithë presin, mirëpo jeta ka një ligj të hekurt: njeriu vetëm një gjë pret në jetë, vdekjen! Të tjerat, të mirat, po i deshi, punon dhe i gjen.
(Vijon në numrin e ardhshëm)
Në numrin e kaluar ju përmendët grabitjet që u janë bërë pasanikëve shkodranë. A mund të ndaloni konkretisht në këtë pikë?
Do dëshiroja t’ju përgjigjem përmes një dëshmie të një mikes sime rreth 40 vjet e burgosur dhe internuar politike: Në vitin 1949 unë hyra në tregun e Shkodrës. Në një birucë të burgut filluan të vinin gra. Vinin gratë e pasanikëve të shkolluar që nuk pranonin të paguanin gabimet. Gjatë hetuesisë, më 1947, e shtruar në spitalin e burgut atje sollën Jup Hoxhën, pronar i fabrikës së tisazhit në Shkodër. Atij i patën marrë një makinë me gjithë rimorkio me para letër. Mund të gjendet tatimi që i është vënë atij. Ka qenë një shumë fantastike. Mua m’u kujtua Jupi i shkretë, kur pashë gratë në burg. Ndodhi një fenomen tronditës: ç‘ishin gra myslimane, të Fazli Ademit me të vëllait të tij (pronar të fabrikës Taraboshi), gratë e familjes Tepelisë, të familjes së Riza Rusit, të Ulqinakëve liroheshin shpejt. Kjo tregonte se burrat paguan tatimet në flori. Po kështu me më rezistencë u dorëzuan familja Fistuni, Koka, Pogu në mos gabofsha, Serreqtë dhe disa familje të tjera që s’i kujtoj dot. Por ama ato ishin familje me kapitale të mëdha. Seç flori ua kanë marrë atyre, tregon një episod që më ndodhi në vitin 1950 natën e Vitit të Ri. Më thirri Hilmi Seiti në zyrë. Po hante e po pinte vetëm. Zyra ishte e madhe dhe, më besoni, zyra ishte e mbushur me dysheme e tavolina plot me monedha floriri, bizhuteri, sahat floriri, lingota floriri. Unë mbeta e shtangur. Pse më ke thirrur zoti Hilmi i thashë, duke u ruajtur mos shkelja ndonjë flori. “Të thirra të shikosh, më tha, shiko ç’florinj ke përpara teje!” Se ç’batërdi u bë në Shkodër tregon dhe rasti i Man Tepelenës në hetuesi. Kur po e pyesnin në hetuesi tha: dikur “kollaj”. “Pse, edhe kallajin ma gjetët?” Por Shkodra s’mund të kuptohet pa mbarë masakrën e floririt në Shqipëri. Një miku im, piktori i njohur Bashkim Ahmeti, më ka treguar se në Gjirokastër, sipas një dëshmitari okular ish-polic në DPD, është mbushur një dhomë plot me thasë me florinj (të sekuestruar), aq sa nuk hapej dot dera!
Në Gjirokastër pasanikëve u bëheshin tortura të përbindshme mesjetare. Unë këmbëngul që njerëzit të jenë më të ndjeshëm në çështjen e floririt, më aktivë. Çështja e floririt është gjithashtu kyçi në hapjen e një diskreditimi bindës, të faktuar, të diktatorëve të ardhshëm kriminelë e hajdutë. Me ç’ka ndodhur: viti 1952, fundi i fushatës së sekuestrimeve. Mblidhte “thërrimet” e verdha, ç’ishin këto thërrime. Vetëm nga dëshmia e zotit P.Andoni, ish-punonjës i MPB atëherë, janë zbuluar tek shkallët e një shtëpie në Shkodër rreth 30 kilogramë flori në lingota me stampë austriake. Këmbëngul të lutem: flisni dëshmitarë okularë, sepse floriri është këtu! Enver Hoxha, sikur ta hante floririn çdo ditë, siç hante djathin nuk do ta mbaronte dot të gjithë, edhe sikur largqoftë të vazhdonte të jetonte.
Ju jeni shkrimtar, njeri i kulturës. Si e shpjegoni faktin që në programin e PD, të publikut në RD, s’përmendet termi “kulturë”?
– Ky program është esencial. Ai nuk i përmend dot të gjitha reformat që synon. Do të ishte fatkeqësi nënvleftësimi i kulturës. Shqipëria e çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë. Enveri bënte shaka “të lezetshme” kur lëshonte të tilla sentenca. Shqipëria ka mbijetuar me kulturë. Onufri, Selenicasi, Paskali, Paco, Buza, Ibrahim Kodra e të tjerë në artin figurativ, Naimi me Rilindësit, Fishta, De Rada, Noli, Migjeni, Gjeçovi, priftërinjtë katolikë, Kadareja, Agolli e të tjerë në letërsi, Preng Jakova me shokë në muzikë, e ruajtën dhe e skalitën këtë portret që ka shqiptari sot. Shqipërinë e re do ta bëjnë vlerat që do të krijojë secili nga ne, vetëm vlerat! Për këtë arsye në fokusin e PD është reforma kulturore. Sot, pa u nisur nga paragjykime politike ne duhet t’i përzgjedhim emrat e kulturës shqiptare. Kush e meriton, të vendoset në themel, apo në murin e godinës së kulturës sonë, qoftë ky me bindje politike: demokratike, republikane, monarkiste e enveriste! Mos harroni: Salvador Dali, Erza Paund, për të mos u zgjatur me shembuj të tjerë kishin bindje fashiste. Por artin e kishin gjenial dhe njerëzor, prandaj i ruajtën. Po e bëmë seriozisht këtë seleksionim ne, përkrahësit e PD, do t’i bëjmë dhuratën më të çmuar Shqipërisë. Enveri e luftoi kulturën shqiptare, njerëzit e saj, sepse kultura ka pretendime ndaj pushtetit dhe thotë gjithmonë të vërtetën. Ç’ndodhi? U prish arkitektura shqiptare, humbën varietetet në bujqësi, u zbeh shpirti i kërkimit dhe i punës së shqiptarit. Këto janë shenjat e një kanceri kombëtar. Pa reformë kulturore ne jemi të vdekur! Prandaj kjo godinë duhet shembur e rindërtuar urgjentisht. Në Shqipërinë e nesërme, talenti i ri në letërsi do të bjerë në sy po filloi të krijojë në nivelin më të lartë të letërsisë shqipe. P.sh. në nivelin Kadare! Kush sulmon korifenjtë e kulturës shqiptare bën një krim kombëtar, sepse prish nivelet reale për nga ku duhet të nisen talentet e rinj shqiptarë. Është shumë i vështirë që një talent i ri shqiptar të krijojë më vonë vepra me vlerë, në qoftë se e fillon letërsinë e tij i mbështetur në nivelin e Lej Fenit. Të gjithë ata që deklarojnë se e duan Shqipërinë duken se sa e duan në qëndrimin që mbajnë ndaj figurave të kulturës shqiptare. Kultura nuk pret. Kjo nuk mbushet dot me fjalime të politikanëve. Ja shikoni Enverin: la nja 80 libra të trashë me fjalime dhe çfarë i mbeti? Ah, po që patatja është edhe bukë, edhe gjellë. Shqipërinë nuk mund ta bëjë dot të bukur një shpirt i shëmtuar.
Tani një pyetje që do të pritej me interes nga lexuesi lezhjan: si e pritët lajmin e rrëzimit të kandidaturës së zotit Preç Zogaj, më aktivin e PD në rrethin e Lezhës?
Me një trishtim të madh.
Ç ‘mendim keni ju për zotin Zogaj dhe si e interpretoni rrëzimin e kandidaturës së tij?
Preçin e kam njohur ditën e mbrojtjes së diplomave në vitin 1983. Ai e kishte mbaruar shkollën e lartë me korrespondencë dhe punonte mësues në Malësitë e Lezhës mos gabofsha. Në diplomë u vlerësua me notën 10. Pa u treguar tolerant, mendoj se këtë notë ai e meritonte edhe në gazetari, në poezi e në sensin politik. Si artist, Preçi është ndër më përfaqësuesit e brezit të tij dhe me një formim kulturor të admirueshëm. Si njeri, Preçi nuk e njeh prapaskenën dhe ç’mendon, ta thotë në sy. Si patriot ai vlerësohet nga fakti se është ndër ata që themeluan PD dhe i pari drejtor i gazetës RD. Si e interpretoj unë rrëzimin e kandidaturës së tij? Opozita shqiptare ka një armik shumë të rrezikshëm sot, mediokritetin. Këtë ne na e krijuan diktatorët e djeshëm, sepse diktatura është një pushtet i salduar në kohë e në hapësirë, e mbështetur në mjerimin total, që e urren lëvizjen përpara. Diktatura i luftoi përbindshëm intelektualët, pasi një intelektual i vërtetë gjenetikisht është radikal, i çdo ngjyre politike qoftë, sepse i mençuri çdo sekondë punon të mohojë të vjetrën përmes krijimit të së resë. Shikoni “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur” të Kadaresë, për shembull. Kjo vepër mohoi një realitet letrar shqiptar të vjetër dhe krijoi një realitet letrar të ri. Duke e ndjerë rrezikun që i kanosej nga ky radikalizëm, Enver Hoxha u bë pronari që kishte tapitë e vendeve të punës dhe të drejtave të studimit. Enveri e mohoi futjen në punë apo në universitete me konkurs. Kështu, për mjerimin tonë, shumë pak shqiptarë dhe vetëm ata me talent specifik të dukshëm si artistët apo sportistët, arritën të punojnë apo të studiojnë në vendet ku kishin prirje natyrore. Shumica u çuan në vende ku s’prodhonin dot asgjë cilësore. Kjo politikë e vrau talentin kombëtar, e uli shumë nivelin cilësor të inteligjencës dhe mbolli mediokritetin që kemi sot. Ky mediokritet ka dimensione të mëdha, është kombëtar. Shumica e shqiptarëve nuk janë ulur në karrigen që u takon. Talente letrare përfunduan në inxhinieri, matematicienë të lindur studiuan për letërsi; me dy fjalë: katrahurë dhe batërdi! Sot, futja e ekonomisë së tregut kërcënon të lërë pa punë shumë shqiptarë, derisa guri të rrokulliset e të shkojë në vendin e vet. Një pjesë e madhe prej nesh e kanë kuptuar këtë tragjedi që na e dhuroi diktatori Enver Hoxha, por reagimi i tyre është i ndryshëm. Disa e kanë lënë punën e parë dhe kanë filluar të bëjnë atë punë që kanë për zemër. Disa presin ç’do sjellë e nesërmja. Disa janë vërsulur opozitës, kanë grabitur një vend në radhët e saj dhe po e mjelin si lopën, por pa i dhënë ushqim. Të tillë fatkeqësisht, has edhe në PD. Këta mediokër luftojnë intelektualin, i cili ka tendencën t’i zbulojë dhe t’u thotë publikisht: ikni se nuk bëni për këtë punë! Ata bien shpejt preh e zilisë, bëhen servilë dhe vegla me të cilat zbatohet hakmarrja e vjetër. Atëherë ata hidhen në sulm të parët kundër intelektualëve dhe ndodh të bëjnë atë që ndodhi në Lezhë me Preçin. Unë mendoj se Preçin e rrëzoi mediokriteti “unë” dhe jo PD. Pikërisht për këtë fakt u trishtova shumë. Kjo tregon se mediokriteti “unë” është i fortë dhe do të na hapë shumë probleme, po nuk e luftuam bashkërisht. Megjithatë, shpresoj se ka ende kohë për të ndrequr gabimin e bërë lidhur me Preçin dhe unë shpresoj se logjika, në rastin e Preçit do të triumfojë mbi mediokritetin ordiner.
Mos është ky mediokritet i lidhur edhe me largimin nga skena politike të zotit Neritan Ceka?
Kam frikë se po! Përderisa gazetat e lakojnë në të gjitha rastet emrin e Neritanit, kjo do të thotë se ai ende nuk është larguar nga skena politike. Kur ta harrojmë të gjithë ne, atëherë ai do të ketë ikur. Mendimin tim për deklaratat që bëri ia kam shprehur hapur Neritanit dhe grupit tonë parlamentar të PD. Nuk është ndonjë mendim i çuditshëm që ta përsërisja sërish këtu. Personalisht, për një gjë më erdhi keq: që grupi ynë parlamentar e sulmoi me një deklaratë tepër të ashpër Neritanin. Ne e kemi deklaruar disa herë publikisht për arsyet e shprehura edhe në këtë artikull, diktatura e la vendin pa shtresën e politikanëve. Po të pranojmë këtë të vërtetë ne në praktikë duhet të tregohemi më tolerantë ndaj politikanëve tanë të rinj, jo t’i gjykojmë veprimet e tyre si veprime të Kisingerit, Theçerit, apo Andreotit. Neritani zbuloi mediokritet politik me deklaratën e tij; ne zbuluam mediokritet parlamentar me deklaratën tonë, shtypi zbuloi mediokritet publicistik me sulmet tepër agresive që i bëri Neritanit. Qoftë hera e fundit që mediokriteti mbyt maturinë dhe del kaq hapur në pah.
Ju i qëndroni më shumë besnik vetvetes apo PD? A besoni në një fitore të PD në zgjedhjet e 22 marsit dhe si e gjykoni potencialin e PD në raport me PS?
Në politikë mua më futi PD. Ata që më njihnin si profesionist dhe si njeri, më afruan në PD, prandaj unë i qëndroj besnik vetvetes dhe jo PD. Kam besim se kështu i shërbej më shumë PD dhe demokracisë shqiptare. Besoj se PD do të fitojë në zgjedhjet e 22 marsit, sepse është një forcë politike potente, me dominim të logjikës dhe ka sens perspektiv. PD me PS, për mua si Teodor, janë dy gjëra krejt të ndryshme; PD-në unë e dua dhe e kam si njeriun me të cilin jetoj çdo ditë, ndërsa PS më ngjall mosbesim dhe i qëndroj larg. Për këtë arsye PS për mua në gjendjen e saj të sotme është si një njeri i keq që i ke vënë kryqin. Unë nuk mund ta kapërdij dot faktin se kryetari i PS dhe nënkryetari i saj, në mos gabofsha, Gramoz Ruçi, ka qenë Kryeministër e Ministër i MPB kur u krye masakra e Shkodrës; më ftoh fare fakti se në krye të PS sot janë disa nga ish-gazetarët që e shanë më shumë opozitën në ZP në prag të zgjedhjeve të 31 marsit. Këta njerëz nuk mund të rinovohen, ata vetëm mund të transformohen nga një lëndë në një tjetër dhe kjo do të ndodhë vetëm kur t’u vijë natyrshëm prehja e madhe. Të kthehem te PD-ja. Ajo ka shumë energji dhe mençuri. Mendoj se pas zgjedhjeve të 22 Marsit kjo parti do ta luftojë në mënyrë të pandërprerë mediokritetin që ka hyrë kontrabandë në radhët e saj, mediokritet që sjell me vete zilinë, servilizmin, hakmarrjen e të tjera rudimente të tilla në trupin e demokracisë. Mendoj edhe se opozita në përgjithësi vuan nga mania për të bërë deklarata. Ata duhen, por le të vijnë gradualisht pasi të jetë organizuar debati publik për çështje të caktuara. Sepse ngjarjet e rëndësishme politike shpesh janë tip ajsbergu. Nuk mund të hapen lehtë me çelësin që ke në atë çast në dorë.
A ndiheni i fyer nga sulmet që ju kanë bërë disa gazeta juve personalisht?
I fyer jo, i mërzitur po. Më mërzit fakti që në mendimin tonë ka ende primitivizëm dhe mediokritet. Për shembull në një numër të gazetës “Kosova”, unë shahesha mbarë e prapë si antidemokrat, apo pseudodemokrat, pse kam shkruar fjalë të mira për talentin e Dritëro Agollit. Kur flitet për profesionistin nuk shikohen ngjyrat politike të tij. Tani, lind pyetja a është shkrimtar i shquar Agolli? A është një talent i jashtëzakonshëm Kadareja? Organizoni një anketë popullore dhe nëse populli përgjigjet “jo”, më akuzoni si gënjeshtar dhe pseudodemokrat. Veç, nëse populli përgjigjet “Po”,atëherë si do ta motivosh këtë qëndrim fyes? Gazeta “Kosova”është për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën e Çamërinë dhe unë i kam vlerësuar sinqerisht disa shkrime vërtet racionale te kësaj gazete. Por, realizimi i bashkimit të madh kërkon të paraprihet nga realizimi i bashkimit të shqiptarëve. E dini ç’ndodhi në një takim të shkrimtarëve dhe artistëve për organizimin e LSHA-së? U shfaqën tendenca që Kadareja me Agollin të denigrohen? Tani, unë deputet i PD (atë kohë) shtroj pyetjen: do bashkohemi mbi bindjet politike apo mbi vlerën e talentit që kemi? Po të kenë bërë krime Kadareja me Agollin, i hedhim në gjyq, ama, talentin të mos t’ua mohojmë, se gënjejmë dhe krijojmë një imazh të rremë për vlerat ku arrin talenti shqiptar. Ndalova te shkrimi “Kosovës”, sepse ajo është gazetë e opozitës. Unë me artikullshkruesin jemi ulur në të njëjtën krah të sallës ku luhet e gjykohet politika shqiptare. Përsa i përket sulmeve të ZP dhe të kuqalashëve të tjerë, nga ata s’pres asgjë të mirë. Ata më kujtojnë adoptimin e vargjeve të asaj këngës së njohur: “Te plepi i Bilishtit, dy martina ranë, bir, Selman i nënës, kë të qajë më parë, në një gojë këndojnë 700 hajvanë!”
Më duket se padashje ratë në fyerje.
Kështu thotë populli, ky është folklor.
Po për ju ç’do thotë nesër populli?
Detyra ime është të mbetem i ndershëm, mos të harroj që jam shqiptar dhe që nëna ime e ka emrin Shqipëri, si dhe të shkruaj vepra me vlerë për këtë popull.
Ju po nxitoni të ndahemi, por ndoshta i përgjigjeni dhe pyetjes së fundit: nëse PD një ditë fraksionohet, ju në cilin krah do të shkonit?
Kjo është hipotezë, por po i përgjigjem: do të studioja fraksionet për të dalluar cili është vërtet radikal dhe do të shkoja te radikalët. Radikalizmi i vërtetë është shpëtimi i Shqipërisë. Çfarë konsideroj unë radikalizëm? Në ekonomi, reformë ekonomike. Në shoqëri, denoncim të ashpër të perversitetit njerëzor. Me këtë kuptoj atë që kam shprehur edhe një herë në Parlament: Një gjyq të tipit të Nurembergut, ku kriminelët e diktaturës, të gjallë e të vdekur, të akuzohen për represion ndaj popullit shqiptar! Në kulturë, nivel evropian. Vetëm se radikalizmi kërkon mençuri, kurajë dhe qëndrueshmëri. Ai s’ka mëshirë. Motoja e tij është “përpara!”. Kush ndalon, se është dembel, se s’ka kurajë, se s’ka fuqi, fatkeqësisht do të vdesë. Nuk ka faj askush. Nëse unë jam shkrimtar mediokër dhe dua të jetoj si njeri duhet ta braktis këtë mjeshtëri dhe të gjej vetveten në një punë tjetër. Motoja ime sot është: zilinë ta zëvendësoj me gjetjen e vetvetes, hakmarrjen me punën.
6 mars 1992
Trupi i atdheut po shkrumbohet. Fatos Nano dhe Sali Berisha vazhdojnë mitingjet!
Çdo natë kronika rrëqethëse jep TV. Çdo natë, të paktën një jetë njeriu ikën. Kurse djegiet dhe shkatërrimet u bënë të zakonshme. Kanë filluar të bëhen pjesë e jetës, bile në qoftë se ndonjë natë në lajme nuk përmendet fjala djegie dhe vrasje, duket si diçka e jashtëzakonshme. Nga ana tjetër, mori mitingjesh e fjalimesh, mori propagande elektorale; premtime të pafundme. Sapo organizon një miting Sali Berisha, natën tjetër spikeri i TV flet për një mbledhje ose tubim të madh eurosocialistësh, ku lideri socialist Fatos Nano “zbërtheu idetë socialiste për të futur Shqipërinë në Europë”. Sapo Fatos Nano mbërrin në Berat, ia beh Sali Berisha. Sapo Berisha pi kafen e mëngjesit në Gjirokastër në drekë mbërrin Fatos Nano. Mori fjalimesh. Janë në natyrën e fushatës elektorale ecejaket. Edhe premtimet. Por në natyrën e fushatës elektorale në mbarë botën, nuk janë djegiet, nuk janë mëritë me Atdheun, dhe, në qoftë se doni ta kuptoni NJERËZ ose me gjuhën e fushatës elektorale, VOTUES, trupi i Atdheut, tashmë nga djegiet e zakonshme po merr plagë pas plage, shqyerje, dhe largqoftë, ndofta edhe SHKRUMBIM. Kujt i duhet pas 22 marsit një trup i shkrumbuar? Kujt i duhen pas 22 marsit njerëzit e terrorizuar nga psikoza e frikës, e vrasjeve dhe e mosperspektivës? Secili nga liderët kryesorë flet në emër të drejtësisë, secili premton demokracinë, secili hipën e zbret nga avionë që të çojnë në Evropë, secili shikon brenda kontureve të partisë se vet. Por partia më e madhe, siç e quajti “Profeti” ynë Akademiku Rexhep Qosja, është POPULLI. Dhe populli ka një Atdhe të caktuar. Dhe Atdheu kërkon bijtë e saj të sinqertë, kërkon të shërojë plagët. Nuk kërkon t’i lëndojë ato më tepër, nuk kërkon që trupi të paralizohet, ku nesër (mundet) dhe Fatos Nano, edhe Sali Berisha të pendohen për një moskorrektësi ndaj interesave mbarëkombëtare gjatë fushatës elektorale. Por, pastaj do të jetë vonë. Një Atdhe i shkrumbuar nuk i hyn në punë kurrkujt. Ai nuk shërohet, ai vetëm nxjerr shkrumb. Dhe shkrumbi në duart e dy liderëve, që të paktën, sot për sot, kanë fatet e kombit në duar, do të krijojë nëpër gishta ca vija të zeza. Dhe e zeza dihet se çfarë shpërblimi merr./Nikoll Lesi/
13 mars 1992
Dritero Agolli: Kuvendi kombëtar i krijuesve dështoi, përse?
Zhvillimi normal i demokracisë nuk mund të bëhet pa qetësuar në radhë të parë shpirtrat e shqetësuar të shkrimtarëve dhe artistëve tanë
Shkruar nga Dritero Agolli
Që kur u zgjodh ai komision organizativ në mbledhjen e zgjeruar të kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në dhjetor të vitit të kaluar, u duk qartë se ky Kuvend do të dështonte. Dy tre anëtarët më aktivë për punë të pastra dhe të këqija me zotin Gjergj Zheji në krye ishin për shkatërrimin e Lidhjes. Ky zotni që në dhjetor u shpreh haptazi se Lidhja duhet shpërndarë, se duhet bërë një kuvend për shkatërrimin e saj. Dhe për atë nuk ka rëndësi Lidhja, pasi është një shkrimtar anonim, pa asnjë vlerë, një ish-libretist pranë Teatrit të Operës dhe Baletit, një vjedhës i rëndomtë librash. (Një libret që ia ka vjedhur Ruzhdi Qatipit dhe tjetrin Kolë Gjakovës, të cilët donin ta hidhnin në gjyq prej kohësh, por e lanë. U ankuan në Opera, në Lidhjen e Shkrimtarëve, por mua më dukej si e pabesueshme: Dhe ky ishte gabimi im, që nuk mbrojta të drejtën e autorëve). Pra, i gjithë ky komision, duke përjashtuar ndonjërin dhe zotin Preç Zogaj, i cili nuk u angazhua me të, ishte një grup njerëzish pa vlera dhe pa asnjë autoritet në fushën e letërsisë, një grup që i kishte vënë vetes për detyrë të shajë e të hedhë baltë vetëm mbi figurën e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Me një fjalë për të organizuar jo një kuvend shkrimtarësh, por një miting denoncuesish dhe shpifësish ndaj kryetarit dhe kryesisë. Prandaj në të ashtuquajturin kuvend shkrimtarësh të 3 marsit, gjëmuan boritë dhe daullet e Gjergj Zhejit, të vjedhura si libretet nga Teatri i Operës dhe Baletit, rrahën teneqetë e Valter Files të marra nga rekuizita e Kinostudios që trumbetonin për gjak, dhe u dëgjuan psherëtimat e vuajtjeve të mëdha të ndonjë amazonke të poezisë, vuajtje dhe mjerime nga profesioni i lirë që gëzon që në moshën 27-vjeçare! Por njerëzit me mend si Pëllumb Kulla, Preç Zogaj, Teodor Laço, Edi Rama, Tahsim Aliaj, Fatbardha Shkupi e ndonjë tjetër ndërhynë me vend dhe folën si shkrimtarë dhe artistë, që u dhimbset arti dhe që preokupohen me realizëm për perspektivën. Në pseudokuvendin nuk u pa Lidhja si fenomen, si një ingranazh në gjithë mekanizmin kolosale të diktaturës për të kontrolluar dhe për të komanduar krijuesit, nuk u pa edhe si ndihmëse e këtij mekanizmi, por në të njëjtën kohë edhe si pjesa më liberale e më kundërshtuese e regjimit. Lidhja në këtë Kuvend u pa si fenomeni Dritëro, si objekt për të shfryrë inatet e mëritë, smirat dhe zilitë provinciale të dështakëve dhe të impotentëve, që në vezë të krijimtarisë së tyre. Kuvendi dështoi plotësisht, pasi grupi organizativ është pa autoritet, është pa intelektualë të lartë krijues, është grumbull anonimësh që nuk i njeh as rrëza e lumit Lanë. Duke qenë një grup anonimësh, ky komision nuk ka sensin e perspektivës, sensin e qëllimit të ekzistencës së Lidhjes në kohën kur janë krijuar 10 lidhje e shoqata të tjera shkrimtarësh dhe artistësh. Ç’anëtarë do të ketë kjo Lidhje, kur ata kanë ikur nëpër 10 lidhjet e shoqatat e tjera.
Lidhjen sot mund ta quajmë “Lidhja e Anëtarëve të Komisionit Organizativ” pasi vetëm ky komision ka mbetur në Lidhje, duke aktivizuar edhe një, dy a tre pensionistë të tjerë, përveç dy a tre që janë në komision. Gazeta “Drita” në lajmin e botuar më 8 mars, mbledhjen dështake e quan “Kuvend Konsultativ”. Atributi “konsultativ” është një mballomë e qepur më vonë, pas dështimit. Në ftesë, me pompozitet, quhej “Kuvendi Kombëtar i Shkrimtarëve dhe Artistëve”. Bile kjo ftesë kishte dhe vlerën e mandatit për votime. Dështimi u emërua dalëngadalë, “konsultim” për t’u dhënë pjesëmarrësve nga një karamele dhe për të zgjatur pakëz jetën e këtij komisioni të plakur me meritë dhe inatet pleqërishte e me impotencën krijuese./Dritëro Agolli/
6 mars 1992
Nuk janë intelektualët ata që kanë nevojë për partitë, por partitë kanë nevojë për intelektualët
Intervistë e shkrimtarit Agim Isaku dhënë redaktorit tonë Aleksandër Frangaj
Megjithëse keni lindur dhe jeni rritur në Devoll, shumë veta ju dinë nga Lezha dhe sa herë që flitet për shkrimtarët lezhjanë, mes tyre jeni patjetër edhe ju. Si e vlerësoni veten?
Përherë përgjigjem për këtë pyetjen nuk e kam pasur të lehtë. Nuk jam ai që mohoj lidhjet e mia të thella me Devollin, as aq që shpërfill rëndësinë e Lezhës në jetën dhe krijimtarinë time. Unë do të thosha se Lezha më dha një dimension që nuk mund ta fitoja diku tjetër, atë të Veriut. Njëherësh më dha mallin e paprerë për Jugun. Edhe në vëllimin tim të fundit me novela “Dy kronika për një vrasje” që u vu tash në qarkullim, mendoj se janë të dallueshme të dyja këto.
Ju keni punuar dhe jetuar për 8 vjet në fshatin Rrilë. A e konsideroni veten të persekutuar nga diktatura komuniste në përgjithësi dhe nga zyrtarët e Lezhës veçanërisht?
Tani, me ç’po shohim, është koha e alibive. Të gjithë duan të shpallen si ish të persekutuar nga diktatura dhe bëjnë çmos për të siguruar fletë dëshmitë. Duan të paraqiten si njerëz që e kanë pasur biografinë “të keqe”, që gati-gati e kanë ngjitur me zor nëpër tribuna, me zor i kanë detyruar të mbajnë fjalime të zjarrta… e vërteta duhet mësuar shpejt nga të gjithë: në portat e demokracisë nuk hyhet njëlloj si në portat e një partie komuniste, pra duke treguar biografinë, duke u mburrur me xhaxhanë, me pjesëmarrjen në demonstratat, e ku ta di unë, me ç’marifet tjetër. Në portën e demokracisë hyhet me vepra konkrete, me aftësi, me sinqeritet, dashuri për njeriun dhe jetën. Sidomos në këto porta nuk hyhet me sharje.
Pra, ju…?
Si mësues që kam qenë, unë e quaj veten të persekutuar në po atë masë sa edhe të gjithë mësuesit e tjerë që kam shërbyer me dhjetëvjeçarë nëpër fshatra, larg vatrave familjare, me privacione të panumërta; kurse si krijues them se kam qenë i diferencuar. Ishte një rast unik që autori i 6 librave, (aq kisha botuar sa isha në Rrilë), të vazhdonte të punonte në fshat në kushtet e mungesave asfiksuese për një krijues. Por unë do të shtoja se në Lezhë të tre ne poetët e atëhershëm ishim të persekutuar: Ndoc Gjetja, shërbente në Shën Koll, Rudolf Marku në Zejmen, kurse unë në Rrilë. Më pas fatin tonë e pati edhe Preç Zogaj, i cili u emërua në Velë. E vërteta është se tharmin antikomunist dhe antidiktatorial unë e gjeta dhe te miqtë e mi. Mbaj mend si tani një natë nga ato me erë dhe shi që janë aq të shpeshta në Lezhë. Së bashku me Rudolfin po e përcillnin Ndocin në këmbë për në Shën Koll ku e priste gruaja dhe fëmija i vogël. Ishte natë pus e zezë. Dikur ndaluam. Nuk është e rastit që na kanë hedhur kështu tre poetë në këtë fushë të zezë tha Ndoci dikur, ashtu mendueshëm. Dhe sigurisht që nuk ishte e rastit. Ankthi i sigurimit të shtetit na qëndronte pezull sipër kokës dhe vargjeve që shkruanim. Shumë nga miqtë dhe të afërmit tanë poetë ishin tashmë në burgje. Ne rezistonim dhe lidheshim më fort me shoku-shokun duke krijuar kështu atë që me një urrejtje jo të rastësishme u thirr “shkolla e Lezhës”. Më pas, këto vitet e fundit, kur u spikatën emrat e intelektualëve Preç Zogaj e Remzi Lani, nën emrin e kësaj shkolle futeshin pothuajse të gjithë të rinjtë që i shmangeshin në një mënyrë apo në një tjetër konformizmit. Kështu, nga shumë veta quheshin se ishin prej Lezhe edhe Ilirjan Zhupa, edhe Besnik Mustafaj. Vështruar në këtë plan, zyrtarët e Lezhës nuk kishin gabuar me nuhatjen e tyre dhe detyrën ndaj shtetit e kishin kryer besnikërisht. E përsa i përket vizatimit të këtyre zyrtarëve nuk po zgjatem pasi këtë e kanë bërë më së miri shokët e mi, Rudolfi, Preçi e Remziu në intervistat e tyre. Unë do të ndalesha te një dukuri interesante e pluralizmit në Lezhë. E kam fjalën pikërisht për zyrtarët. I keni përsëri nëpër zyra. Menjëherë kur u dha sinjali i krijimit të komiteteve pluraliste ata ndërruan “pardesytë”dhe aderuan nëpër parti të tjera. Ndërruan kështu vetëm numrat e zyrave dhe shkallët, drejtorët u bënë shefa, shefat drejtorë. Janë po ata që inicionin mbledhjet ndëshkuese për organizatorët e degës së Partisë Demokratike, po ata që i mbajtën iso Ramiz Alisë në mallkimet e artikuluara kundër pluralizmit. U gjenda në Lezhë para disa ditëve. Ishin po ata. Po ata që tani niseshin nëpër makinat e degëve të partive për në Hotelin e Gjuetisë, po ata njerëzit që i rrethonin, po ai indiferentizmi dhe mosbesimi i vjetër i Lezhës. Të kuptohemi, nuk jam për pastrime radikale, por nëse gjykohet që rrethin do ta udhëheqin drejt organizimeve të reja po ata që e kanë drejtuar për dhjetëra vjet, atëherë kot e paskemi bërë pluralizmin, pasi mirë na i paska zgjedhur njerëzit edhe Partia Punës. Ndërtimi i një shoqërie të vërtetë demokratike fillon atje ku njerëzit zënë vendet që meritojnë sipas zotësive, zotësi të cilat i shprehin përmes konkurrencës së lirë. Unë besoj se ashtu si dikur poetët tash të njohur të Lezhës, përsëri ka nëpër fshatra djem e vajza, të cilët ende nuk janë realizuar. Vetëm krijimi i mekanizmave demokratikë dhe funksionimi i tyre do të bëjë të mundur që ata nesër të mos kenë mundësi të thonë nëpër intervista: ne na persekutoi pushteti pluralist. Kjo do të ishte absurde, këtë koha nuk do të na e falë.
Ju së bashku me bashkëshorten tuaj Vera Isaku ishit ndër të parët që bashkëpunuat me gazetën e parë opozitare “RD”. Më pas emrin tuaj sikur e kemi ndeshur më rrallë, sikurse dhe të shumë intelektualëve të tjerë. Ka shkaqe për këtë?
Sigurisht që ka, por jo ato që mendoni ju. Me Partinë Demokratike dhe shtypin e saj u bashkuan që në krye të herës një numër i madh intelektualësh të cilët edhe nën diktaturë ishin përpjekur të mos konformoheshin. Në këtë vështrim Partia Demokratike më shumë se një parti, ishte një front antikomunist. Në të, njerëzit futeshin vetëm nën këtë emërues të përbashkët, por vazhdonin të ruanin identitetin e tyre intelektual. Me kalimin e kohës, çdo ditë e më shumë mëvetësitë e tyre filluan të decentralizoheshin. Mirëpo partia normalisht ka një disiplinë, ka një normë, ka edhe një platformë. Jam i mendimit se hapja e shtegut për diversitet dhe kundërti mendimesh që në fillim, do ta mbante pranë masën e intelektualëve të cilët përgjithësisht nuk kanë dëshirë të instrumentalizohen. Sidomos një pjesë e mirë e intelektualëve që u afruan me Partinë Demokratike. Ata nuk ishin konformuar nën diktaturë, jo të konformoheshin pastaj në demokraci. Ndoshta për këtë ndikoi rrjedha tepër e shpejtë e ngjarjeve në Shqipëri. Ndoshta edhe recidiva e mendësisë komuniste për unitetin, ndoshta edhe ambicia për pushtet e njerëzve të veçantë. Përveç kësaj menjëherë pas krijimit të shtypit të lirë, në RD, vërshuan me qindra e mijëra njerëz të cilët donin të thoshin një fjalë, të nxirrnin një duf, të prononcoheshin kundër diktaturës. Ishte në nderin e intelektualëve që të tërhiqeshin dhe t’u bënin vend këtyre njerëzve. Një faktor tjetër ishte dhe zëvendësimi enigmatik i Frrok Çupit me të ftohtin dhe moskomunikuesin Napoleon Roshi. Megjithëkëtë, unë vazhdoj të mbetem bashkëpunëtor i gazetës dhe botimi në të më sjell kënaqësi. Një gjë duhet të jetë e qartë nga politikanët e sotëm pavarësisht nga partitë që përfaqësojnë: nuk janë intelektualë ata që kanë nevojë për partitë, por partitë kanë nevojë për intelektualët.
Meqë u futëm në politikë: flitet për dy linja në Partinë Demokratike, pra edhe për dy qëndrime e fraksione…
Këto janë punët e Partisë, por meqë Partia Demokratike është e ardhmja e Shqipërisë, mendoj se janë detyrimisht edhe punët tona. Unë jam për bashkimin e ndershëm të të dyja linjave, nëse vërtet ekzistojnë si të tilla. Them “bashkim i ndershëm”, pasi shpesh bashkimi kërkohet si nënshtrim i njërës palë ndaj tjetrës. Kohët, kur siç na mësonte Enver, njerëzit ulen në një tavolinë, bisedojnë dhe dalin në një mendim të përbashkët, kanë perënduar njëherë e përgjithmonë. Le të mos harrojmë për asnjë çast se në bazë të demokracisë është toleranca, kompromisi. Nga fjala kompromis kam pasur dhe kam frikë vetëm komunistët ekstremistë, ata që në themel të mendësisë së tyre kanë luftën, shfarosjen, asgjësimin, shkatërrimin. Të gjitha kthesat e mëdha në historinë e një kombi nuk mund të përballohen pa kompromisin. Kompromisi nuk është shitje, tradhti. Bazë për kompromis ka gjithmonë në periudha tranzicioni, pasi p.sh. përveç veçorive që kanë normalisht, partitë kanë edhe një politikë të përbashkët, atë kombëtare. Mirëpo unë vë re se jo vetëm fjala kompromis, por edhe ajo tolerancë përdoret gjithnjë e më pak. Kjo mendoj se nuk është në të mirë të demokracisë.
A mendoni se demokracia ka ecur përpara në Shqipëri?
Pa asnjë dyshim. Përveç çlirimit të fjalës u çliruan edhe prona private dhe iniciativa e lirë, kushte bazë për ndërtimin e një shoqërie demokratike. Për shkak të destabilizimit të rendit, ka mjaft njerëz që për këtë fajësojnë demokracinë. Kjo sigurisht që nuk mund të jetë e vërtetë. Është një shtresë njerëzish që po u ikën pushteti të cilët në veprimtarinë e tyre udhëhiqen nga deviza: Tani që po iki unë, zjarri t’i bjerë Shqipërisë! Ka edhe një shkak tjetër kjo thashethemnajë: demokracia e re në Shqipëri deri tani nuk ka përmbushur misionin e demontimit të diktaturës dhe të shprishjes së sistemit socialist. Vetëm fitorja e plotë e pushtetit pas zgjedhjeve do ta vërë atë para detyrës së ndërtimit. Atëherë, mendoj, do të jetë edhe një nga provat e saj më të vështira. Këtë fazë mund ta përballojnë vetëm njerëzit që kanë sens konstruktiv dhe aftësi.
