Skënder Drini: Shqiptarët e këtij fundshekulli

(Botuar me 26 nëntor 1999 në KOHA JONE)

Nga Skënder Drini-

Shqiptarët gjithnjë kanë përfaqësuar një mozaik interesant folklori, traditash, dialektesh, mendimesh dhe pikëpamjesh të ndryshme, por ato kanë qenë përherë të ngërthyera pazgjidhshmërisht brenda konceptit arbëror. Tani kjo ka ndryshuar mjaft. Brenda një gjysmë shekulli mbi këtë mozaik kanë vepruar mijëvjeçarët arkeologjikë, që e kanë gërryer, e kanë çngjyrosur dhe e kanë përçarë. Gurët e këtij mozaiku tentojnë të largohen sa më shumë nga qendra, nga koncepti arbëror. Ngjajnë me një arkipelag të humbur brenda një kozmosi të panjohur mbi të cilin veprojnë forcat centrifugale të politikës, ekonomisë dhe të djallëzisë antishqiptare.

Pse ndodh e kundërta në Kosovë? Nuk ka forca centrifugale dhe gjithçka tenton të vijë në qendër, në gjenezë, në konceptin arbëror. Është e kuptueshme që pushtimi i gjatë sllav ka rritur ndjenjën e atdhedashurisë dhe të patriotizmit, por ka edhe diçka tjetër përtej kësaj. Atje është ruajtur e papërlyer ideja e atyre të mëdhenjve të Rilindjes dhe e të tjerëve pas tyre që e menduan Shqipërinë. Me pushtimin sllav për kosovarët koha u këput përnjëherësh aty ku e lanë rilindasit dhe ata që e menduan Shqipërinë. Kjo është arsyeja që kosovarët na duken si naiv në patriotizmin e tyre dhe si të mbetur prapa.

Po, çfarë përparësie mund të kemi ne me një kohë të avancuar pa dëlirësi? Nëse për kosovarët koha u këput aty ku e lanë ata që e menduan Shqipërinë, për ne eci nëpër monopatet e pavarësisë, të pushtimit, të çlirimit dhe të diktaturës, nëpër monopatet e filozofive sociale dhe antisociale, të doktrinave mbi nacionale, ku koncepti i kombit ishte në një disharmoni katastrofike me parimet internacionaliste.

Kosovarët kanë edhe një avantazh tjetër tepër të rëndësishëm. Ata e dinë mirë cilin kanë armik. Ne nuk e dimë cilin kemi armik dhe megjithatë po sakrifikohemi kot së koti! Por, po të vrisnim mendjen pak do ta gjenim armikun brenda vetvetes. Çfarëdo të ndodhë në Kosovë në vitet që do të vinë, në vitet e një demokracie të supozuar perëndimore? Një gjë mund të thuhet me saktësi, që ata besojnë në një të ardhme! Po, ne? A mos besojmë vetëm për të ikur? A mos besojmë vetëm në karontin e gomoneve, që do të na shpëtojnë në një botë të përtejme? Po, megjithëkëtë a mund të bëhet Shqipëria? Çfarë mendojnë shqiptarët e këtij fund shekulli? Si veprojnë ata?

Fshatarët

Janë kthyer në çerek qytetarësh, megjithatë një e katërta e tyre është në baraspeshë dhe ndofta dhe më e rëndë se pjesa e mbetur nga që kanë dalë nga natyra e tyre fshatare që i detyronte të mbillnin, të korrnin, të mbanin bagëti. Ata nuk konkurrojnë dot më si fshatarë në mjedisin shqiptar, sepse nga Kanadaja vijnë lajme që të afërmit e tyre vetëm gjuajnë rosa në gjashtë muajt e të ftohtit në lumenjtë e ngrirë. Nuk mund të konkurrojnë dot më si fshatarë se zarzavatet e importit dalin në treg përpara se ata ti kenë mbjellë! Nuk konkurrojnë dot më si fshatarë nga që nuk ka kush ua mban bagëtinë. Të rinjtë kanë ikur. Atëherë nuk u mbetet vetëm ta therin bagëtinë dhe ta shesin shpejt e shpejt. Bagëtinë dhe tokën. Paratë u duhen për të mbledhur ato shumat marramendëse që do t’u shërbejnë për të kapërcyer detin. Vetëm nga zona e Koplikut dhe e Bajzës në rrethin e Shkodrës kanë ikur më shumë se një e treta e banorëve. Shumica e tyre largohen për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada dhe në Angli. Kalojnë përmes një trafiku të nivelit të lartë, se me të ulëtin shumë-shumë mund të shkosh vetëm deri në Itali.

