Skender Drini: Asnjëherë nuk gënjehet më shumë sesa përpara zgjedhjeve, gjatë luftës dhe pas gjuetisë

(Botuar me 1 qershor 1999 në KOHA JONE)

Nga Skënder Drini

Konflikti në Jugosllavi dhe në Kosovë të kujton Bismarkun në rrethana të caktuara. Prusiani i madh thoshte që “asnjëherë nuk gënjehet më shumë se sa përpara zgjedhjeve, gjatë luftës dhe pas gjuetisë”. Është më se e kuptueshme, që palët në konflikt të përdorin të gjithë arsenalin e tyre të inteligjencës diplomatike dhe të inteligjencës së fshehtë, për të arritur avantazhe të caktuara në planin ushtarak, politik dhe moral. Për konfliktin e Jugosllavinë, dezinformacioni në planin ushtarak është i papërfillshëm, pasi dihet se çfarë përfundimi do të ketë lufta. Kështu që mbetet dezinformimi dhe errësira që duhet krijuar në planin moral dhe politik. Në situatën aktuale, po të trajtosh me njëfarë euforizmi fjalët e Bismarkut, mund të zëvendësosh natyrshëm fjalën “gënjeshtër” me “ajsberg”. Megjithëse është në gjenezën e diplomacisë, kjo fjalë është më moderne dhe u përshtatet më mirë të gjitha situatave. Po lufta në Jugosllavi është aq e ndërlikuar, sa që nuk ndeshesh me një të panjohur të vetme, por me një mori ajsbergësh.

Dini, politika italiane dhe evropiane

Të fillosh të analizosh politikën italiane, ose më saktë një krah tepër të rëndësishëm të saj nga Lamberto Dini, duket se i afrohesh më shumë së vërtetës dhe konkretes. Qëndrimet e njëpasnjëshme të tij plot hije dyshimi dhe në një mbrojtje të tërthortë dhe të rafinuar të Beogradit shkaktuan habi tek ata që e trajtojnë politikën në mënyrë naive. Dini doli hapur ditët e fundit në pozicion antikosovar duke i vënë në të njëjtin plan si masakruesit e Beogradit, si luftëtarët e UÇK-së. Sipas tij ishte UÇK-ja që kishte nxitur reprezaljet në Kosovë, nga që kishte vrarë policë serbë, duke injoruar në mënyrë më brutale, nga që Serbia kishte vrarë Kushtetutën e Kosovës dhe lirinë e popullit kosovar! Qëndrimin e Lamberto Dinit dikush mundohet ta eufemizojë në një flirt sentimental ndaj sllavëve të Jugut, ndonjë tjetër duke thënë se mbron interesat ekonomike italiane dhe të tij në Jugosllavi (nuk e di sa e saktë është kur thuhet që ai është aksionist në telekomin jugosllav), por për realistët duhet të jetë diçka tjetër. Pas përmbysjes së diktaturës, Italia, falë ndihmës dhe përkrahjes që i dha Shqipërisë, ishte vendi evropian me influencën më të spikatur dhe më të qëndrueshme në këtë cep të Ballkanit. Zgjatja e konfliktit me Jugosllavinë dhe çrrënjosja e regjimit gjakatar të Milosheviçit nëpërmjet një invadimi tokësor do të kërkonte një kohë relativisht më të gjatë dhe një impenjim më të madh të NATO-s në Shqipëri dhe, për rrjedhojë, për arsye gjeostrategjike mund të krijonte një qëndrim permanent të NATO-s dhe të SHBA në Shqipëri, gjë që kuptohet krejt lehtë që do të eklipsonte menjëherë influencën direkte italiane në Shqipëri. Ka mjaft arsye që Qeveria italiane po mundohet me të gjitha mjetet për të arritur një zgjidhje sa më të shpejtë të konfliktit me Jugosllavinë. Është fakt, që ajo luftën e ka në prag të shtëpisë nga bazat e NATO-s dhe ky është një presion real psikologjik mbi popullsinë italiane. Pastaj lufta brenda koalicionit qeveritar dhe me një pjesë të opozitës, si për shembull ajo e Partisë së Bosit, që mbron në një mënyrë vulgare Milosheviçin, pa pyetur fare për injorancën trashanike të shpalosur rreth problemit kosovar dhe historisë së Kosovës. Pra, nga të gjitha këto del që Italia ka më shumë problemet e veta të brendshme dhe të jashtme “personale” në zgjidhje të krizës kosovare. Besoj që kjo është dhe arsyeja që nuk kanë gjetur jehonë në gjirin e NATO-s orvatjet e Italisë.