Ju mendoni se nuk ka vend për të hetuar gabime në rrugën e demokracisë sonë?
Sigurisht që ka. P.sh. mendoj se mungesa e një platforme të studiuar mirë, e ka bërë që vetë diktatura të mos marrë deri në fund dënimin e saj moral, ende nuk është përcaktuar krimi i diktaturës thellësisht… Po demokracia te ne është tepër e re dhe të gjitha këto janë të kuptueshme.
Cili mendoni se është rreziku eminent i demokracisë sonë?
Etja dhe padurimi i disa njerëzve për pushtet. Gjithashtu, mendoj se më mirë duhet të gjejë ajo raporte të drejta mes interesave partiakë dhe atyre kombëtarë. Dhe të mos harrojë për asnjë çast se ka përballë Ramiz Alinë, pasi jo një herë ka rënë në grackat që i ka ngritur ai. Ngritja e grackave, prej kohësh ka qenë dhe mbetet një nga mjeshtëritë e tij kryesore. Pas pothuajse gjysmë shekulli represioni komunist, demokracia, ka edhe rrezikun e revanshizmit. Duket disi paradoksale por revanshizmin përgjithësisht e demonstrojnë ish-komunistët të cilët me anë të gjesteve të forta duan të dëshmojnë se nuk janë më komunistë. Gati ironikisht, thuajse nuk pëlqehen më në opozitë ata që s’kanë qenë asnjë ditë komunistë. Pastaj, a nuk i keni vënë re se në opozitë kanë vërshuar shumë kostume gri, instruktorë, zyrtarë të mesëm, qytetarë të së mesmes së bindur e të nënshtruar.
Pati shumë zhurmë rreth kandidimit apo jo për deputet të Preç Zogajt, si e gjykoni ju?
Një turp për ata që e organizuan. Me mitingun paqësor, që organizoi në mbështetje të Preçit, populli i Lezhës shprehu së pari qytetarinë e vet dhe vizionin konstruktiv për demokracinë. Mendoj se Preçi është një nga politikanët e rinj më të spikatur të opozitës. Ndërrimi i tij me një farë Tonin Alimhilli (kështu quhet nëse nuk gaboj) është një njollë e zezë në rrugën e demokracisë sonë, fyerje për Lezhën dhe kontributin e saj për demokracinë.
Ju keni qenë për pak kohë Nëndrejtor i përgjithshëm i RTSH. Pse nuk jeni më?
Rezervoj të drejtën që kësaj pyetje t’i përgjigjem pas zgjedhjeve, të cilat shpresoj t’i fitojë opozita. Shpresojmë të gjithë.
Dhe tani përsëri te letërsia. A mendoni se do të ketë rirenditje të vlerave letrare të krijuara në Shqipëri nën diktaturë?
Pluralizmi do të reflektonte domosdoshmërish edhe në gjykimin e vlerave letrare. Dhe që ky gjykim të bëhet kësaj radhe i saktë për të mos u rikthyer dhe një herë më pas, ai duhet të çlirohet nga metri “se shkrimtari dhe vepra e tij është ndihmëse e partisë për edukimin e masave” (kupto sa është shërbëtor i partisë). Këtë vlerësim diktatura e ka bërë rregullisht, por njëherësh ka pasur edhe vlera të cilat i janë imponuar diktaturës, sepse marrëdhëniet e letërsisë dhe artit me diktaturën janë tepër të komplikuara. Tani është logjike që radha e këtyre vlerave të ndryshojnë. Po ju tregoj se si para disa ditësh, me rastin e ditëlindjes së Kadaresë, studentët organizuan një takim të ngrohtë. Vetëm se në disa nga referatet, vlerat e Kadaresë shiheshin në faktin se sa herë ai ia kish hedhur diktaturës. Sigurisht, vepra e një shkrimtari do të gjykohet edhe në kahun e saj kryesor, nëse ka qenë progresiste apo jo, por në themel të gjykimit do të jenë vlerat estetike letrare. Nëse do të fillonim të bënim ndryshe, atëherë pavarësisht se në kah të kundërt, do të bënim të njëjtën gjë që kemi pas bërë deri dje, domethënë nëse dje e vlerësonim se sa i shërbente partisë, tani do ta gjykojmë se sa u shërben partive të opozitës. Mendoj se nga kjo e metë vuante edhe artikulli i Sali Berishës i botuar para dy tre numrash në gazetën “Drita”, artikull që në përgjithësi kishte vlera të qenësishme. Në gjykimin e letërsisë dhe të shkrimtarëve nuk duhet të konfondojmë gjykimin e vlerave letrare me gjykimin për moralin apo politikën e shkrimtarit.
Meqë përmendët Kadarenë. Në adresë të tij këto kohët e fundit janë bërë sulme të ndryshme. Ç’mund të thoni për të?
Mund të them atë që mendojnë të gjithë: që është shkrimtari më i madh i letrave shqipe. Sulmet ndaj veprës së tij janë rrugaçërore dhe bëjnë pjesë në strategjinë e rrafshimit të vlerave. Ato sulme nuk i drejtohen Kadaresë, por një monumenti kulture të Shqipërisë, monument të cilin nuk ka të drejtë ta gërvishë as vetë autori, pasi tani nuk i përket më atij. Shpesh sulmet kundër tij bëhen në emër të ashtuquajturës luftë kundër kulteve. Këtu ka doemos një keqkuptim të madh dhe esencial. Që në hapat e saj të parë demokracia e ka për detyrë të shembë dhe të rrafshojë kultet e diktaturës. Por kur flasim për kulte, kemi parasysh kultet zyrtarë që i fabrikoi diktatura. Të tilla diktatura shqiptare u përpoq të krijonte edhe në letërsi, por përpjekjet e saj përgjithësisht kanë dështuar. Ndryshe është puna e Kadaresë, ai u rrit dhe u fuqizua si shkrimtar, jo i mbështetur nga diktatura, por i luftuar nga ajo, dhe tani të ngrihesh e të luftosh kultin e tij në letrat shqipe, është njëlloj sikur të përpiqesh të rrëzosh, të themi, kultin e Ajnshtajnit në fizikë apo të Euklidit në gjeometri. Kjo, nëse duam ta quajmë me emrin e vet, quhet marrëzi.
Së fundmi: ç’po shkruani?
Kam në shtyp një roman dhe një vëllim poetik që janë bllokuar për shkak të mungesës së letrës. Po përfundoj një libër kuazi letrar për zhvillimet e fundit në Shqipëri, të cilin, sipas marrëveshjes që kam lidhur, do ta botoj në Itali brenda vitit.
Ja se çfarë kanë shkruar pas fitores së PD me 22 mars 1992 gazetarët Frrok Çupi, Blendi Fevziu dhe Nikoll Lesi
28 mars 1992
DEMOKRACIA fitoi. Si do të veprojmë me fitoren?
Para Qeverisë së Partisë Demokratike shtrohen këto detyra urgjente:
1-Vendosja e qetësisë publike dhe e rendit
2-Emigracioni ekonomik i menjëhershëm
3- Tërheqja e investimeve të huaja
Tashmë demokracia fitoi të drejtën legjitime të jetë e pranishme në çdo lagje, në çdo fshat, te secili, tek i humburi në zgjedhje si partiak, si dhe tek i fituari. Demokracia është e të gjithëve. Askujt nuk i njihet privilegji. Demokracia ishte në shpirtin e popullit. Po kush e zgjoi atë në heshtjen e gjatë të natës komuniste? Rikthejuni DEMOSTRATAVE të dhjetorit të vitit 90?
1-Vendosja e qetësisë publike dhe e rendit
Nuk është kaq e lehtë sa ç’thuhet në një rresht gazete vendosja e qetësisë. Nuk është e lehtë të vendosësh ligjin mbi hajdutin dhe të pamoralshmin, nuk është e lehtë të zmbrapsësh errësirën. Porse kjo duhet bërë: qetësia publike! Që njerëzit të mendojnë e të ecin lirshëm, që njeriu të ecë lirisht në rrugën e dijes, që fëmijët të mos struken qosheve, duke parë rrahje në mes të sheshit të “trimave”, të cilët nxjerrin thikat dhe pistoletat si në filmat e mbrëmjeve të vona të TV Beogradit. Ndaj Qeveria e re, pikësëpari, të jetë e pamëshirshme me prishësit e qetësisë. E në qoftë se i thyhet zemra para vagabondëve, atëherë të mos e mendojë jetën të gjatë. Nuk është diktaturë e re vendosja e ligjit demokratik. Nuk është diktaturë e re zbatimi i tij, qoftë edhe me rrasje brenda në burg, të atyre që s’duan rregull por shkatërrim. Mjaft më me djegie! Mjaft më me ankth shpirtëror! Mjaft më me vrasje në mes të rrugës!
PD do të dijë ta vendosë qetësinë.
Në rastet e kthesave rrënjësore, në të mirë të popullit, le të jetë e rreptë Qeveria! Opozita, mundësisht të mos tregohet e pandershme vetëm e vetëm për hir të interesave partiake. Opozita të jetë mbështetëse e PD në këtë pikë. Njerëzit janë mërzitur. Njerëzit duan qetësinë, por duan edhe …
2- Punë dhe emigracion
Por puna kërkon lëndë të para. Lëndët e para duan ndihmën e botës. Bota nuk vjen brenda ditës. Mos ia kërkoni PD brenda ditës të gjitha, NJERËZ! Qeveria e re të ngulmojë për fillimin e emigracionit të rregullt dhe masiv. Në këto kohë të turbullta dhe të varfërisë së gjithë pushtetshme një rrugëzgjidhje është pikërisht: EMIGRACIONI. E dhimbshme, por një ndër rrugët e vetme të shpëtimit.
3- Tërheqja e investimeve të huaja
Tashmë çdo gjë është e hapur për botën. Por bota pret miratimin e shpejtë të të gjitha ligjeve. Ajo vjen, por edhe ne duhet të dimë ta presim. Pritja më fisnike mbetet: MIRATIMI i ligjeve. E këtë e bën Parlamenti i vërtetë demokratik, ky i pas zgjedhjeve te 22 marsit, paçka se me mazhorancë tepër të theksuar porse në vetvete demokratike. Duke ju dashur të mirën, o njerëz të mërzitur nga diktatura. Mos i kërkoni të gjitha në një ditë, as në tre muaj, as në gjashtë muaj, por nga pak e përditë. Është koha për punë dhe qetësi. Ndryshe do të themi me njëri-tjetrin: Nuk ishin asgjë djegiet e para 22 marsit, kundrejt këtyre…! Besojini VOTËS tuaj të 22 marsit, disa muaj. Nëse opozita e paszgjedhjeve do të tregohet e pandershme, si në fushatën elektorale mos u besoni GREVAVE dhe ULTIMATUMEVE të nxitura prej saj. Megjithëse, opozita, me sa duket ka të tjera halle: spastrimi i radhëve të saj nga enveristët dhe ekstremistët, ashtu siç duhet të ketë punë PD me rrymën e karrieristëve dhe spekulantëve të saj./Nikoll Lesi/
4 prill 1992
Frrok Çupi: Tani është koha të kthehemi në shtëpi
Mbaroi dhe kjo punë shumë e madhe që kishim nisur: puna trazuese për të fituar demokracinë. U bë një kohë e gjatë rreth një vit e gjysmë që bëmë e çfarë nuk bëmë: dolëm në rrugë, brohoritëm, themeluam parti, gazeta, përmbysëm monumente, qeveri, brohoritëm për përmbysje të komunizmit, bëmë paqe, bëmë luftë, modeluam fraza, bëmë edhe gabime, entuziazmuam të tjerët e veten. Dhe përfundimisht, arritëm këtu, arritëm tek një fitore shumë e madhe: njerëzit e Shqipërisë e votuan demokratikisht, mëvetësisht demokracinë, pluralizmin, partinë demokratike. Bëmë edhe festën. Mbaroi kjo punë e madhe. Tani çfarë të bëjmë?
Tani, pikërisht tani, kemi shumë çfarë të bëjmë. Tani duhet të kthehemi në shtëpi. Kjo është më e shumta që duhet të bëjmë.
Duhet të kthehemi në shtëpi. Duhet të kthehemi për të gjetur ngrohtësinë dhe butësinë e shtëpisë. Shtëpia me të vërtetë të zbut, të njerëzor më shumë se çdo gjë. Ne, veçanërisht ne, dhe në këto situata kemi nevojë për një zbutje të vërtetë. Të kthehemi te fëmijët. Të kthehemi te prindërit. T’i kthehemi vetvetes.
Si mund t’i kthehemi shtëpisë e vetes? Shtëpia dhe vetja na duhen të mëkëmbur, na duhen të bukur. Atëherë t’i bëjmë kështu, t’u kthehemi me duar plot. Atëherë, pra, për t’u kthyer me duar plot, na duhet që të vijmë në shtëpi nga puna. Duhet pra të shkojmë në punë sepse pa e bërë këtë, ende nuk e kemi fituar lirinë. Liria politike që fituam nuk është liri e vërtetë pa fituar edhe lirinë ekonomike. Si mund t’i kthehemi shtëpisë e vetes? Duke u kthyer nga rruga. Jo më në rrugë. Rruga nuk jep bereqet. Rruga nuk të çon tek e ardhmja. Ka një paradoks këtu: drejt të ardhmes shkohet rrugës, por duket qëndruar në rrugë. Rruga nuk është liri, rruga nuk është institucion. Ndërsa liria e fituar tani duhet të institucionalizohet. Kjo nuk mund të bëhet pa u kthyer në shtëpi.
Në shtëpi duhet të kthehemi pikërisht për ta gëzuar atë që fituam, duhet të kthehemi të gëzojmë veten, të bëhemi fëmijë, të bëhemi baballarë, të përkëdhelim gratë, të bëhemi edhe të ashpër, të bëhemi djem e vajza nënash. Të na dojë shtëpia, të ndriten muret, të na vijnë plot miq e shokë, të këmbejmë rrugët me ta. Se ndryshe çfarë na ndaka nga ata që u kthyen nga rrugët ne 45. Edhe ata djem e vajza nënash ishin, plot mall për shtëpinë, plot ëndrra për të dashurit, plot vjersha fletoreve. Na ndan vetëm ideologjia e moskthimit në shtëpi. Që në çastet e para ideologjia komuniste tha se ne i përkasim të tërës, i përkasim komunizmit, nuk i përkasim vetes. Ata thanë se komunisti i mirë nuk është ai që përkëdhel fëmijën dhe gruan, ai që pret të dashurën në park, por është ai që në mes të natës, lë krevatin e ngrohtë, braktis shtëpinë e nënës dhe i bashkohet së përgjithshmes, revolucionit. I nderuar, për atë ideologji ishte ai që rrinte larg shtëpisë ai që “varroste birin por nuk e derdhte një lot për të”, ai që lë fëmijën tek digjet në ethe dhe ikën për të kryer detyrën e partisë. Ai që mendonte të bënte një jetë të rehatshme e komode shpallej borgjez e gati armik. Nderi iu dha sakrificës. Sakrificë për gati 50 vjet. Duhet të jetë një brez e ca që e kaloi jetën në sakrificë… Tashmë duhet të kthehemi nga rruga, nga sakrificat dhe t’u drejtohemi shtëpisë, punëve.
E përse të mos kthehemi në shtëpi!? Vetëm në qoftë se nuk kuptojmë se cili është bolshevizmi dhe cila është jeta moderne jashtë bolshevizmit, vetëm atëherë mund të mos e kuptojmë këtë e mund të na pengojë diçka. Sot për sot, vërtet diçka na pengon, diçka nga bolshevizmi. Bolshevizmi na mësoi me jetën kolektive dhe na edukoi me psikozën e shumicës. Tani ne, secili prej nesh, duhet të ndahet nga rruga, të drejtohet për në shtëpi. Aty presin punët dhe dëshirat personale, prirjet, ofertat, leverditë. Bolshevizmi na edukoi me revolucionin e pandërprerë. Revolucionet që kanë aq shumë vlerë për të përmbysur një sistem shoqëror të diskredituar, pikërisht këto revolucione të çmuara janë aq të dëmshme në qoftë se nuk ndërpriten sa më shpejt. Sa më shpejt të ndërpritet revolucioni aq më i mirë është për njeriun. Tani për ne shqiptarët, fatlumësisht, revolucioni mbaroi. Tani në vend të revolucionit është jeta jonë “e vogël” por gjëja më e mirë në botë, jeta jonë. Bolshevizmi na pat mësuar keq: të mos dimë se sa zgjat entuziazmi e sa zgjat dhimbja njerëzore, ç’fillim e ç’fund kanë festimet e puna. Ndërsa tani le të fillojmë të mësojmë, le të fillojmë duke u kthyer në shtëpi. E lehtë për t’u kthyer në shtëpi nuk është në radhë të parë për heronjtë, për ata që qëndruan në krye të lëvizjes masive për demokraci, për ata që dolën në tribuna, për ata që folën me megafon, për ata që u mbajtën në krah në grumbuj e grumbuj njerëzish. Nuk është e lehtë sepse ju duket një vogëlsirë që të kthehen tek fëmija në shtëpi, tek nëna plakë që s’ka fjalor politik, te enët e palara në kuzhinë, te gjella e drekës që pret të ndahet. Sigurisht ata meritojnë lavde të mëdha. Por jo më tej lavdet, sepse atëherë ne do të bëheshim bashkëfajtorë me ta, do t’i nxisnim të qëndronin në rrugë e në “qiell”dhe do t’i humbisnin nga vetja jonë. Ose do të ndodhte më e keqja: ata, udhëheqësit e heronjtë do të na tërhiqnin në jetën euforike, në jetën jo reale, në jetën jashtë nesh. Është sëmundje shume e keqe sëmundja e udhëheqësve. Prandaj sa më shpejt të kthehemi në shtëpi. Tani është koha./Frrok Çupi/
11 prill 1992
Blendi Fevziu: Nën pyetjet fëmijërore të gazetarëve shtetërorë mori fund de juro komunizmi
Mëngjesin e 3 prillit, nën vështrimet e çmeritura të katër gazetarëve të vendosur në një tavolinë komedianësh, me zë mortor, Presidenti Alia deklaroi dorëheqjen. Më në fund, pas 48 vjetësh hierarkie partiake dhe shtetërore, kreu aktin politik me të drejtë.
Dy orë e gjysmë përpara mbledhjes së këshillit kombëtar të PD, i cili do të vendoste të ardhmen e tij, ai deklaroi se largohej nga posti i Presidentit, i nisur nga e mira e popullit. Pikërisht nga ajo e mirë që e kishte bërë një vit më parë të pranonte detyrën e ofruar nga PPSH. Nën pyetjet fëmijërore të gazetarëve shtetërorë mori fund de juro komunizmi në Shqipëri. E gjitha kjo s’ishte tjetër veçse rrjedhim logjik i tribunave elektorale, i brohoritjeve të mijëra vetëve dhe i verdiktit popullor të 22 marsit. Simboli i fundit i komunizmit shqiptar, pjellë e një karriere të gjatë politike, ishte njëherazi edhe një nga personifikimet e dyfytyrësisë politike shqiptare këtë gjysmë shekulli. Dinak, egoist, me një butësi prej femre ai ishte gati të nxirrte çdo moment rreziku dhëmbët e hekurt të mprehur në ofiçinat bolshevike: i ndodhur midis drejtuesve të rinisë partizane dhe më pas të formacioneve luftarake të Ushtrisë Nacional Çlirimtare, ai diti që midis përplasjes se klaneve kryesore të mbijetonte. Duke u gjendur gjithmonë si hije e më të fortit, pa ngjallur xhelozinë e atij arriti jo vetëm të mbijetonte, por edhe të ngjiste shkallët e hierarkisë partiake komuniste. Gjithmonë sipas motos “për të mirën e popullit” dirigjoi liberalizimet e 73 dhe po për këtë të mirë të të njëjtit popull mori pjesë në dënimin dhe persekutimin e bashkëpunëtorëve dhe miqve të tij më vonë; për të mirën e popullit rrëshqiti në përplasjen midis klaneve të Hoxhës dhe Shehut duke përfituar prej saj postin e Kryetarit të Kuvendit Popullor dhe më pas atë të Sekretarit të Parës të KQ dhe PPSH; për të mirën e popullit deklaroi rrugën e vazhdimësisë dhe shkatërroi perspektivën fatlume të marrëdhënieve shqiptaro-gjermane, luajti rolin e akrobatit në marrëdhëniet diplomatike me kufomat komuniste dhe deklaroi formulën më paradoksale në historinë e Shqipërisë:
Ne nuk jemi as lindje as perëndim, ne as hapemi as mbyllemi
Me një gjakftohtësi hoqi trajtimin e arratisjes si tradhti ndaj Atdheut dhe njëherazi mbushi klonet e kufirit me kufoma: deklaroi se në Shqipëri nuk do të kishte kurrë pluralizëm politik dhe vetëm një muaj më vonë pas protestave të studentëve, mori pozën e dështuar të nismëtarit të pluralizmit; udhëhoqi PPSH-në drejt zgjedhjeve të 31 marsit dhe pas humbjes personale u ul në postin e Presidentit. Për hir të tij shkatërroi PPSH, dënoi stafin e afërt të bllokmenëve (midis të cilëve edhe Nexhmije Hoxhën), për të arritur deri aty te dy gishtat përpjetë të demokratit, pikërisht ato dy gishta, për të cilat më 11 Dhjetor 1990 u kishte thënë studentëve: po nuk i ulët poshtë do t’jua presim. Është normale që presidentët të veprojnë në të mirën e popullit që të hedhin e të presin deklarata, të nxjerrin dekrete dhe të marrin vendime të rëndësishme, por roli i tepruar i ekuilibristit mund t’i bëjë të humbin atë që është më e nevojshme, përkrahjen e dyanshme. Ishin pikërisht xhonglimet politike që e zhvleftësuan Presidentin Alia në sytë e njerëzve, që ia ngarkuan më tepër ndërgjegjen mëkatare të së shkuarës, që e kthyen në personazhin kryesor të karikaturistëve, humoristëve dhe bufonadave të ditës. Sidoqoftë Ramiz Alia nuk është më President i Shqipërisë. Bashkë me largimin e figurës së tij misterioze nga skena politike do të largohen edhe fantazmat e burgjeve, ekzekutimeve, diktaturës dhe mendimit të mbyllur. Më 3 prill, ora 10.30 minuta komunizmi u largua përfundimisht nga Shqipëria, ashtu siç kishte ardhur 48 vjet më parë më 29 nëntor 1944 me të njëjtën parullë: PËR TË MIRËN E POPULLIT./Blendi Fevziu/
Dritëro Agolli: Shqiponjave u intereson të maten me shqiponjat, e jo me karkalecat
-Sepse pastaj marrin huqet e karkalecave-
Botuar me 17 prill 1992
Gjithë shoqëria jonë është në rinovim. Në rinovim janë ingranazhet dhe hallkat e gjithë këtij organizmi të madh, që vjen nga një shoqëri e kaluar. Përtëriten konceptet dhe mendësitë e njerëzve, përtëritet administrata dhe pastrohen labirintet e saj, fiton cilësi të reja ekonomia dhe kultura. Madje edhe vetë gjuha e përditshme e njerëzve dhe e drejtuesve politikanë rinovohet me fjalë e terma të kohës siç janë “pluralizëm”, “transparencë”, “tolerancë”, “konsensus”, “kriptokomunist”, “forum”, “ekonomi tregu”, “asistencë”, “lider”,”demokrat”, “Miss”, “privatizim”, “afarizëm”, “parlament”, “zgjedhje të lira”, “grevë urie” etj. fjalë e terma që nuk përdoreshin para dy tre vjetëve në shoqëri. Të gjitha këto në kompleks janë elementë të rinovimit të përgjithshëm bashkëkohor. Rinovimi është fenomen gjeneral evropian. Në këtë proces të madh të transformimit dhe rinovimit, i cili do shpejtohet tani me fitoren e Partisë Demokratike, nuk mund të qëndrojë i ngrirë në asnjë organizëm, asnjë grup, asnjë kolektivitet njerëzish dhe asnjë individ, pasi përndryshe do të ishte jashtë logjikës së njeriut dhe të shoqërisë. Qëndrimi i ngrirë do të ishte në dëm dhe në fatkeqësi të vetë subjektit, të vetë organizatës dhe organizmit, do të ishte vdekja. Dhe vdekjen askush nuk e do prandaj gjithçka synon drejt rinovimit. Partia Socialiste nuk mund të kërkojë vetëvdekjen, vetëngrirjen, prandaj edhe ajo synon drejt rinovimit. Në qoftë se ajo do të ishte e parinovuar, aspak nuk do të goditej nga partitë e tjera, dhe aspak nuk do të quhej opozitë. Po të ishte e parinovuar për atë do të heshtnin partitë e tjera. E parinovuar ajo nuk do të ishte e zonja të përhapte idetë e saj. Do të bëj një pyetje: Enver Hoxha po të ishte gjallë, a do ta pranonte Partinë Socialiste? Me siguri do ta vinte në satër! Rrjedhimisht kjo parti nuk është më Partia e Punës. Dhe sipas logjikës së thjeshtë: kjo është e rinovuar, do apo s’do. Çështja është se në çfarë shkalle qëndron rinovimi. Të rinovohet, nuk do të thotë të bëhet Parti Demokratike e dytë, pasi atëherë nuk do të kishim pluralizëm. Ajo rinovohet brenda natyrës së ideve dhe programit të saj. Edhe Partisë Demokratike i intereson të ketë një oponent të fortë. Shqiponjave u intereson të maten me shqiponjat dhe jo me karkalecat!
Në Kongresin e 10 të Partisë së Punës, unë thashë i rebeluar se ajo parti nuk mund të rinovohet. Por ajo në atë Kongres ishte ende Parti e Punës. Ende nuk kishte lindur ideja e shndërrimit në Parti Socialiste. Edhe kur lindi si e tillë ajo nuk u rinovua që të nesërmen. Ajo edhe tani vazhdon procesin e rinovimit. Nuk mund të fshihet fati që ajo doli nga Partia e Punës dhe nuk lindi krejtësisht e re ashtu siç lindën, PD, PSD, PR, PA etj. Prandaj rinovimi i saj ka qenë dhe është më i vështirë, por krejtësisht i mundshëm, pasi në përbërjen e saj ka njerëz të ndershëm, trashëgimtarë të virtyteve më të mira të ish komunistëve të ndershëm. Dhe këta ish-komunistë të ndershëm të larguar nga Partia e Punës si krahu përparimtar, kanë një meritë të madhe historike. Ata u vunë në krye të lëvizjes demokratike në Shqipëri dhe e udhëhoqën atë. A nuk ishin ish-komunistët në krye të partive më të mëdha PD, PR, PSD, PA? Kush e mohon këtë !? A nuk u rinovuan ata?! Prandaj ish-komunistët nuk duhen marrë “en bloc”, si të pandreqshëm! Doemos, brenda PS ka plot njerëz me mentalitete të PP, ka të prapambetur e fanatikë, por lokomotiva e kohës vrapon. Njerëzit me mend shkojnë me këtë lokomotivë, ata pa mend mbeten. Ka njerëz tolerantë ndaj ideve dhe idealeve, ka shpifës e gënjeshtarë. Në të gjitha partitë ka njerëz të tillë. Kjo duket në shtypin, në gazetat e të gjitha palëve. A nuk më shajnë mua, vetëm e vetëm se jam socialist? Unë do t’i pranoja qoftë edhe sharjet po të më thoshin se i kam kënduar komunizmit, se kam shkruar vargje për Enver Hoxhën, se kam pranuar të jem kryetar Lidhjeje etj. Por kur më shajnë me shpifje, si ato të një Myftar Gjane, me fraza të tilla: “ose për Dritëro Agollin thonë se nga relacionet e tij janë dënuar shumë shkrimtarë”, kjo është një gjuhë antidemokratike, cinike dhe sadiste, jo prej një njeriu që pretendon të bëhet poet. Një njeri i tillë mund të bëhet agjent shpifës, por kurrë nuk mund të bëhet poet. Gazetari nuk është mbledhës folklori, duke mbledhur shprehjet, “thonë se…” Shkrimtarët që kanë qenë të burgosur janë të gjallë dhe unë i respektoj, veçanërisht Kasem Trebeshinën që ka qenë i pari që haptazi më 1954, dënoi realizmin socialist. Respektoj R.Reshpen, V.Zhitin, J.Bllacin, K.Resulin, P.Tacin, K.Dushin, M.Jeron, M.Luarasin, M.Velon, B.Myftarin, Z.Moravën etj.: respektoj piktorin e shquar Ali Oseku – të gjithë ish të burgosur. Nëse do t’u kisha shkruar relacione të gjithë këtyre, hetuesit do t’ua lexonin si dëshmi: “ja, çfarë ka denoncuar Dritëro Agolli për ju”! Ky Myftar Gjana pse nuk i ka pyetur këta krijues me një frazë të thjeshtë gazetari: “çfarë dëshmie keni nga Dritëro Agolli?”Dhe atëherë do të dilnin denoncime nga miqtë e Myftar Gjanës. Dhe ky Myftari e di se kush e denoncoi Kapllan Resulin, pasi denoncuesit i boton shkrime kundër meje. Dhe ky Myftar Gjana e di se kush ka shkruar relacione kundër poetit Visar Zhiti, pasi këtë denoncues e ka pasur në këshillin drejtues të gazetës, ku filloi aktivitetin. Ai di dhe të tjerë denoncues. Atëherë pse trillon denoncues të tjerë, kur denoncuesit i njeh mirë? Kjo nuk është luftë e ndershme. Po të kisha shkruar unë relacione për të gjithë këta njerëz të rënë në fatkeqësi, kujtoni ju se nuk do të botonin ata fragmente nga denoncimet e mia? Kur këta nuk kanë ç’të thonë për mua, atëherë çfarë njerëzish të tjerë pjellin brazdat e trurit të këtij Myftari, që në çdo artikull lëshon thërrija, që të na bëjë të kruajmë kokën dhe të meditojmë për natyrën e pështirë njerëzore. E mbushi me thërrija gazetën “Kosova”, tani po mbush edhe një gazetë tjetër. Kryeredaktori i gazetës Mujë Buçpapaj, ku lëshohen këto thërrija dhe ku bëhen këto shpifje për mua, e di fare mirë se çfarë relacione kam bërë unë në kuvende të hapura. E di se si e kam mbrojtur në çaste të vështira. Le t’i kujtohet! Në Kongresin e Rinisë më 1982, unë para Enver Hoxhës në diskutim deklarova se “zyrtarët e Tropojës dhe Ministria e Arsimit marrin nëpër këmbë talentet e reja dhe nuk u japin të drejtë studimi, siç nuk i dhanë Mujë Buçpapës, por i dhanë të afërmit të shefit të arsimit!” E lehtë ishte për mua kjo deklaratë përpara diktatorit? Pas kësaj deklarate që bëra unë para Enver Hoxhës, Muja hyri në Universitet. Dhe tani do të citoj një vjershë që zbërthen këtë mendim:
Djaloshit ia mësova
Fshehtësinë,
Të shtinte me shigjeta,
Si fajkua;
Ai mësoi aq bukur
Sa një ditë
E ngriti harkun dhe qëlloi
Mbi mua…
Ja kështu janë këto punët e bindjeve partiake. Për rinovim kanë nevojë të gjithë. Edhe gazetarët e ndiejnë këtë nevojë. Pa civilizim të përgjithshëm nuk ka rinovim të plotë. Po nuk u respektuan idealet e shumëllojshme nga gazetarët; shkrimtarët, poetët e intelektualët, rinovimi është gjysmak. Unë i respektoj idealet e njerëzve të ndershëm. Gjatë gjithë proceseve të demokracisë, unë nuk kam marrë njerëz nëpër gojë. Unë u jam përgjigjur vetëm pjesërisht sharjeve duke u ruajtur të mos bie në kurthin e mediokërve sharës. Zakonisht, mua më shajnë ata që u kam bërë mirë. Atyre që u kam mësuar harkun, e drejtojnë shigjetën kundër meje. T’i lemë mënjanë modestitë. Tani po e kuptoj se çfarë rëndësie paskam unë në jetën e gazetarisë shqiptare. Unë si subjekt dhe si motiv po ushqej me honorarë shumë gazetarë. Një gjë më vjen keq. Pse t’i marrin këta honorarë njerëzit mediokër. Do të gëzohesha sikur të më shante një shkrimtar i barabartë me mua. Por sharjet nuk janë karakteristikë e të mëdhenjve, ato janë të liliputëve. Këtu nuk shaj, përgjigjem në sharjet! Kur të rinovohemi, do të bëjmë debat; do të kundërshtojmë njëri-tjetrin, do të lexojmë ide të kundërta, nuk do të shajmë dhe do të jemi miq. Këtë presupozon demokracia e vërtetë dhe e civilizuar. Dhe kjo me siguri do të vijë pas kësaj fitoreje të madhe të demokracisë. Unë besoj./Dritëro Agolli/
“Bota ka moralin e saj, unë nuk mund të kem moralin e botës”
-Botuar me 17 prill 1992, Intervistë e Blendi Fevziut me një prostitutë-
S.K. 19 vjeçe, e papunë, me prindër të divorcuar, kryen që prej disa muajsh profesionin më të vështirë e njëherazi më të pabesueshëm për shqiptarët: prostitutën. Në jetën e saj të deritanishme nuk ka asgjë të pazakontë. Ka dashuruar për herë të parë në moshën 15-vjeçare. Njohu një djalë tjetër në moshën 17 vjeç, mbaroi gjimnazin dhe nuk vazhdoi studimet universitare. Djalin e tretë e dashuroi me të vërtetë, sinqerisht, ia rrëmbeu eksodi. Është e gjatë, ezmere, me një vështrim ngulmues pak të rrallë për femrat. Është e zgjuar dhe kjo bie në sy së pari në bisedat me të. Ka pikëpamje të avancuara dhe nuk i pëlqen të filozofojë rreth jetës. Për të ajo që është sot është ekzistuese, e nesërmja është ireale. Nuk ka asnjë pengesë morale për atë që kryen. E konsideron gjithçka si një profesion, dhe partnerët e saj pëlqen t’i quajë klientë.
Ju jeni sot nga personazhet më të papranueshëm të shoqërisë shqiptare?
Disa nuk mund ta besojnë, disa e shohin si diçka të natyrshme, që mund të ndodhë dhe do të ndodhë. Kuptohet që pjesa më e madhe nuk mund ta pranojnë. Ka të bëjë me moralin dhe psikologjinë e tyre. Në Shqipëri në përgjithësi gjithçka është e ngurtë dhe e reja bëhet me vështirësi e pranueshme. Kjo bën që ta ndjesh veten keq dhe pak të lirë. Pavarësisht nga bindjet kjo është diçka e zakonshme. Të bësh seks me një njeri është normale, të bësh seks për të fituar jetën është akoma më normale.
Atëherë do të thuash se zbret nga kënaqësia tek rutina e profesionit?
Absolutisht. Kur bën seks me klientët kënaqësia është diçka e harruar. Është një punë e zakonshme, e rëndomtë, mbase pak më e vështirë se të tjerat. Kënaqësia është diçka tjetër. Ajo ka lidhje me dashurinë dhe seksualitetin, me anën shpirtërore të marrëdhënieve.
Keni ndjerë shpesh një kënaqësi të tillë?
Po, kur kam bërë seks me atë që kam dashur.
Diçka më shumë për jetën tënde…
Jam një vajzë shqiptare që vij nga hiçi dhe përpiqem të mos shkoj drejt hiçit. Kam dashuruar tre herë. Të tretit i fala gjithçka që një vajzë mund t’i falë djalit. E dashurova dhe ëndërrova aq shumë sa tashmë ndihem e lodhur. Ai iku. I hipi një anije dhe udhëtoi drejt shpresës. Unë mbeta e vetme me dashurinë për të. Dhe e dëshpëruar. Shpresën time e kishte marrë ai me vete. Nisa të shoqërohesha me të huaj për të siguruar një vizë. I pari i huaj që njoha qe një diplomat. Pastaj një tjetër. Dy muaj emigrova në Greqi. Atje mësova vetëm një gjë: njeriu mund të kryejë çdo lloj pune dhe të shkuarit me klientë është një gjë po aq normale.
Fjala klient përdoret aq shpesh sa ngjan si një imitim i pëlqyeshëm i filmave pornografikë?
Nuk i shoh dot filmat pornografikë. Më duken të pështirë. Gjithë ajo që njoh nga kjo anë është leximi i letërsisë erotike tek gazeta “Drita”.
Pas kthimit nga Greqia e kuptove që me të huajt mund të bëhet seks edhe për të fituar?
Vetëm për këtë. Shpesh në marrëdhënie seksuale ata bëhen të bezdisshëm. Kanë plot mani idioteske. Sidoqoftë kjo është punë dhe pikërisht për këtë e vështirë.
Klientët i gjen vetë?
Rrallë, qëllon.
Atëherë në shoqërinë shqiptare janë shfaqur sekserët e femrave?
U bë kohë. Ata janë më të specializuar, njohin të huaj, mbajnë kontakte të vazhdueshme me ta. Klientët i gjejnë ata dhe bashkë biem dakord për çmimin. Padyshim që për vete mbajnë një pjesë të madhe. Jashtë vajzat për një kohë shumë më të shkurtër paguhen më mirë. Por ato janë të domosdoshme.
Qëllon të kesh punë çdo ditë?
Në fillim po. Tani janë shtuar edhe vajza të tjera. Mesatarisht çdo javë ose edhe dy tre herë në javë. Por mos harro që një natë unë paguhem sa nëna ime në dy muaj.
Familja nuk di gjë për profesionin?
Jo. Nëna nuk para më ngacmon edhe kur mungoj netëve në shtëpi. Ajo ka qenë gjithmonë e sigurt se unë di ta rregulloj jetën time.
Midis klientëve ka edhe shqiptarë?
Vetëm të huaj. Nuk e di por unë kam parime të forta. Bëj seks vetëm për të fituar. Me ata që s’janë klientë do të bëja vetëm po t’i doja. Tashmë nuk dua asnjë prej tyre. E ndiej shumë këtë mungesë. Pastaj shqiptarët flasin shumë për politikë dhe kjo i bën të bezdisshëm.
Nuk të pëlqen politika?
Nuk më ka pëlqyer kurrë. Prej saj mund të kesh vetëm të këqija. Më parë po ta teproje të fusnin në burg, sot për të shpëtuar prej saj duhet të bëhesh refugjate. Në fillim shkoja në mitingjet e studentëve, më pëlqente Blendi Gonxhe. Pastaj, pas ikjes së të dashurit gjithçka u bë bajate. Mjaft më: të gjithë flasin për politikë dhe asnjë nuk bën politikë.