Trafiku i lartë është ai që kalon përmes dikastereve, deputetëve, politikanëve të afirmuar, që dinë si të merren vesh me përfaqësuesit e huaj. Pjesa e mbetur e fshatrave prej çekun që vjen nga emigracioni, e shndërron në një banesë moderne me shumë dhoma që përgjithësisht mbeten bosh dhe rrethon katet me ballkone të gjatë ku nuk ka kush të dali për të kundruar tokat e papunuara. Të tjerët u turren me sulm qyteteve duke i besuar asaj çerek psikologjie qytetare, që e kanë rrëmbyer artificialisht në marrëdhëniet e gjata me qytetin. Pas gjashtë muajsh ata besojnë se janë qytetarë të Veriut përpara Karamahmut, Bushatliut dhe qytetarë të Jugut përpara Ali Pashë Tepelenës!

Një pjesë e tyre u imponua me dhunë, duke u ngulur në vende dhe troje që nuk i përkisnin në periferi të qyteteve dhe duke vendosur pronësinë mbi to me ato shkrimet arrogante nëpër mure, që të kujtonin kohën e nëndialekteve të Buzukut. Kjo masë njerëzish u fut urgjentisht djathtas dhe majtas nëpër partitë politike, jo aq për bindje, sa për të pasur një mbështetje dhe për të marrë një kartë identiteti qytetar. Është deri diku ajo që do t’u japë ngjyrime populiste lëvizjeve demokratike, është eskorta politike e këtyre lëvizjeve, njëkohësisht është dhe eskorta fizike e liderëve të partive kryesore, që do të priten dhe përcillen me bujë në vitet e trazuara të pasdiktaturës. Kaq për të mos u shtyrë pastaj në rolin e tyre në vitin e tmerrshëm nëntëdhjetë e shtatë.

Është kontingjenti që në mjaft raste e ka prishur imazhin partiak, sepse gjithnjë kanë qenë të vështirë për t’u komanduar dhe për t’u mbajtur në frerët partiakë. Nuk kanë gjetur asnjëherë rezistencë nga qytetarët e ndershëm. Rivaliteti i tyre është me basifondet e qytetit, rivalitet që vjen deri te krimi në ditët tona. Nuk kanë qenë të gjithë kështu, madje mund të thuash me siguri që vetëm një pjesë fare e vogël e të ardhurve kanë qenë kështu, po me që sjellja dhe bëmat e tyre kanë qenë të bujshme, është krijuar përshtypja që vetëm ata e dominojnë të keqen dhe negacionin. Po, mbase nuk është faji i tyre që ata nuk po konkurrojnë dot më si fshatarë në mjediset shqiptare. Mbase është parashtrimi i shtrembër i idesë së progresit, burimi i gjithë së keqes. Demokracia u dha kredi fshatarëve për të blerë traktorë, po me ato para që mund të mos i kenë shlyer as sot blen, vetura, që i lanë ferrave pas disa muajve. Askush nuk u kërkoi llogari si i përdorën paratë dhe askush nuk po i bezdis as sot.