Kjo lloj politike ka çaste që stonon, jo vetëm me vendet me një pozicion të caktuar kundrejt Jugosllavisë, por edhe me vende të njohura për një partneritet tradicional kundrejt kësaj të fundit siç është Franca. Kur filluan bombardimet mbi Beograd, media dhe parullat populiste serbe vetëm një vend e quajtën tradhtar: Francën! Franca “tradhtoi” sepse u gjet në një pozitë tepër të ngushtë përballë monstruozitetit tepër evident të politikës serbe në Kosovë. Çdo qëndrim tjetër i saj do ta komprometonte si kampione të demokracisë dhe humanizmit. Por aty-këtu, media franceze po përpiqet të kompensojë në mënyrë të “paanshme” dhe “demokratike” dëmin që i është shkaktuar Serbisë nga politika franceze duke publikuar shkrime që hedhin një dritë të dyshimtë mbi problemin kosovar.

Duke e angazhuar si partner në zgjidhjen e krizës së Ballkanit, NATO-ja dhe SHBA i kanë dhënë Rusisë në dorë më shumë një kartë morale, se sa garancinë e vërtetë politike të ndërmjetësuesit. Rusia u gjet më ngushtë se çdo shtet tjetër evropian në krizën e Kosovës, për arsyet që dihen dhe që kanë të bëjnë me lidhjet tradicionale politiko-shpirtërore me Serbinë. Rusia e sotme duke mos qenë në gjendje të mbulojë dhe përkrahë Serbinë me bubullimën e vjetër të ish-Bashkimit Sovjetik mbeti në një gjendje tepër të mjeruar. Tonet e larta të Jelsinit dhe dërgimi i anijeve në Adriatik mbetën në kuotën e demonstrimeve infantile. Opozita e fortë komuniste në Rusi i kujtoi Perëndimit që zgjedhjet e ardhshme në Rusi nuk ishin larg dhe se duhej ndihmuar Jelsini.

Pas kësaj erdhi menjëherë karta morale e ndërmjetësuesit. Nëse ajo do të sjellë rezultat kjo nuk do të jetë falë aftësive të Çernomërdit dhe të diplomacisë ruse, po shkatërrimit të potencialeve serbe.

Ka entuziazëm qëndrimi i Britanisë. Toni Bler ka fituar një prestigj të madh në Shqipëri. Rreshtimi besnik dhe pa asnjë disonancë i Britanisë përkrah politikës amerikane bën pjesë padyshim në trashëgiminë anglo-sanksone, po lidhur me problemin e Kosovës nuk është vetëm kaq. Pas revolucionit kromvellian, Britania është një nga ato vende që i ka kushtuar angazhim të madh demokracisë duke mos u ndalur asnjë çast të hedhë hapa progresiste. Është shumë kuptimplotë qëndrimi i Anglisë ndaj Pinoçetit! “Lordë” të asnjë vendi tjetër të botës nuk mund të mbanin qëndrimin që mbajtën lordët anglezë kundrejt sivllaut të tyre aristokrat dhe konservator nga energjia! Politikën e sotme angleze e karakterizon një dinamikë demokratike moderne. Konservatorizmin proverbial anglez tanimë e gjen vetëm në reliket e parlamentit dhe në ceremonialin e mbretëreshës. Zëri i Britanisë së Madhe sa vjen dhe bëhet më i plotë dhe më i avancuar në problemin e Kosovës. Të krijohet përshtypja, që mund të jenë vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë të interesuara që të lenë në dorën e Anglisë iniciativat Evropiane. Problemi i Kosovës mund të shërbejë si një bankëprovë, për problemet që mund të lindin nesër dhe që Evropa duhet t’i zgjidhi vetë.