Pra nuk do të bëje seks me asnjë politikan?
Po të jetë klient po. Kjo është puna ime.
Diçka që ke dëshirë ta thuash?
Që gjithkush ka një moral dhe që gjithkush mendon se ai është më i miri. Etalon nuk ekziston dhe kjo u jep njerëzve më besim në vetvete. E rëndësishme është që ata të mësohen me të gjitha dhe t’i respektojnë të tjerët.
Ajo nuk është asgjë tjetër veçse një vajzë. Një shqiptare 19-vjeçare, pjellë e kushteve dhe moralit të këtij vendi, e pafuqishme në rrethana të caktuara. Lindi dhe u rrit në këtë shoqëri, mes këtyre njerëzve dhe në po këto rrugë nisi profesionin e çuditshëm. Në të vërtetë në të s’ka asgjë të çuditshme. Kjo nuk është një histori, është një realitet që po bëhet çdo ditë e më i pranishëm. Nëse do të heshtim, nëse shtypi do të rendë pas mërive personale, nëse politikanët do të përpiqen të gjejnë veç formulën e ringjalljes ekonomike, ato do të vazhdojnë të jetojnë, do të vazhdojnë të shtohen, të bëhen më të pranishme në dyert dhe baret e hoteleve, nëpër rrugë. Së bashku me to shëmtimi i Shqipërisë do të bëhet më i tmerrshëm. Në botë jetojmë me miliona prostituta dhe çdo vit bota i numëron ato në listat e plagëve më të thella sociale. Nuk do ta kisha bërë këtë intervistë dhe nuk do ta kisha shkruar këtë koment sikur të mos ndieja si detyrë. Kjo është një detyrë e imja, po aq sa edhe e jotja, e tjetrit, e gjithë Shqipërisë, SIDA, droga, prostitucioni, janë në dyert e jetës sonë dhe indiferenca do të thotë mirëseardhje; do të thotë një plagë më shumë në trupin e sfilitur të Shqipërisë, një shans më pak për ringjalljen e ëndërruar./Blendi Fevziu/
DOSJET, BIOGRAFITË DHE DEMOKRACIA
-Botuar me 1 maj 1992-
1-A mund të jenë protagonistë të demokracie ish-persekutorët e diktaturës?
2-Nëse faji në diktaturë ka qenë kolektiv, përgjegjësia është individuale.
3-Një komision i posaçëm parlamentar duhet t’i marrë në ruajtje dosjet e ish-MPB.
Qysh kur u lirua një vit përpara nga burgu një miku im këmbëngul të publikojë të paktën disa nga shkaktarët e fatkeqësisë së tij: dëshmitarët vullnetarë të gjyqit. Mirëpo ka ndodhur diçka e çuditshme: ata kanë kaluar në opozitë, kuptohet, jo në dhjetor, as në shkurt, por dikur vonë kur ishte kuptuar se ndaj opozitarëve nuk do të kishte ndëshkime nga pushtetmbajtësit e asaj kohe. E duke i pasur në krahë, miku im nuk ka pasur qejf që radhët e opozitës të dobësoheshin. Heshti. Sigurisht, nuk heshti vetëm ai, por pothuajse të gjithë ish të burgosurit politikë. Heshtën në emër të zbatimit të ligjit, heshtën duke shpresuar se me vendosjen dhe konstituimin e demokracisë edhe e drejta e tyre do të fitohej në rrugë ligjore. Mirëpo pikërisht një nga dëshmitarët vullnetarë tani ka ngjitur shkallët e karrierës politike dhe ka arritur deri në Parlament. Miku im ish i burgosur është pa shtëpi, fëmijët i kanë ikur diku në Europë dhe ai nuk ka mundësi t’i shohë. Ndërkohë ish-persekutori i tij bilbilon në Parlament, bën udhëtime me dhe pa bukë jashtë shtetit. Miku im pret, sepse ai ka besim te demokracia, ka besim që ajo t’i vërë gjërat në vend ligjërisht. Të hapen dosjet, thotë dikush me këmbëngulje, mirëpo në çast kujton një shifër të dalë nga zyrat e errëta të sigurimit të shtetit, sipas së cilës në çdo katër veta njëri ka qenë bashkëpunëtor i tij dhe stepet. Të hapen dosjet? Po atëherë ndoshta do të zbulohen të vërteta të cilat mbase askush nuk ka qejf t’i mësojë. Diktatura në Shqipëri është e gjatë dhe djallëzore, në mënyrë sistematike ajo përpunoi mekanizmin e përballjes së gjithsecilit. Atëherë a ka nevojë t’ia shohim këtë baltë bashkëkombësve tanë, bashkëvuajtësve tanë? Nëse në katër veta, një ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit, nuk dua ta besoj se këtë bashkëpunim gjithkush e ka bërë vullnetarisht, përkundrazi. Ndaj bashkëpunëtorëve të vet sigurimi i shtetit ka pas ushtruar një presion të përbindshëm, i cili ka bërë që ata të flasin me vete, u ka kërcënuar fëmijët, u ka kërcënuar gratë, nënat, motrat. Gjithkush e di se si janë bërë këto dëshmi, në ç’gjendje shpirtërore, gjithkush e merr me mend nga ana tjetër se si gjatë këtyre dëshmive (të paktën dua ta besoj këtë) të detyruarit janë përpjekur t’i moderojnë në maksimum deponimet e tyre. Atëherë pse duhet të hapen dosjet? Jemi të gjithë bashkëfajtorë, më mirë t’i vëmë kapakun të kaluarës dhe të fillojmë të ndërtojmë demokracinë e re. Mirëpo pikërisht këtu ngrihet kundërarsyetimi: ai që ka vuajtur për dhjetëvjeçarë me gjithë radhën e gjatë të farefisit, a do durojë që ish persekutori i tij të vazhdojë të bëjë protagonistin edhe në demokraci? Amoraliteti duhet që tej, pa llogaritur që fshehja e këtyre të vërtetave të largojë një varg kompleksesh tek ata që i mbartin e te vetë demokracia në përgjithësi, kjo bëhet në mënyrë të përgjithshme. Hamendjet dhe dyshimet nëse duhen hapur ose jo dosjet i ka përcjellë në një shkrim të shkëlqyer para një viti një tjetër ish i burgosur, poeti Visar Zhiti. Atëherë të mos hapen dosjet. Ata që kanë qenë bashkëpunëtorë të sigurimit të vazhdojnë të na bëjnë përsëri protagonistin politik? A është kjo e vetmja pasojë? Mendoj se jo. E kam thënë edhe diku tjetër dhe e përsëris se demokracia e re shqiptare duhet domosdoshmërish të dënojë krimin politik në Shqipëri, të hetojë përgjegjësitë sepse vërtet që faji ndaj diktaturës ka qenë kolektiv, por përgjegjësitë janë individuale. Atëherë të hapen dosjet e të gjitha niveleve? Atëherë do të krijohej (besoj) një pështjellim i përgjithshëm i shoqërisë, një pështjellim që nuk do t’i interesonte askujt. Prandaj mendoj se dosjet duhet të hapen në nivele të caktuara, vetëm për figurat politike qendrore e sidomos për ata që do të quhen përfaqësues të popullit nëpër komitete, gjykata e deri në Parlament. Në të kundërt vetë mbyllja e dosjeve do të mund të përdoret si një presion i përhershëm dhe mjet korrupsioni ndaj atyre që padrejtësisht do të ngjiten në këto nivele dhe ndryshe nga se mund të besohet, nga një faktor lirie, mbyllja e dosjeve shndërrohet kështu në një determinant robërie dhe varësie. Qëndrimi ndaj dosjeve lidhet domosdo me qëndrimin që duhet të mbajë demokracia ndaj biografive, pasi dosje nuk është gjë tjetër vecse një pjesë e biografisë së fshehtë të individit. Gjatë këtij viti të vrullshëm të zhvillimeve demokratike shpesh në Shqipëri është folur për dosjet. Është bërë dhe përpjekje për të sjellë prova se ato po digjen po bëhen brumë etj. Si është në të vërtetë puna e tyre? Ku ndodhen ato? Në ç’gjendje janë? A nuk ka mundësi që gjatë këtij viti, ato të jenë përpunuar në një masë të konsiderueshme siç edhe ka ndodhur në disa vende të Lindjes? A mos nesër kur të duhet të hapen, ato do të jenë përçudnuar nëse nuk janë zhdukur? Mos do të çuditemi me pavërtetësinë e tyre? Mos do të figurojë në to e kundërta e të vërtetës, domethënë të dalë paditësi i paditur dhe ish i burgosuri spiun? Zoti të na ruajë mendtë e kokës! Me sa duket diskutimi për qëndrimin ndaj dosjeve ka për të vazhduar gjatë dhe vonë do të vendoset se ç’do të bëhet me to. Prandaj mendoj që për të shmangur deformimet e mëtejshme do të ishte e nevojshme që ato të merreshin në ruajtje nga një komision i posaçëm parlamentar. Enigma e dosjeve sot mundon si një makth mijëra vetë në Shqipëri: ç’janë ato? Ku ndodhen? Si përpiloheshin? Ç’përmbajnë? Në ç’shkallë janë të vërteta? Kujt i djeg hapja e tyre? Kujt i intereson mbajtja e tyre mbyllur? Miku im pret. Po a mund të presin të gjithë ata që kanë vuajtur skëterrën e burgjeve komuniste? Mos zvarritja e mëtejshme e këtij problemi do të krijojë shtratin e vetëveprimit dhe të larjes spontane të hesapeve?
E këtë askush nuk e dëshiron pasi do të jetë në dëm të demokracisë./Agim Isaku/
Blendi Fevziu: Heshtja e shtypit apo shtypi i heshtjes
Botuar me 23 maj 1992
Mëngjesin e 5 janarit 1991 së bashku me numrin e parë të RD, radhët e gjata të librarive, xhamat dhe banakët e thyer, u shqyen njëherazi edhe censura e shtypit shqiptar. Një grup intelektualësh të rinj, të porsaardhur nga mitingjet e studentëve guxuan të shkrinin kufijtë 70 vjet fatalë, të të lejueshmes dhe të të palejueshmes. Përpjekja e parë për të shqyer censurën redaktoriale qe menjëherë e arritshme, ndërsa tjetra, flakja nga vetja e këmishës së hekurt të autocensurës do të kërkonte akoma më tepër kohë. Ajo lidhej edhe me mjaft karakteristika të tjera personale, që në kompleks, e lehtësonin apo vështirësonin atë. Shtypi ynë ndodhej atë kohë ashtu si dhe shtypi i Lindjes ish-komuniste në rrethana specifike. Diktatura nuk ishte një hije por realitet i zymtë dhe në përleshje me të, të dyja anët e frontit qenë të përcaktuara deri në detaje. Si një nga armët kryesore të kësaj beteje shtypi kishte një objektiv të vetën. Zbulimi i krimeve të së shkuarës, denoncimi i organeve ngjethëse të diktaturës, dhunës dhe mjerimit zunë me të drejtë faqet kryesore të gazetave. Pas fitores së 22 Marsit raportet ndryshuan. Si gjithçka tjetër fronti antidiktatorial u shthur, diktatura vetëpushoi së ekzistuari dhe në vend të saj u ngritën organizmat e rinj të shtetit demokratik. Në këtë tjetërsim të përgjithshëm, riorganizimi i shtypit qe jo një detyrë por domosdoshmëri. Gazetat tona kryesore do të orientoheshin më së fundi drejt shtypit Perëndimor, do të kishin karakteristikat e tij, do të bëheshin funksionale në një shoqëri demokratike për t’ i shërbyer asaj. Duke iu shmanguar të shkuarës shtypi do të merrte përsipër dy karakteristikat kryesore të tij: informacionin dhe komentet.
Por kanë kaluar gati 2 muaj dhe asgjë nuk lëviz. Gazetashitësit përpiqen të thërrasin sa më tepër titujsh joshës e stoqet shtohen. Në fletët e faqosura pa estetikë vazhdojnë po ato shkrime të gjata pensionistësh, po ato komente foshnjore berberësh e qoftexhinjsh, po ato telegrame presidentësh e qendrash pune e prodhimi.
Karakteri i parë informativ mungon
Duke zëvendësuar euforinë e fitoreve të dikurshme me shkrime të gjata që godasin të kaluarën, shtypi ka gjetur mënyrën më komode të heshtjes ose të thënë ndryshe, të censurës. Avioni qeveritar për pak digjet nga mungesa e ndriçimit në Aeroport ndërsa shtypi hesht. Tre toga me ushtarë të dërguara për të ruajtur sistemin e dritave qenë krejt të pafuqishme për të mbrojtur jetën e Kryeministrit, një Ministri dhe të grupit qeveritar. Për këtë përsëri heshtje dhe mjegull; dyshohet për korrupsion dhe shtypi boton thashethemet e mbledhura kafeneve nga gazetarët diletantë, fakte përsëri jo; netët e Tiranës drithërohen nga krismat, sipas statistikave në Shqipëri çdo ditë vriten një deri në tre njerëz dhe shtypi hesht; në dyert e hoteleve janë shtuar prostitutat (shumica e tyre minorene); të droguarit kanë nisur të shpërthejnë dyert e spitaleve për të rrëmbyer stimulantë; kontrabandistët e duhanit pasurohen çdo ditë nëpër cepat e rrugëve; emigrantët e keqtrajtuar shqiptarë po digjen deri me napa; fëmijët e mitur po plotësojnë eksodin e madh në mënyrë më tragjike dhe askush nuk e di ku përfundojnë ata; një fëmijët 9-vjeçar rrëmbehet për t’ i vjedhur organet dhe lirohet e gjymtuar pas një muaji e qindra e qindra fakte të tjera që ndeshin në murin e ftohtë të heshtjes së shtypit. Çudia më e madhe ndodh se shtypi po konceptohet si një armë dhe artikujt e gazetave janë shndërruar në heshtat që njerëzit i përplasin në duelet e mërive personale. Absurditeti arrin kulmin kur gazetarët mprehin armët midis tyre. Bëjnë replika gazetarë të REPUBLIKËS me të ZËRIT TË POPULLIT, të RD, me të 24-ORËSHIT, të ALTERNATIVËS me të një gazete tjetër, dhe pasi shfryjnë gjithë inatet e mbledhura nga thashethemet e rrugëve harrojnë që akujt në botë nuk i interesojnë mëritë e tyre dhe askush nuk do ta blinte gazetën për të mësuar artin e ofendimit publik. Lajmet nga bota nuk ekzistojnë për të arritur pastaj në paradoksin më të madh: shumë gazeta tonat citojnë gazetat italiane për ngjarjet që kanë ndodhur në Shqipëri. Përpara kësaj gjendje gjithmonë të lind pyetja: KJO ËSHTË HESHTJE E SHTYPIT APO KY ËSHTË SHTYPI I HESHTJES?!/Blendi Fevziu/
Ben Blushi: Kosovarët në prag të eksodit
-Botuar me 5 qershor 1992-
Shumë kosovarë po vijnë në Shqipëri. Vijnë nga gjysma tjetër e shtetit amë, vijnë nga Evropa, vijnë nga mërgimi. Ikin nga lufta, nga ndjekjet, nga persekutimet, nga ethet ikin. Ikin nga dezinformacioni, nga mitet, nga kultet. Vijnë të shohin fytyrën e vërtetë të nënës, vijnë të prekin piedestalet bosh, ato piedestale për të cilat mund të jenë dënuar e syrgjynosur. Shkurt, vijnë të strehohen në shtetin e vuajtur e të varfër. Shumë kosovarë po vijnë në Shqipëri. Kohët e fundit për të parandaluar një shpërngulje edhe më të madhe LDK i drejtoi një thirrje popullatës atje për të mos e lëshuar vendin. Megjithatë askush s’ikën prej qejfit. Kanë arsye politike, janë të përndjekur ose duan të studiojnë në Shqipëri. Përfaqësuesit e Republikës së Kosovës në Tiranë parashikojnë një numër edhe më të madh kosovarësh që mund të vijnë në Shqipëri, pjesa më e madhe e të cilëve nga Zvicra, Gjermania e vende të tjera ku kosovarët nuk po pranohen më. Dhe përderisa nuk kthehen dot në Kosovë sigurisht do të vijnë në Shqipëri. Deri tani as në përfaqësinë e Republikës së Kosovës në Tiranë nuk ka një numër të saktë të kosovarëve që banojnë e strehohen në vend. Shumë hyjnë nga kufiri, ku vetëm gjatë këtij viti janë vrarë rreth 12 vetë nga forcat serbe dhe akoma më shumë, të tjerë, nuk paraqiten në këtë përfaqësi. Nga statistikat që kanë në përfaqësi rreth 350 vetë kanë hyrë në Shqipëri si dezertorë të ushtrisë jugosllave. Këta strehohen nëpër familje shqiptare në Tiranë por edhe në Kukës, Bajram Curri etj. Strehohen te të afërmit, miqtë por pjesa më e madhe në bujtina. Paguajnë 500 apo 600 lekë të reja për muaj ose edhe më shumë dhe banojnë nëpër familje si qiraxhinj. Jetojnë me shqiptarët që edhe vetë e kanë të vështirë jetesën në këto kohë, por që sakrifikojnë për hir të atyre parave. Për shumë shqiptarë dhe kosovarë sigurimi i një banese për një natë, për një muaj ose dhe më shumë është kthyer në mjet fitimi. Është kthyer në biznes. Në dyert e Dajtit ose të Tiranës gjen lloj-lloj personash që merren me tregti shtëpish ose dhomash duke mbajtur një përqindje nga të dyja palët. Preferojnë sigurisht devizën: markën ose dollarin. Aktualisht Kosova e ka luftën te dera, dhe sigurisht që në këtë rast nuk pyetet se ç’do të bëjë ajo por ç’do të bëjë Shqipëria, vendi më i varfër në Europë dhe rrjedhimisht me një ushtri aq të lodhur, të demoralizuar që bashkë me forcat e veta akoma rreshton edhe 80 mijë WC-të e bunkerëve. Gjatë ditëve të zgjedhjeve në Kosovë, në Tiranë edhe në radhën e bukës flitej për luftën. Ndërkohë që Kryeministri merrte në revistë forcat e armatosura, një numër aspak modest mjekësh dhe infermierësh, të spitaleve të Tiranës, u rreshtuan një ditë para të dielës së zgjedhjeve përgjatë kufirit veri-lindor të vendit, dhe ndoshta akoma janë aty në gjendje gatishmërie. Misioni fisnik duhet të ketë qenë po aq sekret përderisa s’u pasqyrua nga masmedia që akoma “masturbon” me fjalën luftë. Sidoqoftë, deri tani, përveç reagimit serb të gjitha parashikimet e tjera u realizuan. Rugova dhe partitë e tij fituan. Por ende asgjë s’është e sigurtë. Në Kosovë akoma kanë në gojë vetëm shijen e fitores. I pyetur për këtë, të dielën e zgjedhjeve Rexhep Qosja tha, se e sigurtë deri tani është vetëm një gjë: që nesër është e hënë. Sot, ndërkaq është e premte dhe nesër do të jetë e shtunë por më e sigurtë akoma është që shteti shqiptar me problemet e veta të brendshme do jetë përballë një katastrofe në rastin e një eksodi masiv që ndërkohë ka filluar. Deri tani në vend kanë depërtuar vetëm kosovarë të moshave të reja të cilat me ato pak para që mund të kenë fituar në Perëndim jetojnë shumë komfort nën sytë ziliqarë të shqiptarëve të varfër, femrat e të cilëve statusin e Evës kanë mësuar se mund ta përdorin edhe si profesion. Aktualisht as edhe një kosovar nuk është i punësuar në Shqipëri, përveç atyre që kanë ardhur të investojnë dhe mund të quhen të vetëpunësuar. Pjesa tjetër endet rrugëve në mes të pluhurit dhe kaosit duke ushqyer edhe më, e sidomos këto ditë fantazmën e hershme të trafikut të armëve, që prej vitesh thuhet se është me kahje verilindore… Ndërkohë që në UT, janë pranuar vetëm 49 studentë nga dhjetëra e dhjetëra që ka pasur dhe përfaqësia e Republikës së Kosovës në Tiranë u ka dërguar kërkesa të përsëritura gjithë qeverive dhe gjithë presidentëve, për një akomodim të njerëzve të saj, numri i kosovarëve në vend shtohet, dhe në kontekstin aktual politik në Jugosllavi pyetja bëhet çdo minutë e më evidente: a do të ketë refugjatë shqiptarë në Shqipëri?/Ben Blushi/
-Botuar me 3 korrik 1992-
Gramoz Pashko: Shqipërisë po i troket sërish në derë diktatura
Drejtuar: Gazetës “Koha Jonë”
Bashkëngjitur po ju dërgoj një kopje të Memorandumit drejtuar sot Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, si dhe një kopje të tekstit të peticionit prej rreth 1500 firmash, mbledhur mbrëmë, vetëm brenda 4-5 orësh në zonën elektorale nr. 99, deputet i së cilës jam unë. Mbledhja e firmave për peticionin vazhdon. Nisur nga mendimi se informacioni është mjet kryesor i demokracisë, në këto momente kur në mjetet e informacionit po trajtohet “çështja Pashko” e shoh të arsyeshme që si deputet, t’ju vë në dispozicion materialet që kanë të bëjnë me statusin dhe mandatin tim.
Me nderime deputeti Gramoz Pashko
Tiranë, më 29.6.1992
——————————————————————————–
PETICION
Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë, Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike
Ne zgjedhësit e zonës elektorale nr. 99 në Vlorë, pasi dëgjuam nëpërmjet mjeteve të informacionit deklaratën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, lidhur me përjashtimin e deputetit tonë të nderuar Gramoz Pashko të indinjuar deklarojmë se:
Me mënyrën se si grupi parlamentar veproi me deputetin Gramoz Pashko ne e konsiderojmë fyerje që na bëhet si zgjedhës. Figura e deputetit dhe liria absolute e fjalës së tij një nga parimet bazë të demokracisë, që buron nga dispozitat kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, e që është e tillë pikërisht për atë që deputeti, me mandatin e një zone prej 20 mijë zgjedhësish përfaqëson në Parlament zërin e tyre. Ku e gjejnë këtë të drejtë që na takon neve, deputetë të tjerë të barabartë me të, t’i bëjnë gjyq deputetit. Këto janë shenjat e ndarjes së një partie nga populli. Ne si zgjedhës e quajmë të paligjshëm vendimin e njëanshëm të marrë kundër zotit Pashko, sepse kjo që duket vetëm si shkelje e një formalizmi kushtetues është në fakt dhunimi i demokracisë. Ne kërkojmë që me anë të këtij peticioni t’i japim zotit Pashko pëlqimin tonë për t’i vënë në vend personalitetin e tij kushtetues të cenuar, si dhe të tregojmë para opinionit publik se askush qoftë ky edhe një grup deputetësh i çdo lloj partie nuk ka të drejtë të ulë dinjitetin tonë.
————————————————————————–
MEMORANDUM
Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike
Zotërinj, më lejoni t’ju njoftoj se në mbledhjen e sotme nuk marr pjesë për arsye se:
Pas takimit që pata dje (të dielën) me zgjedhësit e mi në Selenicë, Armen, Peshkëpi etj., konstatova se zgjedhësit e mi e ndiejnë veten të fyer dhe janë indinjuar nga qëndrimi antikushtetues i grupit parlamentar të PD, gjë që nxiti popullin të dalë me një peticion, kopja e të cilit i është bashkangjitur këtij Memorandumi. Shumë firma të këtij peticioni që do ta quaja një referendum për votëbesim, po vazhdojnë të mblidhen dhe do të bashkëngjiten së shpejti. Ky fakt më detyron që në këtë moment të respektoj statusin e deputetit dhe të bashkohem më protestën e zgjedhësve. Do të ishte një dhunim i aspiratave të mia demokratike nëse për kapriço klanesh ose individësh do të pranoja që nderin dhe dinjitetin e deputetit, përfaqësuesit të popullit, t’ia nënshtroja psikologjisë totalitare, psikologji kjo e cila tanimë dihet mirë se ku i ka rrënjët. Është i patolerueshëm dhe antidemokratik qëndrimi i mbajtur po dje nga dy deputetë dhe drejtues të forumeve kryesore dhe lokale të partisë, Tomorr Dosti dhe Roland Tafili, të cilët ishin shpërndarë në zonën time elektorale për të manipuluar popullin kundër meje dhe për të nxitur kryesitë e seksioneve lokale që të shkruanin deklarata solidarizimi me vendimin e marrë nga grupi parlamentar për përjashtimin tim. Kjo po izolonte kryesitë e seksioneve të PD në një kohë kur populli po shprehte përkrahjen e tij ndaj deputetit. I kërkoj Këshillit Kombëtar të PD të pozicionohet ndaj këtij apeli të popullit. Qëndrimi që do të mbahet ndaj peticionit do të përcaktojë edhe vendimin tim për anëtarësimin e mëtejshëm të Këshillit Kombëtar e në Partinë Demokratike. Duke ju uruar sukses të plotë mbledhjes suaj ju ritheksoj kredon time se nuk do t’i nënshtrohem asnjë mbledhjeje që shtyp frymën e demokracisë dhe liritë e individit që rrjedhin prej saj.
Mbetem në respekt. Tiranë më 29.6.1992
Gramoz Pashko
Kopja i është dërguar edhe kryetarit të PD, Eduart Selami, zëvendëskryetarit të PD, Arben Imami, Zëvendëskryetarit të PD Ali Spahia.
Kopje u janë dërguar gjithë shtypit shqiptar dhe të huaj, agjensive të huaja, ATSH dhe RTSH.
DEKLARATË
Në përgjigje të deklaratës së grupit parlamentar të partisë demokratike
Zotërinj! Dje kam qenë në elektoratin tim për të biseduar lidhur me problemet që janë shfaqur këto ditë në grupin parlamentar të PD. Kam biseduar me zgjedhësit në qytetin e Selenicës si dhe në dy fshatrat Armen dhe Lubonjë. Ata ishin të indinjuar. Elektorati ndiente indinjim se si përfaqësuesit e tyre të zgjedhur, iu bë gjyq publik nga një grup deputetësh të barabartë. Zgjedhësit e quajtën këtë një dhunim të demokracisë dhe me një lloj referendum votëbesimi nënshkruan një peticion që i drejtohet edhe Parlamentit. Këtij apeli popullor unë jam i detyruar t’i qëndroj besnik për shkak të betimit që kam bërë, jam i detyruar të bashkohem me atë që kërkoj në njerëzit e zonës sime.
Herë pas here njerëz të ndryshëm të zonës sime, me kohë më kanë sjellë mesazhe për gjendjen e rëndë në të cilën jetojnë. Muaj të tërë pa vaj e sapun, me tarifa të SMT që i këpusin në mes. Populli është i pasigurtë për reformën ekonomike, i pasigurtë për burimet financiare nga jashtë. E pra, elektorati i zonës që unë përfaqësoj do të dijë ku janë premtimet që i kemi bërë gjatë fushatës elektorale, pra populli kërkon transparencë. Ai ishte indinjuar sepse kish dëgjuar projektin për ta bërë Vlorën nënprefekturë të Fierit dhe i dukej se pas kësaj po shkohej drejt një ndarjeje Jug-Veri. Si mund të lihet Vlora një zonë e dorës së dytë, Vlora e Pavarësisë, Vlora e luftës së 1920, e Revolucionit të 1924, e Ismail Qemalit, e Qazim Koçulit, e Nacional Çlirimtares, por dhe nacionalistëve kundër okupatorit në 1939-1944.
Duke pasur parasysh këto probleme ngrita çështjen e pushtetit lokal dhe të ndarjes territoriale të vendit, e cila duhej të bëhej mbi bazë ligjore. Në grupin parlamentar dhe në Kuvend u akuzova për thyerje të disiplinës së grupit, dhe pse jo nga ndokush për agjent të socialistëve dhe madje që atë ditë u bë insinuata për përjashtimin nga grupi. Përse vallë flet kjo shfaqje, për demokraci naive apo për naivitet demokratik?
Kam ngritur çështjen e gjyqit të bllokmenëve për hir të drejtësisë kam kërkuar sqarimin e figurës së Ramiz Alisë, kam kërkuar të hidhet drita e vërtetë mbi gjyqin e Shkodrës, mbi skandalin financiar të kambizmit që na ka futur në borxhin e pamasë dhe bllokimin me Bankat e huaja. Kam kërkuar ekspozimin e së vërtetës për korrupsionin financiar dhe të personit tim dhe kam insistuar për hapjen e dosjeve. Për këto mbase kam trembur ndokënd, sepse jo vetëm kanë rënë në vesh të shurdhër por kam vënë re se po më censurohen fjalët, si në Parlament ashtu edhe në shtyp e RTV.
Deklarata e grupit parlamentar të PD qëndronte shumë më poshtë se mendimi i partisë që ai grup përfaqëson. Ajo ishte mbushur me elemente spekulative dhe demagogjike, gjë që u vu re një natë para kësaj deklarate nga diskutimet e shumë deputetëve, kur u fol për zbulim taktikash dhe strategjish, për spiunë, që sikur thurin skenarë e që qendrat i kanë jashtë etj. Në ç’numër vepre i kanë gjetur vallë këto? Bëhet lidhje e shkurtër me sabotimin e çështjes së Kosovës, siç është bërë e njëjta lidhje me ngjarjet e 2 korrikut 1990 nga regjimi i atëhershëm. Të gjithë e dinë se jam i pari politikan shqiptar që jam takuar me Rugovën dhe kam nënshkruar aktin e bashkëpunimit midis LDK dhe Partisë Demokratike. Të gjithë e dinë se jam shprehur hapur për zgjidhjen e çështjes në kuadrin Evropian dhe në të gjitha qarqet evropiane kam ngritur zërin që Millosheviçi të trajtohet si Sadami. Dhe për këto deklarata nuk ka fjalë për dokumente. Fjala e lirë që përfaqëson mendimin e zgjedhësve të tu, qenka arsye inkriminimi të deputetit nga një rregullore që s’e njeh kurrkush, që s’e kam firmosur ndonjëherë dhe që u vendoska mbi Kushtetutën dhe betimin e deputetit, (kujtoni nenin 22 të Dispozitave Kushtetuese). E vërteta është se ky Parlament shumë shpejt po rrëshqet jo në demokraci por në oligarki.
Lidhur me problemin e Azem Hajdarit, atij i censurohet intervista, nga kush dhe përse? Thuhet që i mori leje grupit parlamentar për t’u larguar, por përse nuk thuhet a ishte i revoltuar Hajdari apo jo, ç’tha ai në mbledhje të grupit një ditë para se të ikte për disa drejtues të sotëm të PD? Ç’i thoni ju kësaj? Nënkryetari dhe themeluesi i PD ikën për disa muaj jashtë shtetit dhe zyrtarisht nuk e përcjell asnjë nga partia e tij. Unë që kërkoj të nderohet bëkam një krim. Ndërkohë grupi parlamentar në mbledhjen e tij sa nuk e bënë armik Azem Hajdarin, ndërsa para publikut thotë se ka ikur për shkollë. Kjo tingëllon qesharake se nuk po kuptoj cilin kërkon të gënjejë grupi parlamentar, veten apo popullin.
Deklarata ime e datës 23.6.1992 në vetvete shpreh shqetësimin e përgjithshëm se problemet e demokracisë janë bërë tepër të vështira, por mungesa e transparencës po i shumëfishon vështirësitë. Hermetizmi po krijon pakënaqësi, dhe pse jo deziluzion. Në Parlament vijnë ligje të dobëta që po cenojnë rëndë formimin e shtetit juridik dhe po krijojnë precedentë të pashembullt. Ligji mbi ndërmarrjet më është dukur ligji më i dobët në historinë e Shqipërisë. Ai është centralist dhe do të shtrembërojë krejt reformën ekonomike. Bie rëndë në kundërshtim me parimet e reformës dhe me rekomandimet e FMN dhe të Bankës Botërore. Është demagogji që thuhet se kemi marrë mendimin e tyre apo duam t’u hedhim atyre hi syve. Kërkoj pesë herë, që Qeveria të vijë në interpelancë, që të ndihmohet prej nesh dhe nuk vjen. Kërkoj me komisionin ekonomik 4 herë ministra të ndryshëm të vijnë dhe vetëm një ndër këto takime arrin të realizohet. Për çdo ligj thuhet që le të kalojë se është i përkohshëm. Dhe ky për mua është diletantizëm në ekonomi, në politikë dhe në demokraci. Është deklaruar për reformë më 1 korrik. Me ç’buxhet, me ç’të ardhura, me ç’shpenzime? Si do t’i shpjegohet fshatit që buka do të bëhet 25 lekë? Si do t’i shpjegohet kalimi në asistencë i 283 mijë vetëve pa u rregulluar siç duhet mekanizmi i funksionimit të ndërmarrjeve? Si do të shpjegohet frenimi i inflacionit që ka arritur katërqind për qind dhe që do të thotë që rroga e sotme dy mijë lekëshe nuk vlen as 400 lekë të dhjetorit 1990. Ku i ka Qeveria burimet financiare, ku i kemi premtimet që i kemi dhënë elektoratit para zgjedhjeve? Nuk janë halle këto? Deri tani mund të jenë siguruar 50 milionë dollarë, mund të sigurohen edhe 100 të tjerë kur duhen 500 milionë. Investimet e huaja nuk po afrohen. Bankat e huaja mbeten të bllokuara. Nga dhjetori në maj defiçiti buxhetor është dyfishuar. Ai rritet tre herë më shpejt çdo muaj nga mesatarja mujore e vitit që shkoi, pra 1 miliard lekë në muaj. Nga do të sigurohen këto para? Atëherë na fusin në rrugën e ekonomisë së komanduar, rriten taksat, shumëfishohet çmimi i benzinës, sekuestrohen mallrat e tregtisë së privatëve, organizohet një ushtri e armatosur kundër kapitalizmit që sa ka filluar, me anë të policisë financiare dhe kontrollit të shtetit. E pra unë jam kundër të gjithë këtyre dhe do të qëndroj kundër të gjithë këtyre. Unë them se situata mund të zgjidhet. Hajde ta zgjidhim. Sa herë janë diskutuar këto në PD, sa herë në Parlament, sa herë në TV? Asnjëherë. Në Parlament na kërkohet të ngremë vetëm kartonin jeshil dhe aspak nuk kërkohet mendimi racional. Mendimi i pakicës brenda grupit parlamentar nuk respektohet kurrë.
Në deklaratën e grupit parlamentar të PD, flitet për korrupsion ekonomik dhe politik. Nuk është në nderin e deputetëve të deklarojnë me aluzione të cilat, të pafaktuara, mbeten fyerje e shpifje. Deklaratat janë me përgjegjësi para historisë për fjalët që përmbajnë. Le të hapin zotërinjtë akuzues në këtë tribunë letrat dhe faktet në rast se i kanë. Në rast se nuk kanë të tilla është përgjegjësia e tyre e rëndë se po mashtrojnë popullin. Përgjegjësit le të dënohen.
Përmendet në deklaratën e grupit parlamentar të PD “ceku i bardhë”. Nuk po e zgjas por po i sqaroj këta njerëz, “ceku i bardhë” ishte ajo që bota filloi të realizonte: futje në KSBE, futje në FMN, në Bankën Botërore e atë Europiane. Ceku i bardhë janë dy vjet ndihma për Shqipërinë që prodhon sot vetëm monedhë me letër e bojë e asgjë tjetër.
Përmendet zhvarrimi: e deklaroj se zhvarrimi në mënyra të atilla bie në kundërshtim me moralin tim të krishterë. Ky moral për zhvarrimin është i njëjtë me moralin e Evropës pjesë e së cilës duam të bëhemi.
Përmendet deklarata ime për Qeverinë e Stabilitetit. Unë i qëndroj përmbajtjes së asaj deklarate. Katastrofa ekonomike nuk do të ndodhej në prag të derës, defiçiti i buxhetit të shtetit nuk do të shtohej dhe pasojat e dhimbjeve të reformës do të ishin kapërcyer më lehtë, po qe se situata ekonomike nuk do të lihej jashtë çdo kontrolli si në 4-5 muajt që pasuan atë Qeveri. Pavarësisht nga ç’thuhet, unë mbetem antikomunist, kërkoj shkallmimin e tij. Unë jam për të luftuar kundër komunizmit dhe variantit minor të tij socializmit, por jo për të luftuar kundër njerëzve.
Të nderuar deputetë!
Ne jemi në hapat e parë të demokracisë, por unë me dhimbje konstatoj faktin se pasioni politik i ndezur më tepër nga një dëshirë primitive për pushtet se sa nga ndarjet ideologjike po tenton të bllokojë kanalet legale të demokracisë duke prishur kështu rregullat e lojës. Pasioni ka gjetur më në fund fuqinë e shumicës e nën presionin e saj po nxjerr ligje “blanket”, urdhra kontradiktorë e dekrete që s’i shërbejnë demokracisë por pushtetit. Pra, pushteti po i kanoset shtetit ligjor në emër të demokracisë. Prandaj në emër të lirisë e të përgjegjësisë sime si deputet shtyhem të deklaroj se shoqërisë shqiptare po i troket sërish në derë diktatura. Për këtë arsye duke respektuar kohën në të cilën jetojmë, duke kujtuar edhe një herë sakrificën e stërzgjatur që jemi detyruar të përballojmë si dhe aktin sublim të studentëve dhe të mbarë popullit shqiptar në këto vitet e fundit, më lejoni që, nga forumi më i lartë i shoqërisë sonë, të ritheksoj botërisht përgjegjësitë që kemi marrë pas votëbesimit që na ka dhënë populli: ndërtimin e shtetit ligjor, ekonominë e tregut, pacenueshmërinë e të drejtave të njeriut. Koha as i ka falur e as do t’i falë abuzuesit e pushtetit. Mjerë ai që nuk përmbush detyrimet morale që kërkon koha e tij. Sot i paraqita këshillit kombëtar të Partisë Demokratike peticionin e zonës sime elektorale dhe një memorandum ku i kërkoj të mbajë qëndrim ndaj peticionit dhe në varësi të këtij qëndrimi, unë do të vendos pozicionin tim. Mësova se këshilli kombëtar nuk begenisi ta përfillë peticionin e popullit të zonës sime elektorale. Unë jam i obliguar ndaj vullnetit të popullit prandaj e quaj të pafalshme që ai nuk përfillet. Pavarësisht nga mekanizmi që u gjet dhe artificet, që u përdorën falënderoj grupin parlamentar të PD për të mirën që më bëri duke më përjashtuar, duke më shpëtuar moralisht nga qenia bashkëfajtor për atë që mendoj se do ndodhë.
