Skënder Minxhozi: Fushatë apo fushim
(Botuar me 29 Maj 1997 në KOHA JONE)
Nga Skënder Minxhozi-
Kur lideri socialist Fatos Nano u tha dhjetë mijë simpatizantëve të PS se nuk kishte dalë në tribunën e stadiumit “Selman Stërmasi” për të hapur fushatën elektorale të partisë në kryeqytet, të gjithë ata që kishin sakrifikuar vapën dhe sfiduar kordonët e policisë, kanë menduar se kjo është fushata më e çuditshme që ka ndonjëherë vendi. As miting elektoral, as miting proteste, ai i socialistëve pardje, ishte një reagim pothuajse instiktiv ndaj situatës absurde ku është mbërthyer politika shqiptare. Askush në Shqipëri, natyrisht i baraslarguar nga palët në lojë, nuk mund të thotë nëse fushata elektorale ka filluar vërtet ose jo. Dy marrëveshje që mbajnë datën nëntë dhe që janë nënshkruar nga dhjetë parti politike, nuk arrijnë ta zbërthejnë gjendjen politike aktuale, e cila duket se ka dalë përfundimisht jashtë skemave politike. Procesi i zgjedhjeve ka rënë në kurthin e sherreve të pafund mes partive, rreth pikave që paktet politike i kishin lënë pa parashikuar. Konflikti i lindur me gjendjen e jashtëzakonshme dhe orarin e mbylljes së votimit, është në fakt përplasja e parë konkrete mes dy palëve për rregullat e lojës gjatë votimeve. Pasi u injoruan në një mënyrë ose një tjetër, problemet e RTV e të SHIK-ut, tani po debatohet rreth temash që prekin direkt rezultatin e zgjedhjeve. Duket se në këtë pikë, PD dhe Presidenti kanë dalë më zbuluar se kurrë. Pardje demokratët kanë nxjerrë si pretekst për të votuar deri në orën 21.00, disa motive thjesht qesharake, që kanë bërë të reagojnë partitë e tjera. Duke “mbrojtur” interesat e atyre që shkojnë në plazh ose kanë vapë, Pollo dhe Vejsiu kanë dëshmuar se nuk ka asnjë motiv tjetër për të votuar deri vonë, përveçse ai i manipulimeve të mundshme të rezultatit real të votimit. Nga ana tjetër, ligji i jashtëzakonshëm, që në PD e ruajnë dhe mbrojnë fort, duket se mbahet në këmbë vetëm për një arsye: ruajtjen e mobilizimit të pjesshëm të forcave ushtarake dhe paraushtarake. I parashikuar në një nga dispozitat e ligjit, kjo klauzolë siguron mbajtjen e një numri trupash që mund të përdoren në momentet kur do të gjykohet e përshtatshme. Nga ana tjetër, siç duket, Berishës nuk i bën përshtypje që 160 deputetët e nesërm do të zgjidhen nën gjendjen e jashtëzakonshme, përderisa edhe vetë është zgjedhur në kushte të ngjashme. Dje në PD kanë tundur edhe një herë kartën e komiteteve. Arbnori nuk ka pranuar të mbledhë parlamentin, pa u shkrirë komitetet. Ai ka deklaruar se nuk kanë krijuar kushtet për të modifikuar ligjin e gjendjes së jashtëzakonshme, për sa kohë që PS dhe opozita nuk i kanë shkrirë komitetet e Jugut. Duke ia faturuar partive të pakicës fajin për mosndryshimin e ligjit dhe përgjithësisht të gjendjes, PD po kërkon ta shtyjë sa më vonë momentin e ndryshimeve në ligj, në mënyrë që ato të jenë sa më të vogla dhe që opozita të ketë pak kohë në dispozicion. Për të arritur mundësisht edhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Ndërkohë, edhe përgatitjet e opozitës, të cilat, për sa kohë nuk është dhënë sinjali i fushatës, mbeten të pashpallura, krijojnë jo pak konfuzion poshtë në elektoratin e saj, që pret të votojë brenda datës së parashikuar. Dje partitë e opozitës kanë refuzuar të japin listat e kandidatëve në zonat mazhoritare, megjithëse nga zgjedhjet mbeten vetëm 30 ditë. Kjo situatë që po stërzgjatet, ka krijuar përshtypjen se, më shumë se fushatë, kjo që po nis, ka pamjen e një fushimi trupash para betejës. /SKËNDER MINXHOZI/