Rambuje

A është e mundur që amerikanët të mos e dinin që Rambuje nuk do të sillte asgjë? Apo kishin vetëm një thermi shprese dhe deshën t’i shkojnë edhe asaj deri në fund? Mjaftonte të ndiqje me vëmendje në ditët e Rambujesë Milutinoviçin, sjelljen e tij sarkastike provinciale për të kuptuar, që atje po shuheshin hap pas hap shpresat e një zgjidhje paqësore. Po, ç’mund të thuash kur Rambuje ishte nisur për të kundërtën? Amerikanët kanë meritën që e sollën problemin kosovar në një lartësi të tillë dhe bënë që të diferencohen fare qartë përpara opinionit publik botëror qëndrimet e palëve në konflikt. Me durimin e njohur anglosakson, amerikanët e pritën Milosheviçin deri në atë masë sa që edhe njerëzit më paqësorë të botës filluan të humbasin durimin. Kjo është një arritje e diplomacisë amerikane. Meritë tjetër është paraqitja e qartë e Serbisë në rolin e agresorit. Nxitja që iu bë shqiptarëve për të firmosur sa më parë marrëveshjen bëhej për ta izoluar Milosheviçin. Thuhet që shqiptarët humbën dy javë kohë duke mos firmosur menjëherë, po, ndofta, është më saktë të thuhet që këtë kohë e “humbën” amerikanët, për t’u dhënë mundësi serbëve të dërgonin trupa të reja në Kosovë, fakt që do të shërbente më së miri për të treguar kush është për marrëveshje dhe kundër saj, fakt që do të justifikonte së tejshmi politikën e ardhshme të forcës goditëse të NATO-s. Rambuje duhej për të ardhur “step by step” deri aty pasi nuk kishte asnjë zgjidhje tjetër.

Inkriminimi i Milosheviçit nga Gjykata e Hagës vjen në momentin e duhur, në atë moment kur Milosheviçi po jep shenja lëshimi dhe rrëzimi. Po, me sa duket amerikanët nuk do të kënaqen më me lëshimet e vogla dhe dredharake të Presidentit serb, por duan rrëzimin e gjithë sistemit antidemokratik në Serbi. Vendimi i gjykatës së Hagës vjen në kohë, për të mos i lënë mundësi Milosheviçit të gjejë mënyra shpëtimi, siç gjeti pas Luftës në Bosnje. Inkriminimi i tij është inkriminimi i gjithë aparatit shtetëror antidemokratik serb. Pas gjithë kësaj është e parëndësishme të rrish dhe të vrasësh mendjen, se cila është primare në politikën e vërtetë amerikane në luftën kundër Jugosllavisë, zgjidhja e problemeve politiko-humanitare në Kosovë, apo ndërrimi i kursit të Jugosllavisë.

Rugova dhe zgjidhja e ardhshme politike për Kosovën

Sa ishte Rugova në Kosovë dhe nuk dihej fati i tij, politikanët shqiptarë me ngutje dilentateske e katapultuan, dikush si hero dhe ngadhënjimtar, dikush si tradhtar. Në atë kohë duhej heshtur, duhej pritur, po tani duket se nuk ka më kohë as për të heshtur, as për të pritur. Pa mohuar meritat e mëdha të Rugovës në ndërkombëtarizimin e problemit kosovar, nuk mund të rrish pa vënë re që figura e tij e kohëve të fundit ndodhet në ajsberg dhe gjasat janë që do të thellohet edhe më shumë. Ai e ka anashkaluar me ca fraza, stereotipa robërinë e tij në Kosovë, pa gjetur asnjëherë kohë për një rrëfim të plotë që e presin të gjithë. E presin të gjithë, se janë të interesuar të gjithë për një figurë sa më të pastër të Rugovës. Të krijohet përshtypja, se ai tani po bredh nëpër Evropë më shumë në rolin e një humanisti paqësor, se sa të politikanit kryesor të Kosovës.