Faleminderit
29.6.1992/ Gramoz Pashko/
Me 25 gusht 1992 shtatë gazetarë të gazetës “Rilindja Demokratike” japin dorëheqjen dhe shumica punwsohen tw “KOHA JONE”
-Gazetarët Arben Ruka, Genc Tirana, Vera Isaku, Ben Blushi, Armand Shkullaku, Mëhill Tanushi dhe Dritan Kaba japin për shtyp këtë deklaratë drejtuar organeve të shtypit, Radio Televizionit, përfaqësive diplomatike dhe institucioneve ndërkombëtare-
Ne, një grup gazetarësh të Gazetës “Rilindja Demokratike” që jemi pjesëtarë të saj qysh në ditët e para detyrohemi të japim dorëheqjen për këto arsye:
U bashkuam si themelues në organin e parë opozitar të Shqipërisë që në fillimet e veta duke aspiruar për demokraci, liri të fjalës e të shprehjes, emancipim kombëtar e raporte të pashpërfytyruara me të vërtetën. Punuam në këtë gazetë për më shumë se një vit e gjysmë duke pasur për devizë pikërisht normat e një shtypi të lirë dhe pavarësisht prej atyre që po ndodhin, secili nga ne ndihet krenar sepse në fund të fundit në themele të kësaj demokracie që ka sot Shqipëria dhe të asaj që do të projektohet nesër, është edhe puna jonë.
Mirëpo në disa plane njëherësh, kjo gazetë nuk po i qëndron platformës dhe programit të krijimit dhe qëndrimi i mëtejshëm i yni këtu do të komprometojë reputacionin tonë ashtu si dhe emrin e mirë që kjo gazetë krijoi me fillimet e saj. Ajo që na detyron më tepër se çdo gjë tjetër që të marrim këtë vendim është fakti se çdo ditë e më tepër po ndiejmë peshën e censurës. Ndiejmë se raporti i gazetës me të vërtetën, raport i cili duhet të ishte lajtmotivi i saj si kundër theksohej në numrin e parë është thyer. Kjo gjë ndodhi gradualisht hap pas hapi, por në fund mund të thuhet se kriteri bazë i gazetarisë, siç është profesionalizmi dhe vërtetësia, janë zëvendësuar me militantizmin. Në fillimet e para gazeta “Rilindja Demokratike”, që u projektua si organ i PD, ndaj dhe ne menduam se vartësia nga një parti demokratike do i shërbente vetëm të vërtetës, lirisë së fjalës, tolerancës e konsolidimit të një shteti demokratik. Edhe mbasi brenda PD u evidentuan grupimet e para, orientimi i gazetës u përcaktua me diapazon të gjerë që në të, të pasqyrohej diversiteti i mendimeve. Por ky diapazon erdhi gjithnjë duke u ngushtuar derisa në një mbledhje në maj të këtij viti gazetarëve iu bë e qartë se gazeta RD është thellësisht partiake. Por, edhe këtij përcaktimi nuk iu qëndrua deri në fund. Kohëve të fundit, gazeta RD u përdor pikërisht për të sulmuar vetë anëtarët e PD, apo individë të tjerë të lidhur me të. Madje individëve të sulmuar nuk u jepej e drejta për të botuar përgjigjet në një kohë që kjo gazetë në fillim të saj për hir të transparencës ka botuar reagime nga më të ndryshmet. Lidhur me këto probleme ne kemi ngritur zërin e kemi debatuar hapur, prandaj dorëheqja jonë nuk është spontane, por rrjedhojë e mendimeve dhe ideve tona të shprehura vazhdimisht.
Megjithëse gazeta RD, si organ i PD duhet të mbrojë Qeverinë e zotit Meksi, nuk ka munguar që sipas interesave të klaneve të caktuara të sulmojë në gazetë anëtarët e Qeverisë dhe indirekt vetë Kryeministrin. Kjo strategji, me anën e së cilës vihej në shënjestër secili që konsiderohet kundërshtar dhe që s’është çudi ndonjë ditë të drejtohet edhe kundër Presidentit, nuk është gjë tjetër veçse politikë personale. Në kushtet e instrumentalizmit të këtij organi dhe të përligjes së imoralitetit politik, ne me të drejtë tërhiqemi që të mos bëhemi bashkëfajtorë dhe të mos hyjmë në kulisat e luftës së klaneve. Nga ana tjetër, gjithnjë e më tepër, në gazetën RD po bëhet normë banaliteti, i cili konstatojmë se ka rënë si epidemi në pothuaj të gjithë shtypin shqiptar. Fyerjet, sharjet e shpifjet kundër personave të ndryshëm, të botuar këtu, që kanë për qëllim depersonalizimin e individit, janë në kundërshtim flagrant me etikën gazetareske dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Biografitë që po u shkruhen njerëzve në gazetë, ashtu si në zyrat e kuadrit të PPSH, duket sikur hera-herës tingëllojnë si kërcënime për revansh. Pra, në vend që të kultivohet një kulturë e re demokratike, nxiten instinktet primitive të hakmarrjes dhe intoleranca. Ajo që po e bën më të padurueshme gjendjen është se gjithë kjo praktikë zhvillohet në një kohë që pjesa më e madhe e stafit të gazetës nuk pajtohet me një gjë të tillë. Pra mungon pikërisht ai element demokratik, siç është fryma kolegjiale dhe që ngurtëson marrëdhëniet e mëtejshme. Duke mos pranuar që të jemi ushtarë symbyllur, të bindur të Partisë Demokratike apo të çfarëdo lloj klani të saj, shpresojmë që akti ynë do të kontribuojë në krijimin e një shtypi të pavarur, të lirë e jashtë partiak. E theksojmë se me anën e këtij veprimi, ne nuk futemi në lojërat politike të grupimeve apo forcave të caktuara, me apo pa pushtet, pasi synojmë që shtypi të jetë objektiv, informativ e i painfluencuar nga grupimet, klanet apo individët kudo qofshin ata. Gjithashtu ndershmërisht kërkojmë që kjo deklaratë të mos shfrytëzohet në mënyrë amorale politike sikundër po shohim të ndodhë shpesh kohët e fundit./Tiranë 24 gusht 1992/
1 shtator 1992
Politika e PD do t’u kthejë pushtetin socialistëve
Arben Imami
MOCION
- Ç’është mocioni? Ç’paraqiti mocioni “Për një qëndrim realist ndaj rezultatit të zgjedhjeve lokale”? Mocioni si sistem i politikës është një propozim me shkrim nga një grup njerëzish që bëjnë pjesë në një organizëm, propozim i cili diskutohet, argumentohet, kundërargumentohet, analizohet, shqyrtohet në pjesët e tij të veçanta dhe në të tërën e tij. Gjatë shqyrtimit, i cili vlerëson pozitivisht ose negativisht propozimin e bërë, arrihen konkluzione lidhur me problematikën e mocionit, vlerësohen elementë të vecantë të tij. Pas diskutimit mocioni votohet. Në rastin konkret të mocionit “Për një qëndrim realist ndaj rezultatit të zgjedhjeve lokale” u realizua vetëm faza e parë e një procedimi normal, domethënë vetëm paraqitja e tij. Në mbledhjen e këshillit kombëtar dhe në konferencë nuk u shqyrtua asnjë nga tezat e mocionit, por ai u paragjykua dhe u diskutua, u zhvendos tek hartuesit e tij. Ky diskutim i kapërceu caqet e etikës politike e veçanërisht asaj brenda partiake me akuza të pathemelta, shpifje e kërcënime, kurse për mocionin të krijohej përshtypja se kishte një vendim paraprak, një reaksion alergjik. Ende sot nuk ka një përpjekje për të shqyrtuar paanësisht tezat e paraqitura.
Askush nuk po mund të vërtetojë të kundërtën e tezës se gjatë katër muajve në pushtet, PD ka ngushtuar elektoratin e saj dhe ka devijime nga programi i dhjetorit 90, që synonte një parti të gjerë e intriguese. Askush nuk po mund të vërtetojë të kundërtën e tezës se paqja sociale arrihet nëpërmjet drejtësisë sociale, dhe se mosvendosja e drejtësisë sociale krijon një luftë të të gjithëve kundër të gjithëve; dhe se teza e Berishës “të gjithë bashkëfajtorë, të gjithë përgjegjës” e cila amplifikohet në çdo numër të ZP, u intereson në radhë të parë komunistëve, se kjo tezë pengon vendosjen e drejtësisë sociale. Pra e vërteta është se mendimi ynë u është dukur “blasfemi” idhujtarëve të rinj. Askush nuk po mund të argumentojë të kundërtën e tezës se boshti i kulturës së sotme shqiptare është bërë politika, ndërkohë kjo do të duhej të ishte vetëm aksesor. Askush nuk mund të gënjejë e të thotë se PD e kishte përgatitur ekzekutivin e saj të ardhshëm që para 22 Marsit. Askush nuk mundet të mohojë faktin që pushteti po përdoret për të larë hesapet me të ashtuquajturit kundërshtarët e Berishës, ndërkohë që Garda e vjetër e kuqe është e pashqetësuar. Askush nuk po mund të vërtetojë të kundërtën e tezës së banalizimit nëpërmjet paaftësisë. Askush nuk po mohon se PD ka nepotizëm dhe se ky ka filluar të shtrihet në shtet. Askush nuk po provon se RTV nuk është pronë personale. Përkundrazi dikush po e zbaton edhe më me këmbëngulje këtë. Vështroni anatemat e Presidentit në Konispol e Vrinë nëpërmjet RTV, përdorimin e RTV për luftë politike, brenda partiake kundër pseudodemokratëve dhe do të bindeni. Askush nuk do ta kishte të lehtë të argumentonte se në PD ka demokraci të brendshme, veçanërisht pas akuzave që na janë bërë pas moslejimit për të mbrojtur mendimin tonë në konferencë, pas përjashtimit tonë të pambështetur në statut etj. Askush nuk mund të pohojë se kryesia ka bërë mbledhje të rregullta dhe se ka procesverbale të rregullta. Askush nuk argumenton dot se teza jonë se PD aktivizon fjalorin komunist armik, agjent, nuk u rivërtetua. Ja pra, kjo ishte përmbajtja e mocionit. Duke mos hedhur poshtë tezat e tij, megjithëse de juro i refuzuar, ai de fakto është i pranuar. Le të shpresojmë se do të ndikojë pozitivisht edhe në PD. Por ndaj tezave të tij janë mbajtur qëndrime en bloc, shpesh demagogjike edhe me defekt në premisën e gjykimit.
Demagogji propagandistike rreth mocionit
Demagogjia, kjo sëmundje e vjetër e politikës, po përpiqet të krijojë mendimin se këto tezat tona janë po ato të ZP, ne konstatojmë ekstremizëm të djathtë, revanshizëm, diktaturë, se ne jemi kundër ish të persekutuarve; se jemi pro një koalicioni qeveritar me PS, se duam të mbrojmë veten me tezën e intelektualëve dhe natyrisht prej këtej jemi pseudointelektualë. Njeriu i thjeshtë që dëgjon vetëm njërën palë që ka shtypin, RTV, pushtetin dhe që dëgjon vazhdimisht të njëjtën shpifje nuk ka mundësinë e gjykimit të pavarur, kështu realizohet parimi “shpif, shpif, sepse diçka ngelet”. Në mocion, ne nuk konstatojmë në asnjë vend, ekzistencën e ekstremizmit të djathtë dhe as revanshizmit. Ne konstatojmë se reforma administrative po kryhet pa kritere, gjë që lejon krijimin e një administrate të paaftë. Kështu nga aparati i vjetër, shpesh mbeten më servilët, dallkaukët, kurse plotësimet e reja të bëra vetëm mbi kriterin e besueshmërinë po sjellin të paaftë të tjerë. Kështu pastrimet nuk bëhen për shkak të kriterit të ekstremizmit të djathtë, por për shkak të mungesës së çdo kriteri, përjashto pëlqimin ose mospëlqimin e shefave. Ne konstatojmë se në pikat kyçe të administratës po vendosen njerëz mbi bazën e nepotizmit dhe lokalizmit. Ky nuk është revanshizëm ndaj socialistëve, jo ky është pushtet i personave, pushtet i familjeve. ZP i trembet revanshizmit ndaj ish-komunistëve, kurse ne mendojmë se nëse do të vazhdojë kjo metodë pune, ish-komunistë, ballistë e çfarëdo qofshin të mbledhur për shkak të lidhjeve të sipërpërmendura, do të gjenden para pamundësisë për të qeverisur demokratikisht së pari, për arsye të paaftësisë dhe do të ketë revansh ndaj demokracisë. Vështrimi ynë dëshiron të mbrojë të gjithë njerëzit dhe pushtetin. Ky vështrim është kundër pushtetit të disave pro shtetit të qytetarëve. Në mocion, në asnjë vend nuk konstatojmë ekzistencën e diktaturës. Ne konstatojmë se, aprovimi i disa ligjeve blanket, mosrespektimi i pavarësisë së gjykatave, dhunimi i banesave ka ndikuar negativisht në rezultatin e zgjedhjeve. Sigurisht koncepti ynë nuk është se këta janë elementë të një jete demokratike, por cenimi i standardeve bazë të demokracisë si e drejta për jetën private, ndarja e pushteteve etj. Ne menduam që të evidentojmë brenda partisë këto probleme me qëllimin që të mos krijohen precedentë të rrezikshëm. Nëse ky vlerësim yni do të ishte gjykuar pozitivisht atëherë do të kishim gabime më normale të shtetit, i cili dëshiron të reflektojë. Mospranimi për të diskutuar si dhe dëshira për të ndërhyrë në gjykatat, jo në rrugë institucionale e mbi standarde të njohura botërisht, që u sipërfaqën më bindin tashmë se vërtet rastet e sipërpërmendura mund të jenë një precedent jodemokratik. Në mocion, ne pretendojmë për një qëndrim pa demagogji ndaj të burgosurve politikë dhe kurrsesi për distancim prej tyre. Sepse duke e perceptuar që në fillim PD-në si parti të gjerë, si parti me alternativën më të mirë për çdo qytetar, ne pranuam për të luftuar komunizmin dhe ish-komunistët e jo më ata njerëz që e kishin kundërshtuar komunizmin apo ishin viktima të dhunës së tij. Prandaj pyetjes së z.Dosti: përse tremben pseudodemokratët nga ne ish të persekutuarit? (RD. 14.08.1992), unë do t’i përgjigjesha: askush nuk trembet nga të persekutuarit, ata janë pjesë integrale e shoqërisë shqiptare. Për më tepër, sipas konceptit tim asnjë shtresë e shoqërisë nuk trembet përderisa ajo nuk manipulohet. Të persekutuarit shqiptarë që janë humanë dhe e dinë ç’është manipulimi nuk kanë rënë deri më sot pre e ndokujt dhe kam besimin që nuk do të bien. Por identifikimi i z.Dosti me “të persekutuarit” si dhe përfaqësimi që zoti Dosti merr përsipër nuk është normal. Ju z.Dosti do të duhej të ishit në udhëheqjen e PD për arsye të aftësive të të tjerëve qofshin këta edhe të persekutuar. Pikërisht demagogjinë e qëndrimit ndaj të burgosurve duke përdorur praninë tuaj në PD si përmbushje të interesave dhe të përfaqësimit të të burgosurve denoncon mocioni. Për rastin tuaj konkret ju e dini që nuk paragjykoj për arsye se dhe vetë theksoni mirësjelljen time fillestare. Qëndrimi im në mocion është reflektimi i veprimtarisë suaj negative në PD, dhe nëse kam kritikuar punën që po bëni me kuadrin në PD, nuk kam kritikuar biografinë tuaj, por punën tuaj. Prandaj pyetja juaj: Pse tremben pseudodemokratët nga ne të persekutuarit? nuk bën tjetër veçse riafirmon se mocioni ka të drejtë kur e shpjegon pozicionin tuaj demagogjik. Unë gjithashtu kam denoncuar faktin se ju nuk bëni politikën e PD por të një grupimi të caktuar të “Ballit”. A nuk e quani ju B.D.K., si “ i “ashtuquajturi Balli Kombëtar? Gjë që nënkupton, pikërisht se ju nuk i pranoni ata si përfaqësues të “Ballit” por grupimin tuaj, megjithëse ilegal. Për ndershmëri politike, zotërinj tregohuni kush jeni. Unë nëse do të isha anëtar i “Ballit”, i “Legalitetit”etj. do të luftoja për programin e atyre partive, jo për programin tim dhe të miqve të mi. Dhe sa për ju, apo të tjerë pas jush, që ju kanë vënë apo pompuar, ta dini unë nuk trembem. Një qëndrim i ri propozon mocionin përsa i përket klasifikimit të ish të persekutuarve. Ne konstatojmë se termi po shpërdorohet nga njerëz të pandershëm e që duan të përfitojnë pa qenë të persekutuar, e ndërkohë mjaft nga të burgosurit e vërtetë nuk marrin çka do t’u takonte. Pse? Sepse stimulantët janë më të shpejtë se ish të burgosurit, të cilët janë burgosur pikërisht sepse nuk stimulonin dot bindjet e tyre, familjet e tyre etj. Mendoj që propozimi për një klasifikim mund të merret në shqyrtim dhe të ishte në favor të ish të burgosurve.
Ç’thotë mocioni për intelektualët?
Ne konstatojmë se PD është aspiratë politike e shtresave të gjera, dhe më së pari e komponentes intelektuale kombëtare nga ku edhe doli (studentët, inteligjencia progresive) se kultura politike brenda partisë, fryma e “armiqve”, “të shiturve”, “agjentëve” e pengon frymën intelektuale në parti; se në administratë po krijojnë paaftësi, pra nuk po vënë sa dhe si duhet intelektualët; se kultura nuk duhet të ketë bosht politikën. Në këtë mënyrë, ne jo vetëm që nuk afishohemi si “elita e inteligjencës” (RD 12.8.1992), por përkundrazi shfaqim dëshirën që t’i shërbejmë asaj. Kam pasur dhe kam mendimin se intelektuali karakterizohet së pari nga vetëdija e vetëqenit i tillë nga pavarësia e gjykimit. Nga ky pozicion çmoj edhe çdo mendim intelektual të argumentuar qoftë edhe kur nuk jam i të njëjtit mendim. Prandaj edhe do t’u lutesha intelektualëve, pra atyre që gjykojnë me kokën e tyre peshojini edhe një herë ç’është thënë në atë mocion. Mos paragjykoni me skemën e “armiqve”, mos u influenconi nga njerëz që nuk qëndrojnë më lart se ju as nga ana intelektuale, as nga ajo kulturore, mos prezumoni pavarësi, mos formoni mendim nga dy-tre artikuj. Shikoni faktet. Thuhet se PD është mbështetur nga intelektualët. Është e vërtetë, PD, forca politike që duhej të largonte komunizmin, duhej dhe pati përkrahjen e inteligjencës. Shembulli më emblematik është “thirrja e 182 intelektualëve”. Më thoni cili prej tyre ka një funksion të rëndësishëm shtetëror ku mund të japë një kontribut serioz, ndërkohë që mund t’ju them se në Qeveri dhe në administratën aktuale ka vend për ta. A nuk e ndjen një intelektual se kjo nuk shkon, se kjo duhet ndrequr dhe a nuk duhet një intelektual ta shtrojë me guxim intelektual mendimin e tij, gjithmonë me qëllim konstruktiv? Nëse ky intelektual që i njeh këto probleme të partisë së tij hesht para saj, a do të mund të quhej më intelektual? Në ngritjen e problemit të intelektualëve jemi nisur nga dëshira për ta iluminuar shtetin, për ta bërë atë më serioz e të aftë dhe jo për një post, pra për të afruar të tjerë jo për të vendosur veten. Ka një mendim midis intelektualëve se është fillimi. Nëse do të kishte reflektime për gabimet, atëherë vërtet do të ishte fillimi. Për të thënë të vërteta, mendoj unë, është vonë. Lipset të kuptojmë se fillim është qeliza embrionale e një të ardhmeje e se çdo gabim në kodin e saj gjenetik do të shumëfishohet në atë të ardhme. “Ndërsa pretendoni se jeni intelektualë të mirëfilltë, ju i mbajtët larg pedagogët e universitetit dhe intelektualët e Tiranës” shkruan RD më 21.8.1992. Ky është thelbi i problemit, nëse intelektualët e mbështetën PD, sa i mbështeti PD intelektualët? Duhet të sqaroj se qëndrimi im personal ka qenë që fillimisht i përcaktuar. Unë u kam bërë thirrje në veçanti intelektualëve në mitingun e festimit të legalizimit të PD në dhjetor 90, të vijnë ta vazhdojnë së bashku atë luftë të cilën e filluan me përkrahjen e nxitjen e tyre. Të njëjtën thirrje kam bërë në intervistën e dhënë “Zërit të Amerikës” në dhjetor 90. Komisioni elektoral, që kam drejtuar, ka qenë padyshim nga organizmat më intelektuale të PD. Bile, kam qenë i interesuar posaçërisht për autorin e cituar, meqenëse e çmoj si intelektual e demokrat, që të paraqitej si kandidat për deputet i PD, megjithëse nuk e njihja personalisht. Është mirë që shkakun e mbajtjes larg të intelektualëve ta gjejmë atje ku është. Nëse nuk e gjejmë dot tani, le të presim ta gjejmë pak kohë pas largimit tonë nga PD.
Shqetësimi dhe mesazhi i mocionit
Liderë të PD zhurmojnë se zgjedhjet e 26 korrikut janë një fitore historike. Ky slogan është thjesht një mashtrim politik, një spekulim me popullin demokrat që dëshiron këtë gjë, një mungesë realizmi dhe burrërie, një mënyrë e papastër për t’i shpëtuar përgjegjësisë. Përsa i përket krahasimit me vendet Eurolindore – Qendrore, ai çalon nga të dy këmbët sepse ish-komunistët nuk kanë fituar pushtetin lokal në këto vende. Kurse në Bullgari, duhet theksuar, se diferenca mes demokratëve dhe ish-komunistëve në zgjedhjet parlamentare kishte qenë vetëm 2 për qind, ndërsa te ne ishte gati 40 për qind. Më 26 korrik, PD humbi disa qindra mijë votues. Më 26 korrik, PS mori 50 për qind të komunave, bashkive e rretheve, megjithëse me një numër të përgjithshëm votash pak më të ulët se të PD. Si shpjegohet ky fenomen? Të dy partitë kryesore kanë një numër të qëndrueshëm votuesish, i cili për PD afërsisht është ai 31 marsit 1991 dhe për PS ai i 22 marsit 1992. Midis këtyre dy poleve qëndron elektorati i lëkundur, i cili më 31 mars votoi nën dhunë për PD, më 22 mars me shpresë e besim për PD, kurse më 26 korrik abstenoi. Në këtë pjesë të elektoratit përfshihet kryesisht shumica e heshtur. Ajo nuk është aktive politikisht, por i gjykon proceset politike. Pikërisht kjo shumicë e heshtur do të përcaktojë se kush do të fitojë në Shqipëri. Kjo shumicë në këto zgjedhje u tregua neutrale për shkak se besimi i saj u godit nga gabimet e politikës së PD, nga mospërfaqësimi i interesave të saj nga PD, nga mungesa e seriozitetit dhe profesionalizmit në administratë, nga cenimi i disa të drejtave e lirive themelore, nga praktikimi i skemave të vjetra si parti-shtet, miqësi, nepotizëm, nga tendenca e krijimit të shtetit të familjeve etj. Nëse PD do të vazhdojë të njëjtën rrugë, atëherë gradualisht e me siguri kjo shumicë do të kërkojë një paternalitet politik që do ta gjejë te PS. Shtrohet pyetja: a do të mundet vallë të qeverisë më tej PD? A do të mund të kryejë reformën, e cila më 26 korrik ende s’kishte filluar, kur si mbështetje politike të ketë vetëm 30-35 për qind të zgjedhësve shqiptare? A nuk do të shkojë qeverisja në duart e socialistëve nëpërmjet koalicionit ose zgjedhjeve të tjera. Mendimi im është se PD ka ende një shans të fundit demokratik për të qeverisur pa u dhënë pushtet socialistëve. Ky është rikthimi i PD në një parti të gjerë intriguese, ku çdo qytetar të ndiejë sigurinë politike e sociale, ku çdo qytetar (edhe ai me bindje socialiste) të ndiejë e kuptojë se alternativa më e mirë për të në veçanti e për të gjithë është alternativa PD, ku çdo qytetar të bashkëpunojë lirisht e vullnetarisht për kalimin e reformës. Situata që po kalojmë kërkon kohezion, jo kohezion politik ku të gjitha partitë të bëhen një, por kohezion civil, qytetar. PD nuk duhet të dëgjojë klithmat histerike të irracionalëve ekstremistë, se asaj nuk ka ç’i duhet elektorati i lëkundur. Këta nuk e dinë ende se në demokraci qeveriset me vota dhe se ato janë të barabarta. Me keqardhje vë re se ky shqetësim i yni demokratik, qytetar, intelektual, nuk u mor parasysh dhe përkundër arsyes së PD pati avantazh intoleranca e saj, përkundër debatit pati avantazh paragjykimi. Nëse PD nuk do të rishikojë gabimet e saj, por si konsekuencë do t’i thellojë ato, atëherë politika e PD do t’u kthejë pushtetin socialistëve. Ky është shqetësimi dhe mesazhi i mocionit.
“MOCIONIZMI”
Në PD e RD, ky term është bashkëlidhur demagogjikisht me social-komunizmin e ZP. Nga ana tjetër, ZP shfrytëzon demagogjikisht kritikat e mia, diferencën mes pikëpamjeve të mia për zhvillimet e sotme dhe atyre zyrtare të PD, diferencë e cila është e ndryshme në sasi dhe cilësi me atë mes meje dhe ZP. Në jetën time nuk kam pasur nevojë për përkrahje, aq më tepër sot, prandaj do të ishte e moralshme për ZP të mos gjejë konkordanca të njëjta me atë që zbuloi RD, aq më shumë te një kundërshtar i saj ideologjik e politik. Në tezat që mocioni shtron nuk ka asgjë të përbashkët me social-komunizmin, përkundrazi tezat e tij janë thellësisht demokratike. Ato kritikojnë abuzimin me pushtetin, ato kërkojnë standarde demokratike të ligjeve, ato shprehen kundër traditës së vjetër politike komuniste të trashëguar në parti e shtet. Në këto teza pikëvështrimi ynë është krejt i ndryshëm nga ai i socialistëve për problemin e ekstremizmit, revanshizmit etj. Shqetësimi i mocionit është forcimi dhe shtrirja e PD, jo e kundërta, restriktimi i saj, është shmangia e gabimeve, jo thellimi i tyre, është dëshira që shteti t’i mbetet PD e të mos i kalojë PS. Socialistët sulmojnë gabimet e PD për kapital politik. Ne ngritëm shqetësimin tonë brenda në PD edhe për ta ndrequr atë. Në RD, më 2.8.1992, z.Pëllumb Kulla shumë bindshëm argumenton se opozita social-komuniste e cila nuk ka të drejtën morale të kritikojë, po saboton opozicionin e mendimit kritikën, ngritjen e shqetësimeve. Rrezikshmëria e këtij sabotimi qëndron në atë që është pikërisht PD, që bie pre e para. Kështu PD për çdo kritikë, shqetësim apo opozicion në veprime të saj bëhet refraktare, nuk duron, nervozohet dhe shpall “armiq”, “të porositur”, “social-komunistë” etj. Duke rënë në këtë grackë, duke mos pranuar asnjë kritikë ngado që vjen për arsye të sulmeve të socialistëve, PD përqafon një pozicion jo demokratik, monistik. Duke iu kthyer paragrafit të parë të artikullit shtojmë se, mocion në kuptimin e përgjithshëm do të thotë lëvizje. “Mocionizmi” nuk dëshiron gjë tjetër veçse ta lëvizë PD nga ky pozicion, lëvizje që mund dhe duhet të kryhet edhe pas largimit tonë./Arben Imami/
2 tetor 1992
Ne nuk do të heqim dorë nga ideali i Dhjetorit
Deklaratë
Heqja e imunitetit të udhëheqësit të lëvizjes studentore të Dhjetorit, Azem Hajdarit, pas një farse parlamentare si dhe mjaft veprime shqetësuese të kohëve të fundit, na detyruan ne, një grup drejtuesish të lëvizjes studentore, të rigrupohemi edhe një herë në këtë deklaratë. Veprimi i fundit i Parlamentit Shqiptar ndaj Azem Hajdarit është një goditje që i bëhet krejt lëvizjes studentore, programit dhe idealeve të saj. Ajo është kurorëzimi i goditjeve sistematike që u janë dhënë jo vetëm ëndrrave tona por edhe personave që ua besuam realizimin e tyre. Ëndrra, e cila na hodhi në përleshjet me diktaturën, ka qenë një Shqipëri demokratike me një staf drejtuesish të aftë e të kualifikuar që do ta realizonin atë. Shkeljet flagrante të ligjit, që po bëhen akoma më të theksuara e kanë cunguar ëndrrën tonë për një demokraci të vërtetë. Nga ana tjetër shmangia e njerëzve të aftë dhe zëvendësimi i pushtetarëve me shkollë partie të PPSH, me besnikë të pashkolluar, përbën edhe një injorim tjetër të lëvizjes sonë. Nuk duhet harruar se PD e lindur në Q.Studenti nga një grup studentësh u largua shpejt nga ata. Të persekutuar prej ëndrrës së tyre, shokët tanë vërtiten udhëve të Shqipërisë, apo akoma më keq morën udhët e botës varur pas parmakëve të anijeve. Pedagogët intelektualë të UT që u gjendën të parët pranë nesh, që na përkrahën, që u bënë themelues të PD, që ne u besuam idealet tona, u denigruan, u shanë, u përgojuan, u etiketuan me gjithfarë epitetesh rrugaçe të denja vetëm për kalemxhinjtë komunistë. Largimi i tyre nga PD në një mënyrë të ndyrë përbën injorimin e dytë të madh të lëvizjes studentore. Sjellja ndaj tyre tregoi se demokracia në Shqipëri është ende larg. Dhe së fundi, heqja e imunitetit të Azem Hajdarit, sipas një logjike absurde përbën injorimin e plotë të lëvizjes studentore. Azem Hajdari është simbol jo vetëm i lëvizjes sonë por edhe i gjithë ndryshimeve demokratike në Shqipëri. Prekja e tij do thotë prekje dhe denigrim i lehtë të çdo prestari të shoqërisë shqiptare, i cili në një mënyrë apo në një tjetër do të prekë interesat e pushtetmbajtësve. Procesi ndaj Azem Hajdarit është një skenar policor me qëllime të caktuara politike. Ai do të synojë të gjithë ata që do të kërkojnë t’i bëhen pengesa absurditetit. Me sa duket, të qenit pjesëtarë të lëvizjes së Dhjetorit, përbën tashmë për ne një mëkat në të cilin ne hymë dy vjet më parë me vetëdije të plotë për t’i shërbyer Atdheut. Të nisur nga ideja se fatkeqësitë e një kombi rëndojnë mbi të gjithë prestarët e tij, se të gjithë bëhen lojtarë të së keqes me apo pa dëshirë, ne deklarojmë se nuk do të heqim dorë nga ideali i Dhjetorit. I bëjmë thirrje Parlamentit të rishikojë menjëherë vendimet e tij si dhe i kërkojmë Presidentit të Republikës të veprojë për parandalimin e aventurave politike që po e çojnë këtë komb drejt katastrofës së sigurt.
Tiranë, 30.9.1992
Ridvan Peshkëpia, Blendi Gonxhe, Blendi Fevziu, Skënder Haluci, Ilir Dizdari, Akli Fundo, Skënder Minxhozi, Romeo Karaj, Emin Barci, Shpëtim Idrizi, Uran Xhemalce, Spiro Cura, Dritan Shano, Adrian Petrollari, Ilir Vishko, Eduart Prodani, Roland Dhrami, Agim Imeri
Arkiva e Koha Jone/Me 31 tetor 1992, Ben Blushi: Heqja e imunitetit, Ilir Meta fli e kompromisit Berisha-Nano. PS-së nuk i duhen më eurosocialistët
Nga Ben Blushi, botuar në KOHA JONE, me 31 tetor 1992
Pas nxjerrjes jashtë ligjit të Partisë Komuniste Shqiptare, PS-ja mbeti në rolin e “fundit të Mohikanëve”. E mobilizuar maksimalisht, më tepër për të ruajtur llojin se sa për të fituar zgjedhjet, PS korri në një rezultat të përafërt me PD me 26 korrik, gjë që e bind përfundimisht se lufta për ekzistencë i përkiste tashmë një të shkuare. Deri sa Partia Komuniste kishte ekzistuar duke mbushur cepin më “lindor” të spektrit, kjo e fundit shërbente dhe si një mburojë, që me kokën e Enverit dhe dafinat prej golgothaje të marksizëm-leninizmit, amortizonte indirekt sulmet ndaj PS dhe socializmit të saj. Pas 26 korrikut duket se ka filluar një etapë tjetër për PS dhe në përgjithësi për krejt politikën shqiptare. Megjithëse PD është betuar në emër të gjithë shenjtorëve demokratë se kurrë nuk do të bëjë kompromis me PS, pas zgjedhjeve pra, ajo është e detyruar të bisedojë me një kundërshtar pothuajse të barabartë (kam parasysh rezultatet e 26 korrikut). Nga ana e vet, PS ka dalë nga llogoret mbrojtëse dhe është ulur në shesh të luftës. Që ka një afrim ose konvergim jo aq mjeshtërisht të fshehur nga të dy forcat, kjo është evidente, dhe së paku duket në përplasjen e sfungjertë të dy gazetave ndërsa së shumti në takimin e pakonfirmuar por edhe të papërgënjeshtruar nga të dy palët, Berisha-Nano. Përfaqësuesit më të denjë të politikës personale që po realizohet në Shqipëri, Berishën dhe Nanon, i bashkon e njëjta biografi ish-komuniste. Tani që spektri partiak po ristrukturohet ata, të dy duket se janë konservatorë të ndërgjegjshëm që ta pengojnë edhe me gërryerjen perspektive të elektoratit. Kështu që përveç biografisë dy udhëheqësit sigurisht që i bashkojnë edhe interesat e momentit. S’ka disa ditë që Nano foli në Parlament me rastin e heqjes së deputetit socialist Ilir Meta. Megjithëse ishte takuar vetëm disa ditë më parë me Berishën, Nano i bëri atij thirrje nga salla e parlamentit “që të ngrihet realisht mbi partitë dhe konfliktet politike të ditës dhe të marrë iniciativa konkrete për të nxitur dialogun politik në dobi të normalizimit të jetës në vend”. E përkthyer në gjuhë të përditshme, dialog politik do të thotë takime të ngjashme si ai Nano-Berisha e si pasojë ndarje e përgjegjësisë. Duket se ky është mesazhi i gjithë fjalimit të kryetarit socialist me rastin e heqjes së imunitetit të një deputeti të Partisë së tij. Ndërsa ky deputet, Ilir Meta, ashtu siç rrodhën ngjarjet rezultoi të ishte kurbani i ditës së paqes dhe kompromisit. Mesazhi i qartë dhe pa shumë ekuivok i Nanos megjithëse de jure i drejtohet Presidentit de fakto, i drejtohet gjithë Parlamentit e gjithë shqiptarëve. Por le të kthehemi edhe një herë te çështja Meta, qëndrimi i PS, ndaj të cilit, zbuloi “politikën e jashtme” dhe politikën e brendshme të kësaj partie. Ilir Metës deputet socialist, 23 vjeç një nga eurosocialistët e parë, iu hoq imuniteti disa ditë pas heqjes së imunitetit të Azem Hajdarit dhe të dyve bashkë pas “heqjes së imunitetit” të prokurorit të përgjithshëm Maks Haxhia. Ky i fundit ishte shkalla e parë që pushtetarët dhe klanet mbipartiake duhet të kalonin për t’u ngjitur në tempullin e të plotfuqishmit, në tempullin e atij që ka edhe gurin edhe arrën. Azem Hajdari duke qenë gjithnjë në mes të dy krahëve në PD u çimunizua për të frikësuar atë vetë bashkë me gjithë të përjashtuarit nga PD. Po Ilir Meta? Te ky i fundit gjërat kanë evoluar ndjeshëm por edhe eksperienca gjithashtu dhe këtë të fundit mund ta përdorim. Ilir Meta është shembulli më adapt për t‘i shkuar deri në fund fillimit të spastrimeve në Parlament dhe në parti. Ai e mbyll trekëndëshin. Ilir Meta ishte një fli që i duhej edhe PD edhe PS ose më saktë të dy klaneve të tyre. PD, me Metën donte të tregonte se ajo e zbaton drejtësinë mbi këdo qoftë. I joni apo i juaji, artificialisht PD mendoi që me anë të I.M. të qepte vellon e grisur të drejtësisë, të ligjit, të cilën vello e grisi vetë dy herë në rastin e M.Haxhisë dhe A.Hajdarit. Nga ana e vet, PS iu përgjigj PD dhe kjo përgjigje ishte realizuar jo si komunikim shpirtrash por realisht, në zyrën e Presidentit Berisha. Si rezultat partia e tij socialiste e tradhtoi Ilir Metën. Megjithëse shumë deputetë folën kundër heqjes së imunitetit, farsën, ishte vetë Nano dhe klani i tij që e nxorën në shesh. Në fjalën e tij me ç’rast të cituar edhe më parë kryetari socialist thotë: “Në rastin e Poliçanit nuk ka alternativë tjetër përveç trajtimit të barabartë të palëve”. Kjo është pra alternativa e Fatos Nanos i cili në stilin e PD duket se mbi ligjin dhe drejtësinë nuk ve as edhe partinë e dashur. Por a është ai vërtet i bindur se deputeti i tij është po aq fajtor sa Kopliku apo Zhulali të cilët më poshtë Nano i fton t’i nënshtrohen gjykimit? Djallëzisht, duke operuar me termat dhe metodat e të drejtës kryetari e paragjykon I.Metën duke e krahasuar me dy ministrat dhe duke e barabitur me ta. Për çudi, pas ngjarjeve në Poliçan kryetari i partisë nuk vajti as edhe një herë në zonën ku fitoi vota më shumë se kudo gjetkë. Ai ka tentuar që në emër të rendit dhe qetësisë të pengojë protestat e kërkuara dhe të përsëritura të poliçanësve që kërkuan madje të vinin në Tiranë për të mbrojtur deputetin e zonës. Gjatë kohës që pritej të shtrohej në Parlament çështja Meta, gazeta socialiste “Zëri i Populli” i frynte kësaj çështje përditë dhe ishte ajo që botoi akt-akuzën duke i dhënë shkas edhe RD të ndizej. Për të kaluar përsëri në sallën e Parlamentit, të cilën Nano nuk e braktisi ashtu siç kishte vepruar në mënyrën më absurde edhe kur ishte vënë përballë artikujve të pafaktuar siç ishte ai i Luan Pobratit, PS gjithashtu nuk ngulmoi në dhënien në TV të seancës parlamentare e cila sigurisht që vetëm në dëm të Ilir Metës nuk do të ishte. Grupi parlamentar i PS ra dakord me grupin parlamentar të PD që deputeti Ilir Meta të mos dilte në TV para spektatorit dhe elektoratit shqiptar për të thënë se heqja e imunitetit të tij ishte një hakmarrje politike që u udhëhoq për tërë natën me telefon. Klani Nano në frekuencë me klanin në PD i shkuan deri në fund skenarit kur pranuan që votimi të zhvillohej hapur ose në mënyrë burrërore sipas propozimit të Pjetër Arbnorit. Më tepër, PS kish bërtitur kur për A.Hajdarin u vendos të votohej fshehurazi. Një votim i fshehtë normalisht do të ishte në favor të Ilir Metës, i cili me vota të ekspozuara humbi “votat e frikës” në PD. Megjithëse Nano ishte shumë i kujdesshëm për të ruajtur unitetin e partisë së tij pas ndodhisë Meta, kjo bëhet e vështirë. Inskenimi i fundit në parlament e ka nxjerrë në pah se PS në ndjekje të skemave të PD dhe të dyja bashkë në ndjekje të skemave të fosilizuara të PPSH i kanë qejf grupet armiqësore dhe përjashtimet nga radhët. Duke qenë inferior për biografinë e vet dhe atë të partisë, këtë radhë Fatos Nano kërkoi t’i nxirrte gështenjat nga zjarri me duart e PD. Ai nuk është akoma aq i fortë sa të bëjë skenar më të lexueshëm politik të cilët do t’i minonin përfundimisht elektoratin. Kështu që kërkon ndihmë jashtë partisë duke ofruar sigurisht diçka. Por konkretisht çfarë? Më e para gjë që mund të mendohet është aleancë e fshehtë në dëm të forcave të reja në krijim, por ndoshta Nano mund të ofrojë edhe mocione për qeveritarët që duhen larguar dhe në këtë rast do të ishte dikush tjetër që do t’i nxirrte gështenjat nga zjarri me duart e kuqe të PS. Sa për PS, qoftë edhe me frikën e përjashtimit dhe heqjes së imunitetit, ajo mund të ruhet. Kriza mund të fshihet. Kushdo që del jashtë vijave të bardha, (të kuqe), ka fatin e Ilir Metës, therja e të cilit ruan delet e tjera. Pasi e nxorën PS nga dimri i ftohtë, tashmë Ilir Meta bashkë me shokët e vet eurosocialistë, nuk duheshin dhe në logjikën e gatshme të PPSH, ata duheshin eklipsuar ose evituar sepse konkurencën e novitetit dhe garën e biografive s’mund ta fitonin veç ata. Aktualisht eurosocialistët që u servirën si moda e fundit socialiste gati një vit më parë tani janë paralizuar dhe nuk ndihen më. Por mbase Nano nuk e kupton se duke aplikuar skemat e vjetra, ai po futet në një dimër tjetër, dhe atëherë ç’invencion do bëjë? Ndoshta nga takimet me opozitarët ai po e gjen formulën/Ben Blushi/
Aleksandër Frangaj me 21 nentor 1992 për gjyqin mes kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe drejtorit të KOHA JONE, Nikoll Lesi
Nga Aleksandër Frangaj-
Të mërkurën, në orën 8:15 minuta, në sallën e Gjykatës së Rrethit të Lezhës nën drejtimin e gjyqtares Mereme Delishi, nisi seanca gjyqësore mes Blerim Çelës, kryetar i kontrollit të shtetit dhe Nikoll Lesit, drejtor i gazetës “Koha Jonë”, me akuzën “për shpifje publike”. Siç dihet nga mbarë opinioni çështja shtrohet: e ka thënë apo s’e ka thënë Blerimi deklaratën: “votat edhe Sllobodanit jepjani, por kurrë PS”.
