Skënder Minxhozi: Lushnja digjet, Berisha krihet

(Botohet me 25 Janar 1997 në KOHA JONE)

Nga Skënder Minxhozi-

Të këqijat e gjithë botës, sipas mitologjisë greke, të mbyllura në një kuti, dolën jashtë kur një femër e hapi pa dashje atë. Të këqijat e Shqipërisë duket se kanë dalë jashtë ditën që piramida e parë financiare po me emrin e një femre, ka deklaruar falimentin. Gjashtë qytete janë ngritur deri tani në protestë masive, janë djegur ndërtesat e pushtetit lokal, janë përmbysur automjetet e policisë, është sharë presidenti dhe është kërkuar dorëheqja e qeverisë. Në jug dhe në veri fajdetë i kanë çuar njerëzit në këmbë dhe protesta nuk po jep asnjë shenjë qetësimi. Dje në Lushnje demonstruesit kanë djegur Bashkinë, Këshillin e Rrethit dhe Kinoteatrin. Tension ka pasur edhe në Kavajë. Arrestimet e bosëve të fondacioneve dhe bllokimi i llogarive të tyre bankare nuk kanë dhënë efektin që ka pritur Berisha dhe qeveria e tij. Kësaj radhe shqiptarët kanë treguar se nuk qetësohen me qeli dhe pranga, por kërkojnë me ngulm paratë e depozituara. Mes zjarrit, tymit dhe urrejtjes Shqipëria ka marrë rrugën e kaosit të plotë. Presidenti Berisha ka mbledhur dje përfaqësuesit më të lartë shtetërorë në kërkim të gjetjes së rrugëve për kalimin e krizës së fajdeve. Me përfundimet që ka arritur, takimi duket se e ka përkeqësuar situatën e krijuar. Në prani të kryeministrit, kryetarit të parlamentit dhe prokurorit të përgjithshëm, Berisha ka kërkuar ndërhyrjen e dy komisioneve të tjera përveç atij të transparencës. Njëri prej tyre, ai qeveritar i kryesuar nga ministri Halili, do të marrë kontakt me kompanitë rentiere për të konstatuar gjendjen financiare, kurse i dyti, i përbërë nga ekonomistë dhe ekspertë, do të kërkojë rrugët më të shpejta të shpërndarjes së fondit të bllokuar të dy fondacioneve klientëve të tyre. Megjithëse kryeministri premtoi mbrëmë në televizion se komisionet do të fillojnë punë “qysh nesër herët në mëngjes”, mbetet shumë e vështirë të kuptohet se çfarë do të bëjnë ato. Së pari rreth problemit të verifikimit të gjendjes financiare e firmave dhe kompanive, ekziston një komision jashtëparlamentar i ngritur nga Kuvendi Popullor. Prej disa javësh ky komision po merret me verifikimin e natyrës së fondacioneve dhe firmave rentiere. Futja në lojë e komisionit Halili nuk bën gjë tjetër veçse ngatërron edhe më keq një situatë tashmë konfuze. Jo vetëm kaq. Sipas atyre që u thanë në takimin e djeshëm, procedura e marrjes së parave të bllokuara në bankat shtetërore do të jetë qëllimi i komisionit të ekspertëve të ekonomisë, ndërkohë që vetëm disa ditë më parë institucionet financiare u bënin thirrje qytetarëve që të paraqisnin paditë në gjykata për të marrë paratë e bllokuara të Popullit dhe Xhaferrit. Siç shihet, kaosi fillon që në majën e piramidës shtetërore, për të zbritur poshtë te njerëzit e thjeshtë të cilët, tani e unë, janë më pak të qartë se kurrë nëse do t’i marrin ndonjëherë paratë e depozituara. Në qoftë se qeveria shqiptare nuk e ka të qartë sesi mund të dalë nga një gjendje që e ka injoruar me dashje gjatë katër vjetëve, ky nuk është faji i kreditorëve të tradhtuar. Fati i fajdeve po lëviz me shpejtësi marramendëse. Brenda pak orësh radhët e klientëve janë shndërruar në mitingje proteste ku nuk ka munguar dhuna. Askush nuk beson tani se kjo qeveri që i përdori dje fajdetë si vitrinën e kapitalizmit të ri shqiptar, ka vullnetin dhe sinqeritetin e mjaftueshëm për të zgjidhur një lëmsh që e ka ngatërruar vetë. Kjo humbje shprese te shteti dhe institucionet e tij, është më e rrezikshmja për një shoqëri që në një pjesë të mirë të historisë së saj është dominuar nga vetëgjyqësia. Ashtu siç ndodhi në vitin ’91. Ashtu siç mund të ndodhë edhe tani.

Skënder Minxhozi

SHKARKO APP