Është e vërtetë ajo që thotë Kadareja që ai nuk është prononcuar si duhet për makabritetin serb në Kosovë! Çfarë i ka munguar? Vetëm ai mund ta dijë! Në mos gabohem ai ka parë edhe mundësinë e bashkëjetesës së popullit kosovar me atë serb. (Është fjala në kuadrin e autonomisë). A mos është edhe kjo në vazhdën e internacionalizmit proletar të shprehur euforikisht nga ndonjë tjetër: “Popullin serb e kemi vëlla?”. Po, ne mund ta kemi vëlla popullin serb dhe mund të bëjmë çmos për ta pasur vëlla, por e keqja është se nuk na ka vëlla ai ne! Amerika dhe Evropa e kanë dënuar me të drejtë në mjaft raste fundamentalizmin islamik, po u ka qëndruar nën hundë për vite të tëra dhe dekada një tjetër lloj fundamentalizmi, ai serbo-ortodoks-nacionalist-komunist serb.

Në filozofinë e fundamentalizmit është bazë intoleranca fetare dhe lufta kundër feve të tjera. A nuk është e njëjta gjë që po ndodh në Kosovë? Fundamentalizmi nuk është specifikë e fesë ortodokse, po e Serbisë ortodokse dhe më saktë e superstrukturave të saj politike dhe morale, që ia kanë dalë të injektojnë në genin serb urrejtjen antinjerëzore kundrejt shqiptarëve. Kjo urrejtje që ka në bazën e vet kompleksin osman është bërë pothuaj një normë morale në Serbi në marrëdhënie me shqiptarët. Sa e zymtë dhe e pakrahasueshme është Serbia ortodokse me Greqinë ortodokse! Dhe kjo bëhet edhe më e kuptueshme po të kujtosh, që ajo nuk ka në trashëgimi panteonin hyjnor të kulturës klasike helene. Populli serb duhet të bëjë një mea culpa që ta kemi vëlla dhe këtë duhet ta ngulisin mirë në mendje politikanët shqiptarë dhe Rugova.

Është në ajsberg mosardhja e tij në Shqipëri, siç janë në ajsberg dhe tratativat italiane me Milosheviçin për ta tërhequr Rugovën nga Kosova. Pse e liruan? A mos duhej në këtë kohë force të bridhte nëpër Evropë një emisar i butë? Dhe këtë butësi Rugova e ka të vetën, nuk e ka të porositur… Çfarë justifikimi mund të gjesh për ta shfajësuar atë nga shmangiet nga Shqipëria dhe takimi me Thaçin? Në asnjë moment të historisë së saj Shqipëria nuk do të ketë nevojë më urgjente se sa sot për bashkimin e të tërë faktorëve politikë shqiptarë! Shmangia është krim kombëtar! Duke perifrazuar këto probleme, kam dëgjuar një intelektual të thoshte që ishte gati të bashkohej edhe me djallin për hir të zgjidhjes një herë e mirë të çështjes kombëtare shqiptare! Thaçi nuk është djall! Ai është një djalë i ri, patriot dhe trim që ka rrokur armën për t’i dalë zot Kosovës. Ai është i përkohshëm në rolin e kryeministrit dhe ka nevojë për mbështetjen e Rugovës dhe eksperiencën e tij. Ky i fundit, duke mos i zgjatur dorën e bashkëpunimit Thaçit lë në harresë linjat determinante të politikës amerikane dhe preferencat e saj.