Kosovarët kanë vepruar ndryshe. Më përpara kanë blerë traktorin, pastaj shumë-shumë më vonë veturën. I kemi të gjalla para syve varganët e traktorëve me rimorkio që i përdorën për t’u larguar nga Kosova. Po, me se do të largoheshin fshatarët tanë në një rast analog? Fshatarët tanë nuk mendojnë gjatë e thellë si mund të bëhet dhe a do të bëhet ndonjëherë Shqipëria. Vetëm ata të paktit që nuk i janë ndarë tokës, që mbjellin bimë dhe e shohin si rritet, besojnë në një të ardhme, sepse i besojnë biologjisë, zhvillimit. Presin që dikush të mbjellë dhe të rrisë bimën e shqiptarizmës. Të tjerët, që kanë zbritur qyteteve, nuk e shohin gjendjen aq keq, sepse sado që bëjnë punë të rënda, janë prapë më mirë se sa andej nga kanë ardhur. Ata nuk mendojnë shumë. I kanë lënë qytetarët të mendojnë.

Qytetarët

Janë kthyer në një çerek fshatarësh. Le të kujtojmë që askund nuk dëgjohen më fjalët e sjellshme më falni, ose ju lutem. Në vend të tyre dëgjohet zhargoni i rrugës ti je bota, ti je grup, je firmë, që po të thellohesh e kupton që nuk shprehin tjetër veçse një qytetërim të dhunuar. Është fjala zotëri, që shpesh në marrëdhënie të veçanta është një kërcënim, merr një ngjyrim krejt tjetër, kur u atribuohet atyre që nuk kanë zotnillëk. Këto janë çikërrima, po çikërrima të mëdha të një bote që ka marrë një kahje të vrazhdë. E vrashta është imponuar, ka modën e vet, publikun e vet, qytetërimin e vet! Dashur pa dashur pas saj shkon një masë e madhe duke menduar që shkon pas kohës dhe modernes. É vrazhda sa është importuar, aq është edhe prodhimi basifondeve tona. Si import është marrë njësoj si mallrat e skaduara. Një amerikani mund t’i shkojë të shtrijë këmbët mbi tryezë, po një shqiptari nuk i shkojnë kurrsesi! A mos është e vrazhda një refleks dhe një rebelim kundrejt asaj që kaluam për gati një gjysmë shekulli? A mos mendohet që e vrazhda krijon individualitete të stërfuqishëm që u kundërvihen ideve kolektivizuese të së kaluarës? Apo është një rend i ri, rendi i forcës? E vrazhda ka një rezonancë të largët. Nuk është gabim të mendohet që është edhe jehonë e një Ballkani të egër dhe të supertrazuar. Në vështrim të parë, duket si diçka tepër sempliste të fillosh një shkrim kapital për mendimin shqiptarëve në këtë fundshekulli duke u nisur nga sjellja e tyre.

Po, a nuk është sjellja psikologjia? Psikologjia shoqërore a nuk është dominante në progres e sjellja e një populli? Duke menduar si është i mundur adaptimi me “civilizimin” e rrugës të zë frika duke kujtuar marrëdhëniet etrusko-romake. Të parët u thyen, u dhunuan megjithëse ishin shumë më lart se romakët. Po, pastaj romakët u kujtuan të thithin qytetërimin etrusk dhe megjithatë u desh shumë kohë për të arritur deri te Eniusi, Seneka dhe Virgjili. Por a do të kujtohen dhe kur do të kujtohen dhunuesit e civilizimit shqiptar për të ringjallur Barletin, Samiun, Fan Nolin dhe Çabein? Familjet e mëdha qytetare shqiptare, familjet e fisme dolën nga diktatura të shkatërruara dhe me brinjë të thyera. Nuk u luftuan vetëm si kundërshtarë politik por edhe për të krijuar një homogjenitet social artificial. Nuk i lanë në përgjithësi të krijonin inteligjencien e tyre dhe kjo i nxori tepër lakuriq përpara kërkesave që shtronte demokracia. Përgjithësisht as nuk arritën të imponohen në biznes, ku mund të vinin vulën e një ndershmërie të hershme, as në politikë, as edhe në jetën sociale. Madje një pjesë e konsiderueshme, e denatyruar nga dhuna e pësuar, manifestúan cilësi që nuk i takonte sërës së tyre duke u grindur brendapërbrenda për një rruginë, për një derë oborri dhe për një gjysmë banje. Kështu që kjo shtresë elitare i la në duar të tjera biznesin, politikën dhe jetën sociale, në duar që në mjaft raste i trajtuan ato në mënyrë diletanteske dhe vulgare. Si këto familje mbetën dhe janë ende në udhëkryq shtresa më dominuese e shoqërisë, shtresa e mesme. Qytetarët e saj nuk mund të konkurrojnë si të tillë sepse nuk mund të jenë më as agronomë, as inxhinierë as tezgjahistë dhe as ndërtuese hidrocentralesh. Në personalitetin e tyre jeton tragjikisht dualiteti në mes asaj që duan të bëjnë dhe asaj që janë të detyruar të bëjnë.