Zoti Çela mbrohej nga avokati Përparim Sanxhaku, ndërsa zoti Lesi nga avokati i njohur Spartak Ngjela. Pas formaliteteve të hapjes së seancës “avokati” Ngjela kërkoi që pala paditëse të jepte provat e tyre, por kur të gjithë të pranishmit, gazetarët si dhe vetë pala e akuzuar për shpifje botërisht prisnin të dëgjonin provat dhe faktet nga ana e palës që ka bërë padinë prej më se një muaji, për çudinë dhe habinë e të gjithëve, paditësit kërkuan të shtyhet gjyqi pasi nuk kanë prova. Avokati i zotit Çela deklaroi: – “meqenëse nuk njihem me materialet e çështjes të grumbulluara deri tani në ngarkim të Nikoll Lesit (të mos harrojmë se padia është bërë nga ana e tyre një muaj më parë dhe askush nuk ua ka fajin që të mos ishin njohur me materialet e grumbulluara prej tyre vetë, – shënim i gazetarit), akuza me sa kam parë unë nga kërkesë-padia nuk është e bazuar proceduralisht dhe ne si palë e dëmtuar kemi për detyrë para Gjykatës të përcaktojmë subjektin, të sjellim prova dhe të ndërtojmë akuzën (sipas saj del se padia e zotit Çela është ndërtuar jo në bazë ligjore, del se këta nuk kanë prova dhe se nuk kanë ndërtuar akoma akuzën,- shënim i gazetarit), meqenëse jemi të papërgatitur për këtë (përse e bëtë padinë kur ishit të papërgatitur?- shënim i gazetarit.) e në të njëjtën kohë kërkojmë që përveç dëshmitarëve që u thirrën këtu (nga 50 dëshmitarët e zotit Çela vetëm Pal Leka, kryetari i PD në Shëngjin u paraqit në gjyq,- shënim i gazetarit) kërkojmë nga Gjykata për të zbuluar të vërtetën rreth kësaj vepre penale, të thirren për dëshmitarë zotërinjtë Pjetër Arbnori, Abdi Baleta dhe Tonin Alimëhilli. (Përse nuk i thirrët ditën e gjyqit zoti Çela, në Parlament i ke pasur, padinë vetë e bëtë, askush s’u detyroi apo nuk e dinit se këta zotërinj kanë qenë atë ditë në Shëngjin së bashku me ty?) Më pas avokati i zotit Nikoll Lesi, zoti Spartak Ngjela kërkoi që gjyqi të zhvillohej sot përderisa paditësit kanë bërë akuzën dhe se nuk është faji ynë, tha ai, pse ju nuk keni prova, dhe se kjo gjë duhet të jetë në favor të palës sonë. Përsa i përket tre dëshmitarëve që kërkohen në gjyq, ata fare mirë mund të ishin thirrur sot së bashku me dëshmitarët e tjerë. Unë mendoj se për shumë rrethana, në rast se pala tjetër arrin të thotë për defekte të caktuara, për defekte që kanë konstatuar te provat që ka paraqitur, se ka paraqitur 50 dëshmitarë, në rast se ka pasur defekte teknike të cilat u kanë shpëtuar, padashur t’i hyjmë fare çështjes në ka qenë apo jo e vërtetë, pa dashur të implikoj palën tjetër në të gjithë aspektin e vet, mendoj se do të ishte më mirë që pala akuzuese të tërhiqej në këto momente dhe kësaj çështje t’i jepte fund, sepse një politikan ka të drejtë të thotë se votat mund t’ia jepni edhe djallit, por jo palës tjetër. Më pas avokati i zotit Çela vazhdoi: – të drejtën e heqjes dorë nga ankimi ne e kemi parasysh dhe kjo parashikohet në ligj, ne kërkojmë për shkaqe të përligjura që seanca gjyqësore të shtyhet se shkaqet janë vërtetë të përligjura. Unë si avokat i zotit Blerim Çela vihem sot në dijeni për këtë problem, të njihem me materialet dhe siç thashë meqenëse akuza nuk është e ndërtuar proceduralisht në rregull, pasi nuk ka as dispozitën materiale dhe as atë procedurale, meqenëse nuk është i saktë përcaktimi i subjektit të veprës penale, meqenëse kemi prova të tjera përveç atyre që ju (i drejtohet gjyqtares) lexuat emrat këtu, (shih i dashur lexues, në njërën anë thotë se sot vihem në dijeni për këtë problem të njihem me materiale, në anën tjetër brenda një diskutimi thotë se kemi prova të tjera. Pse nuk i sollët në gjyq provat zotërinj apo nuk ua merrte dot makina?- shënim i gazetarit) dhe për të cilët është e drejta jonë të heqim dorë, siç kemi të drejtën edhe të heqjes dorë nga akuza, kemi të drejtën të heqim dorë edhe nga pyetja e dëshmitarëve që ne kemi paraqitur (dhe që vetëm një u ka mbetur nga lista prej 50 vetash, shënim i gazetarit) kërkojmë që për sqarimin e kësaj çështje të pyeten dëshmitarët që përmenda më sipër. Këto janë kërkesa procedurale dhe që kërkojnë nga gjykata të marrë vendim për këtë problem. Më pas zoti Spartak Ngjela vazhdoi: – në rast se pala akuzuese pretendon se akuza është ngritur mbi baza jo të rregullta procedurale, kjo na jep të drejtën ne të fitojmë pafajësinë, nuk i jep të drejtë palës tjetër që do të thotë meqë akuza nuk është e rregullt, të shtyjmë gjyqin. Pretendime të tilla, për të shtyrë gjyqin, ka të drejtë të bëjë vetëm pala që mbrohet, pra vetëm i pandehuri. Në qoftë se ata e shikojnë se ka shkelje procedurale dhe kjo jo për faj të tyre, le të tërhiqen ose të vazhdojnë gjyqin dhe të mbajnë përgjegjësi për shkelje procedurale sepse me atë vepër procedurale është mbajtur i pandehur N.Lesi, i është privuar e drejta për të lëvizur, ka qenë në tension rreth një muaj e gjysmë, prandaj mua më duket se nuk shkon ky gjykim. Ne kërkojmë të vazhdojë gjyqi dhe në rast se e vërteta do të dalë, do të dalë në favorin tonë. Se nuk jemi për akuzën. Më pas gjyqtarja Mereme Delishi tha se meqë avokati i zotit Blerim Çela nuk është njohur me materialet e çështjes, e shtymë seancën për më datën 3 dhjetor dhe mbylli seancën. Siç e shihni, ata që paditën, ata që e detyruan drejtorin e gazetës “Koha Jonë” të rrijë i mbyllur për një kohë të gjatë brenda rrethinave të qytetit, ata që shqetësuan familjen dhe të afërmit e N.Lesit, ata që deklaruan në Parlament, në Radio Televizion, në RD se ne kemi 50 firma që dëshmojnë se nuk e kemi thënë deklaratën “Votat edhe Sllobodanit jepjani, por kurrë PS” në gjyq deklarojnë se nuk kemi prova dhe se nuk jemi të përgatitur për këtë gjë. Çfarë i thoni kësaj të nderuar lexues? Kur e panë zotërinjtë paditës se firmat e mbledhura në Shëngjin ishin vërtet të manipuluara, gjë që u vërtetua me mosparaqitjen e tyre në gjyq kurse kryetarit të PD për Shëngjinin kërkuan t’i gjejnë mbrojtje (ndërkohë që janë paditës) te deputetët e PD, P.Arbnori, A.Baleta dhe T.Alimhilli. Por a do të bëjnë dëshmi të rreme zotërinjtë deputetë? Çdo gjë mund të ndodhë, ndoshta sepse deputetët nuk mbajnë përgjegjësi për ato çka thonë, por nuk duhet harruar se mandati dikur do të mbarojë dhe dosjet në mos këta, dikush tjetër pas tyre do t’i hapë, dhe dihet se për dëshmi të rreme dënohesh deri në dy vjet heqje lirie. Kam besim të paktën te Pjetër Arbnori i cili e ka provuar çdo të thotë heqje lirie. Dhe në qoftë se dëshmitarët e rremë të kohës së diktaturës u falën, dëshmitarët e rremë të demokracisë nuk do të falen lehtë. E zëmë sikur këta do të deklarojnë pro Blerim Çelës, gjithsesi këta mbeten vetëm tre dëshmitarë, ndërsa pala tjetër ka pothuaj të gjithë të pranishmit e ndershëm që atë ditë i kanë pasur veshët në rregull. Ka nga ata që nuk do të shiten para premtimeve të pushtetarëve, ka nga ata që nuk duan të njollosin veten me turpin e dëshmisë së rreme, ka nga ata që i thonë dhe duan t’i thonë vetes BURRA e trima që nuk shiten për një karrige të qelbur të përfituar me shpifje. A nuk është kjo një tërheqje për të përfituar kohë që të manipulohen dëshmitarë të rremë? Zoti Çela meqenëse u bëre burrë dhe e padite në gjyq Nikoll Lesin duhet që ditën e gjyqit të sillje provat, dhe në pamundësi të tyre të tregoheshe përsëri burrë dhe të tërhiqje akuzën, sepse një zgjatje e kësaj çështjeje për shumë kohë dhe për shumë seanca është vetëm në dëmin tënd. Sido të shkojnë punët e planet e tua, e vërteta do dalë ashtu siç është.
Në emër të redaksisë falënderoj të gjithë gazetarët që morën pjesë në këtë mikrogjyq dhe konkretisht përfaqësuesit e gazetave “Zëri i Popullit”, “Rilindja Demokratike”, “Republika”, “Alternativa SD”, “Zëri i Rinisë”, “Sindikalisti”, “Studenti” dhe korrespondentin e Radios “Deutsche Welle”./Aleksandër Frangaj/
26 dhjetor 1992
BALLKANI – ORA ZERO
-Zgjedhjet në “Federatën” Jugosllave kërcënim serioz në Ballkan-
Nga Skender Minxhozi-
Më 20 dhjetor në “Jugosllavinë e vogël” u zhvilluan zgjedhjet Presidenciale. 72 orë pas zhvillimit të tyre u bë e qartë fitorja e konservatorëve të Millosheviçit. Më parë komisioni i zgjedhjeve ia pati ndaluar pjesëmarrjen kandidatit të moderuar Milan Paniç, me pretekstin se nuk ishte qytetar permanent i Republikës së Serbisë. 24 orë pas zgjedhjeve Milan Paniç, duke pasur edhe përkrahjen e vëzhguesve të shumtë ndërkombëtarë që ndoqën këto zgjedhje kërkoi përsëritjen e tyre për shkak të trukimeve të shumta që u vunë re. Interesimi që ngjallën zgjedhjet në Federatën që mbledh “mbeturinat” e shtetit shumëkombësh të Ballkanit kishte të bënte në fund të fundit me fatin e konfliktit në Bosnjë-Hercegovinë që po shkakton viktima në zemër të një Europe e cila duket se i është nënshtruar fatit. Gjendja e vështirë e Serbisë pas embargos së Kombeve të Bashkuara dhe problemet e shumta që sjell lufta me ish-partnerët myslimanë të Bosnjë-Hercegovinës si dhe dalja në skenë e një figure të moderuar si Paniçi, i cili më së pakti ka atributin e politikanit që vjen nga Amerika, krijuan idenë e gabuar se publiku serb do të hiqte nga skena politike Millosheviçin, personazh i konsumuar sipas vëzhguesve politikë. Por zgjedhjet treguan se nacionalizmi si kartë politike mund të luhet ende në Jugosllavinë post komuniste, e cila ia detyroi krijimin dhe ekzistencën e deritanishme koniukturave diplomatike ndërkombëtare. Perëndimi po sheh me shqetësim rritjen e unitarizmit nacionalist me të cilin po manipulojnë ekstremet politike serbe. Nga njëra anë ish-komunistët të cilët të konvertuar në nacionalistë tentojnë të ruajnë pushtetin, nga ana tjetër të djathtët e Sheshelit, të cilët me flamurin e “Stara Serbisë”, synojnë ta marrin ata. Skena politike serbe është rast tipik i mbushjes së vakumit ideologjik të shkaktuar nga përmbysja e komunizmit, nga një nacionalizëm i verbër, fenomen i rëndomtë ky për Europën Lindore e jo vetëm për të. Fenomene të shumta politike që ndodhën në këtë vend si pasojë e mërive etnike, rastësisë, traditave dhe tërheqjes së fuqishme që ushtronin mbi të dy kampet kundërshtare, bënë që sllavët e Jugut t’i kthejnë të parët sytë drejt Perëndimit më 1948 dhe të pranojnë ndër të fundit pluralizmin politik më 1990. Në këto kushte amerikano-jugosllavi që e flet serbo-kroatishten me aksent britanik, Milan Panic, e sheh veten midis dy zjarreve. Miliarderi perëndimor i çmësuar me prapaskenat dhe djallëzitë politike të ballkanasve u përfshi shumë shpejt në një vorbull nga e cila do ta ketë të vështirë të dalë. Njeriu, i cili premtoi “ta shuajë” fitilin që në mënyrë të frikshme po i afrohet “fuçisë së barutit”, e humbi shansin e fundit për ta bërë këtë. Tani Ballkani gjendet para një situate vërtet dramatike. Mbeten për t’u parë kartat që do të luajë Perëndimi. Diçka është e qartë: Serbia nuk është Somali. Të vihesh përballë një vendi që ka një prodhim vjetor armësh prej 2 miliardë dollarë (një nga eksportuesit kryesorë në Europë) do të thotë të futesh në një tunel të errët pa e ditur se ku të shpie. Megjithatë, kjo duket si zgjidhje e vetme në një moment kur shpresat për negociata janë më të pakta se kurrë. Të para në rrjedhën e deritanishme të gjërave, rezultatet e zgjedhjeve jugosllave duket sikur rreken të vërtetojnë edhe një herë frazën fataliste por me një dozë të konsiderueshme realizmi se “Ballkani është Ballkan”. Analistët mendojnë se një përhapje e konfliktit është shumë e mundshme në këto kushte. Objektivi i ardhshëm i Serbisë, sipas tyre do të jetë Kosova dhe Maqedonia. Një konflikt i mundshëm në këtë rajon do ta bënte eminent rrezikun e një lufte ballkanike. Zgjidhja e çështjes kombëtare të shqiptarëve në këtë mënyrë, edhe nëse ajo do të jetë pozitive, do t’i ngjante një operacioni pa anestezi. Gjithçka do të luhet në kabinetet diplomatike të Europës pas 20 dhjetorit do të afrojë ose do të largojë në mënyrë fatale një përplasje ballkanike, lëkundjet e së cilës do të prishnin në mënyrë të pandreqshme shumë ekuilibra të vendosur nga ky shekull./Skënder Minxhozi/
Fatos Lubonja: Revolucionarët e suksesshëm bëhen burra shteti, kurse revolucionarët e dështuar, kriminelë, ka thënë E.From
Intervistë e ish-anëtarit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Fatos T.Lubonja
(Botuar me 20 Janar 1993)
KJ: Mësuam se jeni larguar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. A mund të na shpjegoni arsyet?
Fatos Lubonja: Po kalojmë një periudhë tepër të rëndësishme për fatet e kombit ku idetë politike, sociale, ekonomike që paraqesin, qoftë përmjet shtypit, qoftë përmjet ardhmërisë së popullit shqiptar, prandaj dhe mendoj se gjithsecili që është i angazhuar në këtë zhvillim e paraqitje ideshë, ka përgjegjësinë e vet historike për atë çka do bëhet mirë apo keq mbi bazën e këtyre ideve. Largimi im nga kjo organizatë në thelb ka të bëjë me këtë ndjenjë përgjegjësie me faktin se nuk dua të ndaj përgjegjësi për gjëra që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, të cilat nuk po shkojnë ashtu siç i konceptoj unë dhe për të cilat, gjithë sipas meje, i takonte më së pari kësaj organizate të protestonte. Pra, për të folur më shkoqur, unë u largova nga kjo organizatë pasi e pashë veten të fuqishëm për të evituar që edhe pas marrjes së pushtetit nga forcat e reja politike, ajo të vazhdonte të luante funksionin e një organizate qeveritare intelektualësh të pavarur që kontrollon dhe denoncon shkeljet e të drejtave të njeriut nga shteti.
KJ: Atëherë si e shikoni qëllimin e kësaj organizate joqeveritare në strukturimin e shoqërisë shqiptare?
Fatos Lubonja: Nëse do t’i referohesha refleksioneve të sociologut të njohur, Ralf Dahrendorf, mbi revolucionin në Evropën Lindore, periudhën historikë që po kalojmë do ta karakterizoja duke thënë se tani e kemi lënë pas atë fazë kur monopoli i Partisë së Punës u zëvendësua me fitoren e masës së etur për liri dhe kemi hyrë në fazën kur kjo masë fitimtare, por e pa strukturuar, prandaj dhe pa qëndrueshmëri shpejt po shpërbëhet, shkërmoqet duke e rrezikuar vendin me gjendjen e saj të paorganizuar e të pastrukturuar. Sipas sociologut të famshëm ka dy mënyra të menduari dhe të vepruari për ta shmangur këtë rrezik: njëra është mënyra totalitare e të menduarit dhe të vepruarit e cila ka tendencën t’i mbajë masat të organizuara nën flamurin e një të vërtete tjetër, duke krijuar një tjetër monopol mbi të vërtetën; dhe kjo krijon apo mban të hapur një boshllëk të madh në kuptimin e strukturimit të shoqërisë midis forcave që rrëmbejnë monopolin e së vërtetës dhe popullit. Kurse rruga e dytë është strukturimi i gjithë shoqërisë, mbushja e hendekut midis forcave të reja pushtetmbajtëse dhe popullit, me organizma të tjerë (duke filluar nga partitë e opozitës e më poshtë) që janë burim pushteti në vetvete, dhe që, nëpërmjet aktivitetit të tyre të pavendosur, ekuilibrojnë pushtetin shtetëror dhe janë efektive dhe të qëndrueshme në një shoqëri demokratike. Shteti si forca më e madhe centralizuese dhe organizuese e shoqërisë përgjithësisht është e prirë nga zgjidhja e parë, aq më tepër një shtet si ky yni që ka dalë pas një mungese totale traditash demokratike, dhe i ndërtuar nga njerëz që në mënyrë koshiente apo inkoshiente ruajnë trashëgiminë e mentalitetit totalitar. Prandaj, nuk është për t’u çuditur që ata po përpiqen të rrëmbejnë monopolin e së vërtetës, duke tentuar të kontrollojnë krejt jetën e vendit, duke minimizuar rolin e organizatave të tjera ose duke kërkuar t’i kthejë ato në satelit të tyre. Përndryshe vazhdimi i gjendjes anarkiste u rrezikon suksesin politik, për pasojë edhe pushtetin. Po ashtu mendoj se pritet më së pari nga intelektualët e pavarur dhe me personalitet që të kërkojnë zgjidhjen e dytë. Pra jo të rreshtohen me të parët dhe të flasin për demokracinë dhe antikomunizmin sikur të ishin një ideologji fitimtare, por të përhapin dhe mbrojnë idenë se demokracia nuk presupozon një monopol mbi të vërtetën por një shoqëri të hapur për të gjitha idetë dhe mendimet. Pritet nga ata që të ndërgjegjësojnë shoqërinë, jo vetëm nëpërmjet mendimeve, por edhe nëpërmjet veprimeve se demokraci nuk do të thotë vetëm pushtet i popullit, por mbi të gjitha evitimi i grumbullimit të pushtetit në pak duar, cilatdo qofshin ato. Dhe ndër këto veprime intelektualësh mendoj se bën pjesë edhe krijimi i organizmave të pavarura që do të mbushnin dhe strukturonin hendekun e frikshëm e të rrezikshëm që e ndan shtetin nga turma e paorganizuar.
KJ: A mendoni se komiteti nuk i ka qëndruar këtij koncepsioni?
Fatos Lubonja: Për arsye të ndryshme subjektive, që nuk e gjej me vend t’i shtjelloj në këtë intervistë, një pjesë e anëtarëve të komitetit nuk e konceptuan kësisoj rolin e kësaj organizate pas marrjes së pushtetit nga forcat e reja politike, por e menduan rolin e saj kryesisht si një përkrahëse të pushtetit të ri. Për rrjedhojë qysh prej marrjes së pushtetit nga PD, ky komitet thuajse nuk ka ekzistuar si një organizëm i pavarur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut që ka për detyrë të kontrollojë dhe të denoncojë shkeljen e të drejtave të njeriut nga shteti. Ai nuk është prononcuar për mjaft raste flagrante të vënies së politikës mbi ligjin që mund të hapin precedentë të rrezikshëm të shkeljes së të drejtave të njeriut në Shqipëri, siç është ai i shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm, ndërhyrjet arbitrare në Gjykata, spostimi i listës së deputetëve, heqja e imunitetit deputetëve, për të mos përmendur dhjetëra raste njerëzish të thjeshtë që në botën e qytetëruar bëhen menjëherë çështje të mëdha publike, kurse këtu tek ne kalohen pa u vënë re. Mënjanimi im nga funksioni i sekretarit të këtij komiteti ka qenë në esencë mënjanimi i një njeriu që nuk donte ta shihte komitetin në këtë rol. Ata që e realizuan patën në fakt shumë përkrahës, deri dhe ATSH-në dhe RTSH-në që, në mënyrën më të paturpshme, pas dorëheqjes së prof. Arben Putos nga funksioni i kryetarit, unë të isha vetëshpallur kryetar dhe pastaj bënë edhe një biografi denigruese duke thënë se paskam rënë në burg si pasojë e dështimit të babait tim në luftën për pushtet etj.
KJ: Meqë ra fjala ç’mendim keni për argumentin sipas të cilit ju, por kryesisht baballarët jeni futur në burg si viktima të një lufte klanesh dhe jo si kundërshtarë të regjimit?
Fatos Lubonja: Unë mendoj se edhe vetë kjo akuzë apo argument nuk është tjetër veçse rezultat i një lufte klanesh për pushtet. Kjo parullë u stis tani nga politikanët e rinj në luftën e tyre për pushtet, me qëllim që të eliminojnë dhe nxjerrin nga skena politike disa figura si im atë, që padiskutim gëzonin respekt në pjesën më të madhe të popullit qoftë për arsye se njiheshin si figura demokratike dhe liberale ndër komunistët, qoftë për dënimin e rëndë që i bëri Enver Hoxha. Dhe kjo mendoj se jo vetëm nuk u ka bërë nder nga pikëpamja morale politikanëve të rinj, jo vetëm ka treguar paaftësinë dhe amortizimin e tyre politik, por çka është kryesorja e ka privuar shoqërinë shqiptare nga një pjesë njerëzish me autoritet që mund të punonin fare mirë si ura lidhjeje në shoqërinë shqiptare. Lufta e klaneve apo e lobeve është e natyrshme në jetën politike. E rëndësishme është se cilit klan i përket, me çfarë ideshë lufton klani yt. Në këtë kuptim nëse im atë i ka përkitur ndonjë klani në periudhën në të cilën u dënua, ai i ka përkitur klanit të atyre komunistëve që ishin për një hapje drejt kulturës europiane perëndimore, për më shumë tolerancë, për më shumë respekt ndaj talentit dhe aftësisë dhe për më pak ndaj servilizmit dhe biografisë. Dhe, në qoftë se Hoxha e goditi, e goditi pikërisht për këto, dhe me goditjen që i dha atij dhe gjithë mendimit intelektual më të avancuar shqiptar në atë kohë, hapi rrugën drejt një izolimi total të Shqipërisë, të cilit i kanë shërbyer me shumë zell, deri në momentet e fundit, ndërkohë që ne dergjeshim nëpër burgje, mjaft nga ata që sot e kanë lançuar këtë argument dhe kanë marrë pushtetin politik. Së dyti, dua të them se ata që nxjerrin të tilla argumente denigruese dhe kërkojnë nëpërmjet tyre të nxjerrin jashtë jetës politike sociale të vendit këtë shtresë njerëzish, përveç të tjerash tregojnë edhe padije të madhe në kuptimin e njohjes së historisë. Ata harrojnë se thuajse të gjithë revolucionet i kanë nxjerrë shumë nga liderët e tyre pikërisht ndër bijtë e këtyre klasave që kanë qenë në pushtet. Nëse do t’i hedhësh një vështrim të shpejtë historisë pa rrëmuar në faqet e saj ku mund të gjesh me mijëra, mund të përmendësh menjëherë vëllezërit Grakë në Romën e lashtë, Oliver Kromuelli në Angli, Miraboin në Francë, dhe së fundi Gorbaçovin dhe Jelsinin në Rusi. Edhe në Shqipëri mjaft nga liderët nismëtarë i përkisnin kësaj klase. Këtë të vërtetë historike e ka ditur shumë mirë Enver Hoxha, i cili pasi mori dhe konsolidoi pushtetin deri në fillim të viteve 50, gjithherë e ka ndjerë se rreziku më i madh i vinte brendapërbrenda partisë (çka ia provoi edhe eksperienca në vendet e tjera “revizioniste”). Ai thuajse të gjithëve na persekutoi në mënyrën më të egër, na ridënoi, na internoi familjet. Edhe kur lexon veprat e tij duket qartë se mllefin më të madh e ka me kundërshtarët që i kanë dalë brenda partisë. Edhe në periudhën e fundit të Ramiz Alisë, ne qemë të fundit që filluam të ndjejmë zbutjen e regjimit. Kujtoj p.sh. se qysh në vitet ‘89 filluan të merren ndër të burgosurit përkthyes dhe u morën nga të gjitha kategoritë e të burgosurve, por vetëm për ndonjë si Spartak Ngjela apo si unë, nga Ministria vinte fjala e prerë: na thoni për cilin të doni, por për ata. Edhe kur erdhi puna, doni, por jo për ata. Edhe kur erdhi puna u liruan lloj-lloj njerëzish deri edhe nga ata që konsideroheshin tepër të rrezikshëm por vetëm ne na lanë deri në fund në burg. Megjithatë, nuk kam dëshirë të shkruaj për vuajtjet e persekutimet e mia e të familjes me qëllim që t’i shfrytëzoj ato për kapital politik apo moral. As dhe për t’iu përgjigjur ndonjë bashkëvuajtësi që i manipuluar nga politikanët amatorë të sipërpërmendur që kanë marrë në dorë pjesën më të madhe të medias, shpifin në mënyrën më të paturpshme. Eksperienca e burgut dhe miqësitë e burgut janë thesari më i vyer që kam në jetën time, që më duket e ulët t’i shfrytëzoj për të ushqyer me to pasionet apo mllefet politike. Ato i përkasin aspiratave më të mëdha që kam pasur dhe që kam në jetë, atyre letrave.
KJ: A e ndjeni veten të cenuar në personalitetin tuaj kur ju identifikojnë me atin?
Fatos Lubonja: Afirmimi i personalitetit individual është një punë e vështirë për të cilën njeriut i duhet të punojë gjithë jetën, ndoshta është vetë kuptimi i jetës së tij. Nga kjo pikëpamje, unë jam mjaft i duruar ndaj këtij identifikimi i cili afërmendsh nuk më pëlqen. Por do të doja të ndalesha te ky fenomen i identifikimit të atit me birin (për mirë, kur flitet për të persekutuarit e vjetër, dhe për keq kur trajtohen bijtë e komunistëve) sepse më duket thjesht si faqja tjetër e medaljes së vjetër të biografive që bënin komunistët. Sipas mendimit tim ky lloj argumenti dhe suksesi që ka ai – sepse duhet pranuar që ai është një argument i suksesshëm, përderisa ka arritur ta përdorë për të shfryrë mëritë ndaj ndonjë kritiku të tij edhe një nga mendjet më të iluminuara të kombit shqiptar, Kadareja – jo vetëm tregon nivel të ulët të emancipimit shpirtëror të njeriut shqiptar, por mbi të gjitha është shprehje e atij rreziku që kam trajtuar edhe herë të tjera, pra që njerëzit të ndahen përsëri në Shqipëri mbi bazën e lidhjeve të tyre natyrore, patriarkale apo të klanit. Unë do të thosha se në shoqëritë e civilizuara demokratike, qoftë edhe nga pikëpamja psikologjike, ndodh krejt natyrshëm që bijtë të përqafojnë ide të ndryshme me ato të etërve si nevojë e afrimit të personalitetit të tyre, si nevojë për t’u çliruar nga autoriteti ndrydhës i atit, apo siç thuhet nga psikoanaliza, nga kompleksi i Edipit. Sipas disa teoricienëve kjo i çon te përqafimi i ideve të gjyshërve që shpesh janë e kundërta e ideve të etërve. Kurse te ne, për shkak të mentalitetit patriarkal i cili ka një fuqi të madhe ndrydhëse, – dhe sa më e pakët kultura aq më e madhe kjo ndrydhje – shpesh ndodh që identifikimi të kërkohet nëpërmjet klanit apo familjes dhe jo nëpërmjet vetë personalitetit të individit, shpesh ndodh, siç po ndodh që biri të dënohet po të dalë kundër ideve të të atit, të jetë në një farë mënyre i detyruar, të përqafojë idetë e tij dhe nga ana tjetër të identifikohet me idetë e të atit e të dënohet në vend të tij, apo të denigrohet nëpërmjet denigrimit të tij…
Për t’u kthyer te Komiteti i Helsinkit, mendoj se një organizatë intelektualësh të pavarur që mbron integritetin fizik dhe intelektual të personit, ka për detyrë ta vërë në dukje dhe ta dënojë me forcë këtë fenomen – në qoftë se vërtet pretendojmë ta çojmë Shqipërinë drejt Evropës – dhe jo të mbështesë, qoftë edhe nëpërmjet heshtjes, konceptet “familje kriminale”që i bëjnë jehonë zakonit mesjetar e patriarkal të gjakmarrjes, të cilin në kohën e Hoxhës e përjetuam aq egër sepse u vesh politikisht në formën e ushtrimit të parimit të luftës së klasave.
KJ: Çfarë ju shqetëson më shumë lidhur me të drejtat e njeriut në Shqipëri?
Fatos Lubonja: Shqetësimi kryesor që ndiej nuk është ndonjë shkelje e veçantë e ndonjë kategorie të veçantë njerëzish apo të drejtash, por mungesa e respektit që ekziston përgjithësisht në shoqërinë tonë ndaj dinjitetit njerëzor – në të gjitha hallkat e shoqërisë, duke filluar që nga familja do thosha unë. Mendoj se bëjmë pjesë në një shoqëri ku karakteri social – me karakter social kuptohen tiparet e përbashkëta karakteristike të pjesës më të madhe të individëve të një shoqërie – është sadomazokizmi moral, me çka kuptohet karakteri i një individi që nënshtrohet ndaj atyre që ka përmbi vete dhe që bëhet tiran ndaj atyre që ka poshtë vetes. Individi me këtë karakter është i paaftë të njohë dhe të pranojë të barabartë me veten e tij. Ai nuk është kurrë i lirë nga vetë kondicionimi i tij psikologjik sepse edhe kur sundon edhe kur sundohet, është gjithmonë në gjendjen e një simbioze skllavëruese me vartësin apo me eprorin. Kuptohet se sa e vështirë është të konceptohet dhe të mbrohet ideja se “të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe të drejta” (deklarata universale neni 1) në një shoqëri ku çdo strukturë e saj është e ndërtuar mbi bazën e karakterit social sadomazokist. Kuptohet se sa e vështirë është të ndërtohet një shtet demokratik nga individë që janë pjellë e këtij karakteri social, sipas të cilit diferenca midis njerëzve konceptohet si diferencë e pushtetit dhe fuqisë që ata kanë dhe jo si realizim i individualitetit të individit mbi bazën e barazisë.
KJ: Në këtë kontekst cili është sipas mendimit tuaj kundërshtari më i madh që duhet të përballojë ky komitet?
Fatos Lubonja: Mendimi im është se kundërshtari më i madh me të cilin duhet të ndeshet ky komitet janë dy:
-Së pari, është shteti i ndërtuar me karakteristikat që përmenda më lart.
-Së dyti, është opinioni publik, i cili në sistemet demokratike, ku vota e popullit përcakton edhe marrjen apo ruajtjen e pushtetit, bëhet edhe kushtëzues i mjaft veprimeve dhe zgjidhjeve politike. Kur ky opinion është i mbushur me paragjykime dhe nuk ka kulturën e duhur demokratike në shumë raste i kondicionon politikanët të kryejnë veprime që bien ndesh me normat e të drejtave të njeriut. P.sh. është e vështirë për politikanët, pikërisht për shkak të këtij nocioni, të mbrojnë idenë e heqjes së dënimit me vdekje, të drejtën e minoritetit grek për të formuar parti e organizata mbi bazë etnike, të drejtën e partisë komuniste për të mos u nxjerrë jashtë ligjit për sa kohë programi i saj nuk presupozon përmbysjen e regjimit me dhunë, të drejtën e bllokmenëve për të dalë në gjyq dhe të prezumohen të pafajshëm deri në momentin e marrjes së vendimit apo të drejtën e bijve të tyre për të mos u identifikuar me ta etj… Probleme, zgjidhja politike, e të cilave sot shpesh nuk ka qenë në harmoni me normat e të drejtave të njeriut. Mirëpo, unë mendoj se pikërisht duke i rezistuar një presioni të tillë hapet rruga drejt demokracisë së vërtetë dhe mendimit të lirë qytetar, sepse përndryshe abuzimet me pushtetin, shkeljet e normave dhe ligjeve, edhe atëherë kur janë të mbështetura nga një opinion i fuqishëm, hapin precedentë për çdo qytetar. Të mos e harrojmë thënien e popullit “çfarë sheh në kodër, prite në votër”. Shumë anëtarë të Partisë Komuniste as që u ka shkuar ndërmend kur filluan të shkelin të drejtat e kundërshtarëve të tyre politikë sa një ditë kjo taktikë do të binte edhe mbi ata vetë. Në varrezat Pere Lashaise në Paris, te varret e njerëzve më të shquar gjen gjithmonë lule. Midis këtyre varreve është edhe ai i Drejfysit. Edhe ai i mbushur me lule dhe me një epitaf, i cili kujtimin e tij e trajton si kujtimin e një njeriu që u bë simbol i luftës dhe fitores së mendimit më të përparuar intelektual demokratik ndaj atij mendimi të mbështetur në një opinion të gjerë konservator dhe të mbushur me paragjykime që i ka bërë shpesh njerëzit viktima të padrejtësisë. Ishin intelektualët më të shquar të Francës, ata që të parët morën guximin t’i kundërvihen këtij opinioni dhe triumfi i çështjes së tij, ishte esencë triumfi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, ishte një hap më tej drejt lirisë për të gjithë qytetarët francezë.
KJ: Një deputete e PD i ka komentuar shkrimet tuaja duke thënë se duheni futur përsëri në burg. Si do i përgjigjeshit?
