Skënder Minxhozi: E djathta rrethon të djathtën

(Botuar me 15 Janar 1997 në KOHA JONE)

Nga Skënder Minxhozi-

E djathta rrethon të djathtën. “Lidhje e Djathtë” apo “E djathtë e bashkuar”, kjo është dilema që përjeton tani kampi i konservatorëve shqiptare. Partitë e së Djathtës Historike, Balli Kombëtar dhe Legaliteti, po përjetojnë shkërmoqjen e strukturave dhe degët po rebelojnë kundër drejtuesve të qendrës. Në Shkodër në fillim e më pas në Berat, liderët lokalë janë mbledhur për të denoncuar politikën e ndjekur nga Selfo dhe Durullari. Pozicioni i butë ndaj PD dhe qëndrimi rreth zgjedhjeve duket se nga shkaqet e divorcit që po merr përmasa të pakthyeshme. Tani mund të flitet për dy të djathta, e para me imunitetin e deputetit të votave të vjedhura dhe e dyta me votat e fituara në luftë me vjedhësit në pushtet. Duke filluar nga tetori i vitit të kaluar kur i mbrojti votat me armë, “E djathta e bashkueme shkodrane” ka modifikuar emrin sipas dialektit verior dhe ka prerë urat me Tiranën. Liderët e saj kanë deklaruar se nuk e njohin rezultatin e zgjedhjeve të majit dhe se e djathta e vërtetë duhet të ecë me këmbët e saj dhe jo me ato të PD, e cila sipas tyre ka tradhtuar idealet që e sollën në pushtet. Në kërkim të pikave të reja të referimit, të djathtët veriorë kanë udhëtuar drejt selisë së mbretit, për t’i treguar Lekës së Parë se në Shqipëri ka edhe të tjerë që mund të luftojnë përkrah tij. Dhe për ta bërë këtë, ata do të përdorin kartën që duket se u jep forcë: bashkinë e dytë në Shqipëri të fituar bindshëm.

Ndërkaq, vetëm tre ditë më parë, dega e Lidhjes së Djathtë e Beratit ka bërë të njëjtën gjë, duke dëshmuar se kjo e së djathtës është një epidemi që shumë shpejt mund të përfshijë të gjitha strukturat e Ballit dhe Legalitetit.

Edhe të djathtët beratas kanë deklaruar se 26 maji është i paligjshëm dhe i kanë bërë thirrje qendrës që të pranojë mendimet e tyre. Nga ana tjetër, flitet se një situatë shpërthyese është krijuar në strukturat e dy partive historike në Vlorë, të cilat mund të kërkojnë së shpejti distancimin nga linja politike e Tiranës. Ngritja e të djathtëve pas zgjedhjeve lokale të 20 tetorit është surpriza politike e katër muajve të fundit. Ndërkohë që pjesa tjetër e opozitës po kalon një periudhë të zgjatur krize, fundi i të cilës duket ende i largët, e djathta gjen motive për oponencë ndaj një PD-je më të fortë se kurrë në pushtetin e grumbulluar pas dy zgjedhjeve.

Arsyet e kësaj ringjalljeje duket se e kanë burimin pikërisht në Shkodër aty ku edhe nisi rebelimi ndaj Selfos dhe Durollarit. Ndërkohë që këta të fundit e kanë konsideruar rregullisht si të parëndësishme atë që po ngjet në degët e Lidhjes, Boriçi, Destanishta dhe të tjerët po hedhin themelet e një lëvizjeje që mund t’i gruponte më në fund energjitë e një krahu politik të dëmtuar nga skleroza historike pesëdhjetëvjeçare, nostalgjitë për të shkuarën, mungesa e vizioneve dhe e figurave. Shumëkush beson se duke filluar nga Shkodra, e djathta ka rastin unik për të dalë përballë elektoratit shqiptar si alternativë politike jo si frymëzim. Projekti i nisur në Shkodër, drejt të cilit po sheh së fundi opozita, mund të jetë pikënisja e rishfaqjes nga hiri e Feniksit të opozitës shqiptare të goditur fatalisht ne maj dhe tetor ’96.

 

 

 

 

SHKARKO APP