Ka djallëzi në mes të partive politike në Shqipëri, po as Shqipëria nuk është djall! Lidhur me bashkimin e faktorit politik shqiptar ka një dualitet, që i takon sa diferencave politike mes tyre aq edhe xhelozisë paternaliste. Të krijohet përshtypja që kjo e fundit ka të bëjë më shumë të nesërmen e Kosovës, se sa me të sotmen e saj! A mos vallë ajo parti politike shqiptare që do të arrijë unifikimin e faktorit politik shqiptar sot, do të ketë zërin më të madh nesër në kapitullin e Kosovës? Po, si do të jetë e nesërmja e Kosovës? Me sa duket, SHBA duke besuar në fuqinë magjike të demokracisë mendojnë se mund të arrihet harmonizimi i etnive Ballkanike dhe paqja mes tyre. Ky është pak a shumë edhe një mendim që rrjedh nga vetë eksperienca e organizimit social politik të jetës amerikane në një shtet si Amerika në prejardhje të ndryshme kombësish. Po, këtu harrohet diçka që shumë prej kombësive që formojnë SHBA e sotme nuk kanë pasur asnjë lidhje historike me njeri-tjetrin. Kështu miliona italo-amerikanë nuk kanë pasur të bëjnë kurrë me miliona meksikane, boliviane, honduras, havajanë dhe plot etni të tjera që popullojnë sot Amerikën. Dhe, megjithëse është kështu, prapëseprapë janë të njohura zërat separatiste në SHBA. Për ta harmonizuar kontradiktën etnike në Ballkan mungon një nga faktorët determinantë që ka ndikuar me kapërcimin e kësaj kontradikte në SHBA, zhvillimi dhe pasuria.

Varfëria e Ballkanit kthehet në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të pandërgjegjshme në një sherr ndëretnik. SHBA mendojnë që kosovarët mund të jetojnë në kornizën e një demokracie serbe, megjithëse ata nuk janë shumë të qartë kur bëjnë fjalë për një autonomi të zgjeruar, madje duke i shtuar disa herë edhe ndajfoljen “shumë”. Pra, autonomi shumë të zgjeruar. Por ata që kanë pasur një bashkëjetesë shekullore me një fqinjësi shekullore me serbët kanë rezervat e veta për mendimin amerikan. Mendimi i tyre është se qeveria më demokratike, më ideale që mund të realizohet në Serbi do të jetë vetëm 10 për qind më e mirë se e Milosheviçit! Kur përdoren fjalët “e zgjeruar” dhe “shumë e zgjeruar” autonomia e Kosovës se si merr kuptimin e një balloni, që po u zgjerua dhe sidomos po u zgjerua shumë “pëlcet” në kufijtë e pavarësisë.

E nesërmja e Kosovës dhe e Shqipërisë

Pa profetizuar shumë mund të thuhet që përfshirja e Ballkanit në një plan të tipit marshall është e realizueshme. Nga ai, do të përfitojnë në radhë të parë vendet e goditura në shumë nga lufta, Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia. Përfundimi i luftës do të krijojë një konfiguracion të ri politik në Ballkan dhe ndryshimet më drastike kuptohet që do të ndodhin në vendet në kufi me Shqipërinë. Raporte të reja duhet të vendosen në radhë të parë mes Shqipërisë dhe Mali të Zi, ku shqiptarët që jetojnë atje, kanë luajtur një rol jo të vogël në demokratizimin e kësaj republike. Kështu hapen rrugët veriore dhe verilindore tradicionale sidomos për Veriun shqiptar në marrëdhëniet tregtare. Nuk është rastësi që korridori 8 kalon nëpër Shqipëri. Amerikanët kanë ngulur këmbë për këtë dhe nëse nuk harrojmë, ata nuk u kushtuan vëmendje pretendimeve greke. Dukuritë politike të kohëve të fundit të bëjnë të mendosh që më së fundi Shqipëria ka tërhequr seriozisht vëmendjen e SHBA dhe se ajo bën pjesë në planet e saj me afat të gjatë. Me sa duket nuk kemi pse të trembemi nga e keqja që mund të na vijë nga jashtë. Duhet të trembemi nga e keqja nga vetvetja.

 

SHKARKO APP