Fatos Lubonja: Do përgjigjesha duke e ftuar të reflektojë rreth thënies së Erik Fromit: “Revolucionarët e suksesshëm bëhen burra shteti, kurse revolucionarët e dështuar kriminelë”. ( Escape from Freedom)
KJ: Ndonjë mendim për të ardhmen e të drejtave të njeriut në Shqipëri?
Fatos Lubonja: Ralf Darfendorfi e shikon reformimin e vendeve të Lindjes në tre faza. Faza e parë sipas tij është ajo e reformës kushtetuese. Faza e dytë është ajo e reformës ekonomike, kurse faza e tretë është ajo e reformës sociale – çka e kam përmendur më lart si strukturimi i shoqërisë me organizma të pavarur që mbushin hendekun midis shtetit dhe popullit duke garantuar një shoqëri demokratike. Sipas tij, reforma kushtetuese kryhet për 6 muaj, ajo ekonomikja që t’i duket suksesi do 6 vjet, kurse ajo socialja që është dhe më e vështira dhe që lidhet direkt me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut kërkon 60 vjet. Në qoftë se do t’i referohemi faktit se qysh prej parlamentit të parë pluralist ne kemi më se një vit e gjysmë që nuk po bëjmë dot një Kushtetutë, pra tre herë më shumë se ç’parashikon Darfendorfi për vendet e tjera të Lindjes, dhe po t’i shumëzojmë me tre edhe fazat e tjera, atëherë do na duhen 18 vjet për të parë një farë lulëzimi ekonomik dhe 180 vjet për të ndërtuar një shoqëri demokratike të qëndrueshme me një respekt të kënaqshëm të të drejtave të njeriut. Shpresoj që të mos ndodhë kështu, por të them të drejtën edhe këto shifra nuk më çudisin më me ç’po më shohin sytë.
Ismail Kadare: Shqiptarët janë aq inteligjentë sa të mos e këmbejnë komunizmin me fashizëm
Intervistë e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare
(Botuar me 27 Janar 1993)
Si e vlerësoni situatën 6 muaj pas krijimit të Qeverisë së parë jokomuniste në Shqipëri?
Është e qartë që ka shumë probleme. Kjo është shqetësuese pasi ka një farë moskuptimi ndërmjet popullit që dëshiron ndryshime shumë të shpejta dhe administratës shtetërore që s’provon ta justifikojë tërë këtë ngecje ekonomike. Situata është pak e nderë. Akoma mendimi u përmbahet anëve negative dhe jo anëve pozitive ose konstruktive. Me një farë kënaqësie, nga një herë pak perverse, ditë e natë flitet për vuajtjet nën diktaturë. Harrohet që duhet jetuar. Kjo është normale. Ata që kanë rrojtur në skllavëri nuk ndihen mirë në liri dhe kërkojnë një justifikim për nënshtrimin e gjatë. Por duan apo s’duan, shqiptarët kanë një President, dhe duan a s’duan Sali Berisha është President i tërë shqiptarëve. Të dyja anët duhet ta kuptojnë këtë. Kjo është një kontratë që s’do thërrmuar.
Si e shpjegoni këtë mendim destruktiv?
Ka shkatërrime fizike brutale, si thyerja e magazinave. Disa u janë futur edhe vlerave kulturore. Kanë nisur të flasin kundër personazheve historike si Fan Noli, i cili ndoshta është personazhi më i madh i shekullit 20. Flasin kundër gjuhës së unifikuar shqiptare. E vetmja gjë vërtet pozitive e diktaturës, ka qenë pikërisht unifikimi i gjuhës, e cila ka qenë e ndarë në dy dialekte kryesore. Kjo nuk ishte një vepër e komunistëve por një merak i vërtetë i intelektualëve. Enver Hoxha që ishte një demagog i madh që ëndërronte vetëm për famën e tij e lejoi atë. Sot ekstremistët thonë se duhet të kyçim gjuhën. Këta janë njerëz që duan të justifikojnë frikën e tyre pasi qëndruan të heshtur për vite të tëra. Ata do të bënin mirë të jenë më pak euforikë në duartrokitjet e tyre. Asnjëherë ata s’e kanë turbulluar festën.
Për kë aludoni?
Për asnjë person në veçanti. I gjen kudo, në tërë nivelet ju e dini se shqiptarët, ballkanasit, e duan shumë lavdinë. Tërë llojet e kopukëve, tërë llojet e flamurmbajtësve s’provojnë të gjejnë lavdi në një periudhë aspak të lavdishme. Zgjedhjet e fundit lokale në fund të korrikut sollën një rifitore të partisë së vjetër komuniste. Njerëzit votuan për konkreten. Socialistët kanë shumë persona të mbarë që janë tepër të aftë. Zëdhënësit votuan për mjekësinë, për ekonomistin. Socialistët janë tepër të pasur me kuadro. Nuk duhet ngatërruar, nuk duhet marrë ky rezultat si një dyshim. Komunizmi këtu ka mbaruar përgjithnjë. Shqiptarët tashmë janë të bindur. Por në të njëjtën kohë janë aq inteligjentë që të mos e këmbejnë komunizmin me fashizmin. Nuk ekziston një rreth vicioz fatal nga i cili komunizmi të lindë fashizmin. Shqipëria nuk është Rumania. Jam befasuar tepër që Iliesku arriti të fitojë zgjedhjet.
A mund të jetë faktori fetar një kërcënim?
Tre besimet janë mirëkuptuar për shekuj. Për të parën herë forcat politike për shkaqe partiake po sprovojnë, stimulojnë intolerancën me fenë. Ky është një krim i vërtetë. Nëse shtohet edhe kjo e keqe, kjo do të jetë shumë për shqiptarët.
Situata politike duket pak konfuze. Krijuesit e Partisë Demokratike janë ndarë. Gramoz Pashko, një nga miqtë tuaj, krijoi një Aleancë të re Demokratike, gazetarët ankohen për censurë. Ramiz Alia është në arrest shtëpiak.
Pas arritjes time, më 24 shtator, kam folur dy herë me Presidentin Berisha. Ai më siguroi se nuk do t’i bëjë koncesione krahut radikal të partisë. Për sa i përket miqve të mi jam shumë i trishtuar që i shoh të ndarë. Në fillim të tërë qenë miqtë e mi. Të tillë mbeten. Ata ndodhen në një keqkuptim total. Diktatori ynë ishte tepër mizor. Po të flitej kundër tij vështirë se do të linte gjallë. Ne kemi folur me tërë këta miq për sende të tmerrshme kundër tij. Ky ishte një test nëse tradhtoheshim a jo. Asnjëri prej tyre nuk ish-tradhtar. Tashti ata akuzohen për tradhtarë.
Shumë njerëz duken të zhgënjyer. A do të përparojnë shpejt reformat ekonomike?
Për fushën e ligjeve mungojnë shumë gjëra. Kjo është një lloj paralize. Priten investitorët e huaj dhe nuk ka ligje të mjaftueshme për të organizuar aktivitetin e tyre. Nganjëherë Parlamenti merret me gjëra qesharake si gjuetia, që mund të presin. Jam dëshpëruar disi kur kam parë punimet e tija. Prisja më shumë urtësi, më shumë inteligjencë.
A ka bashkim pa ndryshim kufijsh?
Nga Armand Shkullaku-
Aktualisht i vetmi faktor që do të kërkonte një implikim të Shqipërisë në gjendjen e tensionuar ballkanike, është faktori kosovar. Kjo ka bërë që shumë njerëz të jenë të interesuar rreth ngjarjeve në ish-Jugosllavi si dhe ndaj politikës që do të ndjekë shteti ynë. Por deri më sot askush nuk ka bërë ndonjë sqarim publik të qartë lidhur me qëndrimin e Shqipërisë ndaj problemit të Kosovës. I vetmi slogan që është dëgjuar rëndom këto kohë është se pala jonë nuk është për ndryshim kufijsh dhe kërkon respektimin e të drejtave njerëzore në Kosovë. Në përgjigje të kësaj lind një pyetje tjetër. A e dëshirojnë udhëheqësit e sotëm në Shqipëri, Bashkimin Kombëtar? Ku qëndron dallimi midis këtij bashkimi dhe ndryshimit të kufijve? Natyrisht që ndonjë ndryshim thelbësor nuk ka. Dhe duke pasur parasysh se udhëheqësit e sotëm janë përfaqësues të PD çështja bëhet më e ndërlikuar. PD ishte pikërisht ajo parti që në fillimet e saj, duke demaskuar PKSH e Enver Hoxhën, si tradhtar të çështjes kombëtare e që shitën Kosovën për interesat e tyre politike, vuri në pikën e parë të programit të saj bashkimin kombëtar. Sot kur PD është në pushtet, nuk po ka asnjë zgjidhje konkrete, të afërt apo të largët rreth këtij bashkimi. Nuk mund të gjykojë, saktësisht nëse një bashkim i mundshëm me Kosovën do të ishte i dobishëm apo i dëmshëm për Shqipërinë. Por mendoj se do të ishte krejt normale që me rëndësi të madh një opinion i ndershëm e mbi të gjitha i saktë i Presidentit Berisha pikërisht në lidhje me Bashkimin Kombëtar. Është tamam mungesa e një informimi preciz zyrtar si dhe mjaft të kohëve të fundit që na bëjnë të mendojmë se krerët e shtetit shqiptar nuk janë të interesuar për këtë bashkim me Kosovën. Përpara ardhjes në pushtet PD bëri një propagandë të madhe rreth Kosovës, organizoi manifestime ku nëpër pankarta shkruhej “Kosova është Shqipëri”. Ndërsa sot kudo deklarohet se Shqipëria nuk është për ndryshim kufijsh. Por a janë kufijtë ekzistues kufijtë e vërtetë dhe të merituar të Shqipërisë? Serbët e konsiderojnë nga ana e tyre Kosovën si zemrën e Serbisë. Mos vallë pritet që një ditë krejt papritur ata të japin leje që Kosova të bashkohet me Shqipërinë? Duket jo normale që Shqipëria për një padrejtësi të pashembullt historike që i është bërë, jo vetëm nuk ngre zërin por qëndron në pozita inferioriteti. A e konsideron Presidenti Berisha, Kosovën Shqipëri? Në rast se po a ka ndonjë zgjidhje konkrete aktualisht kur kriza jugosllave ka kohë që ka arritur kulmin? Në të njëjtën kohë edhe lideri kosovar, kryetari i LDK, Z. Rugova deklaron se nuk ka ardhur koha për një bashkim të mundshëm. Vetëm se duhet pasur parasysh se duke thënë që nuk ka ardhur koha ka shumë mundësi që momenti i pritur aq gjatë, në mos ka kaluar, të kalojë pa u vënë re. Atëherë do të na duhej të prisnim mbase një fundshekull të ri. Zgjidhja përfundimtare e krizës në ish Jugosllavi dhe mbase krijimi i një stabiliteti në këtë Rajon do e vështirësonte zgjidhjen e problemit tonë nacional. Bota nuk do të lejonte krijimin e situatave të reja tensionuese. Nuk mund të paragjykojmë politikën e ndjekur nga Rugova, por fakti është se ajo nuk po i jep frytet e saj. Kohë më parë Presidenti Rugova është shprehur për bashkim kombëtar, ndërsa pas zgjedhjeve në Kosovë nuk po tregohet aq entuziast. Së fundi, sulmi absurd që ju bë njërës prej figurave më të shquara të kulturës sonë, prof. Rexhep Qoses, ngjall mjaft dyshime. Qosja është një ndër ata persona që është shprehur për një zgjidhje më të shpejtë e më konkrete lidhur me problemin tonë kombëtar. Le të shpresojmë se nuk qe ky shkaku që ai u detyrua të flinte në një nga hotelet ordinere të Tiranës. Natyrisht që për një shtet situata të tilla nuk janë tepër serioze dhe askush nuk mund të thotë se një bashkim me Kosovën do të ketë këtë apo atë pasojë. Por një sqarim i detajuar i opinionit tonë në këtë kohë të trazuar vetëm të mira do të sillte./Armand Shkullaku, 27 Janar 1993/
Dorëheqjen time e stimuloi edhe impotenca zyrtare e Dhimitër Anagnostit
Botuar me 30 JANAR 1993
I larguar prej pothuaj një javë nga detyra e drejtorit të rinisë pranë Ministrisë së Kulturës, u ndjeva krejt i befasuar nga sqarimi që Ministri i bënte opinionit lidhur me deklaratën time të dorëheqjes. Gërshetimi i hipokrizisë, gënjeshtrës pa shkak dhe gjuha prej një publicisti rrugaç aspak të denjë për një ministër kulture, më bën edhe një herë të besoj me bindje se e keqja ka zënë vend më të thellë se ç’duhet te brezi që lindi, u rrit dhe konsolidoi diktaturën komuniste në Shqipëri. Për më tepër që sqarimi shmangej nga problemi thelbësor, merrej me gjëra anësore, sajesa mistrece, të turpshme, për një krijues që në moshën e pensionit ka vendosur të braktisë profesionin e tij për t’iu kushtuar politikës.
Sqarim
Që në momentin e krijimit të Qeverisë Demokratike i kam paraqitur Ministrit të Kulturës dhe zëvendësit të tij shqetësimin tim lidhur me fiktivitetin e Drejtorisë së Rinisë pas një vendimi arbitrar të Qeverisë. Ahmeti dhe përplasjet e saj me Federatën e Rinisë Shqiptare lidhur me pronat e ish-Komitetit Qendror të BRPSH-së. Për këtë i kam paraqitur atij mënyrën se si mund të veprohet dhe eksperiencën e vendeve të tjera lindore, të ndodhura në të njëjtat kushte. Ai u impenjua që në fillim, madje qe i revoltuar për këtë problem. Gjatë kësaj periudhe puna e drejtorisë ka qenë spontane, ndërsa përgjigja e Ministrit standarde: Së shpejti do të ngrihet një komision qeveritar për të shqyrtuar këtë problem. Pritja e komisionit zgjati disa muaj. Duke e ndjerë veten pa kompetenca këmbëngula disa herë për këtë problem. Vetëm në fund të vitit të kaluar Ministri më sqaroi se ai do të gjente zgjidhje shpejt për të zhbllokuar gjendjen ku ndodhej drejtoria e rinisë e krijuar jo prej meje, por prej Parlamentit dhe ekzistuese jo vetëm në Shqipëri por edhe në të gjitha shtetet Europiane. Zgjidhja qe një: Të zvogëloheshin kompetencat e Federatës së Rinisë, fituar nga një vendim absurd i Qeverisë Ahmeti dhe të strukturohej në hapësirën e krijuar drejtoria e rinisë. Duke qenë realist, e kuptova se kjo qe e pamundur. Kryeministri Meksi nuk mund të pakësonte kompetencat e kryetarit të FRSH, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD për t’ia atribuuar drejtorisë së rinisë, në krye të së cilës qe një nga personat e njohur të një partie kundërshtare politike me të tijën. I ndërgjegjshëm për këtë, dhe mbi të gjitha duke e quajtur normale, prita përgjigjen e ministrit, i bindur për të paraqitur në rastin më të mirë dorëheqjen time. Idenë e dorëheqjes ma përforcoi akoma më tepër paralajmërimi i dy anëtarëve të kryesisë së PD, miq të mi si dhe e një deputeti, se qenësia ime si drejtor i rinisë, për më tepër angazhimi paralel në Partinë Aleanca Demokratike dhe gazetën “Koha Jonë” kishte krijuar pakënaqësi në instancat më të larta të shtetit shqiptar dhe largimi im nga detyra qe vendosur. Mbetej të diskutohej vetëm mënyra se si do të ekzekutohej vendimi. 10 ditë më parë Ministri mori takimin e fundit me mua. I sinqertë dhe dashamirës, ai më komunikoi atë që tashmë unë e dija, domethënë që te federata nuk mund të prekej asgjë. Ai shtoi më tepër se një herë që e kishte biseduar këtë problem gjatë edhe me Meksin dhe se mbi të gjitha kryetari i federatës qe nga një rreth me Presidentin. Madje shkoi aq larg sa duke u ankuar më tregoi për një ngatërresë që kishin pasur në studiot e piktorëve dhe që Presidenti e kishte ngatërruar deri në fund me një dekret të pamatur. Unë vendosa të largohem nga drejtoria. Nuk harrova ta falënderoj Ministrin për sinqeritetin i bindur se e gjitha kjo luhej në një qiell më të lartë ku ai nuk arrinte dot. 2 ditë më vonë i kërkova Ministrit dorëheqjen time. Me dorëheqjen u bashkua dhe inspektori i drejtorisë, pjesëtar aktiv i lëvizjes studentore të Dhjetorit. Kuptohet se gjesti ynë nuk mund të ishte grotesk. Ne e bëmë atë për të gjitha arsyet që shpjegonim në deklaratë, për të ruajtur vazhdimësinë e Shqipërisë në programet ndërkombëtare si dhe për t’u treguar të gjithëve se ambiciet individuale nuk mund të dominojnë arsyen dhe se në raportet e personit me institucionet, këto të fundit janë të privilegjuara. Dorëheqja jonë qe e thjeshtë, pa ankesa, pa mllefe, e përforcuar nga bindja se e gjitha kjo do të ndodhte dhe ndoshta duhej të ndodhte. Në përgjigje të kësaj, ne morëm një sqarim cinik, hipokrit të gënjeshtërt. Lidhur me të i lutem Ministrit Dhimitër Anagnosti:
- Të mos gënjejë duke sajuar numra notash e urdhrash për udhëtime jashtë shtetit, sepse sensibilizimi i këtij populli me këtë tabu ka kaluar. Sepse nuk është në nderin e tij si një krijues e me personalitetet e stazh të gjatë të verë në shërbim të mërive të momentit arsenalin më të shëmtuar e më të mjerë të shpifjeve, të tillë që nuk e kanë përdorur as gazetarët më rrugaçë në Shqipëri.
- Të mos jetë hipokrit lidhur me marrëdhëniet tona; të mos jetë hipokrit lidhur me punën tonë; të mos krijojë ekuivokë të pabazë, që nuk i beson as vetë, për të cilët mua, edhe pse nuk kam moshën e tij, do më vinte turp.
- Të bëhet i ndërgjegjshëm se në luftën politike ka fitues e të mundur; se në këto përpjekje ka ngritje dhe zbritje, normale dhe të motivuara. Se përzierja në këtë lojë në rolin e Don Kishotit që merr përsipër atribute të paqena duke qenë krejt jashtë saj, të bën vetëm qesharak.
- Të mos jetë cinik. Ai cinizëm i ka kushtuar aq shumë brezit tim. Ne u mësuam me të. Ne dimë ta ndrydhim dhimbjen tonë. Edhe pse shumë shokë na ikën. Edhe pse në përplasjen me diktaturën fitorja na kushtoi fort. Edhe pse një pjesë e atyre që u përpoqën për një kohë më të mirë enden tashmë bulevardeve, duke u hapur edhe një herë rrugëve, njerëzve, si ti ose shokëve të tu. Atyre që u bënë mbështetja morale e diktaturës që flijuan dinjitetin në themelet e saj. Ne jua falëm të gjitha këto. Jua falëm për hir të asaj që jeni prindërit tanë dhe që në një kohë mëkatare është shumë e lehtë të bëhesh mëkatar. Por ajo kohë iku, dhe të jesh cinik me atë që të dhuroi fitoren duke shkatërruar ëndrrën e tij është më tepër sesa e shëmtuar, është më tepër sesa e poshtër.
- Duke qenë se për nga mosha jeni diçka më i madh sesa im atë po ju lutem që në të tjera raste të përdorni një gjuhë më të denjë për Ministrin e Kulturës dhe jo një zhargon të huazuar nga publicistika marksiste për armiqtë./Blendi Fevziu/
Më të zinj se komunistët janë vetëm komunistët antikomunistë
Letra e dytë e hapur e Rexhep Qoses shkruar Kryetarit të Shqipërisë Sali Berisha
Zotëri kryetar, ashtu siç je përgjigjur ti në letrën time, ashtu kryetari nuk guxon t’u përgjigjet qytetarëve të Shqipërisë dhe bashkëkombësve të tjerë kudo që jetojnë ata; ashtu politikanët nuk iu përgjigjen më kritikave të tyre dhe të regjimeve të tyre kurrkund – as në vendet e diktaturës së deridjeshme komuniste. Përgjigja jote është brengosëse, sepse me kuptimin dhe me porosinë e saj është përgjigje e papërgjegjësi politike.
- Në RTV-në e Shqipërisë më je përgjigjur përmes zëdhënësit nga kabineti, që nuk i jepet emri. Dakord. Në gazetën e Partisë Demokratike “Rilindja Demokratike”, e cila mban emrin që ia kam dhënë unë, më je përgjigjur përmes zëdhënësit të dytë, po ashtu të paemër që është këshilltari yt! E palejueshme! Në Rilindjen Demokratike, prapë më je përgjigjur përmes zëdhënësit të tretë, “Bujar”, të gatshëm edhe sot si dje, që në jetën politike dhe mendore të kryejë rolin e hienës së tërbuar! Politikanët që politikën nuk e privojnë përtej çdo norme morale, rëndom distancohen prej mbrojtësve të tillë komprometues. Ti nuk je distancuar, sepse ti, vetë i ke keqpërdorur! Kështu e ke vazhduar praktikën famëkeqe të likuidimit politik dhe moral të atyre që mendojnë ndryshe dhe njëkohësisht, e ke injoruar përvojën historike, që politikanët e mençur i ka mësuar të jenë më të ndalur. Ke harruar se ti je kryetar me mandat politik 5-vjeçar që, si mandat politik është i përkohshëm, kurse mandati im, si mandat shpirtëror dhe kulturor i dhënë tashmë prej popullit shqiptar është i përjetshëm. Ke harruar se pas teje qëndron vetëm një parti dhe rreth 2-3 vjet veprimtarie politike populiste e demokratike, kurse pas meje rreth 25 vjet veprimi si subjekt me ndikim të vazhdueshëm demokratik dhe 21 vepra të botuara letrare, shkencore, e publicistike, që do t’u shtohen edhe disa ende të pabotuara, pjesa më e madhe e të cilave në kulturën tonë do të jetojnë derisa të jetojë gjuha shqipe dhe populli shqiptar që e flet, domethënë gjithmonë.
- Në përgjigje, më ke akuzuar se pohimeve të tua të shqiptuara në selinë e paktit NATO, në Bruksel, mbi çështjen e Kosovës, përkatësisht mbi çështjen shqiptare, u kam hequr fjalë a fjali dhe i kam shkëputur nga kuptimi që kanë në paragraf! Jo. Pohimet tua i kam dhënë siç i ke shqiptuar: prej pike në pikë. Ato janë pohime copë, të thëna shkoqur, pa ngjyresa politike dhe diplomatike. Ato janë pohime që kanë vetëm një kah kuptimor. I ftoj lexuesit t’i dëgjojnë dhe të mendojnë për to edhe një herë.
- “Idetë për një Shqipëri të Madhe janë ide të cilat absolutisht nuk mbështeten nga qarqet dhe forcat politike serioze shqiptare”!
- “Shqipëria nuk ka kërkuar, nuk kërkon dhe nuk do të kërkojë ndryshimin e kufijve ekzistues. Natyrisht, ajo nuk mund të tolerojë spastrimin etnik të shqiptarëve nga vatrat e tyre”!
- “Për shqiptarët, rëndësi vendimtare në këtë periudhë ka zhvillimi i demokracisë, respektimi i lirive dhe i të drejtave njerëzore e kombëtare të tyre, aty ku ata ndodhen”!
Këto tri fjali janë fjali programore të paraqitjes sate në selinë e NATO-s në Bruksel, kurse fjalia e dytë tingëllon edhe si fjali-betim! Ato nuk kanë tjetër kuptim, as si tërësi, as veç e veç, përpos atij që ua ke dhënë pavarësisht prej paragrafëve në të cilët janë përdorur. Në përgjigjen ke korrigjuar vetëm fjalinë e dytë, që është e shkrirë kuptimisht në të parën dhe të tretën: ke hequr togfjalëshin “nuk ka kërkuar dhe nuk do të kërkojë”, kurse ke shtuar fjalën aq të nevojshme “me dhunë”, që figuron edhe në dokumentet e Konferencës së Helsinkit. Nuk e quaj të nevojshme t’i shpjegoj edhe një herë këto tri pohime programore mbi çështjen shqiptare. Dhe nuk e quaj të nevojshme të merrem edhe një herë me pasojat që ato do të mund të kishin po të bëheshin program i politikës sonë kombëtare, për zgjidhjen e kësaj çështje. Nuk e them se ti u beson këtyre pohimeve, por kjo nuk mund të jetë arsye që të zbutet kritika e tyre. Ato janë pikëpamje të paraqitura prej kryetarit të Shqipërisë; dhe ato janë pikëpamje të paraqitura në selinë e Paktit NATO, domethënë në institucionin që është instrument ushtarak i rendit të ri botëror që po krijohet. Ata që i kanë përcjellë paraqitjet tua politike prej se je në skenën politike, nuk e kanë të vështirë të vërejnë se nuk ke qëndrim të mbajtur për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, dhe, në përgjithësi, të çështjes shqiptare. Ose, të shprehem më qartë; qëndrimet tua ndaj çështjes shqiptare janë tepër! Tepër të lëvizshme! Një herë e thua njërën e herën e dytë tjetrën; në forumet dhe në institucionet ndërkombëtare, e thua njërën, kurse në intervistat që u jep gazetarëve të vendit e të huaj i lëviz ato që ke thënë. Muajt e fundit, pikëpamjet tua për çështjen shqiptare, madje edhe vetëm për çështjen e Kosovës kanë ardhur duke zbritur, dhe, në fund janë ndalur në opsionin më të padëshiruar: në opsionin sipas të cilit çështja shqiptare shtrohet si çështje e të drejtave dhe lirive të njeriut! Nuk ka dyshim se të gjithë ata, që për këtë çështje kanë bërë shumë vite burg; të gjithë ata që për këtë çështje shkruajnë shumë kohë përpara se ç’ke filluar ti të merresh me të, e dinë se kjo është një çështje e përbërë dhe shumë e rëndë. Zgjidhja e saj, natyrisht nuk varet vetëm prej kërkesave tona, por edhe prej faktorëve ndërkombëtarë dhe prej fqinjëve ballkanikë veç e veç dhe në tërësi. Në qoftë se ne e bëjmë program të qëllimeve kombëtare atë që ti e ke paraqitur si program në selinë e NATO-s në Bruksel, nuk mund të fitojmë më shumë se të drejta njerëzore aty ku ndodhemi! Në vend se popull, do të mbetemi banorë! Ke harruar se ai që ka qëllim, ai ka edhe gjasa dhe anasjellas: ai që nuk ka qëllim ai nuk ka kurrfarë gjasash. E shtruar ashtu siç e ke shtruar ti në fjalinë e tretë të tekstit të sipërthënë – si çështje të lirive dhe të drejtave të njeriut, çështja e Kosovës, dhe në përgjithësi çështja shqiptare, mbeten çështje në mëshirën e fqinjëve; për më tepër e shtruar ashtu siç e ke shtruar ti në Bruksel, çështja shqiptare do të konsiderohej çështje e mbyllur! Për këto arsye, e jo për asgjë tjetër, atë platformë e quaj të gabueshme dhe aktualisht e historikisht të dëmshme. Po me paraqitjen e sipërtreguar në Bruksel ti, duket, ke dashur ta përgatisësh prapakthimin e liderëve partiakë në Kosovë! Ke pranuar lehtë, në vend të tjerëve, ta luash një rol tragjik gabim.
- Përgjigja jote nuk është përgjigje politike, po fletëdenoncim, që nuk do ta harrojnë as historia e letërsisë, as historia e mendimit politik shqiptar. Me këtë akuzë ia ke dhënë Serbisë një argument që aq shumë i është dashur, me të cilin do të mund ta arsyetojë terrorin e saj mbi shqiptarët në Kosovë. Nuk është e çuditshme, prandaj, pse Radio e Televizioni dhe gazetat e Beogradit e kanë pritur me aq entuziazëm dhe e kanë propaganduar aq shumë përgjigjen tënde, duke m’u vërsulur edhe me një breshërimë akuzash të reja, si ideolog i “radikalizmit” dhe “terrorizmit”, përkatësisht si ithtar i zgjidhjes luftarake të çështjes së Kosovës. Duke e ditur se sa shumë i nevojitej Serbisë argumenti i tillë, unë edhe kam shkruar para disa vjetësh: “në Kosovë nuk ka terrorizëm shqiptarësh, sepse populli shqiptar është i ndërgjegjshëm se sa dëm do t’u bënte terrorizmi kërkesave të tij të drejta dhe legjitime, por në Kosovë ka terrorizëm që ushtron Serbia mbi shqiptarët. Në Kosovë nuk ka terrorizëm të shqiptarëve, por në Serbi bëhen përpjekje të tmerrshme, që opinioni botëror të bindet që ka” (Rexhep Qosja, Populli i ndaluar, Prishtinë, F. 370). Pse atëherë më akuzon si ideolog të terrorizmit? Pse shkon aq larg dhe një akuzë të tillë e zyrtarizon duke e futur edhe në kumtesën “dypalëshe” naive me karakter shtetëror, që nga kabineti yt është lëshuar më 23 janar, në të cilën kapitulli i Kosovës nënshkruhet para humbjes së betejës! Pse? Pas fletëdenoncimit tënd Serbia do ta ketë më lehtë ta likuidojë Rexhep Qosen si ideolog të terrorizmit shqiptar duke u arsyetuar: edhe prej shtetit amë është shpallur ideolog i terrorizmit? Prej shtetit amë – jo, por prej teje – po! A ke menduar se pas fletëdenoncimit tënd, Serbia do ta ketë më të lehtë t’i vrasë djemtë tanë nëpër rrugët e Kosovës, duke i akuzuar se kanë bërë apo kanë dashur të bëjnë vepra terroriste! Për t’i krijuar vetes mundësinë që të ngresh fletëdenoncimin në fjalë kundër ideologut të terrorizmit shqiptar, ti e ke falsifikuar fjalinë time “rasti i Irlandës Veriore, i Korsikës dhe i Baskisë, ku çështja kombëtare shtrohet në trajtat më të ashpra revolucionare, dëshmon se është iluzion të besosh se çështja kombëtare në sistemet demokratike vetvetiu zgjidhet me instrumentet e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive njerëzore”. Kjo fjali – me të cilën tregon se lëvizjet çlirimtare irlandeze, baske dhe korsikane, që çështjen e tyre mendojnë se mund ta zgjidhin me mjete dhune, domethënë me mjete revolucionare dhe jo rrugës evolutive, dëshmon, se, madje, as në vendet demokratike çështja kombëtare nuk mund të zgjidhet me instrumentet e të drejtave dhe lirive të njeriut por me të drejtën e vetëvendosjes kombëtare, përkatësisht shtetërore, që ato lëvizje e kërkojnë – kjo fjali pra, të ka mjaftuar të ndërtosh fletëdenoncimin: “problemi i Kosovës në asnjë mënyrë nuk mund të zgjidhet nëpërmjet akteve të terrorizmit, si sugjeron autori, duke evokuar lëvizjet e quajtura revolucionare që zhvillojnë veprimtarinë terroriste dhe të bazuara në platforma marksiste-leniniste në zona të ndryshme të Europës”! Kush lexon ndershëm e ka të qartë se unë nuk i evokoj ato lëvizje për të predikuar terrorizmin në Kosovë, po për të thënë shkoqur dhe vendosmërisht siç them gjithnjë: çështja e Kosovës, dhe, në përgjithësi çështja shqiptare mund të zgjidhet vetëm duke iu njohur popullit shqiptar e drejta e vetëvendosjes kombëtare, domethënë shtetërore – siç mendojnë edhe veprimtarët politikë që lirinë e popullit nuk e ngatërrojnë me karrierën e tyre personale, e jo duke iu pranuar të drejtat dhe liritë njerëzore e kombëtare “aty ku ata ndodhen”- siç mendon ti. Po ti jo vetëm se ma falsifikon mendimin, më qep çka nuk kam menduar dhe në asnjë mënyrë nuk del prej tekstit tim, por u vesh platforma marksiste-leniniste edhe lëvizjeve çlirimtare në fjalë! Pse? Pse nuk ke mësuar bile diçka më tepër për ato lëvizje! Pse i quan ato marksiste-leniniste kur dihet se lëvizja irlandeze dhe korsikane kurrë s’kanë pasur platforma marksiste-lenininiste, kurse lëvizja baske ka herë që është liruar prej ngjyresave edhe ashtu të pakta marksiste-leniniste në platformën e saj çlirimtare? Pse edhe për këtë çështje nuk i ke këshilluar këshilltarët e tu “bujarë”- profesorë të djeshëm të leninizëm-stalinizmit dhe specialistë të terrorit të kuq në jetën mendore dhe politike shqiptare? Pse, zotëri kryetar, ke nevojë të qërosh hesape me të vdekur: me një ideologji dhe politikë që në kontinentin evropian është varrosur? Që ta manipulosh më lehtë opinionin shqiptar? Që mungesën e përmbajtjeve, vërtet, demokratike në jetën e popullit shqiptar ta kompensosh me retorikë demokratike? Apo për ndonjë arsye tjetër? Për ata që e dinë se kush është kush në skenën e sotme politike shqiptare është fare e qartë: Ti bën luftë të vazhdueshme me të vdekurit sepse me arsyen ndjen nevojë të distancohesh sa më shumë prej të kaluarës sate. Harron: të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë – e kemi çfarë është. Dhe, në përpjekjet që ta ndryshosh biografinë politike personale, përpiqesh të bësh sa më shumë shokë! Kot! Me gjithë falsifikimet që u bën pohimeve të mia nuk mund të më kesh me veten jo vetëm në të djeshmen, por në qoftë se vazhdon siç ia ke filluar, rrugët tona s’do të takohen as në të sotmen as në të nesërmen. S‘pranoj të më mbajnë ligjërata për demokracinë komisarët politikë! Kur ti e ke specializuar mjekësinë në botën e huaj, padyshim si i privilegjuar dhe i besuar i regjimit leninist-stalinist, unë kam bërë betejën teorike dhe praktike kundër estetikës dhe ideologjisë leniniste. Kur ti ke qenë sekretar i organizatës bazë të Partisë së Punës në fakultetin e mjekësisë në Tiranë, unë kam bërë betejën mendore dhe politike kundër shovinizmit serb, maqedon e malazez, kundër politikës shtypëse të lidhjes së komunistëve të Jugosllavisë ndaj popullit shqiptar. Kur ti me punë e me sjellje i ke shërbyer ruajtjes së regjimit tiranik në Shqipëri, kurse kolegët e tu e kanë udhëhequr procesin e diferencimit politik në kolektivet ku kanë punuar, duke i shtuar ashtu vuajtjet e kolegëve intelektualë, unë me refuzimin që të diferencohem siç kërkonte regjimi, me kritikën e poltronizimit intelektual, me sjelljen e vazhdueshme papajtuese me dhunën politike e policore, me punën time publicistike ia kam zgjeruar hapësirat mendimit dhe sjelljes demokrate në shpirtin e lexuesve shqiptarë, e kam përgatitur ardhmërinë që është dashur të vijë. Kundërkomunizmi yt i vonuar ka fytyrë të qartë bolshevike. Nuk e ka thënë kot Vacllav Haveli, “më të zinj se komunistët janë vetëm komunistët antikomunistë!”. Nuk ka dyshim: duke e mohuar aq egër të djeshmen personale bolshevike ti e dëshmon strukturën tënde shpirtërore jo demokratike. Dëshmi praktike që e dëshmojnë pohimin e tillë ti, mjerisht, jep mjaft.