Kjo shtresë shoqërore dhe sidomos ajo e mësipërmarja nuk kanë ndonjë mendim shumë shpresëdhënës për të ardhmen e vendit. Kur nuk u bë Shqipëria nga idealistët e mëdhenj dhe rilindasit, si mund të bëhet nga ata që e kanë mendjen vetëm të mbushin xhepat? Ky është pak a shumë mendimi i tyre. Si do të dilet nga kjo gjendje? Duke ikur? Tregojnë për një familje që ka një fëmijë gjashtë vjeçe që flet italisht në mënyrë të përsosur dhe vetëm pak shqip. Asaj i duhen pesëmbëdhjetë, njëzet vjet për të dalë në jetën aktive, po atë e kanë përgatitur si kontingjent e emigracioni që tani, sepse nuk besojnë se mund të bëhet Shqipëria as pas aq vitesh. Një pjesë e konsiderueshme qytetare mendon që demokracia ishte një iluzion dhe do të mbetet si e tillë. Ikën një regjim, vjen një tjetër, disa gjëra ndreqen, disa të tjera prishen, po jeta mbetet në atë ekuilibër që i ka caktuar fati. Po, pikërisht fati! Prandaj është mbushur vendi me falltarë. A nuk janë edhe politikanët tanë të tillë, kur i shmangen së sotmes dhe flasin vetëm për të ardhmen?

Politika dhe politikanët

Në prag të zgjedhjeve të fundit, një grup militantësh të rinj të një partie të vogël po përgatiteshin me shumë entuziazëm për fushatën elektorale. “Të shkretët! E kanë me tërë mend! – u shpreh për ta një kolegu i tyre i karrierës. Tha kështu sepse ai nuk e kishte pasur kurrë me tërë mend politikën. Tha kështu sepse ai nuk e kishte pasur kurrë me tërë mend politikën, fillimet politike përgjithësisht nuk kanë qenë fallso, kanë qenë me terë mend, pavarësisht nga ajo ku mund të jenë katandisur në fund. Kështu e nisën udhën ata që e filluan Luftën Nacional Çlirimtare dhe përfunduan në diktaturë, kështu e nisën udhën ata që e filluan Luftën Nacional Çlirimtare dhe përfunduan në diktaturë, kështu e nisën udhën edhe ata që përmbysën diktaturën dhe nuk përfunduan askund! Fillimisht të gjithë ata që i futen politikës interesat vetjake i kanë gati të papërfillshme në krahasim me interesa të tjera, por ky raport mund të ndryshojë mjaft shpejt. Shumë shpejt ata mësojnë që politika sjell fitim dhe tërhiqen prej saj. Ky fitim mund të vijë shpesh herë krejtësisht në mënyrë të pa kërkuar, sepse bën pjesë në konvejerin e politikës, në rregullat e lojës politike të cilat ose do t’i pranosh, ose do të dalësh prej saj. Ka edhe politikanë që i shmangen me shumë mundim korrupsionit, po është tepër interesant që ata mbeten si të parëndësishëm, mbeten si në plan të dytë pavarësisht se mund të jenë edhe titullarë dikasteresh.

