Si u bllokua gazeta “Koha Jonë” Ministri i Drejtësisë Ngjela: Bllokimi i “KJ” i paligjshëm

(Botuar me 29 Prill 1997 në KOHA JONE)

Si u bllokua gazeta “Koha Jonë”

Ministri i Drejtësisë Ngjela: Bllokimi i “KJ” i paligjshëm

TIRANË – Me një vendim të mesnatës së të shtunës, Shtabi i Mbrojtjes pranë Prefekturës së kryeqytetit, me firmën e Kryetarit Angjelin Luka, ndaloi shpërndarjen e gazetës “Koha Jonë” të së dielës, 27 prill. Dy furgonë policie shkuan të dielën në mëngjes dhe sekuestruan 50 mijë kopjet e gazetës. Pretendimi i tyre dhe i Këshillit të Mbrojtjes së Tiranës ishte se titulli i gazetës: “Nesër 20 qytete në rrugë”, binte në kundërshtim me ligjin e gjendjes së jashtëzakonshme, kur në fakt dihet publikisht se neni 4 i ligjit të gjendjes së jashtëzakonshme është anuluar nga parlamenti afro tre javë më parë. Aksioni i ndërmarrë nga Këshilli i Mbrojtjes është krejt absurd dhe në kundërshtim me vetë ligjet e miratuara nga parlamenti. Por duket se regjimi që vepron emocionalisht ende ka një vesh te dera e shtypshkronjës, një vesh që herë ka formën e Angjelin Lukës dhe herë të Ylli Rakipit. Por ata që sekuestruan gazetën mbi të gjitha duhet të kenë nervozuar vetë Presidentin e shtetit. Në fotomontazhin që ne kishim botuar të dielën e sekuestrimit, Berisha rreshtohej përkrah tre klasikëve të marksizëm-leninizmit. Sigurisht që Berishës do t’i kish shijuar shumë ky rreshtim pasi gjithnjë e më shpesh ai shfaq shenja të marksizëm leninizmit. Edhe vetë ministri i drejtësisë Ngjela ishte kundër vendimit të sekuestrimit. “Shtabi i Pleqve”, e cilësoi dje Ministri Shtabin e Mbrojtjes së Tiranës. Por sigurisht që ai e ka patur fjalën edhe për disa pleq të tjerë… “Më pyetën edhe mua në telefon për ndalimin e shpërndarjes së numrit të së dielës së gazetës “Koha Jonë”. Ai është përgjigjur se një veprim i tillë është antiligjor dhe nuk mund të bëhet. Por ai i ka sugjeruar që Komisioni i Pleqve të ndjekë rrugën ligjore. Me firmën e Ngjelës, Prokuroria mund të bllokonte vetëm për 24 orë shpërndarjen gazetës, me kusht që brenda kësaj kohe gjykata të vendoste për natyrën e shkrimit të pretenduar se cenonte sigurinë publike. Vetëm gjykata, si edhe në dy raste të tjera me shtypin në dy vitet e fundit, mund të përcaktojë se kush shkrim nxit dhunën apo cenon rendin kushtetues. Në 5 vjet të drejtimit të vendit nga PD e Berisha, ky është veprimi më ekstrem që është ndërmarrë ndaj “KJ”. Një veprim që pason arrestimin brenda një nate të 33 gazetarëve të saj apo djegien e redaksisë së gazetës nga SHIK-u.

SHKARKO APP