- Përgjigja jote, edhe pa përgjigjet e këshilltarëve të tu të shkruara sipas metodës së Vishinskit, dëshmon qartë se ti po e vazhdon tutje mosdurimin 45-vjeçar shtetëror të mendimit kritik. E mosdurimi i mendimit kritik është mosdurimi i lirisë. Ti vazhdon të sillesh si të gjithë dogmatikët: duke mos i pranuar gabimet dhe duke u përpjekur t’i likuidosh politikisht dhe moralisht ata që gabimet t’i vënë në dukje. Punë e kotë, gjithsesi! Është pak të thuhet se ti për një kohë të shkurtër ke treguar shumë shenja të autoritarizmit politik. Në qoftë se demokracia është botëkuptim, në qoftë se demokracia është tolerancë; në qoftë se demokracia është konsideratë për tjetrin; në qoftë se demokracia është mbrojtje e individit prej punës kushtetore, atëherë demokracia jote është vetë propaganda. Ti vepron si protagonist i fuqisë shumë më shpesh se si protagonist i dialogut, i marrëveshjes dhe i pajtimit. Tani e kam të qartë sepse ti nuk ke dashur ta përkrahësh nismën e pajtimit e të bashkimit kombëtar. Pajtimi është akt i lartë moral dhe demokratik. Ku nuk ka pengesë, falje dhe pajtim doemos është e madhe sasia e vuajtjeve. Ku nuk ka pajtim ka hakmarrje, e hakmarrja, siç e kanë theksuar të tjerët para meje, është krim i ri, por më i madh. Jemi pajtuar me vonesë me italianët; jemi pajtuar me vonesë me gjermanët; jemi pajtuar me rusët; në qoftë se gjykohet varësisht prej intervistës që i keni dhënë TV të Beogradit 92, që e ka botuar edhe gazeta “Borba”. Dorën e pajtimit ia ke shtrirë edhe Serbisë, por mes veti refuzojmë të pajtohemi. Dhe, në krye të këtij refuzimi ke qëndruar ti. Ti nuk e do pajtimin sepse ti e do mbisundimin, nënshtrimin e të tjerëve! Nuk është e çuditshme, prandaj, pse si kryetar shteti ke uzurpuar ingerenca që nuk të takojnë: ke uzurpuar ingerencat që mund t’i takojnë kryetarit të shtetit të zgjedhur në Parlament, kryesisht me votat e një partie. Nuk është e çuditshme, prandaj, se ky kryetar shteti shpesh bën ato që i takojnë vetëm Qeverisë apo Ministrisë së Jashtme; pse ky kryetar nxjerr në pension para kohe aq oficerë të rinj, madje në kohën kur shteti dhe kombi gjenden para rrezikut të luftës Ballkanike; pse Shqipëria vazhdon të jetë shtet partiak, shtet në të cilin strukturat shtetërore janë plotësisht të njëjtësuara me strukturën partiake; pse TV i Shqipërisë është plotësisht i kontrolluar, madje i uzurpuar prej teje dhe prej partisë mbisunduese; pse në Shqipëri, në fusha të ndryshme të jetës dhe në mënyra të ndryshme, shkelen disa të drejta dhe liri të njeriut; pse droja e njerëzve prej regjimit vjen duke u rritur – sot është dukshëm më e madhe se para 7-8 muajsh. Zotëri kryetar, për ty të këqijat e djeshme vazhdojnë të jenë më të rëndësishme se sa të mirat e sotme. Për ty përkatësia partiake është më e rëndësishme se e vërteta dhe e drejta. Ti po sillesh si kryetar i një partie në krye të shtetit e jo si kryetar i Shqipërisë. Prej të gjithë atyre intelektualëve që ka Shqipëria, të aftë, me dije e kulturë të gjerë, me përgjegjësi të lartë, me mendje politike e historike subtile ti ke gjetur të rrethohesh me këshilltarë – bujarë, mendërisht të harxhuar plotësisht, politikisht të kompromentuar, plotësisht; moralisht të rrënuar plotësisht! Me sjellje të ngushta e të ashpra partiake, me gatishmëri hakmarrjeje, me prirjen që më parë të veprosh se të mendosh, ti po e tendos për së tepërmi jetën kombëtare! Dhe, sjellje të tilla mund t’i kushtojnë shtrenjtë Shqipërisë dhe në përgjithësi popullit shqiptar. Për shumë arsye, shumë intelektualë janë distancuar dhe po distancohen prej teje. Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk u duhen vetëm ndihma, që ti do t’i ndash! Shqipëria dhe shqiptarët gjenden para sprovash dhe ngjarjesh epokale. Shqipërisë dhe shqiptarëve, prandaj u duhet pajtimi e jo hakmarrje; mirëkuptim vëllazëror e jo urrejtje: shikim krijues përpara që frymëzon e jo prapavështrim i vazhdueshëm që helmon; mobilizim i të gjitha forcave mendore, punuese dhe morale të kombit për ndërtimin e rilindjes shpirtërore morale demokratike ekonomike të vendit e jo diferencim i ashpërsuar partiak i tyre; hapësirë për shprehjen e mundësive dhe vullnetit të të rinjve e jo moskujdes i palejuar për ta; vetëdije gjithëkombëtare e jo krahinorizëm; demokraci e jo autoritarizëm. Ndryshimet aq të dëshiruara dhe aq të nevojshme në jetën kombëtare mund t’i bëjnë vetëm ata që më parë e ndryshojnë veten; se ndryshimet më të rëndësishme gjithmonë janë ndryshimet e brendshme të njeriut. Ndryshoje veten sa ke ende kohë!/Rexhep Qosja/
Dërguar posaçërisht për gazetën “Koha Jonë” Prishtinë, 30.01.1993
Armand Shkullaku me 6 shkurt 1993 zbulon dhe publikon skandalin “Arsidi” që tronditi shtetin
Nga Armand Shkullaku
Para disa ditësh në Tiranë arrestohen Drejtori i Bankës Tregtare z. Agron Saliu dhe Nëndrejtori z. Agim Tartari. Këta dy të arrestuar kanë qenë të pushuar nga puna më parë, por nuk dihet se me çfarë motivacioni. Po kështu nuk dihet saktësisht përse u arrestuan dy funksionarët e Bankës. Nënguvernatori i Bankës Kombëtare z. Kristaq Luniku, thotë se ai vetë nuk di ndonjë gjë të veçantë rreth arrestimit, por Guvernatori z. Ilir Hoti duhet të ketë dijeni të plotë pasi është marrë vetë me këtë problem. Z. Luniku shton se denoncimi për dy të arrestuarit është bërë nga Banka Kombëtare e për këtë u organizua një kontroll në lidhje me lëvrimin e borxheve të jashtme. Problemi në fjalë tani i ka kaluar hetuesisë. Pas kërkimesh të shumta se kush e drejtonte hetimin e çështjes më së fundi mësuam se ajo i ishte besuar z. B. Kokoshi hetues edhe për çështjen e N. Hoxhës. Kontaktuam me z. Beqir Kokoshi, kryetar i hetuesisë së rrethit Tiranë dhe zëvendësprokurori i rrethit Tiranë, i cili në mënyrë të prerë u përgjigj: “Unë nuk investoj asgjë për gazetarët”. Z. Kokoshi nuk na lejoi duke thënë se tani për tani ai nuk mund të thoshte asgjë… Me saktësi dihet vetëm që denoncimi është bërë nga Banka Kombëtare në lidhje me lëvrimin e borxhit të jashtëm. Por çfarë mund të përmbajë konkretisht akuza? Sipas burimeve tona jozyrtare, të arrestuarit Saliu dhe Tartari kanë firmosur një çek ku i kalohen 1.200.000 dollarë dy qytetarëve francezë të cilët do të interesoheshin për zhbllokimin e borxhit tonë të jashtëm. Mirëpo ekziston edhe një shkresë e firmosur nga guvernatori i Bankës Kombëtare, z. I. Hoti në vitin 1991 ku i jepet e drejta ekskluzive një personi të huaj të merret me borxhin tonë të jashtëm. Ky person është një farë Nikolas Arsidi! Si qëndron problemi i borxhit të shtetit shqiptar? Në nëntor të vitit 1991, me ndërmjetësinë e Bankës Europiane, Qeveria Shqiptare, nëpërmjet nënkryeministrit të asaj kohe, kishte emëruar si ndërmjetës për borxhin shqiptar, Xhuliano Amato, ish-ministër i financave të Italisë, deputet dhe profesor i së drejtës konstitucionale në Universitetin Ljuis të Romës. Amato, i cili më vonë u bë Kryeministër i Italisë, i shkruante z. Gramoz Pashko:
Romë 13 dhjetor 1991
I dashur zoti Nënkryeministër
Kam marrë vendimin tuaj për emërimin tim dhe dua t’i shpreh Qeverisë Shqiptare, Partisë Demokratike dhe juve personalisht mirënjohjen time. Do të punoj me impenjimin tim më të lartë, me bindjen se është e mundur që Shqipëria të hyjë në një cikël zhvillimi më se të mjaftueshëm për të kapërcyer krizën e borxhit.
Me përshëndetjet më të mira Xhuliano Amato
Ndërkohë Qeveria Teknike e Vilson Ahmetit emëron një tjetër ndërmjetës për borxhin shqiptar, duke zhvleftësuar emërimin e Amatos. Çfarë e shtyu z. Ahmeti të bëjë një gjë të tillë? Si shpjegohet fakti që në vend të personalitetit të konfirmuar të Amatos të emërohen persona krejt të panjohur që vërtiteshin nëpër zyrat e Qeverisë dhe kërkonin të merrnin me qira apo të blinin ndonjë hotel (mbase edhe 15-katëshin në Tiranë)? Xhuliano Amato do të punonte pa pagesë, ndërsa të emëruarit e rinj shpërblehen me 1.200.000 dollarë. Siç shihet kjo është shuma për të cilën thuhet se kanë firmosur çekun të arrestuarit Saliu e Tartari e që u është dhënë dy francezëve. Normalisht sipas praktikës perëndimore, çdo ndërmjetës që niset për të shpëtuar një borxh ose një sasi paraje të humbur, bile edhe për trashëgimi, ka të drejtë të kërkojë 10 për qind të shumës për të cilën lufton. Fakti që ndërmjetësit në rastin tonë kanë kërkuar shumë më pak se 10 për qind të bën të dyshosh për diçka. Po kush janë këta dy francezë të mistershëm? Sipas të gjitha fakteve, lidhjeve dhe burimeve tona, dy francezët e lartpërmendur janë po ata që i dhanë Presidentit Berisha medaljen e kortezisë. Pra bëhet fjalë për z. Nikolas Arsidi (të autorizuarin e z. Hoti) e Laurent Simon. Për dhënien e kësaj medalje, shteti francez nuk ka qenë në dijeni më parë. Dy zotërinjtë kanë ardhur privatisht në Shqipëri dhe nuk janë paraqitur aspak në Ambasadën Franceze, gjë normale kjo për të tilla raste, e cila (Ambasada) përfaqëson shtetin francez në Shqipëri. Gjithashtu Ministria Jashtme Franceze ka marrë vesh për këtë medalje vetëm pasi ishte bërë dhënia e saj. Dy francezët u paraqitën si përfaqësues te klubit të kortezisë franceze dhe thanë se kjo është dekorata më e lartë për njeriun e lirisë në Shqipëri, i cili u vlerësua ndër më fisnikët. Të bën përshtypje fakti se në një ceremoni ku merrnin pjesë edhe Kryetari i Parlamentit Arbnori, Kryeministri Meksi, zotërinjtë Godo, Gjinushi etj. dy francezët japin një medalje që sipas burimeve zyrtare nuk është institucionale e shteti francez nuk ka të bëjë fare. Kjo është një nga ato medalje që francezët i quajnë (medaille de chocolat) ose që e shqipëruar do të thotë medalje limonade, pa vlerë. Thuhet se dy francezët e kishin prurë këtë medalje për z. Ahmeti, por meqenëse ai nuk ishte më kryeministër e mbase nuk kishte gjë në dorë vendosën t’ia japin Berishës. Çfarë lidhje ka midis francezëve dhe Vilson Ahmetit, dekorimit të Berishës e borxhit shqiptar. Ky skandal në lidhje me borxhin shqiptar është tepër i koklavitur dhe ka histori të gjatë e emra të tjerë. Pa dashur të abuzojmë do të mundohemi të hedhim disa versione të mbështetura në fakte të vërteta.
A ka lidhje arrestimi i drejtorit dhe nëndrejtorit të Bankës me çekun që u është dhënë francezëve? Nëse nuk ka lidhje me ta kjo çështje, përse është bërë arrestimi?
Kush e ka të drejtën për të dhënë mandatin për t’u marrë me çështjen e borxhit shqiptar? Përse zoti Hoti ka autorizuar zotin Arsidi?
Nëse ka lidhje me borxhin ku qëndron Qeveria. Po Presidenti? Dhe po kështu në ç’rol ka qenë guvernatori i Bankës Kombëtare? Është e pamundur që të jepet nga një Bankë 1.2 milionë dollarë e për këtë të mos ketë dijeni guvernatori i Bankës.
Cili është qëndrimi i Ministrit të Financave për këtë çështje?
Nëse ai tregohet i gatshëm për të folur rreth kësaj çështje, kjo tregon se ai vetë nuk është përzier.
Fakti që hetimi nuk është marrë ende nga hetuesia e Tiranës, por është ende në dorë të policisë, tregon se drejtori e nëndrejtori nuk janë marrë si të pandehur. Deri tani kanë kaluar mbi 74 orë, si shpjegohet që mbahen të arrestuar jashtë afatit ligjor?
Çështja komplikohet në raportin midis V. Ahmetit dhe francezëve dhe Berishës po me francezët. Por më tepër mundësi ka të jetë implikuar ish-Kryeministri se sa Presidenti aktual. Është fakt se Ilir Hoti e Agron Saliu kanë qenë drejtorë edhe në kohën e Qeverisë Teknike, se Ahmeti e ka ditur që nuk do të ketë më vend në një qeveri tjetër, dhe ai e njihte datën e skadencës së mandatit të tij.
Pak a shumë këto ishin faktet që e shtrojnë në vijë deri diku këtë skandal në lidhje me borxhin tonë të jashtëm ku janë implikuar shumë persona e që duket se është shumë më i komplikuar.
Ku janë sot 1.2 milionë dollarë, cilat qenë arsyet që Berisha pranoi dekorimin e panjohur, përse V. Ahmeti emëroi dikë tjetër dhe nuk pranoi Amaton si ndërmjetës, dy francezët që erdhën në Shqipëri, a blenë diçka, në rast se po, çfarë, e në rast se jo, a i kanë dhënë para ndokujt?
Në numrat e ardhshëm do të mundohemi të paraqesim, fakte, dëshmi të reja, që do të eliminojnë versione të ndryshme për të arritur te një i vetëm që do hedhë dritë mbi këtë ngjarje ende gjysmë të mistershme.
Misteri rreth ngjarjes në lidhje me borxhin e jashtëm të Shqipërisë duket se kërkon ende kohë për t’u qartësuar. Përpara se të hedhim dritë mbi disa versione të reja le të kujtojmë shkurtimisht faktet e mëparshme: borxhi i jashtëm ka bllokuar aktivitetin e bankës sonë; qeveria e stabilitetit cakton Xh. Amato si ndërmjetës për zhbllokimin e këtij borxhi; në Qeverinë Teknike të V. Ahmetit në vend të Amatos caktohet francezi N. Arsidi me një shpërblim prej afro 1 milion e gjysmë dollarë. Ky i fundit i dhuron më pas Presidentit tonë një medalje jo institucionale…
Dhe përsëri drejtori dhe nëndrejtori i Bankës Tregtare vazhdojnë të mbahen në gjendje arresti, ndërkohë që thuhet se në Paris, zoti Nicolas Arsidi është arrestuar në lidhje po me këtë problem. Padia thuhet se është bërë nga pala jonë, megjithatë ky lajm ende nuk është konfirmuar plotësisht. Po cili është Nicola Arsidi të cilit iu besua ndërmjetësia për borxhin shqiptar? Sipas të dhënave që janë paraqitur del se z. Arsidi paska qenë këshilltar i ish-Presidentit francez Zhiskar d’Esteng, njeri i përgatitur, dhe me kredibilitet. Atëherë rezulton se francezi në fjalë mund të ishte i besueshëm profesionalisht për të negociuar me borxhin. Këtu për atë që ka bërë zgjedhjen nuk ka asgjë të keqe, por problemi qëndron se kur u bë kjo zgjedhje përpara apo pasi ishte caktuar Amato, dhe nga kush u bë realisht. Deri këtu nuk mund të flitet për ndonjë trasgresion juridik, pasi Banka Kombëtare ka qenë në sekuestro pavarësisht se borxhi shqiptar i ka takuar shtetit shqiptar. Dihet se borxhi i madh i jashtëm shtetëror që u trashëgua nga sistemi komunist bllokoi veprimtarinë e Bankës Kombëtare. Ligjërisht borxhi shtetëror shqiptar u nda nga Banka Kombëtare Shqiptare në prill të vitit 1992 me ligjin për sistemin bankar në Shqipëri. Në rast se z. Arsidi, për të cilin folëm më lart është caktuar si ndërmjetës nga z. Ilir Hoti do të thoshim se Drejtori i Bankës së Shtetit Shqiptar deri në muajin prill ka pasur të drejtë të interesohej për bankën e tij, sepse të qenit e saj nën sekuestro paralizonte të gjitha operacionet bankare me jashtë.
Gazeta “Zëri i Popullit” botoi të dielën një mandat të firmosur nga z. Ilir Hoti ku i jepet ekskluzivisht e drejta e ndërmjetësimit francezit Arsidi. Ky mandat mbante datën 1 nëntor 1991. Si është realisht problemi i këtij mandati – A ekziston ai me datën në fjalë? Edhe po të ekzistonte me atë datë (nëntor 1991), logjikisht nga se thamë pak më sipër drejtori i Bankës, mund të lëshonte një mandat të tillë për borxhin e bankës së tij. Por a mund të jetë kjo datë e vërtetë? Sipas një arsyetimi të thjeshtë duke parë që zoti Hoti është emëruar drejtor në shtator të vitit 1991 ishte tepër shpejt që ai të ndërmerrte me përgjegjësi të tij një transaksion kaq të guximshëm, afërsisht brenda një muaji pas emërimit si drejtor. Gjithashtu në nëntor të atij viti ka qenë periudha e Qeverisë së Stabilitet dhe Nënkryeministri i asaj kohe z. Pashko deklaron se nuk e ka njohur fare francezin Arsidi, pikërisht në ato kohë kur ky rezulton se ka qenë i ngarkuari i bankës për borxhin shqiptar. Pra siç shihet enigma mbetet ende e pazgjidhur. Dy versionet e mësipërme i japin të drejtë z. Hoti për sa i përket datës së mandatit. Por cila është data e saktë kur francezi ka marrë shumën e dollarëve, e cila nga të dhënat e tanishme del 1.6 milionë dollarë në vend të 1.2 milionëve që kishim sipas burimit të parë. Sipas të dhënave tona jozyrtare rezulton që data e dhënies së shumës të jetë fundi i dhjetorit 1991. Por a dinte z. Ahmeti se për borxhin shqiptar në 20 nëntor të atij viti ishte emëruar Amato? Sigurisht që këtë gjë e ka ditur se Amato u emërua me vendim të Qeverisë Bufi, në të cilën V. Ahmeti ka qenë Ministër. Nga këto të dhëna e analiza të deritanishme, medalja e Presidentit del e palidhur me skandalin Arsidi. E vetmja lidhje është emri i francezit. Në numrin e ardhshëm do të mundohemi të paraqesim një ballafaqim të ri faktesh e opinionesh që është akoma larg zgjidhjes./Armand Shkullaku, botuar me 6 SHKURT 1993)
Azem Hajdari në karrigen ku u ul Nexhmije Hoxha
-Botuar me 27 Shkurt 1993-
Nga Aleksandër Frangaj
Të mërkurën më 24 shkurt, në gjykatën e Tiranës u zhvillua gjyqi i udhëheqësit të Lëvizjes Studentore, themeluesit dhe kryetarit të parë të Partisë Demokratike, deputetit dhe kryetarit të komisionit parlamentar për rendin, mbrojtjen dhe SHIK-un, zotit Azem Hajdari. Para se të fillonte gjyqi, përpara Gjykatës u grumbulluan qindra njerëz, banorë të Tiranës, studentë dhe qytetarë të ardhur nga Kavaja në përkrahje të zotit Hajdari. Thirrjet e zjarrta të tyre, “Azem Hajdari do të fitojë”, “Do fitojmë apo jo – po, po, po” etj. si këto, bënë që policia të ndërhynte forcërisht ndaj demonstruesve me shkopinj gome për t’i shpërndarë ata. U bllokua qarkullimi në rrugën e Durrësit, dhe pas goditjeve me shkopinj gome, policia arrestoi edhe disa persona të cilët ne nuk i identifikuam dot. Më pas brenda në sallë tensionet ishin të mëdha. I pandehuri Azem Hajdari, i mbrojtur nga avokati Spartak Ngjela theksuan dhe këmbëngulën se ky është një gjyq politik i inskenuar nga sekretari i përgjithshëm i PD, Tomorr Dosti. Akuza për rrahje dhe fyerje në krye të detyrës të një punonjësi të administratës së PD, Sotir Qirjaqit, nuk u pranua si e vërtetë nga i pandehuri dhe avokati, por ky ishte një sajim i Tomorr Dostit dhe shokëve të tij ballistë, për të ulur autoritetin e deputetit Hajdari, i cili ka qenë gjithmonë kundër këtyre njerëzve pensionistë që kanë hyrë në PD për të marrë ndonjë rrogë dhe për të përfituar nga një karrige në pushtetin e fituar nga të rinjtë dhe krijuesit e PD, të cilët sot janë të përjashtuar nga kjo parti. Edhe ndarjen e partisë e shkatërrimin e saj, zoti Hajdari ia dedikoi Tomorr Dostit dhe klanit të tij ballist. “Unë dhe shokët e mi, tha zoti Hajdari, nuk dolëm në dhjetor për të sjellë në pushtet gjysmën e partisë së punës, por për të krijuar një parti vërtet demokratike, të cilën sot fatkeqësisht e kanë uzurpuar shokët e Tomorr Dostit, që po t’ua mbledhësh të gjitha vitet e shkollës nuk kanë as sa djali im vetëm”.
Unë kam ardhur sot këtu për të respektuar drejtësinë, tha zoti Hajdari dhe Gjykata duhet ta ketë parasysh kur të marrë vendimin se këtu nuk gjykohet Azem Hajdari, por e gjithë zona që më ka dhënë votën t’i përfaqësoj në Parlament. Unë nuk e kam problem për vete, tha zoti Hajdari se unë nuk merrem me njerëz të tillë, si Sotir Qirjaqi, por e kam me nderin e deputetit. Kur kam deklaruar në Parlament se unë “kur nuk pyeta për plepa si Enver Hoxha e Ramiz Alia, për kallamat nuk e kam problem fare”, kam dashur të them se kallamat janë Tomorr Dosti me shokë dhe unë këta pensionistë nuk i llogaris fare sepse kam mbështetjen e rinisë dhe demokratëve të vërtetë. Ndërsa avokati Spartak Ngjela theksoi se “Si mund të shpjegohet fakti që menjëherë rendet pas një kallëzimi, i cili në përmbajtje të tij është tepër larg kërkesave që pranon neni 119 e 120 i Kodit Penal? Ose, si mund të shpjegohet fakti që kallëzimi i zotit Qirjaqi qëndron krejt e krejt brenda kontureve juridike për cilësimin e një rrahje të thjeshtë, sepse aty s‘ka asnjë element që të shtyjë te motivi “për shkak të detyrës, në një kohë kur fill pas tij brenda tri ditësh, ish-prokurori i rrethit të Tiranës i është drejtuar kryesisë së Kuvendit Popullor me kërkesë për heqjen e imunitetit të deputetit Azem Hajdari? Ose, si mund të shpjegohet fakti që vetë Kushtetuta në fuqi e ka ndarë prerë partinë nga shteti, kurse ish-Prokurori i Tiranës as që e përfill këtë fakt ekskluziv kushtetues, e pa asnjë përgjegjësi juridike e vlerëson një kallëzim të dyshimtë brenda frymës së vjetër të së drejtës së posaçme penale, përkatësisht me nenin 119 e 120 të Kodit Penal, kur konstitucionalisht Partia e Punës cilësohej si udhëheqësja e jetës së vendit? Si mund ta shpjegojmë faktin që zoti Hajdari pretendon gjatë pyetjes së tij si i pandehur se këtu kemi të bëjmë me një inskenim politik, denoncon bile me emër njërin nga dëshmitarët e akuzës, përkatësisht Tomorr Dostin, kurse ish-prokurori rrethit as që e përfill këtë fakt? E më në fund, si mund ta shpjegojmë faktin që për çështjen penale në të cilën gjenden vetëm 6 dëshmi janë dashur afro 6 muaj punë”? Gjithashtu avokati Ngjela nga ana e tij kërkoi që procesi gjyqësor të mbyllej pasi, në bazë të nenit 8 të organizimit të drejtësisë, Azem Hajdari e ruante imunitetin dhe si i tillë nuk mund të ulej në bankën e të akuzuarve. Megjithatë trupi gjykues nuk e mori parasysh propozimin e palës mbrojtëse. Në përfundim të mbrojtjes, kryetari i gjyqit i thotë zotit Hajdari se çfarë kërkon nga trupi gjykues. Zoti Hajdari tha se unë nuk kërkoj asgjë për vete por kërkoj që Tomorr Dosti të dalë në gjyq për shpifje. Unë, tha ai, do të kërkoj në Parlament që këtij t’i hiqet imuniteti dhe të përgjigjet për shpifjen që ka sajuar së bashku me shokët e tjerë. Më pas trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendimin të cilin e dha në orën 15 e 30 minuta. Kryetari i trupit gjykues, pasi theksoi se rrahja dhe fyerja e Sotir Qirjaqit nuk është bërë në krye të detyrës, që kjo rrahje është e thjeshtë dhe nuk ka lidhje me funksione shtetërore pasi partia është e ndarë nga shteti, pasi mori në konsideratë aktivitetin dhe moshën e re të zotit Hajdari si dhe të martuar e me dy fëmijë, vendosi ta quajë fajtor dhe ta dënojë me QORTIM SHOQËROR.
E gjithë kjo zhurmë kur u kërkua heqja e imunitetit 6 muaj, hetuesi dhe shqetësime të tjera për deputetin si dhe gjithë ajo “rrahje”e madhe e Sotirit u konkretizuan me qortim shoqëror. Duhet theksuar se nuk u caktua data dhe vendi që do t’i bëhej qortimi shoqëror zotit Hajdari. Pas gjyqit të Prokurorit Maks Haxhia, i cili u dënua me 1002 lekë, ky gjyq ishte një tjetër blof. Pas dhënies së vendimit avokati Ngjela na deklaroi: “Vendimi ishte jo serioz që komprometon pushtetin gjyqësor por që në të njëjtën kohë i jep zotit Hajdari një kartë më tepër në përforcimin e mëtejshëm të personalitetit të tij politik. Dhëntë Zoti të mos na shohin më sytë gjyqe të tilla, megjithëse personaliteti i deputetit të nderuar Hajdari doli pa u cenuar. Ne nuk jemi dakord me këtë vendim dhe çështjen do ta çojmë në Gjykatën e Kasacionit, pasi Gjykata e Tiranës ka marrë një vendim antikushtetues”. Gjithashtu pas gjyqit edhe deputeti Hajdari deklaroi për gazetën tonë: “Vendimi i trupit gjykues përveç se është antikushtetues sepse bie ndesh me dispozitat kryesore kushtetuese, është edhe bashkëpunim me një skenar politik të sajuar kundër meje.
Rrëzimi nga trupi gjykues i akuzës për të cilën më ishte hequr imuniteti, presupozonte përfundimin e gjyqit dhe pafajësinë time. Marrja e vendimit nga gjykata ishte për të justifikuar skenarin, por pas këtij vendimi edhe unë kam marrë një vendim, të cilin do ta bëj të njohur publikisht ditën e hënë në një konferencë shtypi që do të jap në orën 11 në Pallatin e Kongreseve”.
Nuk mund të lëmë pa përmendur se gjyqit të Nexhmije Hoxhës i ishte kushtuar një vëmendje dhe rëndësi më e madhe pasi të gjitha seancat e tij u transmetuan të plota nga RTV, ndërsa për gjyqin e një deputeti nuk u përgatit asnjë kronikë e shkurtër me figurë. Ky gjyq është dhe një tjetër goditje që u bëhet themeluesve të Partisë Demokratike nga klani mjaft i rrezikshëm që drejtohet nga ish-Enveri i vogël i Nju Jorkut, Abdi Baleta, siç deklaroi në gjyq deputeti Azem Hajdari tashmë i dënuar me qortim shoqëror, e që duhet të japë llogari para elektoratit të tij prej 23 mijë vetash për dy pëllëmbë në dëm të vartësit të vet./Aleksandër Frangaj/
(Botuar me 6 Mars 1993)
Azem Hadjari: Shqipëria në udhëkryq
Për mendimin tim Shqipëria ende nuk ka dalë nga udhëkryqi ku e la komunizmi, pavarësisht nga përpjekjet e pashtershme të të gjithë shqiptarëve dhe pavarësisht nga një varg zhvillimesh që janë kryer. Pse e them këtë?
Së pari, sepse Shqipëria ende nuk ka Kushtetutën e saj që është garancia kryesore për mbarëvajtjen e një vendi në përgjithësi, e aq më tepër të një vendi që lufton për vendosjen e një demokracie të vërtetë. Si pasojë, është prerë mundësia për konceptimin e një legjislacioni komplet të ri nga ku do të buronte kodi penal, statusi i institucioneve dhe kompetencat prej saj. P.sh: Kodi Civil, e individëve, drejtorive etj.
Së dyti, ikja nga arbitrariteti e urdhri dhe dalja në një shtet ligjor, ai që quhet ndryshe tranzicion, është shoqëruar dhe po shoqërohet me një boshllëk tepër të madh ligjor. Mendoj se kjo mungesë përveç të tjerave, ka penguar në një masë të madhe edhe ndarjen e pushteteve. Pavarësinë dhe koordinimin e tyre, njëkohësisht edhe zbatimin e reformës dhe të ndërtimit të sistemit të ri për të cilin janë shprehur pjesa më e madhe e popullit dhe e forcave politike. Kjo shpjegon edhe një rënie të kredibilitetit të Parlamentit, çka është e papranueshme për një Republikë Parlamentare. Unë mendoj se ka ardhur koha të zgjidhim atë çka është kryesore: Kushtetutën. Për këtë propozoj t’i jepet Qeverisë një kohë e përcaktuar (3-5 muaj) për të qeverisur vendin dhe ndërkohë gjithë potenciali parlamentar t’i kushtohet Kushtetutës. Ndërkaq është e mundshme që kontrolli i dekretligjeve dhe i zbatimit të tyre t’u besohet komisioneve përkatëse të Parlamentit dhe kryesisë së tij. Parlamenti duhet të mësohet që për probleme të posaçme të vendosë veton, një e drejtë të cilën momentalisht, padrejtësisht e ka Gjykata Kushtetuese. ( Shembulli me S. Stafën etj.)
Së treti, ka shenja që persona dhe grupe të caktuara përpiqen ta manipulojnë dhe ta vendosin me presion Parlamentin nën pushtetin e tyre. Gjë e cila është vënë re në disa raste edhe në hartimin e gabuar të projektligjeve, punë e cila është bërë nëpërmjet rikthimit. Të gjitha këto janë rudimente të asaj të kaluare kur Parlamenti kishte atë vlerë që donte diktatura. Duhen krijuar pra kushtet për një punë normale të Parlamentit. Është kjo në radhë të parë detyrë e vetë Parlamentit i cili duhet të ushtrojë pa mëdyshje pushtetin e tij legjitim.
Së katërti, mungon iniciativa e politikanëve. Vihet re shterimi i ideve të reja për ardhmërinë e vendit, aq sa të krijohet ideja se kemi rënë në një rreth vicioz.
Së pesti, vihet re se ka rënë autoriteti i administratës shtetërore. Veçanërisht e ndjeshme kjo është në bazë, ku pushteti lokal ndihet i pafuqishëm.
Së gjashti, mungon dialogu i hapur i politikanëve me popullin. Ngrihen akuza dhe mbeten pa përgjigje.
Së shtati, gogoli i korrupsionit ka prerë iniciativën dhe ka rritur frikën.
Së teti, mungojnë planet për investimet.
Së nënti, vihet re një shmangie nga përgjegjësitë e atyre që e filluan revolucionin demokratik, pra i të rinjve. Nuk janë të pakta rastet e denigrimit të qëllimshëm të tyre.
Së dhjeti, pushteti gjyqësor duhet ta ndjejë veten si një pushtet i rëndësishëm dhe me të vërtet i pavarur. Ai nuk duhet të pranojë kurrsesi të përpunohet politikisht.
Së njëmbëdhjeti, një grup politikanësh duket se po lind dhe fuqizohet jashtë parashikimeve.
Së dymbëdhjeti, pretendojmë të ndërtojmë kapitalizmin dhe nuk stimulohen kapitalistët e rinj shqiptarë.
Së trembëdhjeti, ka hyrë një përçarje e padëshiruar mes forcave antikomuniste, e cila i shërben vetëm një gjëje, fuqizimit edhe një herë të komunizmit.
Për të kapërcyer këtë udhëkryq mendoj se duhen kryer shumë punë dhe çështja është komplekse, siç shihet. Duhet të zgjidhen sa më sipër, dhe për këtë kërkohet konsekuencë, kërkohet edhe pak idealizëm, kërkohen politikanë të ndershëm dhe me iniciativë dhe të pakompromentuar, të rinj, që të ngrihen mbi kompleksitetin e problemeve të tranzicionit, kërkohen njerëz që ta duan më shumë Shqipërinë dhe të jenë të gatshëm të sakrifikohen për të. Shqipëria ka njerëz të tillë. Duhet të mësohemi të respektojmë mendimin e secilit, pasi në politikë nuk ka parti të mëdha e të vogla. Idetë që ato përfaqësojnë janë përherë të rëndësishme, pasi janë ide të këtij trualli. Vetëm konvergimi i shumideshmërisë dhe jo polarizimi i këtyre ideve, do të mund të shpjerë përpara jetën shqiptare. Pra, të ndërtojmë atë për të cilën jemi shprehur: një Shqipëri të shqiptarëve. Të largohemi nga mendësitë komuniste sipas të cilave unë të mbroj kur shprehesh pro meje, dhe të luftoj ashpër kur thua mendimin tënd. Vetëm kjo do të jetë rruga për të rritur besimin e njerëzve për të ardhmen.
Shkurt: Shqipërisë i duhet një politikë e hapur, transparente, një politikë e duarve të pastra dhe e ideve të reja, ku logjika kapitaliste ekonomike duhet të përcaktojë gjithçka./Azem Hajdari/
(Botuar me 3 Mars 1993)
Analizë brilante e Kiço Blushit: Varrmihësit e demokracisë janë skifterët e djeshëm dhe të sotëm partiakë
Nga Kiço Blushi
Harta politike e Shqipërisë tashmë ngjan e përplotësuar. Jo vetëm pse janë formuar gati 30 parti por edhe pse gjithnjë e më shpesh dëgjohet përcaktimi konfigurativ klasik: i majtë, i djathtë, qendra, qendra e djathtë, e majtë, ekstrem i djathtë, ekstrem i majtë, radikal etj. Partitë e traditës, Balli e Legaliteti, janë brenda skenës së teatrit politik shqiptar. Piramida shtetërore po zbrazet e po rimbushet me besnikë, simpatizantë, anët arë dhe sidomos me skifterë partiakë. Në tërë këtë tollovi të përndezur, në këtë lëvizje e transformim themelor, më të suksesshmit, më gojëtarët dhe më potentët janë padyshim skifterët partiakë, – ata që quheshin dje të deklasuar, e sidomos ata që kanë qenë skifterë edhe dje: ish-komunistët. Ndërrimi i ngjyrës së pendëve e bëka gjuetinë e skifterëve më të suksesshme. Dhe më të paprinciptë. Nuk besoj se bëj ndonjë gabim po të konstatoj se ish-komunistët janë shpërndarë pothuaj në të gjitha lozhat kryesore të partive shqiptare. Nuk besoj se fyej ndokënd po të them se skifterët ish-komunistë janë politikisht e taktikisht më të aftë, më të rafinuar e më të sprovuar se amatorët dhe dilentatët që nuk kanë kaluar nëpër llogoret e organizatës bazë, nëpër kulisat dhe prapaskenat e luftës së klaneve, të servilizmit dhe të vetëshkatërrimit të dinjitetit për të mbijetuar në hierarkinë komuniste. Njerëzit e thjeshtë gabohen në gjykimet për ta, pasi i besojnë terminologjisë së ndërruar politike të skifterëve, ndaj këta ngjajnë më antikomunistë se antikomunistët. Ende nuk kuptohet se ndërrimi i fjalorit politik është për ta më i kollajshëm se ndërrimi i kostumit. Çështja shtrohet : a ka ndryshuar mendësia? A ka rënë Shqipëria, siç patën paralajmëruar, në anarki kombëtare? Po të ish ndërruar mendësia, reforma nuk do të realizohej e konceptohej si “qarkullim”, si “vajtje në bazë”, si “luftë kundër burokracisë”ose si largim i besnikëve të dyshimtë dhe zëvendësim i tyre me besnikë të verbër, por do të kryhej reformë institucionale dhe në drejtim do të kishin ardhur, paskëtaj vetvetiu, më të aftët. Armiqtë e anarkisë, – ligji e shteti juridik nuk do të ngjanin si foshnja të pafajshme. Nuk do të përthithej reforma si luftë klanesh, nuk do të na sundonte dot krahinalizmi, tarafllëku, grupazhi dhe mediokriteti i politikanëve dhe i shtetarëve. Nuk do të quhej oponenti dhe opozitari, armik. Ekstremizmi nuk do të hapte llogore të reja në shpirtin e në mendjen tonë për të sulmuar e për t’u vetëmbrojtur. Nuk do të quhej pasuria kombëtare pronë e askujt, (siç quhej në socializëm) e të shkatërroheshin kësisoj shkollat, spitalet, fabrikat, kanalet ujitëse, stallat, pyjet etj. – Sipas parimit: a jam vetë në rregull? A kam futur gjë për vete e familjen time në xhep? A më ka me sy të mirë partia që ka pushtetin? Shqipëria nuk do të konceptohej më si mall e pronë partie. Anëtarësimi në parti nuk do të jepte më certifikatë virtyti edhe kur je i ligë. As administrata shtetërore, as institucionet, as intelektualët s’do të vlerësoheshin sipas shkallës së militantizmit partiak. Shqiptarët nuk do të ishin bërë robër të hakmarrjes, të psikologjisë së larjes së hesapeve, të përçarjes dhe të vetëshkatërrimit që sjell prishja e ekuilibrit të individit me kombin dhe me shtetin e vet. Me pronën dhe moralin kombëtar. Dhe me vetveten: njeriu i ndershëm s’do kish frikë nga e djeshmja e vet. Puna më në fund do të quhej pasuri vetjake, por edhe kombëtare, kështu që s’do ta kishin shitur veten kaq lirë. Ndihmat dhe lëmoshat nuk do të na gërryenin dinjitetin. Nuk do të ngatërrohej dot krimineli me viktimën, i pafajshmi nuk do të vuante kot së koti nga “kompleksi i fajit kolektiv”. Shqipëria nuk do të kish kaq shumë “shenjtorë” që vetëm se shajnë natë e ditë sigurojnë parajsën dhe po aq përdhunues, dhunues dhe hajdutë ordinerë që bëjnë ligjin nëpër rrugë, ashtu siç bëjnë ligjet disa nga parlamentarët tanë. Nuk do të ish zëvendësuar lufta e klasave me një luftë të re klasash. Populli nuk do të ndahej më dysh: në fitimtarë e në të mundur. Nuk do të kishim më frikë nga bisedat telefonike e nuk do të ringjallej frika “e tavllave të duhanit” ku servireshin mikrofonat e fshehtë. Nuk do të ndërrohej biseda sa të afrohej ndonjë skifter partiak, të cilin e dimë kujt i shërben dhe ku do t’i çojë fjalët e “qëndrimet tona të dyshimta”… Shqiptarët do ta kishin braktisur përfundimisht nga fytyra e tyre maskën e buzëqeshjes së shtirë kur takohen me ndonjë shtetar, deputet, udhëheqës, inspektor apo operativ që ka ose s’ka diçka në dorë… Sigurisht që është e kollajshme dhe komode të rrish mënjanë e të bësh vërejtje. Pas konstatimeve të mësipërme domosdo vjen pyetja: pse ne, shqiptarët, i paguajmë ndryshimet historike me humbje e me dhimbje, duke mbetur pothuaj gjithmonë debitorë të pashpresë ndaj së sotmes e sidomos ndaj së ardhmes së kombit? Mos vallë ne, si popull, jemi të destinuar të përkëdhelemi më tepër nga fataliteti historik, sesa nga fati e shanset e favorshme historike? Mos vallë nuk është edhe aq e rastit që në krye të sofrës tradicionalisht ne kemi pasur udhëheq mediokër, bajraktarë, egoistë, satrapë e orientalë të vetëdehur e të paaftë për të dalluar interesin kombëtar, nga interesat e tyre vetjake. Duke përjashtuar argumentin e fatalitetit historik, nuk mund të mos hamendësojmë se vetë ne e parapërgatitim dhe i kemi hapur udhë fatalitetit dhe dështimeve tona sidomos në momentet më kyçe të historisë sonë. Shkaqet padyshim janë të shumta e komplekse. Pa pretenduar e synuar të rendis të gjitha shkaqet, aq më pak të provoj se këto që them unë janë të padiskutueshme, le të lejohem të parashtroj vetëm disa prej tyre.