Lidhur me korrupsionin shteti mund të krijojë komisione, mund të marrë masa, mund të dënojë, por nuk mund ta pengojë. Ekziston mendimi që korrupsioni mund të vijë në një nivel të pranueshëm vetëm kur të ketë përfunduar shitja dhe privatizimi i të gjithë pasurisë kombëtare dhe kur të jenë bërë tenderimet e projekteve të para të mëdha që ka bota për ne. Pas kësaj do të kemi rastin të shohim një rënie drastike të krimit të organizuar sepse e gjithë pasuria kombëtare do të ketë përfunduar në duart e një pjese deputetësh, funksionarësh të shtetit dhe të partive të ndryshme, në duart e militantëve të tyre më të afërt. Tani ata do të jenë të interesuar të ruajnë direkt pronën e tyre. Po, kush janë këta? Këta janë shteti, që do të eliminojë krimin për të ruajtur vetveten domethënë atë pjesë të deputetëve, funksionarëve dhe militantëve që ndau pasurinë kombëtare dhe pastaj vetëm për refleks do të ruaj edhe pasurinë e qytetarëve të thjeshtë. Shtypi dhe media në përgjithësi dihet që e ka paraqitur gjithnjë errët për të mos thënë sterrë, politikën shqiptare dhe protagonistët e saj, por nuk është krejt kështu se prapë ka politikanë të përkushtuar dhe deputetë që bëhen copë. Janë ata që përmes fondeve të vendit apo donatorëve të huaj po shtrojnë rrugë, po pajisin spitale dhe po ngrenë shkolla. Media nuk merret me ta se pozitivja nuk intrigon, por edhe se ka frikë mos bjeri në portretizimet e dikurshme moralizuese.

Ajo që bie në sy në politikën shqiptare ka të bëjë me politikën e momentit, me politikën e të papriturave të ditës, ndërsa vizionin e largët e merr të gatshëm, e ka të importuar dhe të varur nga të huajt. Është e kuptueshme që nuk mund ti imponohemi as Fondit Ndërkombëtar, as Bankës Botërore apo ndonjë institucioni tjetër perëndimor, po të paktën të imponohemi me mendimin progresist dhe projekte të respektueshme. Pse duhet të presim gjithçka që andej? U desh që edhe Kushtetutën të na e miratonin që andej. Po, a ka vepruar kështu me Kushtetutat e tyre Çekia, Polonia, apo Hungaria? A kanë pritur një aprovim nga Komisioni i Venecias? Nganjëherë të krijohet përshtypja që mbështetjen e jashtme e kërkojmë për t’u mbyllur gojën kundërshtarëve të brendshëm. Pak a shumë kështu shpjegohet edhe zelli i madh që tregojmë për të përmbushur gjithçka që na kërkohet dhe për të treguar që ne jemi bërë si ata. Ajo që bie në sy dhe ka një rëndësi të jashtëzakonshme për politikën dhe shtetin shqiptar ka të bëjë me faktin që mungon një garant i fuqishëm, që do të garantojë ligjin, shtetin apo sigurinë kombëtare.

Në Turqi, për shembull, është ushtria garante e revolucionit kemalist dhe e demokracisë. Kur u rrezikuan këto nga fundamentalistët, ishte ushtria që e zgjidhi situatën duke mbështetur forcat demokratike. Këtu nuk është fjala për të ndjekur shembullin e Turqisë apo të ndonjë vendi tjetër, por për t’i dhënë garanci vendit. Presidenti Meidani është ndër ata të paktit politikanë shqiptarë, që kur e sheh si komportohet me të huajt, sa fine, dinjitoze dhe e zgjuar është sjellja e tij dhe çfarë ekuilibri mban në politikën shqiptare të bën të besosh se edhe Shqipëria do të bëhet. Po, ai ka në duar drejtësinë shqiptare, të përfolur kaq shumë me të drejtë dhe ku duhet vënë dorë urgjentisht për ta pastruar nga të paaftit dhe të korruptuarit. Pse pret kaq gjatë? Pritja dhe hezitimi ngjallin mosbesim. Mosbesimi po e lëkund popullin që pret veprime konkrete nga politika. Njerëzit janë aq të lodhur dhe të stërlodhur nga politika dhe partitë politike, sa kanë arritur në paradokse, të kërkojnë një shtet pa parti politike./Skënder Drini/

SHKARKO APP