Shqiptari vihet kollaj e me zell të madh kundër shqiptarit, ndoshta më kollaj se ndaj të huajit, mjaft që t’i preket sadopak interesi, t’i lëndohet ose t’i përkëdhelet sedra. Më kollaj mund të bëhemi mercenarë, se ushtarë. Më me zell punojmë për të huajin, se për veten tonë. Më shpejt e më me qejf prishim, se ndërtojmë. Më lehtë ndahemi se bashkohemi…
Mbijetesa e sforcuar nën diktaturë na i ka përvijuar edhe më këto veti që duket se burojnë edhe nga e kaluara jonë, pasi shqiptari nuk ka pasur lidhje të qëndrueshme me pronën, me komunitetin dhe me shtetin e vet. Shpronësimi absolut që i bëri komunizmi shqiptarit, ia thelloi këto cilësi, duke e bërë krejtësisht të pasigurt e mosbesues ndaj vlerës së pronës kombëtare, ndaj energjisë së vet fizike e mendore e sidomos ndaj vlerave morale, të cilat u kthyen në armiq të ekzistencës së vet. Ne jetojmë e mendojmë ende si fshatarë të shpronësuar se sa si qytetarë të lirë. Kjo psikologji fshatarake sjell vetvetiu edhe mosbesim, paqëndrueshmëri e armiqësi (në dukje pa shkak) me njëri-tjetrin. Kodet e qytetarisë janë të huaja e larg edhe për ata që drejtojnë shoqërinë. Shumë njerëz justifikohen e justifikojnë hapur mëkatet e tyre duke thënë: sa të qaj nëna ime, le të qajë e jotja. Në politikë ky lloj morali sjell vetvetiu amoralitet akoma më të skajshëm. Shteti, pushteti, partia, vendi i punës, bashkëjetesa, familja e miqësia, kthehen kësisoj në terren grindjesh, pabesish, klanesh, sulmesh, prapaskenash, spiunllëqesh, tarafesh… Më të suksesshmit mbeten në qiellin tonë skifterët e zbritur nga malet e nga shpellat që bëjnë kërdinë mbi gjallesat “e paarmatosura” që venë e vijnë poshtë e që janë të destinuar të mbeten pre e tyre; turma mund të ndihet disi e qetë vetëm kur skifterët zënë e përleshen mes tyre. Pasiguria e mbijetesës përcakton psikikën dhe veprimet tona. Të mendosh ndryshe do të thotë të kryesh një akt armiqësor. Për t’u bindur se sa të vërteta janë këto, vini re si zihen e përzihen mes tyre ish-komunistët me ish-komunistët, demokratët me ish-demokratët, të përndjekurit politikë me të përndjekurit politikë, sindikalistët me sindikalistët… Edhe nëpër kryesitë e komuniteteve fetare çuditërisht ka sherre. Kjo lloj lufte që gabimisht quhet politikë, nuk mund të jetë politikë, pasi lufta e vërtetë politike, është luftë alternativash e jo luftë skifterësh. Aleancat mes bajraktarëve asnjëherë nuk kanë qenë të qëndrueshme dhe as të ndërbesueshme. Lufta brenda llojit te ne nuk ka sjellë seleksionim natyror, çka do të thotë: fiton më i afti, më i forti, më i zoti; kjo do të ish në dobi të shoqërisë shqiptare, por çuditërisht ne na ndodh e kundërta; pykat mbeten përherë zotë të pushtetit, të shtetit dhe të politikës, sepse ata e çajnë udhën e suksesit nëpërmjet forcës së klanit ose të fisit domethënë të skifterëve që dinë ta terrorizojnë e të vënë nën vete të gjithë mjedisin shqiptar e sidomos të aftët e njerëzit e ndershëm. Këtë lloj drejtimi ne e quajmë shtet. Skifterët e sotëm të politikës (kuptojmë bajraktarët shqiptarë të veshur me kostum evropian) nuk i lënë as partitë të jenë të përcaktuara qartë që të formohet kësisoj spektri politik me ngjyra të dallueshme e të ndara. Sidomos skifterët ish-komunistë, pasi zunë bashin e vendit nëpër parti për të dhënë prova besnikërie e devotshmërie para skifterëve, që kanë tjetër prejardhje klasore, bëhen më agresivët, më të papërmbajturit e më amoralët duke ndyrë, përbaltur e shkatërruar tërë moralin e shoqërisë shqiptare. Opinioni publik trajtohet si plastelinë prej të vetëshpallurve përfaqësues legjitimë të popullit. Sot Shqipëria drejtohet nga një amalgamë e çuditshme, e ngjizur jashtë çdo formule e logjike politike e që mund të përkufizohet si aleancë mes skifterëve ish-komunistë me skifterët ish të përndjekur. Kjo “klasë” e re politike, që siç po shihet ka zotëruar mjedisin politik shqiptar, ushqehet nga inferioritetet e ndërsjella. Të parët, ish-komunistët e tjetërsuar, vuajnë nga kompleksi i fajit që buron nga e kaluara e tyre, ndërsa të dytët, të plakur e të dërmuar edhe fizikisht nga burgimet e internimet çnjerëzore, si dhe të privuar nga jeta e gjallë sociale, politike e kulturore, ndihen inferiorë përballë elokuencës dhe shkëlqimit të ish-komunistëve nëpër podiume politike e nëpër gazeta…
Mirëpo dihet që në politikë inferioriteti dhe kompleksi i fajit, kur për t’u fshehur zëvendësohen me agresivitet, sjellin vetëm dhunë e kurrsesi një jetë demokratike.
Është “meritë” e kësaj amalgame që partive në Shqipëri u është thyer, që në fillesë, boshti kurrizor. Po të vesh re me vëmendje, teksa hiqen e u pëlqen të ngjajnë të djathtë, disa parti e sidomos udhëheqësit e tyre bëjnë veprime të majta. Atyre ua ka ënda të kapin qendrën, prej frikës se mos akuzohen aleatë të këtij apo atij krahu, mbeten rëndom pa qëndrim të tyre, duke bërë pirueta në trarin e ekuilibrit. Ata që janë deklaruar të majtë, për hir të deskriditimit që pësoi e majta te ne, hakaten jo rrallë të dëshmojnë se nuk kanë lidhje me të kaluarën e gjenden padashur në pozicionin e së djathtës… ky mishmash, ky karosel politik, kjo mungesë vizionesh e pozicionesh të përcaktuara qartë, si dhe dominimi total i amalgamës së mësipërme në Parlament e në strukturat shtetërore sjell konfuzion e çoroditje, paqëndrueshmëri e desekuilibër, tension e pasiguri, anarki pikëpamjesh dhe luftë klanesh. Kjo trysni ndikon për keq sidomos te njeriu i thjeshtë, tek ai që ka në dorë armën e votës, e që nuk e di e as që do t’ia dijë kuptimin fjalëve: e majtë, e djathtë, qendër etj. por që intuitivisht e saktësisht e kupton se, ndryshe, kësaj i thonë: prostitucion politik. Është në natyrën e bajraktarëve shqiptarë që luftën politike ta konceptojnë si luftë mes individësh armiq. Është ky prostitucion politik që e stimulon, e nxit, e përndez dhe e bën zotërues psikologjinë e armiqësisë së shqiptarit me shqiptarin. Baballarët e anarkisë shqiptare kanë qenë e janë bajraktarët. Shpresë për të shpëtuar nga ky rrezik që përjashton perspektivën demokratike është mundësia që amalgama e mësipërme, duke qenë e krijuar artificialisht e jashtë formulave të natyrshme, të prishet nga lëvizjet e brendshme centrifugale, nga kundërshtitë e interesave e synimeve, nga ethet për pushtet e nga dyshimet e natyrshme për njëri-tjetrin. Shqipëria do të qetohet e do t’i nënshtrohet një jete normale pluraliste kur të krijohen struktura më të pastra e më homogjene politike e partiake. Keq e tepër vonë do të jetë sikur kjo orë e lume të vijë pasi të kenë humbur shanset e mëkëmbjes ekonomike, kur Shqipërisë t’i ketë mbetur vetëm emri, kur të jetë harxhuar nga propaganda tërë arsenali i luftës me të kaluarën e kur alternativat e arsyeshme të ngjajnë të pabesueshme, pasi të jenë njollosur të gjithë.
Ndoshta jemi në prag të kësaj katastrofe. Diktatura po merr hak duke na përdarë e armiqësuar. Potencialet njerëzore e ekonomike të vendit u bënë ushqim i anarkisë kombëtare. Ne jemi ende robër recidivë të diktaturës, të gabimeve e fajeve që janë bërë e që po mbeten, siç thotë populli, jetim. Hë për hë, amalgamën tonë politike e mban në “unitet” qëndrimi i njëjtë i të dy palëve ndaj së kaluarës. Skifterët ish-komunistë janë armiqtë më të betuar e më të papajtueshëm të saj sepse ata japin kështu “provën e virgjërisë”; ish të përndjekurit, të zotëruar me të drejtë nga ndjenjat e urrejtjes për padrejtësitë që u janë bërë, kërkojnë të rivendoset drejtësia ndaj tyre. Të dy palët vështrojnë prapa e “harrojnë” të shohin sot, le më pastaj nesër. Duke qenë se kjo klasë politike sot drejton gjithë jetën e vendit, kuptohet se ç’dobi mund të ketë një politikë e orientuar me sytë nga e djeshmja. Një sociolog i njohur ka thënë se udha e çdo kombi i ngjan një vije vertikale: disa popuj shohin nga e nesërmja, dhe ato ngjiten lart vijës, të tjerë janë të prirë të shohin prapa, e kjo udhë i zbret poshtë… Në përgjithësi popujt e Ballkanit, për shkaqe historike, etno-psikologjike, ekonomike e sidomos të një bashkëjetese të stërzgjatur me bizantin e me pushtetin osman që lanë pas grindje e mosmarrëveshje tashmë të kalcifikuara nacionale, intolerancë fetare dhe një shpirt të dyzuar, – janë të prirë të shohin prapa e të ndërtojnë të ardhmen e tyre në rrënojat e kalave, të bedenave e të trashëgimisë së tyre konservative. Edhe Ballkani i sotëm është dëshmi e kësaj trashëgimie. Po në fund të shekullit të kaluar filluan të shkëputen nga tundimi e trysnitë e së kaluarës së tyre, duke bërë të vetat vlerat universale të Kartës së Parisit vështrojnë vetëm përpara. Ata ecin kështu nën shembullin e kombit amerikan, i cili objektivisht nuk ka lidhje e rrënjë të lashta me të kaluarën e vet e që për këtë arsye e ka pasur më të lehtë të bëjë të vetën atë që quhet pragmatizëm amerikan, që do të thotë: politikë e mençur dhe e pranueshme është vetëm ajo që vështron për nga e nesërmja dhe i leverdis asaj. Rol vendimtar për krijimin e një filozofie të tillë kanë luajtur udhëheqësit e SHBA e sidomos Presidenti Abraham Linkoln, i cili jo vetëm që ndikoi për fitoren e Veriut ndaj Jugut skllavopronar duke i dhënë fund luftës së përgjakshme civile, por – edhe kjo është më kryesorja, – nuk lejoi që populli të tërhiqej zvarrë nga pasojat e së djeshmes së hidhur nëpërmjet hakmarrjes masive të fitimtarit ndaj të mundurit, të larjes së hesapeve, të përçarjes kombëtare dhe krijimit të një getoje psikologjike për fajtorët me faj me pa faj të Jugut. Linkolni e dinte se hakmarrja pjell vetëm hakmarrje dhe heqja e skllavërisë si dhe mbarimi i luftës civile do të paguhej kësisoj duke lënë peng te e djeshmja e hidhur ardhmërinë e një populli të tërë, gjë që do të kushtonte më shtrenjtë e më rëndë edhe se vetë lufta civile. Rezultatet e një politike të tillë spastrimesh dhe eliminimesh me siguri që do të ndiheshin edhe sot, pasi brezat përcjellin më kollaj, trashëgiminë e urrejtjes së gjakut. Po qe se SHBA do të kish rënë në një politikë të zotëruar nga thundrat e së kaluarës, nuk do të ish kjo që është sot: ajo, në një farë mënyre, herët ose vonë do t’i ngjante ish-BS dhe ish-Jugosllavisë. Edhe “lufta”mes dy Gjermanive përfundoi në dobi të Perëndimores veç të tjerave edhe për arsye se ajo iu nënshtrua një politike pragmatiste, kurse Lindorja një politike ideologjike. Ndërsa Gj. F. nuk u bë rob i së kaluarës hitleriane e nuk e paralizoi fuqinë e vet njerëzore me gjyqin e pafund të biografive e të luftës së klasave, pra nuk ia nënshtroi të sotmen e të nesërmen absurditeteve të së djeshmes, kurse Gj. L. vazhdon ta paguajë edhe sot gabimin fatal që bëri komunizmi, i cili tre segmentet kohore: dje, sot, nesër i vuri nën sundimin absolut të ideologjisë dhe së kaluarës së vet “të lavdishme”. Edhe politika e sotme shqiptare për fat të keq po bën të njëjtën gabim fatal, ndonëse në dukje në sens të kundërt. Këta politikanë nuk janë as të aftë e duket se nuk kanë as dëshirë e as mundësi të shkëputen nga një politikë që shikon kryesisht prapa. I vetmi kompensim, investim që i bëjnë viktimat dhe pjellat e diktaturës së sotmes e të nesërmes është amplifikimi i nacionalizmit. Me këtë patos nacionalist, ata kujtojnë se lajnë borxhin historik ndaj kombit. Por nacionalizmi i tyre përdoret si armë agresive që realisht e konkretisht e jo vetëm moralisht nga kombet kombësitë dhe njerëzit. Nacionalizmi i skifterëve ish-komunistë e çetnikë jo vetëm në ish-Jugosllavi, por në mbarë Lindjen, është e vetmja rrugë që u mbetet ish-komunistëve të tjetërsuar që të mbeten në pushtet. Historia jonë për fat të keq dëshmon se bajraktarët “nacionalistë” shqiptarë janë kënaqur pasi kanë realizuar pushtetin vetjak në fshatin, qytetin, ose krahinën e tyre. Duke qenë bij të Ali Pashë Tepelenës, ata nuk mund të kishin vizione kombëtare. Në zjarrin e luftërave nacionale ata bëhen “heronj” të vërtetë, shpëlajnë përfundimisht e përjetësisht ndërgjegjen, duke u vetëpagëzuar në altarin kombëtar si atdhetarë të flaktë. Ashtu si kanë vepruar në kohë paqeje e brenda kombit të vet, duke i armiqësuar e kundërvënë bashkatdhetarët kundër njëri-tjetrit me anë të terrorit të biografive e të luftës së klasave po në të njëjtën mënyrë hapin biografitë e popujve për t’i kundërvënë e futur në luftë me njëri-tjetrin. Kësisoj me armët e së djeshmes së largët, ata duan të zgjidhin problemet e sotme e të nesërme. E kjo bëhet pasi politika e tyre aktuale e ka përçarë popullin e vet, kur vendasi me vendasin, fqinji me fqinjin, atdhetari me atdhetarin, shihen armiq të papajtueshëm. Asnjëherë nuk ka ndodhur e s’mund të ndodhë që një luftë nacionale të fitohet vetëm me evokimin propagandistik të historisë së largët. Po qe se politika aktuale nuk ka mundur të bashkojë popullin rreth një alternative konkrete, po qe se politika sociale bie në kundërshtim me ndjenjat nacionale, po qe se atdhedashuria mbetet një relikte muzeale e njerëzit që do të përballojnë luftën e sakrificat nuk e shohin qartë e bindshëm perspektivën e kombit me ndihmën e një politike pragmatiste që shikon me realizëm aktualitetin e orientohet nga e nesërmja. Por skifterët partiakë, ashtu si nacional-socialistët perëndimorë (fashistët e nazistët) dhe komunistët e ish-komunistët lindorë, janë të paaftë të kenë vizione të tilla. Dështimi i tyre nuk është ngushëllim, pasi ai përcillet me trauma e tragjedi kombëtare. Ky dështim vret demokracinë dhe e largon të nesërmen, ose më mirë të themi, e bën të nesërmen një shëmbëlltyrë të keqe të së kaluarës. Skifterët partiakë janë të prirë e të destinuar ta lenë të sotmen e të ardhmen popujve të tyre, robinjë të së djeshmes. Tek ata popuj që përjetuan sistemin komunist është dominant sundimi i krerëve të tillë, tragjedia e fatkeqësitë janë më të mëdha. Sa për ilustrim, shihni Serbinë dhe ish-Bashkimin Sovjetik… Po tek ne? Ka ardhur koha që ne, që e kemi të lidhur fatin tonë pazgjidhshmërisht me Shqipërinë, t’i përgjigjemi vetë kësaj pyetjeje./ Kiço Blushi/
-Intervistë me deputetin Ilir Meta-
Është me interes të dimë se ç’bëhet me imunitetin tuaj tani pas 8 muajsh nga ngjarjet e Poliçanit?
Edhe unë s’di shumë, përveç faktit që as imuniteti nuk më është kthyer, por as ndonjë ftesë për gjyq nuk më është bërë. Për hollësira të mëtejshme do të ishte mirë t’i drejtoheshim Prokurorit të Përgjithshëm, ose atij të Skraparit sepse ata janë kompetentë për këtë çështje, meqë ishin edhe nismëtarë në kërkesën për heqjen e imunitetit. Se ata dinin shumë që para se të kërkonin heqjen e imunitetit tim, e jo tani pas 7 muaj hetime.
Pra vazhdoni të jeni i pandehur. Si ndiheni?
Po. I pandehur nga një akuzë e paligjshme në hetime të paligjshme si rezultat i një kërkese të paligjshme, pas një votimi të paligjshëm. Kjo paligjshmëri që është kryqëzuar ndaj meje prej më se kaq muajsh më bën që ndonëse të jem i pandehur juridikisht, moralisht të mos ndihem i tillë.
Si e parashikoni fundin e kësaj odiseje të pakëndshme?
Vështirë të parashikosh fundin e asaj që nuk je i bindur nëse ka filluar realisht. Unë shpresoj që, me një gjyq të mundshëm ndaj meje, çështja e Poliçanit të fillojë të shkojë drejt së vërtetës. I kam parashikuar të gjitha variantet e mundshme, përveç atij më normalit, që është mbyllja e hetimeve dhe kthimi i imunitetit. Unë me organet e drejtësisë kam qenë shumë korrekt që para se ato të ndërmerrnin kërkesën për heqjen e imunitetit. Deklaratat e mira si në Parlament, një ditë pas ngjarjes ashtu edhe në hetuesi, si dëshmitar janë vërtetuar edhe në gjyqin e Poliçanit. Kjo tregon përgjegjësinë time në ushtrimin e detyrës si deputet konform ligjit. Ndërsa ata nuk po tregohen korrekt me përgjegjësinë që kanë, për pasojat që kanë shkaktuar ndaj meje në mënyrë të paligjshme. Unë s’kam ndërmend që t’i drejtohem Parlamentit për të kërkuar imunitetin, pasi e kam fituar betejën me të që kur drejtuesit e tij dhe shumica s’guxuan që seanca e heqjes së imunitetit të jepej në televizion. Pra ata ishin të bindur se po zhvillonin një seancë amorale, çka e tregon edhe fakti se kryetari i komisionit të mandateve nuk pranoi të lexonte raportin e komisionit, duke ia lënë atë një kolegeje më të zellshme.
Ndoshta po të mos kishit shkuar në Poliçan ju nuk do të kishit pasur pasoja?
Nuk mund të parashikoj se si do të kishin rrjedhur ngjarjet në një rast të tillë. Madje disa persona më sugjeruan që të mos shkoja, se mos më akuzonin për organizator etj. Por unë, pa kurrfarë kompleksi, mora vendim personal për t’u nisur dhe besoj se ia arrita qëllimit duke qetësuar situatën dhe duke lehtësuar nxjerrjen e dy ushtarakëve bashkë me ndihmën e qytetarëve të Poliçanit. Nëse atë natë në Poliçan do të ishte realizuar projekti i parashikuar, padyshim që do të kishte pasur gjakderdhje. Kjo çfarë ndodhi ishte pasoja më e paktë e mundshme. Po përse shkaktuan reaksion veprimet e mia që ishin konform ligjit? Siç duket atyre që më sulmuan nuk ju interesonte që situata në Poliçan të qetësohej. Përkundrazi, dhe gjithë mundi i tyre për ta sajuar aq mrekullisht atë ngjarje shkoi më kot nga ndërhyrja ime. Janë pikërisht ata që më sugjeruan dhe kërcënuan që të largohesha nga Shqipëria se do ta pësoja, por unë s’kisha ndërmend t’u jepja kënaqësinë që të më quanin fajtor pa qenë i tillë.
A mendoni se ky është presion ndaj jush?
Faza e presioneve kaloi pa sukses ndaj meje. Por duke më sulmuar në atë mënyrë synohej më shumë për shantazh ndaj të tjerëve. Pas premtimeve dhe presioneve i vjen radha denigrimit. Por ky është mjaft relativ pasi varet se ndaj kujt drejtohet dhe nga kush? Çdo gjë kur teprohet kthehet në të kundërtën e vet.
Pra, pas gjithë atyre sulmeve si e keni ndjerë veten?
Fakti që injoranca nuk ka qëndruar indiferente edhe ndaj meje, nuk më ka shqetësuar.
A jeni dakord me një opsion të përhapur se ju u tradhtuat nga PS-ja?
Kam besim se PS nuk më ka tradhtuar, dhe këtu kam parasysh masën e gjerë të anëtarëve dhe simpatizantëve të saj. Megjithatë për mua më e rëndësishmja në aktivitetin tim është se çfarë mbroj unë, dhe ajo çka unë mbroj është progresive. Këtë jam gati ta mbroj edhe i vetëm, ndërkohë që s’ndihem i vetmuar.
Po kështu flitet se Berisha ka qenë implikuar në çështjen tuaj.
Me sa di unë, Presidenti ynë i nderuar është malësor. Unë malësorët i njoh mirë dhe kam konsideratë për ta. Nga ky këndvështrim ai veç ligjeve të shtetit që drejton, respekton edhe traditën e malësorit, ndaj besoj se s’ka pasur arsye të sulmonte pas krahëve, veçanërisht mua, që çfarë kam pasur ia kam thënë përballë. Aq më shumë raporti i moshës sime me të tijën i largon dyshimet për një implikim të mundshëm. Nisur nga ato që kam lexuar në shtyp, del që ai është njoftuar për këtë problem gjatë bisedës telefonike me Nanon, natën e heqjes së imunitetit tim. Siç duket pamjaftueshmëria e kohës e pengoi atë të parandalonte sulmin e paligjshëm ndaj meje. Kam përshtypjen se tani ai e di se ma kanë kthyer imunitetin, se po ta dinte që një deputet i opozitës ndiqet politikisht pa asnjë fakt juridik do të kish ndërhyrë me autoritetin e tij për t’i thënë ndal kësaj shkelje kushtetuese që s’pati kurajë ta bënte as gjykata përkatëse që paguhet për këtë punë. Presidenti duket i ndjeshëm ndaj të drejtave të njeriut, që shprehet edhe në faktin se ai na dërgoi me përparësi për ta aprovuar si kapitull të parë të Kushtetutës së ardhshme, atë të drejtave të njeriut.
A mendoni se ka kompromise Nano-Berisha?
Nuk është në natyrën time të flas me supozime. Vetë pluralizmi i presupozon marrëveshjet dhe kompromiset e s’mund të kuptohet pa to, por ato duhet të jenë të hapura në mënyrë që t’i shërbejnë demokracisë e kombit e të mos kufizohen në realizimin e interesave për pushtet të disa personave, cilëtdo qofshin ata.
Nisur nga shumë paradokse që po shfaqen në jetën politike shqiptare, sot flitet me shqetësim për të ardhmen e demokracisë. Cili është mendimi juaj?
Ndryshimet janë të pashmangshme në të ardhmen. Problem kryesor është se kush do t’i kontrollojë dhe si? Institucionet demokratike apo kupolat partiake? Nga ky raport do të varet nëse do të kemi demokraci të kontrolluar apo të manipuluar. Për këtë të gjithë duhet të ndërgjegjësohen se shpëtimi i tyre është vetvetja dhe fatet të mos ua besojnë verbërisht disa personave si dikur. Në këtë mënyrë të gjithë do marrin pjesë në transformimin e shoqërisë (duke filluar nga vetja) për të synuar demokraci për të gjithë. Natyrisht kjo është idealja, por duke e synuar atë ne mund dhe duhet të përmirësojmë realitetet e deformuara nga pesha e mentaliteteve të kaluara, mungesa e përvojës dhe politizimet e tepruara.
Doktor Pashko në një intervistë dhënë kohët e fundit ju përmend për mbrojtjen që ju dhe studentët e tjerë i bëtë në tetor 1990, kur liderët e PP kërkuan ta denigronin. Po kështu ju keni qenë një nga 30 studentët që takuat R. Alinë për pluralizmin politik. Do të ishte me interes të dinim se si u lidhët me PS?
Ajo çka thotë dr. Pashko në intervistën e tij te “Lajmëtari” qëndron. Së pari, ne mbrojtëm pikëpamjet e shfaqura nga Pashko dhe padyshim edhe atë, i cili influencoi në ngritjen e ritmit të goditjeve ndaj sistemit të perënduar. Emisarët e PP-së, jo vetëm që nuk e denigruan por patën rastin të mësojnë se nuk ishte i vetëm. Prononcimi im i hapur si në këtë rast dhe në të tjera, para dhe pas tij, solli që dy muaj më vonë studentët e fakultetit të më zgjidhnin bashkë me dy shokë të tjerë si përfaqësues në takimin me ish Presidentin, ndërsa lidhja ime me PS i takon janarit të kaluar. Fillimisht unë u bashkova me rininë eurosocialiste dhe pastaj me PS. Nëse e para u realizua pa rezerva, e dyta më gradualisht. Me këtë rast nuk e shihja veten si individ në PS, por si përfaqësues i një formacioni rinor. Në politikë më kanë angazhuar bindjet e mia për socializmin demokratik për të cilin kam pasur disa njohuri që më parë.
Cili është mendimi juaj lidhur me kërkesën e PS për dorëheqjen e Qeverisë?
Dorëheqje do të ishte puna më e mirë që mund të bëjë kjo qeveri e cila ka kohë që ka hequr dorë nga zgjidhja e problemeve kryesore që ka vendi.
A jeni për zgjedhje të parakohshme?
Për mendimin tim kjo qeveri ose më saktë kjo mënyrë qeverisje është pasojë e një strukture të papërshtatshme politike parlamentare. Në të gjitha vendet e Lindjes, të cilat janë në fazën e tranzicionit, zgjedhjet e parakohshme kanë qenë një mënyrë për të amortizuar tronditjet që shkakton tranzicioni. Natyrisht edhe Shqipëria s’mund të bëjë përjashtim, për më tepër që ka probleme më të mprehta ekonomike, sociale e politike. Ndryshimet janë të pashmangshme./24 mars 1993/
Ja ç’shkruante Spartak Ngjela me 20 mars 1993 në KOHA JONE: A duhet të ketë zgjedhje të parakohshme?
Para se t’i përgjigjesh kësaj pyetje, je i detyruar që t’i bësh një analizë korrekte situatës aktuale. Në fund të fundit, demokraci do të thotë zgjedhje të lira, pasi drejtimi i një shteti demokratik vjen gjithmonë nga Parlamenti; sepse duam apo s’duam ne, demokracia moderne, e ndryshme nga ajo e Athinës së vjetër, është demokraci me përfaqësim, ose më saktë: është një demokraci indirekte. Por nëse në një krah kemi përfaqësuesit e popullit të dalë nga zgjedhjet e lira, në krahun tjetër kemi kontrollin që vetë populli u bën përfaqësuesve të vet gjatë mandatit që u ka caktuar. Pikërisht te kjo pikë duhet ta nisim analizën tonë: e pra, a e kanë justifikuar veten parlamentarët tanë në vitin e parë të mandatit të tyre?
Përgjigja e kësaj pyetje, afër mendsh që e mbart me vete edhe përgjigjen që del nga pyetja: A duhet të kemi zgjedhje të parakohshme në Shqipëri? Sipas mendimit tim, Parlamenti aktual nuk po e justifikon veten. Ky Parlament mori përsipër padyshim një barrë shumë të rëndë kur ia nisi punës së vet. Atij i duhej të nxirrte nga kriza e thellë shoqërinë tonë. Por ama, kur flet për krizë, duhet të kuptosh vetëm atë, sepse po të rrish i mbërthyer te shkaqet që e kanë sjellë këtë krizë, s’ke bërë gjë tjetër, veç ke përsëritur ato që ke thënë gjatë fushatës elektorale. Është fakt se të gjitha forcat antikomuniste e konstatuan krizën sociale që na kishte mbërthyer dhe i paraqitën popullit në fushatën elektorale rrugët që ata shihnin si më efikaset për daljen e shpejtë prej saj. Kjo ishte esenca e zgjedhjeve të 22 marsit. Por nëse para një viti deklarove planin tënd për reformimin e shoqërisë shqiptare, tani, pas një viti elektoratit padyshim i del e drejtë të pyesë: sa i ke vënë në zbatim planet që ke paraqitur para tij. Ja këtu duhet të ndalemi. Veç po ta shohim me vëmendje atë çka kemi arritur, mbërrijmë te konkluzioni se gjatë këtij viti nuk është bërë ndonjë hap i sigurt përpara drejt daljes nga kriza. Elektoratit nuk i duhet fare se ku e kishe përqendruar ti shpresën tënde, për rikstrukturimin e shoqërisë. Ai nuk do t’ia dijë as për luftën në Ballkan, as për rrezikun serb, as për situatën ndërkombëtare, as për zgjedhjet e reja në Amerikë, as për luftën në Gjirin Persik e as për forcat destruktive që të paskan dalë ty në gjirin tënd. Ai do të dijë vetëm për rezultatin për paqen sociale, për garantimin e punës, për garantimin e jetës, për problemin arsimor, për çmimet e tarifat (të cilat janë vazhdimisht në ngritje). Të gjitha këto ka të drejtë t’i kërkojë, sepse kur të ka dhënë votën, ka qenë i vetëdijshëm se nuk të ka dhuruar gjë, por vetëm ka lidhur me ty një kontratë, ku ti i ke premtuar të gjitha ato që shprehëm, ndërsa ai të ka dhënë mandatin 4-vjeçar të administrimit, pasi u bind prej fjalëve të tua se ti je i aftë të bësh këtë. Por, në anën tjetër, që në atë çast kur do të bindet për të kundërtën, domethënë se ti, si forcë politike nuk je e afttë për ta administruar shoqërinë, sepse ndërkohë nuk po i përmbahesh as fare premtimeve që ke bërë, ai ka të drejtë të prishë kontratën e me anë të zgjedhjeve të parakohshme t’u bëjë thirrje të gjitha forcave politike në vend që të paraqesin programe të reja. Elektorati demokratikisht gjithmonë ka të drejtë të kërkojë ndihmën e tyre duke u dhënë mandatin e ri me një kontratë të re. Kështu pra, zgjedhjet e reja jo vetëm s’janë një sakrilegj, por përkundrazi, ato i japin të kuptuar çdo force politike që, kur të bëjë premtimet, t’i masë mirë fjalët. Demagogjia që është rreziku më imediat i demokracisë, mund të neutralizohet vetëm me kartën e revokimit të mandatit politik, domethënë me anë të zgjedhjeve të parakohshme, domethënë me lidhjen e një kontrate të re. Të gjithë mendimet e tjera janë mentalitete totalitare, sepse po të hedhim sytë në demokracitë perëndimore zgjedhjet e parakohshme kanë qenë gjithmonë prezente e ngaherë kanë qenë arma më efikase për të dalë nga kriza. Shembulli më i freskët është Italia e këtij viti. Për të argumentuar demokratikisht nevojën e zgjedhjeve të reja, analizës sonë i duhet të cekë patjetër dy argumente: argumenti politik dhe argumenti juridik.
Argumenti politik
Politika është arti i të qeverisurit. Por që të qeverisësh me mënyra demokratike, është e domosdoshme të respektosh institucionet demokratike që kanë dalë nga një kontratë shoqërore e bashkë me to, ligjin. Brenda kësaj suaze të ngushtë pastaj, duhet të zhvillosh politikën tënde e cila në esencë s’është tjetër veçse mënyra jote e qeverisjes. Pikërisht për këtë, në aspektin politik të të parit të gjërave, Parlamenti i sotëm, përgjatë gjithë vitit të ekzistencës së vet, e tregoi veten që nuk është i aftë për të krijuar ekuilibrin social që i duhet aq shumë shoqërisë sonë në këto momente. Sot ne ndodhemi para konfliktesh të shumta sociale. Kështu në fakt ishte dhe para një viti. Në fund të fundit, demokraci do të thotë konsensus dhe jo forcë. Shqipëria, për të dalë nga kriza, ku është futur ka nevojë për të kryer urgjentisht mbi të gjitha dy reforma: reformën institucionale dhe reformën ekonomike. Pikërisht këtu, menjëherë del në pah ligji e bashkë me të institucioni. Na duhen institucione të reja për të sjellë në shoqëri frymën moderne të ekonomisë ashtu sikundër që na duhen patjetër institucione të reja politike, për të garantuar me anë të tyre qetësinë sociale, domethënë garancinë se pushteti nuk ka fuqi të dhunojë individin, domethënë personalitetin njerëzor. Ja pra, kjo duhet të jetë politika aktuale, e cila patjetër që duhet të udhëhiqet nga Parlamenti. Jemi Republikë Parlamentare, prandaj bash nga Parlamenti i ri duhej të dilnin e të shfaqeshin edhe dy pushtetet e tjerë, pushteti ekzekutiv e pushteti gjyqësor. Po të kishim me të vërtetë një parlament që do të mendonte më tepër për fatet e shoqërisë se sa për fatet e pushtetit partiak, atëherë gjithçka do të drejtohej nga fryma e konsensusit. Por ne s’e kemi ende një parlament të këtillë, prandaj dhe jemi ende larg frymës perëndimore të konsensusit. Gjithkush duhet ta kuptojë se në demokraci bota e secilit individ ka gjithmonë një specifikë konstante: ajo është e barabartë pavarësisht nga bindjet politike. Por nëse ti, nuk e respekton këtë kërkesë të domosdoshme të demokracisë, atëherë nuk ka si të drejtosh në mënyrë demokratike e prandaj pikërisht për këtë si pasojë e tensioneve sociale që sjell me vete kjo lloj intolerance, të mbeten vetëm dy rrugë: ose do të lësh pushtetin ose do të vendosësh diktaturën e pushtetit tënd. Ja pra ku na ka çuar mungesa e konsensusit në parlament, pikërisht tek ajo pikë së cilës duhej t’i ruheshim më tepër se çdo gjëje tjetër: te tensionet sociale tepër të acaruara. Këtu lind një pyetje: si paraqiten sot tensionet sociale po t’i krahasonim ato me një vit më parë? Gjithkush e sheh se tensionet sociale sa po vijnë e po acarohen më tepër. Kjo gjë tregon se, pushteti i ri politik që ka dominuar në mënyrë absolute Parlamentin, nuk i përshtatet demokracisë, ai është tejetej pasionant e për këtë, ai s’është më dot në gjendje që ta udhëheqë paqësisht politikën e brendshme shqiptare. Kjo më në fund është edhe arsyeja që ai nuk pati mundësi të nxjerrë një pushtet ekzekutiv të aftë, ashtu sikundër që u ngatërrua politikisht kur lentoi pushtetin gjyqësor, shembulli më tipik i të cilit është Gjykata Kushtetuese, e cila duket hapur se është më tepër një institucion politik, sesa një arbitër i pavarur.
Argumenti juridik
Argumenti juridik që flet në favor të zgjedhjeve të reja është Kushtetuta. Ne sot ende nuk kemi një kushtetutë, prandaj me të drejtë do të thoshim se ende nuk e kemi bërë kontratën tonë sociale. Por, nëse ende nuk kemi arritur të bëjmë një kontratë të tillë, në një kohë që po presim ta bëjmë këtë, atëherë në çast duhet të pyesim: si do ta bëjmë këtë kontratë? Ja pra, ku dolëm te miratimi i Kushtetutës. Ne duam një kontratë shoqërore, e cila duhet të jetë e ndërtuar në mënyrë të atillë, që brenda saj të ketë gjetur shprehjen e vet, si zgjidhje, për të gjitha interesat e shtresat e ndryshme të shoqërisë. Prandaj, duke i qëndruar argumentit të pafavorshëm politik që analizuam më lart, me të drejtë duhet të pyesim: A është i aftë Parlamenti i sotëm që të miratojë një Kushtetutë e cila të na shërbejë vërtet si një kontratë shoqërore. Mendimi ynë është se ndaj parlamentit aktual qëndrojnë dy arsye që nuk e lejojnë për ta kryer një detyrë të tillë kaq historike. E para, se ai dominohet në 2/3 nga një parti e vetme, e cila, deri më tani, jo vetëm që nuk ka respektuar konsensusin por as që denjon ta përmendë atë dhe; e dyta, sepse edhe nëse do të prirej nga konsensusi, parlamenti aktual nuk i ka mundësitë profesionale për të ndërtuar një kushtetutë kaq komplekse, e cila në themel të vet duhet të ketë kompromisin e jo kurrsesi forcën. Të gjitha këto, na japin të drejtë të theksojmë se kushtetuta duhet të miratohet nga një Asamble Kushtetuese.
Ky fakt pastaj na çon më tej; sepse, menjëherë pas hartimit të kësaj kontrate historike, mbi këtë duhet të mbështetet e gjithë veprimtaria politike në Shqipëri, domethënë pikësëpari zgjedhje parlamentare. Do të kishte qenë nonsens juridik të pranoje se, rezultati fizik i zgjedhjeve politike të 22 marsit, i cili kishte të tjera pikësynime, sigurisht krejt e historike, të merrte përsipër të hartonte edhe Kushtetutën. Afërmendsh që një kushtetutë të dalë në këtë formë s’mund asesi të jetë një kontratë e gjerë shoqërore, neutralizuese e kompromisi, por një akt politik që, më tepër do t’i shkonte për shtat pushtetit politik aktual, sesa frymës së paktit social që duhet të ketë një kushtetutë. Për hartimin e një kushtetute shqiptare duhet të angazhohen patjetër të gjitha forcat e shëndosha intelektuale, një grup sa më i gjerë njerëzisht të ditur që janë përzgjedhur posaçërisht për të. Ja pra pse ne tani realisht ndodhemi përpara zgjedhjeve të parakohshme./Spartak Ngjela,20 mars 1993/
(Rubrika e botimëve vijon në numrin e radhës)